E hene, 29.04.2024, 06:59 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Kongresi i Manastirit vështruar pas 100 vjetësh (1908-2008)

E enjte, 25.09.2008, 12:27 PM


Kongresi i Manastirit u mbajt në Manastir më 14 deri 22 nëntor 1908 dhe në nëntorin e këtij viti (2008) mbushen plot 100 vjet. Në historinë e vonë të Shqipërisë, Kongresi i Manastirit shënon një ngjarje të rëndësishme politike, kulturore, shkencore (gjuhësore) dhe arsimore për kombin shqiptar. Kongresi i Manastirit është kongresi i alfabetit kombëtar të shqipes, që u përpilua dhe u miratua prej tij, alfabeti që përdorin shqiptarët edhe sot. Alfabeti kombëtar i sotëm është kurorëzim i një pune disashekullore, një proces që zgjati afër katër shekuj dhe që u përfundua në nëntor 1908 me punën e Komisionit të Kongresit të Manastirit. Deri në këtë datë, në Shqipëri janë përdorur një mori alfabetesh, krijuar nga lëvrues letrarë a shkencorë të shqipes, shkrimtarë, gazetarë, studiues, nga intelektualë, shoqëri a klube politike, kulturore, arsimore dhe institucione. Në rrethanat e pushtimit shekullor turk, shqiptarët u detyruan ta shkruajnë gjuhën e tyre, sipas mundësive e konceptimeve individuale, me alfabete të ndryshme: me shkronja latine, me shkronja greke, me shkronja të përziera (latine, greke, sllave), me shkronja arabo-turke, më rrallë edhe me alfabete me shkronja të veçanta. Në këtë çështje mbizotëronte anarkia dhe dëmtohej kultura, arsimi, uniteti kombëtar. Problemi ishte i vështirë dhe kërkonte zgjidhje. Kur lëvizja jonë për çlirim kombëtar ishte në rritje, kërkesa për një alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët u shtrua për zgjidhje urgjente nga rilindësit tanë, sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX si objektivi numër një i Rilindjes Kombëtare për gjuhën, kulturën dhe pavarësinë kombëtare. Zgjidhja e problemit ishte zvarritur kryesisht për shkaqe objektive. Shkaku i parë që ka penguar shqiptarët në zgjidhjen e shpejtë të problemit lidhet me rrethanat politike që ka përjetuar Shqipëria nën pushtimin shekullor turk, gjatë të cilit shqiptarëve u janë mohuar në mënyrën më tragjike të drejtat e tyre më elementare. Shqiptarët, siç dihet, nën rrethanat e pushtimit të huaj nuk lejoheshin të shkruanin e lëvronin gjuhën e tyre amtare, shkollat shqipe nuk lejoheshin në një kohë që Shqipëria po mbytej nga shkollat e huaja turke, greke, sllave, italiane, austriake etj.; të njëjtën politikë shkombëtarizuese ndiqnin ndaj Shqipërisë edhe fqinjët tanë. Turqia impononte alfabetin arabo-turk, Greqia alfabetin grek etj. Pra, shkaku i parë lidhet me faktorin e jashtëm. Shkaku i dytë është pasojë e të parit dhe ka të bëjë me faktin se problemet madhore, siç është edhe rasti i përpilimit e miratimit të një alfabeti kombëtar, zgjidhen me marrëveshje dhe punë të organizuar institucionale kombëtare, çka në rrethanat e sipërpërmendura nuk ishte e lehtë të realizoheshin. Shkak tjetër që vështirësonte zgjidhjen e problemit ishte thjesht i karakterit shkencor; ai kishte të bënte me sistemin e pasur dhe në disa raste origjinal të tinguj-fonemave të shqipes, për shkrimin e të cilave kërkoheshin më shumë shkronja sesa kishte latinishtja ose edhe gjuhët e tjera. Nuk kanë munguar edhe shkaqet subjektive, siç ishin këmbënguljet egoiste të ndonjë individi në mbrojtjen e qëndrimeve vetjake. Historia e pasur dhe e ndërlikuar e alfabeteve të shqipes, përfshirë alfabetin kombëtar të sotëm dhe Kongresin e Manastirit, është studiuar e paraqitur gjerësisht në letërkëmbime, në diskutime të gjera në shtypin e kohës e në debate, në raporte e relacione, në artikuj, kumtesa, në studime të hapura, në monografi, libra e botime të ndryshme, në konferenca shkencore e tubime jubilare të herëpashershme, mbajtur në Shqipëri e jashtë saj. Problemet kryesore kanë dalë e janë ndriçuar përgjithësisht mirë. Tashti, pas 100 vjetësh të zgjidhjes përfundimtare të problemit, pak gjëra të reja mund të shtohen; mbetet vetëm të ndriçohet më mirë ndonjë çështje e veçantë a ndonjë interpretim i pasaktë, ndoshta diçka e re mund të thuhet pas zbulimeve të reja arkivore në të ardhshmen. Ndër autorët kryesorë shqiptarë të kohëve të fundit, kryesisht gjuhëtarë, por edhe historianë, që janë marrë me studimin e kësaj teme, ndër të tjerë, janë: J.Rrota, Dh.Shuteriqi, I.Zamputi, M.Domi, Sh.Demiri, K.Prifti, T.Osmani, J.Kastrati, I.Ajeti, A.Vishko etj. Çështjet më të diskutuara, para dhe pas Kongresit të Drejtshkrimit, për alfabetet e shqipes janë të shumta, ndër të cilat po përmendim këto: Nevoja për një alfabet të vetëm për të gjithë shqiptarët, alfabetet e shqipes e variantet e tyre në përdorim, autorët e alfabeteve, parimet mbi të cilat ishin ndërtuar alfabetet e shqipes, sistemet shkronjore të alfabeteve, origjina e shkronjave që përbënin bazën e alfabeteve të shqipes, afritë dhe dallimet shkronjore të alfabeteve në përdorim, a ishte e nevojshme që shqipja të shkruhej me një alfabet të veçantë (të posaçëm), pse alfabeti i shqipes me bazë shkronjat latine ishte më i pëlqyeshmi, si duheshin plotësuar shkronjat e një alfabeti latin të shqipes (me digrama apo me shenja diakritike), sa shkronja i duhen alfabetit të shqipes, a duhej zbatuar parimi një tingull - një shkronjë, cilat ishin vlerat tingullore të shkronjave në alfabete të ndryshme dhe në raport me ato të alfabetit të latinishtes, pse nuk ishte i përshtatshëm për shqipen një alfabet i përzier, kontributet e klubeve, të shoqërive, të autorëve të veçantë, të gazetave e të revistave në Shqipëri e jashtë saj për zgjidhjen e problemit të alfabetit të shqipes, nevoja për mbajtjen e një mbledhjeje (kongresi kombëtar) për zgjidhjen e problemit të një alfabeti të vetëm për të gjithë shqiptarët, pse Kongresi i Manastirit miratoi dy alfabete kombëtare, atë të Stambollit (1879) dhe alfabetin e ri thjesht latin, në vend që të miratonte vetëm një, çka edhe pritej prej tij, puna konkrete e Komisionit të Kongresit të Manastirit për të afruar sa më shumë dy alfabetet kombëtare, alfabetin e Stambollit me alfabetin latin të hartuar prej tij, a ka pasur kompromise më parë si edhe në vendimet e Kongresit për çështjen e alfabetit, pse praktika parapëlqeu alfabetin latin të Kongresit si alfabet kombëtar, duke mënjanuar nga përdorimi alfabetin e Stambollit, mendimet dhe ndihmesa e albanologëve të huaj për alfabetet e shqipes, shtrirja dhe ngadhënjimi i alfabetit kombëtar latin të shqipes. Më lejoni tani, pas një shekulli dhe në rrethanat politike-sociale aktuale të tjera, të shpreh vlerësimin tonë për disa çështje që lidhen me alfabetin e shqipes dhe me Kongresin e Manastirit, duke theksuar ato më kryesoret e që i kanë qëndruar kohës, por edhe ndonjë mendim të diskutueshëm. Vlerësimi pozitiv për Kongresin e Manastirit pa asnjë dyshim ka qenë, është dhe do të jetë më i larti. Ky është mendimi i përgjithshëm, i shqiptarëve dhe i të huajve. Qëndrimi mjaft i ashpër kritik i F. Konicës ndaj Kongresit të Manastirit është rast krejt i veçantë dhe nuk duhet interpretuar si shfaqje antikombëtarizmi e këtij autori, por si dukuri egoizmi i një njeriu që kishte kontribuar aq shumë para Kongresit në revistën "Albania" për alfabetin e shqipes, por jo në çastin final të zgjidhjes së problemit në Kongres, ku ai nuk mori pjesë për shkak të ftesës së vonuar. Por Konica, që më parë, njihet si një nga kritikuesit më të ashpër të alfabetit të Stambollit dhe nuk pritej që të pajtohej me vendimet e Kongresit, i cili e miratoi këtë alfabet si njërin nga dy alfabetet kombëtare të shqipes. Zgjidhja e Kongresit për dy alfabete kombëtare, për mendimin tonë, në rrethanat që përjetonte Shqipëria, ishte e pranueshme dhe, ndoshta, më e drejta e mundshme dhe nuk duhet parë si një prapakthim i Komisionit në momentin e vendimmarrjes. Shpjegimet e dhëna për këtë qëndrim në "Raportin e Kongresit" nga Gjergj Qiriazi, anëtar i Komisionit të Kongresit, janë plotësisht bindëse dhe e përligjin zgjedhjen e miratimin e dy alfabeteve kombëtare. Kongresi nuk mund të rrezikonte t‘i kundërvihej vullnetit të popullsisë së Jugut që parapëlqenin alfabetin e Stambollit, ose veriorëve që parapëlqenin një alfabet thjesht latin, sidomos kur të gjithë pa përjashtim, si anëtarët e Komisionit, ashtu edhe kongresistët, por edhe të tjerët, ishin të ndërgjegjshëm se alternativa e parë, ajo e alfabetit të Stambollit, ishte e përkohshme dhe pa të ardhme, ndërsa alfabeti latin do të ngadhënjente për shkak se ishte më i volitshëm për botime në çdo shtypshkronjë të vendit ose të huaj (ai i Stambollit, përkundrazi, kishte shkronja të veçanta, derdhja e të cilave kërkonte shpenzime financiare dhe kohë). Gjithashtu ky qëndrim i Kongresit merrte në konsideratë edhe traditën, edhe emrin e madh të Samiut, edhe faktin se alfabeti i Stambollit konsiderohej si alfabeti kombëtar i parë, hartuar nga një komision i gjerë e i autoritetshëm dhe i miratuar nga "Shoqëria e Shkronjëzave të Stambollit" (1879), merrte në konsideratë edhe përhapjen e gjerë në Jugë dhe në Shqipërinë e Mesme të alfabetit të Stambollit, i quajtur ndryshe dhe alfabeti i Frashërit; me sa duket, Kongresi, siç arsyeton edhe M.Domi, e shihte gjithashtu të vështirë zbatimin e menjëhershëm në praktikë të një alfabeti të ri. Prandaj vendimi i Kongresit të Manastirit që njihte përkohësisht dy alfabete kombëtare, alfabetin e Stambollit dhe alfabetin e ri thjesht latin, për mendimin tonë, ishte logjik dhe i drejtë në kushtet që përjetonte vendi, edhe nuk mund të flitet për kufizime të Kongresit e aq më pak për dobësi të tij; moszgjidhja përfundimtare për momentin e problemit në shqyrtim, nuk besoj të jetë pasojë "e përbërjes heterogjene të kongresistëve", përbërje heterogjene kjo që për ne mbetet e paqartë. Pse i duhej shqipes një alfabet thjesht latin? Cilat ishin përparësitë e tij? Alfabeti latin i përshtatej më mirë gjuhës shqipe, atë e përdor bota e qytetëruar europiane, prandaj i duhej ta përdornin edhe shqiptarët që i përkasin kësaj bote europiane; alfabeti latin kishte një traditë shekullore në Shqipëri, alfabeti latin kishte edhe rëndësi politike e kombëtare, i shkëpuste shqiptarët nga alfabeti araboturk dhe ai grek, me të cilët nuk e lidhte asgjë, duke shmangur kështu edhe rrezikun e madh të shkombëtarizimit, me alfabetin latin mund të komunikoje fare lehtë dhe mund të botoje në çdo vend; shkronjat që i mungonin alfabetit latin e që i nevojiteshin shqipes, mund të plotësoheshin me kombinimin e dy shkronjave latine, praktikë kjo e njohur edhe në gjuhë të tjera të Europës; alfabeti latin ishte i thjeshtë, praktik, shkruhej e mësohej pa vështirësi, përfshirë dyshkronjëshat. Alfabeti thjesht latin i Manastirit, d.m.th. alfabeti i sotëm, është një alfabet i ri, ai nuk është as alfabeti i "Bashkimit", as i "Agimit", as ndonjë alfabet tjetër i përdorur më parë. Ky alfabet u ndërtua sipas parimeve e kërkesave të përgjithshme të kristalizuara në kohë, siç ishin: alfabet jo me shkronja të posaçme (që kishte krijuar, ndër të tjerë, N.Veqilharxhi, ideologu i parë i Rilindjes sonë), jo me bazë shkronjat arabo-turke (që imponoheshin nga pushtuesit turq), as me shkronjat greke, jo alfabet me shkronja të përziera (siç konsiderohet edhe alfabeti i Stambollit), por alfabet thjesht latin, alfabet ku një shkronjë të shprehte një tingull-fonemë, sistemi i shkronjave të plotësohej kryesisht me digrama (praktikë e njohur dhe e ndjekur nga shumë autorë, e midis tyre nga alfabeti i "Bashkimit") e sa më pak me shenja diakritike, sipas arritjeve më të mira të varianteve ekzistuese, alfabeti kërkohej të ishte i thjeshtë, i lehtë në të shkruar, homogjen, i volitshëm në botime, alfabet i ngjashëm me ato që përdornin shumë vende të zhvilluara të Europës. Këto parime në shumicën dërrmuese të tyre ishin pranuar gati nga të gjithë e shtroheshin si kërkesa të domosdoshme, megjithëse kishin edhe kundërshtarë të veçuar, por të pafuqishëm. Siç shihet, alfabeti latin i Manastirit mbështetej mbi baza shkencore dhe mbi traditën shekullore, më të vjetër në Shqipëri, atë të përdorimit të alfabetit latin, kryesisht në Veri, duke filluar me autorët veriorë e duke vazhduar me autorë të tjerë gjatë Rilindjes, në Shqipëri, dhe me arbëreshët e Italisë. Alfabeti latin i Manastirit ndryshon nga alfabetet e tjera latine ekzistuese të shqipes edhe nga shkronjat e tyre të ndryshme, minimalisht nga tre shkronja, por zakonisht nga gjashtë shkronja e lart. Në çdo pikëpamje, alfabeti kombëtar i ri i Manastirit është i arrirë, madje sot lehtësisht i përdorshëm edhe në shtypin kompjuterik e më gjerë, i lehtë në të shkruar nga shqiptarët dhe nga të huajt, shumë i volitshëm për botime. Nga sa u tha më sipër, pyetja "I kujt është alfabeti që kemi sot?" nuk mund të shtrohet. Kjo pyetje ngjan me pyetjen tjetër që dëgjohet sot "Cila është baza dialektore e shqipes standarde?, ku baza dialektore kërkohet në të folme të veçanta toske, megjithëse dihet se shqipja standarde ka në bazë të saj variantin letrar jugor! Alfabeti kombëtar i Manastirit me sistemin shkronjor të tij pasqyron në të shkruar tingujt-fonema përfaqësuese të shqipes letrare dhe jo variantet periferike dytësore, duke mënjanuar edhe zanoret-fonema të gegërishtes si rrjedhojë e hundorësisë e gjatësisë. Në këtë rast, me alfabetin e Manastirit fillon strategjia e përzgjedhjes dhe e parapëlqimit të variantit letrar jugor si bazë e shqipes letrare kombëtare. Njohja e zanoreve të gjata e hundore si fonema, do të kërkonte ndoshta shkronja të tjera me shenjat diakritike përkatëse, pra do të kërkonte një tjetër alfabet. Kjo do të ndodhte po të përzgjidhej gegërishtja letrare si bazë e shqipes standarde. Kështu parapëlqimi i toskërishtes letrare si variant bazë i shqipes së përbashkët i ka fillimet shumë kohë më parë, që në miratimin e alfabetit kombëtar. Prandaj Xhuvani theksonte se "zgjidhja e alfabetit do të verë edhe themelet e një gjuhe letrare shqipe". Procesi i gjatë i përpunimit të alfabetit latin të shqipes ka nisur me autorët e vjetër veriorë, pastaj ka shkuar kronologjikisht hap pas hapi nga një autor te tjetri, nga një gazetë a revistë te tjetra. Disa studiues, si Dh.Shuteriqi, I.Zamputi, J.Kastrati, M.Domi, T.Osmani, përmendin disa autorë kryesorë, gazeta e revista, alfabetet e të cilëve afrojnë shumë me atë të Manastirit: A.Santori (1839), Dh.Kamarda (1869), K.Kristoforidhi (1872), P.Vasa (1878), gaz. "Albania" e Brukselit (1897), alfabeti i shoqërisë "Bashkimi" (1899), alfabeti i shoqërisë "Agimi" (1901), gaz. "Shqiptari" (1888) dhe "Shqipëria" (1897) të Bukureshtit, "Kombi" (1906) i Bostonit, gaz. "Besa" (1904) dhe "Pellazgu" (1907) të Kajros etj. Këta autorë dhe organe botuese pasurojnë traditën e vjetër të përpunimit të një alfabeti latin të shqipes. Pa mohuar rëndësinë e radhës kronologjike, kontributi i tyre do vështruar jo vetëm nga numri i shkronjave të njëjta apo të ndryshme, nga vlerat tingullore të tyre, por sidomos nga zbatimi i kritereve (parimeve) të përgjithshme, si edhe nga shkalla e përhapjes dhe e ndikimit të tyre në praktikën e përditshme. Vështruar nga kjo pikëpamje, alfabeti i Manastirit afron shumë me atë të "Bashkimit; në mënyrë të veçantë shquhen kontributet e Kristoforidhit me veprat e botuara në alfabetin latin dhe me idetë e punën shumëvjeçare të tij për alfabetin, që së bashku me arritjet e tij në fusha të tjera të gjuhës, shënojnë kthesë në lëvrimin shkencor dhe letrar të shqipes; gjithashtu edhe kontributet e rev. "Albania" të Brukselit janë të konsiderueshme. Kontribut të rëndësishëm për zgjidhjen e problemit të alfabetit, sidomos për rrugët që duheshin ndjekur, për parimet e përgjithshme, për çështje të ndryshme teorike, si organizatorë e veprimtarë mjaft aktivë etj., kanë dhënë Gurakuqi, Konica, Fishta, Mjeda, Xhuvani, H. Mosi, P.Doçi, Dodani, Asdreni, Çajupi si dhe klubi "Bashkimi" i Manastirit etj. Kongresi i Manastirit (1908) ka hyrë në histori si kongresi i alfabetit (Kongresi i Abesë). Ai është i krahasueshëm me Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Të dy janë kongrese gjuhësore. I pari miratoi alfabetin kombëtar, i dyti drejtshkrimin e gjuhës letrare kombëtare. Ato ngjajnë për nga synimi për ta bërë shqipen një gjuhë kulture, ngjajnë nga organizimi, përfaqësimi, karakteri shkencor dhe rezultatet, duke i dhënë fund shkrimit kaotik të shqipes dhe varianteve letrare. Përpjekjet për afrimin e alfabeteve kryesore (të Stambollit dhe të alfabetit thjesht latin të Manastirit), nga njëra anë, dhe të dy varianteve letrare (toskërishtes letrare dhe gegërishtes letrare), nga ana tjetër, ngjajnë mjaft midis tyre. Kjo praktikë është një vijë konstante në lëvrimin shkencor të shqipes që vazhdon edhe sot në nivele të ndryshme të gjuhës (shqipja standarde në raport me dialektet, drejtshkrimi në raport me drejtshqiptimin etj.). Bie në sy se alfabetit kombëtar të Manastirit i paraprin alfabeti i Stambollit, që praktika nuk e pranoi si kombëtar përfundimtar, ndërkaq drejtshkrimit të njësuar të Kongresit të Drejtshkrimit i paraprin ortografia e parë e miratuar nga Komisia Letrare e Shkodrës, që praktika nuk e pranoi si drejtshkrim të njësuar përfundimtar; pra alfabeti i Stambollit shënon hapin përgatitor për alfabetin Kombëtar të Manastirit, ortografia e KLSH shënon hapin e parë përgatitor për drejtshkrimin e shqipes letrare kombëtare. Në të dyja rastet, çështja e alfabetit kombëtar dhe e drejtshkrimit kombëtar, u zgjidh në fund të fundit nga vetë populli shqiptar. Zgjidhja e problemit të alfabetit kombëtar vonoi, por përfundoi me sukses të plotë. Kjo u mundësua me punë të vazhdueshme nga disa njerëz të ditur, me vështrimin e çështjes me atdhetarizëm e nën dritën e përkatësisë europiane të kombit shqiptar, dhe me objektivitet shkencor, me kompromisin e veprimtarëve, me angazhimin plot sakrifica të intelektualëve e gjuhëtarëve të kohës. Rëndësia e Kongresit të Manastirit është e shumanshme: në radhë të parë, për kulturën shqiptare, për gjuhën letrare shqipe, për lëvrimin shkencor e letrar të gjuhës, për zhvillimin e arsimit kombëtar. Kongresi i Manastirit është i pari kongres shkencor gjuhësor i mirëfilltë kombëtar shqiptar i mbajtur në trevat shqiptare. Së dyti, Kongresi i Manastirit ka rëndësi edhe për historinë politike të Shqipërisë. Është thënë me të drejtë se "vetë çështja e alfabetit përbënte një problem të mprehtë politik". Alfabeti kombëtar i shqipes, qofshin këta përkohësisht edhe dy, mënjanoi gjendjen kaotike në shkrimin e shqipes, forcoi unitetin kombëtar të shqiptarëve, shprehu qartë para botës qenien e kombit shqiptar si komb më vete, e shkëputi një herë e mirë Shqipërinë nga orienti dhe nga synimet shkombëtarizuese të Turqisë e të vendeve të tjera, dhe e lidhi një herë e përgjithmonë atë me Perëndimin, me Europën e vendet më të përparuara të saj, së cilës edhe i përkiste. Përveç kësaj, Kongresi i Manastirit, duke qenë kuvendi i dytë gjithëkombëtar pas Lidhjes së Prizrenit, ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë edhe në luftën politike çlirimtare të popullit shqiptar në formulimin e kërkesave të lëvizjes kombëtare, për njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe, për themelimin e shkollës shqipe, për organizimin e bashkërendimin e veprimeve etj. Pikërisht këtu qëndron rëndësia politike e Kongresit të Manastirit. Por diskutime të tilla që mbështesnin alfabetin e Stambollit, apo atë të shoqërisë së "Bashkimit", të "Agimit", apo një tjetër alfabet latin, si dhe diskutimet për mënyrën e plotësimit të shkronjave që i mungonin alfabetit latin etj., ishin çështje të mirëfillta shkencore e nuk kishin karakter politik; këto çështje janë parë ndonjëherë shtrembër, duke i ndërthurur pa asnjë bazë me interesat fetare, klanore a krahinore, ose me agjentura të huaja(!)

Lista e pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit

Gjergj Fishta Kryetar i Komisionit 
Mithat Frashëri Kryetar i Kongresit; Sekretar i komisionit
Ndre Mjeda Anëtar i Komisionit 
Parashqevi Qiriazi Sekretare e Komisionit për abcenë 
Grigori Cilka Nënkryetar 
Luigj Gurakuqi Nënkryetar i Kongresit
Hilë Mosi Sekretar i Kongresit për shqipen
Thoma Avrami Sekretar i Kongresit për shqipen
Fehim Zavalani Fjala Hyrse (kryetari i klubit "Bashkimi" të Manastirit)[1]
Nyzhet Vrioni Sekretar i Kongresit për turqishten 
Fineas Kenedi Vëzhguese e Kongresit
Bajo Topulli Anëtar i Komisionit 
Sotir Peci Anëtar i Komisionit 
Gjergj Qiriazi Nënkryetar i Kongresit; Anëtar i Komisionit 
Shahin Kolonja Anëtar i Komisionit 
Dh. Buda -/- 
Mihal Grameno Përfaqsues nga Klubi i Korçës
Gligor Cilki Përfaqsues nga Klubi i Korçës
Sami Pojani Përfaqsues nga Klubi i Korçës
Thoma Avrami Përfaqsues nga Klubi i Korçës



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora