E marte, 10.12.2024, 11:19 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Bisedë me përkthyesin e “Lahutës së Malcis” në frëngjisht z. Abidin Krasniqi

E merkure, 13.11.2019, 09:27 PM


Bisedë me përkthyesin e “Lahutës së Malcis” në frëngjisht z. Abidin Krasniqi

Lahuta e Malcis e At Gjergj Fishtës më mahniti…Megjithëse nëna ime është frënge, babai im u mësoi gjuhë shqipe fëmijëve të tij. Kështu që, si adoleshent, unë flisja më mirë shqip se frëngjisht!

Z. Abidin Krasniqi dhe pse i lindur dhe rritur në Paris e flet shqipen rrjedhshëm dhe është një histori suksesi. Përkthimi në frëngjisht i veprës Kombëtare “Lahuta e Malcís” shkruar nga Poeti i Kombit Padre Gjergj Fishta ka qenë domosdoshmëri per t’i njohur kryeveprat e letërsisë sonë dhe në botë.

Ju jeni lindur dhe rritur ne Paris si e keni mesuar kaq bukur gjuhën shqipe ? 

Unë mbaj gjuhën shqipe prej babait tim. Jam djali i Sefo Bejta Krasniqit, ai ishte aktor dhe regjisor në Kosovë. Pas disa vjet studime në Zagreb, babai luajti dhe vuri në skenë disa shfaqje teatrore, por pati probleme me autoritetet jugosllave. Ai u detyrua të largohej nga Kosova në 1979. Në Perëndim ai nuk e kishte njohjen e pritshme, kështu që ai punoi si reklamues, piktor dhe të tjera. Megjithëse nëna ime është frënge, babai im u mësoi gjuhë shqipe fëmijëve të tij. Kështu që, si adoleshent, unë flisja më mirë shqip se frëngjisht !

Cila është jeta dhe familja juaj në Paris?

Jeta jonë nuk ishte e lehtë, si materiale ashtu edhe njerëzore. Një pjesë të fëmijërisë e kalova në jug të Francës, më pas familja ime shkoi në Paris, sepse me ardhjen e kompjuterave dhe teknologjive të reja, babai im nuk mund të gjente më punë në reklama. Në Paris, babai im pikturonte, nëna ime i shiste veprat e tij, shpesh me vështirësi. Që nga ajo kohë, unë ndoqa studime të palidhura me gjuhën ose me letërsinë shqipe. Kam udhëtuar shumë, pastaj kam studiuar sociologjinë në Universitetin Paris VIII deri në nivelin Master. Kam punuar në administatën e të njëjtit universitet deri në vitin 2016. Edhe sot e kësaj dite kam pak kontakte me diasporën shqiptare në Francë.

E vizitoni shpesh Kosovën?

Im atë nuk kishte, de fakto, të drejtën të kthehej në Kosovë sepse ai ishte refugjat, dhe nuk e di pse ishte njohur si ‘apatrid’, d-m-th pa shtetësi. Pas luftës së viteve 1998-1999, ne mund të ishim kthyer, të paktën për të vizituar Kosovën. Por në atë kohë, ishte babai im që nuk donte të kthehej më... Pastaj prindërit e mi u ndanë. Kam udhëtuar shumë nëpër botë, por më është dashur të largohem nga Shqiptarët. Psikologjikisht, si shumë fëmijë të emigrantëve, unë vuaja nga mungesa e pikave të orientimit. Vetë identiteti im ishte i pasigurt, isha francez dhe shqiptar, por edhe as francez, as shqiptar. Shkova për herë të par në Kosovë në të njëjtën kohë kur fillova përkthimin e Lahutës së Malcís, në fillim të vitit 2017. Atë kohë i kisha kaluar 30 vjet, ndihesha më e sigurt. E dija kush isha tani.

Kur dëgjuat për herë të parë për Poetin e Kombit At Gjergj Fishtën?

Babai im kishte shumë libra. Ai ishte i interesuar për shqiptarët, por edhe për historinë, fetë, mitologjinë, zakonet dhe traditat e shumë popujve të tjerë. Në mes të gjithë këtyre librave, unë e kisha vërejtur herët Lahutën. Kur e lexova për herë të parë, isha 14 vjeç. Megjithëse nuk e kuptojsha atëherë, siç e kuptoj sot, epika e Gjergj Fishtës më mahniti. Bota heroike e maleve shqiptare më bëri të ëndërroja. Por kam qenë i vetëdijshëm që kjo botë nuk ekziston më, kështu që kam kërkuar prej vitesh popuj që jetojnë në mënyre tradicionale (në Afganistan, Iran, Azinë Qendrore, Himalaje, Indi, Bolivi ose Peru...). Kam udhëtuar në kërkim të shoqërive që kishin ruajtur zakonet dhe traditat e tyre, besimet dhe këngët e tyre.

Çfarë ju frymëzoi më shumë dhe cilat janë mbresat tuaja kur lexuat per jetën dhe veprën e At Gjergj Fishtës?

Për mua Lahuta është po aq një kryevepër letrare sa një dokument historik mbi ngjarjet që çuan në krijimin e shtetit të Shqipërisë dhe në njohjen ndërkombëtare të tij. Ishte thelbësore për mua që lexuesit frëngjisht të njohin këtë kryevepër dhe këtë dokument. Prandaj është një përkthim që mund të përshkruhet si patriotik. Por ka edhe më shumë: Kam studiuar sociologjinë dhe antropologjinë dhe për mua ishte e rëndësishme që në Francë, ne ta njohim këto aspekte pak të njohura të kulturës sonë : legjendat, traditat, krijesat mitologjike, vlerat. Mjeshtëria absolute e gjuhës shqipe nga Gjergj Fishta, bukuria e tetërrokshit të tij, ngjashmëria e Lahutës me eposin e kreshnikëve që unë njoh mirë janë arsye që më kanë bindur së ky përkthim është i domosdoshëm. Më në fund, motivimi kryesor për këtë punë ka qenë universaliteti i Fishtës. Edhe pse ai ka qënë klerik katolik, poezia e tij u drejtohet muslimanëve dhe ortodoksëve, të gjith atyre që kan të përbashkët gjuhën shqipe. Në një botë që kërcënohet gjithnjë e më shumë nga përçarjet fetare, mesazhi i Fishtës duhet të dëgjohet, në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Francë.

Cilat ishin vështiresitë gjatë procesit te përkthimit, çfare shembujsh keni ndjekur?

E fillova këtë përkthim duke i thënë vetes se nëse do të arrij të përktheja një këngë do të ishte tashmë shumë. Pas disa javësh, kisha përkthyer disa!  Unë më pas e thellova punën, bleva disa fjalorë shqip (Kolgjini, Bashkimi, Gazulli, Elezi, FGJSSH…). Përveç kësaj, përkthimi i Robert Elsie-t më ndihmoi shumë. Natyrisht, nuk e kopjova, por më lejoi të bëj krahasime, për të parë se çfarë mund të kuptonte një shkencëtar si Elsie për këtë dhe atë fjalë, për këtë dhe atë varg.

Gjatë përkthimit a keni bërë bisedë imagjinare me At Gjergj Fishtën?

Siç thashë, nuk jam shkrimtar apo kritik letrar. Unë nuk kam aq shumë imagjinatë. Sidoqoftë, nuk kam ndalur të imagjinoj personazhin e Fishtës. Në çfarë kushtesh ai shkroi? Si e konceptoi ai besimin e tij katolik? Si e pa ai të ardhmen politike të popullit shqiptar? Si mendoi ai për pajtimin e traditës dhe modernitetit? Etj.

Me cilën shtëpi botuese në Francë keni marrëveshje?

Pata probleme për të gjetur një botues. Jo për shkak të cilësisë së punës së Fishtës, apo edhe për shkak të cilësisë së përkthimit tim. Jo. Por për shkak të gjendjes së tregut të librit në Francë. Çdo vit botohën mijëra tituj. Autorët e njohur shesin shumë, por shumica shesin më pak se 500 kopje. Shtëpitë botuese e kanë në mend këte gjendje përpara se të gjykojnë cilësitë letrare të një vepre. Unë botova përkthimin e Lahutës te L’Harmattan, një shtëpi që ekonomikisht më ofron kushte mjaft të dobëta, por njihet në Francë dhe ka një rrjet të mirë të librarive partnere.

Cilat janë disa nga opinionët intelektuale ne France për përkthimin tuaj te veprës së Gjergj Fishtës ?

Historianët dhe sociologët që njoh personalisht dhe që kanë lexuar librin më kanë uruar për punën që kanë bërë. Si specialistë, ata sidomos vunë re dhe vlerësuan shpjegimet e mia për tekstin e Lahutës (më shumë se 700 fusnota, një hyrje të gjatë, një indeks...). Për momentin, kam më pak reagime për cilësitë letrare të Lahuta. Libri po shitet mjaft mirë.

A mendoni se At Gjergj Fishta një dite do të studjohët në shkollat franceze ?

Unë mendoj se nuk e kuptoni sa pak lexohet dhe studiohet letërsia e huaj në Francë në ditët e sotit. Dhe për pak lexuesit e interesuar, oferta është shumë e gjerë. Çdo vit, qindra autorë anglisht, dhjetëra rusë, japonez, gjermanë, spanjollë, brazilianë ose italianë përkthehen në Francë. Edhe Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar prej s’largu më i famshëm këtu, është relativisht i panjohur. Qëllimi im me këtë përkthim të Gjergj Fishta është të prek pak francezët kuriozë që janë të interesuar për zhanrin e poezisë epike, apo ata që duan të njohin më mirë popujt e Ballkanit dhe kulturën e tyre. Nëse arrij ta interesoj këtë pjesë të publikut, nëse arrij të siguroj që në media të flasim pak për shqiptarët, atëherë qëllimi im është arritur !

Cilat janë projektët tuaja ?

Unë mbaj në zemrën time një projekt që është shumë i dashur për mua : editimi (zgjedhja, krahasimi dhe pajisja me shpjegime), përkthimi frengjisht dhe botimi i një antologjie të këngëve epike shqiptare (kryesisht ciklin e Mujit dhe Halilit, por jo vetëm atë). Ky është një projekt kolosal që nuk jam i sigurt se do ta kapërcej. Ambicia ime është të botoj një antologji me dy ose tre vëllime. Dua t’i ofroj lexuesit (në fakt, akademikut, studiuesit dhe publikut të informuar) një sintezë të eposit tonë popullor.

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Autorja është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit.

12 Nëntor, 2019

New York



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora