E merkure, 04.12.2024, 06:10 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Hajredin Isufi: Besa çame: Lëmë gjakmarrjen për interesat e kombit!

E diele, 14.09.2008, 12:49 PM


Besa çame: Lëmë gjakmarrjen për interesat e kombit!

Nga Hajredin Isufi

Ja dhe disa shembuj të tjerë: Historiani rumun, Kostandi Burileano (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë (AMPJ) në Fondin e Komitetit Antifashist Çam, dosja 50, viti 1944), i shoqëruar nga profesori italian, Antonio Baldaci, në vitin 1906 bënë një udhëtim nëpër viset e Çamërisë dhe arritën deri në periferi të fshatrave të Janinës. Qëllimi i rumunit në këtë udhëtim ishte studimor... Burileano mendonte se në mungesë të burimeve dokumentare, do të siguronte informacion rreth objektit të temës së tij nga kontaktet me banorët vendës çamë. Kjo e shtyu studiuesin rumun që të kalonte bashkë me profesorin italian fshat më fshat e stan më stan. Ata ndryshe nga parashikimet e tyre, hasën në vështirësi serioze në komunikimin me banorët vendës, qofshin këta myslimanë apo të krishterë. Dy të huajt nuk arrinin të komunikonin as në gjuhën greke, as në gjuhën rumune e as në gjuhën italiane.
Këtë befasi, që Burileano vuri re në Çamëri, e shprehu me këto fjalë në veprën e tij: "Mbeta memec se nuk gjeta asnjë njeri të fliste gjuhë tjetër, veç shqipes", (Po aty).
Edhe "Enciklopedia e madhe greke" pohon se banorët e Çamërisë flasin shqip, por me një shqipe që ka një dialekt të veçantë, (Megale Ellenike Encyklopedia , Vëll.XXIII, 1933).
Në lidhje me ato që shqyrtuam më sipër, e shohim me vend të përmendim sa për ilustrim edhe disa burime të tjera historike: Udhëtari francez, Zhak Puzhad vë në dukje: "Suliotët flasin vetëm shqip. Shqipja është gjuha e tyre dhe ata e quajnë vehten shqiptarë. Edhe Mendelson Bartoldi, pohon: "Suliotët janë pasardhës të krishterë nga kombësia çame".
Historiani P.Aravantinos në veprën e tij (P.Aravantinos, "Chronographia tes Epiroi") na sjell njoftime të hollësishme për strukturën etnike dhe fetare të popullsisë së vilajetit të Janinës, ku bënte pjesë edhe Epiri historik. Këtu janë renditur të gjitha vendbanimet e vilajetit të Janinës të ndara në kaza, fshat ose qytet, numri i shtëpive, fenë e banorëve dhe gjuha që flitej prej tyre. Njoftimet e këtij kronisti tregojnë se në mesin e shek.XIX në vilajetin e Janinës banonin 78.371 familje, nga të cilat 47.066 familje shqiptare (60%) dhe 31.305 familje greke dhe vllehe (40%). Banorët shqiptarë (47.066 familje) ndaheshin në 35.343 familje myslimane dhe 11.723 familje ortodokse. Nga regjistrimi i P.Aravantinos del se në sanxhakun e Delvinës, ku bënte pjesë edhe Çamëria, shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese në të gjitha kazatë e saj: në kazatë e Delvinës, Filatit, Paramithisë, Margëlliçit dhe Frarit, të cilat kishin bashkërisht 13.217 familje shqiptare dhe 7030 familje greke.
Edhe historiani vorio-epirot i shekullit XIX, Zotos Mollossos, na jep një pasqyrë të hollësishme të regjistrimeve të popullsisë, që ka bërë për popullsinë e zonës së Paramithisë, Filatit, Margëlliçit e Frarit. Në zonat që përmendëm ai jep një popullsi të regjistruar prej 74.500 banorë, prej të cilëve 35.000 myslimanë dhe 38.000 të krishterë ortodoksë, në masën më të madhe shqiptare.
Një autor tjetër grek i fillimit të shek. XX, P.K. Lougika, arrin në veprën e tij në të njejtat përfundime, që kishin arritur paraardhësit e tij Mollossou etj., se e folmja e gjuhës shqipe kishte një shtrirje të gjerë në Çamëri, të cilën ai e lokalizon nga Rahovica e poshtë, si dhe vendet në bregun e djathtë të Kalamajt flasin gjuhën shqipe. Dhe si për ta ilustruar mendimin e tij, autori tregon se një fshat i madh i krishterë, Leftehori, fliste shqip.
Deri në ditët tona në More dhe në Greqinë e Veriut është ruajtur një këngë shqipe, ku midis të tjerash thuhet:
Kjo gluha arbërishte
Është gluhe trimerishte
E flit Navarko Miauli
Boçari dhe gjithë Suli

Për çështjen e të folurit të gjuhës shqipe nga shqiptarët në Epir, përfshirë edhe Çamërinë, po sjellim një dëshmi të kryeministrit grek Venixellosit. Ai duke qenë kryetari i delegacionit grek në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, nën presionin e fortë të rretheve patriotike shqiptare dhe të delegacionit shqiptar, me dashje ose pa dashje, u detyrua të deklaronte më 24 shkurt 1919 përpara Kryetarit të Konferencës së Paqes se në qeverinë e përkohshme që ai pat krijuar në Selanik, ishin gjenerali Danglis dhe admirali Kunderjoti, që të dy me origjinë shqiptare. E më pas deklaroi se Kunderjoti "përdorte gjuhën shqipe kur shkonte tek e ëma, sepse kjo flet vetëm shqip"(A.Puto, Çështja shqiptare… Volumi i 3-të, Tiranë 2001, faqe 143)

Çamëria Nr.4

Ekskluzive/ Në vazhdim jepen pjesë nga dëshmi e dokumente arkivore të studiuesit, Hajredin Isufi, lidhur me lashtësinë e popullsisë çame në trojet e veta, zakonet, mënyra e jetesës, traditat, ndryshimi i dhunshëm i besimit fetar, toleranca fetare, shfarosja shoviniste e deri tek kalvari i shpërnguljes së dhunshme nga tokat e tyre.

Arkivat greke
Urdhri: Ndalohet përdorimi
zyrtar i shqipes në Çamëri!

Një nga meritat e ruajtjes së identitetit kombëtar përballë persekucionit zyrtar shtetëror grek, për popullsinë autoktone çame, është përdorimi e ruajtja me fanatizëm e gjuhës shqipe. Dokumente të shekujve më parë e deri të ditëve tona, në Arkivin Qendror Shqiptar, si dhe të arkivave greke, franceze, turke, angleze etj., jo vetëm sjellin dëshmi të bollshme në këtë aspekt, por konfirmojnë një qëndresë stoike përballë persekucionit sistematik të qarqeve me pushtet në Greqinë fqinje. Mes qindra dokumenteve, me interes është dhe një Urdhëresë (Qarkore) e Prefektit të Thesprotisë, nxjerrë nga Arkivat Shtetërore Shqiptare. Ja si shkruhet midis të tjerave:
"Kemi konstatuar se në zyrat komunale, në ato shtetërore dhe në mbledhjet publike, nuk flitet gjuha greke. Kjo është për të ardhur keq dhe mund të thuhet se përbën përbuzje kundër gjuhës së pavdekshme greke, e cila për shekuj me radhë ka treguar se ka vlerat e saj. Në mbledhjet publike, të flitet greqisht. Gjuha greke është më e ëmbla dhe më e çmueshmja. Ajo është gjuha e perëndive dhe e universiteteve, gjuha e diturisë. Me këtë rast i tërheq vërejtje çdo patrioti grek dhe i bëjmë thirrje ndërgjegjes suaj, që të ndihmoni për të zhdukur të keqen. Ju urdhërojmë që, në çdo mbledhje publike, në kafene dhe në tregje, në zyrat komunale dhe në zyrat e tjera të shtetit, të flitet vetëm gjuha greke. Nga ana tjetër është e pakuptueshme për grekët, që në Çamëri janë grekërit, të mohojnë gjuhën më të pasur e më të ëmbël...".
("Qarkore e prefektit të Thesprotisë drejtuar gjithë shtetasve dhe zyrave administrative në Çamëri". Marrë në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, (AMPB, T.) Tiranë; Fondi: Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, Dega e Parë, viti 1945, dos.Nr 17-18, f. 23).
Por përballë këtij fakti, përballë një trysnie të shumëfishtë popullsia çame, që më vonë u shpërngul dhunshëm nga trojet autoktone, mundi të ruajë me fanatizëm gjuhën, zakonet e traditat .
Kujtim Boriçi

Përpjekjet e rretheve patriotike çame për të hapur klube patriotike dhe shkolla shqipe, qeveria greke i pa si një rrezik serioz që i kanosej Greqisë nga ana e shqiptarëve. Qarqet shoviniste greke në këtë kohë deklaronin hapur se, për shkrimin e gjuhës shqipe duhej përdorur alfabeti i greqishtes... Reaksioni grek shkonte edhe më tej, duke deklaruar se shqipja nuk ishte tjetër veçse një dialekt i gjuhës greke.
Kleri ortodoks grek, mohonte krejtësisht kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe, duke propaganduar se të gjithë ortodoksët janë helenë, se gjuha shqipe s'është gjuhë e Perëndisë, është e mallkuar nga Zoti.
Athina , ashtu siç kishte vepruar në shekullin XIX-të kundër gjuhës shqipe tek arvanitasit në Peloponez, në të gjithë Salaminën, në një zonë të Egrinës, si dhe tek shqiptarët që ishin në Laoni,Vardhasi, në fushën Elios etj., ndërmori një sulm frontal edhe kundër ortodoksëve shqiptarë, që flisnin gjuhën amtare shqipe në Çamëri, për t'i detyruar të flisnin greqisht dhe të deklaroheshin helenë.

Detyrimi: Për shqiptarët Çamë, shkolla greke

Qeveria greke, në bashkëpunim me Patriarkanën e Stambollit, në fshatrat ortodokse në Çamëri, si dhe në fshatrat e përziera, kishte filluar të hapte shkolla greke qysh në vitin 1850. Në fshatin Grikohor, një fshat i madh me 150 familje të përziera, myslimane e të krishtera dhe ku në të dy besimet, shkruan Zotos Mollossos, flitej vetëm gjuha shqipe, në çerekun e fundit të shekullit XIX u hap një shkollë greke, e cila po i helenizonte ortodoksët (V.Baras, "To Delvino tes Voreiou Eperirou kai geitonikes tou perioches", Athinai, 1966, f.143, 339; G.Kastella, "Histoire des Ballkans, XIV-XX", Paris, 1991, f.160, 261).
Pas vitit 1881 qeveria greke u përqendrua në një veprimtari propagandistike në gjirin e popullsisë shqiptare të Shqipërisë së Poshtme, që synonte në radhë të parë të çrrënjoste shqiptarizmin në atë trevë dhe të mbillte urrejtjen dhe përçarjen midis vetë shqiptarëve të krishterë e myslimanë. Në pararojë të kësaj veprimtarie vazhduan të qëndrojnë, si gjithmonë, kisha dhe shkolla greke, të cilave pushteti osman dhe vetë Sulltani u kishte siguruar status të veçantë (V.Baras, po aty).
Frekuentimi i shkollave shqipe, që ishin hapur pas vitit 1909 në shumë qendra e fshatra çame, e shtyu Athinën të dendësonte punën për të minuar hapjen e shkollave shqipe dhe për të hapur kudo shkolla greke…
Në këtë drejtim u shqua veçanërisht kleri grek, i cili u bë zëdhënësi më i besuar i politikës greke për helenizimin e trojeve shqiptare dhe aneksimin më vonë të tyre. Kështu p.sh., mitropoliti i Paramithisë, Neofiti, në një raport zyrtar, të datës 27 korrik 1909, mbi gjendjen e shkollave nën juridiksionin e mitropolisë së tij në fshatrat e krishtera, ngulte këmbë që, "të mos dërgoheshin mësues shqipfolës në fshatrat e mitropolisë së tij ku flitej shqip, se ata nuk mund të kontribuonin në mësimin e gjuhës greke, siç është qëllimi i çdo shkolle", (V.Baras, G.Kastella, po aty).
Priftërinjtë grekë shkonin nëpër fshatra ku flitej vetëm gjuha shqipe e u lexonin të krishterëve shqipfolës liturgjinë dhe lutjet greqisht…
Feja nisi të mbjellë përçarje midis dy komuniteteve. Misionarë të kësaj fushate u bënë klerikët dhe kishat. Në Çamëri, midis myslimanëve dhe të krishterëve synohej të krijohej një hendek i madh. Sharjet, fyerjet, shpifjet nga ana e propagandës greke ishin poshtëruese dhe shumë prej tyre popullarizoheshin e bëheshin publike në gazetat e botimet greke. Grekët predikonin se "myslimani, sa kohë është gjallë, mban erë turku dhe kur vdes nuk kalbet në varrin e tij, por ngjallet e bëhet derr... Ai i krishterë që merr grua një myslimane, kisha i mohon vajin që e ka kunguar prifti gjatë pagëzimit dhe gruaja e martuar me mysliman kudo që shkon, gjatë gjithë jetës së saj, do të mbajë njollën e turpit", (V.Baras, G.Kastella, po aty).
Kjo urrejtje patologjike kundër shqiptarëve e shtyu Athinën që të koordinonte veprimet me xhonturqit, kundër shkollës e gjuhës shqipe dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Dhuna shtetërore e kleri, me gjithë rezistencën, solli deri diku edhe detyrim të ndalimit të dhunshëm të gjuhës shqipe në disa shkolla të Çamërisë. "Në Llakën e Sulit, disa fshatrave të krishtera që flisnin gjer dje gjuhën shqipe, mësojmë se me nxitjen e kishës, dhe më shumë të komiteteve të Megali Idesë, iu ndalua të flisnin gjuhën shqipe", (Arkivat, V.Baras, G.Kastella).

Ndryshim i dhunshëm i toponimeve shqiptare

Në vitet që pasuan, Athina nisi t'i intensifikojë veprimet e saj për pushtimin e Çamërisë me forca ushtarake dhe përpjekjet për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Çamëria. Ndërkohë qeveria greke, për të shuar e zhdukur çdo gjurmë të etnisë shqiptare në Çamëri, mendoi të ndryshojë toponiminë e emrave të fshatrave, një pjesë e mirë e të cilëve shpjegohen me fjalë të leksikut të shqipes. Po përmendim disa prej tyre, si Gurrëz, Vreshta, Ledhëz, Rrapez, Grika, Rrezanj, Grikohor, Arpicë, Arvenicë, Mazerrek, Varfanj, Lopës, Gardhiq, Morfat, Spatharat, Sharat, Nënshat. Fshatit Gurrëz, ia ndryshuan emrin në Paleokastër e Sipër, fshatit Picar në Aetos, Koriqanit në Ahllavija, Skupicës në Kestrinë, Lopsit në Asproklisi, Spatari në Trikorfo, Galbaqit në Elaia, Dolanit në Jeroplatanos, fshatit Vreshta në Andelia, Salicës në Llaka, Peshtani në Kriovrisi, Smokovina në Sikohor, Kuçi në Poliner-i, Arvenica në Argirotopos, Nista në Faskomilia, Arpica në Perdhika, Vola në Sivota, Rrapeza në Anthusa, Vrastova në Paleokastro, Kurtesi në Mesovuni, Minina në Nerajdha, Curila në Kalithea, Rezanji në Shën Aji, Ledheza në Ladhohor, Varfanji në Parapotam, Koshovica në Shën Maria, Luarati në Katavothër etj., etj.
Autoktoninë e shqiptarëve në krahinën e Çamërisë e shprehin edhe toponimet e shumta, që janë me origjinë shqiptare, si p.sh., Ledhëza (fshat në Gumenicë), Rrapëza (fshat në Pargë). Në fshatin Kastri të Gumenicës, edhe sot e kësaj dite në kujtesën e banorëve ruhen toponimet: Bregu, Gropa, Gura, Driza, Guri i Glate, Shkalla e Manoles, Gropa e Jorgaqit, Grava e Demit, Palo Vreshtat, Lisi i Lorit, Prroi i Thellë, Gropa e Madhe, Bira e Vllahut.

Doket dhe zakonet. Besa

"Doket dhe zakonet e myslimanëve dhe të krishterëve në Çamëri, shkruan Vasil Krapsiti, janë të njëjta dhe këto ishin në vazhdimësi të një tradite të lashtë". Ato nuk ndryshonin fare nga ato të shqiptarëve dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me ato të grekëve. Në radhë të parë, dua të ve në dukje një veçori karakteristike që e has në çdo shtëpi çame: furrën tipike, të ndërtuar me baltë, për pjekje. Institucioni i Besës, dhe në krahinën e Çamërisë, ishte si në gjithë krahinat e tjera të vendit.
"Institucioni i Besës, që është një veçori karakteristike e shqiptarëve, luajti një rol të madh në rregullimin e marrëdhënieve shoqërore edhe në Çamëri. Çdo i huaj që shkel tokën çame, turk, evropian, grek apo kushdo qoftë, që guxonte të kalonte në territorin çam, do t'i sigurohej mbrojtje kur i jepej besa. Ai, shkruan Bartholdy, do të gjente mikpritje dhe siguri, (Bartholdy, vep.e përm., f.246).
Sipas zakonit shqiptar, edhe në Çamëri, asnjë çam, qoftë ky mysliman apo i krishterë, nuk guxonte ta prekte jabanxhiun, që ishte në besën e një çami tjetër. Në emër të besës, në të gjithë hapësirën çame, hasim edhe të drejtën e strehimit. Azilin, për një person që ndiqej nga qeveria turke, ishin të detyruar ta respektonin jo vetëm bashkësia e fisit ku ishte strehuar, por gjithë fshati.
Se sa të fortë e kishin shqiptarët çamë besën, po sjellim një shembull: Foto Xhavella, Kapedani i Sulit, në një rast që ishte rob tek Ali Pasha në Janinë, nën presione të forta të Pashait, në vitin 1803 u detyrua të shkonte nga Janina për në Sul, duke i lënë peng të birin Aliut. Ai u dërgua kundër vullnetit të tij nga Pashai i Janinës për të bindur suljotët, me autoritetin që gëzonte, t'i dorëzoheshin Aliut pa qëndresë. Foto Xhavella, sapo arriti në Sul, mblodhi kuvendin suliot dhe u tha: "Jam dërguar nga Ali Pasha, t'ju bind juve të dorëzoni Sulin. Propozimin e tij, unë e pranova t'ua përcjell juve, por unë s'do ta pranoj kurrë atë që dëshiron valiu i Janinës, megjithëse për mua është e rëndë, se nuk e mbajta besën, fjalën e dhënë. Por është hera e parë që e shkel atë dhe këtë e bëj ndaj një tirani, që na ka mashtruar në besë disa herë", (K.Kristovasili, "Ta iroika thaimata ton Soulioton kai Souliotidhon", En London, 1887, f.182).
Foto Xhavella, në fjalët e fundit të tij don t'ju tregojë suliotëve se ai nuk e kishte në shpirt pabesinë, se ai e dinte se sa e rëndë ishte për shqiptarin ta quash të pabesë. Xhavella, përballë sundimtarit të vilajetit të Janinës, që u kishte shkaktuar aq vuajtje e mjerim suliotëve, ishte i qetë me ndërgjegjen e tij dhe nuk ndjente asnjë fyerje në karakterin e tij, që nuk e kishte mbajtur fjalën e Ali Pashës.

Hakmarrja

Zakoni i hakmarrjes, si në shumë vise shqiptare, ishte mjaft i përhapur edhe në krahinën e Çamërisë. Hakmarrja, shkruan Mit`hat Frashëri, ka shërbyer deri në njëfarë mase si institucion rregullues, i aftë për të ngjallur respekt për njeriun dhe për të parandaluar të keqen.
Hakmarrja kishte ligjet e veta të pashkruara, por që respektohej plotësisht. Zakoni i hakmarrjes, ose i marrjes së gjakut, ishte një detyrim dhe gjaksi mund t'i nënshtrohej me përulësi. Në Çamëri shpesh plasnin grindje midis dy familjeve të së njëjtës farë, një lagje me një lagje tjetër, një fshat me një tjetër. Këto grindje shpesh ndizeshin për shkak të shkeljes së besës, mos mbajtjes së fjalës së dhënë, të prekjes së kullotës, të vrasjes së një qeni, të goditjes së një personi për çështje nderi ose prekjen brenda territorit të juridiksionit të personit ku kishte bujtur. Individi a fisi që prekej, mbrojtjen e tij nuk mund ta gjente me anën e organeve të ligjit, sepse mungonte shteti i së drejtës, kështu që, problemi merrte rrugën e zgjidhjes me anën e vetëgjyqësisë me armë.
Gjakmarrja në pabesi në Çamëri, si në të gjitha viset shqiptare, dënohej ashpër. Bartholdy vë në dukje se, për atë që vret në pabesi, çamët kanë ligje të ashpra. Atë e dënojnë me gjobë të rëndë, shkatërrojnë madje edhe shtëpinë dhe e ndalojnë për ta rindërtuar atë". Ky zakon ndaj vrasësit në pabesi, shkruan Pukëvili, tek çamët vazhdoi derisa Çamëria u vu nën sundimin e Ali Pashës në vitin 1813.
Studiuesit e huaj, zakonin e egër të hakmarrjes në Çamëri, "rebelimet e tyre të shpeshta, përgjithësisht ia atribuonin shpërdorimit të besës". Hobhaus, një tjetër anglez, ndan të njëjtin mendim me bashkëkombësin e tij, Martin Leake, duke shtuar se "tradhtia është një ves që zor se e gjen mes tyre".

Pajtimi

Ndërmjetës për t'u dhënë fund konflikteve të tilla në Çamëri bëheshin edhe gratë. Shqiptaret çame, ambasadoret e paqes, të veshura me respektin publik, thotë Pukëvili, kalonin pa rrezik dhe pa frikë në frontet e luftës, vijat e zjarrit, dhe nuk njihej ndonjë rast që të ishte prekur ky seks (Pouqueville, Voyage..., vep e Vëll.I, f.566-567). Bisedimet zhvilloheshin në odat e krerëve të fiseve, gra me gra, dhe me lotët që rridhnin pareshtur nga sytë e tyre. Në vend që të bënin diskutime, ato qanin, nxirrnin në shesh mjerimin e përbashkët të familjeve të tyre, psherëtinin për fatin e burrave të humbur që ishin pothuaj vëllezër, ose të të afërmve të tyre, mbasi lidhjet e të njëjtit gjak ishin mjaft të përhapura mes shqiptarëve (marrë nga Pouqueville, Voyage..., vep.Vëll. I, f. 567-568).
Duke pasur të njëjtin interes, thotë më tej Pukëvili, ato dëshironin pajtimin, që do t'u mbronte atyre burrat, djemtë, vëllezërit dhe të mirat. Ato venë e nxisin për të shkuar pranë burrave të zemëruar djemtë dhe vajzat, që u drejtojnë atyre lutje të prekshme. Dhe bisedimet e tyre, të denja për qytetërim më të lartë, rrallë mbaronin pa sukses. Inatet dhe zemërimet, sado të mëdha, binin ndaj zërit lutës të fëmijëve dhe palët shpërndaheshin. Vendosej paqja. Mendimi i çamëve ishte se, lufta dhe paqja ishin të mira ose të këqija të përkohshme. Ky ishte një zakon çam.
Pajtimi mes fiseve dhe individëve në Çamëri bëhej, shpesh, atëherë kur shtrohej nevoja e kompaktësisë së fiseve për të përballuar armikun që rrezikonte vendin, nderin dhe lirinë. Në këto raste ndërhynin krerët e fiseve dhe njerëzit më me influencë për pajtim. Falja bëhej në prani të kryepleqve me emër të dy fiseve ose të dy fshatrave.

Marko Boçari fali gjakun

Në Çamëri ndodhte shpesh që edhe vetë marrësi i gjakut ta falte gjakësorin, kur shihte se armiqësia mes tyre dëmtonte interesat e vendit, ose bëhej shkak për shuarje familjesh e fisesh të tëra. Fisi i madh i Boçarenjve në Sul, ishin në armiqësi e gjakmarrje të vjetër me fisin e Bakallenjve, sepse Gogo Bakalli i kishte vrarë të atin Marko Boçarit. Armiqësia mes dy fiseve të mëdha suliote kishte vazhduar për vite me radhë, në të gjitha veçoritë e hakmarrjes të zakoneve çame. Këta dy fise ishin në armiqësi, por secili prej tyre nuk kursente asgjë për të mbrojtur Sulin nga rreziku, madje edhe duke u flijuar për të. Në një rast, kur komanda turke në Janinë përgatitej të sulmonte Sulin me forca të shumta e ta pushtonte atë, Marko Boçari, njeri nga kapedanët kryesorë suliotë, kur pa se Suli dhe jeta e nderi i suliotëve ishte në rrezik, gjykoi e kërkoi që hasmëritë e vjetra duhej t'ia linin vendin bashkimit dhe të harroheshin të shkuarat. Në këto rrethana Marko Boçari, përballë interesave të bashkësisë suliote, ndërmori një vendim sa të mençur, aq edhe burrëror: vendosi t'ia falte gjakun e babait të tij vrasësit, Gogo Bakallit. Boçari, ndërkohë, me anën e dy kapedanëve suliotë, Kutuli dhe Janaq Rangon, e ftoi në një takim Gogo Bakallin, armikun e tij, dhe në prani të dy kapedanëve të tjerë, shtriu dorën për t'u pajtuar. Dhe ashtu të katër, siç ishin, në atë çast solemn të pajtimit, hartuan planet për të sulmuar taboret turke në kampet e Janinës (Arkivat, S.Mela "To lintari…", Vepra, Vol.1, faqe 390).

Të huajt, për bashkësinë çame

Udhëtari anglez, Valentino Chirol (Çajrëll), bëri një shëtitje në vitin 1880 nëpër të gjithë krahinën e Çamërisë. Ai u gjend mes çamëve në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Udhëtimi i tij i fundit në këtë kohë ishte zona e Margëlliçit. Ai, nga paria shqiptare e vendit dhe në mënyrë të veçantë nga Vesel Pashë Dino, njeri nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mësoi se në fshatin Mazrrek do të bëhej një manifestim i madh, ku do të shprehej qëndresa e vendosur e shqiptarëve për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë nga trualli shqiptar në Shqipërinë e Poshtme.
Anglezi, nga kontaktet e para që pati me çamët në kazanë e Margëlliçit, krijoi bindjen e plotë se ata qëndronin si roje të vendosura në Jug të Shqipërisë dhe kishin për detyrë të mbronin deri në pikën e fundit të gjakut të tyre, vendin e nderit e të rrezikut që u ishte besuar.
Anglezi konstatoi se qëndresa çame, që rritej dita-ditës para syve të tij, "nuk shprehte urrejtje për helenizmin, përkundrazi, shkruan ai, ata në shumë mënyra kishin ndjerë influencën e kulturës helene për të mirë. Ata ia detyrojnë asaj shumë nga edukimi i tyre që zotëronin". Dhe më tej, vazhdon: "Por nuk kanë qenë të prirur të sakrifikonin të drejtat e tyre për qëllimet e politikës së Athinës. Po t'i trajtonte Greqia ato mbi baza barazie, nuk do të kishte asgjë që t'i ndalonte nga një lidhje e ngushtë midis kombeve...", (V.Chirol, "Vepra e përmbledhje", Faqe.390).
Konkluzioni që kishte arritur anglezi, ishte mëse i vërtetë. "Çamëve nuk u interesonte të shkëmbenin sundimin e Stambollit me atë të Athinës. Dhe për të parandaluar një përfundim të tillë, çamët u mbështetën jo vetëm në armët e tyre, por edhe në ato të shqiptarëve në veri të lumit Kalama, interesat themelore të të cilëve ishin njëlloj në rrezik me të tjerët, por në drejtësi të Evropës",- dëshmon më tej studiuesi anglez.
Është e qartë se ajo që e frymëzonte këtë lëvizje të fuqishme nuk ishte fanatizmi fetar kundër fqinjëve të tyre helenë, por zgjedhja e tyre kombëtare, e cila tek shqiptarët ishte më e fuqishme sesa në të gjithë vendet e Lindjes.
Dhe tani, le të kthehemi tek mbledhja e madhe e Mazrrekut dhe në një dukuri interesante të pajtimit të gjaqeve, që manifestuan personat që ishin në hasmëri mes tyre.
Ja si e sjell në shënimet e tij besëlidhjen e Mazrrekut, studiuesi V.Chirol: "Disa-qindra malësorë çamë, mes tyre edhe figura të shquara të Margëlliçit, Mazrrekut, Karbunarit, Luaratit, Pargës dhe Prevezës, ecnin drejt vendit ku ishte caktuar mbajtja e Kuvendit të Madh Popullor. Ata i printe Vejsel Pashë Dino, hipur në një kalë të bardhë dhe rrethuar nga paria e vendit, të cilët për nga veshja e stolitë që mbanin, dalloheshin nga të tjerët. Ndërkohë, shkruan Çajrëll, turma ecte duke lëshuar thirrje mbrojtjeje me luftë të territoreve shqiptare, duke shkrehur në ajër pisqollat e tyre me tytat e gjata që i ndiznin me fitil. Çamët manifestues, që ishin rreth 2 mijë vetë, shkruan anglezi, zunë vend nën hijet e ullinjve, të cilët stolisnin rreth e rrotull një lëndinë. Ishte befasuese pamja e atyre malësoreve të gjatë e të pashëm, të zbukuruara me fustanellat e pastra e me xhaketat e qëndisura. Qëndrimi i tyre krenar, bile më shumë se armët e tyre të ngjeshura në brez, tregonte qartë se ishin të një race të shquar luftëtarësh, të cilët as Ali Pasha nuk kishte arritur t'i nënshtronte plotësisht.
...Fjalët e tij (V.P.Dinos), merrnin krahë e fluturonin. Ai dukej sikur aspironte në shpirtrat e çdo njeriu që ndodhej aty, derisa erdhi fjala e fundit, kur çdonjëri prej tyre vazhdonte të përsëriste atë me gjithë shpirt: Rroftë autonomia e Shqipërisë!".
Ndër skenat më befasuese për të huajt, ishte pajtimi : "...ndërmjet malësorëve të mbledhur në livadh, ishin edhe shumë nga ata që u përkisnin fshatarëve e familjeve që ishin në gjakësi të vjetër. Solemnisht, këta që kishin qenë armiq të egër deri dje iu afruan Pashait dhe e detyruan veten që me puthjen e faqes, të hiqnin dorë botërisht nga hasmëria e tyre, përballë rrezikut kombëtar. Një gjë e tillë nuk ishte parë ndonjëherë, më tha Pashai. Dhe, dëgjo këtu,- shtoi ai, duke më treguar një malësor të shkurtër,- këta janë ortodoksë... sot ata kanë ardhur pa u thirrur në këtë festë. Por kur të shpërndajnë armët, unë do t'ua jap me të njëjtin besim si Pjetrit, ashtu edhe Ahmetit".
Nga pasazhet që përshkruam, dy janë konkluzionet kryesore:
Së pari, çamët nuk prireshin nga fanatizmi fetar dhe urrejtja kundër helenëve, fqinjëve të tyre. Çamët nuk i lejonin vetes të bëheshin as skllevër të Perandorisë Osmane, as grekë dhe as turq. Ata, në radhë të parë, siç thotë Çajrëll, ishin shqiptarë e pastaj pasues të Profetit.
Së dyti, edhe çamët myslimanë, ashtu si edhe bashkëkombësit e vet të krishterë, kur ishte në rrezik vendi, e fshinin hasmërinë me puthjen e paqes.
 
Vëllamëritë e martesat forconin kompaktësinë çame
 
Ekskluzive/ Në vazhdim, jepen pjesë nga dëshmi e dokumente arkivore të studiuesit, Hajredin Isufi, lidhur me lashtësinë e popullsisë çame në trojet e veta, zakonet, mënyra e jetesës, traditat, ndryshimi i dhunshëm i besimit fetar, toleranca fetare, shfarosja shoviniste e deri tek kalvari i largimit të dhunshëm nga tokat e tyre.

Nga viti 1900 e më pas, për popullsinë shqiptare të Çamërisë në trojet autoktone nisin vitet e vështira të mbijetesës. Kështu që, siç del dhe nga dokumentet e shumta të arkivave vendase e të huaja, përballë këtij persekucioni, banorët u detyruan të forconin lidhjet e miqësinë, të ruanin gjuhën, traditat, të jenë më kompakt, duke filluar që nga organizimi fisnor.

"Organizimi fisnor tek shqiptarët e Shqipërisë së Poshtme, ishte i njëjtë me atë të viseve të tjera shqiptare. Pukëvili, ndarjen e shqiptarëve të Sulit në fise e vlerësonte si një traditë mbarëkombëtare. "Organizimi fisnor i çamëve është një traditë mbarëshqiptare me origjinë të vjetër (Pounqueville, "Vepra e përmbledhje", Vëll.2, faqe 211). Mendim të njëjtë me historianin francez ndanë edhe studiuesi i njohur, Milto Kurtinianni, në veprën e tij (Milto Kurtinianni, "To pasaliki tou Joaninou stin epohi tou Ali Tepelena", (1788-1822), f.112)

Remerand thotë se Çamëria, megjithëse ra nën sundimin osman, ajo nuk ndryshoi asgjë nga organizimi fisnor i saj i mëparshëm. Feudalët e rinj të islamizuar, ecën në traditën e paraardhësve të tyre të krishterë, të cilët jetonin si sovranë të vegjël e të pavarur. Ata nuk njihnin autoritetin e pashallarëve të emëruar prej Portës së Lartë, por nga ana tjetër, për sa kohë që nuk kishin prej tyre ngacmime, nuk shfaqnin ndonjë qëndresë armiqësie. Por kur pashai ngatërrohej në punët e tyre, të gjithë këta të fundit formonin një front të përbashkët kundër të njëjtit armik. Kështu formohej ajo që quhej "Lidhja Çame", (G.Remerand, "Les grandes figuresde lorient", Tom II, Paris).

Milto Kurtinianni kur ndalet tek organizimi fisnor në Çamëri, thekson se komuniteti ishte i ndarë në fise, por udhëheqësit e tyre nuk mungonin të bashkoheshin me të tjerë të jashtëm, për fuqizimin e pozitës së tyre dhe për të rritur influencën në zonën e tyre . Fiset në Çamëri, si në mbarë viset shqiptare, ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Çdo familje mbronte shtëpinë dhe pronën e tij. "Në Paramithi, çdo fis ka juridiksionin e tij. Fiset e mëdha kanë dhe influencë më të madhe në çështjet publike, (Bartholdy, Voyage... vep.e përm., f.245).

Familja ishte baza e shoqërisë. Kryetari i familjes ishte burri. Ai drejtonte familjen e vendoste për çdo gjë. Ai mbronte jetën, nderin dhe pasurinë e familjes. Gruaja kishte pozitë inferiore. Ajo lindte fëmijë, merrej me rritjen dhe edukimin e tyre e me punët e shtëpisë. Gruaja ishte nën urdhrat e dyfishtë të burrit dhe të vjehrrës. Kjo dukuri transmetohej nga brezi në brez.

Klasat në Çamëri

Sistemi i klasave ekzistonte kudo në Shqipëri, por në Çamëri kishte dukuritë e veta karakteristike. Në Çamëri, klasa më e lartë ishte ajo e ushtarakëve dhe e pronarëve të mëdhenj të tokave, që pasuroheshin jo vetëm nga trofetë e luftërave dhe dhuratat që u ofronte Porta e Lartë, siç i vumë re edhe në kapitullin e mëparshëm, por pasurohej edhe nga pjesa që i përkiste nga prodhimet e çifligut të tij, si dhe nga shitja e prodhimeve të çifligjeve ose dhënia me qira e kullotave. Çifligarët më të mëdhenj të Çamërisë, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, ishin Dinenjtë dhe Pronjatët e Paramithisë, Çaparenjtë e Luaratit, Dematët e Sejkatët e Filatit, Daljanenjtë e Konispolit. Pas tyre vinin pronarët e mesëm. Në Çamëri kishte dhe pronarë të vegjël që punonin vetëm tokat tyre, ndërsa të tjerët kombinonin tregtinë me punët e bujqësisë.

Shumica e barinjve dhe e bujqve, kur i mobilizonin bejlerët e Çamërisë, ishin të prirur të linin mënjanë kërrabën e parmendën dhe të rrëmbenin pushkën e shigjetën. Kjo kategori e kësaj shtrese përbënte kontigjentet e luftëtarëve të Çaparenjve, të Dinenjve e të Daljanenjve që në çdo rast, secili prej tyre mund të vinte nën komandën e vet rreth 2000 forca të armatosura.

Arsyeja kryesore e ekzistencës së këtij dallimi të fortë klasor, ishte se pronësia në Shqipëri ishte e trashëgueshme. Djemtë e çifligarit i trashëgonin çifligjet e tyre. Në Çamëri nëse çifligari nuk kishte as djalë e as nip, atëherë i trashëgonte dhëndëri i vajzës së madhe. Në qoftë se nuk kishte as vajzë e as mbesë femër, atë e trashëgonte një mashkull i farefisit.

Lidhjet martesore

Ashtu si në viset shqiptare, edhe në Çamëri, i biri i një çifligari martohej me bijën e çifligarit. Ai kurrsesi nuk mund të martohej me bijën e një zejtari. Edhe një bari a bujk, nuk mund të martohej me bijën e një çifligari. Ky ligj, i pashkruar, ishte i prerë. Asnjë nuk mund të vepronte ndryshe. Ky ligj ishte vendosur në shekuj dhe nuk kërkonte aprovim tjetër. Po të vëmë re lidhjet martesore në Çamëri, ato bëheshin brendapërbrenda klasave që përfaqësonin. Kështu p.sh., familja e madhe çifligare e Dinenjve të Paramithisë, kanë dhënë e marrë tek familja e madhe e Dematëve në Filat. Ndërkohë Dematët krijuan lidhje martesore duke marrë tek familja e madhe e Daljanenjve të Konispolit. Lidhje martesore Dematët krijuan gjithashtu edhe me dy familje bejlerësh dhe me të Delvinës: me Kokët dhe Kallapodhët. Këto lidhje familjare mes dyerve të mëdha në Çamëri i bënin edhe më të qëndrueshme e më të forta aleancat e tyre nw "Lidhjen Çame".

Vëllamëria

Në Çamëri, fisi nuk ishte krejt i mbyllur për anëtarët e fiseve të tjerë. Ata pranonin anëtarë nëpërmjet vëllamërisë. Vëllamëria, shkruan Edit`h Durham, ishte zakon shumë i vjetër i përhapur gjerësisht në Shqipërinë e Veriut e të Jugut, (E.Durham, "Brenga Ballkanike dhe vepra të tjera për Shqipërinë", Tiranë 1990, f.155) .

Vëllamëria në Çamër ishte shumë e përhapur edhe mes myslimanëve e të krishterëve çamë. Bëheshin dy vëllemër, kur kishin të njëjtën moshë, kishin qenë më parë shumë miq dhe mbi të gjitha e çmonin shumë njëri-tjetrin, (K.Kritovasili, "Souliotes kai Labides", Athinë 1905, f.11). Pasi plotësoheshin këto kushte, si dhe dëshira e të dy palëve për t'u bërë vëllemër, duhej marrë dhe miratimi i kryetarëve të familjes, plakut të shtëpisë. Kur këto formalitete mbaronin, vinte çasti i ceremonisë: Dy vëllezërit lidhnin gishtin e vogël të dorës me spango derisa të ënjtej paksa, e shponin pakëz mollëzën e gishtit, e linin të kullonte gjaku, pastaj merrnin pak sheqer, lyhej me gjakun e njërit prej vëllemërve dhe hahej me lugë kafeje. Vëllemërit, pasi merrnin pak gjak nga gishtat e njëri-tjetrit dhe e hanin me sheqer, betoheshin: "Zemra ime, është zemra jote, jeta ime, është jeta jote". Më pas përqafoheshin me njëri-tjetrin, shtrëngoheshin fort e putheshin. Edhe pjesëtarët e dy familjeve të vëllemërve, që ishin prezent, përqafoheshin dhe putheshin dhe uronin njeri-tjetrin me shtrëngime duarsh e fjalët "Për hajër na kloftë" e më pas zbraznin pushkë në ajër. Në atë ceremoni të improvizuar, vëllemërit shkëmbenin dhurata simbolike ndërmjet tyre, si çorape e triko, të punuara me mjeshtëri nga nënat e motrat e tyre. Që nga ky çast vëllemërit konsideroheshin të një gjaku dhe familjet e tyre këto lidhje të reja gjaku i festonin me këngë e vallë e mishra të pjekur, të shoqëruara me pije. Gostia mes vëllemërve e të afërmve të tyre vazhdonte tre ditë. Mes dy familjeve e fisit të vëllemërve nuk mund të bëheshin krushqi.

Vëllamëria midis myslimanëve e të krishterëve në Çamëri, shkruan Niko Zhango, ishte shumë e përhapur, (Niko G.Ziagkos, "I antistasi ton Soulioton kai o Llambro Xhavellas", Athinë, 1968, f.28). Ai tregon se një mysliman në Margëlliç, i quajtur Omer Velija, ishte vëllam me një suljot nga një fis i shquar. Në kujtesën e popullit çam ruhen lidhjet vëllamërore e pjesëtarëve të familjeve të mëdha të parisë së Çamërisë: të Pronjatëve, të Çaparenjve, Dematëve e Sejkatëve, Daljanenjve të Konispolit, Kleftateve të Varfanjit, Hidret e Gardhiqit të Paramithisë, Gërret e Vrohonjatëve, Husot, Haxhinjtë e Kasëmet e Margëlliçit dhe shumë familje të përmendura çame, që kishin vëllemërit e tyre të krishterë jo vetëm në fshatrat e qytetet e tyre, por edhe në zonat e thella, si në Sul e gjetkë. Kështu p.sh., Pantazenjtë e Sulit ishin në lidhje vëllamërie me fisin e madh të Xhematëve myslimanë në Sollopi të Filatit. Vëllamë me të krishterë ishte dhe Avdulla Kasemi nga Margëlliçi, me një të krishterë nga Shenica, Jasin Sadiku (Haxhiu) me Nikollë Manon nga fshati Rrapes, Teofik Qemali nga Karbunari, ishte vëllam me Andon Naçon, Abedin Kupe Xhemali me bashkëfshatarin e tij, Vangjel Kaçilin nga Shulashi etj. (Sp.Melas, "To lintari...", vep.e përm., f.73-97).

Çamët në beteja

Studiuesit e huaj kanë vënë re një dukuri interesante të shqiptarëve çamë në veprimet luftarake. Ishte zakon që kur shkoje në luftë kundër armikut, në më të shumtën e rasteve vihej re një grupim në bazë të lidhjeve familjare e fisnore, që qëndronin pranë njeri-tjetrit në beteja. Bartholdy është një ndër studiuesit e parë që na e përcjell të konkretizuar këtë dukuri. Ai thotë se në mbrojtjen e Artës dhe rrethinave e saj, ishte caktuar Sulejman Çapari, një burrë 85-vjeçar me shtat të lartë, gjigant, që nuk kishte asnjë shenjë tjetër të pleqërisë, veçse mjekrën e bardhë si dëbora.

Bartholdy më tej dokumenton: "Sulejman Çapari shoqërohej nga 12 djemtë e tij, që ishin nga 30 deri në 60-vjeç dhe që shquheshin të gjithë për shtatin e lartë, sikur i ati, dhe po ashtu shquheshin për kurajon dhe forcën e tyre të jashtëzakonshme. Këta, vazhdon më tej Bartholdy, në luftë qëndronin gjithnjë pranë njeri-tjetrit, zakon ky që ishte i përgjithshëm tek ky popull, me qëllim që nëse njeri prej tyre vritej, të tjerët të kishin mundësi t'ia merrnin hakun e ta tërhiqnin të mos e zinte armiku" . Ata edhe në sulm, edhe në tërheqje ishin pranë njeri-tjetrit", ( Bartholdy, vep.e përm., f.243).

Një dukuri e tillë, si ajo që pamë tek Çaparenjtë e Luaratit, ishte e njëjtë edhe tek Daljanenjtë e Konispolit. Mehmet Bej Daljani, nga paria e Konispolit, në mbrojtjen e Prevezës nga forcat e Ali Pashës, mbështetës kryesorë të tij besnikë e që kishte vendosur në pozicionet kyçe, kishte vëllain e vet, Mehmet Bej Daljanin me njerëzit e tij .

I njëjti zakon ishte edhe tek luftëtarët shqiptarë suliotë. Historiani grek i fundit të shek.XIX, Kr.Kristovasilis në veprën e tij (K.Kristovasilis, "The Eroika thainata ton Soulioten kai Souliotidhen", London, 1887), tregon se forcat suliote sa herë që përballeshin me forcat e Ali Pashës, pjesëtarët me lidhje gjaku qëndronin pranë njëri-tjetrit. Historiani grek përshkruan një rast se si njeri nga kapedanët e Sulit, Diamanti Mallami, përzgjodhi 100 trima suliotë nga të vetët dhe i vendosi në pararojë të suliotëve, që vinin nga Parga të ngarkuar me ushqime e armatime për të siguruar mbrojtjen e tyre nga forcat e Ali Pashës, që u kishin zënë të gjitha shtigjet nga mund të hyhej në Sul".

Çamët, pas betejave të suksesshme, kishin për zakon ta festonin fitoren mbi armikun me këngë e valle. Valltar të parë, për të hedhur valle, luftëtarët përzgjidhnin më trimin. Ai jo vetëm hiqte vallen çame, por ia thoshte edhe këngës. Trimi që këndonte kishte një zë të fuqishëm si një britmë luani, e jo si zë njeriu (K.Kristovasilis).

Veshja

Kur flasim për veshjen shqiptare, thotë Faik Konica, ka aq kostume shqiptare sa ka edhe krahina. Vizitorët e huaj, që e kanë shëtitur Shqipërinë e Poshtme, kanë vërejtur se kostumet popullore shqiptare janë të bukura e befasuese. Nuk mund të flitet për kostumet shqiptare në Çamëri, pa përmendur Çajrëllin. Ai ka qenë mes çamëve të krahinës së Margelliçit, në vitin 1880. Ai përshkruan një veshje festive të çamëve, parë në një manifestim të madh popullor, që organizohej në fshatin Mazerrek. Ai në librin e tij shkruan për kostumin kombëtar çam, kontrastin e ngjyrave, që e bënte veshjen çame të bukur dhe madhështore. Lidhur me këtë Çajrëll shkruan: "Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat e fustanellat e tyre, bënin kontrast me livadhin e gjelbër e me armët e tyre të çuditshme, që vezullonin në diell... Shqiptarët dalloheshin vetëm nga këmishat e kollarisura, nga shkëlqimi i xhaketave dhe madhështia e brezave, në të cilat kamat e pistoletat ishin të vëna në një nemur të madh, që nuk dalloheshin dot", (V.Chirol, vep.e përm., f.231-250).

Me interes është dhe përshkrimin që i bën Pukëvili veshjes çame dhe elegancën që u jep ajo banorëve të asaj krahine: "...Udhëtari që do të shikojë ata çamë, që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe një rënie mortaje , do të njohë me vështirësi ata burra të bukur, me ato qëndisma të bukura lara-lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros, të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir...", (Pouqueville, "Voyage...", vep.e përm., vëll.I, f.530).

Kostumi kombëtar çam ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të studiuesve të huaj, por edhe të historianëve grekë. Njëri prej tyre, Spiro Mela, në njërin nga librat e tij shkruan: "Çamët me rrobat e tyre elegante e luksoze, këmisha të bardha të gjata, të qëndisura anash me ar dhe fermeletë, xhamadanët të shkurtër bojë vishnje me shirita të qëndisura me ar e të përpunuar me shije të hollë, me pistoleta të lara me argjend dhe thika të ngjeshura në brez e me guna të gjata...", ( Sp.Mela, "To lintari...", vep.e përm., f.274).

Historiani çam Jani Sharra, kur flet për kostumin karakteristik çam, ndalet edhe në disa detaje më të hollësishme:

"Veshja tradicionale çame, thotë autori, ishte kostumi kombëtar: fustanellat e bardha, kalcat e bukura dyngjyrëshe lidhur me fjongo me xhufkat e mëdha me ngjyrë të zezë, me këmisha të bardha e me mëngë të gjëra, me jelek të zi ose blu... të qëndisur me gajtan, me brezin në mes, ku vendosnin edhe koburen. Në kokë mbanin feste me xhufkë...", (J.Sarras, vep.e përm.).

Përfaqësuesit e krahinës së Çamërisë e kishin për krenari të përfaqësonin atë krahinë në forumet më të larta të kohës. Kështu p.sh., dy nga figurat më të njohura të Çamërisë, Vejsel Bej Dino dhe Abedin Pashë Dino kishin shkuar në Kostandinopojë me kostumet e tyre kombëtare të qëndisur me ar .

Veshja shqiptare në Çamëri, ashtu si në mbarë viset shqiptare, nuk ishte gjithnjë një veshje uniformë. Kostumet kombëtare, që kërkonin copa të shtrenjta dhe punim të hollë artistik, për shkak të gjendjes ekonomike, ishin në gjendje t'i përballonin vetëm klasat e pasura, bejlerët dhe agallarët e Paramithisë, të Margëlliçit, të Filatit, të Luaratit, të Konispolit, Delvinës, Prevezës, Pargës etj. Shtresat e ulëta nuk mund të përballonin një veshje të kushtueshme.

Heinrri Mercey në fillim të shekullit XX (1907) vuri re në Çamëri se, në disa zona, larmia shumëngjyrëshe e veshjeve kombëtare shqiptare dalëngadalë po tjetërsohej për shkak të civilizimit. Tek banorët e Pargës, thotë ai, veshja e tyre ndryshonte nga fqinjët e tyre shqiptarë: "Veshjen pjesërisht shqiptare e ruanin gratë çame vetëm në fshatin Rrapëz dhe Aija, ndërsa fustanella shqiptare vazhdonte të ruhej vetëm tek parganjotët e pasur. Ata që e ruanin veshjen tradicionale, theksonte autori, ishin me prejardhje nga Suli, Paramithia ose Arpica, ndërsa burrat shqiptarë të shtresave të ulëta i kishin qëndruar besnikë veshjes së thjeshtë shqiptare, (Heinrry Mercy, Sohn Verlang, Pragë 1907, f.18-22).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora