Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Toka që të mallëngjen dhe ta madhështon historinë!
E merkure, 24.07.2019, 08:52 PM
R i l e x i m
Reportazh
në trajtë udhëpërshkrimi në Krahinën e Plavës dhe Gucisë
Sejdi BERISHA:
TOKA
QË TË MALLËNGJEN DHE TA MADHËSHTON HISTORINË...!
Nganjëherë,
është mirë mendimin për ta kthyer prapa, sepse, shumë gjëra të kaluara nuk
duhet harruar, por që as kurrë nuk harrohen, dhe se si të tilla, ato janë
mësues i jetës, mu sikurse historia e cila gjithnjë provokon e,... provokon për
të mësuar. Në histori, përveç datave, edhe ngjarjet janë të përziera me
dhembje, që nganjëherë të ngulfasin për të thënë diçka të mirë dhe të vlefshme.
Dhe, këtë shkrim ma rëndoi me dhembje, e cila më ktheu prapa,... prapa e
prapa,... prapa e shumë prapa, një emision dokumentar për luftën dhe masakrat
në Kosovë. Por, megjithatë, e tërë kjo më inspiroi për të thënë edhe më shumë
gjëra në këtë shkrim, të cilin dëshirova që kësaj radhe ta shkruaj në trajtë
reportazhe, të udhëpërshkrimit e të kombinuar me elemente të eses, i cili lejon
dhe mundëson përshkrime me ndijim më të veçantë por edhe të ndërlidhura me
mendimin filozofik dhe me elemente historiografike. Duket e komplikuar, a...?!
Shkrepat
e Alpeve Shqiptare përbri fshatit Vuthaj
1.
Kishte
sa kohë që kisha ndërmend ta vizitoj Krahinën e Plavës dhe të Gucisë, t’i shoh
edhe tash këto vise dhe këto treva me bukuri të rrallë dhe me histori
specifike. Isha shumë kureshtar se si do ta përjetojë këtë udhëtim, të cilin,
fillimisht nuk e mendoja të ndonjë peshe krijuese apo të ndonjë inspirimi, i
cili do të më detyronte ta mos e kursej veten nga kujtimet e së kaluarës, nga
rrjedhat historike dhe nga qëndresa e malësorëve të asaj treve të Malësisë së
Madhe.
Rruga
gjarpërore e cila na detyronte të jemi të kujdesshëm nga ngasjen e makinës, më
jepte mundësi t’i sodis ato bukuri dhe ato madhështi të bjeshkëve të Zhlebit,
të cilat në vetvete mbajnë e fshehin krenari e histori, që në vetvete mbajnë
ditarët
më të begatshëm dhe më të ndritur të njeriut, të njerëzve të këtyre viseve, të
barinjve e të bareshave, që tash rrallë mund t’i shohë syri, apo fare nuk ka.
Nuk ka as dele dhe as tëbane, në të cilët gumëzhijnë fëmijët me faqe të kuqe,
dhe as baçica, të cilat me fanatizëm e “mblidhnin” bulmetin për ta zhdjergur në
rrafsh. Por, për këtë, tani “fajin” e ka koha dhe ecja e saj drejtë zhvillimeve
moderne. Mirëpo, deri në Qafë të Zhlebit, deri në vendin e quajtur Kulla, në
drejtim të Rozhajës, secili udhëtar mund t’i dallojë ndryshimet. Së pari,
madhështia e bjeshkëve dhe e shkëmbinjve, sikur nuk është ajo e dikurshmja,
sepse, pyjet janë plotësisht të zhveshura, kurse rruga duket pothuaj tërësisht
e shurdhër.
Pa
kaluar territorin e Pejës, breg rrugës hasim kornizën e djegur të një tabele, e
cila rishtas ishte vënë për të shënjuar kufirin me Malin e Zi, të cilën tabelë
e kishin kundërshtuar banorët, të cilët han e dan e kanë rritur shtatin, e kanë
shtuar bagëtinë në bjeshkët e këtushme duke u shtrirë edhe deri tek vendbanimet
Buxhovi dhe Dacaj e për tu lidhur pastaj me majën shtathedhur të Hajlës, e për
tu lidhur me fshatrat dhe me bukuritë e madhështitë përrallore të Rugovës. I
tërë ky përfytyrim, sikur saora kaloi dhe qel e mbyll sytë u gjendem në hyrje
të Rozhajës. Në hyrje të këtij qyteti, i cili jo vetëm në periudhat e kaluara
historike, por edhe gjithnjë,... edhe sot ka qenë i lidhur edhe me shpirt edhe
me pjesë gjaku e me beteja për ekzistencë me Pejën, Istogun dhe me Kosovën.
Tash,
dashtë e pa dashtë, gjatë udhëtimit nëpër këtë rrugë më kujtohen edhe ngjarjet
më të reja historike, më rëndohet zemra e mendja me tërë atë masën e
popullatës, të grave, fëmijëve e pleqve, të cilët atëbotë ishin dëbuar nga
shtëpitë dhe vatrat e tyre, dhe as nuk dinin se për ku janë nisur për ta
rehatuar shpirtin! Dhe, që nga hyrja në Rozhajë, përkundër të gjitha këtyre
skenave të llahtarshme, nis e të ëmbëlsohet shpirti kur të kujtohet mikpritja,
vendosja dhe hapja e dyerve të shtëpive dhe të objekteve të tjera për popullin
shqiptar të Kosovës. Ishte ai moment madhështor dhe virtyt i lartë i kësaj
popullate, e cila, atëbotë solidaritetin e kishte shndërruar në shpresa dhe
shërim të dhembjes,... në kohën e asaj katrahure. Kjo peshë kujtimi, m’i mbush
sytë me lotët më të valë që njeriu ndonjëherë mund t’i ketë brenda vetvetes,
për një gjë të tillë e cila kurrën e kurrës nuk harrohet. E cila gjë, gjatë
udhëtimit gjithnjë më shoqëronte me dy gjëra: me kalvarin e dhembjes dhe me
madhështinë dhe zemërgjerësinë e rozhajasëve. Dhe, kjo më bën të fortë. Zemrën
ma bën mal dhe sikur m’i shëron të gjitha plagët e shpirtit për gabimet që i ka
bërë njeriu dje, e për fat të keq që i bën edhe sot e kësaj dite. Po, po! Kudo
dhe,... kahdo e për çfarëdo...
Në
të arritur në Rozhajë, unë dhe shokët e mi hamendemi a të kthejmë për nga një
kafe, apo ta vazhdojmë rrugën. Nuk u ndalem. Të them të drejtën, intimisht isha
i ndarë në dysh; edhe të ndalemi, edhe të mos ndalemi. Sepse, isha i mbushur
mall, dhe tani stacioni i autobusëve atje, xhamia dhe shtëpitë e shumta më
ishin shndërruar në atë zhurmën dhe në dënesjet e tërë atyre qytetarëve, e të
gjitha atyre nënave që druanin për foshnjat e tyre, e të gjithë atyre fëmijëve,
pleqve dhe të sëmurëve, që nuk kishin arritur as të përshëndeten me vatrat dhe
me shtëpitë e tyre.
-Rrini
qetë! -sikur të gjithë atyre u thashë me zë, dhe me atë mu bë se u kisha thënë
krejt çfarë kisha menduar...!
2.
Ikëm, dhe tani po i afroheshim drejtimit rrugor për në Plavë. Edhe tani, fillon një “dramë” tjetër e mendjes dhe e shpirtit tim kurrë të pa rehatuar. Së pari kthyem në Guci. Gjatë rrugës për në këtë vendbanim historik, sikur njeriun e rrokë një nostalgji tjetërfare. E rrokin ato ethet e jehut të gjuhës së nënës. Kurse, ato bukuri e kishin ngrohtësinë dhe madhështinë përrallore, të cilat, padyshim se e ruajnë begatinë shpirtërore dhe amanetin e gjyshërve për ta ndritur çdo gjë që ka ikur e po ikën e pathënë, e pa qartësuar. Njerëzit që qarkullonin rrugës për në Guci, edhe pse ishin të paktë, ata ecjen e kishin të mishëruar me diçka që është e afërt me gjakun e me shpirtin. Posa hymë në këtë qytezë, e cila tani, deshe apo nuk deshe, duket si e boshatisur, kjo ndoshta pse ishte stina e verës, apo pse banorët e këtushëm, shumica prej tyre e kanë gjetur rehatinë e jetës në SHBA, por gjithnjë duke ruajtur dashurinë për këtë tokë, për këtë tokë të sertë, për vendlindje e vatan...
Mahnitëse:
Si bie uji tek “Syri i Vashës”
Kjo
qytezë, tok me begatinë e historisë, ka ruajtur edhe disa vlera arkitektonike
dhe urbanistike që i takojnë historisë. Gati në qendër të Gucisë, hasim kullën
e vjetër, e cila ishte duke u rinovuar, për ta ruajtur kujtimin dhe lashtësinë.
Por,... aty diçka filloi të më frikësojë. Gucia nuk bën të jetë qytezë e
shurdhët, as e zbraztë,... Historia e saj këtë nuk e duron dot,... as
rezistenca e këtij populli,... Dhe, prapë diçka më japë shpresë. Një truq
njerëz duke pirë kafe turke dhe raki rrushi, flasin për mallin për vendlindje,
për planet e tyre për të ndërtuar shtëpi të reja aty... Kishin ardhur ata nga
Amerika për ta kënaqur vetveten, për tu shpallur me vendlindjen, rrënjët për
t’i forcuar... Këtë kënaqësi, ma bën edhe më bindëse dhe më të fortë edhe
varrezat e këtij vendbanimi, që padyshim se janë një prej dëshmive më
thelbësore të historisë...!
Arritëm
edhe tek varrezat, pikërisht për t’i vizituar ato. Sepse, aty preheshin eshtrat
e gjyshit dhe të babait të një shokut tim, i cili ishte së bashku me ne.
Përgjatë rrugës deri tek atje, t’iu them të drejtën, për anash ishte rritur
bari dhe si i tillë, i “padisiplinuar” e kishte ngushtuar edhe rrugën që na
pengonte makinën për të qarkulluar lirshëm. Edhe në varreza (ishin këto
varrezat e banorëve të këtushëm të fesë katolike), bari ua kishte “zënë” frymën
shumë pllakave përkujtimore dhe varrezave të tjera, gjë kjo e cila në fillim
disi më trishtoi. Por, më vonë, në mendje mu pikat se tërë kjo mund të ndodhë
ngase këtu nuk vdesin shumë njerëz. Malësorët jetojnë gjatë. Por, është edhe
tjetra; këtu ka pak banorë! Kështu disi dëshiroja edhe të ishte, edhe pse
gjithnjë mu duk se Gucia disi dukej e tkurrur! Mirëpo,... mendja më thoshte se
Gucia nuk tkurret,... nuk zvogëlohet ajo, sepse, atë nuk e lejon historia e
saj, madhështia që ka...!
3.
Pas
qëndrimit të shkurtër në këtë qytezë, u nisëm për në Vuthaj. Është ky një fshat
karakteristik krejt ngjit me Gucinë. Por, para se të nisemi për në këtë
vendbanim, dua të theksoj se qytetarët e Gucisë e kishin vërejtur se ishim
mysafirë aty. Kurse ne, nga kureshtja, por edhe për të mos e gabuar rrugën, e
pyetëm njërin se kah duhet shkuar. Ai, pa fije hezitimi, me makinën e vet na
printe derisa na solli në të vetmen rrugë dhe që nuk mund ta huçnim drejtimin.
Iu falënderuam atij njeriu relativisht të rinj, kurse ai, sikur dëshironte që
përkundrazi, ai të na falënderohej që e kishim pyetur. Edhe kjo thoshte dhe
dëshmonte shumë për bujarinë dhe mikpritjen e këtyre njerëzve, të këtyre
malësorëve të cilët, dorën në zemër, pjesën dërmuese të familjeve të tyre i
kanë në mërgim, e më së shumti në Amerikën e largët.
Që
në hyrje të fshatit, vërejmë një shkapërderdhje shtëpish, shkapërderdhje që,...
si historia ishte, kjo! Pjesa dërmuese e shtëpive ishin të ndërtuara me shije
dhe ia kishin shtuar bukurinë e madhështinë këtij vendi. Ia kishin lartësuar
pamjen e cila ta imponon edhe mendimin gjithfarë, ta provokon imagjinatën edhe
atëherë kur e ke të fjetur pothuaj se tërësisht. Mirëpo, në shumicën e këtyre
shtëpive qëndronin të “lëvarura” perdet dhe kapakët e dritareve. Nuk kisha
dëshirë të bindem se ato janë të mbyllura, të vëna nën dry. Gjithnjë sikur e
detyroja vetveten të bindem, se në dhomat e këtyre shtëpive janë duke pushuar
banorët e këtushëm në këtë mesditë me vapë vere... Por, ishte ndryshe.
Përbrenda tyre “flinte” vetmia dhe heshtja të “fjetura” në terrin që kishin
krijuar perdet dhe kapakët e lëshuar të dritareve. Pronarët e tyre, sigurisht në
atë kohë gjendeshin në vendet e largëta, padyshim duke e ndrydhur mallin dhe
nostalgjinë për vendlindje.
Duke
kaluar rrugës së ngushtë por të asfaltuar, e që ishim nisur për ta vizituar
“Syrin e Vashës”, vend ky ku uji “hidhërueshëm” apo krenar, pa pushuar bie
thikë teposhtë dhe zhduket për të dalë sërish diku afro dymijë metra më larg.
Mirëpo, legjenda për “Syrin e Vashës” është shumë interesante, për çfarë do
t’ua shpjegoj pakëz më vonë. Tani, posa arritëm, mu tek “Syri...”, lartësitë
dhe madhështitë e shkrepave dhe të bjeshkëve të larta, mahnitnin me ato bukuri
të rralla, siç janë Majat e Vajzës, prej nga buron edhe uji i pastër si loti i
Skavkaçit, i cili krijon Ujëvarën e Hartinit, për tu lëshuar rrufeshëm në
kazanin e shkëmbit që banorët e këtushëm e quajnë Gërlë. Të gjitha këto, më
sjellin përballë shumë ëndrrave dhe shumë rrjedhave kohore, mu si të isha
fëmijë e jo njeri tani bukur i moshuar (s’dua të them i shtyrë në moshë!).
Ky
ujë i pastër, i cili vërtetë rrjedhë edhe këndshëm, më bëhej se në vetvete
mbante edhe një dozë hidhërimi apo pezmatimi, kush e di se për çfarë, apo mua
më dukej ashtu. Dhe, posa afrohej tek “Syri i Vashës”, thua se merrte tjetër
pamje dhe tjetër rrjedhë. Me të gjitha këto, ndoshta na përcillte këshilla e
mesazhe për atë greminën në fund të së cilës, uji shndërrohej në shkumë apo në
rruaza prej xhevahiri dhe përnjëherë zhdukej,... si të mos ishte! Thonë se
“Syri i Vashës” është histori e gjatë, qoftë për të kaluarën, qoftë për
përrallat e dashurisë qoftë edhe për madhështinë e përbashkët edhe të ujit,
edhe të shkrepave, edhe të bjeshkëve, apo qoftë edhe të qiellit që qëndron
lartë dhe të humnerës poshtë, e cila padyshim se joshë dhe shton kërshërinë...!
“Syri
i Vashës”?! Kështu i paska mbetur emri këtij vendi, ngase një vajzë duke e
shikuar vetveten në ujë, vetë uji qenka mahnitur me bukurinë e syrit të saj, sa
që e paska “grabitur” dhe bashkë me te qenka zhdukur nën bukuritë dhe
fshehtësitë e tokës. Por, legjenda për “Syrin...” shpjegohet edhe në mënyra dhe
forma të ndryshme, që ia shtojnë madhështinë kësaj treve edhe me tregime të
tjera të rëndësishme historike. Dhe, për fund, pos shumë fotografive, një e
bëra edhe tek “Syri i Vashës”. I luta shokët që të ma bëjnë një fotografi sa më
të mirë, sa më të veçantë. Por, nuk isha i kënaqur,... nuk e di pse. Ndoshta do
ta kuptoj më vonë, apo edhe Ju gjatë këtij shkrimi...!
Kështu
freskojnë Krojet e Ali Pashës
4.
Pasi
koha kishte kaluar shumë shpejtë, tani ikëm për në Krojet e Ali Pashës. Aty,
kishim planifikuar edhe të drekonim, peshk. Duke u kthyer, tek ky burim me
histori tjetër nga kjo që shpjeguam, përgjatë rrugës, sërish më përcillnin ato
shtëpitë e reja, dhe gjithnjë me perde dhe kapak të lëshuar në dritaret e tyre
dhe me dyer të mbyllura. Mirëpo, tërë këtë meditim si të pa rrugëdalje ma
ndërpreu një fëmijë i cili qëndronte breg rruge. Ai, e kishte të veshur një
bluz të kuqe e me shqiponjë në gjoks. Njëherë më shkoi mendja mos e kemi gabuar
rrugën dhe kemi dalë në Valbonë. Por, jo. Ky çunak ishte në Vuthaj! Ngjyra e
bluzës iu kishte shlyer mu ashtu sikurse edhe ngjyra e shqiponjës. Bluza e
vjetruar e vogëlushit i cili edhe na përshëndeti duke na ngritur dorën, ma
kujtoi dashurinë e vjetër,... dashurinë e moçme,... ma kujtoi lashtësinë e
kësaj ane. Duke e bindur veten për këtë mendim, zemra mu bë mal. Çuni i vogël
në Vuthaj me shqiponjë në gjoks...!
5.
Tani,
jemi mu tek burimi i Krojeve të Ali Pashës. Afrohemi për të pirë ujë në këtë
burim. Duke u afruar, sërish më kaplojnë mendimet; madhështia e kësaj ane,
historia,... historia e Krojeve të Ali Pashës,... uji dhe burimi i këtyre
krojeve, që kanë pasur dhe kanë edhe sy, edhe vesh. Kah do që vështroja, syri
ma zinte vetëm madhështinë e maleve dhe të fushave, më përftonte qëndresa e
jetesës, rrugëtimi i pa ndalur dhe i çuditshëm i njeriut tonë.
Dhe,
për ta shkurtuar këtë rrëfim, u kthyem në Restorantin “Krojet”, i cili ishte mu
pranë burimit dhe i ndërtuar me një arkitekturë që kompozohej dhe harmonizohej
edhe me ambientin, por edhe me të kaluarën dhe me historinë e Vuthajve. Këtu,
mirëseardhjen na dëshiroi një femër malësore, gojë ëmbël dhe fjalë mjaltë. Nga
mikpritja, menjëherë u ambientuam dhe porositëm drekën. Kuptohet, peshk. Duke
drekuar, gjithnjë kisha drejtuar shikimin kah burimi i Krojeve, i cili burim
sikur nga zemra e malit më sillte mijëra rrëfime, mijëra etje,... mijëra
dashuri e hidhërime, të cilat, edhe përpara, gjatë decenieve e shekujve janë
shpërndarë e ruajtur nga uji i freskët që ia mësyn tokave të luginës jo vetëm
të këtij fshati. Kjo gjë, nganjëherë më trimëronte, por nganjëherë edhe më
frikësonte. Nuk e di se për çfarë arsye?!
Andaj,
dëshiroja që përshtypjet e mia t’i përmbyllja me ndonjë rrëfim për vetitë dhe
veçantitë e malësorëve, të cilat, këtu e tej maleve të kësaj ane të Malësisë së
Madhe, kanë pasur dëshirë t’i disponojnë edhe viset tjera arbërore. Për këtë,
edhe e pyes zonjën e cila na shërbente me një pedanteri dhe krenari e madhështi
karakteri prej malësoreje, se si quhej. Pa hezitim ma tha edhe emrin edhe
mbiemrin që e kisha të njohur edhe nga miq të shumtë po të këtij barku.
Gjonbalaj, jemi, më tha.
-Dukesh
shumë e përzemërt! -i them i frikësuar, por kisha dëshirë për t’i nxjerrë edhe
ndonjë fjalë.
-Ne,
malësorët gjithnjë jemi të tillë. Kurse unë, ndoshta dallohem pakëz më shumë,
sepse, kur jam lindur, babai im kishte shkrehur katër herë pushkë për mua.
Ishte gëzuar shumë pse në konakun e tij kishte lindur një vajzë!
Më
bëri edhe më shumë kurioz. Shpejtas mendova: si të gëzohet malësori për lindjen
e vajzës?! Por, ajo e pa se isha duke medituar dhe më tha:
-Nuk
ta rrokë mendja, këtë?!
-Jo!
-i thash.
-E,
po tek ne malësorët, edhe atëherë ka qenë njësoj; si të lindi djalë apo vajzë.
Bujaria dhe atdhedashuria ishin një. Të sforcuara edhe më shumë. Kështu është
edhe sot!
Mu
mbushen sytë me lot dhe nuk u përgjigja fare, por e kafshova një spec të djegës
që e kisha kërkuar si shtojcë për drekë. Më dogji shumë, dhe e tërë ajo
“zharavë” më dukej e ëmbël si mjaltë. Nuk dua ta komentoj më tej...
Erdhi
koha për të ikur, kurse këto vise më kishin përvetësuar aq shumë me dashurinë e
me historinë e tyre. As kjo nuk do koment. Para se të largoheshim nga
restoranti, pronarja e këtij objekti nuk na lëshon pa pirë edhe nga një kafe.
Mirëpo unë refuzova, sepse kafenë nuk ma do organizmi, por, ajo atëherë më
preferoi ujë mu nga burimi i Krojeve të Ali Pashës. Nuk kundërshtova. Ajo mori
bokallin dhe pa fije përtese e mbushi mu në amën e krojeve. I piva dy gota ujë,
i cili ma freskoi çdo pjesë të trupit. U përshëndetem, kurse mua më ngeli
shikimi kah krojet,... më ngeli mendja tek “Syri i Vashës”,... sikur mu
përjetësua madhështia e kreshtave të thepisura, përtej të cilave, krenare
vazhdon historinë dhe thellon e forcon bujarinë Valbona me bukuritë e saja
mahnitëse.
Në
Bajram Curr më kishin thënë se përtej kreshtave dhe bjeshkëve të Valbonës është
Krahina e Plavës dhe e Gucisë,... edhe Vuthajt.
Në
shkrimin tjetër, do të flasim edhe për historinë, për bukurinë dhe për
kallëzimet e heshtjet të Grykës piktoreske dhe për ujin e kaltër të Valbonës.
Do të rrëfejmë e do të mësojnë nga diçka..!
U
kthyem pakëz edhe në Plavë. Liqeni i kësaj qyteze mu duk i heshtur,... i urtë
apo mbase edhe i pikëlluar! Përse,... nuk e di as këtë. Por, në heshtje iu
falënderova kësaj qyteze e cila gjatë luftës në Kosovë, ishte shndërruar në
dhënie shpresash, në çerdhe të ngrohtë, në dashuri dhe në shpresë jete për
banorët e qytetit tim-Pejës dhe të Kosovës.
Edhe
kësaj radhe, interesant, lotët më tradhtuan, dhe me ta u hidhërova tej mase,
sepse mu duk se jam ligështuar së tepërmi! Por, ky shkrim nuk është i rastit.
Ka sa ditë e javë që më ka trokitur në mendje e zemër që ta prezantoj kështu
siç e keni tash ju. Nuk di sa i kam dalë hakut shkrimit por edhe vetvetes dhe
madhështisë së atdheut tim,... nuk di a kam të drejtë të them në hidhërim,...
atdheut tim të çuditshëm...!