Shtesë » Historia
Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (V)
E diele, 14.09.2008, 05:47 PM
SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme
V
Shtator 1939. Dy lufta botnore, brenda njizet e pesë vjetve! Ishte nji kasaphanë e dytë për nji kontinent qe nuk kishte harrue ende të parën. Njizet e gjashtë vjet ma parë, Shkodra ime ishte vue para nji sprovë supreme. E rrethueme nga cdo anë, e ndrydhun në nji hark që ngushtohej cdo ditë, për shtatë muej me rradhë, u coptue nën zjarrin e hekurin e ushtrive malazese e serbë. Shtatë muej luftë, shkatërrim, vuejtje, smundje e uri për popullsinë. Ende jetojshin në Shkodër nanat e djelmve të vramë; jetimët e të vejat ishin ende të veshuna në të zeza. Të shumtë ishin ata që kishin plagët në trup, e gjymtyrët e sakatueme. Ende flitej si për nji të djeshme jo të largët, sidomos për ata që vdiqën nga uria. Tete vjet ma vonë, në 1920, po ai armik në nji prove të dytë martirizimi qytetin me rrethe, e shkaktoi dobësimin e ekonomisë deri në nji pikë, nga e cila Shkodra nuk e mori veten përsëri. Tashti, në pragun e nji perleshjeje vigane, qyteti shikonte me frikë stuhinë që afrohej, sepse ishin të freskëta kujtimet e tmerrit të jetuem. Shkodra njihte mirë vuejtjen, kishte shijue kupën deri në fund, e frikësohej. Megjithatë, në këto dite të turbullta dhe plot rreziqe, bashkë me nji ndjenjë shqetësimi të madh, qyteti im tregonte pulsin e tij të fortë si topi, e nji kambëngulje që nuk lejonte me u përulë. Gjatë atyne ditëve, kjo vendosmëni koshiente e qytetit të Rozafës, më frymëzonte! Lufta Dytë Botënore kishte fillue! Bota ishte nda në dy kampe kundërshtarë, e vendi jonë, ishte nda gjithashtu. Nga njena anë ishin bashkëpunëtorët e fashizmit italian; nga ana tjetër, ishte shumica dërrmuese e nji popullsie që rezistonte e që, kishte lidhë fatin e vet me fitoren e kampit antifashist. Në zhvillimet e para të konfliktit, gjejshim shumë pak arsye me u gëzue. Fitoret e forcave të Boshtit, ishin të shpejta e të mëdha. Në mes të kësaj gjendjeje pothuejse dëshpruese, doli drita e nji shprese të pakrahasueshme: rezistenca britanike e sidomos, kambëngulja e popullsisë së Londrës mos me u dorëzue para terrorit hitlerian. Londra! Coventry! Emna që nuk harrohen kurrë, simbole të rezistencës e të bindjes se, armiku nuk do të kalonte. Në emisionet radiofonike të BBC-së shpërndahej entuziazmi për rezistencë, i britanikëve heroikë qe, krejtësisht vetëm, i vunë parzmin divizioneve hitleriane, me nji guxim të papërshkrueshëm. Britania e Madhe u ba selia jonë e shenjtë, vendi i lirisë, sigurimi jonë ma i plotë se fitorja e mundun. “Gjak, lotë, e djersë”! Mesazhi britanik ishte i qartë. Polonia, vendet nordike, Holanda, Belgjika, Franca u dorëzuen para sulmit të rrufeshëm hitlerian. Por jo Britania e Madhe! Ajo tregoi madhësinë e saj me të gjithë shkëlqimin që sjell akti heroik i nji populli mbarë, nën udhëheqjen e Çurcillit, heroi i ditëve tona. Në këtë atmosferë politike, armiqsia jonë për pushtuesin zhvillohej ma së miri. Ajo rritej çdo ditë, e për çdo cast na baheshim ma të ndërgjegjshëm për rrugën tonë. Ndjenja e kercënimit dhe e rrezikut që na krijonte pamja e të huejit në vendin tonë, na hapi sytë edhe ma shumë. Studentët u afruen njeni me tjetrin, e fryma e solidaritetit zhvillohej me shpejtësi. Kudo që ishim, në shkollë e në rrugë, në klube e bibliotekë, konsiderojshim nji detyrë të naltë patriotike, ndihmën për njeni-tjetrin, ne çdo gja e për çdo rast. Megjithëse ende pa forma të organizueme, u ndiejshim si nji njisi, e ideali i përbashkët mjaftonte me na mbledhë si pjesë përbamse të nji trupi të vetëm. Të njëjta ishin synimet, të njëjta qëndrimet: kthimi i pavarësisë së humbun! Me gjendjen e krijueme, rruga jonë ishte ma e qartë, e pikësynimi jonë kishte nji objektiv të përcaktuem mirë. Ky unitet pikëpamjesh, megjithëse në vija të përgjithshme, na afronte shumë. U ba si rregull të takohemi, tue komentue çdo lajm, tue shpjegue gjithcka nga “pikëpamja jonë”. Nji veprimtari e re filloi me u ngjallë e paformë e jo plotësisht e vetëdijshme në fillim, por ma konkrete dhe ma e përcaktueme ma vonë. Kjo prirje na hodhi vendosmënisht në luftën kundër pushtuesit. Lindi nji frymë e fortë, nji shpirt kundërshtar i papërmbajtun. Në zemrat tona djaloshare, pushtuesi e kishte humbë betejën definitivisht. Ishte fitorja jonë e parë! Nji qëndrim i këtillë na vuni përballë elementëve të kuesturës fashiste. U ndie nevoja me kërkue e me gjetë, forma ma të studiueme, ma të sigurta takimesh. Studimet me grupe na dhanë rastin ma të mirë. Në këto mbledhje zhvilloheshin bisedime të gjata e të sinqerta. U krijue rrethi i ri me unitet mendimi. Afrimi krijoi bërthamën e parë të organizimit që, dalëngadalë, mori formën e vet konkrete. Rasti nuk mungoi me tregue veten tonë. Kur ideja e nji demonstratë kundër pushtuesit u shtrue për bisedim, të gjithë e aprovuem. U vendos që dy ditë para demonstratës, të bahej nji mbledhje e shokëve “ma të besueshëm”, ku të diskutohej ma me hollësi mekanizmi i zhvillimit të saj. Në shtëpinë e vogël të nji kolegu, u mblodhëm në nji atmosferë konspirative, të panjohun ma parë. Akti i parë ishte betimi. Ky moment madhështor na burrnoi të gjithëve brenda ditës, e na dha guxim. Atdheu na thërriste dhe na iu përgjigjëm: Po! Prindët tonë të plakun, shkarkojshin barrën e përgjegjsisë burrnore mbi supet tona djaloshare. Të ekzaltuem, së bashku e me za të ulët, kënduem hymnin e flamurit që, kësaj rradhe, tingëllonte si një sinjal sublim për revolte. Ishte dita e parë në jetën time, si i angazhuem në nji veprimtari “ilegale” e të rrezikshme. Me gjithë ndjenjën e paevitueshme të frikës, entuziazmi na mbërtheu. Isha i lumtun! Shkurt 1942. – Demonstrata shpërtheu, ashtu si ishte caktue. Mbas nji marshi impozant e të zhurmshëm, plot thirrje e parulla, policia fashiste detyroi kolonën tonë të kalojë në parkun e madh të qytetit. Larg nga rruga kryesore, ajo sulmoi. Nji përleshje e shpejtë dhe e ashpër përfundoi me krisma revolveri. Turma u shpërnda. Në krye të kolones, nji punëtor e nji polic fashist mbetën të vrame. Ishte pagëzimi i gjakut! Me akte të këtilla, policia fashiste vuloste ballafaqimin me rezistencën tonë, përgatiste terrenin për të paevitueshmen: luftën e armatosun. Liria kombëtare u pasunue me dëshmorë të rij, kujtimi i të cilëve, do të lindte legjionet e herojve. Në shtëpi, baba më pyeti për demonstratën e më qortoi për mënyrën e pakujdesshme të punës dhe rrezikun e madh që përballojshim. Unë u revoltova për të parën herë, kundër prindit që dojsha aq shumë. Si i ri, isha i bindun se sakrifica ishte ushqimi i lirisë. Në atë çast ekzaltimi, autoriteti pothuejse i padiskutueshëm i babës, pësoi nji të çame që nuk u mbyll përsri plotësisht. Ai më shikoi me habitje e dëshprim të qartë, sikur të ishte sulmue papritmas, i papërgatitun, e mbasi vrejti me kujdes gjestet e mia e humbi cdo shpresë se unë do të kërkojsha të falun, filloi të ndryshojë ngjyrë. Nga sytë u rrokullisën dy pika lotë mbi mollëzat e faqeve, që tregojshin tashma shenjat e moshes së kalueme e lodhjes. Pa lëvizë nga vendi: -Biri im, - më tha, - mos harro se jam prind! Asnji fjalë tjetër nuk do të kishte pasë efektin magjik të kësaj shprehjeje kaq të vërtetë e kaq të thjeshtë njikohësisht. U hodha në parzmin e tij. Ai më përqafoi. At e bir kuptuem mirë se, në të ardhmen, unë do të isha ma i lirë e i pavarun në aktet e mia e njikohësisht, nuk do të harrojsha zemrën e atit tim, çerdhen ma të sigurt për strehim në ditët ma të vështira. Kisha nji nevojë të madhe me shpërthye! Nuk dëshirojsha me u ushqye me shpresa ma gjatë, as me besue në mbretninë e qiellit që pret të gjithë “njerëzit e mirë”. Revoltimi vuni para meje nji botë që premtonte plotësimin e dëshirave tona këtu, mbi këtë tokë, shënonte me gisht rrugën që duhej ndjekë, e jepte sinjalin “Përpara për sulm!” Unë u nisa. Ajo që do të vinte ma vonë, nuk dihej. Kësaj rradhe, nuk dëshirojsha me mendue!
Mbledhje ilegale. Para portës së shtëpisë së caktueme, nji burrë bante roje. Kaluem pa ba fjalë, nji nga nji, çdo dy minuta. Tue gjykue nga masat e sigurimit, kuptova se ishte nji mbledhje jo e zakonshme. Në dhomën e vogël e gjysëm të errët të nji shtëpie përdhese, gjeta tre shokë. Ma vonë erdhën të tjerët. Pashë fëtyra të panjohuna. Pa pritë, dera u hap. Dy burra, qartas “ilegale”, hynë brenda me vrull. “Shokë! Vdekje fashizmit!”, thanë tue ngritë grushtin. I pari ishte nji djalosh mesatar, me dy sy plot jetë, me syza, me gjeste shumë energjike dhe me nji buzeqeshje të ambël. U ngritëm në kambë. I dyti nuk foli fare. Duket se ishte roja. Pa shumë formalitete, u ulëm rreth tryezës. I ardhuni na shikoi me vrejtje të gjithëve, vuni mbi tryezë dy bomba dorë e nji revolver, e nxori nga çanta nji pakete letrash plot shënime. Të gjithë heshtëm. Jashtë shtëpisë ndigjoheshin hapat e rregullt të rojes. Kësaj rradhe, po jetojsha atmosferën e nji veprimtarie të rrezikshme. “Shokë!”, filloi ai me nji ton urdhnues, por me za të ulët. “Siç e kemi zakon ne komunistët, duhet të caktojmë rendin e ditës, të mbajmë referatet përkatëse, e të fillojmë diskutimet.” Fjala “komunist” më gjeti të papërgatitun. E ndërpreva: – Me leje, shok! – Fol! – më urdhnoi. – Asht kjo nji mbledhje e komunistëve? - Po! – përgjegji i ardhuni. – Nuk e dije? – Jo. – i thashë. Ai u shqetësue, e me nji za të egër kërkoi: – Të ngrihet në kambë shoku që e ka sjellë këtu! Njeni nga shokët e mi, u ngrit me hezitim. – I ke treguar shokut që kjo është mbledhje komunistësh? – Jo, shok. – Ke bërë shumë gabim, shok! – E tue u kthye kah unë, shtoi: – Po të duash, mund të shkosh. – Po, - u përgjegja, – dua të shkoj! Pa tjetër shkëmbim fjalësh, u ngrita, nuk përshëndeta njeri e dola nga dhoma. Roja më shoqnoi deri në portën e jashtme, me porosi të preme: “Je i ndaluem të flasësh për këtë takim. E kupton?” – Po, – i thashë, – e kuptoj. Kisha mbajtë kontaktin me shokët e klasës, zhvillue bisedime me karakter politik, ndjekë me besnikëri çdo mbledhje, marrë pjesë në demonstrata të përgjakshme, e propogandue me bindje të plotë, drejtësinë e kauzës sonë. Gjatë këtyne tre vjetëve, kisha shqetesue familjen me nji qëndrim pak libertin dhe nuk kisha hezitue edhe me gënjye prindët, tue mshehë veprimtarinë time. Por asnjiherë nuk vuna në dyshim drejtësinë e aktit tim. “Ideali” e ban njeriun fanatik. Bajsha jetë spartane, nuk shpenzojsha e shkelmojsha me përbuzje, çdo dëfrim. Gjithçka për kauzën! Gjatë gjithë kësaj kohe, nji dalldisje më kishte prue në nji gjendje ekzaltimi. Frymëzue nga fjalime të nxehta nga leximi i broshurave ngacmuese, kisha formue bindjen se detyra ime morale, ishte pjesmarrja në “revolucionin” çlirimtar. Emocioni, kjo ndjenjë çuditënisht e fortë, më kishte mobilizue plotësisht. Mosha ime e re ndihmoi mjaft në këtë drejtim, e objektet e tregueme me gisht si simbole të pushtimit, shtypjes, e mjerimit, ishin të shumta tek ne. Në kulmin e kësaj dehjeje ideologjike, fillova të ndiej brenda vetes, zanin e logjikës. Përbrenda, dicka që nuk kuptojsha, më krijonte ndjenjën e shqetësimit. Përkrah grupeve tona të agjitacionit politik, grupe të tjera ma të fuqishme e me të tjera detyra, kryejshin akte dhune. Kur rastet sporadike filluen me u shpeshtue, ata u banë objekti i bisedave të përditshme. Fillova të pyes veten: “Cila ishte rruga jonë?” As unë vetë nuk e dijsha! Për sa kohë që nuk mendojsha se gjithçka ecte përpara pa pengesë. Tashti, nga fara e dyshimit lindte nevoja e madhe me mendue. Fillova me kuptue se ajo që flas, rrëzon pa mendue, e shemb të vjetrën, pa gjetë nji të re të pranueshme me e zëvendësue...! Krijimi i botës së re “pa shfrytëzues e të shfrytëzuem” më tërhiqte si magnet i parezisteueshëm. Megjithatë, kisha fillue me dyshue! Predikimet kambëngulëse e leximet indoktrinuese, kultivojshin dhunën, përjashtojshin thelbin e natyrës njerëzore, dashuninë për krijesën. Kisha fillue me dyshue! Në ditët e kësaj gjendjeje dyshimi, u mbajt nji mbledhje e gjanë e grupit tonë. Kësaj rradhe, diskutimet hynë në nji larmi të re e të panjohun. Frazeologji e shprehje të reja u përdorën me kujdes, por me insistim. Aty ndigjova për “luften çlirimtare të popujve kundër diktaturave fashiste në Europë” dhe për fitoren që garantonte “koalicioni i madh antifashist anglo-sovjetoamerikan”. Për çudinë time, nuk u fol për heroizmin e popullit anglez që rezistoi, i vetëm, kundër kërcënimit nazist, e që u ba burim frymëzimi për të gjithë ne, as për bashkëpunimin sovjeto-nazist që na dëshproi aq shumë, as për potencialin e madh industrial e luftarak të Amerikës, ku mbështetej ato ditë shpresa e popujve të shtypun. Aty u theksue, lufta e “vëllezërve tanë jugosllavë” nën udhëheqjen gjeniale të “shokut Tito”, si dhe “rezistenca heroike e Bashkimit Sovietik” nën “udhëheqjen gjeniale të strategut botëror, shokut Stalin”. Të gjitha këto, u paraqitën me nji aftësi retorikë të rrallë nga një i ri, që nuk ishte student i shkollës sonë, e që shprehte mendimet e veta me nji mjeshtri e vendosmëri që të bajshin për vete. Djaloshi vazhdoi: “... Shokë! Detyra që na shtrohet sot, është më e madhe se asnjiherë, ma e rëndësishme se kurrë ma parë. Fashizmi rrezikon seriozisht ekszistencën e Bashkimit Sovietik, atdheut të madh të socializmit dhe proletariatit ndërkombëtar. Detyra jonë, e komunistëve, është të tregohemi solidarë me vëllezërit sovjetikë, e të hidhemi në luftë pa rezerva kundër fashizmit, duke gozhduar këtu, në vendin tonë, sa më shumë ushtarë të armikut...” Me shqiptimin e fjalës “komunist” atmosfera filloi të ndryshojë. Unë hodha vështrimin kah “shokët komunistë”, po ata qëndrojshin të heshtun, si statuja të gjalla që i bante disi komike. Disa të tjerë, të papërgatitun ma parë, u gjetën në pozitë të keqe. Por asnjëri nuk u largue nga dhoma. “Djaloshi” vazhdoi: “... Le të digjet flakë çdo pëllëmbë e tokës sonë nën kambët e okupatorit. Duhet të krijojmë grupe sulmi, kudo, në çdo hap e në çdo kohë, duhet t’i sjellim sa më shumë dëm makinës ushtarake të armikut. Kjo është detyra jonë, dhe është detyrë urgjente...” Të gjithë ndigjojshim me vëmendje. Ai vazhdoi: “... Shokë! Objektivi jonë duhet arritur pa tjetër: fitorja finale në luftën tonë. Dhe në këtë luftë, asgjë nuk justifikon humbjen; gjithçka është e lejuar për fitoren!...” Gjithçka ideologjike; asgja shqiptare, e afërt me jetët tona! Shumica jonë ishte mpi nga efekti i fjalëvet të tij, nga frazeologjia e tij e studiueme, dhe nga elementët e rij që pruni në mesin tonë. Pak nga pak, në brendinë tonë, filloi nji ndjenjë pasigurie që përforconte dyshimin tone përherë në rritje. Kishte diçka brenda meje që thoshte: Jo! Kjo luftë për liri që trumbetohej me kaq energji, kërkonte njikohësisht rranjosjen e thellimin e nji ndjesie qe nuk më dukej njerëzore, atë të urrejtjes. Që në ditët e para, “ata” hodhën farën në mendjet tona, e ushqyen atë me aftësi dhe e kultivuen. Tashti kërkojshin me korrë frytet e saj: bota që përgatitej sot me urrejtje, nesër do të ishte e pandame nga ajo. Rruga që na këshillohej kishte vetëm nji drejtim: me besue në kauzën e re pa kondita, në “nji bote të lirë, të drejtë, e të lumtun për të gjithë”. Qartazi, mbas agresionit nazist kundër Bashkimit Sovjetik, lufta për mbrojtjen e “atdheut të socializmit”, ishte përparësi e dorës së parë! Ajo që ndigjojsha në këtë mbledhje nuk pranohej prej meje, pa u gjykue e peshue. Efektit të nji propagandë shkatërrimtare që më kishte lëkundë, sa këndej, sa andej për afër tri vjet me rradhë, po i vinte fundi. Po bahej e qartë se, nji propagandë që më kishte transformue në nji tjetër njeri, e në kundërshtim me natyrën time të vërtetë, më kishte aktivizue me folë atë që nuk mendojsha, me veprue ashtu si nuk dëshirojsha, me mbrojtë parime që nuk isha i përgatitun me pranue. Nji kundërveprim i menjihershëm, i shpejtë, i fuqishëm, lindi në mendjen time. Brenda në parzëm, nji zjarr u ndez papritmas, e nji za, sikur më urdhnonte: Ndal! Ishte zani i ndërgjegjes sime të zgjueme. Kur folësi mbaroi me fjalët: “Shokë! Ka ndonjë pyetje?”, unë ngrita dorën e, pa muejtë me u përmbajtë, i thashë me za te plotë: “Shokë! Unë nuk jam komunist.” Ai heshti! Nuk kuptova nëse ishte efekti i fjalës sime, apo mungesa e taktit që përdora, që i bani të gjithë të sjellin sytë kah unë. U ngrita, vuna duert mbi tryezë e u hodha nji shikim shokëve të klasës. Kuptova menjiherë se, asnjeni nuk e priste sjelljen time. Ata kishin ulë sytë, e në heshtje pritshin që folësi të dilte nga kjo situatë e vështirë. Prova e fundit e nënshtrimit të tyne të verbët, ishte tashma e qartë. Përshëndeta me kokë ftohtësisht. Disa minuta ma vonë, ecsha mendueshëm drejt shtëpisë. Isha në nji situatë tejet të vështirë. Diçka më kishte zanë grykën nga nervozizmi. Ajo që bluejsha në kokën time për sa kohë, kërkonte me dalë përjashta e përnjiherësh. Ndjeva se nuk isha në gjendje me kontrollue veten, por ajo që më frikësonte, ishte dyshimi në aftësinë time me tregue atë që ndiejsha e mendojsha. Heshtja e të gjithëve, tue përfshi edhe kolegët jokomuniste, e vështirësoi edhe ma shumë këtë situatë. “Unë nuk mund të jem komunist!”, thashë me vete. Sinqerisht, ajo që ndigjojsha nuk më frymëzonte ma. Thirrjet e vazhdueshme për revolucion, përgatitja shpirtnore për luftë, kërkesat me shkelmue çdo gja rreth nesh “me shkatërrue të vjetrën“, me nji mospërfillje të plotë për traditën e vendit, përbuzja e cdo gjaje që pengonte “fitoren“, tingëllojshin si daulle pa ritëm, tinguj të stonuem, zhurmë, vetëm zhurmë, por e rrezikshme. Kuptova që nuk muejsha me hedhë poshtë natyrën time, fisnikërin e mendimit e të ndjenjave të mia si i ri, e ta zëvendësojsha këtë natyrë, me “premtime“ që më frikësojshin për vete natyrën e tyne të dyshimtë. Kuptova që nuk mund t’i nënshtrohesha verbënisht nji bashkësie që premtonte “liri” të regjimentueme e “pavarësi” të kontrollueme. Nuk mund të pranojsha nji shoqni që premtonte dhunë e urrejtje, nji shoqni që nëpërkambte parimet morale që ishin bazë e nji qytetnimi tremijëvjecar, në emën të nji lufte të pamëshirshme që kërkonte me themelue mirëqenien njerëzore, mbi gjakun e viktimave të sakrifikueme në altarin e Zotit, “të luftës kundër fashizmit”. Me gjithë respektin që kisha për mendjet fisnike që gjatë shekujve u përpoqën me gjetë zgjidhje për problemet që mundojnë njeriun, nuk muejsha me pranue “ideale” që realizoheshin me mjete dhune, e që shërbeheshin nga militantë të brumosun me urrejtje.
Atë mbramje, jetova me kujtimin e ngjarjeve që u treguen vendimtare për mue. Mbasi gjeta guximin e mjaftueshëm me thanë haptas para shokëve përfundimet që arrijta mbas nji kohe të gjatë dyshimi, shijova nji ndjenjë të madhe lehtësimi. Isha i liruem nga pesha e kontradiktave që më ndoqën kamba-kambës. Sikr ishte zgjidhe lamshi, entuziazmi që hopa-hopa më ngrinte mbi arsyen, kishte marrë nji grusht të fortë, sikur vargu i arsyetimeve që më thirrëshin të kthehem në brendinë e natyrës sime, kishte dalë fitues. Kisha përshtypjen se tashti nuk kishte pengesë në përpjekjet për ndërtimin e banesës sime të re. Para meje shtrihej hapsina e pafund e lamijeve të spekulimit, ku mendimi asht i lirë me fluturue. Dëshirojsha shkatërrimin copë e grime të idhujve të krijuem e të bindjeve të pranueme që, për kaq kohë, më kishin robnue pa kushte. Çdo gja të kalueme sikur e thirrsha në gjyq, para ndërgjegjes sime, e akuzojsha pa frikë, e dënojsha pa mëshirë. Më vijshin në mend ditët e para të edukimit në atë frymë, forca e fjalëve magjepsëse për liri e drejtësi, ndikimi i materialit propagandistik, fuqia e thirrjeve për subversion, përmbysja e shkatërrimi i botës sonë të kalbun... Sa herë që para meje dilte figura e ndërtuesit fisnik të “botës së re”, të “botës së lirë”, të “botës pa shfrytëzues e të shfrytëzuar”, ndërtesa e re me “njerëz të lirë e të lumtur” e ripërtërihej entuziazmi që më frymëzojshin këto ide fisnike për nji jetë vllaznore të përbashkët, nji buzëqeshje e dalun si me frikë, kalonte pa dashje mbi buzët e mia. Megjithatë, rrethi i shokëve më delte përpara me fuqi, si nji pjesë e imja e pandame. Asnjiherë gjatë kësaj kohe, “ata” nuk më kishin dhanë përshtypjen e elementëve të gatshëm me u nënshtrue. Bashkë kaluem mjaft orë në mbledhje ilegale, në aksione që kërcënojshin jetët tona. I pashë “ata” të guximshëm, plot vullnet e koshiente të punës së tyne. Në ato ditë, isha i bindun se, ashtu si unë, “ata” punojshin, Luftojshin para së gjithash, me qenë shqiptarë të mirë, e njerëz të mirë. Ky patriotizëm dhe ky ideal lirie që na mbushte me kurajo për veprim, ishte e vetmja forcë lëvizëse për mue e për ish-shokët e mi. Tashti e shihsha veten të ndamë, e aq larg nga “ata”. Sjellsha në mendje qëndrimin e tyne në mbledhjen e fundit, kokët e uluna, heshtjen e plotë, e qëndrimin armiqsor kundër meje me nji bindje të verbët. “Shokët” e mi i shihsha tashti pa guxim, pa gojë, plot frikë, si rrjedhim i jetës së regjimentueme që kishin zgjedhë e që nuk i nderonte. Me gjithë dhimbjen e madhe që më shkaktonte kjo ndamje, largimi nga nji rreth që kishte qenë pjesë e pandame e tanësisë sime për tri vjet, më solli kryenaltësinë e njeriut të lirë. * Ndryshimi i vrullshëm që pësova, nuk mund të kalonte pa lanë mbresën e vet në marrëdhaniet me shokët. Pa vonesë, kuptova që isha përballë kundërshtarësh! Të nesërmen, në shkollë, sulmi ishte përgatitë. Gjatë ditës së dielë, “shokët” e ngarkuem për këtë qëllim, kishin punue me nxitim. Me kontaktet e para, ndjeva ambientin e ftohët që më rrethoi. Asnji gjurmë e shoqnisë sonë! I ulun në bankën time, përballova këtë gjendje me gjakftohtësi, tue ndjekë me vëmendje shpjegimet e profesorit. Gjatë gjithë paradrekës fola vetëm me Eqremin, shokun e bankës që mbeti besnik gjithëherë pranë meje. U mobilizova mos me lejue që nji fjalë ose gjest i vetëm, të tradhëtonte të brendshmen time. Kisha vendosë me rezistue kundër sulmit, me çdo kusht. I lehtësuem shpirtënisht, me gëzimin që sjellë lirimi nga ndryshja, isha i gatshëm me pranue duelin që më ofronte ky “izolim”, e që “shokët” përgatitën për mue. Padyshim, ata përgatitshin edhe nji atmosferë ekskluziviteti për të gjithë veprimtarinë tonë, ku vetëm ata kishin të drejtë me drejtue e kontrollue. Ajo ma e randësishmja ishte se, u ndiejsha plotësisht zot i vetes sime dhe konsekuent i natyrës sime; gjithcka afronte, pajtonte, e shkonte në hap me të. Brenda nji kohe të shkurtër, ishte krijue nji harmoni që më jepte jetë e fuqi të pakufishme. Ishte bota ime e brendshme, që po ndërtojsha me duert e mia. Ishte bota time që kërkonte përpjekje të vazhdueshme, por që nuk më mundonte. Mbasdreke, kushërini im, që ishte edhe shoku im ma i mirë, m’u afrue. Pa më dhanë kohë për përshëndetje, ai u zbraz: “Ti ke pikëpamje, që për ne janë reaksionare, bile dhe të rrezikshme,” filloi ai. Pa më lejue të baj pyetjen: “Cilat janë këto pikëpamje?” ai, me nji gjest padurimi vazhdoi : « Ti frikësohesh nga ajo që do të vijë, nga shoqënia e re që na do ta krijojmë, dhe që ti e sheh me kaq dyshim...Ti trembesh nga ajo që sheh sot, nga përpjestimet e mëdha e të ashpra të luftës që udhëheqim na komunistët, dhe tërhiqesh. Na nuk çuditemi! Kësi rastesh kemi pa edhe ma parë, do të shohim edhe ma vonë. Sigurisht! Tek e fundit, na nuk kemi nevojë për të rij të rritun në ambiente borgjeze e të brumosun me moralin e saj. Na jemi koshientë se borgjezia asht armiku jonë kryesor dhe nuk çuditemi kur dalin kundershtarë nga rradhët e saj....”, e u largue pa përshëndetë. Isha në fazën ma kritike të rinisë sime, në fazën e formimit të personalitetit tim. Për çdo rast dhe në çdo vend, përballojsha dicka të re që bante pyetje, e që kërkonte përgjegje, nji duel i vazhdueshëm që më jepte brumin e nevojshëm me ndërtue faltoren time të re. E përvlueme nga nji vuejtje e parakohshme, e mësueme nga nji përvojë e ashpër, kjo natyra ime po farkëtohej nën ndikimin e nji frymë të lirë, që tashti, më dukej se qarkullonte në të gjithë dejet e gjakut tim. Përpjekje e liri! Mbas kësaj përvoje, evitova cdo diskutim me shokët e klasës. Isha i zanun me duer plot me veten time. Ndërsa ditët rrjedhnin të qeta në dukje, në brendi po shuhej nji vullkan, e bashkë me ftohjen e tij, nji nevojë e madhe me u tërheq në vetvete, rritej cdo ditë e ma shumë. Kisha nji nevojë të fortë me mendue! Edhe në pamjen e jashtme, gjatë jetës së përditshme fillova me ndryshue. Nuk isha ma i hedhun, diskutojsha ma rrallë, nuk flitsha me dalldi, evitojsha takimet, kthehesha në shtëpi herët e, dalëngadalë, po i largojsha çrregullimet në veshje e trup. Por, nevoja me mendue ishte kambëngulëse !
Nga shkolla, zakonisht shkojsha drejt në shtëpi. Nji ditë ndigjova mbas meje disa hapa që i njihsha mirë. Ishin hapat e Lilit. Qysh nga dita e largimit tim nga rrethi i “shokëve”, Lili, kujtimi ma i ambël i ditëve të rinisë, kishte ndryshue shumë. Përshëndeste me ftohtësi e kalonte. Evitonte bisedën e nuk më buzëqeshte si përpara. Kur më shikonte, nuk njihsha ma sytë e saj të bukur, e fliste pa interesim. Kësaj rradhe nuk u ndal! – Lili! – e thirra. Ajo u kthye si me përtesë, e pa folë, më shikoi sikur më qortonte. – Më fal Lili! Due të flas me ty! – i thashë. Bana dy hapa, e kur isha pranë saj, pashë tek ajo, për të parën herë, dy sy të ngulun thellë në mue. Asnji muskul fëtyre nuk lëvizte. Buzët sikur i kishte ma të mprehta se zakonisht, e mollëzat e faqeve, ma të daluna. Sytë ndritshin, por jo në suazën e fëtyrës së gëzueshme të Lilit që njihsha unë, në nji kallëp fëtyre që ishte zbardhë, bile edhe zbeh nga zemrimi, jo ndriçim gëzimi, por nji ndezje, që për mue, qe e papritun. Para meje ishte Lili që më urrente! – Fol, të lutem! – më tha shkurt e me nji ton vendosmënie. – Pse ke ndryshue kaq shumë, Lili? – Gabohesh! – m’u përgjegj. – Përkundrazi! Ti je nji tjetër, je krejtësisht nji tjetër. – Nuk të kuptoj, – i thashë. – Por unë mendoj... Ajo më ndërpreu. – Ke mendue shumë mirë... Ajo që mendon ti ka shkaktue largimin e të gjithë shokëve e krijimin rreth teje, të nji rrethi shoqnuer të ftohët. Ti i ke lanë ata sot, në nji kohë kur kanë nevojë për të rij entuziastë e idealistë, me ngrejtë zanin e tyne pa frikë, kundër shtypjes, shfrytëzimit, skllavërisë... Ti je largue nga frika, sepse sot kjo përpjekje e jona asht nji luftë e ashpër, e përgjakshme që kërkon sakrifica të reja e ti nuk je i aftë e koshient me i pranue. Sot je nda nga shoqnia, je largue nga lufta e drejtë që na përballojmë me guxim. Unë nuk mund të vazhdoj shoqninë me ty. Do të ishte e padrejtë. Do të isha jo i sinqertë kundrejt shokëve të luftës, me vazhdue si përpara... – Jo! – i thashë me vendosmëni. – Lili, nuk të kuptoj... Mendoj se nuk asht e nevojshme me folë për shenjtninë e luftës sonë, për drejtësinë e kauzës sonë... Lili. Ti e din mirë se këto janë mësimet që more nga unë, ndigjove nga unë... Këto ishin bindjet e mia, Lili, që shpreha kur rrijshim së bashku, kur ti u frikësojshe për fatin tim, sepse e dijshe mirë se ç’lojë të rrezikshme luhej ato ditë e unë isha ai që të dhashë guxim. Nuk kam humbë besimin në vetvete, Lili, as nuk frikësohem nga sakrificat që kërkon përpjekja jonë...as kam humbë besimin në drejtësinë e kauzës për liri... – Mos fol për liri! – më ndërpreu ajo përsëri. – Ti nuk ke ma të drejtë! Ti nuk ban pjesë në rradhët tona... – Unë do të flas, Lili, – i thashë me zemrim. – Duhet me sqarue gjithçka. Dëshiroj që ti, të paktën, të më kuptojsh... Ajo që ngjet tek unë tashti, nuk asht frika as dobësimi i bindjes sime në kauzën e përbashkët. Por unë po mendoj, Lili. Dëshiroj me gjithë shpirt, ndoshta edhe ma shumë se përpara, me luftue për nji botë, pa të mjerë e pa të shtypun, ashtu si të kam folë sa herë e kuptoj se entuziazmi jonë ka qenë efekt i hovit rinor e pastërtisë së zemrave tona... Diçka tjetër, Lili, diçka që më tmerron, mshehet mbas të gjithë kësaj frazeologjie që na magjepsi... Asht kjo frika që kam e që më ka detyrue me u tërheqë...” – Ti je friksue, – ma ktheu ajo tue theksue çdo rrokje të fjalëve të saj. – Ti je friksue, thueje haptas. E vetëm ata që frikësohen, ose mendojnë me tradhtue, vetëm ata largohen nga rruga jonë... Për mue, ti je sot nji element pa vlerë... ndoshta diçka tjetër... diçka ma shumë... – Thueje, Lili, thueje haptas. Nëqoftëse nuk ta thotë goja, ta them unë... Jam nji dezertor! – E vërteta asht se ke dezertue! Këtë e thojnë të gjithë shokët e aktivit... Kështu mendoj edhe unë! – Në qoftë se dezertim quen largimin tim nga nji grup shokësh që, me fjalë e me vepra nuk më frymëzojnë ma, atëherë Lili ke të drejtë... Unë jam kryenaltë për atë që jam sot, e jam i lumtun që kam fillue të mendoj për vete, me kokën time, me logjikën time, mbi atë që na rrethon e që ngjet në botën ku jetojmë... Kjo gjendje e re më shkakton vuejtje e më ka marrë gëzimin e pakujdesisë djaloshare, tue më hedhë në krahët e vetmisë. Por kjo përpjekje që kam përqafue, me kënaqë pa kufi e më jep fuqi të mjaftueshme me vue veten, pa frikë para gjyqit të ndërgjegjes, me shqyrtue çdo hap, e me thanë “Ndal!”, çdo herë që më rrëmben entuziazmi... Ti nuk më sheh tue qeshë, Lili, as tue ecë plot jetë e gjallni si përpara, e ti mendon ndoshta që kam kuptue gabimin... Jo Lili! Sikur të ishte e mundun, do të tërhiqsha shumë fjalë që të kam thanë atëherë. Por e shoh se sot, asht e kotë me folë me ty. Ti je e dalldisun! Ti po kalon nëpër nji fazë indoktrinimi që unë e tejkalova. Asgja tashti nuk ashtë ma logjike, ma e drejtë, ma idealiste për ty, se ajo që ndigjon në mbledhjet e aktivit. Edhe kur je vetëm, ajo të ndihmon me u ndie pjestar i nji shoqnie të madhe njerëzish me mision fisnik. Ti nuk je vetëm, Lili, e ky asht nji ngushëllim i madh për ty. Sot, ti je entuziaste, unë të kuptoj, ashtu si kam qenë edhe unë, por kam frikë se e gjithë kjo që sheh e ndigjon në rrethin ku jeton sot, ka me të ngulitë në zemrën tande ndjesi që nuk janë aspak njerëzore, Lili... Nuk janë aspak njerëzore. – Shumë shpejt ke mësue me folë gjuhën e armikut, – ma ktheu ajo. – Duket se po përvetëson propagandën e tij. Por unë nuk e kam në mend me u lodhë tue kundërshtue, atë që ti ke arrijtë me forcën e logjikës tande... Ti mund të mendosh sa të duesh, por mbaje për vete... Unë jam e bindun se nuk ka logjikë ma të drejtë se logjika e rrugës sonë. Kushdo që nuk e pranon ose kundërshton, ashtë armik që duhet urrejtë e luftue pa mëshirë... – Me urrejtë, me urrejtë! Ke të drejtë Lili. Nëqoftëse kjo asht e vetmja rrugëdalje që të çon në plotësimin e idealeve tueja, Lili, me lejo të them haptas se ke humbë shumë, ndoshta gjithçka... Ti ke humbë çka ashtë ma fisnike tek ti, Lili, ke humbë çka asht e jotja, vetëm e jotja, – thashë me zemër të vrame. Lili nuk u përgjegj e u largue pa përshëndetë. E kujtojsha me dhimbje fëtyrën e kësaj vashe të re entuziaste. Ajo po kalonte nëpër procesin e formimit ideologjik që i bante thirrje emocioneve, po kalonte nëpër fazën që i zhvishte të rijt nga sentimentet e tyne natyrale e fisnike që u ngjallte mosha, nëpër fazën e çnjerëzimit që më revoltoi në kohën e përgatitjes sime. E shikojsha me dhimbje këtë viktimë të re, e kisha të qartë rrugën që do ta çonte atë në shkatërrim...e u ndiejsha i pafuqishëm me ndihmue. “E mjera Lili!”, thashë me vete.
Koha e provimeve të pjekunisë po afrohej. Landa e mësimit për përgatitje ishte e madhe. Përpjekjet me e zotnue vazhduen për disa javë e konsumuen të gjitha energjitë tona. Kishim formue grupe të vogla studimi e veprojshim si kolektive pune. Tekste, dispensa, fletë shënimesh grumbulloheshin e kalojshin dorë më dorë. Kësaj rradhe, ndamja e klasës u duk qartë. Edhe në këtë periudhë të fundit kur po përgatiteshim, jo vetëm me lanë bankat e shkollës, por edhe shoqëninë që na mbajti të lidhun për kaq vjet me rradhë, grupi i “shokëve komunistë” nuk pranoi bashkëpunimin me “të tjerët”. I shihsha “ata” të gjithë së bashku, të nënshtruem nji studimi sistematik e kambëngulës. Në përgjithësi, “ata” ishin studentë seriozë. Por kur rasti e sjelltë që nji studente jo i rrethit të tyne të kërkonte ndihmë, ose material studimi, “ata” e anashkalojshin kërkesën me mjeshtri. Për mue, ky qëndrim ishte i qartë. Në çdo hap të jetës, ata mbeteshin konsekuentë. “Ata” nuk kishin shok çdonjenin që nuk ishte “shok i rrugës”.