E diele, 28.04.2024, 03:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Ëndrra absurde

E shtune, 23.02.2019, 12:40 PM


Ëndrra absurde

Nga Blerim Rrecaj

Fillon një ditë, tërë ditën mbrenda muresh e rrethojash reale a virtuale duke lexuar tregime të ndryshme, të autorëve botërorë e vendorë, të parë e lexuar më parë, por edhe tash, librave, faqeve të gazetave, rrjetit internetik a revistave letrare. Kryesisht kështu kalojnë ca orë, e më pas muzg e natë. Dhe një rënie zileje e një telefonatë. Udha na bën bashkë. Ne udhëtarëve endacakë. Qëllimisht a rastësisht. Me a pa dashje. Më pas, pas hamendjesh vendosim për një ecje, por pasi ajri duket i rëndë e pluhuri ka krijuar një shtresë të cilën e vënë në dukje dritat e shtyllave, automjeteve, lokaleve, por dhe hundët, sytë e gojët sapo që hapen, arratisemi për në ndonjëren prej kafiterive.

Pas një ndeje të zakonshme në njëren prej dy vargjeve të kafeneve të një rruge dytësore që sot ia ka marrë "anên" rrugës kryesore të qytezës, lëmë pas një grumbull të madh fjalësh, një tufë jo të vogël shqetësimesh, një shtresë të madhe mjegulle, me pak fjalë lëmë një aromë të hidhur kotësie e bezdie që i shpërfaq disponimi ynë mo(nu)mental, aktual e shumëdimensional. Njëri thumbit, tjetri gozhdës, e i treti si dy të parët hedh fjalë pa pikë lezeti. Fjalë të lodhura e të përsëritura enden rreth veshëve të cilët kanë aftësi gjysëmdëgjimore, dhe më pas mund të dëgjohen ndërhyrjet: m'fal që po të ndërprej, mbaje në mend se çka pate me thanë, tash ke dalë jashtë teme...E prekim njëri-tjetrin në tel, dhe marrim do farë kontaktesh si të telave të rrymës që lëshojnë xixa, e mbase dhe na bijen edhe siguresat të cilat përpiqemi t'i rregullojmë, t'i ndërrojmë, t'i vëmë të reja, duke pasur kujdes në cilësinë e tyre, pasi që pavarësisht etiketave, e themi në kor se ka kohë që ka vërshuar falsiteti, edhe neurozat për gjendjen tonë e të vendit ku jetojmë. Sikur të ishim debatues televizioni, shtyhet i pari me të dytin, pastaj i pari dhe i dyti e sulmojnë të tretin, e i treti vazhdon përballjen në vorbullën e fjalëve sikur dy të parët. Për fituesit kush do i ndajë medalet? Sidoqoftë, ndejës së radhës i vije mbarimi, si një skeç i pakëndshëm, ku regjisore duket të jetë bjerrja e kohës, e të fundit ne lëmë skenografinë e këtij ambienti nëpër të cilin e pastrojnë kamarierët. Pak ndejë dhe në një qosh trotuatri, pastaj një ecejake, në rrugën e pluhurtë, deri skaj kësaj shenje të shrembëruar Stop-i. Edhe një shenjë e tillë e shtrembëruar rrugës së kthimit. Ç'janë këto shtrembërime ndalesash, që na kujtojnë fjalën që tashmë pak e ndryshojmë: Rri drejtë e fol drejt. Më pas kthehemi strehëzave. Mund të na presë ndonjë ndejë tjetër brenda dhomave, më pas sigurisht do na presin shtretërit, këta paraardhës të gjumit, ndonëse gjumi ndonjëherë, mund të na zë ulur, ka pasur raste edhe në këmbë, e ndonjëherë seç mund të na pëlqejë ndonjë gjumë shtrirë në ndonjë dy a tre ulëset e dhomës së ndejes, mbase dhe në ndonjë kanape, si pa u bërë rehat e duke dashur të dëgjojmë fjalët që na vijnë nga ata që i kemi ngat si çohu, shko shtrihu mirë e mos flej kështu për gazep. Sidoqoftë e kudoqoftë na rrëmbejnë dallgët e gjumit. Këtë herë ato sjellin një ëndërr. Më elemente të përzieshme realiteti e të një dite që shkoi. Dhe, ja fillon. E vet ecën rrugës. Me një biçikletë që e mban përduarsh, sigurisht duke mos guxuar ta ngasësh për shkak të ngarkesës së rrugës e trotuareve të zëna andej e këndej. Diku takon një fytyrë të njohur të njërit perimetër të rrethit ku banon. Ai të fton t'i bësh shoqëri, të lutet disi, por i tregon që është duke të pritur një tjetër i njohur, që ke lënë takim me të. Një shikim e buzëqeshje ironie. E s'di as vetë se si gjendesh në hyrjen e një objekti, duke zbritur ca shkallëve, e duke u munduar ta lëshosh biçikletën hapësirës së ngushtë përtej rrethojës mbajtëse të shkallëve. Dhe ndodhesh para një sporteli, ku paguan për hyrjen e t'u kthehen ca monedha hekuri si kusur. Kur hyn në një ambient me ca tavolina të rrumbullakëta, me njerëz, e zë një të zbrazët në mes, sheh dy monedhat dyeuroshe dhe një monedhë tjetër ngjyrë të përhirtë dhe shkon te sporteli të ankohesh për këtë gabim, sportelisti që merret me të tjerët, i thotë një gruaje që ka pranë, se ky nuk po e dijka se monedha që ka është nga ato që të bëjnë lojtar të lojës së bixhozit. Humbet pamja, dhe të rëndohet koka e ndjehen të dridhura të forta toke. Të del gjumi. Errët, ende nuk ka filluar me u zbardhë. Koka paksa e turbulluar, por i lehtësuar nga këto kthetra ëndrre. Gjumë e zgjime ndodhin në ndërkohë. Kah ora shtatë e gjysmë bie zilja, dikush ta kërkon një mbushës ajfoni, për ta kthyer pas nja gjysmë ore. Dhe vazhdon një ditë e zakonshme. Dikur një takim mes shokësh. Njëri nga ne pranë një laptopi, hëhë, duke bërë, pas ndonjë gëllënke kafeje, shfletim i ndonjë blloku shënimesh, e çrraka-çrruka- çrraka-çrra gishtat formojnë tinguj pak a shumë të tillë mbi tastaturë, si pak më parë, e si dikur...Më pas dy ndeja, e para e shoqëruar me kafe, e tjetra e shtyer me çaj. I ftohti na është kthyer së bashku me shiun. Përsëri radha po i vije gjumit. E ëndrrat absurde, sa më larg prej nesh...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora