Kerko: a
Frank Shkreli: 10 vjet pa Ambasadorin Lublin Dilja
E shtune, 28.12.2019, 05:42 PM
10-VJETË PA AMBASADORIN LUBLIN DILJA — ISH PËRFAQËSUES I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË WASHINGTON
Nga
Frank Shkreli
10-vjetë
më parë, kaloi në amshim Ambasador Lublin Dilja, anëtar i çmueshëm i trupit
diplomatik shqiptar dhe mik i përzemërt i të gjithë atyre që erdhën në kontakt
me të ndjerin Dilja. 10-vjet më parë,
Shqipëria humbi njërin prej përfaqsuesve diplomatikë më të papritueshëm të
saj. Ish-ambasadori i Republikës së
Shqipërisë në Washington, i ndjeri Lublin Dilja u nda nga kjo jetë, 10-vjetë më
parë, prej një sëmundjeje të rëndë, në vitin 2009, kur ai ishte në moshën
51-vjeçare, në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë së tij aktive diplomatike. Ishte një vdekje e rëndë për të gjithë ne që
patëm fatin ta njihnin, pasi ndërroi jetë në një moshë kur njeriu arrinë kulmin
e fuqive mendore, profesionale, diplomatike dhe shoqërore. Ishte kjo një humbje e rëndë, sidomos, për familjen
e të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj.
Njëherazi,
ishte një humbje e rëndë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin
Ambasadori Lublin Dilja pothuaj menjëherë pasi kishte filluar nga detyra në
Washington -- dhe si asnjë ambasador tjetër i Shqipërisë në SHBA, si atëherë
dhe sot -- kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me komunitetin
shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, dhe me individë të komunitetit, në veçanti.
Unë
e kisha takuar Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi kishte arritur në
Washington në Nëntor të vitit 1993, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe
Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i
akredituar gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada. Ai qëndroi në këtë detyrë
deri në tetor të vitit 1977. Më kujtohet
sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit Virxhinia, nja 10
kilometra jashtë Uashingtonit, atë natë të nëntorit të vitit 1993 kisha disa
mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga Shkodra, edhe
ata gjithashtu në vizitën e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara. Unë nuk e
njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington, por vizitorët shkodranë më
njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur ambasadori i ri shqiptar në
Washington, Lublin Dilja, të cilin ata e njihnin, dhe më sugjeruan që ta ftoja
edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me njëri tjetrit. Në atë kohë mezi
prisnim të takonim njerëz të ardhur nga Shqipëria, e lëre më ambasadorin e parë
të rregullt të Shqipërisë në Washington.
E
pranova me kënaqësi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse — ndonëse kisha
qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve
diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit 1991– ardhja e
ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqësues i një qeverie
post-komuniste të Shqipërisë – më dukej gjithnjë si një ëndërr që ishte
vështirë të merrej me mend si realitet. Ishte diçka që në të vërtetë e kishim
pritur dhe shpresonim për një kohë të gjatë, por që thuaj se kishim humbur shpresën
se do të rivendoseshin ndonjëherë marrëëdhëniet midis dy vendeve– duke marrë
parasyshë armiqësinë prej pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist të Enver
Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara.
Sidoqoftë,
Ambasador Dilja e pranoi ftesën menjëherë për të ardhur tek shtëpia ime pa
asnjë hezitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë nga Shqipëria, pasi
kidhte arritur në postin e tij të ri diplomatik vetëm një ditë më parë. Ndenjëm
deri vonë atë natë duke biseduar për Shqipërinë dhe ëndrrat e popullit shqiptar
për liri demokraci, pas pothuaj një gjysmë shekulli, nën njërin prej regjimeve
më të egra komuniste që ka njohur bota. Natyrisht, Ambasador Dilja ishte i
interesuar për të mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në
Uashington si dhe për misionin e tij të ri diplomatik që e priste në
kryeqytetin amerikan.
Ambasadori
Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me
të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo
vetëm në fushën diplomatike, por dhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij
me të gjithë miqët e dashamirët shqiptarë dhe amerikanë, që e kishin njohur. Jo
vetëm gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqësues i denjë i Republikës së
Shqipërisë në Uashington, por më vonë edhe si Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës
së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si deputet në Kuvendin e Shqipërisë
dhe si pedagog në fushën e arsimit shqiptar.
Për
mua personalisht, përshtypjet mbeten shumë të mira dhe respekti për Ambasadorin
Lublin Dilja, si njeri dhe si përfaqësues i denjë diplomatik i Shqipërisë, u
çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virxhinia jashtë Uashingtonit. Lublini të lente përshtypjen si njeri i
thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore. Me
gjithë sfidat shëndetësore, ai e përballoi situatën me kurajë të thellë dhe me
një ndjenjë të lartë përgjegjësie për punën e tij prej diplomati dhe në jetën e
tij të përditshme. Ishte tepër i urtë, me sjellje të një zotërie, por serioz në
punën e tij dhe i vetëdijshëm se përfaqësonte Shqipërinë. Si i tillë, gjatë
shërbimit të tij diplomatik në Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder
Shqipërisë, si në qarqet diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, ashtu edhe në
radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte bërë,
ndërkohë që nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, me gjithë sëmundjen e
rëndë që e kishte lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, kur
shërbente në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve
të Bashkuara në Nju Jork.
Jam
dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin
amerikan gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për të
personalisht. Me gjithë këto vështirësi, përfshirë sfidat financiare dhe
politike me të cilat përballej ambasada shqiptare në Uashington dhe vet
Ambasadori Dilja, përfshirë krizën e mallkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në
atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe u kthye në atdhe, megjithëse mund të
rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permanente, ashtu siç bënë shumë
diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve. Me sjelljet e tija dhe në bisedat me
Lublinin gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet
amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që i shërbeu
me dinjitet, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte
dhënë mundësia ta përfaqësonte atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje
edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë për problemet
personale ose institucionale në të cilat hasnin, por si përfaqësues i vërtetë
dhe i denjë i vendit të tij që ishte, Lublin Diljas të linte përshtypjen se ai
ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pikëspari në shërbim të Shqipërisë dhe
jo domosdo në shërbim ose si përfaqësues i ndonjë partie ose individi të
veçantë.
Puna
e tij e zellshme dhe e palodhshme, me gjithë sfidat serioze shëndetësore me të
cilat që përballuar, trimërisht, çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij –
ashtu në heshtje dhe pa bujë, vuante.
Dashuria e tij për Atdheun dhe për interesat kombëtare, sidomos në
marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita
të veçanta dhe e bën atë shembull të një diplomati të denjë dhe të respektuar
të Shqipërisë, për brezat e ardhshëm të diplomacisë shqiptare. Për këtë arsye e
kujtoj mikun tim të vjetër Ambasador Lublin Dilja – 10-vjet pas largimit të tij
nga kjo jetë me respekt, jo vetëm për punën e tij si diplomat, por edhe si mik
e dashamir i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte
gjatë periudhës që ai përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork të
Shtetet e Bashkuara.
Në
këtë 10-vjetor të kalimit në amshim të Ambasador Diljes, i paraqesim familjes
së tij të ngushtë dhe ish-bashkpuntorëve të tij në diplomacinë shqiptare,
ngushëllimet tona më të gjalla e të sinqerta në kujtim të mikut dhe diplomatit
të shquar shqiptar, me ndjiesi vëllazërore!