E diele, 28.04.2024, 08:43 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Përhapja e klubeve atdhetare e kulturore qe një nga format e përpjekjeve për përgatitjen e çlirimit kombëtar

E merkure, 01.10.2008, 04:11 PM


Klubi atdhetar e kulturor  “ARBËRIA” në 100-vjetorin e tij

Nga Halil Qendro

Në rrjedhën e historisë së gjatë të përpjekjeve të pareshtura të shqiptarëve për liri e pavarësi, vitet e para të shekullit të njëzetë duken si shkallët e fundit të daljes nga bodrumi në dritë. Organizimet e atdhetarëve në vilajetet që përfshinte trualli arbëror, kishin kohë që përpiqeshin të vinin në jetë idetë e rilindasve të mëdhenj, të shprehura aq bukur në vargjet e poetit:”Me pushkë e penë/Për mëmëdhenë”.

Përhapja

Përhapja e klubeve atdhetare e kulturore qe një nga format e atyre përpjekjeve  për përgatitjen e çlirimit kombëtar. Në atë rrjedhë të rrëmbyer të historisë sonë kombëtare, organizimet atdhetare të Stambollit me figura të tilla si Ismail Qemali e Hasan Prishtina me shokë, bënë të pamundurën për të ngritur kudo në trojet kombëtare klubet atdhetare, që nuk mbeteshin vetëm në shpërndarjen e literaturës në gjuhën shqipe, por bënin të gjitha përpjekjet e mundshme për përgatitjen e çlirimit të plotë nga zgjedha e huaj. Këto përpjekje të pareshtura të atdhetarëve tanë të asaj kohe përlindëse, nisnin me përhapjen e abetareve dhe librave të tjera aq të kërkuara në gjuhën shqipe, libra që botoheshin në kolonitë shqiptare të mërgimit - edhe kur ndaloheshin të botoheshin në qendrën e perandorisë - dhe vijonin me krijimin e çetave kryengritëse që bënë histori. Në ballë të këtyre
përpjekjeve tanimë qëndronin krah për krah njerëzit e penës e të pushkës. Dukej se thënia e Samiut që “e drejta pa fuqinë është si zogu pa një krah” kish hedhur rrënjë. Në ato vite të rrëmbyera  u bënë tok përpjekjet e iluministëve dhe të luftëtarëve në të gjitha trevat shqiptare. Mësuesi i shqipes në Robert Kolegjin e Stambollit, Sali Nivica, kërkonte hapjen e shkollave shqipe në malet e tij, siç e kërkonte këtë gjë edhe ushtaraku atdhetar i Janinës, Ismail Lesko Progonati.
   Për ta thënë tok me Naimin, ajo ish koha e zjarrtë, kur atdhetarët e guximshëm të Progonatit e të mbarë Kurveleshit krijuan 100 vjet më parë Klubin Atdhetar e Kulturor   “ARBËRIA”. 100 vjet më parë , në “Progonatin me vulë”, u krijua Klubi Atdhetar e Kulturor “ARBËRIA” për t’i dhënë hov lëvizjes kombëtare për çlirim nga zgjedha e huaj.
  Tanimë ky Klub do të kishte për detyrë që gjuha e mëmës të mos mësohej më fshehurazi por haptazi dhe me krenari. Do të hapej shkolla e parë shqipe dhe në këto male. Atë vit të largët 100 vjet më pare, Klubi Atdhetar e Kulturor “ARBËRIA” e hapi shkollën shqipe në Progonat dhe nisën përpjekjet për të hapur simotrat e saj dhe në Nivicë e në Gusmar e në mbarë krahinën e Kurveleshit. Klubi Atdhetar e Kulturor “ARBËRIA” i Progonatit ndezi 100 vjet më parë atë dritë të pashuar, që ishte ndezur për pak kohë dhe shekuj më parë, në vitin 1737, në Himarë, kur qe hapur aty shkolla shqipe nga misionarët arbëreshë.  Kjo krahinë arbërore edhe në hartat e pushtuesve është njohur herë me emrin Kurvelesh e herë me emrin Progonat, herë me emrin Himarë e herë me emrin Labëri.

100 vjet më pare…

100 vjet më parë, në “çati të Labërisë” u ndez drita e bukur e Klubit Atdhetar e Kulturor“ARBËRIA”, Kryetar i klubit u zgjodh atdhetari i njohur progonatas Shaqo Buxo dhe sekretar i klubit u zgjodh Arif Toto. Ajo ditë u festua  me këngë e valle te rrepet binjakë të  Progonatit dhe vallen e parë e hoqi atdhetari progonatas Arif Daci: “Jakëni o shqipëtarë/Gjithë bashkë e të pandarë”.
Pleqësia e Klubit Atdhetar e Kulturor “ARBËRIA” meriton më shumë se kujtimin në këto pak radhë. Por është detyrimi më i thjeshtë t’ua lexojmë emrat që të mos kujtojnë se i kemi harruar:
Kryetar – Shaqo Buxo
Sekretar- Arif Toto
Arkëtar – Xhemali Mehmeti

Anëtarë:  
                                 
Haredin Qendro         
Sheh Abazi
Nuredin Ismaili
Neki Rexo
 Dervish Seferi
Zenel Mehmeti
Emin Daci
Cane Xhufi
Ben Mersini
Malo Minga
Lato Abazi   
 Pushtuesit arritën ta mbyllnin klubin “ARBËRIA” më 1909 e përsëri më 1910 por atdhetarët tanë e hapën sërish më 1911 edhe më të fuqishëm se më parë. Ishte Komiteti i Fshehtë pranë këtij Klubi, ai që më 1911 organizoi fillimin e kryengritjes . Më 17 qershor 1911 Çeta e Kurveleshit, me komandant atdhetarin trim Vehip Runa nga Nivica, ngriti Flamurin Kombëtar në Lisat e Kadhe – vendi historik i kuvendeve të maleve të Kurveleshit - dhe po atë ditë u çarmatos dhe u përzu administrata turke nga Progonati. Kjo çetë kryengritëse  u bashkua  pastaj me çetat e tjera kryengritëse tek Manastiri i Cepos në Lumë të Kardhiqit për të vazhduar më tej pjesëmarrjen e saj në kryengritjen e përgjithshme të trevave shqiptare, që solli pavarësinë e vitit 1912 dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar.

Në këtë 100 vjetor

Në këtë 100 vjetor është e vështirë të mbetesh me kaq pak fjalë për Klubin Atdhetar e Kulturor“ARBËRIA”. Është vërtet e vështirë të thuash vetëm kaq pak për ata burra që e deshën lirinë më shumë se jetën, si bij të mirë të bilbilejve. Por ata bënë detyrën si atdhetarë dhe nderimi më i mirë për ta mbase do të ishte të përpiqemi t’i përkujtojmë më shpesh se për jubilarët emrat dhe veprën e tyre. Ata burra atdhetarë qenë njerëz të detyrës qytetare dhe besoj se do të nderoheshin më shumë nga brezat e sotëm, po qe se do ta përtërinim traditën e bukur të klubeve atdhetare e kulturore, si brenda dhe jashtë vendit, kudo ku jetojnë shqiptarë.
 Kemi një të katërtën e popullsisë që jeton e punon si mërgimtare dhe kjo traditë nuk do të lejonte as të na ktheheshin në rrënjëshkulur dhe as fëmijët e tyre të harronin gjuhën e nënës. Le të urojmë tok që ky jubile të shërbejë si për të kujtuar me nderim të thellë atdhetarët e Klubit Atdhetar e Kulturor ARBËRIA edhe për të na ndritur më mirë udhën tonë të detyrës qytetare.

Daut Gumeni

Shkolla u hap në ndërtesën ku më 1865 kishte filluar veprimtarinë e vet shkolla turke, e cila u mbyll menjëherë 1908, në Progonat çelet shkolla e parë shqipe

Mësimi i shqipes në Progonat është më i hershëm. Në vitet 1730-1741 misionarët arbëreshë, fshehtas autoriteteve turke të stacionuara me forca ushtarake, u mësonin shqipen djemve të Kurveleshit në kishat e Himarës e Progonatit me librin bazë “Doktrina e Krishterë” e Budit. Patriarkana e Stambollit duke parë rreziqe ndaj interesave të saj në këtë aktivitet kulturor  e fetar, ndërhyri pranë autoriteteve qendrore osmane dhe me masa të rrepta ndëshkimi e përndjekjesh, arriti ta ndalojë mësimin e shqipes nga djemtë e kësaj treve. Më 1902 e në vijim, si vite të rëndësishme të rezistencës antiosmane, një grup Patriotësh të krahinës riorganizuan mësimin e shqipes. Të ndarë në grupe të vegjël, djemëria progonatase mësonte të lexonte e të shkruante shqip nëpër shtëpi apo shpella, me qirinj e kandila dhe të njihej me veprat e rilindasve të mëdhenj, sidomos me vjershat e Naimit për Shqipërinë e Skënderbeun. Kjo situatë e përshtatshme e përgatitur në vijimësi nga patriotët progonatas, bëri të mundur që Klubi Arbëria të mos priste më tej, por të  çelte shkollën shqip.

Ndërtesa e shkollës

Librat shqip dhe abetaret me germat e gjuhës tonë dërgoheshin nga Janina prej patriotit progonatas Ismail Lesko që organizonte e drejtonte rezistencën kundër synimeve aneksioniste greke. Me gjithë reaksionin xhonturk dhe raprezaljet e ndërmarra nga autoritetet, shkolla shqip në Progonat nuk ndërpreu për asnjë çast veprimtarinë e saj mësimdhënëse në gjuhën e Naimit e të rilindasve të tjerë. Më 1910 u riorganizua Klubi Arbëria dhe me këtë rast, nxënësit dhanë një shfaqje me recitime vjershash patriotike të Naimit e Çajupit dhe hodhën valle e kënduan këngë trimërie të zonës. Kjo festë e bukur ka gjetur pasqyrim edhe në shtypin e kohës dhe pati jehonë në kuadër të përgatitjeve për lëvizjet e mëtejshme patriotike për pavarësi.
Shkolla  fillore e Progonatit me pesë klasë, ishte qendra e vetme arsimore që grumbullonte për mësim fëmijët e Progonatit e të fshatrave përreth gjatë pavarësisë e më vonë në periudhën e mbretërisë shqiptare. Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, Progonati hapi shkollë shtatëvjeçare dhe ndërtoi godinë të re për mësim të fëmijëve. Më vonë u ngrit shkolla e mesme me profil blektoral që pas viteve ’90 u shndërrua në shkollë të mesme të përgjithshme për të cilën është ndërtuar një godinë e përshtatshme. Kjo shkollë pret nxënës edhe nga fshatrat përreth.

Fidanishtja e patriotizmit

Shkolla e Progonatit që në fillimet e saj ka qenë një fidanishte patriotizmi dhe formimi kulturor e arsimor për brezat. Në historinë e saj 100-vjeçare ajo ka përgatitur shumë e shumë breza intelektuale që kanë vijuar formimin e tyre profesional në shkollat e larta brenda e jashtë vendit dhe kanë shërbyer me devotshmëri e patriotizëm në jetën ekonomiko-shoqërore të vendit tonë. Shumë nga ata kanë fituar tituj e grada shkencore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora