E diele, 28.04.2024, 11:49 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

“Luigj Gurakuqin e vrau Çatini”

E merkure, 24.09.2008, 04:39 PM


Luigj Gurakuqi
Kushëriri i rilindësit i shkruan shefit të Oborrit Mbretëror

Rezarta Delisula

Edhe pse mundohemi t'ju rikujtojmë emrin e Çatin Saraçit krerëve të Legalitetit, miq të mbretit Zogu I, shumica e tyre e kanë njohur vetëm nga libri i famshëm, ku Ahmet Zogu quhet tradhtar, vrasës e hajdut.

Ata pak që kanë dëgjuar për të thonë se mbreti, duke njohur se sa llafazan ishte Çatin Saraçi, dhe për të mos prishur imazhin te katolikët e Shkodrës, që atëherë e quanin veten të përjashtuar nga regjimi, e dërgoi atë si konsull për ta mbajtur larg politikës vendase. Më pas, kur mësoi se shkodrani ishte vënë në shërbim të italianëve dhe anglezëve ia hoqi këtë detyrë. Pikërisht në këtë moment nis lufta e Çatin Saraçit kundër mbretit Zog. Në letërkëmbimin e Ali Ohrit me Fritz Radovanin, djalin e Kolë Radovanit, ushtarak i lartë në kohën e Zogut, si dhe kushëri i Luigj Gurakuqit, ky i fundit tregon se vrasjen e Luigj Gurakuqit e ka paguar Çatin Saraçi, ndërsa tregon dhe detajet e familjes së tij që i njeh mirë.
Çatini shkruante...

Çatin Saraçi, në librin e tij të pambaruar “Zogu i shqiptarëve”, akuzon Ahmet Zogun si vrasës të Luigj Gurakuqit më 1925. Në shënimet e tij thuhet se në atë kohë sapo kishte mbërritur në Bari, ku kishte marrë në dorë konsullatën dhe detyrën për të vrojtuar udhëheqësit e opozitës dhe Nolin, të cilët ishin strehuar në Itali, kur një student kishte qëlluar për vdekje Luigj Gurakuqin. Sipas konsullit, vrasësi kishte ardhur në zyrën e tij dhe i kishte thënë se ardhja e tij në Bari ishte për një qëllim shumë të madh, por duke e njohur atë student, Çatini nuk ia kishte varë shumë, pasi në të kundërt, siç thotë ai, mund të kishte lajmëruar udhëheqësin e opozitës me të cilin ai thotë se mbante marrëdhënie të mira personale. Mosreagimi i tij i ka shërbyer në anën tjetër, ku fitoi besimin 100 për qind të Zogut, i cili, sipas konsullit, ishte porositësi i kësaj vrasjeje. “Pas këtij episodi tragjik ia dola t'i fitoja zemrën Zogut e të bëhesha njeriu i tij më i besuar, kësisoj isha në gjendje të shpëtoja shumë jetë njerëzish”, shkruan ai, ndërsa në pasazhet e këtyre shënimeve nuk flitet për ndonjë person që diplomati i ka shpëtuar jetën. Edhe pse Çatin Saraçi vazhdoi të ishte pranë Zogut deri në fund të mbretërimit, ai thotë se ndarja me mikun e tij filloi pikërisht në këtë moment, në vrasjen e Gurakuqit.

E vërteta

Fritz Radovani, që është kushëri i rilindësit, Luigj Gurakuqi, tregon se familja e tij e di shumë mirë se kush ka qenë vrasësi i liderit të opozitës. Sipas tij, Çatin Saraçi ka urdhëruar të afërmin Baltjon Stamolla për vrasjen e Luigjit. Ky i fundit nga burgu i kish shkruar Çatinit një letër ku shkruhej: “A i ke pague paret”. Sipas Fritz Radovanit, bëhej fjalë për paratë që duhej të paguante ai, në mënyrë që vrasësi i Luigj Gurakuqit të dilte nga burgu. “Kjo pusull është kenë deri në vitin 1992 në Muzeumin e Shtëpisë së Luigj Gurakuqit në Shkodër”, i shkruan ai Ali Ohrit, duke i sugjeruar edhe personin që mund ta ketë këtë pusullë. Ndërkaq, tregimi i tij hyn në detaje më intime. E ëma e Baltjonit ka treguar se kur Çatini e kishte kërkuar, djali i saj ndodhej në kopsht, e duke përfituar nga të qenit vetëm, e ëma i është lutur Çatinit të mos e përziejë djalin e saj me këto punë. Pas vrasjes së Luigj Gurakuqit, Çatini nuk ishte dukur më në shtëpinë e tyre dhe nuk e kishte marrë përsipër nxjerrjen nga burgu të Baltjonit, edhe pse e futi vetë në atë valle. “Shumë shpejt Çatini është zhdukë nga Shqipnia, se është konsiderue vrasës i Luigj Gurakuqit. Ndër ato dy tri ditë që është vra Luigji, Saraçt kanë organizue një mbrëmje dëfrimi, ku kanë marrë pjesë edhe këto familje: Lec Shkreli, Gerejt, Dedjakupt, Gurazezët. Për këtë mramje ka shkrue Mark Gurakuqi, kushëri dhe shkrimtar i librit me titull “Luigj Gurakuqi”, shkruan nga Australia Fritz Radovani.

Vrasësi i tradhtuar

Pasi kreu në mes të Barit vrasjen e liderit të opozitës Luigj Gurakuqi, Baltjoni u burgos nga italianët. I riu nuk mundi të dilte sipas premtimeve të Saraçit dhe mbeti në burgjet italiane deri pas pushtimit italian të Shqipërisë. Kur Mustafa Kruja erdhi kryeministër, i kërkoi qeverisë italiane ekstradimin e “Baltjon Stamollës në Shqipëri. Kjo marrëveshje u krye dhe pas sjelljes së vrasësit në Durrës. I shoqëruar me policë ai është nisur për në Fier, për arsye sigurie, larg qytetit të lindjes. Në Fier ka qëndruar në një shtëpi të ruajtur nga policë, e një ditë thuhet se ai ka dashur të arratisej dhe policët kanë qëlluar në drejtim të tij me automatik. “E kanë lanë disa orë pa e çue në spital, mbasi kështu kishte porositë Mustafa Kruja, që Baltjoni mos të vritej në çast, por të vuante nga dhimbjet e menjëhershme që shkakton arma kur shprazet në bark. Afro dy-tri ditë mbas gjuajtjeve ka vdekë tue vërritë nga dhimbjet. Mustafa Kruja i ka thanë Babës tem: Ia bana kështu Baltjonit, se ia kishe kaq gja borxh mikut tem Luigj Gurakuqit”, i shkruan i moshuari Ali Ohrit, shefit të zyrës së Oborrit Mbretëror. Sipas tij, këto familje që u konsideruan si zogistë, pinjollët e tyre përfunduan në sigurim të shtetit.

Pakënaqësia

Një ndër librat më të shitur në libraritë e Tiranës ka qenë pikërisht “Zogu i Shqiptarëve”, i shkruar nga Çatin Saraçi. Diplomati, që pretendonte se kishte shok të ngushtë Zogun dhe se njihte çdo anë të tij, me kujtimet e veta ka ngjallur lloj-lloj reagimesh, duke e ngjitur në top blerje këtë libër, ku për herë të parë Ahmet Zogu shfaqet ndryshe. Malok, koprrac, 70 për qind analfabet, diktator, injorant, vrasës, hajdut, tradhtar… janë sharjet që hasim thuajse në çdo faqe të këtij libri, të shkruara nga njeriu që njihet më shumë si piktor dhe që dikur ka qenë diplomat. Sigurisht që për një pjesë të madhe të njerëzve ky libër ka sjellë pakënaqësi. Disa pohojnë se Çatin Saraçi ka qenë nga ato persona me personalitet të shumëfishtë, e që psikologjikisht të paaftë për të qenë produktiv në një prej zgjedhjeve të tij, përfshi këtu diplomatin, muzikantin e piktorin. “E çfarë mund të presësh nga një njeri që pretendon se është shok i yti e në çdo rast ai ta ngul thikën prapa shpine për një grusht para më shumë, apo për një detyrë më të mirë. Kjo kuptohet fare qartë nga deduksioni që mund t'i bëhet rrëfimit të tij, ashtu edhe në rastin e Luigj Gurakuqit. Ai pranon se ka marrë paralajmërim për vrasjen dhe s'e ka vënë ujin në zjarr, duke menduar se kjo s'do të ndodhte. Ndërkohë që pretendon se pas kësaj i ka qëndruar pranë Zogut për të shpëtuar jetët e të tjerëve”, thotë një prej veteranëve të Legalitetit. Ndërkaq, një nga këshillat më të vlefshme që ka marrë Ali Ohri prej mikut të tij Fritz Radovani ishte zbulimi i të vërtetave në arkiva. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë i thuhet stop rrugës së shpifjeve e gënjeshtrave mbi mbretin. Kjo ishte historia e treguar nga kushëriri i Luigj Gurakuqit, i cili thotë se vrasësi i vetëm i tij ka qenë Çatin Saraçi.

Letra e Fritz Radovanit dërguar ali ohrit

I nderuemi dhe i dashtuni z.Ali,

(Po të dërgoj pjesë nga materialet e mija historike që kam shkrue unë)

Fatkeqësisht sistemi komunist jo vetëm ka falsifikue historinë, por edhe ka krijue ndër njerëzit ide se me të vërtetë është ashtu si kanë gënye dhe vazhdojnë me gënjye edhe sot komunistët. Sasia e madhe e helmit t'ideologjisë komuniste që qarkullon me mjetet e propagandës e teksteve shkollore e atyne pseudohistorike deri në skajet më të largëtra të Australisë më bind se: Për shumë vjet është e vështirë me fshi blozën dhe ndryshkun që ka veshë trunin dhe llogjikën e Shqiptarëve...
...
U zgjata pak në hymje të fakteve, mbasi mendoj se ka ardhë koha me u marrë me shumë seriozitet kjo Periudhë e Historisë së pashkrueme.
Çatin (ose ÇaPin) Saraçi, ishte vëllai i Patukut, Sandrit e Toninit. I kam njohtë të gjithë. Kjo familje kishte lidhje kushurinije me Baltjon Stambollën. Çatini, pra (ÇaPini, si e quej unë, sepse çapini i jep helmin gjarprit), i ngarkoi detyrën e vrasjes së Luigjit Baltjonit, i cili mbasi e kreu këtë vepër të poshtëër, nga burgu në Itali i shkoi një copë pusull Çatinit; Çatin a i ke pague paret?. Ishte fjala për me pague Çatini lirimin e tij nga italianët. Kjo pusull është kenë deri në vitin 1992 në Muzeumin e shtëpisë së Luigj Gurakuqit në Shkodër. Për kepjen ose jo të kësaj pusull, jo më shumë se 10X8 centimetra, mund të lidheni me zotin Mentor Quku, i cili ishte drejtor i Muzeit, dhe besoj se ju ndihmon kur t'i drejtoheni n'emnin tem...
...
Aso kohe (1925), baba i em ishte në Gardën Mbretnore. Pak ditë mbas vrasjes Luigjit babën e ka thirr Mbreti vetë dhe i ka thanë: “Kolë, unë të njoh dhe e dij se prej teje, edhe pse je kushërini i Luigjit, nuk më vjen asnjë e keqe, por smirëzijtë e dashakëqijtë tuej kanë me u mundues me më bat ë keqen, tue spifë për ty se gjoja ti je tue u mundue me organizue grup kundërshtar kundër meje. Për me evitua çdo të keqe ndaj teje, kërko ku të pëlqen me shkue me detyrë si ushtarak dhe unë do e plotësoj dëshirën tande. Dhe në të vërtetë Baba është largue nga Pallati, por nuk ka pasë asnjë problem nga Mbreti. Përkundrazi, funksionet që ka pasë Baba deri sa ka vdekë ishin të rëndësishme....
...
Unë kam këtë mendim: Asht koha që duhen zbardhë disa ngjarje që mbas nesh, ose nuk ka me u marr kush seriozisht me to, ose “ndokujt” ka me i interesua me i lanë në errësinën e sotme.
....
Arkivat janë mjeti dhe arma më e vlefshme në dorën e të Drejtit!
Përshëndetje miqësore e vllaznore: I Juej, Fritz Radovani

Melburn, 2006, tetor 29.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora