Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Fjala e At Gjergj Fishtës në dekë të Avni Rustemit
E merkure, 07.10.2020, 07:44 PM
Nga Fritz RADOVANI:
8 MAJI
1924
TEK VORRI
I AVNI RUSTEMIT
?FJALA E AT GJERGJ FISHTËS NË DEKË T'AVNI
RUSTEMIT:
E
zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymes s'asaj vistre të gjatë
kavaljetesh, neper të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të
fali Perendija, por - ofshe un i mjeri! - se teper pa mshirë e turp shemtuem të
ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa buk e shujtë e e shame prej
gjithkuej, sa me t'ardhë mârre me u quejt me emen tand, dikur aq të lumnueshem,
nuk e di a kalue ká ndo'i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo'i
hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit.
Neper ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht
të shporojshin parzmet e bijve tu: Neper ty, po, u ndenë gardh ato shpata e
shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tue; mbi
ty, randoi pesha e pushtetsis rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e neper ty
u pershkue, mbasandej edhè ajo dhuna e permnershme e Azis, që të dërmoi të
gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e
dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand
të kobshëm. E vertetë që tjera ndoshta kombe e fise e vende, e tjera mote e
mndorje të historis s’tyne, kan muejtë kshtu me psue si psue ké ti, e mjera moj
Shqipni; po fis as komb, as vend nuk ká kund n'Europë, që, si ty, zemra gjak
t'i két pikue! Mos tjetër të bijt e atyne kombeve, fiseve, vendeve, edhè
m'atëherë kur i ndrydhte nji kambë e hueja, kan mûejtë me dashtë Atdhenë e vet,
kan mûejtë me urue per té. Nder sa per bijt tuej - fat zeza moj Shqipni - po
ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.
Jo,
po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazen shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në
Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet - e xhinajet
i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh,
na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnis. Atdhedashnija, po, kjè njajo,
që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem - i pat dalë, të ngratit,
zani, se ky po e donte Shqipnin, edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e
me gjith fuqî të shpirtit të vet se per Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s'i ka
pasë lakmue, por s'i dhimbej jeta, të cilës s'i lakmonte per tjeter, veç per me
i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e
të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i
ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma
të vogjel per qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha
shqiptare - shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë - nji besë shqiptare se do
të jetote, do të punote, do të diste per jetë e lulzim t'Atdheut. I vu ndokush
shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s'dij se për çfarë
vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me
armë të s'di se kuj, e vret e e len shakull mbi dhè.
Edhè
kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të miren lule të
djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nen dhé. Pse? Pse pat dashtë Shqipninë!
Kërcuna mori nana e vet, që ktij petriti të Lubohovës, dhanë i paska nji zemër
bujare, fisnike; pse po zemra satrapit të tiranit ajo t'ia kishte dhanun, sod
s'do ta kishte martue me tokë të zezë, por me ndo'i , zojë vashe shqiptare... I
ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës dikue i paska të gjith
ate njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, beses, njerzis, pse po ta kishte
msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i
tyne, sod vorfnue s'do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me
nji birë në shpirt, Kosoven me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e
vet aq të dashtun e të drashtun!
Flaka,
po, i perpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry neper flî t' ambël të
kësaj gjuhe hyjnore tonen, e ndezkan zhari zemren e tij ndaj Atdheut, edhè
kshtu para kohe e çuekan në vorr. Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë
Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e
dër në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të
pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret - edhè
kto të pashërueshme - të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah
prendimi i vet. Jo po; ky djalë po të kishte vu dorë e vjedhë nder pasuni të
Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e
huej e per qëllime të poshtëme politike të kishte djegë ndo'i malsî e rrenue
ndo'i fshat, na sod ktu s'do ta kishim m'e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të
vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më
sandalle, kolltuk më kolltuk neper oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë
të ndo'i klikës së mshehtë, të ndytë, tue perpilue vistret e emnavet të njatyne
atdhetarvet që do t' u bajshin flî ambicjonit të poshtem të tyne. Por Avni
Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipnin e desht me
gjith fuqin e shpirtit të vet, prandej' u la në gjak, prandej diq, shkoj,
mbaroj...
Mbaroj
thashë?...Më paska pasë rrshitë goja pahiri;pse Avni Rustemi s’ ka mbarue.
Edhè
aj jeton nder né edhè ka per të jetue dèri sa në ndo'i skaj sado të vogel të
Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare. Burri i mirë
s'des kurr. Fjal drejta hyjneshë e historis, kjo,në nji fletë të historis
shqiptare emnin e tij ka per ta shkrue me shkrojla arit, shkrojla të pa
shlyeshme. Ka me dalë ndo'i poet i kombit, i cili ate emën ka per ta këndue mbi
lirë të vet të hyjnueshme; e ate emen atëherë mësuesit nder shkolla kan per të
ia u permendë nxansavet të censhëm: kapun në valle djemtë e vashat shqiptare
neper brohori kan per ta kndue at emën; kan per ta kndue barijt e blegtorët
neper hije e mrrize të paqta të fushavet e të malevet tona, e mali e fusha e
bregu e zalli kan me jehue nga ky emën e kshtû emni i Avni Rustemit, si ideali
i tij, ka me mbetë i padekshëm në Shqipni. Âsht rrêjt, pra, tradhtari qe thau
të rijtë e tij, per në pastë mendue, me nji plumb pushke të pagueme Avrnu do të
mbarote. Avniu s'mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi
kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n'ate vepër që m'herë të
parë, në sy të gjyqtarit frang do t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta
ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë
me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam
tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj
Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se
ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer
pjesë Shqipnia mbarë?
Ktú
ké shkëlqesa të Këshillit të Naltë edhè dhespoten fort ndershem; ké - aballarë,
hoxhallarë, priften, freten e misa Kuvendit Kushtetues; bajraktarë e beglerë,
qytetas e fshatarë, pasanikë e të vorfen, pleq e të rij, burra e gra, djelm e
varza që kan ra e ardhë ktu në Vlonë per të kjasue loden e vet mbi' vorr të
tij. Kta, po, rrëfejnë se emni i Avni Rustemit e ideali i tij do të rrojnë të
padekshëm në Shqipni të lirë.
Stolis,
pra, me rreze të nji emni të padekshëm e pajis me perdhimtime t'ambla të mbarë
kombit shqiptar, mos u tut, Avni, tue u djerrë në vetmi të vorrit të errshëm, e
kshtu me u dá prej nesh pergjithmonë. E vështirë, ndoshta, të vjen puna, që me
u shkepë prej gjivet të prindvet tuej, por, qe, Shqipnija ka hapë gjitë e vet e
të lypë per vedi. Nuk ké çka ban, do të hish në gjî të saj; pse ti, sod e
mbrapa, nuk jé i kurrkujt tjetër veç se i Shqipnîs. Edhè Shqipnija në gjî të
vet ka me i strukë kocat tuej, që mos t'i lendojë furia e thellimit a ndo'i
fuqî tjetër kundërshtare, e ti në ate gjî ké me pushue si dikur, foshnje,
pushove në gjîtë nanës sate zemër rrënueme: Jo, po, edhè Shqipnija âsht nana, e
si nanë ka me ta mbajtë kujdesin, që mos ta trazojë kush gjumin e dekës në gjî
të saj.
O
ju male të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht
tueju lan: që edhè sod e mbrapa t' i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me
besë e me burrnî.
O
ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue
ju lan: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t'i jepni bukë e
shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të
kombevet të hueja. Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dergue per
ditën e vorrimit të tij.
O
ju njerzë të Shtetit Shqiptar e misa të Kuvendit Kushtetues, lamtumirë po u
thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që po kjé se âsht kush nder
ju, që me nder dikasteret e nalt të shtetit ose në log të Kuvendit Kushtetues
s'ka para sysh veç se punën e tagjîs, ta mbushë strajcën pikë e per maje me
gjak të shtetit edhè të shmanget në punë të vet, e mos të rrijë ma me luejt
harushë mbî shpinë të nji popullit të ngratë, që as frymë nuk po mund të marrë
prej lotvet të gjakut.
O
e bardhë shpresë e kombit - djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni
Rustemi e amanet âsht tue të lanë:
Armët
e mbushme mos me i dhanë
Shoq
me shoq kurr mos me u xanë
Mos
me u xanë as mos me u ngaë
Kurr
ujët turbull mos me i raë
Fjalët
per pajë kurr mos me i ndalë
Zemrës
së frytë me i lanun dalë.
O
zemërplasun prindet e tij, Avniu juej, qe, po ndahet pergjithmonë prej jush,
edhè po ju lypë hallallin, per çka me fjalë a punë ka muejtë me ju pezmatue
zemrën. Edhè ky ka kjenë çilimi, ka kenë i ri, e prandej ka mûejtë me gabue. E
ty babë i mjerë, amanet âsht tue ta lan, që kur të bajë motra me kja - qyqja
motër per kaq vlla! - ta pajtojsh me fjalë t'ambla e të buta e mos ta lash,
qyqen e natës, me i plasë zêmra prej dhimbjes per Avniun e vet.
Lirë
e bekue po ju thotë të gjithve ju, që keni ba faqen e bardhë e ardhc m'e
percjellë deri në ket vend pushimit të tij të mbramë. E ju, Zoja :e ndritshme
po ju truhet per çka keni ma per zemër, që t'ia shmangni mamen prej vorrit e
mos të shofë gazep me sy. Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa per
punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën
ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija
ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë,
ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, neper
kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u pershku; në tjetrën anë
Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me dikue aq fort fuqî në
zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji
atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnîn, ta bâjë me perparue e me lulëzue
krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet
Shqipnija!
(Rev.
"Afrimi", vjeti II, Maj 1924.Vlonë – Marrë nga Vepra Letrare, At
Gjergj Fishta.) ?Shenim nga F.Radovani: Asht botue pa asnjë ndryshim nga
origjinali.
Melbourne,
7 Maji 2019.