E diele, 28.04.2024, 01:18 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Skifter Këlliçi: Festival i 11-të i Këngës në RTV (III)

E diele, 28.09.2008, 11:57 AM


Sherif Merdani me dirigjentin Jetmir Barbullushi
Me "Letrat e popullit", Enveri nis sulmin ndaj Festivalit të 11-të

Dy javë pas aktivitetit, nis ndëshkimi i organizatorëve

Nga Skifter Këlliçi

Festival i 11-të i Këngës në RTV

Dy javë pas aktivitetit, nis ndëshkimi i organizatorëve

Jehona pozitive në masa e sidomos tek rinia e këngëve të Festivalit të 11-të në RTV në fund dhjetorin 1972, përkundër heshtjes zyrtare, merr fund shumë shpejt, përkatësisht dy javë pas aktivitetit. Sipas dokumenteve arkivore të kohës dhe dëshmive të organizatorëve, kritikat e Enver Hoxhës në Tepelenë për "preferencat e popullit për artin", shoqërohet me zbatimin e skenarit të ndëshkimeve në Radiotelevizion. Organizatorë të Festivalit largohen nga puna, ndërkohë që Todi Lubonja, drejtor i institucionit, i duhet të përcjellë porositë e udhëheqjes për një kontroll më të madh në RTV, tek figura morale e punonjësve dhe cilësia e emisioneve. Ndërkohë, gazeta "Zëri i Popullit", me botimin e "Letra nga Populli" për "Liberalizëm e tendenca borgjeze në Festival", zyrtarizon sulmin shtetëror ndaj njerëzve të artit e kulturës. Pikërisht, detaje nga skenat dhe prapaskenat e skenarit të ndëshkimit sjell në vazhdim Skifter Këlliçi, ish-gazetar në RTV.

Në prag të fillimit të Festivalit të Këngës në Radiotelevizion, Skifter Këlliçi, ish-gazetar i RTVSH dhe dëshmitar i Festivalit të 11-të të Këngës, në vazhdim, sjell fakte të reja nga ky aktivitet, që shënoi fillimin e një ndëshkimi të ashpër të Enver Hoxhës e regjimit të kohës ndaj artistëve, organizatorëve e ndaj njerëzve të artit e kulturës në vend.

Todi Lubonja lexon raportin e Enverit

Ishte me të vërtetë për t'u habitur se përse diktatori kishte zgjedhur Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe jo Komitetin Qendror, ku në çdo kohë dhe kur t'ia donte qejfi, mund të sajonte mbledhje, vendin për të mbajtur këtë fjalim, aq më tepër kur në atë mbledhje shqyrtohej një raport i paraqitur nga Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit të… Tepelenës. Ky diskutim, aq më tepër për artin, ishte si dhia midis dhensh, sepse nuk kishte asnjë lidhje me problemet ekonomike që trajtoheshin në këtë raport, me siguri, të mbushur me shifra e fakte, doemos të fryra, për "sukseset" e rrethit të Tepelenës. Megjithatë, çekani i Enver Hoxhës rrihte gjetkë.

Pasi lexoi radhët e para të fjalës së "Udhëheqësit të Madh", ku mburrte Tepelenën dhe tepelenasit, Todi vazhdoi me zë të qetë, por të thellë, radhët ku populli i kësaj krahine "tërë jetën e tij ka kënduar e vallëzuar në mënyra të ndryshme…", se "nëpërmjet valleve e këngëve u këndohej njerëzve,virtyteve të tyre të larta, pra, në të gjitha këto këngë e valle të popullit ka një pasuri të madhe kulture dhe arti, që kanë mbajtur gjallë gjatë shekujve traditat luftarake e kulturore të masave të popullit".

Siç shihet, frazeologjia e Enver Hoxhës në këtë diskutim është kaq e shterpët, kaq bajate, kaq e përgjithshme, sa mund t'i kushtohet pasurisë kulturore të çdo krahine të vendit tonë. Por, kur Todi filloi të lexonte më tej, e kuptuam se ku donte të dilte ky demagog i pakrahasueshëm: "Një mësuese shkolle më shkruan se kur u thotë nxënësve se si duhet ta kenë paraqitjen e si të vishen, këta u përgjigjen: "Ju, shoqja mësuese na thoni të jemi të sjellshëm, me paraqitje të rregullt, por ne shikojmë në televizor të dalin njerëz me veshje, me flokë e me paraqitje që ju na i keni kritikuar. Mirëpo ata që shfaqen në televizion janë zyrtarë. Jo shokë, këto gjera nuk janë zyrtare, por kontrabandë".

Së pari, duhet të them se diktatori e tepronte në mënyrë të përbindshme. Që kishte pasur të intervistuar a pjesëmarrës në emisione televizive me veshje ose me flokë të gjatë, kjo nuk përjashtohej. Por secili redaktor kishte pasur porosi që të mënjanonte ndonjë dukuri të tillë dhe, si pasojë, asnjëherë nuk mbaj mend që ky problem të jetë bërë i mprehtë. Por Enver Hoxha i mëshonte këtij fakti edhe me shprehjen absurde: "Këto gjëra nuk janë zyrtare, por kontrabandë", ku fjala e fundit ishte përdorur krejt pa vend. Pastaj, edhe letra duket e stisur prej tij, si shkas për të sulmuar Televizionin e pas tij vetë Todin, siç ndodhi më pas.

Pasi lexoi këto radhë, i shpenguar, bile me një dorë të futur në xhepin e pantallonave, Todi hoqi syzet dhe na tha: "Siç e shihni, duhet të kemi kujdes, që këtej e tutje të mos na dalin në ekran njerëz me të metat që vë në dukje shoku Enver". Me kaq mbledhja u mbyll. Asnjë fjalë nuk kishte përmendur Enver Hoxha pas më shumë se dy javësh për Festivalin e 11-të. Veç vërejtje për paraqitjen e jashtme. A nuk kishte të drejtë Todi Lubonja dhe ne që i dëgjuam këto vërejtje të diktatorit se me kaq çdo trazim për pasojat e tij kishte marrë fund?

Erdhi edhe 5 shkurti 1973, ditë që përkonte me 50-vjetorin e lindjes së Todi Lubonjës. Në gazetën "Zëri i Rinisë", ndërkohë, më 23 janar ishte botuar një letër e një grupi të rinjsh nga Lushnja, të cilët, "…ashtu si tërë rinia e vendit tonë shprehnin reagimin e tyre të drejtë dhe kritikonin shfaqjet e huaja liberale e moderniste që u vunë re në Festivalin e 11-të të Këngës në Radiotelevizion". (Enver Hoxha, Vepra 50, shënime, faqe 8, 1986). Pra, për herë të parë nga këta të rinj përdoreshin termat të tilla, si liberale, moderniste, që ende nuk i kishte përdorur vetë diktatori në diskutimin e mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor.

-Ajo letër dhe të tjerat që pasuan më vonë në gazetën "Zëri i Rinisë",- më tha një ditë Todi Lubonja,- ishin të kurdisura nga "lart", për të treguar se,"ja, nuk jemi ne, por masat e gjera të rinisë që na e mprehin vigjilencën, që na tërheqin vëmendjen për ato që ndodhën me festivalin në RTVSH, ndaj dhe ne po u dalim përpara të këqijave që mund të na rrezikojnë".

Vërtet, në qoftë se të rinjtë lushnjarë e më pas të tjerët, që shkruan ato letra, ishin indinjuar aq shumë për dukuritë liberale e moderniste që kishin parë në Festivalin e 11-të, përse pritën… një muaj e më shumë që të diskutonin dhe bashkërisht të dërgonin ato letra, (që pastaj në mbrëmje të bënin të kundërtën: të ndiqnin me antena të sajuara programet muzikore liberalo-moderniste italiane dhe jugosllave), kur ato mund t'i kishin dërguar kur ky festival sapo kishte përfunduar? Kush i pengonte?

Edhe sot, pas 35 vitesh nga zhvillimi i festivalit, disa nga këta të rinj që sot duhet te jenë 55-65-vjeç, po të kenë guximin qytetar, mund të rrëfejnë burimin e atyre letrave të cilat ishin detyruar t'i shkruanin nën diktat, të thonë, pra, haptas të vërtetën e hidhur dhe tragjikomike.

Në fakt, Todi Lubonja nuk i përfilli këto letra, nuk organizoi ndonjë takim, të paktën me punonjësit e sektorit të muzikës, ku të analizoheshin mendimet e këtyre të rinjve të shprehura në letrat e tyre. Për më tepër, nuk dërgoi një përgjigje në formë autokritike, në gazetën "Zëri i Rinisë", ku të paktën të kërkonte falje për vërejtjet e rënda kritike që parashtronin ata. Por, nga ana tjetër, jo më punonjësit e RTVSH-së, por asnjë komunist, pas festivalit nuk e ngriti zërin e aq më tepër nuk reagoi pas letrave në fjalë. Nuk pritej kurrë që pas atyre letrave, tirani do të fillonte një stuhi të papashme, me pasoja aq tronditëse.

Çarçani, Kadare dhe Mero në ditëlindjen e Lubonjës

Por të kthehemi tek ditëlindja e Todi Lubonjës. Ç'është e vërteta, për ta festuar atë nuk u bë mbledhje e kolektivit. Por, në sallën e pritjes së Televizionit, atë mëngjes, të pritur ngrohtësisht nga drejtuesit e RTVSH-së pamë të futeshin-anëtarin e Byrosë Politike dhe zëvendëskryetarin e Këshillit të Ministrave, Adil Çarçanin, anëtarin e KQ dhe rektorin e UT-së, Agim Meron dhe shkrimtarin e njohur, Ismail Kadare, (këta dy të fundit miq të ngushtë të Todit).

Pas një bisede të ngrohtë Adil Çarçani, në emër të KQ të PPSH-së dhe të Këshillit të Ministrave, dekoroi Todi Lubonjën me një urdhër të rëndësishëm, që, për fat të keq, nuk e kujtoj. Adil Çarçani lexoi dhe motivacionin që e shoqëronte këtë dekoratë. Më pas, kur po shkruaja librin "Historia e Radiotelevizionit Shqiptar" (1938-1990)", kam lexuar këtë motivacion, që u botua në revistën "Tribuna e Gazetarit", Nr.1, viti 1972. Me sa mbaj mend, Todi Lubonja vlerësohej si luftëtar i paepur në zbatimin me konsekuencë të vijës së Partisë në detyrat që i ishin ngarkuar, që pas çlirimit të vendit, si drejtues i shquar në frontin ideologjik…

Të ishte dhënë kjo dekoratë e lartë pa dijeninë e Enver Hoxhës? Të mos kishte lexuar ai këtë motivacion prej një faqeje të ngjeshur për këtë "bir besnik të Partisë", të cilin, pastaj, pa kaluar dy muaj do të shpallte armik? E pamundur! Ja deri ku arrinte pabesia dhe çmenduria e këtij përbindëshi!

A nuk kishte të drejtë tani Todi Lubonja që të ishte i qetë, aq më tepër kur, siç më pati thënë, në takimet me të, atë pasdite, me përjashtim të Enver Hoxhës, për ta uruar, në apartamentin ku banonte erdhën thuajse të tërë anëtarët e Byrosë Politike, natyrisht, midis tyre edhe shoku i tij i fëmijërisë dhe i luftës, Ramiz Alia?

Tjetër fakt: Nga fundi i shkurtit, gjithnjë i vitit 1973, gazetari i talentuar, Petro Lati, kishte shkruar skenarin e një konkursi sportiv, ku do të merrnin pjesë ekipe nga shkollat 8-vjeçare të Tiranës. Kërkoi që ta drejtoja unë. Nuk pranova. E para, se nuk më pëlqente që të merresha me fëmijë dhe, e dyta, se duke drejtuar "Rubrikën Sportive", duke edhe paraqitur lajmet sportive në "Revistën Televizive", ndoshta do të bëhesha i mërzitshëm për teleshikuesit. Por nguli këmbë vetë Todi Lubonja që të isha unë drejtues i këtij konkursi. Madje më thirri në zyrë. I shpjegova se… nuk kisha ndonjë kostum të hajrit për të veshur me këtë rast. "Vish xhaketën sportive të Bujar Kapexhiut, me të cilën doli në Festivalin e 11-të",- më tha duke qeshur dhe më rrahu shpatullat. Dhe kështu u bë.

(Tjetër gjë, që nga fillimi i prillit, kur Todi Lubonja siç do të shohim ishte larguar nga RTVSH-ja dhe konkursi kishte nisur të transmetohej në TV, erdhën dy letra, ku vihej në dukje se unë u ngjaja komentatorëve televizivë italianë dhe, për më keq, komentatorëve… jugosllavë, që i llahtarisi drejtuesit e RTVSH-ës aq sa deshën të ndërprisnin këtë konkurs, i cili po ndiqej me interes edhe nga të rriturit. Vetëm një ndërhyrje nga lart e shpëtoi atë).

Rrethi vicioz

Jehona e tkurrjes së këtij rrethi drejt Todi Lubonjës, u ndie më 11 mars 1972, kur, më së fundi "Zëri i Popullit", dhe me siguri me porosi nga vetë Enver Hoxha, botoi një artikull të ashpër kritik për Festivalin e 11-të. Pra, pas 45 ditësh! Megjithatë, ky artikull i organit të KQ të PPSH nuk u diskutua në kolektivat tanë, as nuk u organizua ndonjë mbledhje, ku Todi Lubonja të paktën ta lexonte, ashtu siç kishte bërë më atë pjesë të fjalës së Enver Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit Popullor, për të cilin kam shkruar më lart.

U rrokullis kështu edhe shkurti dhe ia mbërriti marsi, ose, ashtu siç thotë populli: "Shkurti shkurton urët e marsi mbledh lëkurët", pra, se po ia behte pranvera. Por jo për RTVSH-së, e, aq më tepër për Todi Lubonjën. Pranvera do të ishte për të e hirtë, e murrëtyer. Tani rrethi vicioz me kërcëllima zuri të nderej "mbi urët"që, pastaj, befasisht, zunë të shkurtoheshin. Në fytyrën e tij zunë të shfaqeshin shenjat e para të një makthi që ngulmonte dalëngadalë.

Në mbrëmjen e 7 marsit, në Mynih do të luhej ndeshja midis "Bajernit" dhe "Ajaksit", çerekfinale e Kupës së Kampionëve të Evropës. Por po atë pasdite, për Kupën Ballkanike, në Elbasan "Labinoti" vendas do të vihej përballë "Budusnoctit" të Titogradit, (sot Podgorica). Kjo ndeshje transmetohej drejtpërdrejt në Radio, kurse TVSH-ja do ta transmetonte të regjistruar në mbrëmje. Do të kishte, pra, përplasje. Ata të programacionit të TV-së, për të qenë "brenda", donin të programonin ndeshjen e Elbasanit. Por, kush do ta ndiqte kur të tërë dinin rezultatin dhe kur në Mynih do të viheshin përballë Bekenbaureri me Kruifit?

Atëherë vendosa që të takoja Todin. Trokita në derë dhe u futa brenda. Pashë që me dikë po bisedonte në telefon. Ngurrova, por, kur ai duke më buzëqeshur lehtë ma bëri me dorë të hyja, dhe unë ashtu veprova.

-Mirë, shoqjaVito,- po thoshte ai.- Kështu do të bëjmë, do të dërgojmë gazetarin dhe operatorin në zyrën tuaj, që të bëjmë intervistën për 8 Marsin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora