E marte, 03.12.2024, 03:00 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Eugjen Merlika: Një jetë në diktaturë (VI)

E premte, 12.09.2008, 03:23 PM


Eugjen Merlika
Eugjen Merlika

NJE JETE NE DIKTATURE (VI)

(Kujtime të një "armiku të klasës")

Në mars 1975 u arrestua shoku im Kurt Kola, një njeri shumë shpirtmadh e kurajoz. Filloi ajo periudhë ankthi që zgjati plot gjashtë vjet. "Më mirë një fund i ankthshëm se sa një ankth pa fund". Nuk më kujtohet tani se kujt i përkasin këto fjalë; por gjatë këtyre viteve unë dhe shokët e mi të kampeve, e sigurisht familjet e tyre, e kemi vërtetuar plotësisht saktësinë e shprehjes. Çdo tre muaj arrestohej njëri prej nesh, në sektorë të ndryshëm të fermës së Lushnjës ku ishim shpërndarë.

Më duket se diçka më shtrëngon fytin e s'më lë të mbushem me frymë dhe tani që i kujtoj ato vite të llahtarshme. Çdo ditë kur niseshim për në punë përshëndeteshim në heshtje me njerëzit e shtëpisë se ndoshta nuk ktheheshim në darkë. Ishte një torturë cfilitëse mendimi se nga një moment në tjetrin do mund të të viheshin hekurat në duar, për të të shkëputur nga gjiri i familjes. Më e tmerrshmja ishte se nuk dije si ti ruheshe së keqes. Proçeset bëheshin për agjitacion e propagandë, dhe ky përcaktim ishte kaq i gjërë, sa që mund të të fajësonin edhe pa hapur gojën fare, mjafton të shikoje me bisht të syrit një bukë të djegur apo një domate të kalbur në banakun e shitësit. Këtu gjenin terren të aktivizoheshin dhe fundërrinat e shoqërisë,njerëzit pa kurrfarë vlere veç poshtërsisë që vullnetarisht e vinin në shërbim të së keqes, për të mbjellë dëshpërimin e personave, të familjeve, të fëmijëve, të mbarë shoqërisë. Kishte mes tyre dhe shokë nga tanët, që i quanim njerëz të mirë, shokë të vuajtjeve që nga fëmijëria, njerëz që i respektonim, i prisnim e i shkonim në shtëpi, por që, fatkeqësisht, ishin kthyer në varrmihësit tanë. Provokatorët gjenin mënyrat më të ndryshme për të zbatuar detyrat e tyre, e ne u kthyem në memecë. Çdo gjë për të cilën bisedohej, nga punimi i tokës, tek vegla e punës, tek brigadieri, tek muzika, tek filmi, tek mallrat e dyqaneve, shërbimet e ndryshme, gjithçka që thuhej futej në veprimtari armiqësore. Prandaj e vetmja bisedë pa zarar ishte sporti e veçanërisht futbolli, për të cilin diskutonim me orë të tëra, pa kaluar në tema të tjera që ishin bërë tabu të paprekshme. Nuk guxonim të dilnim në qytet se mos "binim në sy". Ishte problem rasti i vdekjeve ose i dasmave në shoqëri, ku grumbulloheshin shumë njerëz, sepse një fjalë e thënë pa qëllim mund të raportohej brenda pak orëve e stërholluar nga disa persona.

Për vite të tëra nuk shkova njëherë me gruan në kinema. I shmangeshim takimit me shokët, vetmia e trishtuar ishte e vetmja gjëndje normale e jona. Ndiqnim me sy të zgurdulluar çdo gaz që kalonte rrugës e sidomos targat 6701 e 6702 të cilat ishin bërë për ne si kuçedra që përpinin njerëz. Ankthi përpinte gjithë sektorin kur vinin ata me oficerët e Sigurimit brenda. Kush e kish rradhën sot? Kjo pyetje si një varré binte mbi trurin e secilit dhe vetëm kur largohej makina, lirohej frymëmarrja. Gjëndja bëhej tragjikomike po të merrej parasysh se secili e kishte atë ankth në shpirt e nuk guxonte t'ia shprehte askujt, as shokut përbri, as familjarëve vetë... Ndërkaq muajt e vitet kalonin duke gllabëruar në burgun e zi shokët tanë me radhë. Mbas Kurtit, Ahmeti, Eqeremi, Qemali, Fatmiri, Naimi, Mojsi, Deda, Leka...

Tashmë ankthi kishte marrë një tjetër formë torture. Frikës së arrestimit i shtohej presioni shkatërrues në të gjitha format, për t'u degjeneruar e për t'u bërë bashkëpunëtorë në krim, për të spiunuar dhe akuzuar shokun, mikun, deri dhe njeriun e afërm të gjakut. Ishte veprimtaria e

Sigurimit të Shtetit, e njerëzve zotër të këtij vendi, që gëzonin të gjitha privilegjet, i shërbenin me zell këtyre privilegjeve dhe atyre që ua kishin dhënë. Përballimi i luftës me ta kërkonte gjakftohtësi, përvojë, vendosmëri, e mbi të gjitha karakter të fortë. Njerëzit me karakter të dobët u dorëzuan në këtë luftë, për t'i shpëtuar së keqes së tyre projektuan shkatërrimin e shokut, burgosjen e tij. Ishte një luftë e ashpër që i bëhej ndërgjegjes së njerëzve, ishte përpjekja për të shkatërruar në themel gjithçka pozitive kishte shpirti i shqiptarit, e në rradhë të parë besën e mikpritjen. Ishte një tërmet që lëkundte themelet e kombit e krijonte një çarje vertikale që shkonte deri në thellësi të ndërgjegjes. I hiqej karakterit kombëtar ajo forcë që e kishte bërë të përballonte furtunat e historisë së bashku, mbillej përçarja, urrejtja, lufta mes njëri-tjetrit.

Këtë trysni, që për vite me rradhë kushtëzoi qënien time, vendosa ta shmang me një vendim skajor: të pranoj arrestimin dhe pasojat e tij për veten dhe familjen. Lija në shtëpi tre pleq, gruan dhe dy vajza të vogla. Në dorën e Zotit!

Arrestimi u krye më 25 Prill 1980, në punë. Erdhi Gazi i Degës me gjashtë veta, oficerë dhe policë. Ende sot ato gra lushnjare që punonin aty në stallat e Institutit e kujtojnë atë skenë. Shefi i sigurimit Kosta Ndini më pyeti: "Ti je nipi i Mustafa Krujës?". Përgjigjes time pohuese ia ktheu me formulën e zakonshme: "Në emër të popullit je i arrestuar". Tani që sjell para syve të mendjes atë çast fatkeq, më kujtohet shprehja e famshme e zonjës Roland para gijotinës: "Popull! Sa krime bëhen në emrin tënd!.."

Mbas arrestimit u paraqita te hetuesi. Ky ishte një djalë i ri nga Skrapari. Hetuesinë me të e kalova mirë. Ndryshe nga shumë shokë të mij që i urrenin hetuesit e tyre, unë për Bashkimin nuk kam as zemërimin më të vogël; nesër po ta takoj mund të rri me të e të pi ndonjë gotë birrë.

Tensionit të ditëve të para për akuzën, i zuri vendin zhgënjimi i plotë kur mora vesh se shoku im i ngushtë ishte akuzuesi kryesor për krimin tim të "agjitacionit e të propagandës, për minimin e rrëzimin e pushtetit popullor".

Si një film më kalonte para sysh jeta jonë. Njohja jonë datonte para më shumë se një çerek shekulli. Kishim qenë bashkë shokë klase që në të parën gjimnaz, shokë vuajtjesh në të njëjtat kushte të interrnimit. Kishim ndarë bashkë kafshatën e gojës, gëzimet dhe hidhërimet. Me të vërtetë rrugët tona u ndanë, sepse ai u bë arsimtar dhe vazhdoi universitetin me korrespondencë, ndërsa unë u bëra murator dhe s'pata mundësi të vazhdoja shkollën e lartë. Por ne mbetëm shokë, miq. Nuk kishte tavolinë që të shtrohej në shtëpinë time pa praninë e tij. Unë nuk dyshoja se mbas sjelljes së tij prej Urjah Hipi fshihej pabesia, nuk mund t'a merrnja me mend se shoku im e ngrinte ndërtesën e pozitës së tij shoqërore si arsimtar mbi gërmadhat e fatkeqësisë sime apo të shokëve të tjerë. Kur ishte ai ushtar unë sa herë e pata ndihmuar, isha pranë tij në fatkeqësinë e burgosjes së të atit. Ai ishte i zgjuar, me kulturë, plot mirësjellje e dhembshuri me njerëzit e familjes sime; si kishte mundësi të më groposte mua? Në emër të çfarë ideali arrinte ai në këtë humnerë shoqërore, si flinte i qetë në shtratin e tij bashkëshortor? Si i duronte shikimet e pafajshme të vogëlusheve të mia? Si mund të dilte para nënës time, për të cilën thoshte se kishte shumë respekt? A ekzistonte Ferri i Makbetit për tipa të tillë?

Një mori pyetjesh të tilla godisnin trurin tim në vetminë e qelisë e përgjigje s'kishte. Përgjigjen e mora në ballafaqimin me të në prani të hetuesit e të një oficeri tjetër, operativ i zonës tonë. Ai ruante gjakftohtësinë deri në cinizëm, ishte i vendosur në pohimin e denoncimeve që kishte bërë prej disa vjetësh. Dukej se nuk e vriste ndërgjegja aspak, përkundrazi ishte krenar, sepse i bënte një shërbim të madh Partisë dhe Shtetit. Vendosmëria e tij shkoi deri aty, sa që dëshmitare për bisedat tona u paraqit edhe gruaja e tij, proçedurë e parregullt nga ana juridike, por e pranueshme për hetuesinë dhe gjykatën tonë.

Ballafaqimin e vërtetë me diktaturën e pata në bisedën me kryetarin e Degës së PB-së, Kapllan Shehun, personifikim tipik i kriminelit të lindur. Ai ishte kunati i Kadri Hazbiut, atë kohë ministër i mbrojtjes dhe i priste shpata në të katër anët. Kërkonte prej meje një raport të detajuar të të gjitha bisedave që kisha bërë gjatë njëzet vjetëve me të njohur e të panjohur, kërkonte që nëpërmjet meje të fuste në burg persona të tjerë. Kjo ishte praktika e zakonshme e zanatit të tij, praktikë që shumë njerëz e kanë provuar personalisht. Në refuzimin tim ai u shpreh: "Jo vetëm ti do të kalbesh këtu, por unë do ta lë me testament që edhe fëmijët e tu të përfundojnë në burg. Familja do të internohet në Grabjan ose në Bedat". Një sadizëm të tillë nuk e kam hasur në asnjë faqe libri që më ka rënë në dorë, besoj se nuk ekziston as në proçeset e famshme të Moskës së viteve tridhjetë. Kjo ishte fytyra e vërtetë e përfaqësuesit të diktaturës së kuqe të markës shqiptare.

Për ironi të fatit dhe me vullnet të Zotit ky njeri përfundoi në burg vetë mbas tre vjetësh të kësaj bisede. Atje ai njohu në kurrizin e tij se ç'ishte dhuna dhe provoi dajakun e të burgosurve mbi të cilët kishte ushtruar dhunë.

Përse u dënova unë? Disa nga akuzat ishin këto:

1. Kisha thënë se gjyshi im kishte patur aktivitet patriotik deri në kohën e pushtimit.

2. Kisha thënë se ne nuk i rezistojmë dot një sulmi ushtarak të superfuqive.

3. Kisha thënë se femra shqiptare nuk e ka emancipimin e femrës evropiane.

4. Kisha shprehur mendimin se nga gjithë profesionistët, mësuesit më dukeshin

më të paaftët në punën e tyre.

5. Kisha dëgjuar mesazhin e Papës me rastin e Krishtlindjeve.

6. Kisha lexuar Dostojevskin.

7. Kisha thënë se një personi që bën tetë fëmijë nuk i ka faj Shteti për varfërinë e tij.

8. Kisha ngushëlluar paditësin tim me rastin e pushkatimit të kunatit të tij me shprehjen "Ky paska qenë fati i tij". Ai e interpretoi sikur kisha akuzuar organet e Drejtësisë se e dënuan kot. Për çudi mua më kishte ardhur më shumë keq se sa paditësit, megjithëse nuk e njihja fare kunatin e tij.

9. Isha fatalist dhe besoja në ekzistencën e Zotit.

10. Kisha thënë që lufta e klasave zhvillohet e ashpër karshi nesh mbasi nuk na lënë të punojmë as në zanatin e muratorit.

11. Kisha thënë se në Itali jetohet më mirë se në Shqipëri.

Këto e të tjera biseda që s'i mbaj mend përbënin "krimin" tim kundër Shtetit, për të cilin trupi gjykues vendosi të më dënojë me tetë vjet heqje lirie. Më kujtohet një shprehje e bukur e Kryetarit të gjyqit që më tha ndërmjet të tjerash për Dostojevskin: "Edhe unë e kam lexuar atë, por ç'pate që ia the këtij!" duke treguar me dorë dëshmitarin tim.

Mbas dënimit tim Kapllan Shehu dhe Kosta Ndini vazhduan proçesin kriminal ndaj familjes sime. Interrnuan nënën dhe gruan (babai ishte me kohë i internuar) dhe një ditë makina shkoi te dera dhe ngarkoi plaçkat. Familja ime përfundoi në Grabjan, një vënd internimi rrëzë kodrave, tetëmbëdhjetë kilometra larg qytetit të Lushnjës.

Un përfundova në Spaç të Mirditës. Spaçi, tashmë me famë botërore, ishte një burg natyror. Një gropë mes maleve të Mirditës, ishte zgjedhur si vënd dënimi nga ish ministri Koço Theodhosi dhe, për ironi të fatit, aty ndodhej vëllai i tij i burgosur.Atje takova shokët e mi që ishin arrestuar para meje dhe u njoha me të tjerë. Ishte një kamp i tejmbushur në atë fund viti të 1980, një vend terrori ku ishin në fuqi dënimet dhe ridënimet, ku mbahej në fuqi regjimi special i vendosur mbas revoltës që kishte shpërthyer aty në majin 1973. Kishte njerëz nga të gjitha karakteret. Kishte të tillë që prej më shumë se dhjetë vjetësh në atë ferr përballonin me dinjitet të admirueshëm vuajtjen dhe të impononin respekt. Kishte nga ata që paguanin çmimin e ndershmërisë së tyre, sepse s'kishin pranuar diktatin e së keqes në karakterin e tyre por kishte dhe nga ata që ishin mishërim i së keqes; një i burgosur që merrej me leximin e shtypit kishte vrojtuar një bari në një stan përballë kampit që nuk respektonte orarin e nxjerrjes së dhive dhe kishte sinjalizuar, me një letër për këtë dukuri Komitetin e Partisë në Rrëshen; një brigadier i dënuar me njëzet vjet padiste policin në komandë se nuk vjen të detyrojë të burgosurit të punojnë; të tjerë, të burgosur në Zejmen, i shkruanin Ministrisë se komisari sillej mirë me të burgosurit në një kohë që ai bënte detyrën e tij, por me njerëzi e pa harbutllëk. Këta tipa ta vështirësonin jetën atje, t'i shtonin vuajtjet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora