E marte, 03.12.2024, 02:48 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (VII)

E diele, 14.09.2008, 04:33 PM


Fritz Radovani de Angeliis

Një monument nën dhé

DERA QË PO HAPET

“….Si mbas parimit komunist:
Sytë që kanë pa duhën verbue;
e, duhën shurdhue veshët që kanë
ndigjue, e, pré gjuhët që mund të
flasin, e, shkurtue krenat që
mendojnë!“
Engjulli i birucave

Shumë vjetë ma parë më çonte nana tek një rrugicë qorre në Gjuhadol, që thirrej rruga e Murgeshave këtu në Shkodër, jo larg prej shtëpisë seme. Aty ishte kuvendi i Motrave Stigmatine, shkolla e tyne e Kisha. Kjo Kishë e vogël ishte shumë joshëse, gjithmonë mbushej plot! Në Elterin kryesor kishte një bazoreliev të bukur të Shën Bonaventurës (Shna Bafti), që ishte edhe Pajtori i këtij Urdhni. Flitëj se ishte vepër e fratel Salës. Para Kishës ishte kuvendi. Ecësha në heshtje vetëm e me krye ulët. Kur afrohesha tek rrugica, kontrollojshe me sy gjithkah apo më sheh kush, mandej me dorën e vogël temen, mbasi atëherë isha gjashtë vjeç, trokitshe tek dera e madhe me hark. Dera kishte një vrimë të rrumbullakët me një teneqe me bira prej ku shihej nga mbrendë se kush troket. Shpesh trokitshe me një gur të vogël mbasi nuk mërrijshe tek rezja e derës. Motrat ishin mësue me dorën teme, hapshin derën me një buzqëshje të ambël, më futnin në korridor, më lëmonin kokën e më thonin: “Prit, po ta thërrasim hallën!”. Gati çdo ditë shkojshe me pyet hallën Gjyzepinë, si jeni? Atë përgjigje unë nuk duhej me ia tregue askujt. sigurisht, aty diçka mëshefej! Edhe sot ato motra që kanë mbetë kur më shohin të thinjun mashumë prej kohës se sa prej moshës, më thonë: “Ai Fritzi i vogël je ti?”, unë me mburrje u përgjigjem: Po, po. Sigurisht me njëfarë krenarije, sëpse parulla që më jepej mbeti gjithmonë sekret. Kurrë nuk ia kam tregue njeriu të gjallë ”jemi mirë”, ose “kanë kapë mbramë edhe një prift”, “nuk na kanë thanë gja”; por, ajo që pritej e që shumë shpejt ndodhi ishte: “Mund të vij shpejt, se po na nxjerrin jashtë”. Ashtu ndodhi, halla erdhi shumë shpejt me lot në sy e veshun me zhgunin e saj që e bajti me nderë deri në vdekje, ashtusi të gjitha motrat e të gjitha kuvendëve të Shqipnisë, që nuk u kthyen kurrma aty. Kuptohet, u duheshin komunistëve. Duheshin prishë çerdhët e edukimit të rinisë, prandej ishte mbyllë edhe shkolla. Kështu u veprue edhe me Motrat Servite... madje, aty u vendos qendra e Sigurimit të Shtetit prej ku drejtohej spijunazhi komunist që ka vazhdue deri tashti. U shpërndanë të shkretat pa asgja mbas shpirtit, me përjashtim të rruzarëve që mujtën me futë ndër xhepa, të Kryqit që bajtën gjithë jetën, të ndonjë figurje në parzëm, së cilës i ishin kushtue dhe ia mbajtën gjithmonë premtimin: “Zojën e Shkodrës”, ose “Zojën e Papërlyeme”. Ndër mangë kishin ndonjë shami hundësh, ndërsa në dorë një shami me ndrresat përsonale. Ushtarët e Mbrojtjës ua kishin kontrollue plaçkat dhe mbas kontrollit i kishin nxjerrë jashtë me fjalorin e tyne komunist. Morën rrugët, kush tek motra, kush tek vëllai, kush tek nipi, kush tek mbesa, kush në fshat e kush në malësi, u shpërndan të shkretat për një kafshatë bukë të thatë, ashtu si e kishte edhe dera së cilës ia mësynë. Kudo ku i shkeli kamba atij praku ia kanë shpërblye atë pritje që i zoti i shtëpisë me zemër, u tha: “Eja... mirëse të ka pru Zoti, një kafshatë bukë si ta kemi, do ta ndajmë bashkë!...”. Kudo gjetën strehë. Në çdo shtëpi ku ranë kishte të paktën një fidan që ato kishin rritë e edukue në fidanishtën e mrekullueshme të tyne. Shkollat e motrave ishin të hapuna katër kapakësh për vajzat e të gjitha besimëve. Aty vinin nga çdo krahinë e Shqipnisë. Të gjitha hynë në punë me fitue jetesën. Disa qëndisnin, ndonjena mbante fëmijët e të afërmve, dikush shkonte me la rroba, dikush punonte në bujqësi, në malësi kujdesej për bagëtitë, pra, secila do të mundohej e lodhej shumë vetëm e vetëm pse kishte veshë zhgunin dhe i ishte kushtue Kryqit! Motër Luigja mue më mësoi bukurshkrim. Unë këtë nuk duhët t’ia tregoja as mësuesës, as shokëve, mbasi atëherë përdorej në shkolla shkrimi skript. Nuk duhët të bija në sy për shkrimin e bukur, mbasi çdo gja e bukur ishte në kundërshtim me mësimet komuniste që përhapte shkolla e re.
Një ndër arësyet që komunistët hapën shkolla në çdo skaj të vendit ka kenë pikërisht kjo, me përhapë vetëm ideologjinë komuniste. Me shkatrrue parimet e edukimit atdhetar dhe fetar. U ba një rrugë e dy punë. Edhe u hapën këto çerdhe të ideologjisë marksiste-leniniste dhe, në të njajtën kohë komunistët morën shtëpijat të gjithë tregtarëve për me i këthye në lokale shkollore. Pasuninë që kishin ua shtetizuan dhe paisën shtëpijat e tyne. Magazinat i boshatisën me ndihmue Jugosllavinë dhe mbasi i futën ndër biruca iu morën edhe arin e argjëndin, që nuk e mori vesh askush nga iku. Që në ditët e para u fillue puna me programet e diktueme nga jugosllavët dhe, u punue që rinia me u marrakotë me internacionalizmin proletar dhe ateizmin materialist. Asgja ma shumë se kjo edukatë nuk i ka shërbye, siç, thonte Fishta, klyshve të Rusisë. Ky helm ka hy në gjakun e të gjithë shqiptarëve, mbasi po të vërehët sot rezultati, secili prej atyne që ka mbarue këto shkolla as nuk don me dijtë ku bie Shqipnia, tue fillue nga “unë”. Disa nga këto motra shkuan me punue në spital. Aty gjetën kënaqësi se uniforma e spitalit në ballë kishte “Kryqin e Kuq”, madje, në kohën e Revolucionit Kultural u patën ba përpjekje me e heqë, por kje kërcënimi për përjashtim nga ajo organizatë ndërkombëtare që mbeti në disa objekte. Edhe sot kujtohën motrat Luçia, Kjara, Ludovika, Marta, Çeçilia, Gjystina etj. Gjithmonë me buzë në gaz. Motër Bernardina e Marta punonin vetëm sanitare; e kush mund të harroje motër Juditën e Virgjinën për bamirësitë e tyne? Cila merrte shpërblim për ndihmën që jepte? - Askush nuk i ka shpërblye ndonjëherë këto motra, përveç shpifjeve, përbuzjes, apo pushimeve nga puna prej Xhyhere Mushanit me shoqët e saja partizane.
Aty punoi edhe halla, Motër Gjyzepina që shpesh shërbente edhe në spitalin e burgut. Për këtë të burgosunit i kishin vu emnin e nderuem “Engjulli i birucave”, sëpse, kur shihnin fëtyrën e saj ata ishin të sigurt se do të shëroheshin. Ajo nuk bante mrekulli, por buzëqeshja e saj u ringjallte shpresën e jetës dhe të lirisë. Gjithmonë u thonte: “Sot je ma mirë, ço mendjen tek Zoti, se, Ai të jep shndetin por edhe lirinë, mos u mërzitni, i gjalli e ka dermanin!”. Shumë prej tyne punonin ndër punët ma të ndyta, ndër repartët ma të vështira si Motër Gjystina Çoba, që punonte gjithmonë natën në kirurgji, e çfarë kirurgjie? Ajo punonte natën vetëm mos me lanë spitalin asnjë çast pa një MOTËR, vetëm me u ndodhë kurdoherë pranë të sëmurëve në çastet e fundit të jetës. Shumë herë ajo me shumë kujdes e sakrificë ka thirrë natën ndonjë prift të “panjohtun”, për me ngushllue ndonjë të sëmurë të dispruem, ose me i ba Shartët e Fundit të jetës. Ato gjithmonë simbolizonin humanizmin, sëpse katolikë e myslimanë e dinin se ato kishin vetsakrifikue gjithë jetën për Kryqin që kishin në ballë dhe për atë që mbanin në parzëm. Ato mbetën të paharrueme dhe u respektuan jo vetëm nga populli por edhe nga mjekët e ardhun nga të gjitha viset e vendit, tue fillue nga doktorët: Karagjozi, Todi, Basria, Dhimitër Lluka etj. Dr. Shiroka e Prela ishin ma shumë se vëllaznit e tyne, mbasi motrat ishin të vetmët me të cilat mujtën me komunikue nën za me ndonjë italishte nëpër dhambë, në lidhje me gjendjen politike dhe a do të vazhdonin gjatë “këta”? Ato fluturuan nga gëzimi kur ndigjuan Papën Gjoni XXXIII, tue përshëndetë popullin shqiptar për herë të parë në gjuhën shqipe: “Për shumë mot Pashkët!”
Ishin të lumtuna kur në fundin e korridorit të spitalit silueta e ndonjë polici të mirë i thirrte: “Ec shpejtë, se ka ardhë një i sëmurë rëndë!” Aty, ai podrum i dukej vendi ma i lumtun, mbasi ai ishte vendi me ndihmue të ftofunit ndër çimentot e birucave ose të zhytunit në ujë në pikën e dimnit, apo të thyemit kockash e kafkash nga levat e hujtë e kriminelëve të sjellun pandjenja. Aty ato u mjekonin plagët e kambëve të djeguna nga pezhgvja e vlueme që u hidhnin hetuesit për me i ba me folë. Kishte njerëz që trupin e kishin të veshun me plagë që vetëm kullonin qelb dhe shpesh i sillnin aty vetëm me vdekë. Ato i rikëthenin në jetë por, viktimat e shkreta pa u shërue mirë i merrnin ndër shkalca plehu, mbasi nuk njihëj barela ndër ato vende e i çonin me vazhdue prap torturën deri në vdekje. Torturuesit kishin një ide: “Nuk ju lejojmë me vdekë edhe pse doni ju, do të ju sjellim prap në jetë, mbasi nuk ngopemi duke ju torturuar!...” Ishin motrat ato që ia lagnin buzën e rreshkun me ujë, ishin motrat ato që u rrinin tek koka tue u thanë uratë, ishin motrat ato që i ngopnin me dromca buke, ishin motrat ato që në vesh i përshpërisnin: “Qëndro edhe pak se, nuk e kanë të gjatë...” e, kjo e fundit ishte ma shumë se uji, buka e gjumi, me të cilat nuk ngopeshin kurrë. Tregonte i ndjeri Zef Nika: “Numuri i të vdekunve në tortura as nuk ka me u dijtë kurrë. I vetmi burim mund të jenë raportët e Ministrisë së Mbrendshme që i janë dërgue Byrosë Politike të K.Q. të P.P.Sh. Të gjithë toturoheshim njësoj, veç ndryshonte zgjatja, sa mujte me durue viktima. Të gjithë hetuesit kanë një difiçencë mendore, të etëshëm për gjak”.
“Njeriu pa zemër asht një makinë pa pasion mendimi që nuk ka as familje, as miq, as Atdhé; zemra përmban bazën e mbrekullueshme e të pandame të zhvillimit shpirtnor”, thotë, A. I. Hercën. Pikërisht për këtë, Motrat mbetën të paharrueme, sëpse shumë të burgosun të masakruem ato i shëruen me fjalën e ambël, dashtninë për jetën dhe shpresën e lirisë.
Ato u plakën... dhe koha e bani të vetën. Edhe pse të moshueme, të kërrusuna, të lodhuna nga puna, mundi dhe pesha e randë e vitëve dërmuese ato u gjetën tek telat me gjëmba, ndër dyert e burgjeve dhe të kampëve me çue sado pak një ndihmë që mujtën me mbledhë, tue trokitë ndër dyert e këtij populli fukara për ata fatzezë që nuk kishte mundësi me iu shkue kush, ose tek ata klerikë që prej frike nuk i afrohej kush atij vendi të mnershëm. Motrat u gjetën në Beden, Maliq, Tepelenë, Burrel, Vlashuk, Tërbuf, Rinas, Levan- Fier, Gocë-Kavajë, Rreps, Ballsh, Spaç, Vlonë, Sarandë, Urë-Vajgurore, Qafëbari e anë e kand Shqipnisë, sëpse anë e kand kishte vetëm kampe e burgje e, nuk kishte asnjë kamp e burg pa një klerik katolik deri në vitin 1989. Ka fillue At Gegë Luma e At Dioniz Maka në janar 1945 e kanë mbyllë burgjët Don Mikel Koliqi, Don Simon Jubani, Don Nikoll Mazrreku, At Zef Pëllumbi etj. në vitin 1989. Jam i sigurt se Motër Dava duhët t’i kenë njohtë rrugët e gjithë Shqipnisë, mbasi edhe ajo deri në vitin 1989, ka shkue në të gjitha burgjët e kampët me strajcën e saj të arnueme. Ato prisnin në pishën e diellit apo në shullanin e erës kur po i mbushët mendja një polici injorant me i thanë, “silli këtu ato plaçka!”, shpesh “merri me vehte se nuk pranohën, mbasi nuk ka zënë mend”, ose ma shpesh se kurrë përsëritej nga goja e tyne e ndytë: “Mos eja më, se ka ngordhur”. Kur Shkodra mbeti pa klerikë, Motër Luçi Koliqi solli nga kampi Bagmin për Vojime dhe në mungesë prifti u autorizue me krye edhe shërbime të lejueshme fetare.
Mbas “Revolucionit Kultural” vendi mbeti pothuej pa asnjë klerik. Ishte e frigëshme për të gjithë me u shkue prifti tek shtëpia. Klerikët u detyruen mos me shkue as ndër të afërmit e tyne mbasi njerëzit rrezikonin punën. Shumë nga fshatrat nuk kishin asnjë shërbim fetar sado të vogël. Pushkatimi i Don Shtjefën Kurtit për Pagëzimin që i bani një fëmije shtoi edhe ma shumë frikën në popull. Prifti ishte e pamujtun me qarkullue në qytet, jo ma ndër fshatra, se shkuemja e tij atje binte në sy përnjëherë. Ishin motrat ato që shkonin ndër famullitë e mbetuna shkret, ku priteshin me dashtni ndër sofrat tejèt të vorfnueme të fshatarëve, mbasi Kishat e qelat as nuk diheshin ku kanë kenë, shumica ishin rrafshue, një pjesë ishin ndërtesat e kryesisë së koopërativës ose vatrat e antikulturës. Ato shkonin atje të unëshme, të zbathuna dhe ma të vobegta se mund të mendohën se ishin të palëkundshme dhe të vëndosuna me ruejt Fenë e ndezun ndër zemra, aty ku po fikej.
Shtëpia merrte dritë e fiset shtoheshin aty ku shkelte kamba e motrave me Pagëzue fëmijë. Në vitin 1974, halla ishte plot 74 vjeç. Kur Pagëzova vajzën ajo më tregoi këtë histori: E kishin thirrë me shkue në fshatin Pllanë për me Pagëzue tre fëmijë të një fisi. Rrugës, në makinë e kishte pyetë një burrë: “A je motër Gjyzepina, ti?” - Po, unë jam, ishte përgjigjë kjo. Ai prap e kishte pyetë: -“A kujtohesh kush jam?”. Kjo nuk e kishte njohtë. Ai i kishte kujtue kësaj se ishte ai djali i ri që e kishin pru tue vdekë prej hunit nga hetuesia e konviktit “Malet tona”, tek spitali aty afër dhe kishte vazhdue: “Kur erdhe ti tek dhoma ku isha unë, t’u luta: Motër, më beko, se po vdes! Ti më the, se - unë po lutëm në Fenë teme se në Fenë tande nuk di. Unë atëherë të thashë: -Motër, ti lutu, se myslimanë e katolikë të gjithë bashkë NJË ZOT BESOJMË! Ty t’u ba qejfi kur unë të thashë ashtu dhe çove sytë kah qielli e the: -Zot në doren tande këtë djalë, ndigjoje lutjen teme! Dhe dole për dere. Mbas gati një ore që po u rrapatësha në shtrat nga dhimbjet erdhën dy ushtarë me ty, më more dhe më fute në operacion aty nga ora 11.00 e natës. Mbasi më doli narkoza u bana mirë dhe qé tek jam sot gjallë. Të gjithëve u kam tregue sësi ti u lute për mue dhe unë shpëtova.”
Unë, tha halla, i ndërpreva fjalën dhe i thashë: “Jo, jo, ishte lutja jote e fortë dhe besimi që ke pasë në Zotin që të ka shpëtue, jo unë!” Prof. Arshi Pipa thonte: “Unë i besoj efektit të lutjës, kur lutja bahët me intensitet të fortë, kur ajo nuk asht një përsëritje mekanike formulash, kur jetohët prej njeriut.”. Po, sa volume mund të shkruhën për Motrat e tokës shqiptare?

“I HUMBUNI” DON ALFONS TRACKI

“I humbun…”, vetëm kaq shënohej ndër rregjistrat e klerikëve që ishin mbrenda “perdës së hekurt”, e ndoshta, përgjithmonë mbetëj ashtu. Nuk asht e meritueshme që shumë figura të ndrituna të historisë sonë kombëtare të mbulohën nga pluhuni i harresës. Jo ma pak përgjegjësi historike dhe morale kemi edhe përpara veprës së misionareve të fesë, të cilët në rininë e tyne, me punë vetmohuese provuan me fakte se toka shqiptare për ta ishte Atdheu i dytë i tyne. Kjo asht arësyeja kryesore që më shtyn me u ndalue tek “i humbuni” Don Alfons Tracki, i ardhun misionar nga Breslau.
Don Alfonsi ka lind nga prindët Jozef e Marta Tracki, në vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës mbretnore. Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë, Hansin dhe Gjergjin, që u vranë në Luftën e Dytë Botnore, ndërsa motra e tij Kordola, mbas vitit 1944 nuk dihet ku ka përfundue. Alfonsi i ri pa mbushë 17 vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas luftës vëndos me qëndrue këtu, pikërisht, kur Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet kjartë gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman me besimtarin katolik polak. Lé në një anë armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme të njerzimit, tue u ba përjetësisht ushtar i Krishtit në armatën shqiptare. Ai e admiroi këtë armatë sëpse asht pikërisht ai kler që një vit maparë bashkë me të gjithë atdhetarët shqiptarë, kishte ngritë lart edhe njëherë flamurin e Gjergj Kastriotit, tue i ba të ditun botës se shqiptarët janë këtu. Edhe pse kishin kalue pesë shekuj robni të dhunëshme fara e krishtënimit jo vetëm nuk ishte shue, por kishte marrë aq hov, sa me shumë frikë e thom, “drue se nuk përsëritet kurrma!” E, ku i kanë vorret? - Kurrkund! Imzot Mikel Koliqi më tregonte se veprimtaria e Trackit, ishte baza e Veprimit Katolik në Shqipni. Krahas veprimtarive sportive e zejtare, vendin kryesor e zente aktiviteti atdhetar. Vazhdon edhe ai vetë Seminarin Papnuer të Jezuitve dhe i përfundon studimet teologjike në Bosnje. Në vitin 1926 shugurohët meshtar. Formon lidhje të ngushta miqësore me meshtarët Kolec Prennushi, Pjetër Meshkalla, vëllaznit Gazulli, të cilët simpatizojnë Lëvizjen e malësorëve të Veriut kundër Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa Don Nikolli u dënue me katër vjet burg në Gjinokastër. Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga Shqipnia nëpërmjet të Musa Jukës, i cili nuk e shihte me sy të mirë grumbullimin e rinisë shkodrane rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit Vat Marashi tek Zogu, e rikëthen Trackin në Shqipni, por me kusht mos me qëndrue në Shkodër. Shkoi në qendrën malarike të Velipojës sëpse banohej nga malësorë të ramë nga Alpet. Zotnonte mirë gjuhën shqipe gja e cila bani me u hy në zemër fshatarëve. Njohja e zakonëve të malësisë e vëndoste në krye të vendit, mbasi shumë shpesh malësorët kishin nevojë për mendimin e priftit, ndër kuvendët e tyne. Merrej me pajtim gjaqësh dhe ishte kudo ku lypej me u shmangë vëllavrasja. Kjo arsye e shtyni shpesh me ndërhy edhe pranë organëve qeveritare për me shpëtue ndonjë që binte në duert e gjermanve. Po cili kje shpërblimi që mori prej nesh?
Në vitin 1944 Hausdingu i shpjegoi Trackit, se në Shqipni ka shumë ngatrresa të mbrendshme dhe se mundësia e ardhjes në pushtet asht e komunistëve, mbasi ata i ndihmojnë edhe anglezët, prandej eja me né, se do të kenë edhe ndryshim sistemesh dhe ti do të konsiderohësh edhe gjerman. Pavarësisht se ti i ke ndihmue shumë shqiptarët, nuk ka me ta dijtë kush për nderë pra, mos e rreziko jetën me qëndrue këtu!
Tracki iu përgjigj: “Jo, nuk vi me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe as si pushtues. Këtu unë kam Atdheun e dytë Shqipninë, të cilit i kam shërbye si meshtar dhe këtu due të vdes si shqiptar!”. Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi këtu. Për me evitue përpjekjet me partizanë në ditët e para të 1945 ai shkoi në malësi tek priftnit Nikoll Gazulli, Luigj Pici, Ndre Zadeja dhe se fundit tek Don Injac Gjoka. Aty e njoftuen se kërkohet nga disa partizan, që në Velipojë e kanë shpallë armik. Ato ditë edhe Ndoc Jakova ikë nga ushtria mbasi fillojnë përshpëritjet se Ndoci asht i lidhun me klerin katolik. Edhe Ndoci shkon tek Don Injaci, ku takohet me Trackin dhe të dy bashkë shkojnë në Shpellë të Mëri Kokës në Stenë.
Po kalonte vitin me grupin e Gjergj Vatës, Martin Sheldisë, Gjelosh Lulit, Mark Malës, Nikoll Prenk Dedës, Pjetër Gjokës etj. Jeta e malit dihet. Tracki nga Breslau në shpella të Veriut. E, pse? Për ata që njohin zonën e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica që ka ba Tracki. Zoji Themeli kryetar i Seksionit Mbrendshëm të Shkodrës, më 31 dhetor 1945 njofton Drejtorinë e Mbrojtjës së Popullit në Tiranë: “Ju njoftoj se përveç Dom Alfons Trackit që gjindet në këtë qark, nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane.” (Dosja 1885).
Në mes të natës së 12-13 shkurtit 1946, kur forcat e Ndjekjës nisën për në Dushman mbasi ishte ba një vrasje atje, gabojnë rrugë. Koha e keqe me shi kishte vështirsue kalimin. Prrojet kishin shpërthye. Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë së cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë ndigjohen krizma armësh që u shuan shpejt. I pari i ndigjoi Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët nga gjumi dhe po prisnin sinjalin prej Ndocit për me veprue. Nuk ndihej asgja. Mendojnë pse Ndoci nuk po i ban me dijtë, çka ndodhi!? Vrojtojnë me kujdes jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen ecje këpucësh ushtarake që ushtojnë pak prej natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës. Pregatitën me ça rrethimin nga një shteg që nuk njihëj nga Ndjekja. I pari prinë Gjergji mbasi dinte shtigjet, të tjerët u nisën mbas tij. Don Alfonsi nuk pranoi me marrë atë drejtim pa shkue deri tek vendi ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue parashikue pritën. Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente diçka të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi, gjenë Ndocin e plagosun randë... ishte i lamë me gjak. Ndoci e njeh. Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon dhe e vojon, i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë për parzëm, i ban Kryq dhe qëndron me té derisa Ndoci jep Shpirt... Si një babë i mirë që shtërngon fort djalin e vet.
Afrohën forcat e Ndjekjës. Don Alfonsi nuk lëvizë nga vendi, madje, u thotë: “Afronju, mos kini frikë, nuk kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva detyrën teme!” E lidhën dhe e sollën në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh, tek katili Fadil Kapisyzi që për pesë muej nuk la gja pa ba në trupin e Trackit. Përpilohët, si gjithënjë, një proçes fals, ku nuk mungojnë as shpifsit, as trilluesit kundër misionarit të pafaj që kishte shpëtue sa jetë të rinjësh nga duert e nazistëve si: Çesk Kabashi, Zef Kol Preka, që me paturpësi e akuzon Trackin se i kishte kërkue 200 napolona me i shpëtue djalin, apo një vagabond si Gjovalin Mazrreku, që e quan “fashisti i poshtër Don Alfons Tracki”. Debili Rustem Sykja e akuzon për propagandë naziste etj. Shpërblimi i veprës së misionarit të palodhun ndaj atyne të rinjve që i kishte ndihmue pa dallim feje dhe që ndodheshin në sallën e kinemasë “Rozafat”, ishin thirrjet e tyne mizore: “Plumbin ballit ... kriminelët në litar!...”
Tracki deklaron në gjyq (Dosja nr. 1885): “Për doktrinën fashiste kishe me thanë se kjo ka gjetë njeriun, dhe njeriu kokën. Sa për nazizmin, unë jam gjerman, por nuk jam nacional-socialist. Nuk jam as nuk due me kenë, mbasi si doktrinë asht e gabueme. Na kurrfarë ndihmet nuk i kemi dhanë. Tham se fashizmi dhe nazizmi janë njilloj, e duhet me kenë kundër... Unë me politikë nuk jam marrë, pyetni ata që kam ndejë me ta. Prifti po të merret me politikë sharron, prandej edhe kam ndejë larg... tek Oberlajn dhe Dr. Hotnik nuk kam shkue, kishin zyre të tjera, se merrëshin me hetime politike. Në rrethin “Veprimi Katolik” flitej për fenë... Propagandë kundër Bashkimit Sovjetik nuk kam ba, por si gjerman kam dashtë me fitue Gjermania në luftë kundër Rusisë... Kam kenë tek Hausdingu, por kjo nuk don me thanë se jam nazist. Fillimi i luftës ka kenë i padrejtë...Për Gjrmaninë naziste jam gëzue që ka mbarue. Nazizmi nuk asht potencë që ka dalë nga populli, por me dhunë. Nuk e lente kush fitorën e nazizmit, se ishte çue gjithë bota kundër. Delegati Apostolik nuk ka shkue te Hausdingu por më ka çue mue për disa dezertor italian për pilotët, po, kam ndërhy dhe u asht falë jeta. Mos me ndigjue me ba përkthime në Gestapo nuk e queja gja të mirë, mbasi unë punoja në interes të popullit shqiptar...Unë dola në mal se partizanët nuk ishin ushtri e rregullt, vepron kushdo në kokën e tij, të vrasin dhe të përsekutojnë. Me Ndoc Jakovën kemi nda bukën dhe sende të tjera që na nepshin katundarët, por, edhe kemi ble... Partizanët kur na kanë rrethue në luftë, unë jam diftue ushtar! Nuk kam dijeni se Papa ka bekue armët. Unë këtu kam kenë në atdheun tem.” Disa mendime politike të Trackit: “Krotnik më ka thanë, se na po shkojmë, por ky popull asht në grindje në mes të shoqi-shoqit e mund të fitojnë komunistat, se i ndihmojnë anglezët. Për majorin Nil, ishte dy ftyrash, ndryshej me Sali Myftine, e ndryshej me Nik Sokolin. Gjermanët donin me lanë oficera në Dukagjin por në tetor ky urdhën u prapsua. Zef Mirashi e Gjergj Vata më kanë tregue se Muharrem Bajraktari asht Komandant i Përgjithshëm.
Anglia e Gjermania e luftojnë shoqi-shojnë për jetë a për dekë e në Shqipni, të thuesh bashkë-veprojnë. Këto të pohueme janë fakte, por si shpjegohën? - Unë nuk dij me dhanë përgjigje. Por, një fakt asht se, që Anglia si e ka pasë ma përpara edhe tash don me pasë konceptin e sundimit. Sundimin e Evropës e don! Historia e vërteton se ekujlibrin ndërmjet shtetëve të Evropës don ekskluzivisht me e rregullue Anglia. Shembujt janë: (Holanda, Spanja, Franca - lufta e njiqindvjetve, Lufta e Irë dhe e II-të Botnore), e tash? - Mue më duket se në hesapë të vet Anglia nuk ka shti një Rusi të evolucionarizueme e, prandej, tash mbas Luftës së II-të Botnore nuk i del besoj hesapi si ka mendue e dashtë. Shtetet e ndryshme të Evropës edhe të vogla tue përdorë të drejtat e veta të fitueme me gjak nuk po këcejnë ma simbas vishkëllimit e taktit të Anglisë, e nuk po pvesin atë për trajtimin e qeverimit të vet, me një fjalë i kanë dalë dorët Anglisë. Rregullimi i Evropës nuk asht ma në dorën e saj si dikur. Ardhjën e Gjermanisë në Shqipni nuk mund ta konsideroj as mirë as keq mbasi jam gjerman, por mbas principit tem - lum i forti -, por, edhe kjo, prap asht ide e gabueme! Ndoshta për problemet kombëtare të Shqipnisë, gjermanët kanë punue mirë, mbasi Kosova me tokat tjera që i përkasin truellit shqiptar, e ja kanë marrë, kam frikë se nuk i kthehën ma.
Populli më ka pyet: “A të shkruhemi fashista?” - Unë i kam thanë se edhe po të shkruheni nuk asht ndonje dam se merrni harxh, por nuk i kam thanë, se po mos të jesh fashist - nuk je katolik, për milici i kam thanë mos u shkrueni! (dorëshkrim i Trackit, fq. 9,10.).
Kam kenë në Meshkallë (Shllak) më 31 dhetor 1945 dhe jam nisë te Don Injac Gjoka në Mazrrek, ku kam pritë anmisti prej Don Luigj Picit e Luigj Mjedës. Më 12 janar kam shkue në shpellë tek Gjergj Vata e Nik Sokoli. Më 13 shkurt 1946, më kapën partizanët.” Me datën 17 korrik 1946, ora 17.00 Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetari Mustafa Iljazi, antarë, Zyhdi Shehu e Anastas Koroveshi dhe prokuror Aranit Çela (akti nr. 249), vëndosi: 1. Llesh Marashi, me varje në litar.
2. Kol Ashiku,
3. Nikoll Preng Dedaj,
4. Don Alfons Tracki, dënohën me vdekje, me pushkatim.

Me datën 17 korrik, pra, atë natë bahët kërkesa për falje jete nga avoketnit e secilit të dënuem me vdekje.
Më datën 18 korrik 1946, bahet shqyrtimi i akteve në Gjykatën e Lartë në Tiranë, nga: Krytari, major Frederik Nosi, antarë kap.Veladin Zejneli dhe kap. Nexhat Hyseni, prokuror Nevzat Haznedari dhe vëndosi:
Me datën 18 korrik 1946 njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën nr. 902/7 se: “...në bazë të vendimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët : Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni.

Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.

Shef i Seksionit Shkodër(Zoji Themeli) d.v.

Ekzekutimi u krye në orën 5.00 të datës 18 korrik po kërkesat e të dënuemve kur janë shqyrtue nga Gjykata e Naltë dhe Kuvendi Popullor?
Pse në shkresën e Zoji Themelit nuk asht emni i të ndjerit Kel Abati, që u pushkatue me këtë grup pa pasë asnjë lidhje me ta? Pse asnjëherë nuk doli në dritë vrasja misterioze e Kel Abatit, mos edhe ky ishte “kriminel”? A duhët besue se me të vërtetë Kel Abatit iu fal jeta mbas ekzekutimit? Ndoshta ma vonë e drejta do të dalin, por kam frikë se jo!
Vrasësit gjithmonë punojnë me mbulue krimet e veta, mjeti ma i mirë i tyne asht harresa! “Tracki ishte modeli ma i përkryem i meshtarit Katolik”, shkruen At Konrrad Gjolaj O.F.M.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora