E diele, 28.04.2024, 06:01 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Luan Myftiu: Nën terrorin komunist (V)

E diele, 28.09.2008, 05:43 PM


Luan Myftiu
NËN TERRORIN KOMUNIST (II)

(ose një radiografi e mekanizmave të regjimit komunist)

Nga Luan Myftiu

DËSHMITARËT E RREMË

Fajësitë e paqëna dhe akuzat false mund të montoheshin me anë të dëshmitarëve të rremë. Në të ashtuquajturën "jetë e lirë" ata përgjithësisht ishin spiunë të konsumuar, frikamanë, që i terrorizonte ligji i mosdenoncimit, njerëz të rënë nga fiku që ushqenin iluzionin se mund të fitonin përsëri besimin e Partisë, a skllevër të veseve të tyre që për shërbime të tilla të ndyra, Sigurimi u falte fëlliqësitë që bënin çdo ditë.
Në burg dëshmitarë të tillë ishin kryesisht njerëzit e degraduar dhe ata që qenë dorëzuar pa kushte përpara presionit psikologjlk. Të tillë qenë bërë edhe mëndjemëdhenjtë që kishin menduar t'ia hidhnin Sigurimit, i cili për pelivanë si këta
kish vendosur devizën e piratit "Mëjep të të jap". Pikërisht ata mishëronin turpin dhe padrejtësinë komuniste. Vetëm me ushtri të tilla Enver Hoxha mbante në këmbë "drejtësinë" e "kështjelës së tij të pamposhtur" të socializmit dhe duke rrënjosur tek çdo shqiptar idenë e rrezikshme se drejtësia është vetëm një illuzion, e shpinte kombin drejt greminash të frikshme.
Këta dëshmitarë në burg ishin bërë profesionistë, në kuptimin që dinin e recitonin dëshmitë e tyre të rreme nëpër të gjitha skenat e gjyqeve komike edhe për njerëz që nuk i njihnin fare. Këta zagarë që kishin mësuar zakonet e uqërve dhe shkonin pas tyre aq shumë ishin mësuar me paturpësinë, sa ishin gati t'i përqafonin viktimat e tyre, pasi t'i kishin kafshuar. Kjo skotë e dëmshme që infektonte kampin me ndienjën e pabesisë së ngritur në moral krijonte edhe repartin e "minjve të birrucave". Në këtë rol ata futeshin nëpër skutat e Sigurimit si të porsatorturuar për të fituar besimin e të pandehurit që hetuesia me gjithë masat çnjerëzore s'kish mundur ta "zbërthente". Pasi ia "milnin" mendimet viktimës dhe ndihmonin hetuesinë në formulimin e akuzës, ktheheshin në kamp si fitimtarë dhe këtu shpërbleheshin me një trajtim të veçantë për mision "të rëndësishëm". Por duke qënë vetë të burgosur, duke jetuar nga afër terrorin e pashembullt, padrejtësinë, urrejtjen dhe përbuzjen e atyre që i tërhiqnin për hunde si kafshë, kishte raste që diç ndodhte në fond të qënies së tyre dhe ai "diç" e bënte ndonjërin të hidhej për t'u vrarë në telat e rrethimii, të tjerë të hidheshin, jashtë shtetit në arrati, me të dalë nga burgu. Prandaj Sigurimi, ndonëse i shfrytëzonte, i shihte me mosbesim, madje ndonjëherë kishte për ta shumë dyshime, sesSa ndaj të dënuarve të ndershëm. Megjithatë, duke bërë pjesë në aparatin e dhunës dhe duke qënë vazhdimisht nëpër këmbë, ata ishin dy sy të ftohtë, të ngulur në vetëdijen e shqetësuar të të burgosurit.
Si të dënuar ata duhej ta kuptonin se s'ishin veç ca faqezez që mohonin veten. Ata thirreshin të turpëruar në skenë për të përligjur padrejtësinë, e cila
kish nevojë për këta gënjeshtarë të pacipë. Por diktatura kërkonte të shtoheshin vazhdimisht "kuadro" të tillë të rekrutuar, prandaj edhe në gjirin e tyre fillonte lufta për privilegie. Më të fortët ktheheshin në bisha që s'falnin kërkënd, ndërsa të dobtit të fyer, rrëshqisnin sa t'u mbanin këmbët në të tatëpjetat e pendesës. Por dhuna duke qënë pa skrupull shkelte edhe mbi kufomat e atyre që i përqeshnin me kapitullimin e tyre.
Kur klima u zbut dhe brerjet morale filluan të angullijnë përvajshëm brenda ndërgjegjeve të sakatuara, diktatura mbylli veshët dhe lëshoi thirrjen për tolerancë. Kish njerëz që luteshin t'u dëgjohej betimi i tanishëm se kishin gënjyer dikur, madje pranonin edhe të ndëshkoheshin për dëshmitë e tyre të rreme, por diktatura përgjigjej me forrmulat e saj të ngurosura dhe s'u jepte të penduarve as mundësinë të mendonin se të paktën do t'u treteshin të qeta kockat një ditë në varr.
Këto vegla në duart e varrmihësve të kombit, këta lugetër që dilnin nga koridoret e "dretësisë" komuniste me flamurin e gënjeshtrës në duar më kot u lodhën të lanin me turpin e tyre duart e gjakosura të satrapit Enver Hoxha. Nën kamxhikun e operativit të Sigurimit të kampit ata mësonin përmendësh refrenin e asaj akuze të frikshme që i qe ngritur gjithë kombit për ta gjunjëzuar. Ata dilnin para opinionit si përfaqësues të vullnetit të lirë që denonconte forcat e regresit, në fakt, të përpunuar me kujdes nëpër kulisat e terrorit, përpiqeshin të mashtronin opinionin që i qe kyçur goja. Dëshmitarë të rremë ndaj fajësisë shqiptare, ata vetë mhetën dëshmi e gjallë e aktit më të paturpshëm të diktatorit, degradimit të kombit.
Historia do të skuqiet, kur t'i parakalojnë në fund të shekullit njëzetë hordhi të tilla, para të cilave skllevërit e përgjunjur të lashtësisë do të dukeshin krenarë.
A do t'i falet tiranit ky shfrytëzim i pashembulit që i bëri kombit të vet? A do të ketë justifikim për ata që me vetëdije u bënë thonjtë e tij të hekurt?
Duhen të mblidhen rënkimet e birucave të errëta, britmat e të vrarëve që oshëtijnë ende nëpër honet e thellë, mallkimet e heshtura të nënave, të mblidhen djemtë që humbën jetën dhe vajzat e turpëruara me dhunë korridoreve të Sigurimit, të mblidhen të gjithë, të gjithë ata që kanë ç'të thonë dhe të nënshkruajnë aktin e akuzës së madhe, para së cilës të ulin kokën të turpëruar të gjithë ata që u krekosën qoftë edhe një çast me pushtetin që u dha diktatura dhe u tallën me dhimbjen e kombit.
Por s'është e lehtë të shuash revoltën e ligjshme të atyre që duke dalë nga errësira në dritë, turpërohen më shumë sot për poshtërimin që u është bërë.

RIEDUKIMI

Hajdutët dhe kriminelët kishin marrë përsipër edukimin e një populli që, duke dalë nga pelenat e moralit patriarkal, iu dha i brishtë kthetrave të një shthurjeje që iu shit për emancipim. Komunistët propagandën e quanin edukim edhe kur këtë e shoqëronin me mjetet e hapura të dhunës. Ata i trembeshin mendimit të pavarur si ujku zjarrit, të gjithëpushtetshëm siç ishin, ata qenë si ajri që s'lejon boshllëk. Të terrorizuar nga përgjegjësia për krimet që ishin kryer, aty ku s'ndihej zëri i tyre, u dukej sikur formulohej akuza për ta. Prandaj e mbushnin kohën e lirë të njerëzve me propagandën e tyre shurdhuese. Të gjithë format e artit qenë mënyra për ta bërë të pranueshme atë propagandë. Në kamp na lexonin 4 orë në ditë veprat e Enver Hoxhës, kurse mbasdite në mënyrë të organizuar, shtypin e Partisë. Auoparlanti që s'i shkoqeshin fjalët, buçiste aq shumë në veshët tanë, saqë edhe pulsi na dukej sikur rrihte me ritmin e bubullimave të tij.
"Lektorët" e librave të diktatont duhej vetëm të mos shtrembëronin fjalët gjatë leximit, ndërsa kujdestarë caktoheshin rrugaçë, a barinj mushkash analfabetë që dinin vetëm të na shanin. Të gjithë ne të gozhduar si mumje nëpër stola, duhej të shihnim vetëm librin e kuq dhe të mos kolliteshim.
Që të mos flinim nga motonia kujdestari bërtiste herë pas here, gjoja i pakënaqur nga ndonjë lëvizje teksa para dritareve të barakës lëvizte si pendul sahati roja i brendshëm ne pritje të ndonjë raportimi. Prishja e këtij rregulli të hekurt quhej sakrilegj i madh dhe shkaktari ndëshkohej si kryengritës që pengon edhe të dënuarit e tjerë për t'u riedukuar.
Të vrarë shpirtërisht të uritur dhe të dërrmuar psikikisht ne duhej të dëgjonim me vëmendje dogmat e sharlatanit, tamam sikur të donim të bëheshim anëtarë të Partisë së tij. Ai që kishte mbjellë vëllavrasjen, na predikonte si baba i kombit dashurinë! Ai që i la njerëzit të udhëtonin në këmbë për të gjetur ujë, aspirinë, ankohej në.librat e tij pse i transportonin derrat me makinë të zbuluar.
O Zot! Ai dhe vetëm ai përcaktonte sasinë e naftës që fshihej nën tokë dhe vlerësonte bukurinë e syve të artistëve shqiptarë. Ai u mbyllte portat turistëve të huaj, duke i krahasuar qëllimistit para popullit me derrin dhe dosën lakuriqe. Megjithatë ne duhej të dëgjonim me vëmendje gënjeshtrat dhe mburrjet e atij që
kish konstruktuar fatkeqësinë tonë. Ne duhej të heshtnim duke dëgjuar si na shante pa të drejtë dhe, si e mësonte popullin të na urrente. Ne duhej të miratonim në heshtje mallkimin e tij për rrezikshmërinë" tonë. Ne nuk shihnim në veprat e tij asnjë korridor, nga ku mund të dilej nga halli ynë i pagjymtuar. Si një Zeus ai lëshonte rrufe mbi ata që do ta zbusnin luftën e klasave kundër nesh, por frika e tij nga mjeranët si ne, dhe gjëmimet e tij për shpartallimin tonë nëpërmjet fushatave "heretike", ia zbulonin fytyrën prej liliputi dhe do ta kishin bërë edhe atë vet t'i vinte turp, po t'i hiqje frikën që buronte nga krimet e tij të pafalshme. Por ne i dëgjonim akuzat e tij me bindjen e atij "mëkatarit", që përbuz veten pse s'ka forca për të ngritur krye dhe të gjithë fluturonin me mend nga ajo sallë torture dhe, ndërsa ndiqnin me sy librin e kuq, secili merrej me hallet e tij, duke përkëdhelur në zemër shpresën e një hakmarrjeje të Zotit për këtë tallje të djallit. Leximi i veprave të Enver Hoxhës ishte një provokim i përditshëm e sistematik që iu bëhej nervave dhe dinjitetit tonë. Ai lexim ishte "shkolla" ku duhej të mësonim të mbytnim brenda vetes çdo pakënaqësi ndaj fyerjeve që na bënte realiteti, ku ne ishim të tepërt. Ne duhej të bënim karagjozin, duke u tallur me veten tonë në skeçet dhe paroditë që na impononin t'i luanim e t'i shihnim. Sadoqë këto skeçe dhe parodi i luanin njerëz të "rrëzuar", ishte turp t'i shihje bashkëvuajtësit si talleshin me veten dhe shokët e tyre të një halli.
Pasi na kishin rrahur dhe torturuar të gjithëve nëpër hetuesira si kafshë, dhe pasi edhe këtu në kamp na ndëshkonin fizikisht shkonin e na sillnin juristë, të cilët na mbanin leksione për paprekshmërinë e personit gjatë proçesit të hetuesisë dhe vuajtjes së dënimit. Tërë propaganda për "riedukimin" tonë ishte një tallje që realizohej me seriozitetin e një "humanizmi" spartan. Na bënin edhe seminarë, ku duhej të flisnim se si, duke u thelluar në veprat e një mashtruesi kuptuakëshim më thellë shkallën e "fajësisë" sonë.
Ne me durim e përballuam furtunën e talljeve meskine të diktatorit që
kish rrëmbyer frenat e fateve të kombit dhe, ndonëse edhe sot s'e kuptojmë gjymtimin që ka pësuar intelekti ynë, ne jemi të bindur që diktatori nuk fitoi. Me vela të grisura ne prapëseprapë mbërritëm në brigjet me mendim të kthjellët për të gjykuar qëllimet e mbrapshta të shpikjeve të tij djallëzore, siç qe edhe "riedukimi" ynë. Kur gjithë bota e qytetëruar e këtij fiindshekulli kultivonte me kujdes sidomos trurin e njeriut, heretiku ynë e vyshkte atë me dogmat e ideologjisë marksiste.
Kaloritë e fituara në burg nëpërmjet atij ushqimi tejet të vartër, duhej të na shërbenin për të asimiluar brendinë e fjalimeve pompoze të bufonit në pushtet. Ai koprac i neveritshëm që porosiste popullin të hante bar
kish llogaritur shkencërisht edhe ditët e jetës sonë.
Vrasja e intelektualit ishte njëra nga format e diktaturës për të përjetësuar sundimin e saj.
Dhe kur drita e botës së lirë fekste pak në natën tonë të errët dhe kësaj diktature i duhej t'i lyente me manikyr thonjtë e saj të tmerrshëm duke hequr p.sh. në burg ridënimet për të njëjtin krim, aparati i saj policor shqetësohej të na i zinte gjithë kohën e lirë me leximin e veprave të obskurantistit të madh Enver Hoxhës. Oreksi i kanibalëve injorantë arrinte deri aty sa të mos linte për ne asnjë minutë të lirë madje as për të ngrënë bukë. Dhe vetëm ndërhyrja e komandës së kampit që shihte nga afër se pas dy ditësh ne nuk do të ishim në gjendje të ngriheshim nga shtrati ashtu të pangrënë bënte të pamundur që ky orar të reduktohej dhe ne arrinim të bënim me ngut disa veprime të paktën si ai majmuni që kryen pa ndotje në pyll nevojat personale pasi edhe kabinat e thjeshta të tualetit, ishin ndërtuar për ne pa dyer.
Të gjithë lëvizjet tona qenë të llogaritura dhe ne ishim robotët që vërtiteshim në vorbullën e një monotonie pa fund, duke ndjerë si shuhej ngadalë qënia jonë dhe, ndoshta, edhe të kënaqur që s'kishim forca të mjafta për ta menduar thellë dramën tonë.
Kish të dënuar që për t 'i shpëtuar presionit psikologjik, vazhdonin vetë të lexonin më tej veprat e Mastitruesit, duke harxhuar për këtë, edhe orët e gjumit. Ata qenë të bindur që veprimi i tyre diku raportohej dhe që ndoshta atje edhe qeshnin me ta, por atyre aq u bënte, përderisa kështu e ndjenin veten më të qetë.
Secili nga ne
kish gjetur mënyrën e vet për t'iu shmangur dhunës, pa menduar thellë se ajo do të na godiste doemos, sepse objekti i saj i vetëm pasi merrte goditjen i dënuari bindej se ishte viktimë e një fataliteti që ai duhej t'i nënshtrohej pa zë.
Në kamp
kish dhe të dënuar të çmendur dhe gjysmë të çmendur. Edhe ata duhej të dëgjonin me orë të tëra se si Enver Hoxha trajtonte p.sh. problemim e shtimit të pulave dhe të rritjes së derrit. Kish raste që të çmendurit pranonin më mirë të rriheshin e të dergjeshin nëpër biruca se sa të duronin një torturë të tillë. Nuk do të ishte e tepërt të thuhej se ne pothuaj të gjithë ishim të alienuar, po të mendosh që s'ishim në gjendje të bisedonim pa britma, të cilat i zbutnin dhe i shuanin ecejaket tona të nxituara, të qeshurit pa vend, apo heshtjet e gjata me sytë e gozhduar në një pikë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora