Kulturë
Blerim Rrecaj: Dy gjethe që bien prej pishe
E premte, 11.10.2019, 08:28 PM
Dy gjethe që bien prej pishe
Nga
Blerim Rrecaj
Ka
ditë që s'di se çfarë të bësh. Mund të jetë dhe e enjte siç është tash, por
edhe ditë tjetër. Herë të duket se gjithë botën bart mbi supe. Herë të duket se
jetën tënde. Herë një libër që je duke përgatitur për ta hedhur vitrinave të
librarive a nëpër tezga tregjesh të tregtarëve. Hedh hapa me këpucë të zeza
lëkure, e kur ulemi mund të dallohen çorapet e hirta që i ngjajnë qiellit të
kësaj dite vjeshte, pantollonat farmerka e një të katërte të murrme një
ngjyrëshe pakëz që është zbehur një pëllëmbë mbi gjunjë, dhe një maicë bash të
kaltër si flamuri i republikës me një shenjë kanguri mbi zemër. Ndjenja të
përziera lundrojnë përbrenda, mbase që pasqyrohen si diell mbi det, mbi liqen a
tjetër gjë, në fytyrën tënde, të përbëra nga pika ngazëllimesh, shqetësimesh e
dëshpërimesh të ëmbla a të kripura. Paprit të vije titulli i veprës që s'e ke
lexuar: "Fytyra dhe turinj". Ca presje shiu bien diku mbi çatinë edhe
të një çadreje të kuqe që i ngjan atij druri të madh gjethekuq n'hyrje
t'qendrës t'qytetit atje mes kolegësh ngjyrëpërzier, e tash këtu nën të cilën
ndodhesh ulur në njërën prej karrigeve të gjelbërta plastike dhe tavolinës si
nënë e këtyre bijave të saj. Tjetër grusht pikash shiu më s'bijen, të cilat
ishin si cingërrima paralajmëruese të kësaj ere që sapo filloi dhe vazhdon. Dhe
çohesh. Duke ecur të bijnë mbi kokë dy gjethe të kafta, të lidhura kokë më kokë
të një pishe gjethmbajtëse që megjithatë na kujton se çdo rregull ka
përjashtim, njërën e merr për gjilpërë e tjetrën për rrëmojcë dhëmbësh...