E enjte, 24.07.2025, 10:34 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (VI)

E shtune, 20.09.2008, 04:23 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

VI

Qershor 1942. Ishte dita e provimeve të maturës. E gjithë klasa ishte e elektrifikueme. Nga dritoret e hapuna vinte e qartë krisma e pushkës. Në nji lagje të jashtme të qytetit, policia kishte rrethue tre të rij “komuniste” që luftojshin me guxim të rrallë. Askush nuk mendonte për trajtimin e temës. Nuk dijsha çka të shkruej. Në mendjen time sillej skena e rrethimit që më rrëmbeu, ndërsa në zemër ndiejsha afërsinë vllaznore me të panjohunit që luftojshin, e vdisshin burrnisht për nji ideal. Po ndërtoheshin piedestale të rij heroizmi, krahas me ata të traditës që na mësonte historia e vendit tonë. Legjenda e Oso Kukës po përtrihej në qytetin tim e për nji popull, që kishte këndue kangët e lavdisë për ma shumë se nji shekull. Vdekja për atdhe nuk ishte ma fantazia e ndezun e mësuesit tonë. Ajo u ba përvoja e ditëve tona, e pranishme, e plotfuqishme në thirrjen e saj për therori! Ashtu si për të gjithë të rijt e vendit tim, në ato ditë, kjo ngjarje shkaktoi nxitjen e ndjenjave tona dhe në trajtimin e landës për provim. I revoltuem shpirtnisht, ajo brumosi materialin që përpunova për hartim. Ajo më krodhi në mendime që më bajshin kryenaltë, qysh ne bankat e shkollës fillore e që në çdo çast, më naltësojshin shpirtënisht, tue përjetue lavditë e fitoreve të korruna gjatë historisë sonë të vështirë kombëtare. Krisma e armëve ishte sinjali i forcës së madhe morale të nji populli liridashës.

*

Mora dëftesën e maturës me përfundime të mira. Vrapova prej gëzimit, e ndava me prindët, atë që ndiejsha përbrenda. Në dhomën e tij, baba që plakej, u kënaq shumë kur unë, i papërmbajtun, i tregova përfundimet. Më përqafoi me krahët e tij të gjanë e, i mbështetun në parzmin e tij, e ndjeva veten të lumtun, tue mendue për këto çaste gëzimi që po i dhurojsha. “Të lumtë!” më tha, e përsëri, “Të lumtë!” Nana u duk në pragun e derës, e pa qenë nevoja me i tregue, ajo kuptoi. U shkëputa nga krahët e babës, e shtrëngova nanën me të dy duert në qafë, ndërsa buzët e saj më njomën ballin e të dy sytë. Nuk foli. Në sytë e saj, lotë gëzimi tregojshin gjithçka. Isha me të vërtetë i lumtun! Gjithë atë ditë e kalova me vllaznit e motrat ma të vegjël. Isha ende i ri, por rrethanat më detyrojshin me u burrnue sa ma shpejt...!

*

Me mbarimin e provimeve, simbas nji tradite shkollore, duhej të mblidheshim me festue fillimin e nji jete të re. Hapi i parë ishte nji fotografi e përbashkët me grupin arsimor. Shikoj fëtyrat e njizetë e tetë shokëve maturantë, e më bjen në sy heterogjeniteti i këtij grupi të rijsh. Rrymat ideologjike të botës së jashtme, kishin depërtue, me të gjithë helmin e tyne në vendin tonë të vogël e pa përvojë politike. Ata kishin përpi mendjet e të rijve sidomos, e krijue nji atmosferë aq armiqsore, sa edhe nji vjet ma parë do të kishte qenë e vështirë me parapa: idealistë, nacionalistë, elementë që kundërshtojshin okupacionin, partizanë të komunizmit ndërkombëtar, e “menefregistë”: ishte nji laramani e cuditshme tipash e karakteresh, në nji klasë të vetme, në nji qytet të vogël shqiptar. Ato ditë, vlera e profesorëve nuk gjykohej nga profesionalizmi i tyne, por nga rryma politike që përqafojshin; nga ajo që na quejshim respekt për mësuesin, nuk kishte mbetë veçse kujtimi. Mësuesi, idhulli jonë i maparshëm, ishte rrëzue nga piedestali. Shoqnia shqiptare kalonte nëpër nji krizë të thellë morale.
Të shpërndame nga jeta e gjendja e krijueme në vend, filluem me kërkue shtigje të reja për të ardhmen tonë. Nji shteg i këtillë u hap me provimet konkurruese për nji bursë studimesh universitare. Në nji sallë të madhe të kryeqytetit, 112 kandidate të kualifikuem, konkurojshin për 28 bursa studimi. Të gjithë hyjshim me shpresë se ky provim do të ishte porta që hapej për mjekë, inxhinierë, agronomë, profesorë, avokatë, arkitektë të diplomuem. Të gjithë punojshim me kambëngulje. Fantazia jonë fluturonte në aulat universitare të nji shteti europian. Mbas dy ditësh, mora njoftimin se kisha fitue nji bursë studimi pranë universitetit të Firenzes, Itali. Por shumica e pjesmarrësve ishin të dëshpruem. Të jesh i vorfën, pa mjete, pa ndihmë, e të humbësh mundësinë e vetme që jepet me ecë përpara, ishte nji grusht i randë, efektin e të cilit e pashë qartë të shprehun në fëtyrat e zymta.
Me provimin konkurrues bajshim hapin e parë në jetë. Tashti çdo gja varej prej nesh. Për të parën herë hyjshim në garë me njeni-tjetrin, për nji bursë studimi që shoku ma i ngushtë rrezikonte me e marrë. Ishte nji ndjenjë e çuditshme. Ishim krah për krah, e megjithatë, shikoheshim si rivalë... Ishte grushti i parë i nji realiteti të hidhun te jetës. Me afrimin e shtatorit, fillova përgatitjet për udhëtim në Firenze. Rruga ishte e gjatë dhe e rrezikshme, për arsye të luftës që ndërprente kalimin e lirë të Adriatikut. Në familje, të gjithë ishin të shqetësuem për largimin tim e për nji kohë relativisht të gjatë. Çdonjeni kërkonte me ba diçka për mue, me më inkurajue me nji fjalë, ndërsa unë, me gjithë zemrën e randë që më shkaktonte largimi nga familja, kisha fillue me andrrue jetën time si universitar i ri, pa detyrime familjare. I zhytun në nji ambient kulturor e artistik shumë ma të naltë se ai i qytetit tim, isha i vendosun me studiue sa ma shumë në degën që kisha zgjedhë me pasion, historinë moderne.
Ditën e nisjes u përcolla nga shumë të afërm e shokë, e në mbramje hypa në anijen e madhe të mallnave, bashkë me nji grup të vogël studentësh nga qytete të ndryshme. Ishte udhëtimi im i parë, nga porti i Durrësit, me nji anije. Nji botë e re hapej para meje, e unë e përpijsha me etjen e madhe të udhëtarit që kërkon viset e panjohuna. Para nisjes së vaporit që do të udhëtonte gjatë natës, kapiteni na tregoi “salvaxhentet” që duhej të përdorshim në rast rreziku. Na i morëm menjiherë, i veshëm mbi rroba e të mobilizuem nga frika e nji tragjedie në det, i mbajtëm në trup deri në zbarkim. Gjatë natës sodita detin e qetë e të pafund dhe bukurinë e qiellit plot yje në atë muej shtatori. Ishte nji heshtje e plotë që trazohej vetëm nga të rrahunat ritmike të motorit të anijes që më kujtonte tik-taket e nji sahati të madh... Megjithëse i përgjumun, nuk kisha guxim me fjetë. Ideja e tragjedisë më mbante të zgjuem e të kujdesshëm. Pritsha me padurim me pa bregun tjetër, sado larg të ishte ai. Qenia në mes të detit, i ulun mbi kuvertë e mbështetë mbas nji arke ku mbaheshin litarët, me sytë drejt Perëndimit e në terrin e natës që dukej e pafund, më krodhi në mendime, sidomos mbi qëllimin e udhëtimit për studime në nji vend që ishte pushtuesi i atdheut tim. Dilema morale zente padyshim vendin qendror në kuadrin e meditimeve të mia, e hidhte nji hije të randë mbi gëzimin që ushqente mundësia për studime universitare në nji qendër kulture të njohun, si qyteti i Firenzes. Ideja, e pranueme vullnetarisht dhe me entuziazëm e luftës kunder pushtuesit, mbetej e paprekun ne thelbin e saj e nji fortese e pathyeshme në mendjen e zemrën time. Atëherë, pse largohem nga atdheu kur ai më thrret e kërkon sakrificën time?! Çdo shpjegim që gjejsha, ishte nji justifikim i dobët! Disa herë më vinte në mend edhe fjala “dezertor”, që më kishte mbetë në tru qysh nga dita kur Lili më akuzoi për frikë e dobësi në luftë. Kjo më mundonte shumë, e megjithëse isha i bindun se shoqnia që kisha përbuzë ishte angazhue në nji rrugë metodat e së cilës ishin të papranueshme për mue, e që mendojsha unë do të shpinte në nji qorrsokak të rrezikshëm. Unë nuk isha në gjendje me mohue admirimin tim, për të gjithë “ata” që ishin angazhue me bindje në luftën kundër pushtuesit italian. Më dukej sikur “ata” e kishin zgjidhë problemin e shtruem, kishin pranue logjikën e paraqitun, kishin adaptue terminologjinë që e shoqnonte këtë logjikë, tue evitue kështu dilemën e brendshme në mes të “së keqes” e “së mirës”, që shkaktonte aksioni. “ata”, ish shokët e mij të liceut, nuk “humbshin” kohë me mendue. Dilema e tyne zgjidhej me aksion, e aksioni pakësonte e disa herë eliminonte, nevojën me mendue... A ishin “ata” të lumtun? Nuk e dijsha! Kënaqësia e tyne dukej e natyrshme, të paktën në sipërfaqe e në raportet me të tjerët. Aksioni për ata ishte zakonisht manisheist, bardhë e zi, pa zona të murrme në mes. Ai vleftësohej nga suksesi ose mossuksesi i arritun. Çdo aksion i entuziazmonte, ndërsa mos-suksesi individualizohej, e i mveshej në kurriz “deviacionistëve” e “fraksionistëve”. Aksioni në vetvete, ishte gjithëherë i mirë e konfirmonte “drejtësinë e kauzës”. Por unë isha në nji tjetër situatë. I larguem nga “aksioni” si shprehje konkrete e lëvizjes masive të rezistencës kundër pushtuesit, unë kisha marrë rrugën e dyshimit, që më hidhte në krahët e mendimit e gjykimit vetjak. Mendimi më rezervonte të drejtën me shqyrtue e me dënue pikësynimin e formën e zbatimit të aksionit. Mendimi nuk lejonte pranimin e « aksionit » a priori, e si rrjedhim përkrahjen e tij pa hezitim. E vërteta ishte se unë e ndiejsha veten jashtë botës së shokëve të mi, se isha në nji gjendje politike fluide dhe, nga mosdëshira e pjesëmarrjes në nji aksion kolektiv që nuk e aprovojsha, me qëllim që të merrsha veten, po u largojsha drejt nji shoqnie tjetër, jo të polarizueme, në shoqninë e librave e aulave universitare. Ndjekja e studimeve universitare, shpresojsha, do të zgjanonte horizontin tim, do të hapte për mue dyer të reja, të panjohuna deri atëherë, e do të bante të mundun marrjen e nji qëndrimi ma të pjekun, ma të studiuem, e shpresojsha përsëri, edhe ma drejtë... Megjithatë, nuk isha i qetë!





(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx