E hene, 29.04.2024, 08:02 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (IX)

E diele, 21.09.2008, 05:04 PM


Fritz Radovani de Angeliis

Një monument nën dhé

LËVIZJA E POSTRIBËS
(9 shtator 1946)

“Historia e Shqipnisë së lirë asht kaos
luftash, ngatrresash, trathtinash,
ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja,
të shpeshta, të ndyta e të damshme, që
nuk i gjenë askund shoqen në botë”
“Zani i të dekunit” nga Y (D. L. Shantoja)

“Rreziku nga e vërteta ishte ma i madh se gënjeshtra”.
Asht shkrue e do të shkruhet, e prap do të vazhdohet me u shkrue për këtë ngjarje aq të randësishme, por e vërteta do të dalin në shesh, vetëm atëherë, kur historianët e paanëshëm do të kenë mundësi me pa e me studjue arkivat e mbulueme nën dhé.
“Deri njerëzit e zhdukun dje prej skenët, na dukën si të kishin hi kaherë në radhën e mumjeve.”, shkruente At Gjon Shllaku, dhe vazhdon: “Për né ideja asht nji mjet me u kapë té realiteti, për filozofinë moderne, ideja asht nji perde që e ndanë njeriun prej realitetit”. Mendimet e kundërta të shprehuna ndër libra, broshura, artikuj dhe konferenca përkujtimore, më kanë shty me kërkue diçka të mbulueme me dashje, ose padashje, por në të dy rastet, jo me qëllim të mirë. Tue u nisë si u organizue, si shpërthei dhe si përfundoi me dështim të plotë kjo lëvizje që asht ndër ma të mëdhajat, asht me të ardhë keq dhe do të bindemi se frutin e kanë përfitue vetëm komunistët.
Përmbytja mori me vedi fshatarë, profesorë, oficerë akademistë, deputetë, intelektualë, klerikë, studentë, tregtarë, të kënaqun e të pakënaqun nga pushteti, madje, edhe pushtetarë, që deri pak ditë përpara kishin nënshkrue edhe “urdhën-arreste”, ose në mendjen e tyne pritnin kur po vjen “demokracia”. Me plot gojë dami për Veriun nuk llogaritet asnjëherë.
Vetë ardhja në Shkodër në janar të 1945 e kryekriminelit Mehmet Shehu, me një tubë të pa pame ndonjëherë terroristesh si: Sheuqet Peçi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Rahman Parllaku, Tuk Jakova, të shoqnuem nga bandat e Sigurimit të Shtetit të drejtueme prej Koçi Xoxe, Zoji Themeli, Vaskë Koleci, Ramadan Çitaku, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri (Bushati), toger Baba etj. që me krimet e vrasjet e tyne të bame me gjyqe e pagjyqe, tregojnë pikësynimin e tyne: Përdorimi i çdo dredhije e mjeti mashtrues, për me shkatrrue rezistencën atdhetare antikomuniste dhe çerdhën e tyne. Unë do të rreshtoj vetëm disa fakte: Me datën 29 janar 1945, prokurori Jonuz Mërsini i thotë D. Lazër
Shantojës: “Më dt. 20 - 21 janar 1945, malësorët janë çue kundër Luftës N.Çl. të inspiruar prej këtij fashisti” (Dosja 174).
Don Ndre Zadeja deklaron: “Aty nga shtatori 1944, ka ardhë në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Nill, me do ushtarë e Jup e Halit Kazazin, gjithashtu me té ishte nji oficer gjerman dhe nji ushtar italjan. Këta vijshin prej Cukalit, shkojshin në Shëngjin dhe së andejmi për Itali. Në qelën teme kanë qëndrue vetëm nji natë. Gjatë ndejtjes në qelen teme, unë ju mbajta nji bisedë, ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”. (Dosja 677)
Riza Drini i kërkon bashkpunim Riza Danit prej malit në tetor të 1944, dhe Këshilli N.Çl. e pranon. Arësyeja e kërkesës së Riza Drinit asht: “për me evitue gjakderdhjen që parashof se do të bahët në Shqipni.” (Deklarata e Riza Danit d.v. dt. 30 prill 1945). Llesh Marashi deklaron në korrik 1946: “Nuk dij sesi tri ditë para shpërthimit të Lëvizjes së Koplikut, e ka dijtë organizata “Bashkimi Shqiptar”, unë nuk e kam dijtë vetë!” . Martin Sheldija (ish oficer), i arratisun me Gjergj Vatën, dorëzue në kohën e anmistisë, i dënuem për jetë dhe i liruem më 14 shkurt 1966, deklaron: “Me datën 5 shtator 1946 ka ardhë Shuk Gjoka, e më tha, se don me më takue Shaban Abdullahi e Zyber Hyseni, dhe me datën 8 shtator më ka sjellë lajmin me sulmue Shkodrën. Shuk Gjoka shkoi në Ganjollë, Spathar e Juban. Unë kam organizue Gurin e Zi. Më 8 shtator, bashkë me Pjetrin (Dedën, i vramë), kemi ardhë te Ura e Kirit, e kemi shprazë pushkët, nuk u përgjegj kush dhe kemi shkue prap. Nuk kemi hy në Shkodër.
“Martin Sheldija ka rrezikshmëri shoqrore shumë të theksuar”, shënon Ministri i Mbrendshëm Mehmet Shehu d.v. më 29 qershor 1949. (Dosja 141). Jakup Dan Alia, i arrëstuem për Lëvizjen e Postribës deklaron: “Në mbledhje për Postribën jemi qenë: Osman Haxhija, Abdullah Seiti, Muho Duli, Selim Raci, Emin Zyberi, Dervish Nuzi, Ram Vasi, Taip Isaja, Seit Duli etj. Foli Abdullah Seiti, dhe tha me i ra Shkodrës. Luftën e Postribës, në fushë të aeroplanave e ka fillue Seit Duli.” Rrok Gjok Luli, i arrëstuem më 12 shtator 1946, për Lëvizjen e Postribës, dhe i dënuem 20 vjet, deklaron: “Kam bisedue me Mustafa Jakupin, Mustafa dinte se do të sulmohet Shkodra që sonte, një gja të tillë ia kishte thanë korieri i Jup Kazazit, një katundar prej Postribët, dhe më thotë, Rrok, sande sulmohet Shkodra prej Postribët, e duhet të dalim që sonte me katundarë. Unë i thashë se do të sulmohet më 15 shtator 1946, se një gja të tillë ma ka thanë vëllai, dhe jo sonte. Por, Mustafa më kallxoi se jo më 15, por sonte se Postribësit nuk donë me dhanë ushtarë. Më ka thanë për Jupin, se nuk asht këtu në Shkodër dhe ka dalë jashtë se asht i mërzitun, se do ta fillojnë luftën sande dhe për këtë, do të hidhen në sulm. Veç luftës nga jashtë, do të plasin edhe këtu mbrenda, se Jupi asht marrë vesht me të huej, megjithse një pjesë e kanë kundërshtue Jupin” ; “Unë nuk shkova me lajmërue as vëllain për këtë punë.”
Pjetër Gjok Luli, vjeç 43, vëllai i Gjeloshit e Rrokut, deklaron: “Unë, nuk kam takue as vëllain Gjeloshin, në sa të kam pa ndonjëherë ty (i drejtohet kryetarit të gjyqit, Misto Bllacit) ... As nuk dij se asht ba mbledhje, as nuk kemi organizue gja.”

Pjetër Prendush Pali, vjeç 32, nga Hoti (Jugosllavi), mësues, deklaron: “akuza nuk asht e vërtetë, në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë se kam bisedue unë për Postribën, ato që thonë këtu nuk janë të vërteta. Për akuzat që më bajnë Gjelosh Vata, Gjon Leka e Mustafa Jakupi nuk janë të vërteta. Gjon Leka më ka thanë, se jam me punë në Seksion të Mbrendshëm, dhe rri urtë se kam në dorë me të ba keq.”. Vëndimi i gjyqit Pjetrit iu dha me vdekje, dhe u ekzekutue më 11 mars 1948.

Mustafa Jakup Vodaj, vjeç 48, nga Shkodra, i dënuem përjetë, deklaron: “Nuk kam asnjë lidhje me Postribën, por mue më ka tregue Brahim Isufi se sande Postriba sulmon Shkodrën. Unë i thashë Gjeloshit, por ky më tha se nuk asht e vërtetë. Kemi shkue me Gjonin në shtëpi të Gjeloshit (Vatës), aty në mesnatë ka ardhë me na thirrë Abdullah Seiti e Ismail Duli dhe jemi takue tek fusha me Murat Haxhinë. Aty pamë se nuk ishte gja ajo punë dhe u këthyem ndër shtëpia.” Don Nikoll Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: “Për sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue, as nuk kam kenë i deleguem nga Kleri, për me marrë pjesë ndër këto mbledhje. Don Tom Laca nuk më bie ndër mend të ketë kenë në mbledhje. Unë nuk e dija se asht formue parti Demokristjane. Për përpjekjen e 9 shtatorit, s’kam dijtë kurrgja, por kur e mora vesht se e kishte bërë Kazazi.” Imz. Frano Gjini: “për ngjarjen e 9 shtatorit nuk dij gja!”. Don Tom Laca: Deklaron: “Nuk asht e vërtetë që të kemi pregaditë 9 shtatorin me Riza Danin e Paulin Palin (avokatin)”.
Zef Haxhija, deputet i 2 dhetorit në Kuvendin Popullor për Shkodrën, deklaron: “Për ngjarjën e 9 shtatorit e kam marrë vesht në nesre, si gjithë bota...!”.
Për Lëvizjen e Postribës, të 9 shtatorit 1946 u pushkatue: Imzot Frano Gjini, At Mati Prennushi, Don Nikoll Deda, Kolec Deda, Pjetër Deda me gruen Maria,Cin Serreqi, Riza Dani, Dulo Kali, Caf Dragusha, Simon Darragjati, Rasim Gjyrezi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjetër P. Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal Hardolli, Prof. Kol Prela, Av. Paulin Pali, e sa të tjerë pa gjyq, që nuk figurojnë as në rregjistrin e të pushkatuemve...

E vërteta asht vetëm një: Ajo ishte Lëvizje antikomuniste !

AVOKAT PAULIN PALI DHE PROF. KOLË PRELA

“Avokat Paulin Mark Pali është i datlindjës 1914. Prindët e tij ishin Mark e Shaqë Pali. Ka një vëlla Gaspër Palin, ishoficer i naltë. Paulini është beqar, i pa dënuar, i varfër, me universitet të kryer për drejtësi, profesor avokat, nga Shkodra, i arrestuar më 14 gusht 1946...” Kështu i fillon hetimet krimineli Zoji Themeli në dosjën 1333 kundrejt të pandehurit Profesor avokat Paulin M. Palit, proçes i cili vazhdon me vite.
Me datën 18 tetor 1946 major Zoji Themeli, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës (në shtëpinë e Pjetër Çiurçisë), fillon me dokumentacionin që për fat ruhet edhe sot. Në proçes nuk shënohen torturat që i janë ba Paulinit, por, dëshmitaria okulare që jeton edhe sot, Z. Terezina Zorba (Pali) tregon: “kur po më dërgonin në dhomën e pyetjeve, polici shoqnues më la pak minuta në koridor, mbasi ai hyni tek oficeri pyetës ku dukej se kishte shumë njerëz. Aty afër derës ishte një baul e vjetër e mbyllun me dry. Ndigjova një za të lehtë e të mekun: “Terezinë...Terezinë! Jam Paulin Pali!”, unë e tronditun iu përgjigja: “Kush?”...Ai u përgjigj prap: “Paulini moj, Paulin Pali!”.”Isha aq e tronditun sa edhe sot më tmeron ai kujtim i mnershëm i asaj ditë, kur mendoi atë djalë aq të pashëm e të gjatë si bajrak dy metër, të palosun dyfish në atë arkë aq të vogël, sa mezi mund të futej një fëmijë. Aty i shkreti Paulin ka qëndrue me ditë e javë të tana... derisa njëditë nuk u ndigjue ma zani i tij që ndigjohej çdo natë në tortura.” Paulini deklaron: “Jam arrestue nga forcat partizane, tue u arratisë në Itali, me datën 15 shtator 1946,” (ndërsa flet-arresti ka datën 14 shtator 1946), mos vallë shkaku i arratisjes asht lëshimi i flet-arrestit njëditë para? Asht edhe varianti tjetër, mos ndoshta Sigurimi e dinte se Paulini don me u arratisë dhe shkon në vendin e caktuem me flet-arrest të lëshuem njëditë ma parë në xhep? - Për mue, qëndron varianti i dytë, mbasi zhvillimi i proçesit, indirekt zbulon diçka!..Vazhdon ma poshtë: “Kam krye fakultetin Juridik në Firencë në vitin 1942. Kam ardhë në Tiranë, prej ku kam shkue në Prizrend. Për Kosovën mendojshe se do të fitojnë lirinë dhe nuk do të rrinte nën sundimin e Krajl Pjetrit. Kështu, bisedonim me avokat Sokol Dobroçin, në Prizrend. U ktheva në Shqipni dhe shoqnohesha me shokë si: Ragip Metën, Galip Jukën, Adem Bazhdarin, Ranko Cerankoviq, Pjerin Koliqin, Pashko Gecin e Filip Ndocaj. Kisha shokë Qemal Shehun e Muzafer Pipën. Idetë e mija kishin karakter liberal. Kritikonim vëprimet e
Pushtetit sotëm. Nga Fronti Demokratik ishe i paknaqun. Fronti kishte marrë fuqinë dhe përfshinte Partinë Komuniste. Elementët që drejtonin ishin pa eksperiencë. Kishte papunësi, sëpse njerëzit që kishin ardhë nga mali kishin zanë të gjitha vendët e punës. Kishte vetëm një Parti, na dishrojshim edhe grupe të tjera politike, gja që na bante me mendue se duhët të bashkohemi edhe na. Për këtë jemi mbledhë tek Muzafer Pipa, ku, mendonim për një veprimtari politike intelektuale. Muzaferi tha: “Intektualët nuk kanë dhanë asnjëherë shenjë bashkimi, megjithqë forca e tyne asht e madhe duhët një organizim!” I kam kërkue Xhevat Danit një takim me Rizanë. Ishte edhe Jup Hoxha nga korriku i 1945. Rizaja ka përkrahë idenë teme të një grupi intelektual, mbasi zhvillohet vendi. Jupi tha se kështu asht ba edhe në Tiranë me Gjergj Kokoshin. Rizaja mori përsipër me bisedue me Gjergjin.
Me datën 10 gusht 1945, kam shkue në shtëpinë e Muzaferit, unë dhe Adem Bazhdari. I vuna në dijeni pa përmendë emnin e Rizasë. Ma vonë kemi ndejë prap në kafe Adriatik me Ademin e Muzaferin. Me datën 30 tetor 1945, kemi ba një mbledhje në shtëpinë e së shoqës së Bajram Currit, kur pritshim ndërhymjen e Aleatve dhe biseduem për gjendjen ndërkombtare, ku foli edhe Ragipi (Meta). Pak ditë ma vonë kemi ba një mbledhje në shtëpi të Riza Danit. Kemi propagandue kundër ligjit elektoral, jo vetëm një parti. Kemi folë me Luigj Mjedën, Abdyl Urën, Iljaz Krajën. Zgjedhjet treguen se na shkoi puna kot. Muzaferi më tha, nga Dibra mendohët me u ba kryengritje me armë. “Asht keq që një grusht komunista të na imponojnë mendimin e tyne”, i kam thanë Riza Danit. “Na që kemi kenë në mal e, që kemi luftue kundër okupatorit, nuk kemi të drejtë me zbatue pikëpamjet tona”, i ka thanë Muzaferit, Rizaja. Rizaja bisedonte me Luigj Koliqin. Na mendonim për një Organizatë ilegale me parime demokratike. Përveç të sipërmëve mendonim me kenë edhe Brahim Dibra, Luigj Franja, Dan Dibra, Asim Ulqinaku, Dan Hasani, Xhevat Bekteshi, Kol Prela, Rizaja, një farmacist etj. që nuk i kujtoj. Në Durrës ishte formue një parti por nuk kishim marrë lidhje me té. Me Kol Prelën kishim lidhje politike, ndërsa lidhje pune kishim me Riza Danin. Me Dionis Miçaçon dhe Rexhep Mborjen kemi bisedue për gjyqet...
Më 15 qershor 1946 u takova me Lec Shirokën, dhe më tregoi se prëgatitet një barkë me ikë për Itali dhe i thashë, po të ketë vend vij edhe unë, por pare me pague nuk kam. Ai më tha, se paguen tjetër kush në Tiranë, e tri ditë para të diftoj. U nisa të shtunën në Tiranë me takue Hasanin, mik i tij në Bulevardin “Qemal Stafa”, dhe ai do të na udhëzonte si me ikë për Itali. Mbas tri ditësh me Namikun u takueme edhe më tha se na mungon italiani (mekaniku), nisja nuk bahët të dielën, po u la për të mërkurren dhe vjen edhe mekaniku.
Ditën e mërkurrë me datën 14 gusht 1946, u nisëm për Shtoj dhe mbasi barka nuk erdhi, ditën e enjtë në mëngjez na arrestoi këshilli i vendit e na përcolli për në Komandën e Durrësit. Prej Durrësit në Tiranë e, prej Tiranët në Shkodër.”

Deklaruesi: Paulin Pali d.v. Asistoi: Dul Rrjolli d.v.
Oficeri pyetës: Major Zoji Themeli d.v.

Me datën 19 dhetor 1946, Abdyl Kokoshi deklaron: “Prej Gaspër Palit e Bahri Koplikut më asht rekomandue Paulin Pali, me të cilin lidhej Mehmet Daiu, Kel Çoba dhe Simon Daragjati. Këta kishin lidhje me Jup Kazazin i cili i ka dhanë Paulinit 25 stërlina. Ndërsa Eduard Suma, Abdullah Garuci etj. do të na ndihmonin. Jam takue me Dionis Miçaçon dhe kemi bisedue për këto çështje”.
Proçesi vazhdon i gjatë me Abdylin, i cili si dukët, nga torturat mendon me i dhanë fund jetës tue pranue gjthshka shkruen hetuesi, ai vetëm në fund ven firmë. Asht me të vërtetë me t’ardhë keq! Për martirin Simon Darragjati fatkeqësisht nuk kam muejtë me gjetë material, mbasi asht mbytë pa muejtë me prëgatitë gjyq falso ndër dhomat e vdekjës.
Do të ishte me shumë interes me u studjue dosja e plotë e këtij grupi martirësh të kombit që, edhe pse nuk m’u dha mundësia me e pa këtë material të plotë, mërrijta me kuptue nëpërmjet atyne pak rreshtave të ballafaqimëve, qëndrimin heroik dhe të palëkundun të Kol Prelës, Kel Çobës, Abdyl Rusit dhe Kol Kurtit. Edhe pse të ndodhun para gjakajtorësh si: Zoji Themeli, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Vehbi Fishta, Xhemal Selimaj, Lilo Zeneli, Vaskë Koleci, Ali Xhunga etj. asht e pakuptueshme për né, forca e qëndresës së tyne dhe këtë e tregon ma mirë se çdo gja, fundi i jetës së tyne. Mbas 18 muejsh hetuesi, Prokurori Ushtarak i Zonës Ushtarake Shkodër, kapiten Namik Qemali d.v. përpilon akt-akuzën për të pandehurit:
1. Paulin Mark Pali,
2. Kol Prel Gjoka,
3. Kel Gjon Çoba,
4. Dhionis Kristo Miçaço,
5. Shyqyri Bajram Shpuza,
6. Abdyl Riza Rusi,
7. Mehmet Mahmut Daiu.
- Kanë punuar për formimin e organizatës terroriste në Shkodër.
- Lidhën me Komitetin Qendror të Organizatës terroriste të Tiranës dhe marrin direktiva për formimin e Organizatës së Shkodrës. Formojnë grupe klandëstine terroriste intelektuale etj.
- Bien në lidhje me shoqëritë fashiste demokristjane të krijuara në gjirin e Klerit Katolik dhe bashkëveprojnë në aktivitetin e tyre kundërshtar.
- Nga të pandehurit, Kol Prela, ka qenë efektiv i Komitetit
Qendror Demokristjan, dhe bashkpuntor i Organizatës terroriste.
- Kanë mbajtë lidhje me armiqtë mbrenda e jashta shtetit.
- Kanë qenë për ndërhyrjen nga jashtë, nga të huajt imperialistë.
- Direktivat nga Komiteti Qendror i Tiranës ua ka dhënë Abdyl
Kokoshi. Janë prëgatitë për kryengritje të armatosur.
- Këta kanë prëgatitë edhe 9 shtatorin e 1946. Janë përpjekur me
sabotuar Reformat e Pushtetit Popullor.
- Paulin Pali i autorizuar nga Komiteti Qendror i Organizatës
terroriste të Tiranës, tenton të arratiset në Itali, për të shpurë punën e organizatës, për të cilën pregatitë barkën e udhtimit dhe kapet në buzë të detit...”.
“Trupi Gjykues i përbërë nga: Kryetari, kap I Misto Bllaci, anëtarë, kap II Përtef Alizoti dhe nëntoger A. Koroveshi, prokuror kap. Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q. Dautaj, me datën 14 janar 1948, ditën e mërkurrë, hapi seancën me pyetjen e të pandehurit:

Prof. KOL PREL GJOKA
I biri i Prelës dhe i Katrinës, vjeç 30, i pa martuar, i padënuar, i varfër, ka mbaruar fakultetin e letërsisë, Profesor, ka vëllain në burg (Markun), i arrëstuar më 19 shtator 1946, deklaroi: - Në akt-akuzë, diçka, ndonjë fjalë asht e vërtetë. Jam kenë me studime në Itali. Në vitin 1940 kam ardhë në Shkodër, profesor. Në 1943 jam ilegalizue në Dukagjin, se mora pjesë në formimin e Këshillit Nacional Çlirimtar të Shkodrës. Qëllimi em ishte të luftojshim fashizmin. U lidha me Zija Dibrën e Arif Gjylin. Sidomos Mark Mala më ka shkrue të hiqësha nga Lëvizja N. Çl., por unë i shkrova, bashkou me né. Më pëlqente demokracia me shumë parti si në Angli e në Francë. Jam lidhë me Mark Ndojën e Bajraktarin, në favor të lëvizjes N. Çl. Në 1945 kam ardhë nga Elbasani. Vllai kishte bisedue me P. Gjon Shllakun për votimet me shumë parti.
Jam kenë dy muej përgjegjës i Seksionit Ekonomik, mandej tetë muej në Normalën e Elbasanit, mandej profesor në Lice të Shkodrës. Vllait, P. Gjoni i ka tregue se mund të bisedohet ma vonë për një grup demokratësh, nuk dij për demokristjane. P. Gjoni më ka thanë, që bane mirë që ké vue kandidaturën, dhe shyqyr që u hoqe nga Dukagjini, se bie borë e ban të ftoftë. Për grupe nuk kam denoncue. Për Organizatën e Tiranës nuk më ka folë as ai, as Paulin Pali. Padër Gjoni njëherë më ka ardhë në shtëpi për emën. Në shkurt jam takue me Paulin Palin, por nuk kemi bisedue gja me rëndsi. Padër Gjonin e kam pasë mik përsonal. Padër Franja, Filipi e Aleksi, kanë ardhë për një deklaratë që i
kam dhanë për P. Gjonin. Me Gjelosh Lulin prej Shoshit jam takue dy herë, në shtator të 1945 dhe në prill të 1946. Më tha se ban mirë me u ilegalizue, por unë i thashë, nuk kam ba gja. Mbasi nuk kam marrë pjesë në organizata nuk mund ta quej trathti.”
Kush ishte Prof. Kol Prel Gjoka? Me datën 7 shkurt (fruer) 1947, oficeri pyetës Zoji Themeli shënon: “Kol Prela ka lé në Shkodër në 1918. Banues në rruga Kokaj Nr. 4, Rus Katolik. Në 1928 ka krye shkollën e ultë ndër Jezuit, ndërsa të mesmën në Gjimnazin e Shtetit, në Shkodër, në 1935. Fakultetin e Letërsisë e ka përfundue në Torino, në 1940. Në vitin 1944 në Shkodër, ishte përgjegjës i Seksionit Ekonomik dhe, Drejtor i Normalës së Elbasanit, deri në nandor 1945. Më 2 dhetor 1945, Deputet i nën/prefekturës së Dukagjinit, deri më 14 shtator 1946, që asht arrëstue në Tiranë. Mbas dy javësh asht sjellur në Seksionin e Mbrendshëm në Shkodër. Prof. Kola deklaron: “Me Padër Gjon Shllakun kam bisedue kundër Italisë, kemi kenë dakord të dy që né duhet të çlirohemi. Po kështu, im vëlla Marku dhe Gjelosh Luli. Që në 1940 e njifshe P. Gjonin dhe kemi bisedue çështje politike, letërsi, histori dhe filozofi. Ai njifte të gjitha shkencat. Kam ndejë në shtëpi të Gjelosh Lulit dhe kam pasë lidhje me Mark Malën. Kemi shkue me pa provat e “Juda Makabé” në Shtëpi të Kulturës.
Pjetër Prendush Palaj, me ka ardhë dy herë në shtëpi që të ndërmjetsoja për transferim dhe nuk kam bisedue për probleme politike. Kur ka ardhë ky, vllait i kam thanë me dalë jashtë, se ky ka hallët e veta, e nuk dishronte t’a dëgjonte kush. Luigj Ljarja më ka tregue se punonte në Pukë. Loro Vatën e njof për ftyrë por, nuk kam pasë lidhje. Me Gjelosh Lulashin kam pasë lidhje, ai më ka thanë me ikë por unë i kam kundërshtue.
I kam tregue për Konferencën e Paqës, që, ose do të bahët paqë, ose bota do të ndahët në dy bloqe. (Kol Prela) d.v. ( Zoji Themeli) d.v.
Shënim: Kola ballafaqohët me vëllain Markun, për Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, se, Kola i ka dhanë udhëzime asaj Organizatë, por Kola thotë se nuk asht e vërtetë. Madje, Kola nuk ka pasë fare dijeni se asht formue një organizatë e këtillë. Kola mohon edhe ekzistencën e ndonjë oganizate ose partie demokristjane, mbasi P. Gjoni thotë ai, do të më kishte tregue mue.

Zoji Themeli d.v.

KEL ÇOBA
Mohon thanjet e Xhevat Metës, Karlo Sumës dhe Syrri Anamalit. ABDYL RUSI nuk pranon asnjë nga thanjet e dëshmitarëve. KOL KURTI thotë: Takimet me shokë nuk kanë pasë karakter politik. Tjerat çka thohën këtu, nuk janë të vërteta.(Dosja 1333). Avokat PAULIN MARK PALI para gjyqit. (Se ku ishte kjo sallë që nuk e pau njeri nuk dihët!?) I shtati u pyet avokat Paulini, i cili tha: “Akuza pjesërisht asht e vërtetë, sidoemos se kam dashtë me ikë. Në 1940 jam kthye nga Italia. Okupacioni më ka xanë në Itali. Edukatën fashiste në shkollë e kishim mësim. Kur erdha u emnova në Këshillin e Epërm Korporativ. Detyra ime ishte me luftue okupatorin, por unë nuk e kam ba. Lëvizjën N.Çl. e kam njoftë, por nuk jam interesue. Në fund e kam simpatizue dhe kam kontribue për shlirimin e Shqipnisë. Për kundra saj, përsa i përket diktaturës nuk e kam dashtë, sidoemos kufizimin e partive të tjera dhe shkrimjen e fuqive të tjera ekonomike. Fuqinë do ta merrte proletariati dhe, kjo u ba realitet dhe të gjithë punojnë. Ky do të shtypte klasën kapitaliste dhe do të përfaqsonte fshatarë e puntorë. Reformat u aplikuen për katundarët e fabrikat u shtetizuen. Tatim-fitimet u banë për puntorë në favor. Lufta NÇL në fillim ishte bloku antifashist, deri në çlirimin e plotë më 1944. Shpirtnisht e kam proklamue në favor. Unë e konsideroj të kishte një demokraci Prendimore. Ku sundon kapitalizmi; fabrikat e bankat i kanë kapitalistët. Një puntor në Angli kur i mungojnë mjetët ekonomike, nuk mund të bahët ministër e të marrë pjesë në qeveri. Sistemi i juej mund të japë lehtësi, por kjo asht faza e parë e shlirimit, e dyta ristabilizimi në ushtri e Pushtet. Unë si princip nuk e kam pra, me diktaturë, edhe pse vegjëlia e mori Pushtetin, por këto ishin principet e mia. Gjatë okupacionit gjerman kam kenë në Prizrend, avokat me Sokol Dodoshin dhe bisedonim për këto vëprime që po baheshin në botë. Fashizmi përjashtohet nga demokracia Prendimore. Spanjën e mban Anglia dhe Amerika. Edhe në Greqi - unë, nuk e konsideroj fashizëm ku ka liri. Franca autentike asht rregjim fashist. Sikur ta mpronin edhe ata fashizmin, pse nuk e aplikojnë edhe ata vetë diktaturën? Në 1942-43 ishe në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për shlirimin e Shqipnisë pa Kosovën, e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë nga shovenistët serb padrejtësisht. Me forcë nuk mund t’a marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Blokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore. Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku.
Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia. Unë nuk dij në se populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetët në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s’e dij! Populli shqiptar ka vllaznim me shqiptarin. Idetë e mia kanë kenë këto, dhe me ke kam njoftë kam bisedue dy-tre herë, kur më asht paraqitë rasti. Ëndrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por, në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj. kam folë.
Kur filluen Gjyqet e Popullit nuk më pëlqenin, se nuk garantohej si duhej drejtësia. Gjyqi bahej publikisht, por proçedura që ndiqej më epte atë përshtypje, dhe Trupi Gjykues nuk i epte atë që duhej, pra, atë që meritonte. Trupi Gjykues nuk ishte i aftë. Gjykatësi duhej të ishte i paanëshëm. Po citoj nji shembull qysh në fillim e deri në mbarim, këtë ide e kam pasë formue, Riza Alinë, as e kam njoftë, as e dij se ka kenë element i keq. Ekzekutimi i tij më ka ba të vuej shpirtnisht, gjithashtu edhe Ymer Lutfija që nuk e ka meritue me u dënue me vdekje.
Kanë kenë me Ballin e okupatorët kanë ba trathti. Ndue Pali ka kenë ballist, me sa dij unë. Unë mund të jemi i mbrapësht dhe i keq, por këto kanë kenë konceptet e mija. Unë nuk dij ç’të tham!.
Për të mbetat e gjyqeve kam bisedue me Xhemal Brojën, Skënder Luarasin, Kol Prelën dhe Dhionis Miçaçon, të cilët rastësisht në biseda pajtoheshin në pikpamje. Me Skënder Luarasin kam folë me nji ton tjetër, se ai ishte në Pushtet dhe i kam thanë të ishte ma butësi. Gjatë Luftës, kam ndigjue se janë vra njëzetetetëmijë vetë, ndërsa, mbas Luftës deri në 1946, mund të jenë vra nja 500 vetë. Unë nuk kam dashtë të ruaj kuadrot e reaksionit, as më ka shkue mendja, ndoshta nuk i kam dashtë kujt të keqën, ju e keni marrë ashtu, por kur asht ba nji vrasje, unë nuk kam dashtë nji tjetër, mbasi jemi popull i vogël. Nuk kam asnji ambicje politike.
Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër Gjykatave Ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Blokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta. Që të marr përsipër nji aktivitet konkret për këtë gjendje nuk kam fillue. Nuk asht e vërtetë që të kemi aktivizue intelektual, as të kemi ba mbledhje në shtëpi të ndryshme. Kam luejt poker tek Riza Dani, Ragip Meta e Xheudet Luloçi dhe në tjetër vend nuk kam shkue.
Nuk kam shtrue biseda as për organizatë, as për komitete e as nën/komitete. Me Klerin nuk kam mardhanje politike, por biseda në Tiranë kam pasë me Padër Viktorin edhe këtu, me Padër Gjon Shllakun, ku, ka kenë edhe Kol Prela, në atë mbledhje që i thoni ju, por, ajo nuk asht kenë mbledhje, por kemi bisedue për probleme politike të mbrendshme dhe të jashtme, gjendjen e randë e kemi pranue, por nuk kemi ba gja ose mendue vepra kundër shtetit. Kol Prelës nuk i kam thanë gja për deputetllëk, dhe nuk kam pasë qëllim për të dërgue përfaqësuesit tonë në Kuvendin Popullor. Ma vonë mendojshe me ikë.
Për demokristjanen nuk kam bisedue, as nuk kam dijtë, as nuk kam dijeni, as nuk kam dijtë se ka kanë Padër Gjoni, por si nji parti e krijueme jashta shtetit, e dij se asht ndër shtete tjera, por, as që kam bisedue për té me njeri. Para zhvillimit të Gjyqit Ushtarak kam shkue tek Riza Dani, i kam kërkue të vinte dëshmitar për Ymer Lutfinë, për mënyrën e organizimit nuk kam bisedue. Kur asht këthye nga Tirana i kam thanë që fjalimi i tij ka ba përshtypje, natyrisht, tek na. Mbledhje nuk kemi ba në shtëpi të Muzafer Pipës, në proçes hetimor i kam pranue, por, i kam përgënjeshtruar. Me Jup Hoxhën e Xhevat Danin kam bisedue biseda të rastit. Me Jupin kam shkue me lujtë poker, dhe kur kam bisedue me Rizanë nuk asht kenë Jupi. I pandehuri Xhevat Dani tha: “Më dukët se po!” I pandehuri Paulin Pali, tha se nuk asht e vërtetë se Rizaja do të bisedonte me Gjergj Kokoshin, apo, me ndonjë njeri në Tiranë. Për Gjergj Kokoshin nuk më ka thanë gja. Në kjoftë se jam i tepërm për shoqninë njerzore, mund të më zhdukni!
E dënoj vedin se kam ba gabime, kam pasë edhe të mbeta, kam ba edhe faj. Gabimet, e thashë këtë frazë se ju do të më dënoni. Para se të shkonte Riza Dani në Tiranë, nuk kam bisedue për organizata dhe, nuk i kam thanë se do të takoheni me Gjergj Kokoshin. Nuk asht e vërtetë, që kam thanë se duhet propagandue me futë frymën tonë në rini. Siç thashë, nuk kam ba asnji mbledhje, në shtëpinë e së shoqës Bajram Currit kam kenë, por familja nuk ishte aty. Çilsin e kishte dhandrri i tyne Ragip Meta, ndërsa na kami shkue me lujtë pokër aty. Për sabotimin e votimëve nuk kam marrë asnji masë. Kur u zbulue Organizata “Bashkimi Shqiptar”, e kam marrë vesht vetëm në gjyq. Për mue, Padër Gjoni, nuk ka kenë për Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, ajo asht krijue ndër Jezuit, ku janë kenë Padër Dajani e Padër Fausti. Me Riza Danin nuk kam ba asnji mbledhje, dhe organizatë nuk kemi pasë. Me komitete nuk kam marrë pjesë dhe nuk kam kenë ndër to.
Me Pushtetin nuk kam kenë dakord, por nuk kam ba asnji aktivitet kundra.
Kam shkue shpesh në Tiranë, jam takue me shokë, njiherë me Gjergj Kokoshin e Suat Asllanin kemi bisedue përciprisht dhe, ishim dakord dhe të nji mendimi.
Abdyl Kokoshin e kam njoftë në Kosovë, mbas shlirimit jam takue në Shkodër mbasi kishte gruen këtu, por jo, për organizatë klandestine dhe nuk kam ba ndonji mbledhje me té. Nuk dij se kush e ka organizue përpjekjen e 9 shtatorit, dhe me të arratisun nuk kam pasë anji lidhje. Nuk kam krijue grupe klandestine por, kam pasë shpresë tek zbarkimi Anglo-Amerikan, mua më pëlqente dhe nuk i quaja okupator se mendonin për liri politike. Unë kështu mendojshe!
Për ikje në Itali, e kishim lanë me u takue rrugës me Hasan Menikun. I shkova në shtëpi dhe lamë takim për të mërkurrën dhe u nisëm. Për këtë kam kenë lidhë me Lazër Shirokën, të cilin ma ka paraqitë Kol Kaçulini, por nuk ishe i ngarkuem me komitete për të ikë. Barkën e kanë pague të tjerët, Aqif Toptani e Hasan Myniku, por unë, nuk kam kenë i ngarkuem me mision dhe, nuk më kujtohet të kemi lanë gjyq përgjysë. Adem Bazhdari më ka thanë, me kenë si ti kishe me ikë por, jo, se donte me ikë ai. Në breg të detit na kanë kapë, por nuk kam djegë dokumenta dhe, as nuk kam hjellë gja poshtë, përveç tre Napolonave flori. Kam pasë do letra dhe nji sahat, letrat ishin kangë serbe, këto i dorzova. Unë tham kështu zoti Kryetar, jam ose ma mirë, nuk dij ku jam!
S’dij, se çiltas (haptas) tham nji gja: Deri para arrestimit dal si Paulin Pali dhe ndiej vedin fajtor për disa gjana, por për disa jo, dhe nuk e quej vedin fajtor!
Unë dal si Paulin Pali para arrestimit, por ma pas (mbrapa), nuk dij gja dhe mos më pyetni! Jam marrë në proçes dhe nuk jam dakord në përgjithësi me té.
Unë dua të tham këtë: “Ma mirë të hesht!” Ju kënduan thanjët e hetuesisë dhe i vërtetoi pjesërisht. Ju këndua proçesi i Abdyl Kokoshit dhe e mohoi.” Më 15 janar 1948 u pyetën të pandehurit për herë të fundit:
“PAULIN PALI tha: Më Abdyl Kokoshin nuk kam pasë lidhje, as nuk kam njoftue Komitetin, as kam marrë pare, as nuk i kam dhanë Jup Kazazit. Me Klerin nuk kam pasë lidhje dhe, për Kel Çobën nuk dij të jenë kenë në Komitete. Moralisht nuk jam i pastër, karakteri i fortë burrnor më mungon. Përsa i përket faktit të organizatës kundër Pushtetit, pjesërisht e pranoj e, pjesërisht jo!
Kërkoj mëshirë! KOL PRELA tha: I lutem Trupit Gjykues, të mos hjedhë poshtë aktivitetin tim, që kam dhanë gjatë Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Si kam ardhë nga mali kam ra në pasivitet, por jo, se kam pasë urrejtje kundër Pushtetit por, disa gabime më kanë shty të baj faj, sëpaku, tue marrë parasyshë në përgjithsi, kërkoj mëshirë!
ABDYL RUSI tha: Në bazë të deklaratave të Syrri Anamalit mund të më dënoni por, ato s’janë të vërteta, e la në dorën tuej. Kam ba gabim se jam i pakënaqun!
KEL ÇOBA tha: E quej vedin fajtor se në kundërshtim me ligjët e Pushtetit, kam strehue në shtëpinë teme kriminelin e Luftës, jo tjetër, por, vllaun tem Ejëll Çobën, për këtë pranoj të më jepet dënimi që meritoj.
Kryetari i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, me datën 16 janar 1948, dha vendimin: PAULIN MARK PALI dhe KOL PREL GJOKA, me vdekje, me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme. Të dënuarit kanë të drejtën e apelit në Gjykatën e Naltë.” V.O. Për zotnitë Abdyl Rusi dhe Kel Çoba, nuk kam pasë në dorë material tjetër ndërsa, gjatë procesit të gjyqit nuk kam asnjë pyetje të gjykatësve ose ndërhymje prokurori. (autori).
Bashkë me dosje, për shqyrtim vendimi nga Gjykata e Naltë asht dërgue edhe fletë-arresti : “Paulin Mark Pali, datlindja 1914, nga Shkodra, avokat.
Dobësimi i Mbrojtjes Kombëtare e kryemë vazhdimisht, me nenin 7, paragrafi II, Ligja Nr. 368 dt. 5 dhetor 1946. Prokurori: Hys Zaja, data e lëshimit 15 gusht 1946. Seksioni i Sigurimit Shkodër.” Shif me kujdes nënvizimet, në flet-arrest asht vue data e ligjit, që asht aprovue katër muej mbas arrëstimit të P. Palit. Vendi i lëshimit, asht Shkodra, arrëstimi asht ba në Durrës!. Në Durrës, fletë-arresti ka dt. 14 gusht 1946.... në Shkodër, 15 gusht “Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e saj me datën 23 mars 1948 dhe me vëndimin nr.108, E përbërë nga : Kryetar, major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K.Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi:
Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës 1. PAULIN PALI 2. KOL PRELA. Mbetët në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë.” Cili ishte vullneti i tyne i fundit?
Kur u ekzekutuan? Kush i ra mbas kokës? Thonë,...se i kanë pa të pushkatuem bashkë me dy të tjerë të panjoftun... Po, ku? Kur kunata e tij, Roza, zonja e Gasprit kishte marrë rrobat e Paulinit që këthehëshin nga hetuesia mbas pushkatimit, kishte gjetë në vendin e ushkurit të brekëve të gjakosuna një pustull të vogël, ku ai kishte shkrue:“Bani çmos e më bini diçka me hangër, se u fika unit”, pikërisht, kur, ajo e shkreta i çonte çdo ditë katër sofratasa me ushqime. Të cilët, ngopnin zagarët e Sigurimit, Dulaçin, Elez Mesin, Minirin, tetar Dhimitër Çifligarin, Pjerin Kçirën e Karabecët me shokë. Ishte ajo kohë kur uria dhe etja nuk kishin cak....Tregonte zonja Terezina Pali, se i burgosuni Sami Barbullushi asht detyrue me pi urinën e vet, mbasi kishte dy ditë që nuk i jepnin ujë. Dihët vetëm se njëditë kur shkoi në qelinë e tij Adem Bazhdari, gjeti të shtrimë përdhe një njeri, pothuej i vdekun, ishte i lamë me gjak, përmbys, ia solli fëtyrën nga drita e shikoi, nuk e njohti. E pau se merr frymë dhe, e pyeti: “Kush jé ti?” Ai u përgjegj: - “Jam Paulin Pali”.

Faik Konica shkruante dikur: “U përket me lexue brimët e dhimbëshme të të gjithë atyre atdhetarëve që gjimojnë me tërë lotët e Atdheut, që do të derdhin në padrejtësitë e atyre që donë me na pa të koritun e, që, dishrojnë që nëpër skam të popullit, të vijnë e mbramja.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora