Kerko: a
Frank Shkreli: Shpëtimi i hebrenjve dikur dhe dorëzimi i turqve sot - Hipokrizi shqiptare
E merkure, 15.01.2020, 08:40 PM
KODI SHQIPTAR: SHPËTIMI I HEBRENJVE DIKUR DHE DORËZIMI I TURQVE SOT – NJË HIPOKRIZI SHQIPTARE
Nga
Frank Shkreli
Roli i Shqipërisë dhe i shqiptarëve
në përgjithësi për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë
Botërore dihet tanimë shumë mirë dhe vazhdon të tërheqë gjithnjë vëmendjen,
sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, si një akt humanitar dhe moral. Gjatë viteve, sidomos ç’prej shembjes së
komunizmit, roli i Shqipërisë dhe i shqiptarëve pa dallim, për shpëtimin e
hebrenjëve gjatë Holokaustit, bazuar në kodin moral të shqiptarëve, ka tërhequr
vëmendjen e medias, publikut dhe të politikës, përfshirë Kongresin amerikan dhe
vazhdon edhe në ditët e sotëme të jetë subjekt interesimi.
Këto ditë lexova një njoftim për një
film të ri që i kushtohet, pikërisht, kësaj teme historike, shpëtimit të
hebrenjëve nga shqiptarët në Luftën e dytë botëtore. Filmi dokumentar, i cili është gati të
shfaqet në kinematë amerikane në Nju Jork dhe më gjërë, titullohet, thjeshtë,
“Kodi Shqiptar”, i cili zbulon, sipas njoftimit, tregime të panjohura të mijëra
refugjatëve hebrenjë, të cilët janë shpëtuar nga Shqipëria, një vend me shumicë
myslimane, gjatë Luftës së dytë Botërore.
Një njoftim i shkurtër video për filmin në fjalë, mund ta shikoni në
linkun më poshtë:
Sneak Preview
Directed by Yael Katzir (Israel, 2019, 56 min)
Using unique archival footage, The Albanian Code unveils the unknown story
of thousands of Jewish refugees who were rescued by the Muslim-majority country
of Albania during World War II.
Ennie Altaratz -Francis, who was saved escaping from Yugoslavia, decides to go
to Albania to thank whoever she can. This voyage is full of surprises, as we
discover how an entire nation saved refugees, bound by their moral code. At
last, the Albanians get the appreciation they deserve for being the only
country in Europe that rescued the persecuted. The film carries a universal
message of gratitude to human-values.
https://jccmanhattan.org/programs/albanian-code
Natyrisht se të gjithë shqiptarët,
kudo dhe pa dallim, jemi krenarë për shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës nga
shqiptarët, pa dallime fetare, politike a krahinore. I gjithë ky interesim dhe vlerësim, është një
nderim që i bëhet Kombit shqiptar, duke ia njohur, atë meritë historike, bazuar
në kodin moral të besës, të mikpritjes dhe të nderit shqiptar. Ata vepruan bazuar në këtë kod moral qindra
vjeçar të fisit të shqiptarit.
Por, çfarë po ndodhë sot me ketë kod
moral që ka qenë dhe duhej të vazhdonte të ishte pjesë e pandashme e jetës dhe
e veprimeve të shqiptarit gjatë historisë dhe sot – si diçka që duhej të ishim
krenarë që në dallon për mirë, prej pothuaj të gjitha kombeve të tjera: Kodi i
shqiptarit se shtëpia jonë është e Zotit dhe e mikut. Kodi i shqiptarit, në bazë të cilit u
shpëtuan hebrenjtë në Luftën e dytë botërore, ishte që miku që të kishte renë
në dorë të përcillej i sigurt larg nga shtëpia, ashtuqë të mos i ndodhte gjë as
rrugës, as në shtëpinë e as në oborrin tënd.
Filmi “Kodi Shqiptar” për shpëtimin e
hebrenjëve në Shqipëri do shfaqet fillimisht në Nju Jork, në një kohë që një
sklandal i rëndë ka goditur Shqipërinë, ndërsa autoritetet e qeverisë shqiptare
kanë vendosur ditët e fundit që t’i dorëzonin Turqisë – kundër vullnetit të tij
-- një mësues, shtetas turk, kundërshtar i presidentit turk, Erdogan, i cili
kishte gjetur strehim në Shqipëri.
Pikërisht, siç kishte ndodhur para nja dy vitesh në Kosovë, kur
autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës, i dorëzuan Turqisë—gjithashtu
kundër vullnetit të tyre – gjashtë mësues të cilët konsideroheshin si
kundërshtarë të presidentit turk, Erdogan.
Shtetasi
turk të cilin autoitetet shqiptare në Tiranë ia dorëzuan ditët e fundit
autoriteteve turke
Të
dyja këto, njëri i ditëve të fundit në Shqipëri dhe tjetri kohë më parë në
Kosovë, janë krejtësisht akte që nuk kanë të bëjnë aspak me kodin moral
shqiptar, në bazë të cilit janë shpëtuar hebrenjtë në trojet shqiptare gjatë
luftës dhe për të cilat flitet në filmin e lartë përmendur. Dëbimet e kundërshtarëve të Erdoganit nga
Shqipëria dhe nga Kosova, jo vetëm që nuk përputhen me kodin moral shekullor të
shqpitarit, por janë në kundërshtim të plotë edhe me ligjet në fuqi të dy
vendeve dhe në shkelje flagrante të normave dhe marrëveshjeve ndërkombave, të
nënshkruara nga të dy vendet.
Analistët
në Shqipëri dhe në Kosovë i konsiderojnë dëbimet e kundërshtarëve të Erdoganit
nga trojet shqiptare si pasojë e drejt për drejt e zgjërimit të influencës
turke, në nivelet më të larta politike në Shqipëri dhe Kosovë. Autoritetet shqiptare akuzohen se me këto
masa po u japin përparësi dhe mbrojtje interesave turke në dëm të rendit ligjor
të brendshëm dhe ligjeve ndërkombëtare.
Prandaj është një hipokrizi kombëtare që udhëheqsit aktual politikë të
botës shqiptare të mburren me krenari dhe të marrin kredi – ashtu siç kanë bërë
në të kaluarën -- për shpëtimin e hebrenjëve nga Shqipëria dhe shqiptarët e
viteve të luftës. Ndryshe nga
autoritetet e sotëme në Tiranë dhe në Prishtinë, ata besonin në kodin moral të
shqiptarit për të strehuar dhe për të
mbrojtur mikun në shtëpi. Ju nuk besoni
në të njëjtin kod moral të mikpritjes, siç e ka traditë shqiptari! Ky është dallimi! Si përfundim i dorëzimit të këtyre shtetasve
turq autoriteteve turke, kundër vullnetit të tyre, kredibiliteti juaj në
mbrojtje të kodit moral të shqiptarit për të pritur dhe për të mbrojtur mikun
në shtëpinë tuaj—është 0.
Gjashtë shtetasit turq
dorëzuar Turqisë nga autoritetet shqiptare të Republikës së Kosovës
Të
dy këto raste kanë tërhequr protesta nga vendet perëndimore, si raste ku ligjet
janë shkelur ndërkohë që askush nuk merr përgjegjësi, në shmangie të plotë të
proceseve ligjore të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Këto shkelje, të nderuar qeveritarë shqiptarë në të dy anët e kufirit,
janë shkelje të rënda, jo vetëm të ligjit, por edhe të kodit moral të
shqiptarit. Njëkohësisht edhe shkelje
skandaloze të vlerave demokratike, të cilat i pretendoni.
“Shpija
e Shqiptarit ashtë e Zotit dhe e mikut”, na kanë mësuar të parët tanë
dikur. Miqtë turq që Shqipëria dhe
Kosova i dorëzuan autoriteteve turke, janë prerë në besë! Thuhej dikur për dike që pret në besë mikun e
shtëpisë, se atij nuk i mbetet tjetër veç, “a të fiket, a të koritet”. Kjo është një ndër vlerat themelore
shqiptare, me të cilat jemi krenarë kudo që jemi, vlera që na kanë dalluar
pozitivisht dhe gjithmonë nga të tjerët.
Me këto vepra, nuk ma merr mendja se jeni të “fikur”, se pasuri
materiale kini grumbulluar mjaft, por ama të koritur jeni para botës dhe para
historisë, ndryshe nga shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së dytë
botërore, veprat e të cilëve me të
drejtë vlerësohen edhe sot pothuaj një shekull më vonë, me filma dokumentarë,
si një kapitull i lavdishëm para botës, në historinë e shqiptarëve!
A
janë autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë më të interesuara të
mbrojnë këto vlera ashtu që shqiptarët të ankorohen fuqishëm dhe pa asnjë
dyshim me Perëndimin duke kundërshtuar ndërhyrjet e faktorëve të jashtëm
destabilizues në punët e shqiptarëve, a po të pranojnë në heshtje ndikimet e
tyre ashtu siç po bëjnë tashti.
Fatkeqsisht, kjo e fundit më duket më e besueshme, sepse klasa aktuale
politike shqiptare, qëllimisht, sot po mundëson krijimin e vakumeve politike,
ekonomike dhe kulturore, duke krijuar kështu mos stabilitet, të frymëzuar nga
autokratët modernë të tipit putino-erdogan.
Ndërkohë që venë, njëkohësisht në pikëpyetje, jo vetëm, respektin që ata
vetë kanë për vlerat historike shqiptare, siç është kodi moral i shqiptarit,
por edhe për meritat e modelit demokratik të qeverisjes, të orientuar nga
vlerat perëndimore, vlera për të cilat ata flasin shumë, por bëjnë pak për
zbatimin e tyre në trojet shqiptare.
Por,
ndryshe nga udhëheqsit e tyre, shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta e kanë
vendosur tanimë se cilin model dëshirojnë të ndjekin dhe në cilin model
qeverisjeje duan të jetojnë dhe të rrisin fëmijtë e tyre, duke “votuar me
këmbë”, ndërkohë që po largohen nga trojet shqiptare drejtë vendeve
perëndimore. Shqiptarët e kanë bërë të
qartë se duan të jetojnë në një shtet me autoritet kushtetues dhe në varësi të
sundimit të ligjit për të gjithë. Por,
janë autoritetet qeveritare në Shqipëri dhe në Kosovë, ata të cilët, siç duket,
e kanë humbur rrugën kushtetuese në oborrin e tyre, duke shkelur njëkohësisht,
jo vetëm ligjet e vendit dhe marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe kodet morale
mijëra vjeçare të shqiptarit -- mbi të gjitha kodin e shenjtë moral të parëve
tanë se, “Shtëpia e Shqiptarit ashtë e Zotit dhe e mikut!