E diele, 28.04.2024, 11:05 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Jusuf Osmani: Kolonizimi serb i Kosovës (VIII)

E diele, 28.09.2008, 05:03 PM


Jusuf Osmani
KOLONIZIMI SERB I KOSOVËS (VIII)

Nga Dr. Jusuf Osmani

Roli i veçantë i gruas shqiptare ishte shumë i ndjeshëm në kuadrin e luftës kundër kolonizimit serbomadh, meritë e veçantë kjo, të cilën detyrohet të njohë edhe njëri nga krerët “shkencor” ideatori Vaso Çubrilloviq, kur në vitin 1938 shkruante se “politikën tonë të kolonizimit e mundi pjelloria e grave shqiptare”.[103]  Gruaja shqiptare ka bërë rezistencë edhe ndaj marrjes së tokës dhe të shtëpisë popullatës shqiptare nga të ashtuquajturat komisionet agrare dhe nga xhandarmëria. Këshu, p.sh. më 29 nëntor 1936, në fshatin Budrikë e Poshtme, xhandarmëria serbe vjen në fshat për ta marrë shtëpinë e familjes Musliu dhe t’ia dorëzojë kolonit Jovan Dishlakoviqit. Të gjithë anëtarët e familjes e kundërshtojnë këtë, por xhandarmëria i lidhë ata, ndërsa e bija e tyre Havushja, arrinë që të godas me dru nëpunësin policor të rrethit të Gjilanit Petar Kavadariqin.[104]

Ekzistojnë edhe shumë burime të tjera që dëshmojnë për marrjen e tokës, kolonizimin dhe detyrimin e popullatës nga presioni e dhuna të migrojnë nga atdheu, si p.sh. Elaborati i Ivo Andriqit, më 1 janar 1939. Ky akademik, zgjidhjen definitive të çështjes së Kosovës e sheh duke e ndarë Shqipërinë në dy pjesë: njërën pjesë duhej ta pushtonte Italia, kurse pjesën tjetër, sipas Andriqit, duhej ta pushtonte Jugosllavia.

PLANET SERBE PËR SPASTRIMIN ETNIK DHE KOLONIZIMIN E KOSOVËS GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Fillimi i Luftës së Dytë Botërore e ndërpreu procesin e kolonizimit të Kosovës me elementin sllav. Pas hyrjes së ushtrive gjermane e italiane, nga frika e hakmarrjes, në gjysmën e dytë të prillit të vitit 1941, pasoi ikja e kolonëve serbë, malazez e të tjerë nga Kosova. Një numër i tyre u vendos në vendbanimet kompakte serbe e malazeze, e kishte edhe që kishin mbetur në vendbanime të tyre, përkundër të gjitha të këqiave të bëra ishin mbrojtur nga popullata vendase shqiptare.

Nga synimi i ndërrimit të strukturës nacionale dhe kolonizimit të Kosovës Serbia nuk hoqi dorë as në rrethanat më të vështira, siç ishin ato gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kohë Serbia, veç luftës këmbëngulte rreth vijave të demarkacionit ndërmjet pushtuesve italianë e gjermanë, i kushtoi kujdes të veçantë kolonëve të saj në Kosovë. Qeveria e Nediqit përpiqej përherë që nga një pjesë e Kosovës, që, me marrëveshje e sipas së drejtës historike e natyrore i takoi Shqipërisë së pushtuar nga Italia fashiste, të shpërgnulen sa më pak serbo-malazezë. Kur nuk ia arrinte dot qëllimit, kjo qeveri kolonët e shpërngulur i vendoste përreth kufirit të Kosovës dhe pandërprerë i përgatiste për rikthimin e tyre duke i indoktrinuar në domosdonë e kthimit, si edhe duke i përgatitur ata në fushën ushtarake, duke formuar njësitë të armatosura çetnike prej çetave e deri te korpuset ushtarake. Çështjen e shpërnguljes së kolonëve serbo-malazez nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore Qeveria e Nediqit e shfrytëzoi edhe në luftë kundër synimeve çlirimtare të forcave të ndryshme shqiptare, veçanërisht të Komitetit të Kosovës e të Qeverisë Shqiptare, por edhe në fushën diplomatike. Qeveria e Nediqit, duke politizuar çështjen e kolonëve të shpërngulur përpiqej ta bindte Gjermaninë naziste që ajo të përkrahte për rishtrirjen e mëparshme të Serbisë së madhe në këto anë.[105]

Për sendërtimin e qëllimeve të parashtruara Qeveria e Nediqit që nga ditët e para, u organizua në shkallë shtetërore. Në fillim kjo detyrë iu ngarkua Sigurimit Shtetëror e më vonë, kur çështja u masivizua edhe më shumë, sendërtimin e këtyre qëllimeve e moren për sipër prefektët e qarqeve dhe të rretheve. Shteti përgatiti pyetësorët, të cilët duhej t’i plotësonte çdo kryefamiljar i shpërngulur, e ku kërkohej, veç të tjerash, të deklaroheshin se sipas urdhërit të kujt shpërnguleshin, çfarë qëndrimi kishin ndaj serbo-malazezve organet e pushtetit, organizatat e individët dhe a shpërnguleshin për shkak të torturave apo pse nuk donin të mbeteshin jashtë Serbisë. Kuptohet, sipas skenarit të Qeverisë së Nediqit deklaratëdhënësit duhej të flisnin sa më keq për Qeverinë Shqiptare, veçanërisht për qëndrimin e saj ndaj kolonëve serbo-malazezë që këto pastaj ata t’i shfrytëzonin në arenën diplomatike ndërkombëtare. Për këtë arsye nuk janë të rralla deklaratat në të cilat në mënyrë të paskurpullt sulmohet jo vetëm Qeveria Shqiptare, por edhe populli shqiptar në tërësi. Të kësaj fryme janë veçanërisht raportet e hieromonahut të kishës së Deçanit. Veç kësaj, shumë deklaratëdhënës të manipuluar nuk mund të fshehnin faktin se me shqiptarët deri në kohën e “kreyengritjes”, siç e   quanin shumë prej tyre fillimin e Luftës së Dytë Botërore, patën fqinjësi të mirë. Bile disa prej tyre u detyruan disa herë të pohojnë se edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore shumica e popullsisë shqiptare nuk ndërroi qëndrimin e saj të mëparshëm.[106]

Përveç kësaj, qarqet shoveniste serbe bënin plane për pushtimin e trojeve shqiptare, kolonizimin me elementin sllavë, përkatësisht të ndërrimit të strukturës etnike të popullsisë së Kosovës, të bazuar në projektin e Ilija Garashaninit. Po i theksojmë disa nga ato: Sipas projektit të hartuar prej avokatit nga Sarajeva Stevan Moleviq, të titulluar “Serbia homogjene” i 30 qershorit 1941, parashihej që Serbia të përfshinte në lindje dhe në juglindje Kosovën dhe Maqedoninë, Vidinin  dhe  Qystendilin  në  Bullgarinë e sotme; në perëndim - banovinën e Vërbasit, Dalmacinë Verirore, Likën, Kordunin, Baninë dhe një pjesë të Sllovenisë; në jug - Malin e Zi dhe Hercegovinën, duke përfshirë edhe Dubrovnikun, të cilit do t’i jepej status i veçantë, dhe pjesën veriore të Shqipërisë. Sipas Moleviqit, në gjirin e Serbisë së Madhe duhej të përfshiheshin të gjitha trevat ku ka serbë, apo ku Stevan Moleviqi supozonte se kishte serbë. Për te serbë ishin edhe maqedonasit dhe malazezët. Ndërkohë ai kërkonte shpërnguljen në masë të kroatëve, myslimanëve dhe të shqiptarëve nga rajonet, ku ata përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë.[107]

Në programet e çetnikëve më 1941 planifikohej: “Të krijohet Jugosllavia e Madhe në të Serbia e Madhe, etnikisht e pastër në kufijtë e Serbisë dhe të Malit të Zi, të Bosnjes e Hercegovinës, të Sremit e të Banatit. Të pastrohen të gjitha territoret nga elementët joserbë”. Të krijohen kufijtë e drejtpërdrejtë, kufijtë e përbashkët ndërmjet Serbisë e Malit të Zi, si dhe Serbisë dhe Sllovenisë, nëpërmjet spastrimit të Sanxhakut dhe të disa pjesëve të Bosnjes nga myslimanët dhe kroatët. Në përputhje me planet e sipërpermendura, Lëvizja Çetnike synonte ta kultivonte dhe ta mbante gjallë në Kosovë frymën e hakmarrjes, të shfarosjes së shqiptarëve dhe të gllabërimit të trojeve të tyre etnike. Kështu në një nga elaboratet e përgatitura në atë kohë, me titull: “Krahina e Kosovës dhe e Rrafshit të Dukagjinit”, midis të tjerave thuhej, se “Kosova ka qenë serbe dhe ajo do të mbetet patjetër serbe, jo vetëm për nga pozita shtetërore juridike, por edhe nga struktura e popullsisë së vet, e cila duhet të jetë me shumicë serbe”. “Pas përfundimit të luftës do të shpërthejë hakmarrja e serbëve ndaj shqiptarëve. Kjo nuk do të pengohet e sidomos aksioni i Vasojeviqëve, të cilët duhet të zgjerohen në Rrafshin e Dukagjinit.[108]

Ndërkaq, me ligjin mbi kolonizimin e brendshëm duhet të parashihet që shqiptarët, për shkaqe strategjike të transferohen në Srem, në Shumadi dhe në trevat e tjera, ku do të jenë të parrezikshëm dhe me kohë do të asimilohen.[109]

Më 12 shtator 1941 gjenerali Lubo Novakoviq në letrën që i dërgonte Kosta Peçancit, të njohur edhe më parë për krimet e pashembullta mbi shqiptarët, i përkujtonte:  “Kur të nisem në rrugën fatlume, e di çfarë planesh ke për jugun tonë. Besoj se në Sanxhak, në Dukagjin dhe në Fushë të Kosovës, nuk do të mbetet asnjë plis për farë. Lumenjt Sitnica dhe Llapi do të bartin dy muaj koka shqiptarësh”.[110] Programi i Drazha Mihailoviqit për spastrime etnike dhe krijimin e Serbisë së Madhe në Jugosllavinë e Madhe më 20 dhjetor 1941,  në mes tjerash parasheh: “..... Të spastrohen territoret shtetërore prej të gjitha pakicave dhe elementëve jonacionalë....    Pjesët e spastruara të kolonizohen me malazezë, ndërsa çështjen e myslimaneve duhet rregulluar me Turqinë përmes Londrës”.[111] Agjentët e D. Mihailoviqit paralajmëronin se “çetnikët do të çlironin Kosovën nga shqiptarët dhe të gjithë ata do t’i zhduknin, pa lënë njeri të gjallë”. Në mars të vitit 1942 në fshatin Suhadoll, Voja Dragoviq, prijës çetnik, deklaronte se “pas fitores së luftës nga aleatet, duhet zhdukur të gjithë shqiptarët, duke mos përjashtuar as fëmijët në djep”.[112]

Për nxitjen e urrejtjes kundër popullit shqiptar, krahas Levizjes Çetnike, një rol shumë agresiv luajti edhe Kisha ortodokse serbe. Për klerikët serbë “shqiptarët ishin gjarpinj  helmues  që  duheshin  zhdukur,  mbytur  ose  u duhej shtypur koka”.[113] Gazeta “Borba”, në nëntor të vitit 1944, shkruante se “në Kosovë, pas 6 prillit të vitit 1941 serbët dhe malazezët kishin përjetuar nën shtypjen e shovinistëve shqiptarë, që i shndërruan këto treva në arenë të tmerrshme të vrasjeve dhe të djegieve”. Sipas saj, “mbi kolonistët e lodhur e pa ndihmë, që luftonin në front kundër keqbërësve italianë e gjermanë u bënë krime të tmerrshme.[114]

KOLONIZIMI SLLAV GJATË JUGOSLLAVISË SOCIALISTE

Planet për zbatimin e kolonizimit

            Qëndrimi i Serbisë ndaj kolonizimit të Kosovës dhe ndërrimit të strukturës etnike të saj nuk ndryshoi as pas dëbimit të pushtuesve gjermanë. Për zbatimin e projekteve të njohura antishqiptare, udhëheqja jugosllave përdori po ato mjete dhe metoda, që ishin përdorur edhe përpara luftës. Ndryshonin vetëm pretekstet. Përpara vitit 1941, shqiptarët u trajtuan si të huaj e të rrezikshëm për ekzistencën e shtetit jugosllav. Pas luftës kjo politikë e këto masa u justifikuan e u paraqitën si veprime që drejtoheshin kundër “shqiptarëve reaksionarë”, kundërrevolucionar”, “bashkëpunëtorë të okupatorit” e “banditë” etj.

Përpjekjet për spastrimin etnik të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia, së pari filluan në zonat periferike, por shpejt u shtrinë në mbarë trevat shqiptare. Në operacionet e tilla të organizuara morën pjesë disa divizione me një efektiv prej 40.000 vetash.[115]  Menjëherë u hap çështja e kthimit të kolonëve. Këto veprime luftarake, veç formave të tjera, u shoqëruan me projektin e ri antishqiptar të Vasa Çubrilloviqit “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, datë 3 nëntor 1944.  Çubrilloviqi, në projektin e tij, në fillim pranon faktin se serbët, pas Luftës së Parë Botërore, përkatësisht pas formimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (Jugosllavisë) me 1918, fituan një pjesë të territoreve me popullsi të huaj, të cilat u bënë rrezik për Jugosllavinë, jo për shkak të kundërpeshës së tyre ndaj popujve sllavë, por për shkak të trevave ku jetojnë dhe të vazhdimësisë gjeografike që kanë këto treva me vendet e tyre amë.[116] Ai në mes tjerasht thekson: “Shqiptarët duhet akuzuar për bashkëpunëtorë të okupatorit dhe satelitëve të tij. Në bazë të asaj akuze, një pjesë të shqiptarëve duhet thjesht shpërngulur (dëbuar), një pjesë duhet transferuar në brendi të vendit që ata përgjithmon aty do të humbin, sepse atje nëpërmjet të “integrimit” ata do të bëhen ata çka nuk janë, ku nëpërmjet të fejës gradualisht do të serbizohen”. Në anën tjetër, thekson më tutje Qubrilloviqi, “pronat shqiptare duhet t’i marrin kolonët”.[117]

V. Çubrilloviqi, para udhëheqjes më të lartë të LNÇJ e të UNÇJ, i propozon shpërnguljen masive të miliona njerëzve, sepse, sipas tij, “zgjidhja e vetme dhe e drejtë e kësaj çështjeje është shpërngulja e këtyre pakicave”. Mbështetje dhe shembull për një veprim të tillë ai merrte veprimet e Rajhut të Tretë dhe dëbimet e kolonizimet e shumë popujve  në   Bashkimin  Sovjetik  dhe   në   vendet  tjera  evropiane.   Autori i  projektit parashihte edhe hollësi për realizimin e këtij projekti. Për sendërtimin e projektit, V. Çubrilloviqi parashihte edhe kohën, mjetet dhe mënyrat e veprimit. Sipas tij, koha më e përshtatshme për shpërnguljen efikase ishte lufta, pra shpërngulja më e suksesshme ishte shfarosja fizike dhe e plotë e njerëzve. Rol vendimtar, sipas Çubrilloviqit, kishte ushtria, prandaj ai propozonte që në Shtabin e UNÇJ të formohej një seksion i posaçëm për këtë çështje. Në rast se nuk arrihej shfarosja e plotë fizike, ai parashihte edhe masa tjera, siç ishte mohimi i të gjitha të drejtave, krijimi i kampeve të përqendrimit, plaçkitja e pronave, shfarosja e intelegjencies dhe e shtresave të pasura shoqërore dhe pastaj kolonizimi i menjëhershëm i viseve me elementin sllav.[118] Për këtë qëllim, ai propozonte formimin  e  një  ministrie të veçantë, apo së paku, një komisariat në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Pastaj, që bartësit kryesorë të misionit të bëheshin këshillat nacionalçlirimtare, prej instancave më të ulëta deri tek ato më të larta, ndërsa kolonët të zgjidheshin nga radhët e luftëtarëve më të dëshmuar dhe, sipas mundësive, serbë e malazezë që më parë nuk ishin kolonizuar. Për bartësit e këtij misioni, sipas tij, duheshin siguruar rroga të larta, poste dhe status më të privilegjuar në shoqëri.

Në mes tjerash ai propozon: “Ushtria në kohën e opercioneve luftarake, duhet t’i spastrojë me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme... ato vise që dëshirojmë t’i kolonizojmë me elementin tonë kombëtar....”  “Ne duhet t’i përzëmë të gjitha pakicat nga tokat tona. Për këtë duhet punuar. Gjithë këtë që e them për Vojvodinë, Sllavoni, Serbi të Vjetër (Kosovë) dhe Maqedoni, ky është minimumi që duhet të arrihet nëse duam t’i sigurojmë për të ardhmen vetës pronën e atyre tokave”... “Tash për tash po theksoj vetëm se gjermanët duhet të spastrohen patjetër nga Vojvodina, kurse shqiptarët nga Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe Pollogu....”; “Çfarë mund të them së pari: luftërat japin mundësitë më të mëdha për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ato si tufan, duke kaluar nëpër shtete, nxjerrin me rrënjë popuj. Atë që duhet bërë me dhjetëvjetësh e shekuj, gjatë luftës bëhet për ndonjë muaj apo ndonjë vit”. “Duhet bërë plane detaje, se cilat fshatra dhe cilat rrethe në Serbi të Vjetër dhe në Maqedoni duhet të spastrohen, dhe në bazë të atij plani duhet vepruar....”. “Përpos spastrimit nga ana e ushtrisë gjatë operacioneve, duhet përdorur edhe mjete të tjera që pakicat kombëtare të detyrohen të shpërngulen. Para së gjithash, për shkak të qëndrimit të tyre në këtë luftë, minoriteveve duhet t’u merren të gjitha të drejtat. Duhet të nxirren pamëshirshëm para gjykatës së luftës të gjithë ata anëtarë të pakicave kombëtare që në çfarëdo mënyre kanë qenë në shërbim të okupatorëve. Për këtë duhet të formohen kampet e përqëndrimit, pasuritë e tyre duhet t’u konfiskohen, familjet duhet t’u dërgohen në kampe dhe në rastin e parë të dëbohen”.[119]

Me planin terrorist të Çubrilloviçit parashihej amnestia e përgjithshme e çetnikëve, që u bë nga Kryesia e AVNOJ-it më 21.XI.1944. Pas amnestisë, formacione të tëra çetnikësh u transferuan në Kosovë për të realizuar planin e Çubrilloviqit. Për t’i pasur duart të lira në zbatimin e terrorit dhe të gjenocidit mbi popullin shqiptar, udhëheqja jugosllave mobilizoi me dhunë forcën më vitale të shqiptarëve. Shqiptarët e moshës madhore u mobilizuan me dhunë në formacionet ushtarake dhe u dërguan në Srem të Vojvodinës, në Bosnje e në Kroaci. Të rinjtë shqiptarë u nisën në front pa armë. Në rrugë për në Tivar u vranë me dhjetëra shqiptarë të mobilizuar në Ushtrinë Jugosllave, kurse në Tivar të Malit të Zi vetëm brenda një nate u vranë dhe u masakruan nga trupat përcjellëse serbe rreth 1500 shqiptarë të mobilizuar.[120] Si rrallë ndonjëherë në histori, vetë komandantët, pa asnjë shkas, kishin urdhëruar të hapet zjarr ndaj ushtarëve të tyre - vetëm pse ishin shqiptarë. E vrasja e të rinjve shqiptarë të mobilizuar vazhdoi edhe më tej në “udhëtimin” e tyre në “front”, kështu që as sot e kësaj dite nuk dihet numri i saktë i atyre që janë ekzekutuar nga ushtria jugosllave ose që vërtet janë vrarë si “mish për topa” në ndonjë front. Sepse, ishte ky edhe motiv për ndjelljen e frikës e të pasigurisë në tërë popullsinë shqiptare, që kishte mbetur në Jugosllavi.

Shtabi Suprem i Luftës Nacional-çlirimtare dhe armata jugosllave, që në muajin gusht 1944 iu kishte drejtuar popullit shqiptarë në Kosovë dhe me gjerë me këtë porosi kërcënuese: “Ju shqiptarët, bashkë me pushtuesit fashistë, çuat dorë kundër popujve fqinjë dhe u turpëruat keq … Nga sjellja e tillë deri më tash ju nuk keni ftuar të drejtën të jetoni vëllazërisht dhe të barabart më popujt e tjerë të Jugoslavisë”. Me shkuarjen nga Kosova  të luftetarëve dhe rekrutëve shqiptarë dhe me ardhjen e njësive ushtarake serbe, malazeze dhe maqedonase, në Kosovë u ndryshua përbërja e forcave ushtarake në dobi të elementit serb. Që atëherë filluan aksionet e këtyre njësive ushtarake për pastrimin e Kosovës  nga “bandat shqiptare”. Në të vërtetë, këtu ishte fjala për hakmarrje kundër popullit shqiptarë, për shkak se gjatë luftës nuk kishte lejuar depërtimin e forcave çetnike në Kosovë.[121]

Edhe pse Jugosllavia në mënyrë publike pas vitit 1944 ishte deklaruar për “barazi të përgjithshme dhe lirinë e të gjithë qytetarëve”, politika serbomadhe ka shkuar disa hapa më tutje në aspektin e programimit të shfarosjes së popullit shqiptarë. Një program të ri të tillë kundër shqiptarëve me titull “Tajni cirkular za istrebljavanje svih albanaca Kosova 5.II.1945” (Qarkorja serkete për shfarosjen e tërë shqiptarëve të Kosovës më 5.II 1945), e kishte  shkruar një mësues nga Vushtrria. Edhe ky program, sikurse të tjerët nuk kishte risi në aspektin e metodave dhe mënyës së shfarosjes së shqiptarëve, nga programet tjera.[122]

Para ardhjes së njësive ushtarake nga territoret fqinje, hakmarrjen e kishte filluar OZN-a, si dhe disa njësi kosovare nën komanden e komunistëve serbë e malazez. OZN-a filloi me likuidimin e njerëzve që gëzonin autoritet të cilët nuk ishin nën armë, por ishin njerëz kryesisht të nderuar. Kjo bëhej me qëllim të lënies së popullit shqiptarë pa njerëz që mund t’i pritnin atij. Njerëzit merreshin nga shtëpia, kryesisht natën, dhe dërgoheshin në burgje dhe atje pas “marrjes në pyetje” vriteshin të shumtën e herës me armë të ftohta. Familjeve të të vrarëve nuk u kumtohej asnjëherë për fatin e tyre dhe as që u dihen varret e sot e kësaj dite. Me ligjin për amnistinë, të datës 20 tetor 1944, pjesëmarrësitë e njësive çetnike të Drazha Mihajloviq, kriminelët e të gjitha ngjyrave, jo vetëm që u amnistuan, por atyre u jepej edhe mundësia për t’u futur në aradha partizane, dhe ashtu si më parë me kokardën çetnike, tani me yllin pesëcepësh të vrisnin “kundërevolucionarët shqiptarë”.[123]

Në rrethana të tilla shfarosëse shqiptarët organizuan rezistencën e armatosur për t’u mbrojtur nga terrori dhe për të kundërshtar riokupimin e viseve të tyre nga komunistët serbë. Për të thyer rezistencën e fuqishme demokratike e liridashëse, si dhe për të justifikuar zbatimin e mëtejshëm të gjenocidit, me 8 shkurt 1945, në Kosovë u vendos administrimi ushtarak, me arsyetimin për ta normalizuar gjendjen. Tani, vazhdimi i terrorit dhe krimit mbi popullatën shqiptare u legjitimua edhe zyrtarisht. Pushteti ushtarak, që iu imponua popullit shqiptar të Kosovës, nuk ishte formë e panjohur represioni, gjenocidi e terrori ndaj shqiptarëve, sepse pushtuesit jugosllavë e kishin zbatuar atë edhe më parë. Kështu kishte ndodhur sa herë që trupat serbe, malazeze apo jugosllave kishin pushtuar e ripushtuar viset shqiptare. Në vitin 1913, në viset shqiptare, që iu aneksuan Serbisë, organizimi i pushtetit iu ngarkua ushtrisë dhe administratës ushtarake.[124] Kjo u bë në bazë të propozimit të Komandës së Zonës III të Armatës, datë 12.XII.1912. Në këto treva, Komanda  Supreme  e  Ushtrisë  serbe  e  drejtonte vendin nëpërmjet organeve të sistemit ushtarak e policor.[125] Në vjeshtë të vitit 1918, krahas ripushtimit të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike shqiptare u vendos diktatura ushtarake-policore e gërshetuar me pushtetin civil serb, i cili ushtroi gjenocidin shfarosës mbi popullin shqiptar. Në trevat shqiptare nuk vlente kurrfarë legjislacioni, “rregullin” dhe “qetësinë” e siguronte ushtria serbo-jugosllave me ndihmën e aparatit policor.[126] Administrimi Ushtarak, që u vendos në Kosovë në vitin 1945, të cilit iu besua udhëheqja ushtarake e pushtetit civil dhe gjyqësor “deri në rregullimin e rrethanave”, përkatësisht deri në aneksimin e saj nga Serbia.

Në korrik të vitit 1945, në një kuvend të organizuar në Prizren, Kosovës, në vend të pavarësisë, përkatësisht të bashkimit me Shqipërinë, iu njoh vetëm autonomia e kufizuar në kuadër të Serbisë dhe Jugosllavisë dhe iu caktuan kufijtë e sotëm. Trojet Shqiptare u copëtuan nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Duhet shtuar se gjatë luftimeve kundër forcave ushtarake gjermane dhe italiane në Kosovë u vranë reth 6.100 vetë, nga të cilët, pothuajse tërësisht ishin shqiptarë. 

Për t’i mashtruar disa qarqe të brendshme përparimtare e internacionaliste dhe mbarë opinioni ndërkombëtar, serbomëdhenjtë, me ndikim të dukshëm në mbarë Jugosllavinë, emërtimit Ministria e Kolonizimit i shtuan atributin sintagmor reformë agrare, kështu që kjo ministri më vonë do të quhet Ministria e Reformës Agrare dhe e Kolonizimit. Se kjo ministri nuk kishte kurrfarë karakteri agrar dhe nuk punonte fare për ndonjë reformë agrare shihet edhe nga fakti se kjo “reformë” dhe ky kolonizim u zbatua vetëm në Vojvodinë, në Kosovë e në Maqedoni, pra në territoret ku jetonin kryesisht nacionaliteti shqiptar, hungarez, gjerman, maqedonas etj. Po këtë konstatim e vërteton edhe e dhëna se revizioni i reformës agrare u bë mbështetur në Dekretin jugosllav dhe në “Ligjin për revizionin e ndarjes së tokave kolonëve dhe të interesuarve të tjerë agrarë në Maqedoni dhe në Kosovë e Metohi” me 5 nëntor 1945.[127]

_______________

[103] V. Çubriloviç, referat “Shpërngulja e Shqiptarëve”, Beograd, 1938, f. 49; Sh. Braha, Gjenocidi serbomadh ........, v. e c., fq. 320.
[104] Dr. Jusuf Osmani, Lënda arkivore ............., v. e c., fq. 179.
[105] Dr.  Izber Hoti, Çështja e kolonizimit të Kosovës Gjatë Luftës së Dytë Botërore, “Fjala”, Prishtinë, 5 korrik 1993.
[106] E njëjtë.
[107] Rexhep Qosja, Çështja shqiptare, historia dhe politika. Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1994, fq. 171; Dr. Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, 1997, fq. 46.
[108] Gojko Medenica, Cetnicki pokret na Kosovu i Metohiji u vreme II svetskog rata, “Vjetari” X-XI, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1979, fq. 347-375; Dr. M. Shatri, Kosova në Luftën e Dytë ......., v. e c., fq. 47.
[109] E njëjtë.
[110] Vojna organizacija cetnika u okupiranoj Srbiji 1941-1942, VIG, Beograd, 1968, fq. 205-214; Dr. Hakif Bajrarmi, Planet për Serbinë homogjene dhe tragjedia ballkanike, 1941-1945, “Rilindja”, 13.IX 1995; AVII B, K.111, fas. 4, d.14; Dr. M. Shatri, Kosova në ........, v. e c., fq. 47.
[111] Dr. Hakif Bajrami, Politika ..........., v. e c., fq. 144.
[112] Dr. Sh. Braha, Gjenocidi serbomadh ....., v. e c., fq. 207; Dr. M. Shatri, Kosova në ....., v. e c., fq. 53.
[113] Arkivi i Institutit Historik të Kosovës në Prishtinë, k.14/8, 181; Dr. Muhamet Shatri, LNÇ në Prizren dhe rrethinë (1941-1945), Prishtinë, 1987, fq. 186.
[114] “Borba”, Beograd, 21.IX 1944, fq. 1.
[115] Dr. M. Shatri, Kosova ............., v. e c., fq. 207.
[116] Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi”, Tiranë, 1990, fq. 546-550; Dr. M. Shatri, Kosova ........., v. e c., fq. 207.
[117] V. Cubrilovic, “Mišljenje o manjinama”, 1945; Plenum CK KPJ, 1.IV 1945, Zakljucci.
[118] E vërteta mi Kosovën ............, v. e c., fq. 546-550; Dr. M. Shatri, Kosova ......, v. e c., fq. 209.
[119] “Bujku”, Dosja jonë, 7 nëntor 1998.
[120] Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, BULETINI, nr. 14, janar-mars 2000, fq.                20.
[121] Dr. Lush Culaj, Një përvjetor i krimit dhe terrorit, “Koha ditore”, 4 dhjetor 2004.
[122] Material në dorëshkrim i prof. dr. Hakif Bajramit, dhën autorit më 15.07.2005.
[123] Dr. L. Culaj, Një përvjetor i krimit dhe terrorit, “Koha ditore”, 4 dhjetor 2004.
[124] Lefter Nasi, Ripushtimi i Kosovës (shtator 1944-korrik 1945), Tiranë, 1994, fq. 163.
[125] Zekeria Cana, Socialdemikracia serbe dhe çështja shqiptare, Prishtinë, 1984, fq. 75.
[126] Liman Rushiti, Rregullimi administrativ-territorial i Kosovës gjatë viteve 1919-1929, Kosova 1, Prishtinë, 1972, fq. 253.
[127] Dr. Izber Hoti, “Fjala”, 5 korrik 1993.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora