Shtesë » Historia
Eugjen Merlika: Një jetë në diktaturë (VII)
E shtune, 13.09.2008, 04:27 PM
Eugjen Merlika
Eugjen Merlika
NJE JETE NE DIKTATURE (VII)
(Kujtime të një "armiku të klasës")
Puna në minierë kishte vështirësitë e saj. Pesë muaj në galeri padrejtësisht (isha i sëmurë me ulçera në duoden e nuk duhej të më futnin në galeri) në frontet më të vështira më provokuan një krizë të rëndë në stomak, të cilën mezi e përballova me ilaçet që më dërgonte daja nga Italia. Në çdo fillim pune lusja Zotin të më shpëtonte, dhe e falenderoja kur dilja. Rrezikut i kam shpëtuar disa herë. Në një galeri isha duke shkarkuar vagonin kur ndodhi shembja pikërisht aty ku ngarkoja unë. Muajin tjetër në atë front u vra një djalë nga Shkodra. Tragjedia ishte pranë në çdo moment, por njeriu mësohet me të keqen dhe nuk i bën më përshtypje. Aty qëndrova një vit e gjysëm, e një ditë maji, 1982, u transferova në Zejmen ku ngrihej një kamp i ri. Aty kushtet ndryshonin shumë nga ata të Spaçit e ne na u duk gjysmë lirimi.
Jeta në burg është një gjymtim për njeriun. Privacionet e të gjitha formave, largësia nga familja, preokupimi për të, rreshti disa herë në ditë, mendimi i të qenit pa faj aty brenda, të gjitha këto krijojnë një kompleks shpirtëror që e ngrys njeriun, e thinj para kohe, i errëson mendimin. Jo më kot Dostojevski e quante "shtëpi e të vdekurve". Po ç'forcë e mban gjallë atë, që kur dënohet me njëzet vjet burg, po ta dijë se do t'i bëjë të gjitha çmendet ose vret veten? Ka vetëm një ilaç: shpresa, ajo i mban njerëzit të fortë, i bën t'i bëjnë ballë së keqes me gaz. Shpresa fillon tek njeriu që kur hyn në atë derë dhe e shoqëron gjatë gjithë kohës.
Kështu dhe ne në çdo festë prisnim lirimin, dhe momentit të parë të dëshpërimit për mungesën e tij ia zinte vëndin pritja me shpresë për festën tjetër. Kështu në nëntor 1982, Zoti i dha vullnetin e mirë Enver Hoxhës të dekretonte faljen e parë pas njëzetë vjetësh. Ajo falje më përfshinte dhe mua.
Jeta është një bashkësi e së mirës me të keqen. Gëzimin për lirimin nuk e ndjemë shumë ne që dolëm, sepse lamë në burg shokët tanë, me të cilët kishim kaluar çastet e dëshpërimit, dhimbjen për të afërmit e vdekur, kishim gjetur ngushëllim në fjalën e njëri-tjetrit e tani na dukej se po i tradhtonim duke i lënë aty, brenda telave.
U ktheva në shtëpi atë ditë nëntori të 1982-shit me kokën e qethur (zv.komandanti i kampit kish dhënë urdhër të prerë të qetheshim një javë para lirimit, megjithëse dihej ai vendim i marrë nga udhëheqja) me një trastë në dorë, me shikim të humbur në ato fusha, të cilat më kujtonin çaste pune të lodhshme e nën sytë kuriozë e me shprehje të ndryshme të njerëzve në autobuzë e në rrugë. Më dolën përpara njerëzit e shtëpisë, nëna u ul dhe puthi tokën, fëmijët m’u hodhën në qafë, babai më përqafoi, gruaja, kunati.Lotë, urime e pak gaz.
Dy vjet e gjysëm larg familjes, sa fatkeqësi e dhimbje kishin rënë mbi të, një periudhë tej së zakonshmes mbi shpatullat e atyre fëmijëve e pleqve. Vite të ngarkuara me sëmundje, vdekje, represion policor, urrejtje klasore, vështirësish të jashtëzakonshme jetese, mungese përkrahjeje. Më duhej tani të mbyllja shumë plagë, por a kisha fuqi? Veprimi i parë që kreva sapo zbrita nga autobuzi në Lushnjë ishte vizita te varri i freskët i gjyshes sime të mirë. Zoti nuk desh që t'i japë një gëzim në fund, lirimin tim. Para syve të mendjes ajo është e gjallë çdo ditë për mua, e kam dashur shumë, më shumë se prindërit, dhe pamja e fundit e takimit tonë më është ngulitur në tru. Erdhi e më takoi në hetuesi mbas dënimit tim, së bashku me fëmijët e vegjël, babanë e gruan. Më dha kurajo e më përsëriti pak a shumë ato fjalë që më thoshte dikur, kur unë i vogël qaja brenda në qeli, e ajo luftonte me policin jashtë.
Gjyshet e mia të nderuara, objektet e dashurisë, dhëmbshurisë së pafund, sa shumë u kujdesët për mua, sa shumë ndjenjë derdhët mbi mua, sikur deshët të kompensonit, ju, të vetmet, atë që bota dhe fati e jepnin me pikatore. Njëra më rriti me duart e saj, hoqi kafshatën nga goja e s'la të më dhimbte stomaku nga uria, më njohu ajo e para me historinë e tridhjetë vjetëve të paraluftës, me historinë e vërtetë të vendit tim. Ajo ishte enciklopedi e gjallë, të fliste me detaje për figura të shquara historike, për burra të mençur, trima e fisnikë, të cilëve iu kishte nxjerrë aq shpesh kafe e u kishte shtruar tavolinën. Tregonte ndodhi e biseda nga më të ndryshmet, për Nolin e Ahmet Zogun, Avni Rystemin (kështu i thoshte ajo) e Abdi Toptanin, për Bajram Begun e Hasan Prishtinën, për
Ndre Mjedën e Patër Gjergj Fishtën, për Zija Dibrën e Elez Isufm, për Stavro Vinjaun e Qazim Koculin, për Bazin e Canës e sa e sa burra të tjerë që ishin përpjekur t’i vinin themelet këtij kombi në vite të vështira. Por mbi të gjitha në kujtesën e saj spikaste figura e Gurakuqit, një burri që për nga fisnikëria e mençuria i kishte shokët e rrallë. Mua më kanë mbetur në mendje shumë episode e shije të tij që ajo i përmendte shpesh: "Eh moj Caje, ta ka fajin ky, duke treguar gjyshin tim, i kam thanë me kohë mos u marto, në Shqipni nuk bahet politika tue pasë familje". Sa profetike, sa e mençur, sa e thellë kjo shprehje e atij burri që s'u martua kurrë e që pyetjes në lidhje me këtë gjë i përgjigjej: "Jam martue me Shqipninë". Sa shumë i vërtetoi ky shekull këto fjalë, sa shtrenjtë i paguam, deri dhe unë pasojat e asaj jete politike të burrit të saj. Sa mbrapa qytetërimit mbeti shoqëria jonë, që shkarkoi tmerrësisht mbi gra e fëmijë të pafajshëm pasojat e pasioneve, ideve e të jetës politike të protagonistëve...
Figura e Luigj Gurakuqit më lidhte dhe me gjyshen tjetër, të venë e Sotir Gjikës, publicist e gazetar, drejtor i gazetës "Kuvendi" që botohej në Romë. Atë natë kobzezë të 25 Marsit 1925 Luigji, mbasi kishte ngrënë darkë në një restorant me një mikun e tij, i kishte thënë atij se do të shkonte te Sotiri, sepse i kishte premtuar vajzës së tij një kukull e do t'ia çonte. Por plumbi mizor nuk e la ta plotësonte premtimin ai burrë shpirtmadh. Mbi varrin e tij do të fliste Sotiri, por në pamundësi që të ngrihej nga shtrati, në vënd të tij foli gjyshja ime, e shoqja.
Gjyshja ime, që nuk mundi të më njihte deri sa vdiq, që gjithë jetën u rropat me mundim për të shkolluar dy fëmijët e saj jetimë, që sakrifikoi gjithçka për të ndërtuar një të ardhme për mua e së fundi vdiq duke ditur se Poçi i saj kishte përfunduar në burg. Mbas një viti ajo mori edhe dajën tim, dhe kështu për nënën time u shua dhe shpresa e fundit për të gjetur një shtëpi të sajën, me të cilën tashmë e lidhnin vetëm kujtimet dhe varret. Diktatura do të peshonte dhimbshëm në ndarjet e njerëzve, nëna ime u largua njëzet e tre vjeçe nga familja për të mos u takuar më me njerëzit e saj. Besoj se duhet të ketë një drejtësi hyjnore, para së cilës të përgjigjen ata që ndërtuan një rend të tillë gjërash...
Kthimi im në shtëpi duhej të rivendoste një minimum qetësie që mungonte gjatë viteve të burgut tim. Në vështirësitë e panumërta të këtyre dy viteve, familjes sime i kishin qëndruar pranë vetëm xhaxhai me të shoqen dhe familja e gruas. Vetëm ata më trokitën pa frikë në derën e Spaçit apo Zejmenit, u munduan me praninë e tyre të lehtësonin sadopak plagët. Në rrethana të tilla, fisnikëria e atij që të gjendet pranë, është një melhem që nuk ka të paguar me gjithë arin e botës. Prindërit dhe vëllezërit e gruas nuk e braktisën motrën në fatkeqësi, nuk i ofruan mundësinë e ndarjes, qoftë dhe formale, siç bënë qindra familje të tjera duke shkaktuar qindra drama me pasoja rrënuese për ndjenjat, personalitetin e botën shpirtërore të të burgosurve, fëmijëve e familjeve të tyre. Ata e mbështetën, e ngushëlluan, i qëndruan pranë motrës së tyre me kurajo e pa përfillur dhe rrezikun e mundshëm, që mund t'u vinte nga zhvillimi me konsekuencë i luftës së klasave prej njerëzve pa asnjë princip moral në vetvete. Këtyre njerëzve që dhanë provat e dashamirësisë në orët më të errëta të natës së gjatë të diktaturës, ju mbetem borxhli përjetë.
Lirimin nga burgu para kohe komisioni i internimeve e ktheu në shkurt 1984 në internim, pa asnjë farë motivacioni. Një komunikim i thjeshtë i një punonjësi të degës, në praninë pompoze të kryetares së këshillit dhe të sekretarit të Partisë që vërtetonin aktin "human", më fuste në një burg të dytë, por pa tela me gjemba. Ishte një modë e re n'atë kohë, një fushatë internimesh me karakter ordiner për të goditur shfaqjet e huaja me rrezikshmëri shoqërore si vjedhja, imoraliteti etj.. Në këtë fushë u përfshiva dhe unë së bashku me shumë të tjerë të liruar nga amnistia. A do të plotësonim numrin e planifikuar nga ministria e punëve të brendshme apo partia dhe shteti e shihnin me keqardhje aktin e tyre "zemërgjerë" të lirimit tonë nga burgu?
Interrnimi në ato vite kishte karakterin e një paraburgimi. Rregulla shumë të rrepta kushtëzonin jetën e përditshme e sillnin vështiresi të mëdha për lëvizjen e nevojat familjare. Të gjithë në shtëpi ishim të internuar e pasojat ndiheshin shumë, sidomos në çështjet e shëndetit. Këtu dua të tregoj disa episode të dhimbshme. I pari ka lidhje me vajzën time të dytë, Elenën. Në moshën pesë vjeçe asaj iu shfaq një dhimbje e fortë barku që e mundonte pothuajsë vazhdimisht. Mjeku i zonës dyshoi për parazitë për muaj të tërë; ajo piu gjithfarë barnash të farmacisë e të mjeksisë popullore, por pa rezultat. Vuajtjet e fëmijës së shkretë, që kalonte herë-herë dhe netë të tëra pa gjumë në krahët tanë, na shqetësonin pa masë. Duke parë gjendjen e fëmijës dhe rezultatin jo të kënaqshëm të mjekimeve, mjeku vendosi t’a shtrojë atë në spitalin e Lushnjës. Deshëm ta çonim të nesërmen në qytet, e kërkuam lejen përkatëse nga personi që na bënte apelin e që ishte sekretar i këshillit. Por ky person, sigurisht në marrëveshje me Degën e Punëve të Brendshme e manipuloi mjekun deri në atë shkallë, sa që ky i fundit të nesërmen doli me mendimin se fëmija nuk ka nevojë për t'u shtruar në spital. Kjo ndodhte sepse unë nuk kisha të drejtë të shkoja deri në qytet për të çuar fëmijën. Le ta gjykojë vetë lexuesi gjendjen shpirtërore të një prindi në të tilla kushte. Si pasojë e pamundësisë për ta çuar vajzën tek specialistët, asaj iu bë kronike një sëmundje veshkash, të cilën e zbuloi mbas një viti doktor Polikron Çela. Atij mjeku i jam shumë mirënjohës për kujdesin dhe humanizmin e tij të spikatur në kryerjen e detyrës. Para disa kohësh lexova në gazetë se dikush e kishte qëlluar këtë mjek të shquar duke i thyer krahun. Nuk di se kush ka qenë, por jam i bindur se do të jetë shok ideali i atyre që nuk deshën të shërohej fëmija ime, më erdhi shumë keq, diçka më theri në shpirt...
Nëna ime vuan nga një koleksion sëmundjesh; vetë kushtet e jetës së saj e kanë stimuluar shfaqjen e tyre. Në kohën që ishte e internuar në Grabjan është detyruar të shtrohet dy herë në spital, në gradë të fundit, nga veshkat dhe nga zemra. Radhën e parë mjeku nefrolog Fatmir Dabulla e kishte në patronazh. Kisha patur të bëj me të për çështjen e vajzës, ai më kishte rekomanduar vizitën e saj tek Dr.Polikroni në Tiranë dhe herë mbas here e kontrollonte vetë. Nëna ishte me një krizë të rëndë pielonefriti, gati të kalonte në azotemi. Mjeku e vizitoi me kujdes, dërgonte infermieren të bënte analizën e duhur, e pastaj me seriozitet profesional më shpjegoi gjendjen e rëndë të nënës. Nuk kishim ndonjë konfidencë të madhe, ai më mbante mend një çerek shekulli më parë në shkollë, megjithëse kishte qenë disa vjet prapa meje. I shpjegova gjendjen time aktuale, se si nuk kisha mundësi t'i gjendesha nënës pranë, veçse kur të më jepte leje Dega e Punëve të Brendshme për të shkuar në qytet. Nuk reagoi me fjalë, u bë shumë serioz dhe më siguroi se do të përdorte të gjitha mjekimet e duhura e për rreth dy javë do ta stabilizonte gjendjen e saj shëndetësore... Kështu u ndava me të me besim në fjalët e tij. Por mbas rreth dhjetë ditësh më lajmëruan të shkoj të marr nënën. Si ka mundësi të jetë shëruar kaq shpejt? Më jepet leja e shkoj së bashku me një miken tonë që nuk ishte më e interrnuar. Takoj Fatmirin dhe e pyes si qëndron çështja. Ai i vrenjtur në fytyrë shtypet në vetvete e s'është në gjendje të më japë përgjigje. Po unë atë e lexoj vetë në fytyrën e tij, në atë fytyrë që para pak ditësh kishte qenë e mbushur plot besim se do t'ia dilte në krye një pune të tillë të vështirë, shërimit të një njeriu. Tani lexoja në të zhgënjimin, keqardhjen për pacienten, për mua e sigurisht dhe keqardhje për veten e tij... Ai si mjek duhej t'i shikonte ndryshe pacientët e tij, duhej t'u shërbente sipas pozitës shoqërore e politike, sipas përkatësisë "kllasore", duhej të shkelte mbi nenin e parë të librit të madh të botës së mjeksisë, mbi parimin e Hipokratit "Të jesh mjek, së pari duhet të jesh njeri". Më dha recetën për gentamicinën, një antibiotik i fuqishëm, të cilin ai kishte filluar t'ia injektonte nënës, por që mbas dy ditësh një tjetër mjek jo i specialitetit kishte dhënë urdhër t'i ndërpritej.
Ç'ishte ky "mjek" apo më mirë të themi kasap që e kishte dhënë urdhrin t'i ndërpritej mjekimi pa dalë nga spitali? Nuk dua t'i përmend emrin, emra të tillë e ndyjnë shkrimin, ata nuk duhet të ekzistojnë as në kujtesën e njerëzve. Ai ishte anëtar i PPSH, ishte shef pavioni, një farë polici i institucionit mjekësor, i shkolluar në sajë të farefisnisë me një zonjë të madhe të regjimit, dhe ishte i ngarkuar në spital të zhvillonte "luftën e klasave" jashtë çdo parimi njerëzor që i njeh dhe të dënuarit me vdekje të drejtën e mjekimit apo shërbimit para ekzekutimit. Çfarë përshtypje do t'i kishte bërë Marksit një fakt i tillë? Kjo shoqëri e projektuar prej tij, për të ndrequr padrejtësitë e botës së kapitalit, sa bukur do të përkonte me dukuri të tilla që ilustronin "humanizmin" socialist të saj në prag të vitit 2000!!!
Unë e mora nënën për krahu, me zor e çuam deri tek një makinë që për fat ishte afër spitalit dhe shkonte në Grabjan. Më erdhi shumë keq për të që ishte në një gjendje të rëndë, më erdhi shumë keq edhe për veten por m'u dhimbs mjeku. Ai njeri i mirë, që mundohej të kryente detyrën me aq përkushtim e njerëzi ishte i detyruar t'u bindej tekave të një krimineli injorant, të diplomuar në armatën e të paaftëve, por që në sajë të vetëm një triske të kuqe në xhep bënte ligjin "Socializmi është një luftë ndërmjet të aftëve dhe të paaftëve. Fatkeqësisht në këtë luftë më të shumtën fitojnë të fundit". Këto fjalë të Ismail Kadaresë vërtetohen pothuajse në çdo hap të shoqërisë që na rriti e na gjymtoi.
Merret me mend gjëndja shpirtërore e tij, personaliteti i vrarë, dinjiteti i çuar në pikën zero. Në një rast tjetër më vonë ai mjek, ishte qortuar deri në komitetin e partisë, sepse kishte vizituar në Pluk një të sëmurë me azotemi që i kishte ditët e numëruara. Ishte zgjatur pak në këtë vizitë, duke u munduar të kryente detyrën e tij më shumë si njeri se sa si mjek duke i dhënë kurajo pacientes për ta mbajtur të gjallë shpirtërisht me shpresën se shkenca do të bënte mrekullinë e saj. Ishte një vepër tejet humanitare: t'i largonte sadopak imazhin e tmerrshëm të vdekjes një gruaje në moshën dyzetepesë vjeçare që nuk kishte njohur në jetën e saj veçse vuajtje. Për këtë mori vërejtje në komitetin e partisë, sepse kishte shkelur në shtëpinë e të deklasuarve, nuk kishte respektuar kodin famëkeq të ndarjes së klasave. Sa turp, si do të na dënojnë brezat e ardhshëm sepse poshtërsinë dhe antihumanizmin i vumë në institucion e në piedestal...
Por megjithatë Fatmiri nuk u thye; ai vazhdoi t'i shërbejë profesionit të tij, me gjithë vërejtjet, qortimet, padrejtësitë që ndeshi në çdo çap të punës së tij, e kjo vërtetohet në qindra e qindra raste të cilat çdo ditë jeta i vu përpara si prova. Ai më pret mua dhe të tjerë si unë si njerëz, si gjithë të tjerët, na jep këshillat mjeksore, interesohet për të sëmurët, pavarësisht se dikujt ndofta ende nuk i pëlqen ky qëndrim. Ai ka respekt për vuajtjen, për dhimbjen njerëzore, por jo thjesht si mjek, por dhe si njeri, si qytetar, si shqiptar. Dhëntë Zoti që njerëz të tillë të ketë mjaft, sepse janë kusht i domosdoshëm për ringjalljen shpirtërore të këtij kombi të sëmurë rëndë.
Herën e dytë nënën e çuan në urgjencën e spitalit, gjithmonë me lejen e këshillit popullor me një krizë të rëndë në zemër. Mjeku specialist nuk ishte aty dhe e sëmura qëndroi gjithë ditën pa u shtruar në pavion, e vetëm në mbrëmje, një mjek që e njihja mori iniciativën për ta sistemuar përkohësisht në të. Unë u ktheva natën në këmbë, gjithsej 18 km udhë, mbasi firmosa fletë-lejen nëdegë, për t'ia dorëzuar këtu personit të ngarkuar me detyrën e policit. Mbas dy ditësh përsëri thirrem për ta nxjerrë nënën nga spitali. Nuk jam mjek, nuk kam njohuri të thella në mjekësi, por besoj se nuk do të kishte mjek në botë që të pranonte të nxirrte nga spitali mbas shtatëdhjetedy orësh një të sëmurë me parainfarkt. Këtu, në këtë proçedurë nuk respektoheshin ligjet e mjekësisë por urdhrat e Sigurimit, që njerëz të molepsur me dogmën e luftës klasore, i përçonin nëpërmjet kanaleve deri në pavionet e spitaleve, për t'u zbatuar nga homologët e tyre me bluza të bardha.