Kulturë
Përparim Hysi: Malli i mbetur në hapësirë
E shtune, 23.02.2019, 09:41 AM
Një cikël me poezi lirike*
Nga Përparim Hysi
1. Malli i mbetur në hapësirë
Dhe mbeti malli në hapësirë
(si ajëri: i padukshëm!)
Po unë e ti e"shohim" mirë
Ah, malli i dikurshëm!
Ky mall,shpesh, vjen e na mbërthen
Ashtu... fare, papandehur!
Kudo që jemi, vjen e na gjen
Sado nga bota,fshehur!
Se vjen e shfaqet si kujtim
Si mbresë që vjen e shfaqet
Një çast që qe aq intim
Dhe zë vend në vargjet.
2. Puthja
Ç'më puth ashtu në sytë e botës?
(Në sytë e botës puthet veç një fëmijë)
Kështu më luan mua çargu i kokës
Se puthjen e dua me "fshehuri".
Se kështu më ngjit e më gëzon,
Se kështu më është intime
Nëse tërë bota më shikon,
Më duket si e"shtime".
3. Pa ty
U zhbënë stinët... dhe natyra
Pa ty? Jam si pikëllima.
Pusullën e kam humbur
Dhe nga mendja jam turbull.
Të thashë e t'u luta:-Mos ik!
Por qe e pamundur dhe pikë.
Ike ti dhe kot vij vërdallë
Sa më duket sikur nuk jam i gjallë.
4. Po sa rëndësi kanë fjalët?
Nga larg më bëhet sikur më thërret
Jehona e thirrjes përhapet në eter
Unë e ti si të zënë në një"rrjetë"
Fajtorë pa faj... dhe veç mister
Po ku kanë rëndësi fjalët
Kur"misteri" i dashurisë mbeti si iluzion
Ngarkuar të dy nga mallet
Njëri IKS dhe tjetri YPSILON.
Malli si ekuacion me dy të panjohura
Dhe fjalë, fjalë e vetëm fjalë
I kujtoj ato çaste të"ndodhura"
Po ti,YPSILON, i kujton vallë?
5. Gratë
Gratë se ç'kanë diçka të magjishme
Se ç'kanë një ogur"mashtrimi"
Të zë"hipnoza",si"drogë e pijshme"
Të vënë në kular pa pikë hezitimi.
Mundohu sa të duash t'i shpëtosh"kularit"
Por nuk është aspak e lehtë.
Besoni vargjet e këtij,"kokëbardhit"
Je peshk i zënë në rrjetë.
Këtë e shkruaj unë nga përvoja
Nuk ta heqin"kularin" nga qafa
Në"beteja" veç burrave u del boja
Gratë,përherë: f a q e b a r d h a !!!
6. Vjen një ZONJË!
Vjen një zonjë symëshqerrë,edhe dëng ma bën me sy
Po unë s'jam si të tjerë (se jam burrë namuzli)
Porse zonja rri aty dhe mbi mua sytë kllap
Të më plasin që të dy,mos më merr gjë për guak?
E kjo punë nuk shkon fare: si? Ta lë që të më vëjë"brirë"
Nuk e di kjo që këtë"valle",unë ka kohë që e"kërcej" mirë.
Epo vet më kërkoi "sherr" (unë me zonjën zë e "rrokem")
Nga ky"sherr", s'kam hiç qeder ("sherrin" e vazhdoi sa"ngopem").
7.Për ty
Sa agime kam pritur syhapur
Pa mbyllur sytë tërë natës
Se malli për ty aq më kish kapur
Sa ky mall dukej haptas.
Më dhimbte për ty koka
Aq me ty qeshë lidhur
Le të qeshë me mua bota
Ke lojtur , o kokëthinjur.
Por malli është si fruthi
Që pleqtë i mundon më shumë
As pyes mike nga turpi
Për ty, më zë me shkumë.
8. Dale- dale!
Dale- dale, moj lulkuqe
Se jam plak,i mbushur huqe.
Se s'duroj kur shoh një ruspë
Je për t'u pirë me kupë.
Më rreh zemra si zog sute
Jap me çape e jap me supe
Herë përdrejt dhe herë hajduçe
Çfarë nuk bëj,për ty, moj ruspe?!!!
9. Kur...
Kur më"rrëfeve" gjirin mua
Unë po zura"qiellin e shtatë"
Atë gji prapë e dua
E kujtoj dhe më zënë djajtë.
Qe si mjaltë,pa vënë në zjarr
(Thith e thith dhe s'kam të ngopur)
Por dhe mjalti bën "zarar"
Se pastaj... pse rashë i"ngordhur"?!!!
10. Të dy vetëm
Të dy,vetëm: xhetëlmenë
(as që lëmë vend për dyshim)
Ah,moj zemër,sa më dhemb
Mall, o mall! Si pikëllimë!
Ti rrëfehesh si në kishë
Unë po "prift" që fal mëkatet
Obobo, moj zonja IKS,
S'ka nevojë,se duken mallet.
Mallit le t'i vëmë "kapakë"
Se është si "luks" që hiç nuk shkon
Që të dy, të zënë me çarg
Mjerë, mjerë kush dashuron!
* janë shkruar pas viteve 2000.
Tiranë, 6 shkurt 2019