E shtune, 27.04.2024, 09:41 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (X)

E diele, 28.09.2008, 05:06 PM


Fritz Radovani de Angeliis

Një monument nën dhé

MËSUESI PJETËR P. PALI

Mësuesi Pjetër Prendush Pali ka lé në vitin 1914, në Hot të Jugosllavisë. Prindët e Pjetrit ishin Prendushi dhe Hana (Ana). Ka mbarue Normalen e Elbasanit dhe ka punue mësues. Asht kenë i martuem me Z. Gjyzepina Kumasku, mësuese dhe kishte tri vajza. Arrëstohet në vitin 1946.

“Jam arrëstue, por për shka s’e di!....”
Kështu fillon rreshti i parë i proçes-verbalit të mbajtun në hetuesinë e Seksionit të Mbrendshëm të Shkodrës (Shtëpia e Çiurçisë), me datën 27 nandor 1946, ora 8.00, me oficerin pyetës Abdyl Hakiu dhe sekretar Vehbi Fishta, i ruejtun në dosjen nr. 1251 (Arkivi M.M.Tiranë). Pjetri deklaron: “Kam mbarue Normalen e Elbasanit në vitin 1935. Jam emnue mësues në Bllac të Pogradecit në vitin 1936. Jam transferue në Shkodër në 1937. Në vitin 1938 kam shkue në Vlonë ku kam punue katër vjet, deri në vitin 1942 që jam kthye prap në Shkodër. Jam pushue nga puna prej Gjonit Markagjonit, deri në tetor të vitit 1945 që fillova përsëri si mësues, në katundin Stajka të Shkodrës dhe kam vazhdue deri në korrik të vitit 1946. Tashti nuk fillova se u arratisa. Në vitin 1939 kam ikë në Trevllazër se nuk dojshe fashizmin. Atje nuk më pranuen fashist, kur erdha në Shkodër më dhanë triskën e fashizmit. Përveç mësues nuk kam ba pune tjetër. Shokë në Vlonë kishe: Pirro Mino, Veladin Zejnelin, Fane Shkufi, Spiro Pano, Musa Muho, etj. Në Shkodër kishe: Lazër Kakarriqin, Ndoc Fishtën, Gac Lecin, Lec Sekuj. Mësues ishe me Sllobodan Koçov, Marije Siliqin, Viktore Demën, Sofije Mazrrekun, Tonine Fishtën dhe baxhanak kishe Kol Kosmaçin, mësues. Jam kenë indiferent deri në shtator të 1944 kur dola në mal nga frika e gjermanve, se kishe shoqnue Lin Dedën dy herë me u takue me kolonelin anglez Neill, ku asht bisedue çështja e Legalitetit, por unë nuk kam bisedue, as nuk kam kenë në dhomë. Mbrenda asht kenë Llesh Marashi, Lin Deda dhe nji inxhenjer italian, rreth nji orë e gjysëm, bile edhe përkthyesi i kolonelit doli jashtë me né. Kur duelne, Lleshi iku me makinën e tij. Unë, Gjelosh Vata, Lini dhe inxhenjeri italian erdhëm me makinën e italianit. Për dy-tre ditë nuk e kam takue Linin; mandej, Lini iku, e unë ika se u frigova nga gjermanët. Qëndrova me forcat e Legalitetit në Gruemirë, me forcat e Sali Myftisë e Nik Sokolit. Unë simpatizojsha Legalitetin në fillim derisa u bashkue me gjerman dhe e mori vesht bota mbarë pse u bashkue. Kur mora vesht se u kthye Lini erdha. Kemi bisedue vetëm për lajme radiosh e komente të hapta me Lazër Kakarriqin, Angjelin Lekën, Zef Duodën, Simon Prendin, Xhemal Lopçin e Gjon Harushën. Me Gjelosh Vatën kemi bisedue se po dominuen anglezët vjen Zogu, se e mbështesin edhe Austria, Franca e Italia. Nga mesi i gushtit të 1946, ishte në klubin e Gjelosh Vatës (kushrini i em) Gjon Leka, që kishte në dorë një gazetë ku flitej për Konferencën e Paqës. Të dy folëm për gjendjen e keqe, unë i thashë: Mos trazoni tjerë në politikë mbasi ju tham unë kur me dalë në mal, lajmet jua jap unë se shka thotë radio. Gjon Leka një ditë më tha se kam ndrrue punë, kam hy në Seksion të Mbrendshëm në nji punë shumë të mirë. Edhe ti, më tha, rri urtë se të baj të keqën!”
Kaq ishte e mjaftueshme me formue grupin e “armiqve të popullit”.
Mbas një viti hetuesi, siç del edhe nga dokumentacioni nën kujdesin e katilit të njoftun të asaj kohe Ali Xhunga, organizohën proçese, ballafaqime, shpifje, mashtrime, tortura shtazarake dhe simbas dëshmive të të mbijetuemve ky hetues që deri në 1944 kishte kenë me “Ballin Kombëtar”, në Shkodër fitoi kredi dhe besim të përjetëshëm tue u ba “antar i denjë i Partisë Komuniste Shqiptare” dhe instrument i fuqishëm i saj në Sigurimin e Shtetit. Ka ngordhë tue torturue njerëz në hetuesinë e Ministrisë së Mbrendshme me Xheudet Milotin e Nevzat Hasnedarin etj.

Me datën 2 dhetor 1947, plotësohet dosja për Gjykatën Ushtarake: “Për faje kundër shtetit dhe popullit”.
Grupi përbahet nga:
1. Gjelosh Vat Maçi, 37 vjeç, Traboin - Jugosllavi,
2. Gjon Luc Leka, 25 vjeç, Shkodër,
3. Mustafa Jakup Vodaj, 48 vjeç, Shkodër, furrtar,
4. Pjetër Prendush Pali, 32 vjeç, Hot, Jugosllavi,
5. Rrok Gjok Luli, 37 vjeç, Shkodër,
6. Pjetër Gjok Luli, 43 vjeç, Shkodër,
7. Tom Lec Marku, 25 vjeç, Shkodër.
Motivi i dënimit përcaktohet pothuej plotësisht nga prokurori i Shkodrës, Zurdi Shehu. Gjykata Ushtarake e Shkodrës, e përbame nga: Kryetari, Misto Bllaci, antarë P. Alizoti dhe A. Koroveshi, prokuror Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q. Dautaj, zhvillon gjyqin tue u bazue kryesisht në proçes-verbalin e ballafaqimit ba me dt. 18 nandor 1947, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës nga oficeri Ali Xhunga: Gjon Leka para Pjetër Palit: Më ka thanë se pa tjetër do të bahet luftë se do të vijnë anglezët, do të këthehët Zogu, se komunistët nuk i donë të huejt etj...
Mustafa Jakupi: Kemi ba mbledhje, Pjetri na diftonte çka thonë në radio, kemi pritë se vijnë anglezët, prandej edhe kemi krijue nji grup që na drejtonte Pjetër Pali. Ai ishte i lidhun me ata që kanë organizue edhe përpjekjen e 9 shtatorit.
Gjelosh Vata: Pjetrin e kam takue me anglezët dhe i kam çue letra, sa njenës palë sa tjetrës. “Pjetër Pali mbasi dëgjoi Mustafa Jakupin, Gjon Lekën dhe Gjelosh Vatën tha: Thanjët e Mustafa Jakupit nuk janë asnji të vërteta. Përsa i përket thanjes së Gjelosh Vatës, për anglezët janë të vërteta dhe, se kam përcjellë Lin Dedën, por jo se kam marrë pjesë unë. Kam marrë nji letër prej Gjeloshit, me ia dhanë L. Dedës me pseudonimin “Paloka”, nji paketë me trakte dhe disa karikatura të klerit. Përsa i përket Gjon Lekës nuk asht e vërtetë të kemi folë njiherë me té, përveç, njiherë që e gjeta në klubin e nëpunësve me Gjelosh Vatën, kushrinin tem. Aty më diftoi se jam me punë në Seksion të Punëve të Mbrendshme e tue qeshë më tha, rri mirë, se kam në dorë me të ba keq! Nuk asht e vërtetë të kemi bisedue për shënime për mue, por ai më tha, se prof. Syrri Anamalit nuk i kishte lëshue nji çertifikatë mirësjellje.
Për akuzat tjera që më bajnë: Gjelosh Vata, Gjon Leka dhe Mustafa Jakupi, nuk janë asnji të vërteta.” Deklaruesi: Pjetër Palaj d.v. Oficeri: Ali Xhunga d.v.
Para Trupit Gjykues Pjetër P. Pali tha: “Akuza nuk asht e vërtetë, nuk kam kenë antar i Legalitetit, por simpatizues. Me majorin anglez jam takue. Kur erdhi fashizmi ishe mësues. Edhe mbas çlirimit ishe prap mësues. Lidhje me njeri nuk kam pasë dhe as nuk kam bisedue, por lajmet e radios i kam ndigjue. As propagandë për të prëgatitë terrenin kundër Pushtetit nuk kam ba. Unë para se të hyjshe në punë, ishe i pakënaqun, por kur u emnova ishe i kënaqun.
Me këta që ndodhen para gjyqit nuk kam ba bisedime. Gjelosh Vatën njiherë e kam takue, ku, Gjoni më ka thanë se kam në dorë me të ba keq!
I pandehuri Gjon tha, se më pyeti për biografinë e tij. I pandehuri Pjetër tha se nuk asht e vërtetë. Në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë. Në ballafaqim kam ba por, nuk asht e vërtetë.
I pandehuri Gjelosh tha se disa janë të vërteta, disa jo, që janë thanë në ballafaqim. I pandehuri Mustafë tha se ballafaqimi ka qenë me shtërngesë, unë nuk kam qenë armik i Pushtetit. Foli prokurori Namik Qemali dhe dha rëtencën. Pastaj folën të pandehurit: Pjetër Pali tha: Përsa akuzohem s’dij gja. Jam hjellë në krah të pushtetit. Nuk kam kenë agjent i Inteligent Servisit, as nuk kam punue kundër pushtetit. Punën teme e din Fronti (Spiro Pano).
Rrok Luli tha: Kërkoj mëshirë, e pranoj fajin. Tom Leci tha: Rrnoftë Shqipnia e Trupi gjykues. Mustafa Jakupi tha: Kërkoj mëshirë, jam fajtor. Pjetër Gjok Luli tha: Kërkoj mëshirë se nuk kam ba gja. Pjetër Pali nuk na ka drejtue, as nuk kemi organizue kundër Pushtetit. Gjelosh Vata tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor. Gjon Leka tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor.”
Të dënuemit me vdekje kishin të drejtë me ba një kërkesë për “falje jete”, e cila përcillej nga organët e Seksionit të Punëve të Mbrendshme, në ndonjë rast nga gjykata, avokati ose ndonjë familjar. Kuptohet, një formalitet sa me thanë se u shqyrtue edhe ma nalt. Kjo kërkesë dorëzohej në Degën e Mbrendshme, mbasi përcillej prej saj. Sigurisht, përveç, dokumentacionit shoqnues të dosjës së hetuesisë, dërgohej edhe një relacion nga kryetari i gjyqit, shpesh nga prokurori i rrethit ose i gjyqit dhe, kur ishte fjala me e çue tjetrin në plumb, relacioni bahej nga Kryetari i Degës së Mbrendshme, si në rastin e Pjetër P. Palit. Kur lexova në fillim të hapjes së gjyqit listën emnore të grupit, më bani përshtypje pse vetëm Mustafa Jakupi, kishte të shënuem profesionin “furrtar”, gja të cilin tjerët nuk e kanë! Arësynë e kuptova vetëm në fund të mbylljes së çështjes, gja që keni me e kuptue edhe ju!
Seksioni i Sigurimit të Shtetit Shkodër, dërgon për shqyrtim në Gjykatën e Naltë vëndimin e Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, dhënë më dt 2dhetor 1947, për të pandehurit: “1. Pjetër Prendush Pali dhe 2. Mustafa Jakup Vodaj, me vdekje, me pushkatim.
Akuza e Pjetër Palit, ka qenë antar i Partisë Fashiste nga të parët. Ka urryer Lëvizjen Nac.Çl. dhe sidomos P.K.Sh. I ka luftuar me çpifje e poshtërsi... Ka qenë antar i organizatës trathtare të Legalitetit në kohë të gjermanve, ka punuar për té dhe është qenë në lidhje me eksponentë në Shkodër si Lin Deda, Llesh Marashi e Daut Kombi, ku bashkë me ta, është takuar me kol. anglez Neill... Mbas çlirimit, me aktët e tij reaksionare vazhdon takime me Legalitetin e elementë të pakënaqur dhe kështu mendon t’i organizojë...
Ka formuar një grup kundërshtar me Gjelosh Vatën, Gjon Lekën, Tomë Lecin dhe Mustafa Jakupin, ku kanë diskutuar çështje me karakter politik kundër Pushtetit... Kanë komentuar lajmët e radiove, duke paraqitur gjëndjen e turbullt dhe plasjen e një lufte të re botrore, që kjo do të përfundojë në favor të Anglo-Amerikanve. Ka qenë përgjegjës i grupit të sipërm ku pjestarët i ka udhëzuar mbi punën që do të zhvillojnë kundër Pushtetit të sotëm, të cilin do ta rrëzojnë me violencë.
Ka udhëzuar antarët e grupit për të punuar në prëgatitjen e Përpjekjes së 9 shtatorit 1946, ku, dhe vetë ka punuar në këtë drejtim. Kryetari i Seksionit të Mbrendshëm d.v. (firma) “Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e mbledhur sot më dt. 6 mars 1948, e përbërë nga Kryetari, major Niko Çeta, antarë kap. I Nexhat Hysejni dhe Kap. I Mustafa Iljazi, prokuror kap. Nevzat Hasnedari dhe kryesekretar Thoma Rino, vëndosi: Aprovimin e vëndimit 457 dt. 2 dhjetor 1947, ME VDEKJE për PJETËR PRENDUSH PALIN, dhe modifikimin me privim lirije, përjetë për Mustafa Jakup Vodaj. Vëndimi është i formës së prerë.”
Pjetër P. Pali u ekzekutue më 11 mars 1948, në Zallin e Kirit në Shkodër, me Prelatët e Klerit Katolik. Pse u pushkatue me këtë grup? Krytari i Gjyqit, Misto Bllaci, vlleh, shënon disa herë: “Të pandehurit Pjetër Pali dhe Rrok Luli, kanë qenë të lidhur me Komitetin Organizativ klandestin të Shkodrës, me anë të Klerit Katolik, të cilët e mohuan para gjyqit. (Dosja1251, fq. 7).
Kanë marrë letra prej Gjelosh Lulit, me ia çue Cin Serreqit, e ky Françeskanëve. Në mbledhjen e parë kanë caktuar si kryetar Pjetër Palin dhe sekretar Rrok Lulin. Direktivat e grupit i jepte Pjetër Pali. Ai i merrte direktivat nga Organizata terroriste Demokristjane në fillim, pastaj nga Komiteti i Përbashkët për Shkodrën...”

Misto Bllaçi d.v.
Edhe një Martir në Elterin e Atdheut:
I pafajshmi Pjetër P. PALI.

IMZOT PROF. JUL BONATTI


“Shteti komunist në përputhje me
kushtët konkrete përpunoi
platforma politike dhe zbatoi
metoda e mjete antikatolike tepër të
sofistikuara.”
Ajet Shahu

Ka lé në Shkodër më 4 maji 1874. Prindët e tij ishin Aleksandër e Roza Bonatti. Asht laurue në filozofi dhe letërsi në universitetet e Vjenës së Austrisë dhe në Padova, n’Itali. Ka pasë edhe një motër murgeshë që thirrej Motër Veronika. Porsa ka mbarue studimet asht shugurue meshtar, ka shkue në Stambollë, ku ka shërbye për 16 vjet. Atje ka mujtë me kërkue ndër arkiva mjaft materiale historike që ma vonë i vlejnë për punimet që do të kryente dhe, që janë një thesar i madh për shkencën shqiptare. E vërteta asht e msheftë mbasi nga materiali që kam kalue nëpër dorën teme nuk bahët fjalë, se ku mund të jenë ata punime aq me vlerë. Dikush me siguri edhe mund t’i dinë!
Mbas Stambollës, vjen me shërbim fetar në Durrës ku punoi për 10 vjet, mandej 3 vjet të tjera ishte në Vlonë. Atje u njohtë me Papa Petraq Isakun, prift katolik, si dukët edhe ai një klerik i pregatitun mirë, mbasi Imzot Bonatti flet me respekt për té. Edhe ai përfundoi në birucat e Sigurimit të Vlonës dhe me sa shihët nga një shënim jo i saktë, ose e kanë mbytë në hetuesi ose asht pushkatue. Mungesa e dokumentacionit nuk më lejon me dhanë mendim të saktë për té. Imzot Prof. Jul Bonatti prej vitit 1942 ishte në Itali, për arsye shëndeti. Atje vazhdon punën shkencore dhe letrare deri në vitin 1946 që e këthejnë në Shqipni. Ka jetue në Montecatini dhe me sa dukët atje kanë mbetë edhe dorëshkrimet e tija. Me të ardhmën në Shqipni, vjen në Shkodër për me takue At Mati Prennushin, i dërguem nga Imzot Vinçenci. Me këtë rasë merr edhe një ndihmë të vogël materiale, mbasi kur u kthye nga Italia nuk mujti me marrë as teshat e trupit prej andej. As sot që kanë kalue ma shumë se 50 vjet që u kthye, nuk di me e kuptue se cila ishte arsyeja që u dërgue ky njeri në Shqipni, vetëm në kjoftë se e nisën për “kurban”, mbasi arsye tjetër nuk di me gjetë! Nga disa filma dokumentarë të asaj kohe për ngjarjet në Itali, dyshoj për ndonjë marrveshje të mësheftë të Italisë me Tiranën komuniste!
Për pak muej shkoi në Vlonë ku kishte shërbye si famullitar edhe përpara pushtimit komunist. Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrëstimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrëstohet edhe Imzot Bonatti, pra, pak muej mbas kthimit nga Italia. Hapët dosja nr. 3616... Me gjithë mangsitë e saja, tregon diçka që për mue më ka ngjallë interes. Në hetuesi Imzot Bonatti deklaron: “Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.”
Rreshti i fundit për mue flet gjithshka! Plot një vit hetime. Po shka deponon i shkreti Imzot Bonatti? “...nuk kam lidhje politike me konte Salvonin. I kam thanë për Flamurin tonë Kombëtar, pse kështu nga fashizmi? Nuk më pëlqen aspak vëprimi i juej! Për fëtyrën e Papës merrën lajmët nga agjensi që janë kundër Papës. Papa mbron popujt e vegjël dhe nuk asht e vërtetë që Papa me kenë kundër njerëzimit. Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës. Feja Katolike ka anmik kryesor gabimin dhe jo gabimtarët, i cili gabim asht komunizmi, por komunistët i ka vëllazën.” Asht fat që në shpjegimet biografike tregon disa detaje, që me siguri nuk do të ishin ditë kurrë, p.sh.: “Në Stambollë, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.” Edhe pse asht i arrestuem Sigurimi vazhdon grumbullimin e informatave: “ka lidhje me Tol Arapin e Jan Boskon, shkojnë me biçikleta në mbrëmje tek shtëpia e Bonattit” (dt. 30. 06. 1947). Do të dishrojsha me ditë, kush ishte ky Jan Bosko? - Kujt i përket ky emën? “... përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik” (dt. 10 qershor 1946). “shoh dy vetë që vejnë në darkë tek prifti Bonatti, por nuk i njoh kush janë, ato ikin shpejt me biçikleta, për të mos i parë njeri” sigurisht makina e Sigurimit ishte e zanun me arrëstimet e shumta... nuk kishin me çka me ndjekë spijujtë e Vlonës priftin! Besohet kjo?! Prokurori Beqir Isufi shënon: “Prifti spijun i djallzuar...” Namik Cakrani shënon: “Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.”
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi ” Me datën 27 tetor 1947, jepët vëndimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”. Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: ”Dënohet me 5 vjet heqje lirie...”.
Prof. Arshi Pipa në shkrimin e tij “ Monsignor Vinçenc Prennushi (in memoriam)”, me datën 28 shkurt 1995 në Tiranë, shkruen: “... Mbaj mend nji skenë të devotëshme në infermerinë e burgut, ku unë u shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit. Në infermerinë e burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës. Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa frymë prej gulshimit. Nji ditë prunë në infermeri Don Jul Bonattin, famullitarin e Vlorës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej, ai u ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit. Monsignori tërhoqi dorën, bekoi me té Don Bonattin dhe u përmbys në shtratin e vet.” (marrë nga origjinali)
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit? Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né. Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit, nga i cili nuk mund të shkëputej asnjë çast. Në materialet arkivore vërejmë disa dënime të “buta”, nëse do t’i quajmë kështu. Edhe Imzot Prennushi dënohet 20 vjet, ndërsa Don Anton Zogaj, sekretari i tij pushkatohët. Don Zef Maksen (gjerman) dënohet pak vite, por merrët natën nga burgu dhe vritët. Enver Hoxha kishte zgjedhë rrugën e dredhisë përpara opinjonit të huej. Po pyetën të huejt “ç’u bë Imzot Bonatti?”, - ne do t’ themi - “e kemi në spital për mjekim, më vonë, shohim e bëjmë!?”.
Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa e tij me té. Njëditë i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arësye...”.
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë. Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohtun i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni. dhe çohet në manikomjo.. .fantazia e kriminelit asht e pafund. Imzot Prof. JUL BONATTI, njëditë ndrroi jetë! Ndrroi jetë... një fjalë goje!
U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”. Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm”, që e mbytën Bonattin? Jo, jo! E, prap po e përsëris, jo! Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish njeriu, dhe mundësisht ATDHETAR, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke, para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e ishin. Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij e, me gishtin tregues tue vrritë si qent : “Tradhëtarë”! Harroni, harroni, po deshët!

Por, mos harroni se:
Çobajt e kafshëve të egra janë ma të egjër se kafshët e tyne!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora