E shtune, 25.01.2025, 12:39 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Artan Fuga: Kompromisi dhe… kryqëzimi

E diele, 07.09.2008, 06:37 PM


Artan Fuga
Nga Artan Fuga

Përse një pjesë e institucioneve fetare të vendit fillimisht bënë deklarata mbështetjeje për pushtetin komunist?

- Rezistenca katolike

- Si iu përgjigj peshkopi Fan Noli letrës së udhëheqësve komunistë?

2 dhjetor 1945 – data kur përcaktoheshin fatet politike të vendit

Pavarërisht faktit se shqiptarët s’kanë qenë kurrë fanatikë dhe feja për ta në të gjithë kohërat ka qenë më tepër një besim popullor te hyjnorja sesa një kulturë e mirëfilltë teologjike, kleri dhe institucionet e fesë në kohën kur sapo ishte çliruar vendi më 29 nëntor 1944 dhe po hidheshin hapat përfundimtare të vendosjes së pushtetit komunist pas Luftës së Dytë Botërore, kishin një ndikim të konsiderueshëm mbi besimtarët.

Këtë emër të mirë në popull, klerikët shqiptarë e kishin fituar me meritë në radhë të parë për faktin se pjesa e ulët e klerit dilte përgjithësisht nga radhët e popullit dhe jetonte lidhur ngushtë me hallet dhe vështirësitë e tija të jetës. Hoxha dhe prifti i fshatit ishin një pikë referimi shumë e rëndësishme nga pikëpamja morale dhe e mbajtjes së gjallë të vlerave morale të krahinës. Ata i qëndronin afër individit në ditë të zeza vdekjesh dhe gjëmash, ashtu sikurse në ditë gëzimesh dhe lumturie lindjesh, dasmash, shërimi nga sëmundje të ndryshme. Shpeshherë fjala e klerikut të zonës ndante me urtësi besimtarët gjatë konflikteve dhe grindjeve që mund të sillnin pasoja shumë negative mbi marrëdhëniet shoqërore midis fqinjëve dhe bashkëfshatarëve.

Një pjesë e klerikëve patriotë e kishin treguar dhe lartësuar figurën e tyre me veprimtarinë mëmëdhetare dhe me përpjekjet e tyre të vazhdueshme për letërsinë shqiptare, për shkollën shqip, për alfabetin me gërma latine dhe duke marrë pjesë me armë në dorë në luftërat për liri dhe pavarësi.

Pavarësisht asaj që mund të jetë thënë, tregimet e të vjetërve dhe dokumentet historike tregojnë, pa pikë dyshimi, se kleri dhe institucionet fetare dolën nga Lufta e Bytë Botërore moralisht thuajse të paprekur, pavarësisht ndonjë kompromenimi të bërë nga ndonjë klerik i veçantë, si për shembull rasti A.A., që kishte marrë përgjegjësi të rënda personale në bashkëpunimin e tij me strukturat politike në shërbim të pushtuesit nazist.

Pavarësisht këtyre rasteve sporadike, nuk kishte asnjë dokument apo veprim kolektiv, ose institucional që ta komprometonte klerin dhe institucionet fetare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aq më tepër që kishte, sidomos nga përfaqësuesit shumë të nderuar të klerit mysliman dhe bektashi, që kishin marrë pjesë me armë në dorë në luftën çlirimtare, bënin pjesë në instancat e larta të Frontit dhe shumë e shumë të tjerë i kishin kthyer ndërtesat e kultit në mbështetje për çlirimtarët.

Këtë ndikim moral të fuqishëm të fesë mbi popullsinë e njihnin edhe vetë komunistët, të cilët bënin shumë kujdes gjatë luftës dhe në vitet e para pas çlirimit të vendit nga pushtuesit për të mos prekur, trazuar, lënduar ndjenjat dhe besimet fetare të popullit.

Sidoqoftë, nuk kishte asnjë dyshim se, ndërsa përkohësisht marrëdhëniet midis komunistëve dhe klerit dukeshin si të mbetura pezull dhe të bllokuara në një gjendje mosveprimi, të dy palët e dinin mirë se pushteti komunist dhe institucionet fetare një ditë do të përplaseshin me njëri-tjetrin. Komunistët e dinin mirë se kleri i lartë i shihte me ndrojtje dhe mosbesim, duke qenë krejt në kundërshtim me dogmën ateiste. Edhe kleri e dinte mirë se, në mos sot nesër, komunistët do të fillonin ta godisnin fenë.

Sidomos për majën e hierarkisë klerikale dihej se komunistët si rregull e përfshinin ateizmin në doktrinën e tyre zyrtare dhe e vinin në praktikë pa asnjë hezitim, sa herë që kishin ardhur në pushtet në vende të ndryshme të Botës. Ata e njihnin shumë mirë se shprehja e Karl Marksit «Feja është opium i popullit» përbënte një dogmë të padiskutueshme ndër idhtarët e komunizmit.

Pa dyshim, që imagjinata e klerit të lartë e të gjitha feve nuk mund të shkonte deri atje sa të përfytyronte atë që do të ndodhte në vitin 1967, domethënë shkatërrimin me dinamit të mjaft institucioneve fetare, shndërrimin e tyre në restorante, magazina, pallate sporti apo kazerma për ushtrinë. Askush nuk e përfytyronte se institucionet fetare do të mbylleshin krejtësisht, pjesëtarët e klerit do të ndaloheshin me dhunë në ushtrimin e praktikave fetare dhe do të shpallej i paligjshëm ushtrimi i çdo riti apo besimi popullor fetar në shoqëri.

Për klerin e lartë të të gjitha feve, ishte tashmë e qartë qysh në vitin 1944 dhe 1945 se ditë të zeza po vinin për fenë dhe institucionet e saj në Shqipëri.

Mund të pritej që për këtë arsye kleri të kundërshtonte në masë ose të paktën të mos deklarohej në mbështetje të pushtetit të ri që po vendosej në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Por, e vërteta është se, përveç klerit fetar katolik, i cili reagoi hapur dhe me vendosmëri, të tjerët, pra hierarkia klerike bektashiane, myslimane dhe ajo ortodokse nuk e bëri dot këtë gjë.

Në të kundërt, bënë deklarata politike në favor të pushtetit të ri.

Ky qendrim i klerit të kohës kishte rëndësi të veçantë sidomos në periudhën 1944 – 1946.

Për të rifreskuar pak datat dhe ngjarjet e kohës duhet të themi se në muajt që pasuan 29 nëntorin 1944, komunistët po përgatiteshin të organizonin zgjedhjet e para politike në vend, prej të cilave kërkonin të dilte edhe legjitimiteti i pushtetit të tyre. Partia Komuniste kontrollonte organizatën e gjerë të Frontit Nacionalçlirimtar, ndërkohë që në organet e larta të të cilit kishte edhe demokratë antikomunistë ose liberalë. Zgjedhjet ishin parashikuar të zhvilloheshin më 2 dhjetor 1945. Rëndësia e tyre ishte e jashtëzakonshme dhe vendimtare e përfundimtare sepse andej do të dilte shumica e deputetëve asambleistë që do të përcaktonte formën e regjimit politik në shoqërinë shqiptare të pasluftës.

Faktet dihen.

Pasi mbizotëruan Asamblenë Popullore, komunistët më 11 janar 1946 shpallën Republikën Popullore dhe hodhën përfundimisht themelin e një pushteti krejt të kundërt me atë të një demokracie pluraliste dhe parlamentare.

Por, para se ngjarjet të vinin në këtë pikë, ato rrodhën gradualisht. Në vjeshtën e viti 1945, pikërisht në kohën e fushatës elektorale, debatet politike bëheshin rreth një çështjeje kryesore: A do të lejoheshin organizata të tjera politike të merrnin pjesë në zgjedhje apo jo? Komunistët nuk e dëshironin një gjë të tillë, kurse aleatët anglo-amerikanë dhe forcat demokrate bënin presion që zgjedhjet të ishin të lira dhe me pjesëmarrjen në to të të gjitha organizatave politike demokratike.

Kjo lidhet me faktin se në këto vite janë hapat e parë që hedh pushteti i ri dhe është çasti historik ku atij i duhej të përballej jo më me pushtuesit e vendit dhe me kolaboracionistët, por me ata aktorë të mirëfilltë të jetës shqiptare, të cilët kishin dalë pothuajse të padëmtuar nga lufta dhe me një ndikim jo të pakët në popull.

Sigurisht që nuk ishte roli i institucioneve fetare për t’u përzjerë në politikën e mirëfilltë. Mund të kuptohet që klerikët që i drejtonin ato të mos e gjykonin si të arsyeshme të përzjeheshin fare në debatet politike të kohës duke ruajtur asnjëanësinë. Por fakti është se deklaratat politike dhe pjesëmarrja në debatet politike nuk munguan as nga ana e klerit. Në këtë plan, as që mund të kërkohej që kleri të kundërshtonte mënyrën se si ishte organizuar Fronti Nacionalçlirimtar që kontrollohej në mënyrë drastike nga udhëheqja e Partisë Komuniste. As mund të kërkohej gjithashtu që institucionet fetare të shfaqeshin në politikë kundër komunistëve dhe në favor të ndonjë force demokratike liberale dhe antikomuniste. Ajo që mund të pritej do të ishte së paku vetëm një thirrje drejtuar komunistëve për të respektuar paqen shoqërore, lirinë e individëve, zgjedhjen e lirë popullore dhe korrektësinë në zgjedhje. E gjitha kjo do ta kishte përmbushur misionin shoqëror dhe politik të institucioneve të fesë që gjithsesi mbetet disi i rezervuar në shoqëri.

Bekimi i Antikrishtit!

Ky ndikim do të ishte i mirëpritur dhe krejt i mundshëm.

Kur flitet për rastin e strukturave institucionale të feve të ndryshme në Shqipëri, duhet të mbahet parasysh edhe fakti se, ndërsa qytetari ishte një faktor individual, që nuk përballej dot me pushtetin, institucionet fetare të kohës ishin shumë të organizuara kolektivisht dhe me fuqi ekonomike jo të vogël. Nga ana tjetër, duhet ditur se komunistët në zgjedhjet e vitit 1945 nuk kishin atë forcë dhe siguri pushteti sikurse e patën, ta zëmë, njëzetë vjet më vonë. Asokohe, ata ishin të detyruar të kishin një lloj ndrojtjeje për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve jo vetëm për shkak se misionet angleze dhe amerikane ishin të pranishme në Shqipëri, por edhe sepse brenda Frontit Demokratik kishte ende forca që kundërvepronin, me qëllim që vullneti popullor të reflektohej sa më mirë në politikë.

Qëllimi ishte një të ruhej fasada politike e zgjedhjeve të lira dhe pluraliste.

Qendrimi i klerit në planin kulturor dhe politik në këtë periudhë nuk ka qenë aspak i njëjtë.

Kleri i besimit mysliman, bektashinjtë si edhe kisha ortodokse bëjnë deklarata politike, ku shpalosin me hir a me pahir besnikërinë dhe mbështetjen ndaj regjimit të ri qysh përpara zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945. Ndërkaq, kleri katolik jo vetëm që nuk e ndërmerr këtë hap, por në forma të hapura reagon negativisht ndaj propagandës dhe praktikave politike të komunistëve. Është pikërisht ky qëndrim i tij që do të sillte mbi të të gjithë inatin dhe hakmarrjen e regjimit.

Kur theksojmë këto aspekte, duhet të mbajmë parasysh se është e pamundur sot të thuhet nëse qëndrimi politik i deklaruar në shtyp në favor të pushtetit ishte i ndërgjegjshëm apo i detyruar, i sinqertë apo me zemër të thyer, i vullnetshëm apo i marrë me përdhunë, përbënte një taktikë të zgjedhur me konsensus brenda strukturave të hierarkive të ndryshme fetare apo përfaqësonte vetëm vullnetin e një pjese të klerit të lidhur politikisht me lëvizjen nacional-çlirimtare të udhëhequr nga komunistët.

Ajo që mund të thuhet sot është se propaganda komuniste e shfrytëzoi me sukses pozicionin publik të kësaj pjese të klerit për të ndikuar sa më shumë popullsinë në mënyrë që ajo të mos kishte reagime kundërshtuese ndaj pushtetit që po vendosej.

Sigurisht që ka pasur arsye të forta dhe të kuptueshme që e bëjnë klerin mysliman, bektashinjtë dhe kishën ortodokse të pranojnë nëpërmjet deklaratave publike në shtyp sundimin politik të komunistëve dhe të ndihmojnë fitoren e Frontit Demokratik në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Ajo që është edhe më e rëndësishme të theksohet ka të bëjë me faktin se këto deklarata politike nuk përshëndesin thjesht «zgjedhjet e lira» dhe «legjitimitetin» e tyre, çka do të ishte edhe kjo një ndihmë e pakursyer dhënë Partisë Komuniste që e drejtonte Frontin në mënyrë shumë homogjene.

Jo.

Deklaratat, për të cilat po flasim, shkojnë shumë më larg sesa kaq, duke kërkuar që besimtarët të votojnë për Frontin dhe komunistët.

«Bektashinj! Votoni për Frontin! Kush voton për Frontin, voton për veten e tij» - thuhet në thirrjen e Sekretariatit të Këshillit të Komunitetit Bektashian. (Shih: Gazeta Bashkimi, 09.11.1945, Kleri mysliman për fitoren e Frontit).

«E kemi për detyrë – shkruhet në Qarkoren e Kryesisë së Komitetit Mysliman Shqiptar me rastin e zgjdhjeve të vitit 1945, drejtuar kryemyftinive dhe myftinive të vendit – megjithëse populli i njeh edhe vetë, që me rastin e predikimeve fetare nëpër xhamira, t’i ftojmë besnikët që të votojnë të gjithë për «Njerëzit e Frontit», te të cilët, si në luftë ashtu edhe në paqe, është mbështetur mbarëvajtja dhe lumturia e popullit» (Shih: Gazeta Bashkimi, 09.11.1945)

Ndërkaq, Sinodhi i Shenjtë i Kishës Ortodokse të Shqipërisë shkon edhe më tej, duke u shprehur: «Këshillat tona i njohin dhe i çmojnë shumë përpjekjet e Qevrisë s’onë Demokratike të kryesuar denjësisht nga i shkëlqyeshmi Enver Hoxha, për krijimin e një Shqipërie të re më të mirë, për lumturinë e Popullit tonë dhe për konsolidimin e parimeve demokratike në vendin tonë» (Shih: Gazeta Bashkimi, 21.11.1945, Sinodhi i Shenjtë i Kishës Orthodokse të Shqipërisë i përgjigjet mesazhit të Imzot Fan Nolit).

Si shpjegohet ky qëndrim?

Në radhë të parë do të mendonim se si kleri mysliman ashtu edhe ai ortodoks, i kishin besimtarët e tyre në pjesën më dërmuese në zonat e Shqipërisë Jugore dhe Qendrore, ndonëse edhe në Veri banonin një pjesë e mirë besimtarësh myslimanë. Ndërkaq, dihet fare mirë se Lëvizja Nacionalçlirimtare i kishte pasur bazat e veta mbështetëse kryesisht në Jug të vendit dhe në Shqipërinë e Mesme, dhe vetëm muajt e fundit do të zhvendosej në Veri, në drejtim të lëvizjes të largimit të ushtrisë gjermane. Kuptohet, pra, që pjesa dërmuese e partizanëve dhe e mbështetësve të lëvizjes së udhëhequr nga komunistët do të ishin me origjinë fetare ose me besim personal mysliman, ose të krishterë ortodoksë. Kleri përkatës nuk do të mund ta ruante lehtë influencën mbi besimtarët e tij, duke u shfaqur kundër veprimtarisë politike të një pjese të konsiderueshme të tyre.

Kësaj i duhet shtuar edhe një rrethanë tjetër, që kishte të bënte me faktin se mjaft drejtues, biles edhe nga më kryesorët, e komunitetit mysliman, bektashi, por edhe klerikë të shquar ortodoksë, kishin marrë pjesë në Luftën për çlirim dhe kishin zënë tashmë vende të rëndësishme në Front. Nuk përjashtohet që, duke pasur këto pozita, ata as mund ta mendonin se një ditë pushteti i tyre, ai për të cilin ata kishin luftuar me armë në dorë, do të niste dhe bitiste shpejt e shpejt fushatën e eliminimit të institucioneve fetare nga skena shoqërore shqiptare.

Afërsia që tregojnë deklaratat politike të mësipërme me pushtetin e ri që po instalohej në Shqipëri, ndofta ka edhe një shpjegim tjetër. Duke qenë se krerët e pushtetit ishin me origjinë fetare myslimane dhe ortodokse, sidoqë komunistë, mund të shpresohej se feja myslimane dhe ortodokse do të merrte për pasojë një lloj përparësie në krahasim me katolikët. Ndofta edhe kleri ortodoks, shihte te politika prosllave e asaj kohe e shtetit shqiptar një mundësi afrimi me kishat ortodokse të Lindjes.

Të gjitha këto nuk janë veçse hipoteza.

Gjithsesi, diçka dihet me më shumë siguri. Feja myslimane duke pasur një traditë të tërë nën Perandorinë osmane, edhe në sajë të konceptit të saj lidhur me marrëdhëniet me pushtetin, ishte më e prirur të njihte çdo pushtet empirik që sundonte në vend. Po kështu, që prej traditave bizantine, edhe kisha ortodokse ruante trashëgiminë e kompromiseve me të fuqishmit e kësaj toke. Ndërsa kisha katolike disi e nënvlerësonte pushtetin vendas edhe për shkak të lidhjeve të saj globale me Vatikanin dhe komunitetin katolik botëror.

Në përkrahjen formale që kleri ortodoks i jep pushtetit të kohës, ndikoi veçanërisht përkrahja e plotë dhe pa kushte që kishte dhënë Fan Noli, themeluesi i Kishës Autoqefale Shqiptare, Frontit dhe qeverisë komuniste pikërisht pak përpara zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945.

Ato kohë, Enver Hoxha bashkë me Sejfulla Malëshovën, mikun e vjetër të Fan Nolit, i dërgojnë një mesazh Fan Nolit, ku e lusin që ai të pranojë të vërë kandidaturën e tij për deputet në listën elektorale të Frontit. Fan Noli, me diplomaci, por me një ton shumë miqësor dhe elegant, nuk e pranon ftesën e bërë dhe justifikohet me faktin se problemet personale që përjetonte askohe nuk e lejonin ta bënte këtë hap. Ndërkaq, Fan Noli lëshon një deklaratë që propagandohet me forcë nga shtypi në duart e komunistëve dhe nga propaganda e pushtetit. Në fakt, përmbajtja e deklaratës së tij ishte kaq e fortë, saqë në fakt ndofta ajo vlente edhe më shumë sesa vetë një kandidaturë e tij e mundshme në emër të Frontit.

«Kam shumë arsye, i përgjigjet Fan Noli, Enver Hoxhës dhe Sejfulla Malëshovës, që më pengojnë të ve kandidaturën në Shqipëri. Ju siguroj se ju keni përkrahjen time të plotë dhe mund ta përdorni emrin tim në fushatën elektorale që populli të votojë për Frontin» (Shih: Gazeta Bashkimi, 25.10.1945, Fan Noli për Frontin Demokratik.)

Dhe propaganda komuniste nuk hezitoi asnjë çast që ta përdorte emrin e Fan Nolit për të legjituar të gjitha përpjekjet që po bëheshin në atë kohë me qëllim që të legjitimohej vendosja e pushtetit komunist në Shqipëri. As më shumë dhe as më pak, përkrahja e Fan Nolit për komunistët në Front do të paraqitet në shtypin shqiptar të kohës si një fakt që do të dëshmonte vazhdimësinë e traditave politike përparimtare të popullit.

Fronti Demokratik paraqitej kështu si vazhdues i veprës së Rilindasve.

Në një artikull të shtypit, sikurse gjatë gjithë fushatës propagandistike elektorale, pasi përmëndeshin me radhë disa përfaqësues të shquar të lëvizjeve madhore në historinë e kombit, tashmë të vrarë apo të martirizuar, thuhet: «Këta u vranë dhe u shkrinë për indipendencën e Shqipërisë, por Fan Noli mbeti i gjallë që të flasë akoma për ta» (Shih: Gazeta Bashkimi, 25.10.1945).

Ndofta qëndrimi i klerit bektashi, mysliman dhe ortodoks u ndikua edhe prej faktit se në Kushtetutën e parë të pas çlirimit, ligjja, pasi njihte ndarjen e fesë nga shteti, jepte garanci të plota juridike dhe formale për një veprimtari të lirë fetare, me kusht që kleri të mos e përzjente predikimin fetar dhe praktikat rituale me politikën. Në fakt, sikurse e tregojnë vetë faktet, pushteti do ta mirëpriste çdo përzjerje të fesë me politikën, kur një gjë e tillë do të bëhej për ta mbështetur atë. Në të kundërt, koha do të tregonte se ai nuk do të toleronte asnjë hije dyshimi të hedhur nga feja dhe kleri lidhur me politikën zyrtare të vendit. Sidoqoftë, në ato vite, ndërsa kleri përjetoi me dhimbje konfiskimin e një pjese të konsiderueshme të pasurive të tija të paluajtshme, nuk mund të mos shihte me një farë shpresë faktin se Kushtetuta e re përgjithësisht e toleronte lirinë e besimit fetar dhe të ushtrimit të fesë.

Rezistenca katolike

Thamë se kleri katolik në ato muaj të parë të vendosjes së pushtetit të kontrolluar nga komunistët e ndjeu menjëherë rrezikun që po i kanosej. Dhe ai reagon, pa munguar të shfaqet edhe fare haptaz në opozitë me propagandën zyrtare.

Është kuptimplotë në këtë plan, një debat i hapur midis një gazetari anonim të gazetës Bashkimi dhe hirësisë së tij, zotit Pjetër Mëshkalla që, për çudi, botohet në gazetën e pushtetit. Gazetari në fjalë, në një shënim të shkurtër, kritikon faktin se në meshën e një të diele në Tiranë, prifti katolik ishte lutur për bashkimin e popujve të Lindjes me Kishën e Romës «në vend që të lutej për mbarëvajtjen e problemeve më urgjente që përjetonte vendi. Aq më tepër që Papa i Kishës së Romës – vazhdonte gazeta – ka bekuar pushtimin fashist të Abisinisë apo sulmin nazist mbi Bashkimin Sovjetik. Vetë fashistët janë hequr më papë se edhe vetë Papa».

Është e qartë se pushtetit i kishte djegur fort thirrja që ishte dëgjuar atë mëngjes të diele në Kishë, ku popujve të Lindjes iu bëhej thirrje për të parë nga Perëndimi.

Kleriku katolik nuk e uli kokën dhe përgjigjet flakë për flakë, duke nisur udhën e tij të martirizimit të vullnetshëm. Hirësia e tij, zoti Pjerin Mëshkalla, përgjigjet me tone shumë të ashpra, biles edhe me shumë ironi. (Shih: Gazeta Bashkimi, 13.09.1945, Pjetër Mêshkalla, Një shpjegim.) Pasi pranon se «Gabime janë ba shumë, në të kaluemen e largët dhe t’afërt, edhe në lamën kishtare», me ironi të hapur, kleriku katolik vazhdon: «T’a dijë trafiletisti se na nuk pushojmë tue u lutun, edhe grishim besimtarët me u lutun «për problemet dhe hallet e ditës», për rreziqet dhe aspiratat e popullit… Për shembull tani lutemi që të bjerë pak shi, që të shpëtojë populli nga tifua».

«Gjilpëra» ishte e hollë, sepse nënteksti i kësaj fjalie ishte i qartë. Ai i bënte thirrje pushtetit të kohës që të mos merrej me përmbajtjen e predikimeve fetare nëpër kisha, po të shikonte hallet e popullit.

Më tej, zoti Pjetër Mëshkalla shkruan me po aq transparencë: «Nuk besojmë t’u vijë keq popujve të Kishave Lindore pse na lutemi për bashkim, kurse ata vetë në liturgjinë e tyre luten përherë për bashkimin e Kishave simbas dëshirit të Krishtit, i cili don që të bahet një grigjë e vetme me një bari të vetëm».

Predikimin e asaj të diele prifti i zgjuar katolik e zhvesh nga çdo përmbajtje konkrete politike dhe e vendos në një plan të përgjithshëm liturgjik. Ai duket sikur thotë: Përse na sulmoni ne dhe jo kishat e Lindjes, duke e ditur se propaganda zyrtare këtë s’mund ta bënte për shkak të ndikimit sllav mbi politikën shqiptare të asaj kohe.

E, sa për Papën, zoti Pjetër Mëshkalla shkruan me ironi të thekur që do ta çonte drejt kryqëzimit të paralajmëruar: «Ne nuk njofim se kush asht ma Papë se Papa. Ne njofim Papën. Gjithkush e din se shka ka ba Piu XII për me largue prej botës rrezikun e Luftës».

Se deri ku u shtri kundërveprimi i klerit katolik me qendër në Shkodër ndaj vendosjes së pushtetit të kontrolluar nga komunistët, kjo është një çështje që meriton një vështrim më të thelluar dhe të veçantë. Ajo që dihet me siguri është se regjimi kalon në zbatimin e masave të dhunshme kundër klerit katolik qysh në fund të viti 1945 dhe në fillim të vitit 1946.

Organet e sigurimit në këtë kohë bastisin lokalet e seminarit të klerit katolik në Shkodër dhe rrëmbyen atje libra, materiale të tjera fetare, arrestuan priftërinj nën akuzën e parapërgatitjes së një kryengritjeje të armatosur dhe veprimtarie terroriste në bashkëpunim me elementë me të kaluar fashiste dhe kolaboracioniste.

«Klerikët katolikë - do të deklaronte shefi i qeverisë në shtyp - dhe akolitët e tyre u zunë flagrant me dokumenta në duar dhe në seminarin e tyre u kap materiali që shërbente për punën e tyre, e cila konsistonte në përgatitjen e kryengritjes me armë, në rrëzimin e pushtetit të popullit dhe në atentate kundër njerëzve të Lëvizjes» (Shih: Gazeta Bashkimi, 17.01.1946, Në lidhje me arrestimet e ditëve të fundit).

Cila është e vërteta?

A e kishin kapërcyer vërtet në këtë rast pjesëtarë të klerit katolik parimin e mosrezistencës me dhunë?

Apo, autoritetet kishin nisur qysh atëherë udhën e montimit të një procesi të gjatë kalvari kundër kishës katolike?

Këtë përgjigje e dha koha.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora