E marte, 03.12.2024, 02:03 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Eugjen Merlika: Një jetë në diktaturë (V)

E enjte, 11.09.2008, 03:21 PM


Eugjen Merlika
Eugjen Merlika

NJE JETE NE DIKTATURE (V)

(Kujtime të një "armiku të klasës")

Ikja ime nga shkolla bëri shumë përshtypje tek bashkënxënësit dhe mësuesit e mij. Të gjithë ata shkuan tek xhaxhai në shtëpi, për të shprehur keqardhjen e tyre. Ju jam tepër mirënjohës atyre të gjithëve për gjestin bujar e të guximshëm që shprehte pa mëdyshje një formë proteste karshi dhunës së verbër të regjimit që godiste pa mëshirë. Ata nuk e njihnin atë , por vendimi i largimit tim për ta ishte i papranueshëm, në raport me sjelljen time karshi tyre.

Tani më duhej të ballafaqohesha me punën e krahut. Isha i dobët nga trupi, por vullneti nuk më mungonte. Babai punonte në ofiçinën e fermës si tornitor. Puna e tij e ndershme dhe cilësore vlerësohej nga eprorët e tij, nëpërmjet të cilëve munda të gjej një vend pune në Investimin e fermës si puntor ndërtimi, për të mos qenë puntor bujqësie. Aty kisha shokët e mij, moshatarë ose më të rritur, me të cilët na bashkonte rruga e gjatë e vuajtjeve të përbashkëta, privacionet, dëshirat e pasendërtuara, miqësia e sinqertë...

Mbas disa muajsh, së bashku me prindërit, un shkova përsëri në sektorin e Plukut, gjithmonë familjarisht në gjëndje interrnimi. Tashmë jeta kishte pak ndryshime; ditët, muajt, vitet kalonin të njëjtë.Format e luftës së klasave, që peshonin mbi ne, ishin nga më të ndryshmet. Ato shfaqeshin dhe në banesën e pamjaftueshme, gjë që nuk u zgjidh kurrë në jetën time dyzeteshtatë vjeçare. Kam jetuar gjithmonë në kasolle të ndërtuara vetë me kallama e baltë. Kam fjetur tre vjet në dhomën e beqarëve, mbasi kishim vetëm një dhomë, në të cilën flinin prindërit, hanim, rrinim, prisnim ndonjë mik të rrallë që kujtohej të vinte. Një tjetër formë ishte veçimi, trysnia mbi ata që na rrethonin për të mos marrë e dhënë me ne, një rracizëm para të cilit Soveto nuk vlen për t’u përmendur. Sa e sa njerëz paguheshin për të "vigjëluar" jetën tonë, kush vinte, kush na fliste, kush na përshëndeste, kush na bënte ndonjë të mirë.

T’a ndjesh veten të huaj në vendin tënd, pa i bërë të keqe askujt, është një gjëndje që nuk ja uroj asnjërit në botë. E tillë ishte gjëndja jonë që zvarrisej kështu me dhjetra vite, me batica e zbatica, simbas tekave të "Zeusit". Dallimi, urrejtja, pabesia mbilleshin e kultivoheshin në të gjitha drejtimet, kudo, në rrethin shoqëror, por dhe në farefisni, brenda familjes, deri në ndërhyrjet në marrëdhëniet dashurore. Ne nuk kishim të drejtën të dashuronim vajza me tjetër origjinë shoqërore e as të mendonim të lidhnim jetën me to. "Aristokracia" komuniste e pushkës kishte huajtur nga simotrat e saj të shpatës mendësinë e ruajtjes së kastës nga përzierja e gjakut. Rastet e pakta të thyerjes së këtij ligji "madhor" të Enver Hoxhës kishin pasojat e tyre me shkëputjen përgjithmonë të prindërve nga fëmijët. Sa tragjedi të heshtura ka shkaktuar në Vendin tonë kjo mënyrë veprimi, sa plagë ende të pambyllura në shpirtërat e djemve e vajzave që shihnin dhunën e regjimit të diktonte, nëpërmjet trysnisë së saj, ligjet e zemrës...

Mbas dy vitesh interrnimi, papritmas, m’u hoq kjo masë. Kur m’u komunikua zyrtarisht kjo gjë, emrit tim i ishte shtuar një "i"mbrapa që i ndryshonte seksin. Ndofta ndonjë shpirtmirë në ata organe të dhunës, mund të ketë menduar t’i japë "liri" një vajze nëntëmbëdhjetë vjeçare, që i ka prindërit me masa interrnimi. Kështu un rastësisht u gjenda formalisht jashtë rrethit të shokëve të mij, të cilët masën e interrnimit e mbajtën dhe për disa pesëvjeçarë pa shkëputje, ndërsa un do të takohesha përsëri me të, por për këtë do të flas më vonë.

Gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjetë solli acarime të mëtejshme të luftës së klasave. U kopjuan të gjitha marrëzirat e të ashtuquajturit Revolucion kultural kinez, si dalja para kolektivave për të paraqitur biografinë, fletë-rrufetë, dacibaot shqiptare, ku teorikisht "cilido pa frikë e me shkronja të mëdha mund të shkruajë ç’mendon ai për punën dhe për njerëzit.". U dha kushtrimi për prishjen e kishave e të xhamive, një veprim barbar, i pashembullt në shoqërinë moderne, me pasoja shkatërrimtare për botën shpëirtërore të shqiptarëve e për prishjen e vlerave kulturore e artistike që qëndronin në objektet e kultit. U fol me të madhe për luftën kundër kanunit, duke i hequr kështu themelin e disa prej traditave e ligjeve morale, që kishin qeverisur këtë popull prej shekujsh të gjatë. U lakua shumë "emancipimi" i femrës shqiptare, për t’a futur plotësisht në ingranazhet marramendëse të një ideje, në dukje përparimtare, që e ngarkonte aqë shumë sa të meritonte përcaktimin "skllave e shoqërisë moderne ". "Heroizmi" popullor, i mishëruar në figura qesharake si Fuat Çela, u propagandua me art, duke vënë në shërbim dhe artin zyrtar, për të krijuar një brez të tërë skllevërish, të aftë vetëm të punonin si kafshë për shtetin, mbasi vetëm aty do të gjenin "lumturinë". Kanalizimi i të gjitha dëshirave e interesave të rinisë tek puna përbënte thelbin e strategjisë së krijimit të "njeriut të ri" që duhej të ishte një robot në trurin e të cilit të ishin vetëm "veprat" e Enver Hoxhës. Përpjekja për të ndryshuar natyrën njerëzore nëpërmjet dhunës e ligjeve të saj, nuk mund të kishte tjetër përfundim veç dështimit, e nuk mund të vërtetonte më mirë marrëzinë e autorëve të saj.

Në bllokun Lindor lulëzonte teoria e "sovranitetit të kufizuar" të Brezhnjevit, më vonë u sulmua Çekosllovakia e Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës. Në Kinë vazhdonte anarkia e pasojat ndiheshin dhe këtu. U krijua një atmosferë e nderë, në të cilën u shtua puna e hafijeve, që përpiqeshin të kapnin copa bisedash për t’i regjistruar në dosjet vetiake të arkivave të Sigurimit, në pritje të proçeseve të panumurta për agjitacion e propagandë të viteve shtatëdhjetë.

Në këtë kohë, në vitet 1967-1969 kreva shërbimin ushtarak. U mobilizuam për të plotësuar porosinë e Partisë: "T’u qepemi kodrave e maleve t’i bëjmë ato pjellore si fushat". U caktova me shërbim në efektivin e NBU së së Burrelit. Me uniformën e ushtarit kishim për detyrë të shpyllëzonim e të mbillnim patate në malet e Martaneshit, të Lurës, Steblevës etj. Un, me zanatin tim të muratorit, mbas pesë gjashtë muajsh fillova të punoj në repartin e ndërtimit të banesave të Korpusit, si pasojë e nismës së marrë në shkallë Vendi, për të ndërtuar banesa me kontribut vullnetar. E kreva shërbimin ushtarak pa bërë asnjë qitje, dhe sot e kësaj dite nuk kam shtënë asnjëherë me armë.

Pranvera e Pragës më 1968 ishte përkohësisht një "rreze drite" në mbretërinë e errësirës së kampit socialist. I gjithë brezi im kujton ende me shumë mall emrat e Dubçekut, të Smerkovskit, të Çernikut etj., që u bënë për ne të dashur, sinonime të një ere të re , që na ushqente shpresën se mund të vinte ora e ndryshimeve dhe në botën tonë. Por fatkeqësisht 21 gushti i përmbysi të gjitha iluzionet e brezit tim që vazhdon të nderojë kujtimin e gjestit heroik të Jan Palashit. Logjika e tankeve rivendosi atë rend gjërash që bazohej mbi dhunën dhe shtypjen e lirive vetiake e shoqërore.

Atje, gjatë shërbimit ushtarak u njoha me shokë të tjerë. Në kujtesën time mbetet imazhi i një poeti, të cilin un e quaja mjaft të talentuar. Talenti shoqërohej me një vështrim objektiv e të saktë të jetës dhe një karakter të fortë e pozitiv .Ndoshta këto qenë arsyet që nuk njohu podiumin e suksesit si shumë kolegë të tij. Më kujtohet se si një ditë të ftohtë dhjetori, në pyll, anës një zjarri ku kishim pjekur patate, ai më lexoi dy poezi që kishte shkruar për Shkurte Pal Vatën dhe për Skënderbeun. Nëntekstet e poezive ishin shumë të thella, të guximshme e të reja për kohën. Ato më pëlqyen shumë e mbas një bisede të hapur në lidhje me to, ai bëri ndonjë ndryshim të vogël dhe i çoi për botim. Me të më lidhi një miqësi e sinqertë, që nuk shihej me sy të mirë nga kolegët e tij ushtarakë, ca poetucë të dështuar, mbi të gjitha shpirtërisht. Ata në emër të artit dhe dëshirës për t’a "ruajtur" shokun tim nga "infeksioni" i mbushën mëndjen atij se un do të arrestohesha dhe e ndanë përkohësisht prej meje. Kjo shkaktoi një gjëndje tensioni tek un , por fatmirësisht ishin muajt e fundit të shërbimit ushtarak. Më vonë me shokun u spjeguam dhe mbetëm miq, por ka shumë vite që nuk dëgjoj më për të. Më vjen keq se ishte me talent e me zemër të madhe e parashikoja një të ardhme letrare të sigurtë për të.

Vitet e para të dhjetëvjetëshit të shtatë ishin më të qetat. Njerëzit nëpër plazhe dëgjonin së bashku Hit parejdin me këngët e Çelentanos, Milvës, Iva Xanikit, Massimo Ranierit e të tjerë këngëtarë italianë, që në përgjithësi ishin ata që pëlqeheshin më shumë. Të rinjtë filluan të vishen më ndryshe, vajzat zbuluan minifundet e pantallonat, djemtë zgjasnin basetat e flokët. Diskutohej hapur për muzikën dhe sportin e huaj. Por më 1973, papritmas ,në skenën e shoqërisë shqiptare filloi tufani i luftës kundër"shfaqjeve të huaja". Në fillim u kujtua se ishte thjesht një çështje e pamjes së jashtëme, por regjimi e kishte syniminshumë më thellë. Duhej përdorur shtypja për të shmangur në embrion çdo prirje shkëputjeje ose vënieje në diskutim të dogmave dhe ideologjisë zyrtare. Pasuan vite të tmerrshme ankthi, me goditje lart e poshtë. Fluturonin ministra e funksionarë të lartë, të akuzuar për tradhëti, por shpata binte e fortë edhe mbi ne që kishim në dorë vetëm mistrinë.

Më 1974, në moshën tridhjetë vjeç, u martova me një vajzë të re që, kundra opinionit, pranoi të lidhë jetën me mua. Ajo sapo mbaroi atë vit shkollën e mesme dhe ne filluam jetën sëbashku, në vështirësi për banesë, por me shpresë për një jetë më të qetë.Mendonim t’a ndërtonim atë jetë mbi frutin e djersës sonë të ndershme e, mbi të gjitha, të gjenim ngushëllim në harmoninë familjare. Mbaj mend vetëm një dhjetëditor të bukur në plazhin e Durrësit, pastaj retë e zeza e mbuluan , duke paralajmëruar shtrëngatën dhe një dimër të zgjatur pa fund.

              Me atë periudhë të vështirë lidhen dhe kujtimet e vajzës së xhaxhait që ne e kishim rritur në shtëpinë tonë dhe e kishim si fëmijën tonë. Ajo vazhdonte vitin e parë të gjimnazit në Lushnjë, por i duhej të ballafaqohej me luftën kundër shfaqjeve të huaja e të bëhej viktima e "ligjshme" e përjashtimit nga shkolla vetëm në sajë të origjinës së saj shoqërore. Është e paimagjinueshme për botën e qytetëruar dhe aktualisht e pabesueshme dhe për rininë tonë, që një nxënëse në klasën e nëntë të përjashtohet nga shkolla vetëm sepse një shoqe e saj i kishte treguar në klasë një fletë reviste që paraqiste një femër në plazh me rroba banjoje! Ky ishte "sakrilegji" moral që do të gjente si pretekst këshilli pedagogjik e organizata e partisë për të këputur dëshirat e dy vajzave ende të parritura mirë, për të vazhduar mësimet. Kështu plotësohej "plani" i viktimave të luftës ideologjike e politike kundër "shfaqjeve të huaja".

Duhet të pohoj me sinqeritet se për mua qe një dhimbje e thellë kthimi i motrës tek prindërit e saj në Gradishtë e që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare të kapte kazmën për të rrëmihur tokën e për të nxjerrë bukën e gojës. Mbaj mend se më shpëtuan lot nga sytë, kur shumë rrallë në jetën time prej burri, qoftë dhe në vdekjet, kam derdhur lotë.

Më 1975 filluan pushimet nga puna. Në kuadrin e luftës kundër burokratizmit, unë dhe shokët e mi, specialistë ndërtimi me kategori të lartë u kaluam në bujqësi si punëtorë fushe. Kjo ishte llogjika e Rrapi Gjermenjit, që për të plotësuar numrin e burokratëve të hequr nga aparatet simbas orientimit të Komitetit Qendror, fuste emrat tanë në listat e shkurtimeve. Dëmi ekonomik i shtetit ishte i dukshëm. Ne kishim mbajtur peshë në brigadat e ndërtimit me punën tonë të ndërgjegjshme e të kualifikuar, dhe papritmas këto brigada cungoheshin. Vërejtjeve të personelit inxhiniero-teknik në këtë drejtim iu kundërvu "lufta e klasave" në emër të së cilës merreshin këto masa, e për të cilën askush nuk mund të kundërshtonte. Kjo ishte një nga të këqijat e vogla në krahasim me ato që na prisnin në vitet e ardhme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora