E diele, 28.04.2024, 09:36 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Jusuf Osmani: Kolonizimi serb i Kosovës (VII)

E marte, 23.09.2008, 07:01 PM


Jusuf Osmani
KOLONIZIMI SERB I KOSOVËS (VII)

Nga Dr. Jusuf Osmani

Duke parë se kolonizimi me elementin sllav dhe shpërngulja e shqiptarëve nuk po jep rezultatet e duhura, sipas dëshirës dhe mendimeve të qarqeve borgjeze sunduese, në këtë drejtim të gjitha ministritë shtetërore dhe organet tjera, u angazhuan edhe më tepër. Në këtë drejtim u angazhua edhe Klubi Kulturor serb, i cili bëri plane dhe hartoi elaborate se si të zbatohet me sukses kolonizimi dhe serbizimi i Kosovës dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi e në Shqipëri. Po i paraqesim disa nga ato:

Në elaboratin voluminoz të Vasa Çubrilloviqit, me titull “Shpërngulja e Shqiptarëve” i 7 marsit 1937, veçojmë: “Shqiptarët nuk është e mundur t’i thyesh vetëm me kolonizim gradual; ky është i vetmi popull që arriti në këto një mijë vjet të fundit... të mbijetojë drejt bërthamës së shteti tonë... pse nuk patëm sukses nga viti 1912, ky është faj yni mbasi pushtetin nuk e shfrytëzuam si duhet. Mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm, është dhuna brutale e një shteti të organizuar, në ç‘drejtim ne prore ishim përpara tyre”. “Përpos njerëzve të besueshëm këtë konflikt duhet përgatitur mirë; konflikti duhet të masivizohet, që të jetë më lehtë të shpjegohet se shqiptarët kanë ngritur krye, ndërsa gjithë gjendjen duhet paraqitur si një konflikt vëllazërie a fisi dhe sipas rastit t’i jepet edhe dimensioni ekonomik. Në shkallë të fundit, mund të shkaktohet edhe kryengritje lokale, të cilat do të shuheshin me gjak dhe me mjete efikase, por jo gjithaq me ushtri, sa me kolonistë, fise malazeze dhe çetnikë. Mbetet edhe një mjet, të cilin Serbia në mënyrë shumë praktike e kishte përdorur pas vitit 1878: djegia e fshehtë e fshatrave shqiptare dhe të lagjeve të qyteteve...”. “Deri në fund të shfrytëzohen ligjet për t’ua bërë shqiptarëve jetën sa më të hidhur: gjobat, arrestimet, zbatimit i pakufishëm i gjithë ndjekjeve policore, dënimi i kontrabandës, i prerjes së pyjeve, ndjekja për lëshimin e qenëve, detyrimi me angari dhe të gjitha mjetet tjera, që mund t’i ketë në dorë një polici..”. “Me rastin e krijimit të psikozës për shpërngulje, duhet bërë gjithë ç‘është e mundshme të largohen fshatra të tëra, ose së paku familje të tëra. Duhet përdorur të gjitha mjetet për të penguar mbetjen e një pjese të familjes këtu...”. “Me rastin e krijimit të kolonive të reja, sa herë që i kërkon nevoja, duhet përdorur forca ushtarake...”. “.... duke ditur çfarë dëshirohet dhe duke mos kursyer as para as gjak, shteti ynë do të mund të bëjë që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit të shndërrohen në Toplicë të re”.[86]

Lideri tjetër, Gjoka Perina në ligjëratën e vet me 16.VI.1937 - Propozon, që pasi kolonizimi i elementit serb nuk po mund të arrijë të jetë në shumicë në Vojvodinë dhe në Serbinë Jugore, të bëhet këmbimi i popullsisë në krahinat përkatëse, sepse “elementi i huaj do të zvogëlohet, ndërsa yni do të rritet”.[87] Në referatin e Drejtoratit Suprem të Lidhjes së Bashkësive Agrare në Shkup me titull “Për nevojën e zbatimit intensiv të kolonizimit të lirë në Serbinë Jugore”, shkruan, se: Përparësitë e kolonizimit të lirë ndaj kolonizimit shtetëror dhe zyrtar janë: vazhdimi i kontinuitetit në zbatimin e kolonizimit; mundësimi i kolonizimit në vendet,  ku nuk ka tokë të lirë shtetërore, e sidomos në kufirin shqiptar; moskrijimi i pakënaqësisë ndër vendësit, krishterët dhe myslimanët; blerja dhe oferta gati eksklusivisht nga myslimanët; kolonizimi në tokat e punuara, të cilat menjëherë mund të punohen dhe të shfrytëzohen; vendosja menjëherë pas blerjes, pasi që ekzistojnë ndërtesat, ofrimi i stabilitetit, dëshirës dhe sigurimit të kolonëve; vendosja e lehtë e personave të shkolluar në disa koloni; zgjedhja e vendit për kolonizim etj. Sigurimi i mjeteve të nevojshme për zbatimin e këtij kolonizimi. Ky kolonizim do të shkaktonte shpërnguljen e popullatës myslimane pa pasoja dhe pa jehonë, meqenëse  kjo llogaritet si iniciativë private.  Ai propozon, se në aspektin e kolonizimit në Serbinë Jugore duhet punuar mjaft. Këtë e kërkojnë në mënyrë imperative interesat ekonomike e nacionale dhe se për këtë aksion nuk duhet të ankohen mjetet, sepse ato triherë ia kthen popullit dhe shtetit.[88] Orestije Kërstiq në ligjëratën e vet me 4 prill 1938, në mes tjerash shkruan: “Lufta për tokë në Serbinë Jugore - është luftë nacionale - ekonomike, e jo thjesht këmbim me të mira. Konflikti i dy elementeve nacionale “ne dhe shqiptarët”. Pushtimi i maleve nga shqiptarët si fise të ilirëve të vjetër”. Propozon vazhdimin e kolonizimit dhe ndihma kolonëve, vendosjen e familjeve të nacionalitetit serbë në fshatrat e pastra shqiptare.[89] Në referatin tjetër të Klubit kulturor serb të datës 16 maj 1938,  thuhet:  Ndërmarrja  e  masave  që  elementi  shqiptar  të  bëhet i  parrezikshëm, të shpërngulet në Shqipëri ose në Turqi, ose blerja e pronave të tyre dhe dhënia “elementit tonë nacional” dhe kështu të detyrohen të shpërngulen. Pastaj thuhet: “nëse çështja shqiptare te ne nuk zgjidhet në mënyrë diplomatike, d.m.th. me shpërngulje, ajo do të zgjidhet me kolonizimin e mëtejshëm, atëherë duhet ditur, që për atë duhet kolonizuar një numër të madh të popullatës sonë, që të arrihet superioteti i madh ndaj shqiptarëve”.[90] 

Në konferencën ndërministrore përkitazi me shpërnguljen e popullatës me prejardhje josllave nga e ashtuquajtura Serbi Jugore, të mbajtur me datën 1 tetor 1935, në Beograd në Ministrinë e Punëve të Jashtme u diskutua edhe për angazhimin rreth shpërnguljes së shqiptarëve, lidhjes së një marrëveshjeje me Turqinë etj. Në këtë Konferencë u nxorën këto konkluzione:[91]

1. Shpërngulja duhet të rregullohet sa më parë me konventë speciale me Turqinë dhe Shqipërinë;

2. Nëse me Shqipërinë nuk mund të lidhet marrëveshja dhe shtetasit tanë nuk dëshirojnë të shpërngulen në Turqi duhet bërë këtë:

a. shpërnguljen graduale të popullatës me prejardhje shqiptare e turke nga zona

kufitare në brendësi dhe të kolonizohet ai vend me popullatë të nacionalitetit jugosllav;

b. këmbimi i popullsisë me Shqipërinë.

3. T’i bëhen lehtësime popullsisë, e cila shpërngulet, si transporti, dhënia e pasaportave pa pagesë, lirimi nga taksat, rekrutimi;

4. Të pamundësohet edhe të pengohet propaganda kundër shpërnguljes;

5. Zbatimi i rreptë i të gjitha dispozitave mbi kolonizimin e viseve jugore, dhe

6. Nacionalizimi i emrave gjeografikë.

Përveç këtyre dhe shumë formave të tjera, përkitazi me shpërnguljen e shqiptarëve ndërmjet Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Republikës së Turqisë në vitin 1938 ishte lidhur konventa e njohur famëkeqe. Si organ ishte formuar Komiteti për Shpërngulje, në kuadrin e të cilit funksiononte Inspektorati Suprem për Shpërngulje me seli në Shkup, si dhe inspektoratet lëvizëse. Këta të fundit kishin për detyrë të caktonin terrenin për kolonizim me elementin sllav, përkatësisht t’u jepnin urdhra për shpërngulje të shqiptarëve. Qeveria jugosllave nuk dëshironte që shqiptarët të shpërngulen në Shqipëri, për shkak të rritjes së numrit të banorëve në Shqipëri dhe hyrjes në të të një elementi, i cili ishte i disponuar armiqësisht ndaj serbëve. Ajo dëshironte që shqiptarët të vendosën sa më larg vendlindjes, në shkretëtirat e Anadollit, duke mos pasur kështu kurrfarë kontakti me vendlindjen dhe duke mos mundur të kthehen kurrë më në atdheun e vet. Po ashtu, edhe qeverisë turke i konvenonte vendosja e shqiptarëve në kufi me kurdët rreth kufirit me Irakun dhe Iranin. Kjo ndikon që nxjerrja e vizave për pasaporta për në Turqi të bëhej për dy ditë, ndërsa ato për Shqipëri për dy muaj apo hiq.[92] Këtë e dëshomojnë dokumentet e shumta, të ruajtura në arkivat e ndryshme.

Në një dokument tjetër të Shtatmadhorisë Kryesore në Beograd, i vitit 1938, në mes të tjerash shkruan: “Po vërehet dekurajim i madh i shqiptarëve për shkak të marrjes së tokës dhe po frikësohen se edhe toka tjetër do t’u merret dhe do të shpërngulën në Turqi. Versioni për shpërngulje i ka goditur mjaft. Në Turqi nuk po shkojnë, sepse besojnë se vendi, i cili iu ka dhënë për vendosje është i sëmurë dhe se për shkak të klimës së papërshtatshme të gjithë po vdesin”.[93] Organet  e  pushtetit,  përveç  metodave  të dhunës e terrorit, të marrjes së tokës popullatës shqiptare nëpërmjet reformës agrare dhe kolonizimit me element sllav, si formë për nxitjen e shpërnguljes, e përdori edhe propagandën dhe angazhoi edhe organizatat, shoqëritë nacional-shoveniste, agjencitë dhe agjentë të ndryshëm si dhe shumë persona vendës e kolonë, por kishte të përzierë edhe disa fanatikë të blerë me paratë e qeverive borgjeze. Tërë këta vepronin anembanë Kosovës dhe jasht saj. Në tërë këtë ishte i angazhuar edhe shërbimi informativ jugosllav. Të shpërngulurit më parë plaçkitëshin mirë nga aparati burokratik, avokatët e ndryshëm si dhe nga vetë agjencitë dhe agjentët. Lumi i të shpërngulurëve në këtë periudhë kryesisht shkonte në dy drejtime: nga Shkupi për në Selanik dhe më tutje në Turqi, kurse drejtimi tjetër drejt Sofjes.

Përkitazi me shpërnguljen e shqiptarëve, Legata Britanike në Durrës më 27.VI 1938 njofton:  “se  është  duke  u  folur  shumë prej  vitit  1936-37  për  një  marrëveshje ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë për shpërnguljen e madhe të shqiptarëve myslimanë prej Kosove në Turqi. Dështim i marrëveshjes së vitit 1936 për transferim të 50.000 shqiptarëve kosovarë në Shqipëri. Marrëveshja ndërmjet Turqisë e Jugosllavisë vështirë do të realizohet. Deklarimi i një diplomati turk se Ministria Shqiptare lejon shkuarjen në Turqi vetëm të turqve. Mundësia e shkuarjes në Shqipëri të një numri të vogël të kosovarëve. Konstatimi se numri i vërtetë i turqve këtu është shumë i  vogël. Marrëveshja turko-jugosllave për shpërngulje të 250.000 - 300.000 personave madje sipas një shkrimi dhe të 480.000 vetash. Konstatimi se ky numër aq i madh për shpërngulje të kosovarëve nuk mund t’i takojë kombësisë turke, por ata duhet t’i takojnë asaj shqiptare. Deklarimi i Ekrem Libohovës se gjuhën turke siç e flasin edhe gjuhën shqipe, e flasin një numër i banorëve të qyteteve, se popullata nuk ka dëshirë të shpërngulet në Turqi, sepse, nëse shkojnë, atje do të bëjnë një jetë mizore”.[94]

Kundër shpërnguljes së popullatës shqiptare, në Kosovë e gjetiu vepronin disa shoqata nacionaliste, patriotë shqiptarë etj., të cilët propagandonin në popull që të mos shpërngulen, bënin rezistencë, kritikonin pushtetin dhe protestonin për shkak të terrorit, gjenocidit, shtypjes, dhunës, kolonizimit, zbatimit të padrejtë të reformës agrare etj. Në këtë drejtim prej patriotëve shqiptarë më së shumti është angazhuar dhe ka kontribuar Hasan Prishtina, i cili disa herë deri në vdekje i drejtohet me shkresa, ankesa, memorandume etj. Shoqatës së Kombeve në Gjenevë etj. përkitazi me kolonizimin dhe marrjen e tokave shqiptare nga serbët, malazezët dhe emigrantët rusë, duke i dëbuar shqiptarët nga tokat e tyre. Në një letër nga Vjena të datës 10.II.1924 shkruan: se ata janë të terrorizuar me metodat më gjakatare dhe të rrezikuar në çdo pikëpamje nga pushteti me qëllim që ata të detyrohen të largohen nga atdheu, edhe pse janë banorët më të vjetër të Gadishullit Ballkanik.[95] Ai përveç kësaj, e ngrit zërin edhe kundër tatimeve të mëdha, dënimeve të shumta, ndalimit të shkollimit në gjuhë amtare, shtypjes, terrorit etj., duke theksuar se po bëhet shtypje në 1 milion shqiptarë, që jetojnë në Mbretërinë SKS që të shpërngulen në Turqi, në Shqipëri dhe në vende të tjera, ku jetojnë në mjerim. Në një dokument protestë nga Vjena më 15.III.1927 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve ser Erik Drummond, shkruan:  “Afër një milion shqiptarë, që jetojnë në Kosovë e Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën e tyre amtare. Po kështu, atyre u është ndaluar të hapin shkolla me mjetet e tyre private; Qeveria e Mbretërisë së Jugosllavisë përdorë të gjitha mënyrat e mundshme për t’i shfarosur shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Është fakt, është e njohur dhe e qartë që masakrat dhe zhdukja e fshatrave të tëra, vrasjet e shqiptarëve dhe plaçktija e shtëpive të tyre, janë bërë dhe po bëhen sipas urdhërave të agjentve dhe të autoriteteve më të larta; Si pasojë e konfiskimit pa zhdëmtim të pasurisë së bujqëve shqiptarë, e cila u është dhënë serbëve dhe malazezëve, shqiptarët janë shtrënguar të braktisin në masë vendin e tyre, truallin e të parëve të tyre. Shqiptarët myslimanë e katolikë duhet të paguajnë taksa 60% më të larta, masë kjo e marrë për t’i rrënuar ekonomikisht, e më këtë mënyrë, për t’i detyruar të emgirojnë.[96]  Si pasojë e kësaj është se popullata serbe e qarkut të Gjakovës, e cila para 10 vjetësh, nuk kapte 1% të popullsisë, sot arrinë 20% të popullsisë, kurse 20% të popullsisë autoktone u larguan nga toka e saj.[97]            

Ankesat  dhe  memorandumet e Hasan Prishtinës, pushteti jugosllav i ka përcjellë përherë, është munduar t’i mohojë të dhënat e vërteta, pra ka përdorur kontrapropagandën.

Bajram Curri dhe Hasan Prishtina, si përfaqësues të Komiteteve të Bashkuara Shqiptare të paçlirura me datën 26.IV.1924 i drejtohen Kryesisë së Këshillit të Lidhjes së Kombeve dhe e njoftojnë për protestat kundër regjimit të Shtetit SKS, për mosrespektimin e të drejtave të minoriteteve dhe mohimin e së drejtës së shqiptarëve për të jetuar. Lidhur me kolonizimin thuhet: “Çdo goditje për shkatërrimin e Shqipërisë pasohet nga një operacion vendosje kolonësh rusë, malazezë e serbë. Nga ana e tyre këta kolonë terrorizojnë sistematikisht fshatrat fqinje duke i detyruar banorët t’i braktisin vatrat dhe tokat e tyre, të cilat konfiskohen dhe kolonizohen menjëherë. Janë pikërisht një pjesë viktimash të kësaj manovre tragjike, që bredhin rreth vatrave të tyre që quhen kaçakë.... Kosova, vend kryekëput bujqësor... tani vuan nga mjerim i tmerrshëm, fshatarëve dhe qytetarëve bujq në përgjithësi u janë marrë tokat me pretekst të zbatimit të ligjit agrar... Ky regjim i hekurtë, i zjarrtë dhe i plaçkitjes përbën faktorin kryesor të emigrimit në masë të popullsisë shqiptare në Turqi, i cili po kryhet në kushte të tmerrshme, duke u kushtuar jeta qindra familjeve e duke dënuar pjesën tjetër në një mjerim të patregueshëm....”.[98]

Sekretarit gjeneral të Shoqatës të Kombeve në Gjenevë i dërgojnë peticione edhe atdhedashës të tjerë, por më i njohur prej tyre pa dyshim është ai i datës 5.V.1930, i dërguar nga tre priftërinjtë shqiptarë: dom Gjon Bisaku, dom Shtjefën Kurti nga Prizreni dhe dom Luigj Gashi nga Shkupi. Në peticionin e tyre, në mes të tjerash, thuhet se qëllimi i pushtetit është që me çdo kusht ta ndryshojë karakterin etnik të viseve, ku jetojnë shqiptarët, duke mos zgjedhur mjete për arritjen e qëllimit të shpërnguljes së tyre në Turqi, në Shqipëri dhe në vende të tjera, siç ishin përdorimi i mjeteve të dhunës, djegia e shtëpive dhe e fshatrave, vrasjet, plaçkitjet, maltretimet, dënimet etj.  Vrasjet masive të shkaktuara për shkaqe më të vogla mbi njerëzit e pafajshëm, faj i vetëm i të cilëve ishte pse ishin shqiptarë. Therrja në Dumnicë (rrethi i Vushtrrisë) më 10 shkurt 1924 - masakri mbi 25 shqiptarë (prej tyre 10 gra, 8 fëmijë nën 8 vjeç, 7 burra mbi 50 vjeç) Pra, për këtë krim askush nuk është dënuar. Djegia e Rugovës. Në dokument përkitazi me dëbimin e shqiptarëve, kolonizimin e Kosovës me elementin sllavë thuhej: “Shpërngulja në Shqipëri nuk shikohet me sy të mirë. Qeveria jugosllave ka interes të plot, që të gjithë të ndjekurit dhe të plaçkiturit t’i shoh të vendosur sa më larg kufirit të vet. Për këtë shkak u shkaktohen njëmijë fatkeqësi atyre njerëzve, që dëshirojnë të shkojnë te të afërmit e tyre në Shqipëri”..... “Në fshatin prej nga shpërngulën shqiptarët dhe në pronat e tyre të konfiskuara dhe të ekspropriuara po sillen malazezët dhe sllavët nga Bosnja, Sremi e Banati. Ata po vendosën me qëllim të ndërrimit të pamjes etnografike të Krahinës. Shartime të ngjashme po bëhen pak a shumë çdokund dhe ky proces po vazhdon me forca të shtuara.. Ka ndodhur që banorët me prejardhje shqiptare, që janë larguar përkohësisht nga vatrat e tyre, kur janë kthyer i kanë gjetur në to sllavët”.... “Viktimat e të ashtuquajturës, reformës agrare janë të shumta. Popullsisë shqiptare po i shkaktohen vështirësi të mëdha. Për qytetarët, që kanë kryer shërbimin ushtarak, reforma parasheh që të mbajë nga 5 ha tokë të punuar për kokë. Familjet shqiptare, që e kanë ruajtur formën  patriarkale,  të  përbëra  prej  6-10  anëtarë,  do  të  kishin të drejtë në 30-50 ha. Mirëpo sot nuk ka asnjë familje shqiptare në territorin e Jugosllavisë, që kanë pronë të këtillë. Shqiptarëve, madje u janë ekspropriuar edhe pronat prej një hektari.[99]  Ata në peticion theksojnë se deri në këtë kohë kanë migruar më se 10.000 emigrantë të pafat në Shqipëri dhe 130.000 në Turqi, ndërsa Qeveria e Beogradit dhe e Angorës po bëjnë marrëveshje për dëbimin e 300.000 - 400.000 shqiptarëve nga Kosova, në tokat e të cilëve do të sillen malazezët dhe boshnjakët. Si mjet më efikas për t’i detyruar shqiptarët që të shpërngulen ishte shpronësimi i pronave të tyre pa kurrfarë kompensimi. Qeveria serbe është munduar që me makinacione e rrena të ndryshme t’i mohojë dëshmitë e pamohueshme të këtyre tre priftërinjve dhe të tjerëve.

Në Beograd disa herë kanë shkuar delegacione të ndryshme shqiptare nga Kosova - persona me autoritet, patriotë etj., ku kanë kërkuar intervenimin e qeverisë që të mos u merret toka shqiptarëve dhe që të mos shpërngulen shqiptarët. Por kujt t’i ankohej, kur vetë qeveria ishte organizatore dhe qëndronte pas tërë asaj. Edhe disa deputetë në parlamentin mbretëror, disa herë kishin kërkuar intervenimin e qeverisë, por kot. Kështu, p.sh. Mustafë Dauti, deputet popullor i rrethit të Anadrinit, në parashtresën e vet të datës 19.IX.1936, ankohet për marrjen e tokës pjellore fshatarëve shqiptarë dhe ndarjen e saj kolonëve. Thekson se atyre u lihet edhe më pak se 0,40 ha për anëtarë të familjes, edhe ajo tokë e dobët, pyll, e paçelur dhe tokë jopjellore.[100]  Sherif Voca, duke diskutuar në parlament, në mes të tjerash, kishte thënë: “Shqiptarët nuk po kërkojnë rrugë të asfaltuara, hekurudha, lidhje ajrore, nuk kërkojnë punë - shërbim, nuk shkojnë të lypin, nuk presin prej askujt pension dhe as t’i jap kush toka të huaja, ose me përgjysmë, por duan t’i punojnë tokat e veta. Për shqiptarët çdo qiell tjetër është i huaj. Ata dëshirojnë dhe do të jetojnë në tokën e tyre. Ata dëshirojnë të jetojnë në liri, me dinjitet dhe të kënaqur”.[101]

Një delegacion prej rreth 50 shqiptarëve nga komuna e Shtimes dhe Kosinës para Shtabit të Armatës III në Shkup, ishin ankuar dhe kishin dekleruar: Se ankohen në pushtetin agrar, për shkak të marrjes së tokës në mënyrë joligjore, e cila nuk është beglere, por tokë e punueshme e varfanjakëve, pronë e trashëguar nga pararadhësit, se për të paguajnë tatimin dhe kanë tapitë turke. Toka nuk është utrinë, e as pronë e fshatit, por e individëve. Se kufizimi me dhunë është bërë gjatë ditës së Shën Mitrit të vitit 1939  nga ana e xhandarëve, pa praninë e pronarëve.[102]

_______________________

[86] AVII B, Arhiv bivse jugoslovenske vojske, nr.2, f.4, k.69; AK P, XXVII/k.2-31-1937.
[87] AVII B, Arhiv bivse jugoslovenske vojske, nr.4, f.4, k.69; AJ B, F. Jovan J. Pizhon, 8, k.55;AKK. XXVII/K.2-29-1937.
[88] AVII B, Arhiv bivse jugosl. vojske, nr. 7, f. 4, k. 69.
[89] AVII B, Arhiv bivse jugosl. vojske, nr. 3, f. 4, k. 69.
[90] AVII B, Arhiv bivse jugosl. vojske, nr. 1, f. 4, k. 69.
[91] AJ B, Min. Poljoprivrede, 67, k.1, f. 17.
[92] AQSH T, “Komiteti i Kosovës”, Mf. AK.
[93] AVII B, P.17, K. 94, f.1, d.5, rez. 8261/1938.
[94] PRO L, FO-371-22305.
[95] PRO L, FO-371-9961.
[96] Drzavni Arhiv Saveznog Sekrtarijata Inostranih Poslova, Beograd, (DA SIIP), F. Drustvo Naroda u Zenevi (DNZ), sek. nr. 96, Gjenevë, 22.05.1927; AQSH, F. 263, D.11, f.1.
[97] “Shqipëria e Re”, Kostancë, 10.01.1931. Letër e Hasan Prishtinës - Lidhjes së Kombeve në Gjnevë.
[98] AQH T, F. 252, D.208, f.04; Hasan Prishtina, Dokumente, Tiranë, 1983, fq. 163-164.
[99] DA SSIP, DNZH, f.13, d.1; AVIII B, k27, f.1, d.20, rez. Dj.,ob.b. 17.013, Beograd, 23.VIII 1930.
[100] AJ B, M. Stojadinovic, 37, f.4.
[101] Sluzbene Novine Narodne Skupstine KJ, 14.03.1938.
[102] AVII B, P.17, k.519, f.7, d.46.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora