Shtesë » Historia
Hajredin Isufi: Flijimi për nder i 100 grave çame; legjenda që çuditi Europën!
E premte, 19.09.2008, 05:44 PM
Flijimi për nder i 100 grave çame; legjenda që çuditi Europën!
Gra came te dhunuara nga bandat e Zervas ne vitin 1945
Nga Hajredin Isufi
Krahas bukurisë, si dhuratë e natyrës, trimëria e gruas çame ka qenë dhe ka zënë vend në kufijtë e legjendës. Rrëfimet e transmetuara brezave, gojëdhënat, këngët; por dhe dokumentet arkivore të kohës, e evidentojnë dendur këtë fakt.
Por të gjitha që cituam më sipër, sipas dokumenteve arkivore e studiuesve (këtu të gjithë bashkohen në një pikë) nuk do të kishin vlerë, apo më saktë nuk do të ishin të plota pa përmendur suliotet çame. Shumë studiues, që i kanë pasur në qendër të studimit të tyre Çamërinë dhe çamët, e pasqyrojnë gruan çame të Sulit si luftëtare dhe bashkëshorte të aftë të burrit, si bartëse të ideve më të mira të kombit e pajisur me ndjenja të larta si një nënë e denjë për të rritur dhe edukuar fëmijët, si luftëtare e trimëreshë, si shtëpiake e përkryer dhe në punët jashtë shtëpisë, si dhe në mbrojtjen e trojeve, të fisit dhe të afërmve të saj.
"Gratë suliote, tregon Sukoja, i pasuan burrat me dyfekun mbi supet, shpatën ngjeshur, koburen dhe gjerdanin; ato inkurajuan trimat dhe i shoqëruan në të gjitha ndeshjet...", (Aleksandër Soutzo, "Historie de la revolution Greque", Paris, MDCCCXIX, f.202).
Vilhelm Müler i ka kushtuar gruas suliote një poezi të bukur të titulluar "SULIOTJA". (Vilhelm Myler, cituar nga K.Xoxi në : Lufta e popullit grek për pavarësi, vep.e përm., f.352).
Gratë suliote, luftëtare si burrat
Dëshmi interesante të trimërisë së grave çame sjell dhe Dora D'Istria: "Në rreziqet e mëdha s'ka pasur asnjëherë nën armë më shumë se 1500 luftëtarë. Gratë e tyre i shoqëronin ata në luftë, transportonin ushqime dhe municione dhe në rast nevoje rrëmbenin dhe pushkën dhe e përdornin atë me mjeshtëri, si burrat e djemtë e tyre. Sali Pasha, i biri i Aliut, që ishte poet, i ngre lart vlerat e grave suliote në një vjershë të tij, duke vënë në gojën e Ali Pashës vargjet: "...Shihni si qëndrojnë suliotët/ Trima burrat, burrëresha gratë...", (Dora d`Istria, vep.e përm., f.38).
Shembulli dhe heroizmi i grave suliote u jepte kurajë jo vetëm luftëtarëve suliotë, por edhe indiferentëve dhe frikacakëve. Ato i ndiqnin hap pas hapi burrat dhe djemtë e tyre. Thuhet, se Moskoja, gruaja e kapedan Xhavellës, kur kishte arritur në kullën e Qafës në Sul, gjeti të shtrirë trupat e disa luftëtarëve suliotë. Koço Xhavella, nipi i saj, sapo kishte dhënë shpirt. Moskoja, sipas Dora D'Istrias, i bëri nderimet mortore të denja për luftëtarët..., hidhet mbi trupin e tij, e puth, e mbulon me përparësen e saj dhe i thotë: "Nip i shtrenjtë, unë arrita shumë vonë për të të shpëtuar, por unë do të vrapoj të të marr hakun". Dhe me shpejtësi, si një ortek, vihet në ndjekje...", (Dora D'Istria, po aty, f.39).
Gratë çame, kur e shihnin armikun të sulmonte territoret e shtrenjta të tyre dhe t'u rrëmbente lirinë e t'i kthente në skllavëri, rrëmbenin armët. Sulmi i tyre mbi forcat armike ishte i befasishëm dhe i vrullshëm si stuhi.
Flijimi për nder i 100 grave suljote
Në një nga betejat e ashpra të vitit 1792, kur Suli u sulmua nga forca të shumta të Ali Pashës, disa gra suljote, duke parë rrezikun që i kërcënonte armiku i tyre, rrëmbyen armët. Ajo që i printe suliotët ishte Moskoja, gruaja e Kapedan Xhavellës. Gruaja suliote, ashtu si të gjitha gratë shqiptare, i jepnin rëndësi të madhe nocionit "nder". Në emër të tij, ato ishin gati të sakrifikonin edhe jetën e tyre. Këto veti të larta të gruas shqiptare, thotë studiuesi arvanitas, Aristidh Kola, "janë gjëra të panjohura për lindoret, prandaj edhe nuk i çmonin këto veti të larta të shqiptarëve", (A.Kola, vep.e përm., f.302.)
Brigjet e Aspropotamit dhe shpatet e thepisura të humnerës së Zallongut, u bënë dëshmitarë të vetësakrificës. Gratë suliote preferuan vetëflijimin e tyre. Ato zgjodhën më mirë një vdekje të ndershme, që të shpëtonin nga një jetë prej skllave, që i priste, po të binin në duart e forcave të Ali Pashës.
Është i njohur tashmë akti heroik i dramës së grave suliote në Zallong. Më shumë se 100 gra, nëna, duke shtrënguar në gji fëmijët e tyre e të pasuara nga vajzat e tyre, u hodhën në humnerën e thepisur të shkëmbinjve të Zallongut.
Ato morën një vendim të shpejtë për t'u mbrojtur nga poshtërimi, turpi dhe tortura. U kapën dorë për dore dhe mbi sheshin e shkëmbit, ku ndodheshin, filluan të hedhin "vallen e vdekjes" së tyre, të cilën e frymëzonte një heroizëm i jashtëzakonshëm e i paparë, kurse tmerret e vdekjes tragjike të tyre përjetonin ritmin. Vallen e shoqëronte kënga patriotike, refrenin e të cilës patjetër e dëgjonte edhe qielli, e dëgjonin edhe shkrepat e Zallongut. Në fund të refrenit, të 100 gratë lëshuan një klithmë rrëqethëse e të gjatë, jehona e të cilës vazhdoi deri në fund të humnerës, ku përfunduan bashkë me krijesat e tyre, që e shtrëngonte fort në gjokset e përgjakura.
Gratë çame, pajtuese të gjaqeve
Një aspekt tjetër që spikat në veprimtarinë e gruas çame e që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve, ishte roli i ndërmjetësit të paqtimit që luante ajo në situata të rënda, kur plasnin mosmarrëveshjet e luftimet midis fiseve për sinor e gjakmarrje.
Gruaja çame, në këto raste, luante një rol jo të vogël në përfundimin e traktateve apo në luftime. Këtë mision fisnik të gruas çame e ka vërejtur edhe Pukëvili, por rilindësja çame, Elena Gjika, e shtrin edhe më tej shpjegimin e këtij fenomeni për veprimtarinë e grave në Shqipërinë e Poshtme në përgjithësi e të gruas çame në veçanti.
Dora D'Istria për rolin që luan gruaja shqiptare për qetësimin e gjakrave, e krahason me gruan gale, që sipas Plutarkut, "galët kishin për zakon të këshilloheshin me gratë e tyre për paqen dhe luftën dhe t'i përdornin ato për të fashitur mosmarrëveshjet e tyre...", (Pouqueville, Voyage, vepër e përmb., Vol.1, faqe 29, Dora D'Istria, "Rinia e një shqiptareje", f.38).
Gratë çame, bukuria e pashoqe
Karakterin e moralin e lartë të shqiptares çame dhe shpirtin patriotik të tyre, studiuesit nuk e kanë veçuar për asnjë çast nga bukuria fizike e shpirtërore të saj. Për ta, bukuria e gruas çame është e pashoqe. A.Panajodis, historiani grek i shekullit XIX, i cilëson çamët të hijshëm e të paraqitshëm, "burra të bukur, me shtat të gjatë...", (A.Panasotides, "Çështje folklorike...Çamët", në "Dedona", Kalendar i ilustruar Epirot, Viti I, 1896, Athinë, 1895, f.75).
Edhe kryekonsulli frëng në Janinë, Pukëvili, i ndodhur mes çamëve të Filatit, u befasua nga bukuria e femrave çame. Ai do t'i vlerësonte këto si "femrat më të bukura të Greqisë", (Pouqueville, Voyage..., vep.e përm., Vëll.I, kap.29).
Një autor tjetër, Bartholdy, në veprën e vet "Udhëtimi im në Greqi" në shënimet e tij, bukuria e gruas shqiptare zë një vend të rëndësishëm. "Në Athinë, shkruan ai, edhe pse nën një qiell mjaft të pastër, femrat kanë qenë më pak të bukura, në krahasim me të tjerat... por nuk mund të thuhet kështu për shqiptaret e bukura, që banojnë në qytetin e Artës, sepse ato janë një racë krejt tjetër", (Bartholdy, vep.e përm., f.97).
Kur bëhet fjalë për vlerësimet e autorëve të huaj rreth bukurisë së femrës shqiptare në Shqipërinë e Poshtme, nuk duhen lënë pa përmendur edhe konstatimet dhe vlerësimet e kronistit anglez, Çajrel. Ai vuri re tek shqiptarët e asaj krahine një bukuri të veçantë si tek burrat, ashtu edhe tek gratë. Ai në veprën e tij shkruan se suliotët, megjithëse u shpërndanë andej-këndej, në të katër anët e mbretërisë helenike dhe krijuan lidhje martesore të përziera me një racë tjetër, dhe kjo dukej e rrallë, prapëseprapë ata e ruajtën bukurinë e përsosur të shqiptarit dhe si burrat edhe gratë, kudo që ndodhen, janë pasues të denjë të gjyshërve të tyre: "Burra të gjatë dhe fizik të fortë, me fytyrë burrërore, mjekër leshatore, flokë të gjata, të lëshuara, zbukurojnë tiparet e tyre...", (Bartholdy, po aty).
Gratë suljote, ose "Perëndeshat e bukurisë!"
Autori anglez tek gruaja suliote vërejti se ajo megjithëse dukej si e plakur para kohe, nga vuajtjet dhe punët e rënda, prapëseprapë, bartte dëshmitë e një race të lashtë . Çajrël, duke u ndodhur në një dasmë suliote, pati rastin më të mirë që gruan suliote ta shihte në një ceremoni festive, të veshur me veshjen karakteristike, të zbukuruar hijshëm, që ndryshe nga paraqitja e saj e përditshme në punët e fushës, gjente rastin më të mirë të shprehte bukurinë dhe elegancën e saj. Përshtypjet që krijoi anglezi për dasmoret çame, ishin befasuese dhe nuk ngurroi t'i krahasonte gratë suliote me "Venusin e Miles" (Perëndeshën e Bukurisë). "Nusja suliote, dukej si një skulpturë e hijshme atleteje, me kyçet e duarve e të këmbëve delikate, me gjoksin e ngritur, me tipare klasike të fytyrës së saj ovale...", (Bartholdy, po aty).
Edhe studiuesja e shquar Elena Gjika, nga Parga, në veprimtarinë e gjerë të saj studimore, nuk len pa përmendur bukurinë e simotrave të saj shqiptare të Shqipërisë së Poshtme, duke u ndalur tek bukuria fizike e përkryer e tyre. Mes të tjerave, ajo shkruan: "Gratë e kësaj pjese të Shqipërisë, mund të kishin shërbyer si modele të Fidias dhe Praksitelit...", (Dora d`Istria, vep.e përm., f.204).
Për ta vazhduar më tej mendimin që trajtojmë, është me interes të përmend edhe dy vlerësime të autorëve të huaj për bukurinë e femrës çame. Së pari, është fjala për konsideratat që shpreh historiani biograf, Adam Volf. Ai përmend me admirim përshtypjet që pati nga një vizitë që i bëri iluministes shqiptare, Dora D'Istria. Gjëja kryesore që i tërhoqi vëmendjen, ishin sytë e saj të ndryshëm, buzëqeshja e ëmbël, qëndrimi i saj madhështor e i natyrshëm, fytyra fisnike që zbulonte energji, dinjitetin, shëndetin dhe zgjuarsinë, (Dora d`Istria, po aty).
Së dyti, Ibrahim Mensur Efendiu për gruan e Ali Pashës, Vasiliqinë, nga Pleshovica e Filatit, thotë: "Ishte një grua e bukur, afro 35-vjeçare, kishte një elegancë të çuditshme". (Ibrahim Mensur Efendi, "Kujtime për Ali Pashën", Tiranë, 2003, f.237). Ndërsa Dora D'Istria e cilësonte Vasiliqinë një pëllumbeshë të bukur të rrëmbyer nga foleja...
Këto tipare të gruas çame, ndoshta nuk do të krijonin një përfytyrim të saktë të hijeshisë së gruas shqiptare, që për Dora D'Istrian, "janë gratë më të bukura të gadishullit lindor… Mahnitesh me luginat e këndshme të Çamërisë, me bukuritë e virgjëneshave të saj me sy të zinj, flokët e mrekullueshme të të cilave, me ngjyrë të rreshkët në gështenjë, u rrëzohen gjer te thembra...", (Dora D'Istria, cituar më lart)…
Rrëfimi:
Pas një shekulli tek shkëmbi i 100 Heroinave
Më 1 korrik të vitit 1990, familjarisht isha në Greqi. Prisja me padurim të gjeja rastin të shkoja në Zallong dhe në Sul. Këtë dëshirë për të shkuar në Zallong e më pas në Sul, ma plotësuan dy djem vendas, Pavllo dhe Vasili. Në një ditë të nxehtë të muajit korrik, u nisëm për në Zallong. Rrugën e bëmë kryesisht me makinë, por për të arritur në majën e Zallongut duhet të udhëtonim edhe me këmbë. Kur arritëm tek sheshi i vogël i Zallongut, majë malit, ku ngrihet lapidari madhështor që përjetëson heroizmin e grave suliote, më pushtoi një ndjenjë dhimbjeje dhe kënaqësie; dhimbje për fatin tragjik për viktimat e pafajshme në të gjitha kohërat, dhe një ndjenjë kënaqësie që ta njoh nga afër historinë e atij vendi të lavdishëm, që kanë habitur botën me qëndresën dhe shpirtin e lartë patriotik që kanë treguar. Ndërkohë iu afrova paksa buzës së humnerës, që të kallte tmerr e frikë. Ndjeva dhimbje dhe emocion. Më dukej se edhe pse kishin kaluar njëqind e ca vjet, jehona e këngës së grave suliote që ishin hedhur nga ai vend e që përcillte melodinë elegjiake të valles së vdekjes së heroinave të Sulit, vinin lehtë-lehtë nga shkrepat e honeve të humnerës në veshin tim dhe më zgjonin shumë kujtime e mbresa nga ato histori të shumta që kisha lexuar e dëgjuar për Sulin e suliotët.
Në fund të humnerës, në këmbët e shpateve të saj, ngrihet një manastir i bukur, dykatësh e me anekse përreth. Më shtynte një dëshirë e brendshme ta vizitoja me atë rast edhe atë vend të shenjtë kulti dhe të ndizja një qiri me respekt e nderim, jo vetëm për të rënët e Sulit, por për të gjithë viktimat e pafajshme që humbën jetën nga politikat e mbrapshta të pushtuesve dhe të kriminelëve që u bënë veglat e tyre të verbra.
Zbritëm nga mali i Zallongut dhe shkuam drejtë e në manastir. Fillimisht hymë në hyrjen e parë, që ishte një sallë e madhe dhe shumë besimtarë grekë zhvillonin ritet e tyre lutëse në qetësi të plotë e në një ambient të admirueshëm, që të impononte respekt të thellë për njerëzit dhe fenë. Pas pak na afrohet, si për të na shoqëruar, një prift i vjetër që i kishte kaluar të 80-vjetët. Ishte shumë komunikues dhe shprehte një mirësjellje të admirueshme. Fliste ngadalë e me shumë kulturë.
- Jeni i huaj?- më thotë.
- Po, vij për të parën herë këtu, iu përgjigja, plotësova një dëshirë të zemrës për të parë Zallongun historik të Epirit,- iu përgjigja.
Vura re se priftit i pëlqente ta zgjaste bisedën dhe nisi të më pyeste se çfarë kisha lexuar për Sulin. I përmenda një sërë autorësh grekë e të huaj dhe së fundi i thashë që kisha lexuar dhe librin e Foti Ikonomit, një prift nga Paramithia. Priftit i shkëlqyen sytë e tij të vegjël, kur zura në gojë priftin e Paramithisë.
- Bravo, bravo, më vjen mirë që keni lexuar një vepër të një prifti grek me shumë njohuri të thella e kulturë të gjerë në shumë fusha,- shtoi ai.
- Po, ai libër më ka krijuar një kënaqësi të veçantë dhe këtë pohim ia bëra me bindje të plotë,- i them.
Pas këtij dialogu të shkurtër, prifti nisi të rrëfejë ngjarje nga jeta e bëmat e suliotëve. Tregimet e tij ishin shumë interesante, por ngurroja të merrja ndonjë shënim, se kisha frikë se do t'i shkëpusja fillin e bisedës dhe do të ishte më i rezervuar për ato që kishte ndërmend të më tregonte. Prifti fliste rrjedhshëm dhe shumë qartë, që të jepte përshtypjen se kishe përpara një ciceron që shpjegonte historinë e Sulit e të suliotëve me shumë kompetencë. Nga ky bashkëbisedim spontan mësova shumë gjëra interesante, por më e veçanta që mësova nga ai, ishte kjo histori e shkurtër që lidhet me heroizmin e grave që u flijuan në shkëmbinjtë e Zallongut. Kur gratë me krijesat e tyre binin një nga një në humnerë duke kënduar e hedhur vallen e vdekjes, tha prifti, një fëmijë i vogël, djalë, shpëtoi pa u copëtuar nëpër shkëmbinj, duke ngecur në disa shkurre, pa iu shkaktuar asnjë plagë. Ai e gdhiu natën mes asaj shkretëtire shkëmbore, dhe të nesërmen, kur banorët vendas shkuan për të mbledhur trupat e copëtuar të grave dëgjuan një zë fëmije të ngjirur të ngecur në një gëmushë. Fshatarët e morën fëmijën dhe me përkujdesjet që treguan, djali u rrit. Gjetja e një fëmije të gjallë krijoi habi në të gjithë zonën e më tej. Asnjë nuk e besonte që të bjerë një qenie njerëzore nga një lartësi e tillë e të mbetet i gjallë. Rreth kësaj ngjarjeje që ishte e pabesueshme nisën të hapen fjalë në gojët e popullit e të besimtarëve, se në shpatet e malit të Zallongut ka një vend të shenjtë dhe njerëzit nisën ta frekuentojnë duke iu lutur Jezu Krishtit e Shën Mërisë t'u lehtësojnë vuajtjet e tyre. Më pas, në këtë vend të shenjtë u ngrit fillimisht një vend kulti për të krishterët e më pas u bë kjo ndërtesë e bukur kulti që frekuentohet shumë si nga besimtarët e krishterë ashtu edhe nga të tjerët, që kërkojnë mëshirën e shenjtorëve për t'ua lehtësuar vuajtjet.
E falënderova priftin përzemërsisht për kohën që humbi duke qëndruar me mua si dhe për informacionet shumë interesante në fushën e historisë për Sulin e suliotët që më dha dhe u ndava shumë miqësisht.