Shtesë » Historia
At Zef Pllumi: Portrete të ndryshme të burgosunish
E hene, 08.09.2008, 05:31 PM
Fragment nga libri ''Rrno vetëm për me tregue''
At Zef Pllumi
PORTRETE TE NDRYSHME TE BURGOSUNISH
Lexues i dashtun, që në fillim të këtij kapitulli due me deklarue se ata shka po shkruej nuk mund jete vetë realiteti, por vetëm përshtypjet e mija personale ose edhe të një grupi që mendojshin si un. Nuk kam ndërmend të fyej kurrnji njeri e aq ma pak ta akuzoj. Në këtë kapitull due me ba vetëm pjesën e nji ciceroni që u shoqnon në nji galeri artesh figurative, sigurisht jo n’ato të perandorëve e mbretënve, dukëve e papëve që gjinden në Versaje, British Muzeum, Tetriakovski, Eskurial apo Vatikan, por në nji galeri të errët burgjesh, ku tirania, për qëllime të veta të caktueme, bashkon gjithfarë tipash njerzorë. Në të vërtetë mund ishin të panumërt, por kam zgjedhë në përshkrim ata që i rrijnë ma afër shijeve të mija personale.
Këtu nuk kam ndërmend të përshkruej asnji prift katolik, përse të gjithë ata ishin të dalun nga shkollat klasike greko-romake, ku formoheshin tipe si të Likurgut o Mucius Scevolas, me përjashtim të ndonji firauni. Vetëm mendoj t’u shoqnoj në nji galeri t’errët, ku tirania kishte bashkue në nji vend të vetëm, me kondita të barabarta, ajkën e kulturës shqiptare, me kulmin e naivitetit të ndershëm injorant shqiptar, si dhe me të gjithë të poshtërit e jetës shqiptare. Sigurisht që nuk asht e kollajtë, por vullneti i mirë kalon pengesat.
Mehmet Isufi. – Kur e njofta së pari në Reps të Mirditës ai ishte nji burrë i ri çalaman, me tipare fizike të njeriut dhelpnak që të kujtonte fjalën e malsorëve tonë të vjetër “nji çalaman asht tri herë shejtan”. Kishte nji shkollë të mesme mekanike, nga e cila, kur e kishte mbarue, qe emnue drejtues i nji eskavatori “Voronezh” t’ardhun aso kohe në Shqipni. Tue kenë beqar e kishin caktue ndër katundet e Shkodrës, ku me dashuni të profesinit kishte punue shumë vjet. Jeta e puna në ato vende, ku hapte kanale, e kishte njoftë me shumë njerëz, me të cilët ishte lidhë me miqësi e dashuni. Nga origjina qe çam nga Konispoli, por që tashma, ishte shartue me zakonet, virtytet, veset e mendimet e fshatarëve katolikë. Për ta kishte fitue simpati aq sa i kishte shkue ndër mend edhe me lidhë jetën me ato njerëz. Për rrethana të ndryshme, të cilat nuk i parashikon arsyeja e zemrës, ai u martue me “shkuesi” me nji vajzë të bukur nga familjet qytetare të Shkodrës, që natë kohë kishte mjaft fuqi në jetën politike, kështu që u sistemue në qendër të qytetit, me familjen e tij të re. Por në jetë punët nuk shkojnë gjithmonë ashtu fjollë-fjollë, sepse fryjn shpesh edhe ernat e kundërta. Me vdekjen e Drejtorit të Degës së Punëve të Brendshme, gjeneral Hilmi Seitit, vdekje që ndodhi në rrethana shumë misterioze të Sigurimit Shqiptar, ai e pa veten të ndjekun gjurmë për gjurmë, sikur pothuej të gjithë çamët n’atë kohë. Mendoi të arratisej dhe fati ia pruni në derë. Në kohën kur filloi puna për realizimin e projektit për ndërtimin e minierës së Gjegjanit, afër Kuksit, ai shfrytëzoi rastin që ishte aty afër kufinit dhe kaloi në Jugosllavi. Atje e burgosën si “agjent të Sigurimit” dhe mbasi i bane nji hetuesi me tortura të vështira, e kthyen në Shqipni bashkë me ndihmësin e tij, Zijadin Fterën. Besoj se kurr nuk ka me u dijtë e vërteta mbi bashkëpunimin sekret ndërmjet Sigurimit Shqiptar dhe UDB-se Jugosllave, sepse burgjet e të dy shteteve ishin plot e përmaje me njerëz fatzij që kishin ra viktima të këtij bashkëpunimi sekret. Mbas të gjitha ktyneve proceseve gjykata këtu e kishte dënue me 20 vjet burg. Ndërkaq duhet përmendë se në çastin kur ai ishte arratisë e kishte lanë gruen shtatzanë, dy muej para lindjes. Përmes miqve të burgosun shkodranë, dikur merr vesht se prej saj i kishte le nji djalë, por grueja, e shtërngueme nga familja, e kishte divorcue e ishte martue me nji tjetër. Këto ishin hallet që i randojshin ma tepër se sëmundjet, siç ishte damtimi i nji unaze të shtyllës kurrizore, shkaktue prej rrximit nga skelat e katit të katërt, si dhe sëmundja e kolitit që i jepte dhimbje të mëdha në bark. Përpjekjet e mia për te ishin vetëm “qetësimi i dhimbjeve” me anë të fjalëve e këshillave, sepse dhimbja e shpirti njerzor asht shuma ma e fortë se ajo e trupit. Këtu kisha parasysh gjithmonë thanien e Hipokratit të urtësisë greke se “Njeriun e shëron ilaçi, thika o zjarmi ose fjala e mirë”. Kur, mbas operacionit të stomakut pata krizën e ngatrrimit të zorrëve (illius) dhe më shtruen në infermjerinë e vogël të kampit, gjeta të shtruem edhe Mehmetin. Ai vuente vetë prej dhimbjeve, por kur më pa mue në atë gjendje e harroi veten, u çue nga shtrati, tepër i preokupuem për jetën teme e përpiqej me çdo kusht të më zgjaste jetën edhe atëherë kur un kishem humbë ndjenjat e nuk kuptojshem kurrgja se ç’po ndodh. Vetëm kur u ktheva i shëruem nga spitali mora vesh gjithshka. Asht e natyrshme që qysh atë ditë fitova nji besim ma të plotë ndaj tij, të cilin e ruejta gjatë gjithë jetës që kalova në burg, mbasi shumë vjet vazhduem dënimin së bashku, tue i u gjetë shoqishojt përherë, kryesisht me ndihmë morale, sepse të dy ishim pa ndihma ekonomike. Nji ditë po më thotë:
- Gani Tartari, Kryetar i Këshillit të Riedukimit, ti e njeh, është dënuar me grupin e Teme Sejkos, më ofroi të punoj si berber i kampit. Nuk pranova, megjithëse kam shumë nevojë, mbasi ai vend pune është shumë i favorshëm për mua dhe paguhet mjaft mirë.
- Pse nuk e pranove?
- Si ta pranoj? Ti e di vetë se punëtorët e prapavijës janë të gjithë njerëz të komandës. Këtë gjë e kam provuar tash sa vjet në burg e nuk dua të përlyhem.
- Mendoj se mund ta bajshe mirë punën e berberit dhe nuk ke nevojë me ba edhe punën e komandës. Në se ke aq të folun me Ganinë thueja troç: berber bahem, por spiun i komandës jo.
- Po hyra aty, do të flasin të burgosurit.
- Sigurisht që do të flasin. Ti e din mirë se nga vetë njerzit e komandës shpërndahen fjalë vesh më vesh për të gjithë të ndershmit: “Rueju atij sepse është spiun”. Jo vetëm këtu në burg, por edhe jashtë, Sigurimi ka përdorë edhe këtë metodë për izolim të shumëkuj; sigurisht që përflasin edhe për mue e për ty edhe për njerëz ma të ndershëm. Ndigjo djalo, nji fjalë e urtë thotë: “Fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mbyllen kurr”. Kanë folë për Krishtin e për Zojën e nuk do flasin për ne? Më ndigjo mue: punën e mirë bane, por të keqen kurr. Ti e njef Ganinë? Më kan thanë se asht këpucar. Ç’punë kishte ai me Teme Sejkon?
- Eshtë çam nga Konispoli. A nuk e din ti se „Grupi i Teme Sejkos“, ashtu si u vu në skenë me gjyqin e madh, është një trillim prej të cilit ranë viktima të gjithë çamët, ashtu edhe vllehët?
- Nuk besoj. Ballafaqimi me Bashkimin Sovjetik nuk mund të kalohej aq lehtë. Ti e di se ç’asht KGB-ja?
- E di mirë se Bashkimi Sovjetik është një superfuqi që nuk çante kokën as për Shqipërinë e aq më pak për Enver Hoxhën, si nuk çau kokën as për Budapestin e as për Pragën, por u hyri me forcë brenda. Ajo vetëm me flotën që kishte në Orikum e zaptonte këtë vend për tri orë. Hrushovi, në takimin sekret me Kenedin në Vjenë, u angazhua që të tërhiqej nga Pashalimani, mbasi ishte një bazë tepër e avancuar e shqetësuese për perëndimin. Këtë kompromis Enveri e quajti tradhti. Sovjetikët u larguan vetë e nuk i nxorëm ne, për më tepër, që ta dijsh ti, ata u larguan pa iu kontrolluar asnjë valixhe dhe kështu, me rrogat e larta trifishe që kishin këtu, blenë të gjitha visaret e gurë të çmuar, unaza, bylyzykë e varse që kishin teprue në syndyqet e grave, duke e lënë këtë vend në varfëri të madhe. Prandaj Enveri kërkonte me doemos që Sigurimi i Shtetit, si dhe Forcat Ushtarake të dilnin para botës me një propagandë të madhe ku të paraqitej „Epika Shqiptare“ kundër një superfuqije. Këto sendërgjime u organizuan nga Sigurimi i Shtetit. Kam folur me të gjithë çamët e mi. Më besojnë se kanë njohur babanë tim, Azem Beun, që ishte tmerri i grekërve. Janë të gjithë të pafaj, të gënjyer e të marrë në qafë.
Me sa më kanë treguar kjo histori ka një fillim. Me rastin e vdekjes misterioze të Gjeneral Hilmi Seitit, çam edhe ky, në funeralin e tij madhështor, në Shkodër, muarën pjesë, pothuaj, të gjithë çamët. Në këtë kohë, nga organet e larta, i propozohet Admiralit Teme Sejko, një plan. Partia e Pushteti, i thanë atij, gjinden më ngusht se kurr, sepse deri më sot për të gjitha arritjet i janë lënë nderet e meritat Bashkimit Sovjetik. Në këtë gjendje të re kërkohet një propagandë madhore për t’i mbushur mendjen botës dhe vendit, se ishin nëna Parti e shteti që sundonin në Shqipëri dhe jo rusët. Prandaj ishte bërë plani që të akuzoheshin disa autoritete ushtarake e civile, kryesisht më afër Pashalimanit, të cilët, të lidhur me sovjetikët, kërkonin të rrëzonin pushtetin në Shqipëri. Iu tha se kjo akuzë ishte krejtë imagjinare mbasi Partia e dinte se nuk kishte asnjë armik në Shqipëri. Prandaj akuza që bëhej duhej pranuar si një detyrë Partie. Natyrisht, ajo, duke e ditur të vërtetën, do të zhvillonte një proces të gjatë, ndërsa trajtimi i të „akuzuarve“ do të ishte shumë i mirë, i priviligjuar, por sekret. Do të bëhej një gjyq publik, i cili pasi të provonte “fajsinë“ do të jepte vendimet, që nuk do të zbatoheshin kurr, mbasi e vërteta ishte tjetër dhe këtë e dinte Partia.
Admirali Teme Sejko, që nuk dinte edhe aq mirë se ç’ishte Sigurimi i Shtetit, pranoi që të sakrifikohej për Partinë. Atij nuk i shkonte aspak ndërmend se edhe miku i tij, të cilit i shkoi në funeral, ndoshta ishte viktima e parë e këtij plani djallëzor.
Procesi filli e në te dukeshin personazhe të tjera, me rëndësi e pa rëndësi, u paraqitën dëshmitarë të çdo lloji. Ata që nuk pranuan u eliminuan gjatë procesit, midis të tjerëve edhe Taho Sejko, në atë kohë drejtor i Parkut Automobilistik të Shkodrës. Ta kam treguar edhe një herë se e kam parë me sytë e mi dhe kam lexuar letrën që ai Hoxha ynë i çamëve N.N. (kështu quhet, sepse kishte bërë studimet e larta në Rumani) dhe ishte kryeredaktor i „Zërit të Popullit“. Letra ishte kjo:
„Shokut Enver Hoxha, Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së. Detyrën që Partia ma ngarkoi mua e kam kryer me devotshmëri. Nuk e kuptoj pse më mbani gjithnjë të mbyllur këtu etj. Etj... Kërkoj ndërhyrjen tuaj”…
A e sheh deri ku kishte arrijtë idiotësia e quajtur „ideal i Partisë”? Në këtë grup kenë edhe disa krerë, siç ishte Tahir Demi. Për atë u kurdis një kurth i poshtër. Shihe atë Nashon, atë brigadierin e çobanëve, Nasho Gërxhon. E sheh? Si të duket? Me që çobanët i kulltonin bagëtitë deri në kufirin grek. Brigadieri i tyre, Nashua, ishte njeriu më i besuar i Sigurimit. Këtë Nashon e thirrën një ditë në Sigurim dhe I thanë: “Nasho, ti do të takohesh me kryetarin Tahir Demin”.
“Po pse unë me këtë punë! Jemi çobenj të pashkollë që nuk dijmë të numërojmë as dhëntë e jo të flasim me të mëdhenjtë.”
“Ti je artist, or Nasho, e dimë ne që të emëruam brigadier.”
“E ç’më duhet mua ta takoj. Unë që merrem me dhentë?”
“Po jo, që duam ne, prandaj u kemi vendosur aty. A e kupton se n’ato poste mund të vendosnim edhe të tjerë?”
“Këtë e di dhe ua kam borxh.”
„Atëhere ja si do të veprosh. Ditën e hënë, ora dhjetë, do të shkosh në klubin e fshatit X. Aty do ta bllokosh klubin dhe do t’i njerrish të gjithë jashtë.”
“Të bllokoj klubin? S’kam para.”
„Po ja, ku jemi ne që paguajmë. Ja njëqind mijë lekë.”
“E ç’të bëj me to?”
“Nxirri të gjithë nga klubi. Njerzit do të ankohen. Ti rri aty e mos ia hap derën asnjërit, përveç Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv.”
“A vjen ai?”
“Vjen se s’bën. Do të alarmohet pak çështja dhe kur të vijë ai, ti thuaji se nevojat e dhënve nuk janë si ato të zyrave, o të grupeve artistike. Kërkoji edhe ndonjë grup artistik për barinjtë. Ç’të keqe ka këtu? Je dakort?” “Po.” “Ja dhe njëqind mijë lekshin për të bllokuar klubin për dy orë. Ama, në bisedën tënde me Kryetarin nuk do të jetë asnjë njeri.“
Kjo skenë u realizua me të vërtetë. Përfundimi: akuza kundër Tahir Demit e cila provohej nga dëshmitari kryesor Nasho Gërxho i ndjekun nga 10-15 çobanë të tjerë.
Vetëm mbas dënimit me vdekje të dhënë nga gjykata, Teme Sejko e muer veten, la në një anë idealin e Partisë e u bashkua me realitetin e jetës. Simbas procedurës ai kishte të drejtën e “fjalës së fundit”. Vetëm aty foli si duhej. Deklari se kjo ishte një detyrë që ia kishte ngarkuar Partia, se ai nuk kishte zhvilluar asnjë aktivitet politiko-ushtarak me sovjetikët kundër shtetit shqiptar. Deklaroi se ky gjyq ishte i organizuar me kërkesën e Partisë, së cilës ne ia plotësuam edhe dëshirat e fundit, duke sakrifikuar edhe nderin si qytetar dhe anëtar Partie. E gjitha ishte një trillim që vinte nga Partia dhe e firmosur nga ne.
Kjo fjalë e fundit kje një bombë e papritur e cila shkatërronte çdo veprim të Sigurimit. Tregohej e vërteta dhe demaskohej gënjeshtra e madhe.
Mbas proklamimit të vendimit që u shoqnua me nji heshtje të madhe, të dënuemit nuk u panë ma me njani-tjetrin. Të gjithë ata që kishin ndigjue fjalën e Teme Sejkos vuajtën pesë vjet izolim, shpesh herë tue u ba edhe “spiunë birucash”, pra tue marrë në qafë të tjerët. Koha 5 vjeçare në izolim do të vlente për me fshi në kujtesën e tyne atë çka ishte thanë në atë seancë të fundit të gjyqit. Kjo ishte dredhia e madhe e Sigurimit të Shtetit.
Përgjithësisht ashtu ndodhi. Gjatë atyne pesë viteve izolimi në burg u harrue ajo që tha Teme Sejko dhe mbeti vetëm ajo që serviri e shpalli Partia...
Këto ishin kujtimet e mikut tim, Mehmet Isufi.
Zhdukja e kujtesës! Kjo donte të thonte zhdukja e së vërtetës për me mbetë në mendjen e shqiptarëve vetëm fjala e partisë. Kështu, e gjithë historia kombëtare, ashtu si letërsia, muzika, artet figurative dhe i gjithë mendimi i njerzve duhej të idjotizoheshin deri aty sa të mos dinin tjetër përveçse gjunjëzimit servil e të devotçëm para idhullit Enver. Ky ishte, pothuej, dami ma i madh që iu ba popullit shqiptar. Po të realizohej kjo ata do tëmbeteshin heroj e na tradhtarë në kujtesën e atyne që do të vinin mbrapa.
- Këtu e ke saktë, - i thashë. – Atje në burgun e parë në Shkodër kishim drejtor nji burrë të mirë e të ndershëm, edhe pse ishte komunist. Quhej Shyqyri Rrjolli. Mbas pak vitesh si u liruem nga ai denim i parë, ai kishte takue nji kolegun tim dhe në bisedë e sipër i kishte thanë: „Shikjo, djalë, mos të keshë nostalgji për kohën e kalueme. Ajo nuk kthehet ma, sepse sikur sot (bahej fjalë për vjetin 1956) na komunistat t’ua lëshojmë pushtetin në dorë nuk u duhet gja, mbasi e kena ngatrrue ma zi se flokët e harapit. Ju do të kërkoni me i gjetë fijen, po filja nuk mund gjindet as për 50 vjet, sikur të vijnë këtu të gjithë dijetarët e botës.“ Fjalë e urtë sa s’ka përtej.
Me Mehmetin u takuem përsëri mbas shumë vjetëve, në periferi të Tiranës, në fundin e vjetit 1990, kur mendohej se komunizmi shqiptar ishte në grahmat e fundit. Mendohej se ishim të lirë. Ideali ynë ishte populli shqiptar, progresi e prosperiteti i tij. Mendoi të merrte pjesë në politikë që në gjysën e parë të dhetorit 1990, para se të paraqitej “Partia Republikane” e Sabri Godos. Tue kenë se nuk kishte kurrfarë lidhje as me Ramiz Alinë, as me gjykatësin Rustem Gjatën etj., atij iu kërcënue jeta, prandaj zgjodhi mërgimin politik, ku vazhdon gjithnjim, tue kja me lot, i zhgënjyem, demokracinë e re shqiptare.
Bajram Hoxha e kishte origjinën nga katundet e Rajcës. Ishte nji burrë I shkurtë, gjithmonë i thatë e i pa fuqi për punë të randa fizike, ndërsa për me hangër ishte i pakalueshëm. Disa herë e patën dërgue në spital të Tiranës për me ba analizat, sepse dyshohej për „shirit“, por nuk i gjejshin gja. Të parën herë e kishin denue se kush e di se ç’kish folë, mbasi buka që i jepte kooperativa bujqësore, sigurisht që nuk i dilte. Tue kenë gjithmonë i uritun, kishte marrë inad në sistemin socialist, tue e konsiderue ate përhapësin e urisë. Gjatë 5 vjetëve të burgut të parë kishte mësue mjaft nga njerëzit e kulturës, të cilët rrijshin me andje me te, mbasi ishte njeri shumë i ndershëm e korrekt, por kishte edhe nji humor të hollë. Atyne që ishin kenë jashtë shteti, në prendim, u bante vazhdimisht pyetje për jetën e lirë në sistemin kapitalist, sepse mendonte se atje edhe malet ishin prej gjalpit, ku merrte gjithkush sa i kishte andje e nuk njifej vorfnia. Tue kenë se në katund të vet nuk kishte kenë i zoti i punëve bujqësore dhe tokën e lshonte përgjysë, atëherë ai bante punëdore si gratë, fanela, çorape etj. dhe i punonte aq mirë, si gratë. Gjatë burgut kjo punë i vlefti shumë, sepse nuk la çorap as fanelë të vjetër pa i mbledhë, i shkrepte, i shprishte dhe mandej i dridhte përsëri e i punonte të reja, në këmbim të ndonji kile sheqeri, voji o makaronash.
Mbasi u lirue nga burgu i parë e pa mirë se nuk mund jetonte ma i lirë, nën komandën e brigadierit, të kryetarit të kooperativës e të sekretarit t’organizatës së Partisë, prandej vendosi me kthye në burg. Palosi teshat që kish, dyshek, jorgan e ndrresa, i bani deng, i lidhi, i ngarkoi në shpinë e u nis malit të Qafë Thanës përpjetë. Si vendali që ishte e dinte mirë se ku ishte kufini shtetnor, por aty ku fillon teposhtja ndali nji makinë, që po kalonte, dhe e pyeti: „Shok, a di të më thuash se ku është kufiri?“ „Hip, se deri afër Shën Namit të dërgoj unë.” Shoferi e dërgoi në policinë e Pogradecit nga ku filluen proceset hetimore e gjyqsore, nga të cilat do të dënohej 25 vjet. Qeshte tue thanë se tash e kishte sigurue bukën, pa pague asnji lek, ndërsa në kooperativë nuk ia jepte kush. Ndërsa na tjerët thojshim: “Bajram, me sa dijmë na, ajo makina që ke ndalue për me pyetë se ku asht kufini ishte xhipsi i Degës.“
Gjatë jetës së burgut ai ishte shumë i qetë, i përzemërt me të burgosunit, por jo me puntorët e Komandës, sepse, siç thohej, ata bajshin pjesë në sistemin socialist, të cilin ai nuk e honepste fare. Shpesh herë e pyetshim si me tallje: “Bajram, ti që flet kaq mirë për kampin kapitalist, a je kenë ndonjiherë jashtë shtetit, e ku, në cilin vend?“
„Në Hamburg, - përgjigjej tue qeshë, - kam kalue aty gjysmën e jetës.“ Me këtë ai nënkuptonte fjalën shqipe: “hamë burg”.
N’oborrin e kampit ai kishte gjithmonë nji vend të caktuem, ku mbi nji shtroje qëndronte gjithmonë nji tepsi e madhe alumini, mbushun me mbeturinat e bukëve që I mblidhte me mirësjellje të madhe ndër tavolinat e mensës. Kur nuk ishte kohë pune, leximi, ose apeli, ai qëndronte kambëkryq pranë asaj tepsije tue punue ndonji triko o çorapë. Këtë vend ai e kishte zgjedhë mjaft afër stendës ku vendoseshin gazetat dhe nuk ia trazonte kurrkush, sepse ndalohej nga të gjithë. Nji ditë, sapo lexova në gazetën “Bashkimi” rubrikën “Kuriozitete shkencore”, i kthehem e i them:
- Bajram, ka dalë sot nji lajm në gazetë që tregon se për të parën herë në botë paskan gjetë nji njeri me dy stomakë.
- Me dy stomakë?
- Po, a nuk të duket e çuditshme?
- Ku? Nga asht ky njeri?
- Nuk e di, nuk shkruhet se ku.
- Due me ditë se ku, të lutem shko e lexoje edhe nji herë.
Ktheva, por gazeta nuk tregonte ma tepër. Atëherë i thashë:
- Bajram, shka po të intereson se ku ndodhet ky njeri, mjafton fakti që ka dy stomakë, kudo që të jetë.
- Kam dhimbje të madhe për te. Në rast se është në kampin socialist mund të shtyjë ndonjë vit, por në kampin socialist asnji ditë. Unë me nji stomak dhe mezi po jetoj, e jo ai me dy!...
Kin Dushi. Kishte mbetë jetim që në moshën 10 vjeçare e ishte rritë në nji konvikt shtetnor pranë Normales s’Elbasanit. Gjatë luftës muer pjesë në brigadat partizane, sapo muer dëftesën e shkollës së mesme. Komandant brigade kishte Gjin Markun. U shkrue edhe në radhët e komunistëve, mbasi ata kishin depërtue në të gjitha konviktet shtetnore gjatë kohës së monarkisë dhe të okupacionit italian.
Në kampin e Ballshit qëlloi të na venë me punue s’bashkut në nji brigadë e në nji skuadër. Ai nuk kishte kurrnji t’ardhun nga familja, për të cilën ishte shumë i preokupuem, mbasi kishte dy fëmijë të vogjël që nuk i lshonte goje kurr. Pinte duhanin, por vetëm kur ia dhuronte kush. Me stoicizmin që e karakterizonte barte skamjen ma të madhe dhe vuejtjet e burgjeve e të kampeve të punës, gjithmonë i qeshun e me humor shkodran.
Kish nji kulturë të madhe, të formueme në shkollën Normale t’Elbasanit e në studimet e nalta në Bashkimin Sovjetik, për letërsi. Kishte edhe nji karakter të vendosun e nji ndershmëni njerrzore. Ishte nji ndër shkrimtarët e parë të epokës komuniste që në letërsinë tonë thirrej „realizmi socialist“. Kishte botue librat: „Në gojën e ujkut”, dhe “Udha e Velanit” me të cilin kishte marrë të parin çmim të Republikës në letërsi. Siç më tregonte, fatkeqësia I kishte ndodhë me romanin e tretë, “Në qiell shkëlqen vetëm një yll“ (nuk jam i sigurtë për këtë titull) që u ndalue e nuk u vu në qarkullim, sepse ishte kritikue për tipare revizioniste. Përmbajtja, siç ma tregonte Kini, ishte kjo: Gjatë luftës partizane ose N. Çl., ndër disa episode, përshkruhej nji aksion ku viheshin në dukje dy rryma, ajo strategjike-ushtarake e komandantit dhe ajo humanitare e komisarit. Kur u vu në qarkullim ky roman u ndalue, sepse Fiqrete Shehu, aso kohe sekretare e Komitetit të Partisë të Tiranës, e kishte komentue sikur përshkruhej lufta e Brigadës së Parë, ku komandant kishte kenë Mehmet Shehu e komisar Tuk Jakova, i dënuem ky i fundit nga Partia.
Kini aso kohe kishte kenë kryeredaktor i revistës „Ylli“.
- Më thrret Ramiz Alia, - më tregonte Kini. – Kur u paraqita më tha se shoku Enver donte të më takonte n’orën 12. Shkuem bashkë dhe e gjetëm shtri mbi nji shezlong me nji libër në dorë. Mbasi u përshëndetëm, ai u shtri përsëri dhe hyni menjiherë në temë. „Shoku Kin, e kam lexuar me vëmendje librin tënd të fundit.
Eshtë shumë i bukur si letërsi, por ama bie në revizionizëm. Gjatë luftës komandanti dhe komisari ishin në një mendje dhe jo në dy, siç thua ti. Uniteti Parti-Popull ishte i çeliktë në atë kohë ashtu si edhe sot. Të këshilloj ta marrësh edhe një herë në dorë, ta përpunosh ashtu siç duhet, pa kurrnjë pikë vreri revizionist.“
„Shoku Enver, populli do të kishte mbetur gjithmonë i shtypur sikur mos t’ishin mësimet e udhëheqja e Partisë. Unë e kuptoj komunizmin si kulmin e humanizmit njerzor dhe në roman këtë ide paraqes.“
„Kaq kisha të të them”, - mbylli bisedën Enveri.
Duelëm jashtë dhe Ramizi më ftoi për drekë në shtëpinë e vet që ishte aty afër. Gjetëm gruen e tij që po pregatiste sofrën. Folëm bashkë gjatë e gjatë mbi disa probleme, por ma në fund biseda përfundoi te këshillat që më kishte dhanë shoku Enver. Mbas ngranies Ramizi duel për me marrë nji ilaç të zakonshëm, e ndërkaq, grueja e tij, që ishte zojë e vërtetë, e kulturueme dhe dashamirëse, e bija e Aleksandër Xhuvanit, më thotë në konfidencë: „Kin, ndigjoje burrin tim ç’të thotë, se asht shumë i mendshëm, jo se asht burri im po ta thom këtë, por kur e krahasoj me të tjerët, ky rri shum ma nalt.“
- Kurr nuk m’u mbush mendja ta ripunoj romanin sipas skemave, - më thote Kini. – E kishem shkrue me devotshmërinë ma të madhe për idenë që kisha për komunizmin. Problemin e kishte ngritun Fiqrete Sanxhaktari, grueja e Mehmet Shehut, që në mënyrë konfidenciale në rrethe të ngushta thirrej edhe „Fiqrete Sangjaktari“. Ajo e shtroi këtë çështje edhe në organizatën bazë të Partisë, ku të gjithë më mbrojtën mue. Ma vonë ajo, si sekretare e Komitetit të Partisë për Tiranën e shtroi kritikën për romanin tim në mbledhjet e të gjitha organizatave të kryeqytetit. Me shumicë votash fitoi ajo dhe mue m’u dha dënimi me u përjashtue nga Partia si revizionist. Nuk shkoi shumë kohë dhe në nji ditë të fillimit të verës, ndërsa punojsha në redaksinë e revistës „Ylli“, më lajmojnë se atje poshtë, te dera, më kërkonte nji oficer. Zbrita shpejt për mos me e lanë me pritë. Kur e takova e pyeta: “Shok ç’kërkoni?“ M’u përgjegj: “N’emër të popullit je i arrestuar.“ „Shok, të lutem, të ngjitem lart sa të marr xhaketën që kam në zyrë.“ „Mos lëviz.”
- Nga vapa e fillimit të verës, - më tregonte Kini, - xhaketën e kishem hjekë e kanë në pështetësen e karriges. Aty më mbet e nuk e dij fatin e saj mbasi nuk e pashë ma kurr. Më shtine n’atë xhipsin e Degës dhe filloi kjo historia jonë e të gjithëve.
- Kin, sot, mbas sa vjetëve burgu, - i thashë, - si të duket komunizmi?
- Pater, të nderoj shumë se je përfaqësues i kulturës oksidentale. Kisha katolike e krijoi atë, krijoi kryeveprat e artit në arkitekturë, pikturë, skupturë e muzikë, po thuej edhe në letërsi. Megjithkta ajo bani shumë pak për zhvillimin ose barazimin e shoqnisë njerzore, e cila mbeti e ndame ndër klasat e vjetra – mbeti pra e ndame në patricë, plebej e skllavë. Tashti ajo asht e ndame në aristokratë, borgjezë, punëtorë e fshatarë. Mendoj se vetëm komunizmi do t’i rrafshojë këto klasa e do të krijojë kulturën e re botnore. Ky asht besimi im.
- Kin, ky besim i yti më duket shumë naiv. Ndër këto 50-60 vjetët, realiteti ka tregue se komunizmi asht vetëm nji demagogji e pacipë e peshkaqenve ose e tiranosaurëve njerzor, siç i quejm. Simbas mendimit tem komunizmi asht nji utopi e vjetër e njerzve që zhvillohet ma shumë ndër njerz që i gjen të marrë, ndërsa po u zhvillue ndër të mendshëm e intelektualë, ajo i kthen ata në të marrë.
- Të falem nderës për komplimentin, - ma ktheu Kini. – Na jena mësue me kritikat e njerzve arkaikë e patriarkalë dhe ky asht revolucioni ynë i vërtetë dhe jo ai me armë, i zbatuem deri tash e me format shtetnore.
Këto biseda me Kinin ishin të përhershme. Megjithse në të njajtat kondita, të dy t’uritun, të dy të zdathun, mbasi opingat na i jepshin shumë të vogla, të dy me lecka veshun, që gjysën e kohës së lirë e kalojshim tue qepë harna. Megjithkta ishim miq aq të përzemërt sikur t’ishim vllazën. Shpeshherë flitshim edhe për fatin e letërsisë shqiptare, në të cilën ai ishte aktiv.
- Më vjen shumë keq, - më thonte, - që talentet ma të mdhaja të kohës së sotme ushtrojnë servilizmin profesional, vetëm për tituj e grada dhe nuk e kuptojnë se shkrimtari i kthyem në shërbëtor nuk i vlenë ma letërsisë e artit, por vetes e padronit të vet.
Sot, kur të gjithë shkrimtarët e realizmit socialist vetquhen “disidentë“, më vjen keq që askuj nuk i shkon ndërmend se Kin Dushi, për romanin e vet, kishte marrë 10 vjet burg në nji kohë që kolegët e tij shkrimtarë merrshin çmime dhe lavde, atëherë edhe sot.
Nji cilsi tjetër e Kinit, përveç humorit dhe sinqeritetit, ishte trimnia. Besoj se gjatë luftës ai nuk kishte shkrepë asnji fyshej, se vetëm fletushka e trakte shkruente. Lavdohej se brigada e Gjin Markut, që në shtatorin e vjetit 1943, me kapitullimin e Italisë, kishte „çlirue“ qytetin e Beratit.
- Kur erdhën gjermanët e u gjetën para këtij fakti të kryem, - tregonte Kini, - nuk menduem me sulmue, por kërkuen marrëveshje. U takuen me autoritetet ushtarake partizane. Ata thanë se nuk kishin ardhë me pushtue vendin, por kërkojshin rrugë të lirë për pikat strategjike në luftën globale që kishin ndërmarrë. Autoritetet partizane e pranuen marrëveshjen dhe kështu gjermanët kalojshin lirisht nëpër Berat, mbasi nuk kishin rrugë tjetër për me shkue te nji pikë vrojtimi jashtë qytetit. Shtabi i Komandës së Përgjithshme, ose ma mirë me thanë Miladini, ashtu siç nuk aprovoi “Konferencën e Mukjes”, nuk aprovoi as këtë veprim të brigadës, dhe i dha urdhën Gjin Markut që të sulmonte gjermanët. Mbas nji beteje të shkurtë na humbëm Beratin dhe duelëm në mal.
Këto histori të luftë më tregonte Kini, ndërsa aso kohe në kampin e të burgosunve të Ballshit zhvillohej e ashpër “lufta e klasave”, drejtue nga komisari Kiço Gjançi. Çdo dy javë ai organizonte mbledhje të Këshillit të Riedukimit, mbledhje në seicilën brigadë, mbledhje të të gjitha brigadave, e kështu mbledhje mbas mbledhjesh. Në njenen prej tyne u shtrue çashtja: “Përse ish-antarët e Partisë të mos rehabilitohen?” U pru si shembull Kin Dushi. Përse të mos marrë pjesë në Këshillin e Riedukimit Kin Dushi? Rreth kësaj pyetje folën shumë vetë. Si gjithmonë, kush thumbit e kush patkonit. Ndërkaq u çue nji njeri, që në pamje ishte gabel, e quhej Kristaq. Ishte nga fshatrat e Korçës.
- Si kërkoni që Kin Dushi të jetë anëtar i Komisionit të Riedukimit? Ky është një ultrareaksionar. Po ju tregoj se një ditë kur po shetisnim në oborr, ky i tha shokut që kishte në krah: “Kujdes, mos fol, se kemi një spiun mbrapa!”
N’atë çast Kini u çue në kambë e foli:
- Zoti komisar, un nuk rri ma në këtë mbledhje provokuese. Në rasë se keni ndërmend me na dënue për së dyti e së treti, na jena gati. Pranojmë gjithshka në rasë se ju merrni mbi vete përgjegjësinë. Por jo të përdorni shpifsa të tillë si këtë këtu apo poshtërsi të tjera. Dola!
Komisari Kiço Gjançi, ndërhyni tue e sigurue Kinin se nuk do të lejoheshin ma ndër mbledhjet elementat shpifës e provokues.
Para se të lirohej ishte tepër i preokupueshëm për jetën që nuk e shifte të kjartë. Un përpiqesha me i dhanë zemër, tue e porositë që të mos i linte shkrimet e se do t’i bahej nji shërbim i mirë letërsisë sikur të përkthente novelat e bukura të Çehovit.
Mbasi u lirova nga burgu, megjithse e gjeta pothuej të verbuem syshë, u gëzova se ai jetonte në gjinin e familjes së vet, ku djemt e dojshin dhe e respektojshin.