Kulturë
Brunilda Zllami: Të jesh i lirë për të ndryshuar
E marte, 06.08.2019, 08:45 PM
TË
JESH I LIRË PËR TË NDRYSHUAR
Esse nga Brunilda Zllami, Tiranë
Çfarë
është e drejta, e vërteta? Cila është e vërteta jonë dhe a është kjo një
perceptim i momentit, një lojë e fatit, apo një zgjedhje?
Dje
po mendoja për “ Matrixin”. Red pill or blue pill? Filozofia që përcjell është
sa emocionuese aq dhe reale në çdo kohë.
Nuk
është e lehtë të zgjedhësh të vërtetën, sepse në rradhë të parë është e
paparashikueshme. Shumë gjëra që ke njohur, njerëz që ke takuar, perceptime që
ke pasur, emocione që përjetoje më përpara, realiteti që mendon se ke prekur
ndryshojnë. Dhe fillimisht hutohesh, sepse mendon se kanë ndryshuar të tjerët
dhe realiteti, por në të vërtetë ke ndryshuar ti. Me dëshirën për të njohur të
vërtetën ( dhe askush nuk të përgatit
për faktin se ajo jo gjithmonë është e bukur) ti vështron fillimisht i
pafuqishëm se si tjetërsohet hapësira përreth teje. Ke ndryshuar ti, ke
zgjedhur të dish, të jesh i lirë për të ndryshuar, për të vendosur, për të
shikuar, për të jetuar. Fillon të mendosh se përse dikush nuk të përgatiti për
këtë zgjedhje, por kur kthehesh prapa në kohë, e kupton se herë pas here ke
zgjedhur, je përballur me vendimet që i kanë dhënë ngjyra dhe motiv jetës
tënde, ke formëzuar me durim qënien si një skulpturë e cila lëviz dhe ndryshon
në çdo zgjedhje që bën.
Por
e vështira nuk është vetëm të zgjedhësh, por të kuptosh. Është të përpiqesh që
të ndryshosh realitetin tënd dhe të tjerëve që do edhe pse kjo dalëngadalë do
të shënjojë në mënyrë të patjetërsueshme.
Po
atëherë pse duhet te zgjedhim të vërtetën? Pse duhet të vuajmë kur thjesht mund
të mbyllim sytë, veshët dhe të tërhiqemi si gurët e një lumi të lodhur nga
rrymat?
Sikur
të zgjedhim të pranojmë realitetin falls do ishim më të qetë, do bënim
kompromise, do ishim guri i parashikueshëm që lëviz vetëm nga rrjedha. Bota do
kishte ngjyrat që dikush i vizaton për ne, njerëzit do ishim ata që kuptojmë
nga stilimet e tyre për veten dhe do përshtateshim si të zinim një vend brenda
këtij kuadri. Patjetër që edhe kjo botë do të kishte ngjyra dhe jetë dhe
sigurisht që do ishim të bindur që do e kishim lirinë e zgjedhjeve tona, por
kjo do ishte thjesht një iluzion. Po të zgjedhësh të mos shohësh nuk të bën
përshtypje vjedhja, mashtrimi, varfëria, degradimi, vrasja. Sepse zgjedh të mos
i shohësh. Të kalojnë para syve si lajme që i eviton me indiferentizëm dhe
kthen faqen tek pamjet e postura nga plazhet ku ngjyrat e bukura të detit
shërbejne si kontur i trishtë për pamjet e shkrepura pas mundimesh titanike të
njerëzve që duhet t’i përshtaten realitetit falls. Nuk të mërzitin gjërat që
janë estetikisht kundër çdo ideje që ke për të bukurën, nuk të neveritin
elementët femërorë të dhunuar barbarisht nga botoksi, as fakti që nuk arrin të
dallosh njërën nga tjetra, nuk tronditesh që apelojnë sensualitet kur qartazi
duket se nuk njohin as emocionet, nuk habitesh që japin mendje kur nuk dinë as
të shkruajnë, kur këndojnë pa pasur as zë, kur filozofojnë pa njohur as veten.
Nuk të vjen çudi kur sheh meshkuj të venitur të zier në komplekse që kujtojnë
se me para mund të blejnë burrerinë. Dhe nuk shqetësohesh aspak kur njerëzit e
ditur, ata që punojnë me ndershmëri, që kanë ende principe rrënohen nga të
pashkollët oportunistë që mbijetesën e kanë fituar pikërisht në këtë realitet
falls që ne zgjedhim të mos na shqetësojë aspak. Nuk ka rëndësi që një njeri i
ditur mbetet në skamje, që një zë i bukur nuk dëgjohet kurrë në skenë, që një
femër e papërpunuar nga industria e kozmetikës mbetet në shtëpi, që librat e dikujt
që shkruan në copa letrash s’do i lexojmë kurrë, që dikush që s’ka para nuk ka
të drejtën e një mendimi dhe dikujt që nuk e shet shpirtin s’do i hapet asnjë
derë. Po kjo nuk ka problem, nuk na shqetëson në këtë botë të mbushur me kaq
shumë lajme e ngjyra që na shplajnë trurin dhe deformojnë neuronet. Fallsiteti
është një ëndërr me të cilën u mësuam gradualisht dhe e pranuam sepse është më
e lehtë të pranosh diçka që të servirin, sesa diçka që duhet ta bësh vetë.
Dje,
po mendoja për zgjedhjet e mia dhe çuditërisht m’u kujtua “Matriksi”.
Red
pill or blue pill?
Ka
njerëz që zgjedhin të vërtetën, që shpesh nuk është as e bukur, as e
shkëlqyeshme. Kjo e vërtetë nuk ka bërë botoks, as ka faqe në instagram. Nuk të
kërkon ta duash, as mat pëlqimet. Kjo është e vërteta, ndonjëherë e hidhur,
ndonjëherë e prekshme dhe ndonjëherë thjesht e perceptueshme. Çdokush brenda
vetes e di që ajo ekziston, por nuk është vetëm vendimi për ta zgjedhur, por
për ta kuptuar, për ta ndryshuar. Është e vërteta që të jep liri, ndonjëherë
dhe vetmi dhe do forcë për ta përballuar. Sepse kur hap atë derë gjërat që
evitoje t’i shikoje janë aty. Dhe janë më shumë sesa prisje, më të komplikuara
sesa mendoje, më të pazgjidhshme sesa besoje. Të vjen në mendje shprehja
“Injoranca është bekim”, por prapë nuk e mbyll derën.
Dikur
më bezdisnin njerëzit që zgjidhnin të ishin fallso. Tani jo më. Tani e kuptoj
mbijetesën e tyre, kompromiset që bëjnë duke shitur një shpirt dhe duke blerë
një tjetër. Dhe tashmë e di që as mund t’i ndryshoj, sepse ky është realiteti i
vetëm ku mund të mbijetojnë. Kush mund të fajësojë dikë për mbijetesën?
Por
kjo nuk më bën t’i pëlqej, as t’i respektoj!
Sepse
pavarësisht çdo gjëje, që fëmijë unë kam dashur të di më shumë. Kureshtja për
botën, rebelimi ndaj padrejtësive, ëndrra për diçka më të bukur kanë qënë
shtysa ime. Dhe zgjedh të shoh, të dëgjoj, të shkruaj, të jem e lirë! Zgjedh të
vështroj yjet e besoj se ia vlen të ndjekësh ëndrrat.
Zgjedh
të ndryshoj atë pjesën e vogël të realitetit që mundem ( edhe pse jo gjithmonë
ia arrij).
Po
nëse ju jepet një zgjedhje, ashtu si te “ Matriksi” kë do zgjidhnit?
Red
pill or blue pill?
-Për ZemraShqiptare, nga
Tirana Gusht 2019-