E diele, 28.04.2024, 10:40 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Skifter Këlliçi: Festival i 11-të i Këngës në RTV (II)

E diele, 21.09.2008, 04:28 PM


Todi Lubonja: Festivali për Enverin, bonbone me helm!

Festivali i 11-të i Këngës në RTV, i zhvilluar plot 35 vjet më parë, me nisjen e luftës kundër "armiqve" në fushën e artit e kulturës, sipas dëshmive e dokumenteve të kohës, paraprin dhe zbulimin e "grupeve armiqësore" në ushtri e ekonomi

Festivali i 11-të

Nr.2

22-24 Dhjetor 1972

Festivali që ndëshkoi "armiqtë" në kulturë

Festivali i 11-të i Këngës në RTV, i zhvilluar plot 35 vjet më parë, me nisjen e luftës kundër "armiqve" në fushën e artit e kulturës, sipas dëshmive e dokumenteve të kohës, paraprin dhe zbulimin e "grupeve armiqësore" në ushtri e ekonomi. Ndërsa Festivali i 11-të që korri sukses në netët e zhvillimit e më pas, nuk i shpëtoi parandjenjës së njerëzve të artit për një ndëshkim të pritshëm nga udhëheqja. Më saktë, këtë e kujton Todi Lubonja, ish-Drejtor i Televizionit, të cilit pas përfundimit të Festivalit të 11-të, Ramiz Alia, që i kishte ndjekur të tria netët së bashku me të, i kishte thënë si me shaka: "Mos këngët e festivalit janë si ato bonbonet që kanë brenda helm?".

Festivali i 11-të i Këngës në RTV u zhvillua nga data 22-24 Dhjetor 1972, në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Regjisor i festivali ishte Mihallaq Luarasi. Prezantues ishin, Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu.

Në festival u paraqiten 20 këngë, të cilat u kënduan nga 19 këngëtare. Këngët u shoqëruan nga orkestra e drejtuar nga Zhani Ciko, si dhe nga orkestrina frymore e drejtuar nga trompisti i talentuar Gaspër Curçia. Këngët u shoqëruan nga tre vajza dhe tre djem. Përveç jurisë qendrore të Tiranës, ishin edhe disa juri të tjera ne qytete të ndryshme të vendit. Festivali u organizua në këtë mënyrë, ku të gjitha këngët, pra të 20-të këngët, u kënduan natën e parë dhe natën e dytë u përsëritën të gjitha, por me një ndryshim; radha e interpretimit nisi nga kënga e fundit.

Festivalin e hapi kënga "Sonte u takoj të gjithëve", e kënduar nga Zija Saraçi, e dyta ishte kënga "Në ekranin e televizorit" e kënduar nga Justina Aliaj. Më pas, në radhë ishin "Vajza e qelqtë", "Erdh' një djalë në fshatin tim", kënduar nga Dorian Nini.

Suzana Qatipi dhe Valentina Gjoni ishin të vetmet këngëtare që dolën në  skenë me pantallona doku, tip kominoshe, me dy rripa të lidhura prapa. Suzana

Qatipi këndoi këngën "Vajzat dhe kompozitori", ndërsa Valentina Gjoni këndoi këngën "Stina më e bukur".

Studenti i shkathët që mori edhe duartrokitjet e shokëve të tij studentë, që ishin të pranishëm në sallë, Bashkim Alibali, këndoi këngën "Kënga e studentit". Françesk Radi, këndoi këngën "Kur dëgjojmë zëra nga bota!", me tekst e muzikë të tij, ndërsa këngën "Natën Vonë", të Tish Daisë e këndoi Vaçe Zela.

Ema Qazimi këndoi "Kush më njeh mua", e cila edhe u vlerësua me Çmimin e Tretë, ndërsa Liliana Kondakçi interpretoi këngën e Aleksandër Peçit "Mozaik tingujsh, mozaik ngjyrash".

Më pas, Iliriana Ccarccani interpretoi "Sytë e një vajze" kompozuar nga Kujtim Laro, me tekst të Sadik Bejkos. Interpretimet e radhës iu besuan këngëtarëve, Petrit Dobjani, Ilmi Hoxha, Lefter Agora etj. Tonin Tërshana këndoi "Erdhi pranvera", kompozuar nga Pjetër Gaci, me tekst të Llazar Siliqit.

Fituesit ishin: Çmimi i Parë "Erdhi Pranvera", kënduar nga Tonin Tërshana; Çmimi i Dytë, "Udhët janë të bukura" kënduar nga Lindita Sota dhe; Çmimi i Tretë, "Kush më njeh mua" interpretuar nga Ema Qazimi.

Shkrimtari Skifter Këlliçi, atë kohë gazetar në RTVSH, në këtë numër sjell detaje dhe mbresa interesante nga ky festival, që në përfundim të tij u vu në shënjestrën e Enver Hoxhës dhe regjimit të kohës, duke bërë që shumë nga organizatorët dhe interpretuesit e tij t'i nënshtrohen një kalvari të mundimshëm intelektual e fizik.

K.Boriçi

Ekskluzive/ Në prag të fillimit të Festivalit të Këngës në Radiotelevizion, Skifter Këlliçi, ish-gazetar i RTVSH dhe dëshmitar i Festivalit të 11-të të Këngës, në vazhdim, sjell fakte të reja nga ky aktivitet, që shënoi fillimin e një ndëshkimi të ashpër të Enver Hoxhës e regjimit të kohës ndaj artistëve, organizatorëve, e ndaj njerëzve të artit e kulturës në vend.

Nga Skifter Këlliçi

Ndonëse vëmendjen kryesore Byroja Politike e kishte përqendruar te TV-ja, kur Radio Tirana transmetonte 17 orë program në ditë dhe TV-ja vetëm 5 orë, Todi Lubonja, një herë në një mbledhje me redaktorët kërkoi, veç të tjerash, që programet e Radios të kishin një regji, ku personazhe të shquara në fushën e artit, mundësisht gojëtarë të shkathët, me paraqitjen e programeve, ndërhyrjet dhe bisedat me të ftuar të tjerë, të krijonin lidhje organike të emisioneve që pasonin njeri-tjetrin dhe, më pas, që redaksitë e lajmeve të Radios dhe TV-së të bashkoheshin, që të ndihmonin kështu më mirë njëra-tjetrën, përvojë që ishte zbatuar edhe nga RAI.

Për t'i pasuruar lajmet e jashtme, menjëherë u nënshkrua një marrëveshje me kompaninë "Visnjuz" që siguronte kronika televizive nga bota. Për herë të parë në emisionet muzikore të Radios, u transmetuan këngët e Festivalit Evropian, që sapo kishte përfunduar, (maj të 1972), që për Thanas Nanon do të kishte qenë skandal. (E të mendosh se 32 vjet më pas, më 2004 Shqipëria do të merrte pjesë për herë të parë, por jo të fundit, në një veprimtari të tillë dhe kënga shqiptare do të arrinte në vendin e gjashtë!)

Që në maj të vitit 1970, kur në Meksikë do të fillonte Botërori i 9-të i Futbollit, u kisha propozuar inxhinierëve të sektorit teknik, që në rast se realizohej kalimi i figurës së stacioneve të huaja që shiheshin në TVSH në kanalin e TV-së, atëherë ende eksperimental, unë isha gati që të komentoja ndeshjet e futbollit dhe më pas veprimtari të tjera sportive. Por këtë propozim Thanas Nano e kishte hedhur poshtë kategorikisht. Dhe ja, më 25 prill të vitit 1972, Todi Lubonja më ndali në korridoret TVSH-së dhe më pyeti: "Hë, a je në gjendje të komentosh ndeshje futbolli nga televizionet e huaja?".

I befasuar, se këtë radhë nuk isha unë, por ai që ma bënte këtë propozim, iu përgjigja "Po!". Por, jo pa ngurrim. Dhe kështu të nesërmen, në orën 17.00, TVSH-ja transmetoi nga RAI ndeshjen Itali-Belgjikë, që luhej në Milano, me rezultat (0-0) dhe në orën 20.30 nga TV Beogradi ndeshjen Agli-RF Gjermane, rezultati (1-3) që luhej në Londër.

Jehona qe e jashtëzakonshme, madje edhe nga kupola e kuqe.

Pas një muaji, më kujtohet se nga Elbasani erdhi profesori i nderuar i kulturës fizike, Besim Qorri, dhe solli në Drejtorinë e RTVSH-së një letër falënderimi për këtë institucion, që po u jepte mundësi edhe sportdashësve të shumtë elbasanas të shihnin në TV veprimtari të tilla sportive edhe në qytetin e tyre, madje edhe në tërë Shqipërinë. Natyrisht, më falënderoi edhe mua.

Një mëngjes qershori të vitit 1972, Todi Lubonja më ftoi me ngut në zyrë dhe më tha se shoku Enver ishte i kënaqur me të rejat që kishte parë në TV dhe kishte shtuar që të vazhdohej në këtë rrugë. Më pyeti se ç'mund të bënim tjetër në fushën e sportit. Iu përgjigja se mund të transmetonim lojërat olimpike, që në Gusht-Shtator zhvilloheshin në Mynih të RF Gjermane. "Patjetër",- më tha ai. Dhe kështu ndodhi.

Mbase u teprua që, me disa përjashtime, prej orës 14.00-23.00, madje edhe më vonë, nga TVSH-ja, duke u kombinuar me emisionet lajmeve të orës 18.00 dhe 20.00 dhe me emisionin e fëmijëve të orës 18.30, u transmetuan tërë llojet e sportit të Olimpiadës Gjermane. Mirëpo jehona kudo në Shqipëri qe e madhe.

Më kujtohet se në një takim që Pirro Kondi, aso kohe Drejtor i Drejtorisë së Propagandës në KQ, në tetor të vitit 1972 pati me gazetarët sportivë, ku merrja pjesë edhe unë, vlerësoi transmetimin e këtyre lojërave nga TVSH-ja.

Dhe ja, me ardhjen e Todi Lubonjës në RTVSH, në vazhdën e këtyre dukurive të reja që kishin filluar në emisionet radio-televizive, në letërsi dhe arte, madje, edhe një jetën tonë të varfër shpirtërore, u përgatit edhe Festivali i 11-të i Këngës. Regjia e tij iu besua të talentuarit Mihal Luarasit, që edhe ai, si Todi Lubonja, ishte transferuar nga Korça në Institutin e Lartë të Arteve dhe ishte tërhequr menjëherë prej tij në TVSH, si udhëheqës artistik.

Pra, siç e pamë nga faktet dhe argumentet e mësipërme, ai nuk ishte rrufe në një qiell të kthjellët.

Si u prit Festivali i 11-të?

Të them të drejtën, unë dhe shokët e mi, gazetarë në RTVSH e pëlqyem festivalin, të cilin unë pata mundësi të ndjek vetëm një natë në sallë e netët e tjera në TV, madje në galeri, më këmbë, sepse biletat ua ndamë kryesisht bashkëpunëtorëve më të ngushtë, figura të shquara në fusha të ndryshme të kulturës, artit dhe shkencës. Veçse na bëri një çikë përshtypje paraqitja e jashtme. Pati nga ata të cilëve iu duk pak e tepruar. Edhe tek-tuk në popull, sidomos te ata që ishin konservatorë, u krijua ndonjë opinion ekstrem: "Pse, ku jemi këtu, në Itali, që këngëtaret të vishen e të këndojnë kësisoj? Por edhe, disi nën zë: "Festivali qe i bukur, me këngë të këndshme… edhe veshjet, sidomos të këngëtareve. Sa mirë që erdhi më së fundi koha e tyre edhe në TV. Por, mos e dhëntë Zoti të ketë pasoja andej nga lart!".

Një gjë është e sigurt: Veshje të ngjashme me to të këngëtareve, kishin filluar të shiheshin rëndom të paktën tek të rinjtë dhe të rejat e Tiranës. Më saktë, te fëmijët e udhëheqësve, me përjashtim të fëmijëve të "Udhëheqësit të Madh". Pra, si pasojë, nga paradat në bulevardin e madh dhe lokalet e njohura të Tiranës, ato ishin ngjitur në skenë e Festivalit të 11-të. Por, gjithsesi, ato veshje përbënin ende befasi në syrin e pamësuar të teleshikuesit shqiptar.

Edhe Marash Hajati, në librin e tij "Dera e prapme e shtypit", lidhur me paraqitjen e jashtme të Festivalit të 11-të jep mendime të tilla, të përafërta, kur shkruan: "Kudo, në shtëpi, në rrugë, në zyra, të kapte veshi një mori vlerësimesh e mendimesh nga më të ndryshmet: "Ishte festival i bukur, u kënaqëm", "E çfarë kishte origjinale? Imitime banale si në Itali", "Keq!", "Nuk na përshtatet neve…", "Dikush do ta pësojë", "I di Partia ato punë?" etj. Me gjysmë zëri, me gjysmë ndrojtje e gjysmë vigjilencë, erdhën këto zëra në formë private deri në korridoret e KQ". (faqe 76)

Më poshtë, ai vazhdon: "Atë natë, në formë zemërimi diçka ishte thënë në pallatin e pushimit në Vlorë, nga Enver Hoxha...". Por, lind me të drejtë pyetja: Kujt ia kishte thënë? Pra, edhe Marash Hajati, ndonëse instruktor i shtypit në KQ, në këtë konstatim mbetet në fushë e hamendësimeve, ashtu si edhe unë në përshkrimin që i kam bërë këtij episodi më sipër, sepse edhe tani nuk është zbuluar vërtetësia e kësaj shprehjeje të dalë nga goja e diktatorit. Më mirë se kushdo tjetër, këtë mund ta vërtetojë e shoqja e tij, Nexhmia, që, siç kemi thënë më lart, duhet të ketë qenë e pranishme ato net të festivalit, pranë tij, në Vlorë, mbase edhe fëmijët, aq më tepër që Marash Hajati vazhdon: "Zemërimi i ishte shtuar shumë, kur juria qendrore dhe ato të rretheve, "në stilin italian" komunikonin e bënin vlerësimet e këngëve dhe interpretimeve të atij festivali që solli aq të papritura". (Po aty).

Po shkruaj për Festivalin e 11-të dhe e shoh me vend që, për të shuar kureshtjen e lexuesve, sidomos lexuesve që ende nuk kishin lindur në ato vite, ose ishin ende të mitur, të kujtojmë disa nga këngët e tij:

Festivali u zhvillua nga 22-25 Dhjetor i vitit 1972, në sallën e TOB-it. U kënduan 20 këngë, nga19 këngëtarë (dy këndoi Sherif Merdani). Këngët u shoqëruan nga orkestra e madhe, me dirigjent Ferdinand Dedën dhe Eno Koçon, orkestra frymore e drejtuar nga Gaspër Curcia dhe orkestra e kitarave, nga Alfons Balliçi, si dhe nga një kompleks i përbërë nga tri vajza e tre djem. Veç jurisë qendrore, për vlerësimin e këngëve fituese, ishin krijuar edhe juri në Korçë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër… Festivali, siç përmenda më lart, u drejtua nga Bujar Kapexhiu dhe Edi Luarasi, regjisor ishte Mihal Luarasit. Çmimin e parë e fitoi kënga "Erdhi pranvera" e Pjeter Gacit, kënduar nga Tonin Tërshana, çmimin e dytë kënga "Udhët janë të bukura", e Agim Krajkës, kënduar nga Lindita Sota, çmimin e tretë e fitoi kënga "Kush më njeh mua", e kënduar nga Ema Qazimi. Nga këngët e tjera po përmend "Në ekranin e televizorit", kënduar nga Justina Aliaj, "Mozaik tingujsh e ngjyrash", kënduar nga Liliana Kondakçi, "Erdhi një djalë në fshatin im", kënduar nga Dorian Ndreu, "Kur dëgjojmë zëra nga bota", kënduar nga Françesk Radi, "Sonte u takoj të gjithëve", kënduar nga Zija Saraçi, "Nata e fundit", kënduar nga Besnik Alibali…

Kështu, pra, pas disa ditësh që diçka ishte thënë për festivalin, dhe jo për të mirë, edhe ne punonjësit e RTVSH-s e nuhatëm, por tek Todi nuk vumë re asgjë shqetësuese, aq më tepër alarmuese. Të paktën kështu na u duk. Nuk u bënë mbledhje rrufe të partisë, a të kolektivit, nuk u pa ndonjë figurë e rëndësishme e KQ të futej me nxitim në zyrat e Todi Lubonjës, ose ai të thirrej me urgjencë në selinë e kuqe.

Një gjë dihet me saktësi. Siç thoshte në takimet tona, Todit, pas përfundimit të Festivalit të 11-të, Ramiz Alia, që i kishte ndjekur të tria netët së bashku me të, i kishte thënë si me shaka: "Mos këngët e festivalit janë si ato bonbonet që kanë brenda helm?". Asgjë më shumë. Dhe natyrisht, pa e ditur se në ato çaste, rreth 200 km larg sallës së TOB-it, Enver Hoxha, në vilën e tij në Vlorë, gjykonte tamam ashtu, madje edhe më keq.

E, megjithatë, "udhëheqësi i madh" nuk dihet si ia kashprehur këtë mendim Ramiz Alisë, pasi u kthye në Tiranë. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet qetësia e Todit dhe e Nefos, e cila, si shoqja e Manush Myftiut, një anëtari të Byrosë Politike dhe sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Tiranës, madje me rëndësi, nuk duhej të kishte marrë ndonjë opinion tepër të rëndë të Enver Hoxhës për Festivalin e 11-të.

Por është fakt që "Zëri Popullit" nuk shkroi asnjë radhë për këtë festival, as për të keq, por as edhe për të mirë. Po ashtu edhe gazeta "Drita", organ i LSHA-së.

Hymë kështu në Vitin 1973. Nga sa shihej, nuk pritej të ndodhte ndonjë e keqe e madhe. Këtë e shihja gjithnjë në tiparet e fytyrës së Todi Lubonjës, që nuk shprehnin ankth. Mbase e përmbante veten? Më vjen shumë keq që në takimet me të, nuk e kam pyetur nëse ndiente ato ditë ndonjë shqetësim se mos diçka e keqe do t'i kanosej?...

Kaluan kështu tri javë. Dhe pikërisht më datën 20 janar Todi Lubonja na mblodhi, ne krijuesit në një takim që ishte bërë zakon të organizohej çdo muaj për të na dhënë orientime për planet tona krijuese për muajin e ardhshëm. Takim krejt i zakonshëm. Sikur e kishim harruar festivalin. Mendonim se, vërtet Enver Hoxha nuk e kishte pëlqyer atë, por e kishte mbyllur me kaq. Mirëpo në fund të mbledhjes, Todi nxori nga xhepi i setrës një broshurë e na tha: "Tani do t'ju lexoj një fragment të fjalës që shoku Enver ka mbajtur më 9 janar, në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, me titull, "Zhvillimi i letërsisë dhe arteve të bëhet në luftë kundër çdo ndikimi të huaj ideologjik", ku na kritikon edhe ne.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora