E shtune, 18.01.2025, 10:38 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Jusuf Osmani: Kolonizimi serb i Kosovës (II)

E hene, 08.09.2008, 05:23 PM


Jusuf Osmani
KOLONIZIMI SERB I KOSOVËS (II)

Nga Dr. Jusuf Osmani

KOSOVA GJATË SUNDIMIT OSMAN DHE PLANET SERBE PËR SERBIZIMIN E TROJEVE SHQIPTARE

Pushtimi osman i trevave shqiptare, pas vitit 1389, megjithëse solli me vete ndryshime të rëndësishme në planin politik, ekonomik, shoqëror e ideologjik, nuk e ndryshoi në thelb fizionomin e strukturës etno-kulturore të nacionalitetit shqiptar në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Vendosja e sundimit osman në Kosovë, shënoi një ndryshim rrënjësor në zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore të kësaj treve. U asgjësuan strukturat e pushtetit rasianë-serb dhe bashkë me to edhe pushteti ekonomik i feudalëve serbë dhe atij kishtar. Me vendosjen e sundimit osman në Kosovë, u shënuan ndryshime thelbësore edhe në jetën shoqërore. Kështu, gradualisht një pjesë e popullsisë shqiptare braktisi fenë e krishterë dhe përqafoi fenë islame. Një ndër faktorët, që e lehtësoi depërtimin e islamit në masën e popullsisë kosovare ishte prirja e saj për t’u larguar nga autoriteti fetar i kishës serbe. Ashtu si e gjithë popullsia shqiptare e islamizuar, edhe ajo e Kosovës, ndryshoi vetëm fenë, pa prekur qenien e vet etnike shqiptare.[4]

Në gjysmën e dytë shek. XVI një pjesë e konsideruar e popullsisë arbërore-shqiptare islamizohet dhe si rrjedhim, antroponimia e saj shndërrohet në antroponimi të sferës fetare islamike. Prania e popullsisë shqiptare në  këtë  kohë përbën në vetvete një dëshmi të pakundërshtueshme, që provon se ajo ekzistonte aty edhe në periudhën e sundimit mesjetar rasian-serb, se ishte autoktone dhe vazhduese e popullsisë së dikurshme ilire, se me sukses i kishte bërë ballë procesit të sllavizimit gjatë shekujve XII-XIV. Përveç kësaj, për islamizimin e popullsisë shqiptare vepruan edhe faktorë të tjerë ekonomikë e social-politikë.

Dokumentacioni i periudhës pas pushtimit osman të Kosovës hedh dritë akoma më mirë dhe jep të dhëna më të shumta, që dëshmojnë se ato banoheshin nga popullsia shqiptare, kurse serbët të ardhur si kolonistë dhe si shtresë sunduese gjatë kohës së pushtimit rasiano-serb në këto troje, përbënin një pakicë të parandësishme, por sunduese politikisht.

Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, përkundër shpërnguljes së disa famljeve serbe nga Kosova, në anën tjetër në njëfarë mënyre kishte vazhduar edhe vendosja e disa banorëve serbë si nga vetë Serbia, apo viset malore të Malit të Zi, kryesisht si çifçinj në trevat shqiptare. Kështu pushteti osman, përkatësisht çifligarët, beglerët i sillnin dhe i vendosnin duke u dhënë tokë popullatës sllave në pjesët më pjellore të Kosovës, si p.sh. rreth lumit Sitnica, ku edhe sot ata janë të vendosur në disa vendbanime serbe. Ata këtë e bënin, sepse ajo popullatë ishte shumë e dëgjueshme dhe i shkonte përshtati beglerëve në çdo aspekt. Ndërsa, te popullata shqiptare këtë nuk ka mundur ta arrinte. Ata në forma dhe mënyra të ndryshme përvetësuan pushtetarët osmanë dhe u bënë zotërues të tërthortë apo të drejtpërdrejtë të vendeve dhe të anëve të ndryshme me shumicë absolute shqiptare, por edhe të territoreve, të cilat deri në atë kohë nuk ishin të banuara.

Në bazë të burimeve arkivore historike e të tjera, të cilat fatkeqësisht janë të pakta, por megjithatë dëshmojnë se në trevat e Sanxhakut të Nishit dhe më gjerë që nga antika e deri në shekullin XIX ekzistonte një kontinuitet i popullsisë shqiptare.[5] Këtë e dëshmojnë edhe me faktin, se në një dokument arkivor të datës 30 nëntor 1584, në mes tjerash thuhet: “Krysheci me pesë fshatra dhe me 1500 frymë shqiptarësh...”[6]  Mirëpo, sikurse edhe në trevat të tjera, edhe këtu kishte lëvizje  të  mëdha  të popullsisë,  e sidomos të asaj shqiptare. Kjo lëvizje ishte pasojë e imigrimit dhe emigrimit të popullsisë, që ka qenë gjithnjë dukuri historike e kushtëzuar prej lloj-lloj shkaqeve, por që ka mbizotëruar shkaku ekonomiko-social dhe shoqëror, por shpeshherë edhe ai politik.[7]

Siç dihet, në vitin 1689, me nxitjen e perandorisë austriake, në Ballan shpërtheu një kryengritje antiosmane e fuqishme. Një ndër krerët e saj ishte arkipeshkopi Pjetër Bogdani, i cili kishte lidhje të drejtpërdrejtë me gjeneral Pikolominin, përçuesin e ndikimit austriak për kryengritje në Ballkan. Pas një rezistence jo aq të gjatë, disa mujore, Austria u tërhoq dhe kryegritja dështoi. Porta e Lartë, si ndëshkim, e shpalli “zonë nën ferman” një pjesë të mirë të Kosovës. Pikërisht për këtë shkak, popullata e shpallur fermanlie, më saktë pjesa kryengritëse e saj, e cila në masë përbëhej prej shqiptarësh, u detyrua të largohej nga trualli i vet për t’iu shmangur diskriminimit. Burimet historike tregojnë se gjatë kësaj tërheqjeje popullsie, që ra në sy të historisë, serbët nuk përbënin shumicë. Edhe serbët u bashkuan me austro-hungarezët për të luftuar kundër Perandorisë Osmane, por, mbasi kryengritja u shtyp, nuk pati shpërngulje masive të tyre. Ajo pjesë kryengritësish serbë që u detyrua të largohej, ndoqi drejtimin e veriut dhe u vendos në Vojvodinë. Shpërngulje për shkak të pjesëmarrjes në kryengritje pati kryesisht nga luftëtarët shqiptarë.

Pikërisht këtij momenti “boshllëku” fiktiv, kur prania shqiptare në strukturën demoetnike të Kosovës pati rënie relative, i referohet më së shumti dija serbe për të provuar se shqiptarët “u dyndën” drejt veriut për të zënë troje të të tjerëve, në fillim të shekullit të 18-të. Ndërsa e vërteta është e thjeshtë: Kur, më 1710, Porta e Lartë e hoqi regjimin “nën ferman”, shqiptarët kryengritës u rikthyen në trojet e mëhershme. Shkenca serbe pikërisht në këtë moment e fillon historinë: shqiptarët e ripopulluan Kosovën në shekujt 17-të dhe të 18-të, sepse Perandoria Osmane e favorizoi dyndjen e tyre si shpërblim për ndërrimin e fesë dhe si ndëshkim për serbët fanatikë. Asaj nuk i intereson kronologjia absolute, mjafton një kronologji relative, që shqiptarët t’i gjejë në mungesë.[8]

Një pjesë e popullsisë shqiptare që ishte vendosur përkohësisht në viset malore të Shqipërisë Qendrore, pas përfundimit të luftës austro-osmane që zgjati gati 20 vite,  filloi gradualisht përsëri të kthehet në vendbanimet e tyre të mëparshm në territoret e sotme të Kosovës dhe më gjërë, që atëherë administrativisht kryesisht jetonin në Sanxhakun e Vushtrrisë, Prizrenit etj. Por një pjesë e popullsisë shqiptare e besimit orthodoks si edhe të asaj katolike që kishte qenë e inkuadruar në radhët e ushtrisë austriake, nga frika e ushtrisë osmane u shtërnguan të dynden në Vojvodinë e vende të tjera të asaj ane, e jo popullsia serbe që numërohej në gjishtrinjë e një fakt ajo ishte me prejardhje vllehe e serbizuar në mesjetë, siç ishte serbizuar edhe një pjesë e popullsisë shqiptare të besimit të krishterë.[9]

Përpjekjet e shqiptarëve për çlirim kombëtar nuk pushuan asnjëherë, por përkundrazi ato vazhduan duke gjetur forma të reja të rezistencës, me qëllim që të çlirohen nga sundimi i Perandorisë osmane.

Çlirimi i viseve të Pashallëkut të Beogradit[10] dhe 6 nahijet[11] gjatë viteve 1800   e deri në vitet 1875 ishte e drejtë  legjitime  serbe. Mirëpo, në  anën   tjetër, ajo largoi popullatën joserbe nga ato treva. Kështu sipas një shënimi historiografik nga periudha 1800 e deri në vitin 1875 cek se qarqet ushtarake dhe qeveritare serbe i larguan nga viset e lartëpërmendura dhe nga Lugina e Moravës, siç thuhet aty, rreth 150.000 banorë shqiptarë.[12] Regjimet e dinastisë së Obrenoviqëve (1817-1903) vazhduan politikën terroriste shtetërore ndaj shqiptarëve e boshnjakëve e gjatë viteve ‘30 të shekullit XIX, me qëllim të spastrimit etnik. Në frymën e kësaj politike, qeveria e Principatës së Serbisë urdhëroi me 1832 që çdo shqiptari dhe boshnjaku, që kapet në territorin e Serbisë, t’i mëshohen nga 25 të rëna me shkop, ndërsa më 1834 urdhëroi që të përdoret ushtria për t’iu djegur fshatrat.[13]

Politika e Mbretërisë serbe përherë kishte për qëllim dhe synim të përhershëm grabitjen e tokave shqiptare dhe zgjerimin e tyre. Serbia shpresonte që të shfrytëzojë rastin në rrethanat e krijuara, për të gllabëruar në tërësi jo vetëm Kosovën, por edhe tërë Shqipërinë bregdetare, për të dalë në detin e hapur. Që nga viti 1844 ajo kishte përpiluar shumë programe, me të vetmin qëllim për t’i shfarosë shqiptarët si popull - për një moment ose në etapa. Ndërsa, ato vise të vendosen të kolonizohen me elementin sllav. Ata për të shkëputur pjesë nga trojet shqiptare intensifikuan veprimtarinë e tyre diplomatike. Për këtë qëllim monarkia serbe, infensifikoi edhe shtypin, publikimet dhe aktivitetin shkencor, ku synonte t’i vinte një mbështetje gjoja historike shkencore politikës grabitqare pushtuese të borgjezisë serbomadhe ndaj tokave shqiptare në Kosovë e gjetiu. Në këtë politikë ishte dhe është angazhuar edhe shkenca serbe, sidomos për sa i përket trajtimit të së kaluarës historike dhe autoktonisë së popullit shqiptar në viset e Ballkanit, ku jeton sot, para së gjithash në Kosovë dhe në Maqedoni. Kjo “shkencë” nuk ka pasur për bazë normat dhe moralin shkencor, të vërtetën shkencore, por vetëm interesat e politikës së ditës, politikës antishqiptare. Shkencëtarët e tillë përpiqen që me çdo kusht ta mohojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve. Ata kishin vetëm një qëllim të caktuar - mohimin e së kaluarës historike etnike të shqiptarëve, falsifikimin e historisë dhe të autoktonisë së tyre.[14] Për realizimin e kësaj, ata përdorën të gjitha format dhe metodat diplomatike e “shkencore”, duke mos kursyer më vonë edhe metodën e dhunës e të terrorit për spastrimin etnik të Kosovës, shkombëtarizimin e saj dhe kolonizimin me elementin sllav.

[4] Kosova në vështrim enciklopedik, Tiranë, 1999, fq. 81.
[5] Jovan Trifunovski, Vranjska Kotlina I, Skopje, 1969, fq. 34; Dr. Sabit Uka, Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878, libri I. Prishtinë, 1994, fq. 220-21; Dr. M.Gj. Miliçeviq, në librin “Kralevina Srbije”, Beograd, 1987, fq. 334, cek se banorët e fshatit Ivan Kullë ishin shqiptarë dhe aty ishin që nga Beteja e Kosovës 1389; Në veprën e Adem Hanxhiqit, Oblast Brankovica, Opsirni katastarski popis iz 1455 godine, Sarajevo, 1972, fq. 229, në mes tjerash përmendet edhe fshati Arbanashka etj.
[6] Dokumente të shekullit XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, I. Tiranë, 1989, fq. 373.
[7] Dr. S. Uka, Dëbimi i shqiptarëve ..........., v. e c., fq. 23.
[8] Shaban Sinani, Statusi i Kosovës: Burimi i krizave dhe baza e kompromiseve, Arkivi shqiptarë, 1-2/2000, Tiranë, fq. 70.
[9] Po aty, fq. 88-89.
[10] R. Djordjevic, Srbija pre 100 godina,  Beograd, 1946, 1-36; Dr. Sabit Uka, Planet antishqiptare të shteteve fqinje në shekullin XIX, Shqiptarët në rrjedhat ballkanike, Prishtinë, 1996, fq. 162.
[11] Dr. Vladimir Stojançeviq, Iz istorije Leskovackog kraja u drugoj polovine XIX veka, “Leskovacki Zbornik”, IV, 1966, fq. 89-93; Dr. S. Uka, Planet........., p. i c., fq. 162.
[12] Shaban Braha, Idriz Seferi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Tiranë, 1982, fq. 23.
[13] Mr. Fatmir Fehmiu, Gjenocidi i regjimeve serbe në hapësirat Shqiptare. Referat në tribunën shkencore të AMVL “Dardania”, p. i c.; “Bot Sot”, 22.06.2000.
[14] Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV-XVI, Tiranë, 1984, fq. 4.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora