E diele, 28.04.2024, 01:47 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

At Zef Pllumi: Kampet e fshehuna në Shën Vasi

E diele, 28.09.2008, 04:13 PM


Fragment nga libri ''Rrno vetëm për me tregue''

At Zef Pllumi

KAMPET E FSHEHUNA NE SHEN VASI

Mbi krevatin tem prunë Zyhdi Çitakun, nji burrë i zbehtë, asht e lëkurë që s’dihej se ku i rrinte shpirti. Vuente nga gulshimi (asma) që e kapte tri-katër herë çdo ditë dhe e mundonte, së paku, nji orë rresht, deri sa binte i vdekun. Shpeshherë ai nuk mund ngjitej nalt në krevat të vet e u shtinte aty poshtë ku ishem un. Nuk fliste kurr, nuk kishte shoqni me askend. Gjithmonë I zymtë e i veçuem. Përveç gjellë që jepte komanda nuk kishte asnji ndihmë tjetër ekonomike, dhe as nuk pranonte gja prej kurrkuj. Asnji nuk dinte në se kishte familje apo jo. Nuk më ka ra me pa nji person tjetër që të paraqiste dëshprimin ma me vërtetësi se ai. I kqyrshem me shqetsim krizat e tija shëndetsore dhe me dashamirsi e trajtojshem kur ngelte me orë e orë në krevatin tem pa mujtë me lëvizë. Shpeshherë më takonte, gjatë këtyne krizave, që t’avitem te kazanat për të marrë me gavetën e tij gjellën e bukën dhe ia ruejshem te kryet. Nga kjo sjellja ime ai, kur nuk kishte kriza, ndërsa kacavirej në krevatin e vet, më përshëndeste pa folë, por vetëm me nji t’ulun koke dhe përpiqej për nji buzëqeshje prej kufome.
Nji ditë, nji shoqit tem, i kishin ardhë në takim e ai, nga ato që sollën, më fali nji tas plot me ullij. Bashkë me bukën e gjellë ia lashë te kryet. Kur I kaluen krizat, u ngjit në krevat të vet. Zgjati kryet poshtë e më thotë si nën za:
- Zef, a ke mundësi të më afrohesh këtu?
Pranë tij ishin dy krevate bosh.
- Ndigjo, kush mi ka lanë këta ullij? Ti do t’i kesh vu, sepse vetëm ti merr gjellën teme. Por ta dijsh se nuk pranoj ndihmë prej kurrkuj. Mos të vijë keq, por merri.
I tregova se m’i kishte dhanë nji shok që kishte pas takim me familjen, por tue kenë se as atij nuk mund ia kthejshe, që mos të fyhej, dhe as un nuk mund I haja, se më shkaktojnë dhimbje në stomak, mendova për t’i dhanë.
- Ku t’i çoja? – i thashë, veç në kosh të plehnave, o t’ia jepja Ferit Lopës! Kështu që mendova ma parë për ty. Ti ke rregullën tande, por çdo rregull ka edhe përjashtimin e vet. Mue nuk duhet të m’i kthesh.
Kur i përmenda Ferit Lopën e pash se qeshi me zemër. Ajo fytyrë e zymtë u skjarue.
- Pater, jam betue që mos me i pranue gja kurrkuj. Të lutem…
- Ndigjo, Zyhdi, kur thue “jam betuar” don të thotë që ti beson. Ndërsa detyra e ne klerikëve asht që t’i zgidhim njerzit nga betimet dhe mëkatet, prandej un marr mbi vedi çdo përgjegjësi morale e shpirtnore për thyemjen e këtij betimit tand, dhe duhet ta pranosh me doemos këtë dhanti.
- Nuk kam se si ta kthej, por po më ban me turp. E di se në jetë, ndërsa ka ndere, e mira ka të mirën, dhurata ka dhuratën, por un nuk kam mundësi ma për asnji nga këto.
- As un nuk kam, por jetën duhet ta përballojmë me trimni, se nuk e kemi në dorë na, por tjetërkush.
Q’atë ditë Zyhdiu më shikonte me nji sy të qeshun, më përshëndeste edhe me gojë. Mbas disa ditësh më thirri përsëri pranë krevatit të vet që të bisedonim.
- Ullinjt i mbarova e të thirra për me të dhanë tasin. I kam hangës me shije të madhe, se për mue ai asht ushqimi ma i mirë.
- Të bashin mirë, por tasi nuk ka ç’na duhet as mue as atij. Në ras se të hin në punë, mbaje, përndryshe hidhe.
- Mbasi më bane që të thej betimin nji herë, desha të të kërkoj nji nderë tjetër.
- Fol pa marre me mue, besoj se më kupton.
- Në se ke mundësi me më dhanë nji zarf me nji pullë poste dhe nji fletë fletoreje.
- I kam këtu poshtë krevatit.
- E di se i ke. Deshta edhe un të shkruej letrën e parë nga burgu.
Për sëmundjen e randë që kishte ai, ishte përjashtue nga të gjitha oraret e veprimeve të burgut. Doktori i kishte dhanë raportin për “regjim shtrati” të përhershëm. Gjatë dy orëve që punojshem me lulet, kohë që gjithë të tjerët ndigjojshin me bezdi leximin e veprave të Enver Hoxhës, kishem mundësi me mbushë paguret e ujit për vete e për shokët. Zakonisht edhe Zyhdiut ia mbushja paguren. Kur hina në dhomë për t’ia lanë te kryet, e gjej Zyhdiun në krevatin e vet, atje nalt; kishte shpërthye në vaj e lot dhe thirrte „i mjeri un, i mjeri... jam ma i mallkuemi i botës!...“ Tue mendue se i kishte ra nji krizë ma e randë se herët tjera, u ngjita për me i dhanë ndihmë. Fillova t’i fërkoj qafën e shpatullat, siç bajshem edhe herë të tjera. I thashë:
- A të thrras doktorin?
Por ai vazhdonte dënesët, vajin e dihatjet. Mendova se i kishte ardhë fundi jetës dhe për me e ngushllue I thashë:
- Zyhdi, qindro dhe mendo se ka nji Zot!... Të gjithë do të shkojnë te Ai, sepse bij të tij jemi!
Ndërkaq ai nxori nga poshtë batanijes nji zarf e ma lëshoi përpara. E kishte të hapun. Mbrenda tij ishte edhe zarfi tjetër i pahapun. Ishte po ai që ia kisha dhanë un. Në zarfin e hapun kje nji letër shoqnuese ku shkruhej:
„Ore qen, armik i Partisë dhe i popullit, si guxon të më shkruash mua! Unë nuk jam bija jote, por e Partisë dhe nuk dua të njoh kurr. Në rast se e përsërit, unë do të hedh në gjyq dhe do të shohish ti, or qen armik se ç’do të bëhet me ty!”
Në fund kishte vue nënshkrimin.
Lexova zarfin e pahapun. Kishte adresën e nji vajze në Berat. E hapa dhe e lexova letrën që kishte shkrue Zyhdiu me dorën e vet:
„Shumë e dashuna bija ime N.N.
Të kam lanë të vogël, pesë vjeçe, por jam i sigurt se do më mbajsh mend. Jam i djegun për ty, sepse ti kje i vetmi ngushëllim i jetës sime, dhe mendja më rrin vetëm te ti. Si je me shëndet, si shkon në shkollë. E vetmja dëshirë e imja asht që të jesh e lumtun. Më shkruej e më qetëso!”
Baba yt i dashtun
Zyhdi Çitaku

Mbeta i tronditun. Nuk dijshem ç’t’i thojshem, por as pa folë nuk mund rrijshem.
- Ndigjo Zyhdi, mos u dëshpro, sepse ti e din se nji e treta e të burgosunve janë braktisur nga fëmijët se kështu i ka detyrue partia.
- Kjo asht thika ma e helmueme që ngulet në këtë zemër që s’njofti kurr gëzime! Vdekja asht, sigurisht, njiqind herë ma mirë!... Pater, më njef ti mue se kush ishem?
- Nuk jam interesue kurr, por kur të shof se vuen kaq shumë, vuej edhe un. Vetëm këtu u njoftëm, në këtë burg të mallkuem.
- Që ta dijsh, kur ishem djalë, kishem këtë emën që kam sot, ishem nip i Ramadan Çitakut, që në Histori të Partisë thirret me emnin “Baca”. Ishem tepër i ri në vjetin 1945, kur më dërguen në Beograd, mbasi si kosovar dijshem gjuhën serbokroatishte. Më shtine në nji konvik e shkollë spiunazhi, ku q’atëherë nuk më ka njoftë ma kush me këtë emën. Gjithmonë, tanë jetën, kam pasë emna të tjerë e pasaporta të ndryshme. Vetëm Sigurimi Shqiptar e dinte emnin që kam sot… Aty në shkollë të spiunazhit, përveç stërvitjeve, mësova frëngjishten, anglishten e rusishten. Kur u prishën marrdhaniet me Titon, nga Shqipnia mora urdhën për me shkue në Austri e mandej me dalë në Çeki. Më kan arrestue tue kalue kufijt, por ishem shumë i ri, dhe më lironin mbas pak kohe. Në Çeki mësova gjermanishten e mandej mora urdhën me shkue në Gjermaninë Perëndimore. Detyra ime ishte me ndjekë gjurmë për gjurmë shqiptarët e arratisun, për të cilët dorzojshem raporte të hollësishme. Ma vonë mora udhën me kalue në Francë, Belgjikë e Itali, pra gjithkund nëpër Evropë ku kishte t’arratisun shqiptarë. Kam ndejë ma shumë se 25 vjet, tue u përpjekë me shti grindje, ngatrresa, përçamje, me organizue vrasje e atentate mes të emigrumve. Në vitet e fundit kisha në komandë mbi 60 oficerë të shquem shqiptarë që ishin herdhë në Prendim. Sikur ta dijshe sa shpenzime ia ka ba qeveria shqiptare për këto veprime t’ulta, ti do të mbeteshe pa mend, sepse po t’ishin shpenzue këtu, ky do t’ish nji vend i lulzuem. Mbas gadi 30 vjetësh m’erdh urdhni që të kthehem në Shqipni me të 16 oficera, bashkëpunëtorë të mi. Kur mbrrina në Tiranë u çufita se nuk ishte kthye asnji tjetër, përveç meje. Mbas tri ditësh banimi në hotel Dajti, erdh vetë Ministi i Mbrendshëm e më lajmoi se më kishin caktue nji tjetër detyrë, po aq të randësishme për kombin shqiptar: me organizue diversioni në Jugosllavi, por për këtë detyrë më kërkohej që të ruhej sekreti ma i madh. Duhej që të figurojshem si llogaritar i fermës së Roshnikut në Berat. Aty u sistemova dhe u martova me nji grue që pak a shumë ma rekomanduen ata, sepse tashma ishem në moshë të shtyme. Më lindi edhe vajza, që për mue kje e vetmja kënaqsi e jetës sime. Mbas 7 vjetësh, m’erdhi përsëri urdhni me u paraqitë te Ministri. Atë mëngjes prita që vajza të nisej për kopsht. E mora n’grykë ma me afsh se asnjiherë tjetër, sepse ma ndjeu zemra, se ndoshta, mund largohesha për ndonji mision. Kur gruaja u nis me vajzën, mbasi u larguen të dyja, sa nuk i pashë ma, dola edhe un, me çantë nën sjetull e u nisa për në stacionin e autobusave. Por aty, në rrugen time, mbas disa hapash pashë xhipsin e Degës. Duel prej andej vetë kryetari e më tha:
- Ku po shkon, në punë?
- Jo, kam nji ftesë për Tiranë.
- Po, ja që atje do të shkoj edhe unë. Kemi një vend bosh në makinë.
Kur hina në xhips gjeta edhe dy tjerë të cilët m’u hodhën në shpinë, më suellën duert mbrapa, më vunë prangat, ndërsa kryetari me nji revole në dorë më tha:
Në emër të popullit je i arrestuar!
Në birucat e Tiranës qëndrova dy vjet në hetuesi. Hetuesi!? Nuk ishte hetuesi, ishte akuzë se un gjith jetën kishem veprue, n’emën të Sigurimit të Shtetit, kishem veprue kundër shtetit, atdheut e popullit shqiptar. Akuza kryesore se kisha organizue 14 vrasje n’emigracion, të gjithë bashkëpuntorë të Sigurimit dhe jo „armiq e tradhtarë“, siç kisha pasë urdhnin.
Akuza tjetër, se kishem shpërdorue fondet e Sigurimit, nga të cilat kishem përvetësue dy milion lekë, të cilat, në të vërtetë i pruna kur ktheva në Shqipni e i kishem depozitue n’arkë të kursimeve. Nuk kam nevojë të flas për hetuesi të gjatë e të vështirë që përfundoi nga nji gjykatë speciale sekrete e cila më dënoi me vdekje. Mbas dy muejsh më lajmuen se Presidiumi e kishte ulë dënimin në 25 vjet. Më dërguen në Spaç. Mbërrita natën. N’atë kapanonin e përkohshëm ishte vetëm nji burrë i ri. Ai u interesue për mue. Më pruni tri batanije, mandej edhe nji tas çaj të ngroftë. Mbas sa vitesh mjerimi ky kje ngushllim i rrallë. “Ç’asht këtu?”, - e pyeta. “Nuk e din? – më tha me nji farë humori, - asht kampi i minierës së Spaçit, ku punohet ditë e natë e shkopin shpinës e barkun e thatë!” “Sa je dënue?, - e pyeta.” “Katër.” “Sa ke ba?” “Katërmbëdhetë.” „Sa të mbetën?” “Njizetekatër.”
Këtë tallje të egër nuk e kapërdina, e vrau shumë sedrën time. U pështolla n’ato tri batanije, u solla nga muri dhe kjava me lot. Përsëritshem fjalët tallëse t’atij burri dhe i thoshem vetes: më kanë pru aty ku të gjithë i njofin krimet e mia. Nga lodhja më xuni gjumi i dëshprimit. Mbas gjumit të shqetsuem gdhini dita tjetër. Ai burri erdh e më tundi: “Ndigjo, vetëm një çerek ore asht koha e tualetit. Zgjohu, jepi se mandej vjen nji gjysë ore koha e gjellës që zgjat gjysë ore e mandej bahet apeli.”
U zgjova. Mbas tualetit vjen e më pyetë përsëri: „Të ka regjistrue komanda kur erdhe?“ „Nuk e di.“ „Ishe në Zyrën Teknike?” “Nuk e di.” „Si të quajnë?” “Zyhdi Çitaku.” “Nga vjen?!” “Nga vjen?” “Nga birucat e Tiranës.“ „Erdhe vetë apo me tjerë? Me ç’autoburg?” “Ishim gjashtë, por i zbarkuem në nji tjetër vend. Vetëm mue më prunë këtu.”
Kur ai u nis, merdh vetiu mendimi se këtu “hetuesia” nuk paska kurr mbarim.
Mbas gadi nji ore ai po kthen me nji racion buke, me nji tas gjelle dhe nji lugë. “Gjellën e ke të mirë se e mora te puntorët.”
Në të vërtetë nji gjellë aq të shijshme kishte ma se dy vjet pa hangër. Duert e palidhuna në pranga më jepnin përshtypjen e nji jete të lirë. Gjithashtu gjella e ngroftë, atë të nji jete ma të mirë. Interesimi i nji shoku të vështirsive? Vetëm dashuni njerzore! Të gjitha këto më ngjallën në shpirt lehtësim e nuk mund prita pa i thanë: „Shok! O burrë i mirë! Të falenderoj shumë për ndihmën që po më jep, por mbramë u talle shumë me mue.“ „Kur u talla? – më tha. – Nuk e kam zakon me vu ne lojë vuejtjet e të tjerëve, se më kanë dalë e teprue të mijat.“ „Kur të pyeta: sa je dënue, m’u përgjigje: katër; e sa ke ba? – më the, katërmbëdhetë; po sa të kan mbetë? – m’u përgjigje: njizet e katër. A nuk asht tallje kjo?!... Un të pyeta mbramë përnjimend.” “Po, të kam tregue të vërtetën, - më tha. – Këto janë çuditë e këtij vendi! Kur më kanë shti në burg më dënuen katër vjet. Mbasi i kreva ato më dënuen edhe me dhetë vjet të tjera, tue më nxjerrë dëshmitarë të burgosun. Kur e panë se i përfundova edhe këto, më dërguen në hetuesi me akuza të tjera ma të randa, sikur un paskesh organizue mbrenda kampit grupe për nji revoltë. Të gjitha shpifje, rrena e poshtërsi vetëm si me të shkatrrue jetën. Më dënuen njëzet e pesë vjet, prej këtyne nji kaloi në hetuesi e tash më mbeten njizet e katër. Këtë tragjedi e more ti për tallje!? Më kanë shti në burg fare të ri, pa mbushë të tetëmbëdhjetat, për nji fjalë goje se “buka nuk më del”, e sot jam I dënuem që mos të dal kurr gjallë.”
Kur fliste ai, bajshem krahasim me jetën time.
- Pater, më ndigjo mirë: bota sot asht kriminale! Më kanë dërgue që në moshën 14 vjeç në nji shkollë të mallkueme ku krimi, dhuna, poshtërsia e të gjitha të kqija thirreshin „heroizëm“, „patriotizëm“. Kam jetue gjithë jetën me krime të shëmtueme, tue kenë organizator i tyne, madje I bindun. A din ç’do të thotë “I bindun”? Je i mbushun mendje se të gjitha këto veprime janë domosdo të dobishme për të mirën e kombit, t’atdheut e të popullit. Kam mendue se nga këto veprime të mija, kombi shqiptar do të bahej ma i ndrituni i botës, sepse ashtu trumbetohej me të gjitha burijat mbrenda dhe jashtë. Kur erdha këtu, në atdhe, dhe e pashë këtë vend të shkretuem, jetën e mjerë të këtij populli fatkeq, shpirti m’u ba akull. Kishem andrrue gjithmonë se kur të vinte ajo ditë e kthimit në Shqipni do më pritshin si “hero kombëtar”, së paku mbas Enver Hoxhës, sepse ishte vepër e imja ajo çoroditja e plotë, e gjithanshme dhe e pariparueshme e mërgatës shqiptare n’Evropë e n’Amerikë. Jo vetëm opinioni ndërkombëtar e ai i politikave të jashtme të Prendimit që nuk mund shpresonte e pështetej ma ndër ta e t’i ndihmonte, por edhe në vetë të mërguemit, në mendjet e zemrat e tyne, u shkatrrova çdo shpresë. Natyrish se për këtë punë janë shpenzue shuma kolosale nga shteti shqiptar.
Për burgjet këtu nuk dijshem kurrgja. Nji pakicë edhe mund mendohej të ndodhej në burg, por se gjithë Shqipnia të shndrrohet në nji burg të madh kush mund e çonte ndërmend? Në botë jo, kurrkush! Q’atë ditë që më vunë prangat me tradhti kam fillue refleksionet e shpirtit. Sa i marrë që paskam kenë! Gjithmonë në shërbim t’idealeve që nuk ekzistojnë e i mvarun prej urdhnave t’organizatave kriminale, edhe shtete në kjoshin këto! Ta dijsh se kam kalue nji jetë aventurash që kërkojshin sakrifica të mëdha. Pater, kam sakrifikue gjithë jetën e nganjiherë edhe me rrezik vdekje për gjithë ato marri e poshtërsi. Mendo se edhe m’asht dashtë me sakrifikue çdo lloj dashurie në jetë! E vetmja dashuni kje kur krijova familjen në Berat. Por e shed se si ka përfundue edhe ajo!... Vajza, loçka e zemrës mrrini me më thanë “qen e tradhtar”! Asht thika ma helmuese ngulun në zemrën time! Qe, pra, edhe këtë ma punuene! Kështu u shpërblyen të gjitha veprimet e jetës sime! Me helmin ma t’idhtë! Kurr nuk mund e mendojshem këtë!... Të gjitha të zezat i kam ba por ndaj familjes jo, jam kenë korekt! Kaherë e kam kërkue vdekjen, por ajo nuk vjen!... Por mbas kësaj letre vdekjen e kërkoj edhe ma me kambëngulje; nuk due të jetoj ma. Ky asht shpërblimi i të gjitha veprimeve të mija!
Mbetëm të dy në heshtje të plotë. Duhej, si rregull njerzor, të flisja un, por ç’mund t’i thoja?... Mbas pak minutash i fola:
- Ndigjo, Zyhdi, kam jetue shum vjet ndër malsi, ku e gjithë dija e shkolla e tyne, ishte pështetë ndër prralla e legjenda. Tashti po të tregoj nji prej tyne. Krishtit iu mbush mendja me u ulë në tokë për me pa sesa e zbatojshin fenë që u kishte mësue Ai vetë. Zbriti nga qiella bashkë me Shën Pjetrin. U hap fjala nëpër dhe se ka zbritë Krishti. Populli i shkoi mbrapa. Iu paraqit nji nanë që kishte nji fëmijë tetë muejsh, për gjinit, e i tha: „E kam shumë të sëmundë! Të lutem ma beko! Krishti, mbasi e pau fëmijën, i dha bekimin e vet. Mbas pak çastesh fëmija vdiq në dorën e s’amës!... Të gjithë u çuditën. Nuk kaloi shumë kohë dhe Jezusin e thrrasin te nji plak e i thanë: „Ka disa ditë që përpiqet për vdekje, por shpirti nuk i del! Të lutemi jepi nji bekim që t’ja lehtësojë daljen e shpirtit.
Krishti u avit te plaku e i tha: „Sa vjeç je?“ „Tetëdhetë.” “Të shërova! Ke edhe dhetë vjet jetë.”
Prralla vazhdon gjatë, por unë po e përfundoj kështu:
Shën Pjetri u idhnue e i tha Krishtit: “Shka ke ardhë me ba këtu në tokë. Mirë apo keq?” “Vetëm mirë”, iu përgjigj Krishti. “E si asht e mundun: djalin që duhej të jetonte nuk e shpëtove, ndërsa plakun e mbetun e shërove!“ „Krishti përgjigji: “Sikur fëmija të jetonte, do delte dreq që me ia pa sherrin gjithkush. Ma mirë të shkonte engjëll në parriz. Ndërsa ai plaku nuk ka lanë gja pa ba në këtë tokë, sa ka pasë fuqi. Tash edhe në dashtë, nuk asht ma i zoti. I dhashë dhetë vjet që të pendohet për shka ka ba.
Këtu e përfundova un tregimin. Mandej iu drejtova Zyhdiut:
- Edhe për ty këto janë vjetët e pendimit!...
- E ç’vlen sot pendimi? Ti e din se gjithë jetën kjeme pa Din e pa Iman. Mësimet e fëmijnisë së parë i braktisëm. S’vlejtën.
- Pendimi nuk asht vetëm nji akt fetar, por ka nji randësi të madhe në shoqninë njerzore, jepet nji shembull i mirë e ndihmon që tjerët mos i përsërisin ma ato gabime.
- Këto që të thashë quhen sekrete shtetnore mbi të cilat nuk mund flitet kurr. Ta kam zili kur të shof se në të gjitha këto vuejtje je prap i buzëqeshun. Pater, ti nuk e din se ç’asht krimi!...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora