E merkure, 11.12.2024, 12:29 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Eugjen Merlika: Një jetë në diktaturë (III)

E marte, 09.09.2008, 03:17 PM


Eugjen Merlika
Eugjen Merlika

NJE JETE NE DIKTATURE (III)

(Kujtime të një "armiku të klasës")

Por dua të kthehem përsëri te Tepelena, një gozhdë e ngulur thellë në ndërgjegjen, zemrën dhe trurin e shumë bashkatdhetarëve të mi të mesit të shekullit njëzetë. Strategjia e shfarosjes fizike shoqërohej me një tjetër, ende më djallëzore, atë të shprishjes së njeriut, për të cilën nuk kurseheshin mjetet e mënyrat më të ndryshme. Në kushte jashtzakonisht të vështira fizike, morale e psikologjike, shumica dërmuese e asaj bashkësie e mbajti ballin lart, nuk e nxiu faqen, ruajti dinjitetin, karakterin, respektin e dashurinë për njëri tjetrin. Në kazerma të mëdha, me dy rradhë shtretërish flinin mbi pesëqind vetë e për çudi të "arkitektëve të ndritur" të asaj poshtërsie njerëzore asnjë skandal moral nuk ndodhi. Të gjithë u quajtën motra e vëllezër e të tillë mbetën në kujtimet e njëri tjetrit, duke sfiduar diktaturën dhe ligjet e saj mizore. Pa asnjë ndihmë, ata njerëz mes të cilëve jetova dy vjet, përballuan ata vite të gjata derisa më 1953, si pasojë e "qiejve të hapur" dhe trysnisë së opinionit të jashtëm, Qeveria vendosi mbylljen e kampit famëkeq të Tepelenës.

Për "çudi", mbasi "morën vesh" nga gazetat dhe radiot e huaja praninë e metodave të shfarosjes në praktikën e përditëshme të kampit, oficerët e Ministrisë së Brendëshme, që erdhën për të komunikuar prishjen e tij, si zëdhënës të denjë të padronëve të tyre, shprehën "habinë" për çka kishte ndodhur. Hipokrizia kriminale shkonte deri në ngarkimin e përgjegjësisë viktimave, mbasi "nuk qenkëshin ankuar më lart", një mënyrë sa e ndyrë aq dhe cinike për të fshehur ata që kishin projektuar deri në detaje krimin e që drejtonin fatet e vendit. Ishte një përpjekje trashamane për të shpëtuar "faqen e larë" të udhëheqësve, për të cilët "njeriu është kapitali më i çmuar". Eshtë për t’u habitur fakti që ende sot e kësaj dite ka njerëz që me ndërgjegje thonë se "uji vjen i kulluar nga lart, por turbullohet poshtë", se Qeveria mendonte për njerëzit por kuadrot poshtë veprojnë simbas dëshirave të tyre. Çfarë naiviteti për të gjetur spjegimin e aqë shumë të këqijave!

Mbas strategjisë së shfarosjes së kampit të Tepelenës udhëheqja projektoi një sistem të ri për atë masë njerëzish që përfaqësonte "opozitën" ndaj socializmit. Kish vdekur Stalini dhe themelet e veprës së tij kishin filluar të lëkundeshin në vendin e tij; pregatitej takimi i Gjenevësi Katër të Mëdhenjve, Nikita Krushovi filloi të fliste për kurs të ri. Udhëheqja staliniste shqiptare mendonte se nuk ishte më i dobishëm terrori masiv, i ushtruar për dhjetë vite me rradhë. Shembujt e tij janë fakte bindëse e të shumta. Mjafton të kujtojmë Bedenin, Orman-Pojanin, Vloçishtin, Vlashukun e të tjerë kampe pune të detyruar, ku kanë vdekur me qindra të dënuar politikë, ku njeriu varrosej i gjallë në llucën e kanalit nga çizmja e policit. Të kujtojmë gjithë ata të pushkatuar për bombën e hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike, represionin e pashëmbullt mbi popullin e Mirditës mbas vrasjes së Bardhok Bibës e të tjera shfaqje mizore të diktaturës komuniste në ata vite të kobshme.

Tani duhej ndryshuar taktika. Interrnimi merrte një formë tjetër dhe vendi i zbatimit të tij u caktua Lushnja, një qytet në qendër të Shqipërisë, pranë kënetës së Tërbufit. Aty do të ndërtohej një fermë e re dhe kishte nevojë për krahë pune. Këtu u grumbulluan shumica e t’interrnuarve, të shpërndarë në kampe të ndryshme. Këtu edhe un u bashkova me gjyshen, nënën dhe xhaxhain që kishte kryer dënimin e tij me burg.

             Kushtet e jetesës u përmirësuan në krahasim me Tepelenën. Familjet u strehuan në baraka e dhoma të veçanta, me një minimum komoditeti e me një varfëri të skajshme. Por t’interrnuarit i vunë gjoksin punës në bujqësi e, me djersën e tyre, filluan të ushqehen të shkëputur nga kazani me bollgur. Me mund e sakrifica themeluan sektorët e fermës më të madhe në Shqipëri. Në sajë të punës së tyre Lushnja u bë hambari i Vendit.

             Populli i Lushnjes, megjithë trysninë e vazhdueshme psikologjike e propagandën e egër partiake, që i paraqiste të "tërrnurit" si armiq, nuk u soll keq me ne. Pjesa dërmuese e lushnjarëve e kuptonin se ne ishim viktima të pafajshme. Ndryshe nga qëndrimi armiqësor i tepelenasve, ata shfaqën karshi nesh mirëkuptim e në jo pak raste simpati e miqësi.

             Me Lushnjen lidhet gjithë jeta ime, nga mosha dhjetë vjeç e këndej. Aty vazhdova shkollën shtatëvjeçare e më vonë të mesmen në gjimnazin që u hap më 1956, ku pata fatin të bëja pjesë në maturën e parë. Koha e shkollës, kujtimet e saj janë ndoshta pjesa më e bukur e jetës së një të riu. Sa keq që këtë kohë e kushtëzonte gjithmonë pozita shoqërore, "fati" i të lindurit me një mbiemër të caktuar, fakti i të qënit bir i një të burgosuri dhe i një të interrnuareje. Dhe frymëmarrja ngushtohej, kur çdo ditë të rrinte mbi kokë, si shpata e Damokleut, shprehja " a e din se kush je ti?". Kështu u rritëm un dhe shokët e mi, pa pretendime, pa ëndrra, të cunguar shpirtërisht, të kënaqur me një copë bukë me gjizë apo sheqer, të ndrojtur për të treguar të vërtetën e jetës sonë.

             Ne jetonim mes njerëzve, në shkollë kishim marredhënie me mësues e nxënës. Para ekranit të kujtesës kalojnë të gjithë e një pjesë e mirë e tyre më ringjall respekt e konsideratë të thellë. Si mund t’i harroj mësuesit e mi, që nuk bënë karshi meje dallim me të tjerët me ndërgjegjen e tyre, që më dhanë notën që meritoja, që nuk m’i vunë orë e çast para syve muret e luftës klasore, që shfaqën mirëkuptim, dhëmshuri, konsideratë, dashamirësi, dhe atëhere kur ju kërkohej e ju bëhej presion për të kundërtën?

             Emrat e drejtorit Llazar Prifti, të mësuesve Thoma Papa, Liri Kazazi, Pirro Risilia, Rexhep Ballhysa, Shefqet Karaj, Niko Deda, Hajro Babameto, Pëllumb Omari, Myfit Juka etj. i kujtoj me dashamirësi dhe sot, mbas tridhjet e një vitesh të mbarimit të shkollës. Një pjesë prej tyre nuk janë më, i nderuar qoftë kujtimi i tyre, një pjesë janë në pension e ndonjeri vazhdon punën e tij. Mbas kaqë vitesh ata ndoshta nuk më kujtojnë , por un i sjell ndër mend dhe uroj të kenë mbetur ashtu sikurse i njoha, të mos jenë bërë robotë të ideologjizuar të një politike që bie ndesh aqë shumë me profesionin e tyre fisnik. Ishte një fat për mua që pata të bëj me ata mësues, shumica të brezit të vjetër, sepse kam parë dhe mësues të ditëve tona, për të cilët do të kishte qënë më e përshtatëshme puna e policit apo oficerit të sigurimit.

              Marredhëniet me shokët e shoqet e shkollës, sidomos të klasës, kanë qënë, me përjashtime të rralla, shumë të mira. Un nuk e di se ç’kanë thënë ata në mbledhjet e tyre të rinisë, ku s’mora pjesë asnjëherë, ku lektorë të ndryshëm u predikonin pa pushim thellimin e luftës së klasave, pra shkëputjen prej nesh, por me mua ata ishin gjithmonë të sjellshëm e njerëzorë. Vitet që pasuan e vunë në provë akoma më të fortë shoqërinë tonë. Për disa prej tyre si Goni, Xheni, Berti, Halili, Lakja e të tjerë shokë e shoqe të klasës e të shkollës uroj që të jem ndonjëherë në gjendje t’ua shpërblej miqësinë, ashtu siç e meritojnë dhe siç dëshiroj un.

             Kanë kaluar tre dhjetëvjeçarë nga mbarimi i gjimnazit. Ne të gjithë po i afrohemi ose i kemi mbushur të pesëdhjetat. Secili ka problemet e tij familjare e personale, por vazhdojmë t’a ruajmë konsideratën për njeri tjetrin; sa gjë e bukur! Rrugët tona në jetë qenë të ndryshme. E imja dhe e disave si un qenë thikë të përpjeta, me hone të tmerrshme anash, por dhe ajo e shokëve të mi me "biografi të mirë" nuk qe fushë me lule. Pati ndonjë prej tyre që bëri karrjerë e, nga lartësia e saj, pati raste që nuk denjoi as të më jepte të njohur sepse un isha i interrnuar, ose ndoshta pati frikë se dikush mund t’i kërkonte llogari se mbante "lidhje" me armiqtë. Por pati dhe nga ata që përmenda më sipër që shfaqën shenja miqësie në ditët më të vështira për mua, që në heshtje sfiduan diktaturën, duke i lënë të kuptojë asaj se ndjenjat njerëzore nuk mund të prangosen nga parimet e urryera të saj.

             Ndërkaq vazhdonte odisea e shpërnguljeve nga një sektor në tjetrin, simbas nevojave të fermës dhe dëshirës së drejtuesve të Degës P.B. të Lushnjes. Deri më 1957, për katër vite, qëndruam në një dhomë të vetme në Plug. Flinim përtokë sepse nuk kishim krevate. Na ndriçonte bishtuku, një kandil i vogël, derisa të afërmit tanë na sollën një llambë me vajguri. Ngroheshim në flakën e krahneve të pambukut apo të degëve të krasitura të ullirit, që nëna ime i sillte në kurriz, mbasi kishte punuar gjithë ditën në fushë. Megjithë vështirësitë e mëdha materiale, na e mbante lart moralin dashamirësia për njëri tjetrin, ideja e vuajtjes së përbashkët, e qëndresës ndaj së keqes që na imponohej.

             Sjell ndër mënd netët e Vitit të Ri që festonin së bashku njëzet apo tridhjet veta. Urimet bëheshin me nga një gjysëm gote vere e shoqëroheshin me ndonjë karamele apo në rastin më të mirë me ndonjë mollë apo portokall. Prisnim mesnatën duke kënduar e duke treguar anekdota për të qeshur. Nuk kishim as radio e as muzikë, as dritë elektrike e as tavolina, por ngushëlloheshim me njëri tjetrin e me ëndrrat që secili ne vetvete thurte për ditë më të mira.

             Më 1957 në Savër qëndruam afërsisht një vit, porse më 1958 hapej sektori i Gradishtës. U caktuam gjithësej, si fillim, pesë gjashtë familje, ato me laps të kuq, siç shprehej me sinqeritet Kryetari i atëhershëm i Degës. Dy baraka dhe dy shtëpi, pa ujë, pa dritë dhe pa rrugë; ky ishte sektori i ri që do të ngrihej në mes të ish kënetës së Tërbufit. Kënetën e thanë të burgosurit, mes të cilëve dhe babai im. Por mbi torfën shekullore të kënetës duhej ngritur ferma e re. Ky ishte misioni që ju ngarkohej të inerrnuarve. Duhej të sakrifikoheshin ata të parët, siç duhej të punonin të burgosurit politikë në të gjitha " veprat e mëdha" të socializmit, që regjimi i trumbetoi me bujë, gjatë gjithë kohës si "arritje" të klasës puntore. Këto arritje ngriheshin mbi jetën, djersën, gjakun , urinë e qindra e mijra vetëve, skllevërve modernë të një shoqërie, që kishte për mision "zhdukjen e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu"...

             Një polic, një brigadier, një agronom, këta ishin drejtuesit e sektorit të ri, padronë të plotfuqishëm , që diktonin nga mëngjezi në mbrëmje jetën e përditëshme. Buka vinte çdo ditë me një qerre, herë herë dhe në mbrëmje vonë, e qerrexhiu i shkretë, xha Hidajeti, vuante nëpër baltra rrugë e pa rrugë. Një natë ai nuk u kthye më...Kanali që nxori trupin e tij të mbytur mori emrin Kanali i Hidajetit...

             Pak nga pak popullsia e Gradishtit u shtua, erdhën aty të interrnuarit e Kuçit të Kurveleshit. Kishte mes tyre intelektualë të vërtetë, me universitete të mbaruara jashtë Shtetit, me bagazhin e kulturës perëndimore, me disa gjuhë të huaja. Kishte mes tyre klerikë si Kardinali i parë i ardhshëm i Kishës katolike shqiptare, Dom Mikel Koliqi, Dom Nikoll Mazrreku (satiriku Nikë Barcolla), At Mark Harapi, përkthyes në shqip i Manxonit, publiçistë si Mitat Aranitasi, juristë si Ibrahim Sokoli apo Mark Temali, profesorë si Guljelm Deda, përkthyes në shqip i poemës monumentale "Orlandi i çmëndur", apo Nedim Kokona, oficerë akademistë si Ali Erebara apo Valentin Përvizi. Ardhja e tyre gjallëroi jetën e kampit. Ishin këta një pjesë e vogël e opozitës antikomuniste, të gjithë kishin qënë nëpër burgje. Mbas plotësimit të dënimit interrnoheshin me vendime administrative dhe viheshin nën vartësinë e drejt për drejtë të një polici, që mezi lexonte emrat e tyre dy herë në ditë. Sa "zemërgjërë" ishte diktatura me inteligjencën...

             Prej tyre mësova shumë gjëra; rrija e diskutoja me ta, isha i etur për dije dhe thithja ç’të mundja prej tyre. Më pëlqente shumë letërsia, lexoja gjithshka, nga klasikët grekë deri tek shkrimtarët e kohës. Mbi të gjithë adhuroja Shekspirin, e lexoja dhe e rilexoja herë mbas here. Në tragjedinë e Hamletit, pjesë të së cilës i kisha mësuar përmendësh, më dukej se gjeja diçka nga vetvetja. Bisedat me ata burra t’urtë e me kulturë më jepnin shumë më tepër njohuri se sa mësuesit e mi të sapodiplomuar në Universitetin e Tiranës. Ata njerëz të mirë, që më deshën si fëmijën e tyre, më mësuan se si duhej vlerësuar arti, më folën për Emersonin e Dostojevskin, për De Sanktis e për Frojdin, Emil Ludvigun e Lajosh Zilahin e sa e sa personalitete të tjera të kulturës dhe artit botëror, që ideologjia në pushtet i linte qëllimisht jashtë njohjes sonë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora