E merkure, 04.12.2024, 07:35 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Mesazhi i Zogut për Duçen një ditë para pushtimit

E diele, 14.09.2008, 02:11 AM


Nga Francesko Jakomoni

Dështimi i rrugëve të ndërmjetme diplomatike dhe kurtheve të marrëveshjeve midis dy vendeve apo rrënimi i shpresës së Romës për lidhjen e mbretit Zog me një princeshë italiane, i hapën rrugë zgjidhjes ekstreme; pushtimit të plotë ushtarak të Shqipërisë. Në pjesët e botuara në dy numrat e kaluar pamë se si emisarët e Duçes, Konti Çiano apo Jakomoni, nuk arritën dot të shmangnin sovranin e shqiptarëve nga froni. Sot, ne i ofrojmë lexuesit fragmente shumë të rëndësishme nga libri-ditar i Jakomonit, të cilat zbardhin disa të vërteta historike të dhimbshme, por realiste. Në këtë përmbledhje zbardhet misteri i largimit të bujshëm të mbretit Zog më 7 prill. Në libër tregohet për herë të parë përpjekja e Zogut për të shtyrë pushtimin, përpjekja e tij për të rezistuar. Në këtë hapësirë zbulohen mesazhet e ndërsjella mes Zogut dhe Viktor Emanuelit. Dorëzimi i kurorës shqiptare të Skënderbeut nga një dërgatë shqiptarësh në Romë është një moment historik mjaft i diskutueshëm. Por çfarë tha perandori italian kur mori kurorën e Skënderbeut?

Me t’u përhapur lajmi në qytet, erdhi e më takoi Abdurrahman Mati dhe më pas u thirra në takim nga mbreti. Menjëherë informova Romën: “Mbreti Zog më dha të gjitha garancitë për italianët, iu përgjigja, se i bindesha urdhrave të marra pas shumë njoftimeve, për manifestime kërcënuese dhe armiqësore kundër disa italianëve, që kishin mbërritur tek Viktor Emanueli. I thashë se nuk e dija sesa i mundur ishte tashmë ndryshimi i urdhrave të ardhur nga Roma. Më informoi se kishte marrë një letër nga gjeneral Serreqi, në të cilën thuhej se, Duçe kërkonte një përgjigje për nesër në mesditë. M’u lut që t’i lihej kohë deri të premten në mesditë, në mënyrë që të këshillohej me disa anëtarë të parlamentit dhe të merrte një vendim që të mos ia linte barrën vetëm atij. I thashë se do të informoj menjëherë Viktorio Emanuelen për këtë kërkesë të tij. Iu lutëm që të më jepnin një përgjigje sa më shpejt, mundësisht në mbrëmje. Kam përshtypjen se mbreti është dorëzuar parimisht për pjesën ushtarake, kështu që paqartësitë e tij dhe kundërshtitë me të cilat përballet në mjediset politike, lidhen kryesisht me nenin 8". Qëllimi i nenit 8 ishte të kënaqte sedrën kombëtare të shqiptarëve, duke hequr çdo dyshim mbi trajtimin e pabarabartë mes qytetarëve të dy shteteve. Natyrisht, zbatimi i nenit duhej bërë me kujdes, duke ua thjeshtuar shqiptarëve, për shkak edhe të numrit të tyre të vogël, mundësinë e ushtrimit të aktiviteteve profesionale dhe publike në Itali, por duke penguar me çdo kusht që italianët, më të shumtë në numër, më të përgatitur dhe më të pasur, të sundonin në Shqipëri popullsinë vendase nëpërmjet ngulmimeve dhe blerjes së sipërfaqeve të mëdha të tokave. Ishte pikërisht aftësia jonë për t’u zgjeruar demografikisht, ajo që shqetësonte disa mjedise pranë Zogut, por ndoshta ishte edhe frika se shqiptarët e padëshiruar për oborrin mund të përfitonin punë dhe përkrahje në Itali.

***
Mbrëmjen vonë të 5 prillit, Roma do të komunikonte: “Takohuni me mbretin për t’i thënë se e kam të pamundur të pranoj shtyrjen që ai kërkon pas kaq ditë diskutimesh. Pres përgjigjen e tij negative ose pozitive, nesër në Romë, data 6 prill, jo më vonë se ora 12". Telegrami ishte firmosur nga Musolini. Shtyrja që lejohej ishte vetëm një ditë. Ndonëse kërkesa e një përgjigjeje pozitive ose negative dukej se përjashtonte çdo diskutim tjetër, në orën katër të mëngjesit të datës 6 do t’i nisja Romës këtë telegram: “Prita në mbrëmjen e djeshme Abdurrahman Matin dhe Musa Jukën, të cilët shprehën gatishmërinë për pranimin, thuajse të plotë të marrëveshjes, përveç disa sqarimeve të nenit 4 që ka të bëjë me qëndrimin ose jo të trupave tona këtu si dhe të ndonjë ndryshimi të nenit 8. Më vonë erdhën këtu kryeministri dhe ministri i Jashtëm, të cilët më dorëzuan zyrtarisht tekstin e kundërpropozimeve të palës shqiptare. Ato janë: neni 1, i pandryshuar. Në nenin 2 të hiqen fjalët “sovraniteti dhe tërësia e pavarësia” dhe të shtohet fraza: “siç parashikohet nga marrëveshja e aleancës, me miratim të qeverisë shqiptare”. Neni 3 dhe 4 të shkrihen në një të vetëm me këtë tekst: “Qeveria shqiptare, duke njohur nevojën e dhënies së qeverisë italiane të të gjitha lehtësive të domosdoshme për përmbushjen e detyrimeve të ndërsjella, në bazë të marrëveshjeve paraprake do t’i lejojë qeverisë italiane përdorimin e porteve dhe rrugëve të komunikacionit”. Neni 5 i pandryshuar. Neni 6: “Italia, nëpërmjet teknikëve dhe specialistëve, do të japë gjithë mbështetjen e saj teknike dhe financiare për organizimin dhe mbarëvajtjen e shtetit shqiptar”. Neni 7 nuk ndryshon. Në nenin 8 fshihet fjala ‘politikanët’ dhe në fund të nenit shtohet: “në përputhje me dispozitat statusore”.

***
Në mbrëmjen e 6 prillit do të vinte nga Roma, në përgjigje të telegramit që bënte fjalë për bisedën time të fundit me mbretin, ky njoftim: “Trupat do të mbërrijnë në Durrës dhe porte të tjera ku është caktuar, në orën 4 e 30 të ditës së nesërme, e premte 7 prill. Zbarkimi do të fillojë menjëherë. Nëse ndërkohë Zogu do të ndryshojë vendimin e tij dhe do të pranojë kërkesat tona, do t’i përcjellim njoftimet me këtë rast telegrafisht në komandën e trupës së zbarkimit. Rreth mesnatës do të rikthehej tek unë ministri i Jashtëm Libohova. I njoftuar për zbarkimin e mëtejshëm të trupave italiane në Durrës, ai kishte ardhur në emër të mbretit të propozonte nënshkrimin të nesërmen në mëngjes të një marrëveshje ushtarake për të përligjur praninë e forcave tona ushtarake në Shqipëri si dhe për shmangien e një gjakderdhjeje të panevojshme. Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, njësia e parë e trupave mund të zbarkonte. Si kusht për marrëveshjen ushtarake, Zogu kërkonte pranimin nga ana jonë të propozimeve të fundit të palës shqiptare. Ripërsëriste dëshirën e tij që marrëveshja ushtarake të firmosej nga gjeneral Pariani si përfaqësues i plotfuqishëm i Italisë. I përcolla Romës menjëherë kërkesën e Zogut, duke shtuar se “me gjithë vonesën do t’i lutesha ministrit të Jashtëm ta merrte në shqyrtim me dashamirësi kërkesën”. Pak më vonë do të mbërrinte prej Romës përgjigja e ministrisë, e cila thoshte: “Në qoftë se qeveria shqiptare ka diçka për të thënë, t’ia komunikojë ato komandantit të trupave para se të bëhet zbarkimi. Komandanti i trupave do të njoftojë Romën. Sidoqoftë, Pariani nuk mund të vijë pasi ka shkruar në Gjermani për një marrëveshje me Shtabin e Përgjithshëm gjerman”. Me këtë telegram unë isha përjashtuar nga marrëveshjet me qeverinë shqiptare. Ishte pranuar kërkesa ime për ta shqyrtuar me dashamirësi propozimin e mbretit, por përmes saktësimit se takimi duhej kryer me komandimin e trupave të zbarkimit, rrëzohej çdo mëdyshje dhe tjetërsohej natyra e bisedimeve që realizoheshin nëpërmjet rrugëve normale diplomatike për të marrë trajtat e një detyrimi. Por duhet pranuar se shtysa për këtë ishte dhënë prej qeverisë shqiptare kur kishte kërkuar ndërhyrjen e gjeneral Parianit. Në leximin e përmbajtjes së telegramit që po i bëja Libohovës përmenda mundësinë e një mesazhi të drejtpërdrejtë të Zogut për Musolinin, që të trajtonte ato çështje që i qenë dërguar atij më 1 prill nga kryeministri, ndaj të cilave nuk më rezultonte se kishte një përgjigje. Në orët e para të mëngjesit të 7 prillit, mora udhëzimin për t’i nisur mbretit Zog këtë telegram të Musolinit: “Në frymën e miqësisë italo-shqiptare që ju përmendni, së cilës unë do t’i ngelem besnik, njoftoj madhërinë tuaj se mund të dërgoni në Durrës përfaqësuesin tuaj fuqiplotë për të diskutuar marrëveshjen ushtarake me gjeneral Guzzonin, komandant i trupave italiane, i autorizuar prej meje për të dëgjuar përfaqësuesin tuaj dhe më pas të më njoftojë”.
Ia përcolla menjëherë këtë telegram ministrit të Jashtëm shqiptar dhe ai u kthye për të më takuar në përfaqësi. Më tha se ai i përgjigjej telegramit që mbreti i kishte nisur drejtpërdrejtë Musolinit në Romë, rreth një sugjerimi që i ishte bërë pas bisedës sonë. Më la një kopje të atij telegrami, të cilin po e botoj në frëngjisht, ashtu siç m’u dorëzua.
“Shkëlqesia juaj, nuk e di se çfarë çmimi kombi shqiptar dhe unë, t’i vëmë miqësisë suaj. Kjo miqësi kaq e çmuar përbën një garanci të pazëvendësueshme për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy kombeve tona, që i lidh një aleancë e bazuar në besimin e ndërsjellët. Unë kam bindjen se propozimet e paraqitura nga qeveria ime frymëzohen nga dëshira më e sinqertë dhe më e ndershme për të arritur një bashkëpunim të plotë. I kërkoj Shkëlqesisë suaj, në emër të miqësisë që na bashkon prej trembëdhjetë vjetësh, të mos i imponojë Shqipërisë diçka të dëmshme, gjë të cilën zemra juaj bujare nuk donte që t’i shkaktohej dhe për rrjedhim propozoj që ju të urdhëroni që të merret në shqyrtim një marrëveshje ushtarake që do të zgjidhte moskuptimet”.
Gjatë natës Libohova do të vinte edhe një herë tjetër në përfaqësi për të më propozuar një formulë, të cilën nuk ia kishte paraqitur ende mbretit. Ajo duhet të përligjte praninë e trupave italiane në Shqipëri. Mbreti, më tha Libohova, ishte dakord për përfundimin, të nesërmen në mëngjes, të një konvente ushtarake që do të rregullonte zbarkimin italian në Shqipëri, i cili mund të kryhej menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Këto propozime që iu dërguan mbretit, më rikthenin, por pa as më të voglën garanci, çështjen e qëndrimit të përhershëm të trupave tona në Shqipëri. Marrëveshja dukej tërësisht e zbrazur prej elementit të saj thelbësor, megjithatë Libohova deklaroi se ndryshimet e bëra prej mbretit ishin të natyrës formale dhe jo përmbajtësore. Nuk më ngelej gjë tjetër veçse t’i përsërisja ministrit të Jashtëm shqiptar se, çdo propozim tjetër nuk mund të më bëhej drejtpërdrejt mua dhe Zogu e dinte këtë, jo vetëm për ato arsye që unë i njoftova, por që lexoheshin edhe në telegramin e Musolinit.

***
Po atë pasdite të 7 prillit u informova se trupat shqiptare, deri atëherë të pozicionuara mbi rrugën që bashkonte Durrësin me Tiranën, qenë shpartalluar. Pamë nga dritaret e përfaqësisë sonë që njësitë e xhandarmërisë të grumbulluara në kopshtin e pallatit të princeshave nuk gjendeshin më aty. Një batalion i këmbësorisë, që mbante të bllokuar “fushën e lutjeve” në krah të përfaqësisë përgjatë rrugës së Elbasanit, ishte zëvendësuar nga banda malësorësh. Edhe patrullat që mbikëqyrnin përfaqësinë ishin larguar prej aty. Rreth orës gjashtë të asaj pasditeje zoti Mario Bianchi, që kishte qëndruar me mua në Tiranë dhe ruante marrëdhënie miqësore me mjaft intelektualë shqiptarë, do të njoftohej nga njëri prej tyre se mbreti kishte lënë Tiranën së bashku me mjaft anëtarë të qeverisë dhe se të burgosurit e qytetit ishin liruar dhe armatosur. Siç do më thuhej, mbreti që e kishte kaluar natën në një xhami në Tiranë, kishte marrë rrugën drejt Elbasanit. Rreth shkaqeve të braktisjes së vendit prej Zogut janë ngritur mjaft hamendje. Shumë njerëz thoshin se ai ndihej i kërcënuar, siç dhe në fakt ishte, prej hakmarrjeve të panumërta personale që karriera politike aventurore i kishte shkaktuar. Sipas meje, në atë rast ai dha jo një provë frike, por përkundrazi një provë të vizionit të tij largpamës. Ai ishte i qetë për të ardhmen e afërt të popullit të tij përderisa ajo i qe besuar Italisë, ndjenjat e së cilës ndaj shqiptarëve njiheshin mirë. Nga ana tjetër, ashtu siç mbreti kishte pasur rastin për të ma thënë mua dhe të tjerëve, një Luftë e Dytë Botërore dukej tashmë se ishte shumë pranë. Vështirë të besohej se Italia mund të qëndronte mënjanë. Duke u larguar, ai mund të shpresonte, po qe se Italia fitonte luftën, në miqësinë e saj nëse nuk do të na shkaktonte shqetësime. Në qoftë se fatet e lutës nuk do t’i buzëqeshnin Italisë, ashtu siç besohej në fakt, se ishte dhe bindja e tij e thellë, ai mendonte që duke emigruar në Angli, të rifitonte fronin e Shqipërisë përmes mbështetjes angleze.
Qeveria që Shefqet Vërlaci formoi dhe u miratua më pas nga Asambleja, ishte e përbërë nga figurat më të spikatura në vend për fushat që mbulonin. Xhafer Ypi, për të cilin kam folur gjatë si kryeministër i qeverisë së përkohshme, mori detyrën e ministrit të Drejtësisë, Maliq Bushati, prej një familjeje princërore shkodrane, të mirënjohur për frymën e saj atdhetare dhe përparimtare, u bë ministër i Brendshëm, Anton Beca, një ortodoks mjaft i vlerësuar në mjediset tregtare u vendos për të drejtuar Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, Feizi Alizoti, specialist i njohur financash, disa herë ministër, mori Financat, Ernest Koliqi, katolik, përfaqësues i kulturës së lartë shqiptare, shkoi te Ministria e Arsimit. Si ministër i Jashtëm ishte projektuar, ndonëse nuk gjendej në Tiranë, Xhemil Dino, funksionar karriere, në ato kohë ministër në Sofje. Ai rridhte prej një familjeje të madhe myslimane dhe ishte dhëndër i Vërlacit.
Vërlaci, në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve të tij, kishte mbajtur parasysh shumë kritere. Kështu, në qeverinë e re ishin përfaqësuar në mënyrë të barabartë të gjitha rajonet shqiptare dhe të gjitha besimet fetare, duke sakrifikuar madje edhe kompetencën e ministrave për detyrat që ishin thirrur të kryenin.

***
Më 2 qershor u miratua statuti i Partisë Fashiste të Shqipërisë. Një çështje kjo, të cilën një pjesë e mirë e shqiptarëve e kishin shumë për zemër. Shumë kohë para bashkimit, patriotë të shumtë shqiptarë u ishin drejtuar personaliteteve të partisë sonë fashiste për të qartësuar qeverinë italiane rreth keqpërdorimit që Zogu u bënte ndihmave që merrte nga Italia. Me t’u shpallur Bashkimi, mjaft shqiptarë e gjykuan të dobishëm vendosjen e tij në një shtrat idealist, të cilin në ankthin e tyre të përparimit besuan se do ta gjenin në një organizatë politike që pranonte se kishte në programin e saj vlerësimin e punës dhe kulturës si bazë të reformave shoqërore. Përfshirja në një parti që ishte lidhur me partinë ku qenë përfshirë nacionalistë italianë shihej prej tyre, veç të tjerash, si një lloj mbrojtjeje përballë shfaqjeve të padenja që mund të shkaktoheshin prej mjediseve nacionaliste shqiptare.
Por krijimi i Partisë Fashiste Shqiptare prej italianëve ishte i nxituar, pasi u krye pa një përgatitje të përshtatshme dhe pa një studim të hollësishëm të realitetit shqiptar. Mjafton të kujtohet se, projektstatuti i partisë së re ishte sjellë i gatshëm në Tiranë nga sekretari i atëhershëm i Partisë Fashiste Italiane, Açhille Starace, menjëherë pas shpalljes së Bashkimit. Pasoja e kësaj ishte gjithë veprimtaria sipërfaqësore e Partisë Fashiste Shqiptare.

“Dëshmitë e Jakomonit”, best seller në tri ditë

Mund të quhet “best seller” për tri ditë. Shitjet e tij kanë ecur dhe interesi për librin që sapo është hedhur në qarkullim në libraritë shqiptare është rritur ndjeshëm. Të paktën botuesit e tij ndihen të kënaqur. Bëhet fjalë për librin e ri “Gjysma ime shqiptare”, të Franceko Jakomonit. Eshtë dëshmia e vetme e Jakomonit që vjen e plotë në Shqipëri, botuar nga shtëpia botuese “Ora”. Sipas drejtuesit të kësaj shtëpia, Besnik Mustafaj, deri dje pasdite ka pasur një interesim të madh nga tri-katër librari në Tiranë për tërheqjen e kopjeve të dyta. “Librari Albania më ka kërkuar dje dhjetë kopje të reja. Kjo do të thotë se libri ka pasur interes”, tregon ai. “Gjysma ime shqiptare”, një libër luksoz, sjell për herë të parë në shqip kujtimet e armikut të Shqipërisë, Francesko Jakomoni, dëshmitarit më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë gjatë periudhës 1926- 1943. Misteri i krijimit të Partisë Fashiste Shqiptare aq shumë të diskutuar nga historiografia shqiptare gjatë këtyre 60 viteve, del në dritë këtë herë nga një këndvështrim origjinal dhe nga burime italiane. Për herë të parë mësojmë se programi dhe statuti i kësaj partie ishin parapërgatitur në Itali dhe në Shqipëri vetëm sa u mbush struktura e saj me njerëz. Njëkohësisht në këtë përzgjedhje ka edhe mjaft momente interesante që ndihmojnë jo vetëm lexuesin e thjeshtë, por edhe historiografinë shqiptare dhe më gjerë. Libri me më se 360 faqe është përkthyer nga origjinali nga Arian Vasjari dhe kushton vetëm 750 lekë. a.m

Kurora e Skënderbeut i dorëzohet Viktor Emanuelit

Në datën 16 prill, u zhvillua në Quirinale ceremonia e ofertës së kurorës. Në fjalën e tij Vërlaci tha: “Vijmë tek ju madhëri, të dërguar prej popullit shqiptar që e ka shprehur vullnetin e tij me votën në Asamblenë Kushtetuese të mbledhur në Tiranë më 12 prill. Vijmë në emër të këtij populli që në një ofertë të njëzëshme i dhuron me devozion shpirtëror ma-dhërisë suaj kurorën e Shqipërisë. Ajo është e denjë për lavdinë tuaj sepse ka breruar kryet e Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar, i cili e valëviti flamurin e tij përbri flamujve të kombit italian. Me besimin në zemër se madhëria juaj do të pranojë këtë votë të njerëzve tanë, ju shprehim sot dëshminë dhe betimin për besnikërinë tonë dhe të të gjithë popullit shqiptar”.
Mbreti u përgjigj: “Dë-shirojmë t’ju shprehim ndjenjat tona të mirënjohjes për mesazhin që ju na përcollët në emër të popullit shqiptar. Ne jemi të lumtur të mirëpresim votën e popullit tuaj trim e fisnik si dhe të pranojmë kurorën e Shqipërisë që ai na ofron, me të cilën lidhen kujtimi i lavdishëm i Skënderbeut.
Që sot fatet e Shqipërisë do të jenë të pandashme nga ato të Italisë dhe ne e pranojmë betimin për besnikërinë tuaj dhe të popullit shqiptar me zotimin se qeveria jona ka marrë përsipër t’i garantojë mbre-tërisë sonë të Shqipërisë rregull, respektimin e të gjitha besimeve fetare, përparimin, drejtësinë shoqërore dhe paqen përmes mbrojtjes së kufijve tanë të përbashkët”.
Më 3 qershor 1939, mbreti i dha popullit shqiptar statutin e tij kombëtar. Teksti paraprihej nga këto fjalë: “Me pranimin e ofertës për kurorën e Shqipërisë vendosur prej Asamblesë Kushtetuese të mbledhur në Tiranë më 12 prill 1939, ne kemi marrë detyrën e lartë të përkujdesjes për bijtë tanë shqiptarë dhe udhë-heqjen e këtij populli fisnik drejt fateve të tij më të larta. Duke pasur parasysh se për arritjen e këtyre qëllimeve është i pazëvendësueshëm përcaktimi i strukturës së një shteti në përputhje me interesat më të mëdha kombëtare, kemi vendosur t’i dhu-rojmë popullit tonë të dashur shqiptar një statut themeltar si dëshmi të dashurisë dhe përkujdesjes sonë atërore”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora