Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Dr. Tonin Çobani - Pesë mundimet e Fishtës
E hene, 31.08.2020, 11:08 AM
Fritz RADOVANI
Kujtoj…Sot, mbas pak
vjetësh:
Kryeredaktorin
e Veprave t’ At Gjergj Fishtes...
Dr.
Tonin Çobani
PESË
MUNDIMET E FISHTËS
Poeti
Kombëtar në shënjestrën e Salierëve të kohës së vet.
Më
parë se ndërkombëtarët të urdhëronin mbylljen e “Hyllit të Dritës” dhe
internimin e drejtorit të saj, gazeta “Dielli” e Bostonit (10 mars 1914), boton
një shkrim të një anonimi me inicialet E.N. kundër Fishtës (“i dëgjuari
vjershëtor shqiptar”), për të cilin i ka ardhur shumë ligsht (“na ardhi shumë
likësht”) sepse ai shkruan në revistën “Hylli i Dritës”, sipas tij, “vegël
fetare e Vatikanit të Romës”. Një frat shqiptar internohet në Maltë Ndëshkimi i
tretë i vjen Fishtës nga ndërkombëtarët.
Ky
ndëshkim është bërë i njohur qysh herët prej biografit të parë të tij, At
Pashko Bardhit. Ky frat, bashkëstudent i Fishtës qysh në seminarin e Troshanit,
shpjegon se revistës së themeluar prej Fishtës, “Hyllit të Dritës”, iu desht me
u ndalë së botuemi” pa mbushur as një vit nga numri i parë. Pikërisht në këtë
kohë doli vendimi edhe për dëbimin nga Shkodra të drejtorit të saj.
At
Marin Sirdani, një tjetër frat, bashkëpunëtor i afërt i Fishtës, shkruan se
“qeveria internacionale” e kishte paditur Fishtën në Romë “si njer(i) të
rrezikshëm për qetësin(ë) e vendit”.
Disa
thonë se mbyllja e revistës dhe dënimi me internim i drejtorit të saj erdhi për
shkak të shkrimeve të Fishtës në atë revistë. Përmendet, veçanërisht artikulli
me titull “Një komedi e pandershme e qindvjetit XX” (Hylli i Dritës, 1914\10),
ku akuzohen ballazi Fuqitë e Mëdha për mos vëmendje ndaj Shqipërisë. Por është
edhe flamuri gjashtëmetrash, i kuq me Shqiponjën e zezë dykrenore, në majën e
kompanjelit të Kishës Françeskane, ngritur nga Fishta mbas largimit të trupave
pushtuese malazeze, pa marrë më parë leje nga forcat shumëkombëshe që
qeverisnin qytetin. Është dëgjuar edhe një Hymen kombëtar, që fillon me vargun
“Porsi fleta e Ejllit të Zotit” (teksti i Fishtës dhe muzika e Lec Kurtit), i
cili këndohej nëpër rrugët e rrugicat e Shkodrës nga nxënësit e shkollës
françeskane. Të gjitha së bashku e, ndoshta, ndonjë tjetër e përgatiten dëbimin
e tij prej Shkodrës. Ekslokimi i ka ardhur prej guvernatorit të atëhershëm të
Shkodrës, kolonelit anglez Filips, i cili formulon urdhrin për ta internuar
Fishtën 20 muaj në Maltë. Urdhri doli, por Fishta i shpëtoi këtij mundimi vetëm
duke u largua më parë se të vinin për ta arrestuar ushtarët e huaj: Ai u
strehua në seminarin e Troshanit e në famullinë e Gomsiqes (ku aso kohe
shërbente Gjeçovi), të Vigut (At Pashk Bardhi) dhe Rubikut (AtPal Dodaj).
Fatmirësisht vendimi i ndërkombëtarëve nuk kishte fuqi përtej Shkodrës me
periferi deri në 10 km. Pyetja që na vjen menjëherë ndër mend është: si mundet
një frat të ishte njeri i rrezikshëm për qetësinë e qytetit të vet, të mbrojtur
nga ndërkombëtarët? Asnjëri prej arsyetimeve të dhëna deri sot nuk e
justifikojnë dënimin me internim të një kleriku, i cili, vetëm për faktin se
është i paarmatosur, është i papërfillshëm për ushtarakët. Por mua më kanë
ardhur në ndihmë studimet e dhjetëvjetëshit të fundit të Paolo Muner-it. Prej
tyre kam krijuar një tablo të gjallë për atë çfarë mund të ketë ndodhur në
Shkodër në atë kohë, duke u bindur në formulimin e një arsyetimi që gjithnjë e
më tepër po më lidhet me një farë tendence në vijimësi për ta kundërvënë
Fishtën me lexuesin e vet, ashtu si të gjithë shqiptarët “me i përzi“ njërin
kundër tjetrit. Më parë se ndërkombëtarët të urdhëronin mbylljen e “Hyllit të
Dritës” dhe internimin e drejtorit të saj, gazeta “Dielli” e Bostonit (10 mars
1914), boton një shkrim të një anonimi me inicialet E.N. kundër Fishtës (“i
dëgjuari vjershëtor shqiptar”), për të cilin i ka ardhur shumë ligsht (“na
ardhi shumë likësht”) sepse ai shkruan në revistën “Hylli i Dritës”, sipas tij,
“vegël fetare e Vatikanit të Romës”. Ndërkohë që Paolo Muner-i në një varg
studimesh, që kanë për objekt Shkodrën e atyre viteve, na ballafaqon me një
realitet krejt tjetër. “Këtu,- shkruan ai duke paraqitur konkluzionet e Carlo
Galli-t, në atë kohë Konsull i Përgjithshëm Mbretëror i Italisë në Shkodër,-
del në pah një nga aspektet më të çuditshme të situatës; konkurrenca mes
Austrisë dhe Italisë bëhet "në lëkurë" të shkodranëve, dhe përfshinë
gjithashtu anën fetare: Austria ishte prej kohësh shtet mbrojtës i katolicizmit
, edhe pse ky rol fillonte të luhaste, ndërsa Italia, akoma vend laik, ku Papa
madje konsiderohej "i burgosur politik", filloi të hahej me të në
këtë fushë.” Dhe unë dua të mbetëm veçse te shprehja “në lëkurë të
shkodranëve”, sepse pikërisht këtë “lëkurë” apo “nënlëkurë” e ndiejnë më
dhimbshëm shkrimtarët, prandaj ua ndalë dorën (mbyllja e revistës) dhe ua kyç
gojën (internimi në Maltë).
Sa
vlen një nënkryetar parlamenti? Gjatë kohës kur Fishta ishte deputet, madje,
deri nënkryetar i Parlamentit, realizon një vizitë në SHBA.
Në
Tiranë ndodh çudia. Në gazetën zyrtare “Dita e Re”(26 prill 1922) nën okelion
“Në Këshillin e Kombit” del një njoftim me titull “At Gjergj Fishta s'ka ndonjë
mision”, “prandaj të gjithë thëniet e tij ndër qarqe apo shoqëri të çdo lloji
që të jenë, nuk kanë asnjë frymë zyrtare e janë fjesht private e personale
d.m.th., pjellat e mendimit të tij privat e personal”. Njoftimi është firmosur
nga kryetari i Këshillit Kombëtar, z.Eshref Frashëri d.v. Me 9 maj 1922 gazeta
“Posta e Korçës” e riboton këtë lajm duke shtuar se z.Eshref Frashëri e trajton
“atdhetarin shkodran (dhe) shkrimtarin nga më të fortët të Shqipërisë” sikur të
ishte një vagabond.
Këndej
zemërohet Konica, i cili boton te gazeta “Dielli” shënimin me titull “Sistemi
ori ent a l ” (26 qershor 1922). Ai përballë “ndershmërisë së Fishtës” vë atë
që me gjuhën e sotme nënkupton fjalën “dekriminalizim” të Parlamentit dhe
Qeverisë, pra, “trurin anadollak, (të cilit) i duket vagabond njeriu i
ndershëm, njeriu i sinqertë, ay që del sheshit dhe të kritikon”. Këndej Fishta
ngjesh pendën e tij dhe boton po në gazetën “Dielli”, që aso kohe drejtohej
prej vetë Konicës, atë të famshmen, “Letër e hapun...”(8 korrik 1922), kundër
Eshref Frashërit, shkrim i cili ka mbetur model i polemikës në letrat shqipe.
Po ç'ne ky ndëshkim në distancë i Kryetarit të Këshillit Kombëtar? Përse
kërkojnë ta përjashtojnë poetin prej kontributit kombëtar? E vërteta është se
Fishta udhëtonte në SHBA me qëllim grumbullimin e ndihmave për ngritjen e
Liceut françeskan të Shkodrës, ndër më të parat shkolla të mesme të këtij lloji
në vendin tonë. Pavarësisht kësaj, ai në çdo rast do të kontribuonte, siç
kishte vepruar gjithmonë, për çështjen kombëtare. Dhe, nëse për liceun nuk bëri
ndonjë gjë për t'u shënuar, për çështjen kombëtare bëri, dhe bëri shumë, madje,
Ai loboi tek senatorët katolikë të Washingtonit për njohjen e Shqipërisë prej
SHBA-së. Dhe ia arriti qëllimit. Mori përgjigje se njohja u krye. Është një
fakt ky që duket si rastësi. Por jo. Sigurisht unë nuk mendoj se po të mos
shkonte Fishta (pa lejen e Eshref Frashërit) në SHBA, kjo e fundit nuk do ta
kishte njohur ndonjë herë Shqipërinë apo, së paku, nuk do ta kishte njohur edhe
për një kohë të gjatë, ndoshta, për një vit a gjashtë muaj. Jo. Jo! Por lobimi
i Fishtës gjeti rrugë, ndoshta më shpejt se të tjerë shqiptarë patriotë kishin
tentuar ta kryenin deri atëherë. Ja si i shkruan Fishta At Pal Dodës: Këtu në
Wshington kam kontaktuar me një senator katolik, siç të kam shkruar (29.4.1922)
dhe i jam lutur të interesohej pranë Qeverisë së tij për njohjen e Shqipërisë
si shtet i pavarur... Ai ka folur me senatorin Lodge dhe sot më tha se njohja e
Shqipërisë është e mundshme, prandaj,
“Qeveria
e Tiranës t’a paraqesë kërkesën e saj me shkrim në Nënsekretariatin e Shteteve
të Bashkueme...(Washington, 8 maj 1922).”
Ajo çfarë vijon në letrën e Fishtës më ka cimbisur sa herë e kam lexuar,
sepse më vjen si një dhimbje universale për ne shqiptarët. Fishta ka problem
kryeministrin shqiptar, Xhafer Ypin, ministrat Ahmet Zogun e Spiro Kolekën e të
tjerë, për të cilët i lutet At Pal Dodës të ndërhyjë, pra, në një farë mënyre
të futet mik për t'ia dërguar atë kërkesë formale Departamentit përkatës të Qeverisë
Amerikane.
Edhe
sot, më duket mua, është më lehtë të binden të huajt për nevojat që ka populli
shqiptar se sa vetë deputetët e pushtetarët shqiptarë, të votuar prej vetë
shqiptarëve: prandaj ka qenë vënë në shënjestër herë pas herë Fishta, ashtu siç
ka tendencë sot të ekskomunikohet edhe Vepra fishtjane, së paku, leximi i saj.
Një
“emigrant politik me veladon” në periudhën 1920-1924, At Fishta merr pjesë
aktive në politikë. Mund të sjellim si shembull këtu esenë “Shqiptarët dhe të
drejtat e tyne” (1920), që u shkrua në Paris ndërsa ishte sekretar i
delegacionin zyrtar të Shqipërisë në Konferencën e Paqës, prandaj është quajtur
edhe Eseja e Parisit; të përmendim botimin e tragjedisë “Juda Makabe” (1920 dhe
1924), e cila sa herë që u vu në skenë provokoi pështjellime ndër protagonistë
të kohës, si dhe poemën “Gomari i Babatasit” (1923), që në vetvete ishte më
shumë se provokim. Fishta ishte në opozitë së bashku me Gurakuqin, Nolin,
Mjedën dhe të tjerë. Kujtojmë këtu dy proza: Ligjëratën “Fjala e Pater Gjergj
Fishtës në vdekje të Avni Rustemit” dhe esenë “Trazimet e qershorit 1924”.
Prandaj kur ra qeveria e Nolit, Fishta, i këshilluar nga disa miq të vet, siç
thuhet, u largua nga Shqipëria dhe nuk u kthye derisa miq të tjerë të fuqishëm
e siguruan se nuk rrezikohej seriozisht nga Zogu. Madje duket (ky është thjesht
opinion personal) se edhe ai premtoi në një farë mënyre se nuk do të merrej më
seriozisht me politikë. Dhe ashtu bëri. Kishte kaluar çaste edhe më të
vështira, sesa të hiqte dorë nga politika: ishte detyruar të arratisej për
shkak se i rrezikohej jeta sikundër mikut të tij, ndër më të mirët, Luigj
Gurakuqit, në varrimin e të cilët nuk ishte lejuar as të bënte një kryq e jo më
të mbante një fjalim të merituar, siç ai dinte të bënte. Disa studiues të sotëm
kanë tendencë për ta anashkaluar opozitarizmin e Fishtës. Kjo është baras sikur
të kërkosh ta tredhësh Poetin. At Daniel Gjeçaj, biografi më i plotësuar i
Fishtës, ka dëshmuar se Fishta “ndeji i mërguem në Itali”. Ai ka përshkruar me
detaje edhe shkatërrimet që pësoi liceu “Iliricum” i Shkodrës prej trupave
qeveritare, të cilët kishin ngritur aty shtabin e tyre për të nënshtruar
kryengritjen e Dukagjinit të vitit 1926 (20 nëntor). Gjeçaj ka qenë seminarist
në moshë të vogël, “por jo aq, sa mos me kuptue psehin e ngjarjeve”,- shkruan
ai.
Dhe
vazhdon duke përsëritur fjalët që dëgjoheshin atëherë nga krerët e kuvendit:
“shyqyr që nuk është Fishta në Shqipëri”, ndërsa një pjesë e fretërve si At
Anton Harapi e At Çiril Cani ishin të arrestuar dhe kërcënoheshin deri me dënim
kapital.
Përmbyllje:
Ndëshkimet e Fishtës kanë synuar ta kundërvenë Poetin me lexuesin e vet, ashtu
si ndodhi gjatë periudhës së qeverisjes ideologjike e vazhdon deri në ditët e
sotme, kur dëgjojmë: Fishta është shkrimtar i madh, por ka edhe njolla; është
përfshirë tashmë në tekstet shkollore, por është kaq i vjetruar, sa s' ia vlen;
ka shkruar shumë vepra (e kryevepra), por vetëm për Gegët? Mendoni se si do të
ishte bota nëse italianët do të gjykonin kështu Danten e tyre për shkak të
gjuhës së tij, tashmë tepër të vjetruar e në dialektin e një qyteti a krahine
të Gadishullit të Apeninëve; nëse anglezët do të silleshin po ashtu me
Shekspirin, spanjollët me Servantesin e me radhë: gjuha e të gjithë këtyre
tashmë vërtet është e vjetruar për brezat më të rinj.
Çdo
kundërvënie me lexuesin është më e rëndë se distancimi i një kleriku me
besimtarët e vet apo i një mësuesi/edukatori me nxënësit e tij, sepse në rastin
e klerikut apo të edukatorit kundërvënia është me një grup të kufizuar besimtarësh
a studentësh. Ndërsa në rastin e shkrimtarit me lexuesin e tij kundërvënia
është e përmasave të pallogaritshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për shkrimtarë
të nivelit të Gjergj Fishtës, vargjet e të cilit mësoheshin përmendsh edhe kur
vepra e tij përbënte fajësi të dënueshme për agjitacion e propagandë edhe
thjeshtë për faktin se dikujt i gjendej si libër në bibliotekën vetjake. Por
autori i “Lahutës së Malcis” rrezatonte ngado energji pozitive jo vetëm si
poet, por edhe si predikues, drejtor shkolle dhe veprimtar politiko- shoqëror.
Prandaj, kundërvënia e Fishtës me popullin e vet bëhej jo në mënyrë sporadike.
Nuk mund të pohohet me plot gojë që të ketë pasur ndonjë strategji për të
shmangur ndikimin e veprës fishtjane ndaj lexuesve, ndaj shqiptarëve
bashkëkohës e të mëvonshëm, deri në ditët e sotme. Por mund të numërohen
episode pafund intrigash, poshtërsish, mbrapshtish, siç i quan Fishta mundimet
e veta, që e kanë ndjekun nga pas gjatë gjithë jetës, së paku, nga koha kur ka
qenë student në dhe të huaj e deri në sekondat e fundit të jetës kur, disa prej
atyre që i rrinin te koka seleksiononin porositë e tij për të mos mbetur ajo që
të rinjtë e kohës kishin formuluar për Poetin Kombëtar: “Nuk më vjen keq se po
shkoj, por se po e la vendin të pushtuem.”
Shenim F.Radovani: Shkrimi i
Kryeredaktorit të Veprave t’ At Fishtës, asht një leksion per të gjithë
shtremnuesit dhe fallsifikatorët e fakteve, që shumica janë me “tituj” të
pamerituem... Respekt per Autorin.
Melbourne, 28 Gusht 2020