E enjte, 14.11.2024, 05:19 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Ne, pilotët që sollëm me “Bell”-in presidencial Papa Gjon Palin në Tiranë

E diele, 14.09.2008, 08:40 PM


Riza Lahi/ Afrim Imaj

Njeriu që rrëfen fluturimin e rrallë, ka qenë protagonist i tij, por dëshiron të flasë nga pozitat e dëshmitarit i prirur t’ia atribuojë suksesin mikut të tij, Vangjel Çonit. Gjergj Braksi, gati te të 50-tat, ende ka pamjen e një sportisti që është i aftë, i guximshëm, provokues dhe zemërdhembshur. Vlon nga reflekset e profesionit, ndërkohë që me të është ndarë pasi ka fluturuar njëzet vite duke guiduar pa përjashtim të gjithë tipat e helikopterëve me siglat shqiptare në bord ”Mi–4", “AS-350”, “Alwet-3”, “Bell–222” dhe “Dauphen”. E vetmja detyrë që ka bërë si administrator ka qenë ajo e inspektorit të Drejtorisë së Aviacionit Civil në vitet 2000-2002. Periudhën më të madhe si fluturues e ka pasur me helikopterin presidencial, që u mbyt natën e 16 korrikut 2006. Ka fluturuar me të qysh nga viti 1986 deri më 1993 dhe ruan si kujtim mbi një mijë orë fluturimi, ca më pak nga gjysma e 2700 orëve që ka të regjistruara në ajër gjithsej.
Braksi ka fluturuar për një kohë të gjatë me Vangjel Çondin, “Pilotin e katër presidentëve” dhe ka një kujtim të jashtëzakonshëm me kolegun që nuk jeton më. Që të dy ata kanë sjellë me helikopterin e tyre, që pësoi katastrofën në Adriatik, personalitetin më të njohur të rruzullit postkomunist, Papa Gjon Palin. Është i vetmi dëshmitar pilot i atij fluturimi historik që për herë të parë zbardh detajet e tij në një intervistë për gazetën “Panorama”…

Zoti Gjergji! Fillimisht, diçka për marrjen e detyrës për fluturimin e rrallë…
 
Detyrën na i komunikoi komandanti i Gardës së Republikës, nga i cili vareshim. Për këtë fluturim u lajmëruam dy ditë më parë. Ndërkaq për të na foli gojarisht disa minuta para nisjes vetë Komandanti i Përgjithshëm, Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha… 

Pra, do të fluturonit me Papa Gjon Palin. I kujtuat ato çaste anatemimet e propagandës komuniste të paranëntëdhjetës si gjoja, “agjent të imperializmit” dhe “bashkëpunëtor i CIA”-s? 
 
Anatemime të tilla tashmë ishin të tejkaluara. Një tjetër epokë kishte nisur së fundi edhe në vendin tonë. Kjo që thoni ju, as që më ka rënë në mëndje, as mua, as Vangjos e as Qemal Konit, inxhinierit. Për ne ishte një detyrë me shumë rëndësi dhe krejt të veçantë. Pikërisht duke e vlerësuar të tillë bëmë përgatitje intensive dhe të imtë, megjithëse fluturimi nuk parashikohej të kishte ndonjë farë vështirësie jashtë normales.

Cila ishte detyra konkrete?
 
Do të shkonim në Rinas dhe që atje do të transportonim Shenjtërinë e Tij për në qytetin e Shkodrës ku do të bëhej përurimi i Kishës së Madhe, shenjtërimi edhe një herë të asaj, pasi ajo kish qenë për disa vite në periudhën e komunizmit Pallat Sporti. Në të vërtetë, mysafiri i veçantë me shoqëruesit e tij, u nisën me vetura; edhe mikpritësit e rangut më të lartë të vendit, po ashtu. Kurse ne morëm fluturimin bosh dhe u ulëm në periferi të qytetit.

Atje pritët?
 
Si parkuam helikopterin, shkuam edhe në mitingun e pritjes së Papa Gjon Palit të Dytë në qytetin tonë të Shkodrës. Ne morëm pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Kishës së Madhe. Na bëri përshtypje masa e madhe e popullit shkodran dhe pritja shumë e përzemërt e Shenjtërisë së Tij. Kur erdh puna që, sipas axhendës që kishim marrë , do të donte një orë a më shumë që të niseshim për Tiranë, u nisëm me Vangjon te helikopteri ku na priste shoku ynë besnik Qemal Koni i mrekullueshëm. Me rastin e ardhjes së Papës, Qemali kishte përgatitur edhe një palë shkallë më të ulëta që ne, që atë ditë, i përdorëm vazhdimisht. 

Diçka për inxhinierin Qemal Koni…? 

Qemal Koni, i mirë e i vëmendshëm, si ai…! Nuk dihet kurrë, asnjë rast, që të ketë injoruar vërejtjet e dhëna nga pilotët, qoftë edhe iluzive. Qemal Koni ka qenë nga Maminasi, vendlindja e njërit prej legjendave të aviacionit shqiptar, Mahmud Hysa. Qemali ishte punëtor i madh, e shihje gjithë ditën përkulur mbi helikopter, edhe kur nuk kishte fluturim. Ishte edhe një studionjës bashkëkohor, konsultohej pandërprerë me literaturën  dhe ka qenë simboli i teknikut që të krijonte ndjenjën e parrezikshmërisë absolute të teknikës së përgatitur me dorën e tij… Ndërkohë, për habinë tonë, pamë të vinin disa vetura drejt helikopterit tonë. Nga njëra prej tyre, doli Presidenti i vendit, zoti Sali Berisha. Ai iu drejtua Vangjel Çondit, komandantit të ekuipazhit tonë: “Vangjo! Do të më çoni mua shpejt e shpejt në Tiranë, tani, dhe do të vini të merrni Shenjtërinë e Tij”.

Kishit emocione, që do të fluturonit me Presidentin e vendit? 

Ne kishim fluturuar më parë me Berishën dhe ishim familjarizuar tanimë me prezencën e tij. Për herën e parë, e kemi transportuar me helikopter Berishën për në Vlorë. Shoqërohej me një turk të moshuar, që e respektonte shumë. Donin të shkonin deri në Llogora. Më duket se bëhej fjalë për një projekt, që të ndërtohej një sistem teleferikësh Himarë–Llogora.  

Keni fluturuar kështu me Presidentin e vendit, a ju kujtohen sjelljet e tyre me ju? 

Unë kam fluturuar tok me Vangjon me dy presidentë, me Ramiz Alinë dhe me Sali Berishën. Që të dy janë sjellë shumë mirë e shumë njerëzisht me ne. Zoti Berisha , madje një herë në Pogradec mos gaboj, ka qenë viti 1993, na ka dërguar shoqëruesin e tij ndërsa po rrinim me Vangjon diku përtej dhe na ftonte për një kafe. Ishte një privilegj i veçantë. Gjithë gëzim shkuam pas shoqëruesit. Na priti në mënyrë shumë familjare. Kafetë na i ka shërbyer Liri Berisha. Ajo, në sy të presidentit, bashkëshortit të saj, na ka pyetur disa herë dhe pyetjen e ka përsëritur edhe zoti Berisha, se mos kishim ne ndonjë hall, ndonjë problem, ndonjë çfarëdo shqetësimi. Ne sigurisht që nuk i kërkuam asgjë, nuk iu ankuam për asgjë dhe të prekur sinqerisht, e falënderuam për këtë interesim. Berisha na takonte vazhdimisht me përzemërsi, na shihte me krenari dhe Vangjelit i thërriste në mënyrë miqësore “Vangjo”. Bah! Nuk kujtoj në asnjë rast ndaj tij për tone urdhëronjëse, të egra apo brutale ndaj nesh. Kurrë. Berisha e ka dashur aviacionin dhe pilotët…

Kur u kthyet atë ditë prapë në Shkodër?

Si e ulëm Presidentin te Pallati i Brigadave, u nisëm menjëherë… Më së fundi erdhën veturat. Në njërën prej tyre ishte njeriu nga më të fuqishmit e globit, Papa i Romës. Ishte ora rreth gjashtë pasdreke…

A kishit emocione ato çaste?

Emocionet janë të çasteve të para, pastaj, piloti i lë ata mënjanë, e stakon trurin dhe përqendrohet te moria e detyrave që ka përpara e që duhet t’i zgjidhë vetëm ai dhe vetëm shkëlqyeshëm….

Sa veta ishin në bord tok me Papa Gjon Palin e Dytë? 

Ishin gjithsej pesë veta. Që të gjithë të veshur me rrobe fetare. Vangjua i priti mysafirët e helikopterit tonë në hyrje e helikopterit. Ai i puthi dorën Papa Gjon Palit të Dytë dhe e ftoi brenda.

Po ti, ia puthe dorën Hirësisë së Tij?
 
Jo, se unë isha në anën tjetër…. Papa na dhuroi nga një medaljon të vecantë, shumë të bukur dhe domethënës.

U kujtohet pamja e medaljonit dhe simbolika e tij?
  
Ai ishte prodhuar enkas për vizitën e tij historike në të ashtuquajturën “Ultima roçaforte communisma”, siç thoshin për vendin tonë që e ndërroi i fundit sistemin komunist. Në njërën anë ishte fytyra e Papës së Romës dhe, në faqen tjetër të medaljonit, data e ardhjes së tij historike në Shqipëri. Mund t’ia ketë dhuruar gjithsej 5–6 vetëve atë medaljon të përgatitur enkas për këtë vizitë. Mua…më kujtohet një italian që gati me të qarë më lutej, aman, veç ta shikoj një herë. E kam ruajtur si sytë e ballit. Ma pat marrë njëri për ta parë… u ngrita në ajër me të shpejtë dhe, kur e takova më vonë atë, gjeti njëmijë pretekste e nuk ma dha më. Plasja më vjen që nuk e kam më atë kujtim fantastik. Por Vangjua e ka; ia ruan shoqja e tij e jetës Martha.
Papa Gjon Pali i dytë na dhuroi edhe nga një zinxhir të bukur për t’u varur në qafë, me kryq në fund; nuk na dhuroi dy, por tre zinxhir kësisoj. Afërmendsh që ia dhamë Qemalit ta ruante si kujtim.  

Ku u ul Papa në helikopter a kishte ndonjë preferencë të veçantë si pasagjer?

Sipas ndarjes së detyrave që kishim bërë, unë duhej ta ndihmoja për t’u futur në kabinë e për t’u ulur në sediljen e rezervuar për të. Ai u ngjit vetë dhe sakaq u ul në sediljen më të afërt.
Helikopteri ynë “Bell 222” kishte tre radhë ndenjësesh. Në ndenjësen e radhës së parë, për dy veta, u ulën dy shoqërues të tij. Në ndenjësen e mesit, vetëm ai, ndërsa në të fundmen, tre të tjerët. Që të gjithë pasagjerët e veçantë qenë veshur me rrobe klerikësh të fesë kristiane.
 
Çfarë bënte në ajër Papa Gjon Pali i Dytë? 

Natyrisht që ne merreshim me pilotimin e helikopterit. Në kundërshtim me rutinën e fluturimit, unë ktheja kokën mbrapa kohë pas kohe. Më ka bërë shumë përshtypje diçka. Në qoftë se pasagjerët e tjerë vështronin plot kërshëri nga dritaret, papa Gjon Pali i Dytë, rrinte me kryet përkulur dhe me të dyja pëllëmbët bashkuara, sikur bëjnë kristianët kur luten “Në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë”. Ai me siguri lutej, me siguri lutej për shenjtërimin e Kishës së Madhe të Shkodrës, këtij monumenti të gjallë të kristianizmit shqiptar. 

Si ju shkoi fluturimi?
  
Si në vaj. Ishte koha shumë e qetë dhe fluturimi, i ëmbël dhe i shtruar, sikur fluturonim nëpër mëndafsh. Në të vërtetë ishte pasdreke. Pasdrekeve ajri është i qetë dhe i ëmbël. Sikur të kishin qenë orë të drekës, ajri mund të kishte pasur edhe lëkundje, balltanka, siç i themi, dhe ne nuk do të ishim kënaqur aq shumë sesa atë fluturim. Sikur kalonim nëpër parajsë me helikopter.

Te Pallati i Brigadave u ulët?

Po. Vangjua pakësoi gazin dhe unë dola të hap derën dhe të vendos shkallët, që kish përgatitur Qemali. Papa Gjon Pali i Dytë këtë radhë zbriti duke e mbajtur nga krahu shoqëruesi i Tij, që rrinte në sediljen e parë. Ata u nisën ngadalë drejt makinës, ndërsa Vangjua po mbyllte çelësat e kabinës. "Gjergji, më tha Vangjua teksa po bëheshim gati për tu larguar, këtë fluturim ke për ta mbajtur mënd për tërë jetën. Kemi sjellë në Tiranë një mysafir të jashtzakonshëm. E pse sa mirë na shkoi?! Një fluturim si në vaj. Mrekullia vet. Kishim për të bekimin e njeriut të Zotit. Shumë nga fluturimet e tjera kemi për ti harruar, po këtë jo..."

Veç Papës, u ka qëlluar të fluturoni me VIP-a të tjerë që kanë ardhur në vendin tonë pas vitit 90?

Hapja e Shqipërisë pas vendosjes se sistemit demokratik, u shoqërua me një fluks të personaliteteve perëndimore që vizitonin vendin tonë. Në fillimet e proçesve këto vizita ishin gati të përditshme. I vetmi mjet fluturues që garantonte lëvizjen e tyre, ishte helikopteri qeveritar. Me të u bënë gati të gjitha lëvizjet e këtyre personaliteteve nëpër zona të ndryshme nga Jugu në Veri. Komandanti i ekuipazhit Vangjua ka qënë i paranishëm në të gjitha këto fluturime...

Së fundi Gjergji, a ke ndonjë mesazh për ish-kolegët e tu të aviacionit

Si kjo historia që tregova për fluturimin me Papa Gjon Palin, pilotët e aviacionit tonë luftarak kanë me dhjetëra. Sa të jenë gjallë ata, duhet grumbulluar gjithçka që mbartin në kujtesën e tyre. Që të mos humbin përjetë, këta përfaqësues së një specieje që u zhduk, por që ka një histori plot dinjitet kombëtar.

“Vangjel Çondi, piloti i katër presidentëve”

Vangjel Çondi, piloti që ka sjellë në bordin e “Bell”-it presidencial Papa Gjon Palin e Dytë në Tiranë në fillimin e viteve ‘90, ka qenë një nga pilotët më të mirë të aviacionit shqiptar. I përzgjedhur në korpusin e ajrorëve të Forcave të Armatosura, gati për 10 vjet, ai bëri pilotin e katër presidentëve. Ndërkaq, me “Bell”-in qeveritar të cilit i shërbeu me përkushtim deri në çastet e fundit të jetës, i ka qëlluar të transportojë me dhjetëra personalitete të huaja që vizitonin Shqipërinë në fillimin e proceseve demokratike. Dhimitër Çondi, i vëllai i tij, kujton se fluturimin me Papa Gjon Palin, Vangjeli e veçonte si një nga fluturimet më të bukura. Vetë Papa, thotë i vëllai i pilotit që nuk jeton më, i dhuroi një medaljon të rrallë që Vangjua e ruajti si një gjë të shenjtë. “Nga fluturimi me kreun e Vatikanit, shton Dhimitri, ai ka pasur për kujtim një fotografi të bukur, në të cilën kishte pozuar në krahë të tij.” I interesuar për të dokumentuar jetëshkrimin e të vëllait, Dhimitër Çondi, gjatë gjithë kësaj periudhe ka marrë kontakte e ka biseduar me dhjetëra shokë e miq të tij. Profesioni i inxhinierit të arkeologjisë, i ka dhënë dorë për të hulumtuar e   gjetur dhjetëra ngjarje e fakte interesante nga jeta e të vëllait. “Gjithsesi, përmbledh Dhimitri, ato përsëri janë pak, përpara lëndës së zgjeruar të librit “Piloti i katër presidentëve”, që pritet të botohet këto ditë.” Vëllai i pilotit që nuk jeton më, jo vetëm ka qenë ndër lexuesit e parë të monografisë për të, por sikundër familjarët e tjerë, ka ofruar për autorin mjaft ngjarje e fakte nga jeta e Vangjelit. Në këtë bashkëbisedim, të dyja palët, kolegët e të afërmit e pilotit të tragjedisë, kanë zbuluar detaje të panjohura nga jeta dinjitoze e Vangjel Çondit. Për ta botimi i librit, do të jetë një homazh nderimi në përshpirtjen e tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora