E diele, 28.04.2024, 07:22 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Kujtim Boriçi: Barrikada greko-çame ndaj otomanëve

E marte, 30.09.2008, 03:43 PM


Luftëtarë Çamë
Barrikada greko-çame ndaj otomanëve

Nga Kujtim Boriçi 

26 qershor 1821

Në krah të çamëve kundër masakrave e shpërnguljes së dhunshme nga trojet e tyre, sipas dokumentave arkivore, gjënden prijës grekë, dhe personalitete të komuniteteve të tjera. Ndër 'ta, sipas burimeve arkivore, veçohet Dhimitër Ipsilanti. Ja një prej letrave të tij dërguar prijësve e popullsisë çame: "Shumë kurajozë kryetar Pronjo dhe Çapari dhe gjithë çamëve. Ju përshëndes!
Ka mbi tre muaj që kombi i grekëve ka filluar luftën kundër padrejtësive dhe tiranëve të Sulltanit... dhe në përgjithësi gjithë kombi ka marrë armët... Unë kam qenë i informuar prej personave të shumtë se ju po ruani asnjanësinë në luftën mes nesh dhe tiranisë. Unë dhe Atdheu iu falënderojmë! Fama e trimërisë suaj dhe e veprimeve tuaja heroike, më shtynë t'ju shkruaj dhe t'ju nxis, të vegjël e të mëdhenj, që të merrni armët dhe të lidheni me ne, të luftojmë padrejtësinë dhe shtypjen e tiranit tonë të egër, përmbysja e të cilit, që është kaq e afërt, nuk kërkon veçse një përpjekje të vogël, që ne të gëzojmë në qetësi dhe në një mënyrë të drejtë frytet e luftës sonë. Atdheu do të kurorëzojë kokat e të gjithë aleatëve të saj, në këtë luftë të shenjtë. Ata dhe pasardhësit e tyre do të jenë të lumtur. Miq! Mos merrni parasysh asgjë, për të vënë në jetë qëllimet tona...! Megjithatë, unë iu uroj fitore dhe fuqi kundër armikut...! I plotfuqishmi i zëvendësit të përgjithshëm! Dhimitër Ipsilanti 26 gusht 1921 Tre muaj më vonë, në gusht të atij viti, Ipsilanti u drejtoi edhe një letër krerëve të Toskërisë, ku ndër të tjera u shkruante: "...Trima dhe aleatë besnikë, Ago Vasjari, Tahir Abazi... Juve..., o trima toskë, nuk keni prejardhje nga shpirtvegjlit anadollakë, jeni pasardhës të heronjve tanë. Dhe tani, duke u bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë, mbasi Zoti i plotfuqishëm dhe mbrojtësi i parë i lirisë do t'ua falë këtë të mirë qiellore, do t'iu kemi gjithmonë pjesëmarrës dhe emri juaj do të mbetet padyshim i pavdekshëm dhe i lavdëruar në gjithë mbretëritë e dheut...". Gjithwsesi, referuar dokumentave arkivore tw sjella nga studiuesi Hajredin Isufi, del dhe njw herw qartw se dhe me kwtw sensibilizim, mbështetje e solidaritet, çamwt nuk i shpëtuan masakrës.

Pak histori

Ali Pasha, në qershor të vitit 1800, ndërmori një ekspeditë me forca të shumta ushtarake për të nënshtruar Sulin dhe suljotët. Pashai i Janinës në këtë operacion kishte mobilizuar rreth 15.000 vetë të armatosur e i kishte zënë të gjitha shtigjet e hyrje-daljet në Sul dhe nga çasti në çast, priteshin të fillonin veprimet sulmuese kundrejt suliotëve . Ndërkohë Aliu, në këtë ekspeditë, kishte mobilizuar kundër dëshirës së tyre, nën një presion të fortë, edhe bejlerët më të fuqishëm të Çamërisë, si Islam Pronjon e Paramithisë, Çaparenjtë e Luaratit, Daljanejtë e Konispolit etj.

Forcat e mobilizuara çame, me urdhër të Ali Pashait, ishin dislokuar në malin e zhveshur e shkëmbor të Vricahes. Ata kishin marrë urdhër nga Ali Pasha që drejtonte operacionin, që sapo të jepej sinjali i sulmit kundër suliotëve, forcat çame të mbështesnin sulmin.

Ndërkohë që sulmi pritej të fillonte, Islam Pronjo përjetonte një tronditje të rëndë shpirtërore. Si mundet ai të drejtonte armët kundër vëllamit të tij, Foto Xhavella? Koha s'priste. Kërkoheshin vendime të shpejta e të guximshme, që duhet të merrte Islam Pronjo, për të shpëtuar nga rreziku dhe sulmi në befasi vëllamin e tij dhe suliotët. Në këto momente të vështira i shkrepi ideja që t'i dërgonte Foto Xhavellës një letër dhe ta informonte për gjithçka që kurdisej kundër tij dhe forcave suliote të rezistencës, që drejtonte Foto Xhavella .

Islam Pronjo nxori nga xhepi një copë laps dhe pak letër dhe nën dritën e hënës, nisi t'i shkruajë vëllamit të tij:

"Vëllam, të përshëndes!

U mblodhëm të gjithë këtu në Vricahë, ku ndodhem edhe unë me forcat e mia. Erdhi Aliu dhe urdhëroi që të nesërmen në mëngjes të bëjmë një sulm mbi ju. Hapini sytë mos humbisni. Ti je i mençur vetë dhe nuk ke nevojë për këshillat e mia. Mendoj të sulmohen forcat e Aliut, kur të jenë në gjumë" .

Këtë letër të shkurtër Islam Pronjua ia nisi menjëherë me anën e një njeriu të vet, i cili arriti t'ia dorëzonte në dorë Foto Xhavellës. Kapedani suliot, duke ndjekur këshillat e vëllamit të tij, ndërmori një sulm të befasishëm natën kundër forcave të Aliut, duke i shkaktuar një disfatë të turpshme. Në këto rrethana Ali Pasha kthehet me humbje e turp në Janinë.

Ali Pasha, që ishte në dijeni qysh më parë të lidhjeve të Islam Pronjos me Foto Xhavellën, fajësoi menjëherë Islam Pronjon për humbjen që pati. Ai, menjëherë pas disfatës, ndërmori ndëshkime të rënda ndaj Islam Pronjos dhe bejlerëve të tjerë çamë. Islam Pronjo, nën presione të forta dhe të vazhdueshme të Aliut, detyrohet të largohet nga sarajet e tij në Paramithi dhe bashkë me Sulejman Çaparin, i lenë peng pjesëtarë të familjes Ali Pashës, me kushtin e vënë nga Pashai se Pronjua dhe Çapari nuk do t'i ndihmonin më suliotët.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora