Kulturë
Zyba Hysa: Tabakaja
E enjte, 21.02.2019, 08:00 PM
Zyba Hysa
TABAKAJA
(Tregim)
Mes përpëlitjeve, për t’u shpëtuar hijeve të zeza, u zgjua me dhimbje të padurueshme, të cilat fillonin në fundin e barkut e me shpejtësi rrufeje kalonin pas kurrizit e ktheheshin përsëri nw fund barkut…
- Im Zot... Zgjohu... Jam keq... - mezi foli ajo përmes rënkimave.
- Zonja ime, pesëri me ëndrrën? - Tha i shqetësuar ai, ngaqë gjithë këto vite kishte abortuar nëntë fëmijë, pasi kishte parë të njëjtën ëndërr.
- Për fat të keq... - tha ajo dhe bëri të ngrihet, por ç'të shihte, gjaku kishte mbuluar shtratin...
- Dale, mos lëviz! - Foli i shoqi dhe u ngrit të marrë, si përherë, Kuranin dhe filloi të këndonte syre me zë gjer foshnja, gati gjashtë muajshe, përmes përpëlitjeve e dhimbjeve të saj, lindi pa zë jeje dhe grua u derdh e tëra në shtrat e përhumbur, saqë po të mos i dalloja ulje - ngritjet e krakarorit, do të mendoje se kishte dhënë shpirt.
I shoqi, me një eksperiencë gati dhjetë vjeçare me abortet e njëpasnjëshme mbështolli foshnjën me një pëlhurë të bardhë, doli jashtë, hapi një gropë të vogël poshtë një peme dhe e varrosi pranë tetë tjerëve, më pas u drejtua nga qielli dhe foli me zë: "O Zot, më bëj derman!" dhe në atë çast u duk sikur toka lëvizi nën këmbët e tij. U kthye më pas dhe shkoi tek e shoqja për ta ndërruar dhe më pas për ta kaluar në shtratin tjetër, por kur e pa që ishte në atë paqen që të sjell pushimi i luftës së dhimbjeve të lindjes, nuk i foli, por u ul bri shtratit. Asaj i kishte rënë një hir bukurie, thua se ishte shndërruar në ëngjëll, kurrë s'e kishte parë për kaq vite që ishin martuar kaq të bukur, por ajo që e habiti më tepër, ishte ndryshimi i mimikës së fytyrës, që të jepte përshtypjen sikur bisedonte me dike, ngjyra e limonitë i kishte ikur dhe 2 mollëzat e saj të ngritura shkëlqenin si petale trëndafili rozë, por një rozë e zbehtë plot dritë. S’ngopej së kundruari, ajo dukej si perëndi!
Emrin e kishte Hyri, por sonte ajo ishte kthyer vërtet Hyjni! Ajo kishte një bukuri që të magjepste dhe të trembte, se kishte dëgjuar, që njerzit e mirë, kur vdesin bëhen të bukur, ndaj u ngrit mori Kuranin që e kishte lënë mbi komo dhe filloi të lexonte me shpirt, aqsa harroi që ishte pranë saj dhe kur ajo u ngrit me vërtik e i foli, ai u tremb.
- Im Zot, duhet të dërgojmë një nishan ta bekojmë në Mekë, ndryshe ne s'kemi për të pasur fëmijë...
- Qetësou, Zonja ime, çdo gjë do të bëhet si do Zoti...
- Unë pashë një ëndërr që s'e kam parë herë tjera, im Zot...
- Si ishte Zonja ime?
- Nuk pashë më hijet e zeza, por një dritë dhe dëgjova një zë që vinte prej saj që tha: "Duhet të marrësh bekimin në Mekë!” por ajo nuk i tregoi, se ai zë i tha që ishte e përzgjedhur të ngjizet me hir dhe urdhër të Perëndisë për të lindur birin e Perëndisë...
- Që nesër do të nisim dikë me këmishën tënde për ta bekuar... “Zoti dëgjoi lutjet e mia!” - Shtoi ai me vete. - Ngriu të ndërroj rrobat dhe shtriu në shtratin tjetër, - tha ai dhe e ndihmoi të vishej dhe të kalonte tek shtrati i lehonisë, ku do të rrinte 6 javë i ndarë nga shtrati bashkëshortor, sipas traditës.
Shtëpia e tyre ndodhej mbi kodër, dhe pikërisht, në lagjen e parë të Kaninës, afër vendit ku kishte qënë Kisha e Shën Marisë, por që me pushtimin osman, ajo ishte shkatërruar dhe në vendin e saj ishte ndërtuar një xhami…
Fisi i tyre, që prej 5 - shekujsh, me pushtimin osman, ishte kthyer në islam për t'i shpëtuar përndjekjes, por meqë kishin qënë brez pas brezi njerëz të dijes dhe të shkencës, pasardhësit filluan të shërbejnë si klerikë të fesë islame, por në bibliotekën e tyre, krahas librave të shenjtë të kësaj feje, u ruajtën dhe u transmetuan brez pas brezi edhe librat e shenjtë të fesë krishtere, ndaj në ritet e tyre kishte një përzjerje të këtyre feve.
Pozicioni i shtëpisë ishte aqsa piktoresk, po aq hyjnor… mbi shpatin e pjerrët të kodrës ishin ngulur themelet e saj dhe ngrihej si një tempull, sapo hapej dera shfaqej përballë deti, ishulli dhe gadishulli me një bukuri tronditëse, shto këtu edhe kodrat që e rrethonin, veshur me gjelbërim të përhershëm nga ullinjtë shekullorë…
Ai hapi derën, e pse vështrimin e kishte mbi det, mendja i fluturoi në Mekë, qëndroi pak çaste në këmbë dhe u kujtua që i duhej të shkonte në Vlorë për një takim të rëndësishëm me parinë e Vlorës dhe në vend të hynte mbrenda, kaloi nga krahu i majtë i shtëpisë, trokiti në portën e të vëllait, i la porosi për të shoqen kunatës, shkoi u vesh e mori rrugën tatëpjetë, drejt Vlorës.
Për njohuritë e shumta që kishte (Ai kishte qënë professor teologjie e filozofie në Ankara) dhe për drejtësinë që shpaloste në zgjidhjen e problemeve të ndryshme, gjithë populli i zonës e thërriste Pejgamer dhe asnjë kuvend s’bëhej pa prezencën e tij.
Ishte viti 1912, me kërkesën e Ismail Qemalit, kishte braktisur Universitetin, ku shërbente si professor, dhe ishte kthyer për të kontribuar në shpalljen e Pavarësisë, ndaj familja e tij kishte qënë vatra e dijes dhe e ngritjes së ndërgjegjes kombëtare. Herë mblidheshin në shtëpinë e tij, herë në xhami dhe kuvendonin për hallet e vendit dhe bënin plane se si të dilnin nga gjendja e rënduar e popullit shqiptar. Atëherë kur gjithë trojet shqiptare i kishte pushtuar flaka e dëshirës për të luftuar me heroizëm deri në krijimin e shtetin – komb, këtë radhë, ndihmuar nga Austro - Hungarezët, ku krahas pushtuesve turq, edhe ata e kishin nën protektoriat Shqipërinë, mbase si dhuratë e hershme për të ulur luftën ndaj turkut dhe për të mbajtur nën sundim të dyfishtë shqiptarët, po bëheshin përpjekje të shpallej pavarësia. Dhe kjo ishte punë e madhe dhe kërkonte dije dhe horizont për tu përballur me diplomacinë europiane, gjë që ishte ngarkuar Ismail Qemali dhe Isa Boletini që në takimin e parë në Stamboll për kontakte ndërshtetërore europiane, ndaj Paria e Vlorës kishte përgjegjësitë e veta për mbarëvajtjen e kësaj përpjekjeje dhe caktimin e delegatëve për kuvendin e madh që mendohej të mbahej në Durrës.
Ecte rrugës për Vlorë e mendja s’i shqitej prej ëndrrës së gruas dhe kërkonte me mend se kë do të niste për në Mekë.
Me këto mendime, arriti në vendtakimin mes patriotëve, i përshëndeti dhe mes tjerëve, dalloi bijën e Kaninës, Myneverin*, e cila ishte bërë pjesë e nismëtarëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, të gjithëve u dha dorën, asaj i puthi dorën, e cila pse ishte e moshuar, ruante elegancë dhe hijeshi, veshja e saj shpaloste kulturë e fisnikëri, fustani gjer në fund të këmbëve, këpucët elegante dhe kapela me stilin francez, e vishnin jovetëm me kulturë, por ndihej edhe një timbër inteligjence kristali.
Gjatë bisedimeve, ai vetëm heshti, duke menduar për Mekën. Më në fund bashkëbisedimi u mbull dhe ai u drejtua njërit prej miqve të tij duke u lutur të niste djalin drejt Mekës, edhe për haxhillëk, edhe për të dërguar porosinë e tij, me kusht që të gjitha shpenzimet e udhëtimit do t'i mbulonte ai, por miku e kundërshtoi, se hazhillëkut, do t'i shtohej sevapi më shumë duke dërguar edhe porosinë e tij.
Jeta rridhte në normalitetin e saj. Kurrë në jetën e tyre bashkëshortore s’kishin aq dëshirë e aq zjarr dashurie, aqsa shpesh, ai i thoshte:
- Zonja ime, më duket sikur tani jemi martuar...
- Edhe unë sikur jam tjetër njeri, im Zot...
- Mezi pres të vijë darka, të jem me ty në shtrat... e çuditshme, me pushtojnë mornica dhe më ikën truri e s'di çfarë të bëj për ty, që të ndjehesh sa më mirë... Vetëm lumturia jote më bën të lumtur...
- Im Zot, më duket sikur s'paskemi jetuar më parë, aq e lumtur jam…
- Nuk ka burrë që lëvdon gruan e tij, por si të mos them sesa e bukur je bërë… ç'ndodhi vallë, ti ndryshove, apo sytë e mi?
- Kemi ndryshuar të dy, se nuk shqetësohemi më për fëmijë, ia kemi lënë në dorë Zotit... - tha ajo me një përskuqje joshëse në fytyrë, saqë ai e rrëmbeu në krahë e duke e puthur shkuan në dhomën e gjumit, e vendosi lehtë - lehtë mbi shtrat. Ajo u rrotullua e ndjellë si me magji, doli në anë të shtratit e përsëri u rrotulluadhe u gjend të krahët e fuqishme të burrit të saj engjëllor, i cili filloi t'i hiqte rrobat pa i ndalë të puthurat gjer s'mendonte më se çfarë bënte dhe si vepronte. Përmes agonisë së dashurisë ajo dëgjoi zërin e ëndrrës:
- Hyri, o nënë qiellore, je e përzgjedhura për të lindur birin e Perëndisë në vendin e shenjtërisë...
- Cili je ti që më flet më këtë zë? - Dëgjoi ajo zërin e saj të flasë.
- Mos ki frikë, o Hyri, se ke gjetur hir para Hyjit. Me urdhër të Zotit do mbetesh shtatzënë e do nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Isuf. Ai do të bëhet i madh dhe do të quhet Biri i hyjve!
- Si mund të ngjajë kjo, kur unë kam lindur tetë fëmijë dhe më kanë vdekur që në bark? - Dëgjoi prapë zërin e saj të shqetësuar.
- Shpirti i shenjtë do zbresë tek ju e fuqija e Hyjt të lartë do të do të mbulojë me hijen e vet, prandaj ky fëmijë do jetë i shenjtë!
- Unë jam shërbëtorja e Zotit dhe ndodhtë ashtu siç thua Ti, - dëgjoi përsëri zërin e saj e më pas, as zëri tjetër nuk u ndje më.
Sapo u zhdukën zërat, hapi sytë dhë në këtë çast, akti i dashurisë u krye dhe një dorë e padukshme i largoi e qëndruan të vilanosur me sy nga tavani, ku të dy dalluan një dritë në formën e një ëngjëlli të qeshur, por asnjëri s’guxoi t'i flasë tjetrit e me sy mbërthyer tek drita i rrëmbeu gjumi.
Kurrë s'kishte ndodhur të bënin dashuri ditën, aq më shumë të flinin orë të tëra...
Që nga ajo ditë Hyria mbante sekret fjalët e Hyjit - dritë, por edhe Ai kurrë nuk i tregoi atë që pa, duke menduar që janë shenja të Zotit, veç ajo, nga ajo ditë ndjeu diçka mbrenda saj që e bënte të ngazëllente si fëmijë.
Kishin kaluar edhe muajt e verës dhe djali i mikut s’ishte kthyer ende nga Meka, asnjë lajm s'kishin marrëdhe të shtëpisë, babai i tij, vinte shpesh dhe bisedonin gjatë e shqetësimi ishte tashmë i dyfishuar; këta për hajmalinë e ata për djalin, por pak nga pak, edhe shqetësimi ra në gjumë…
Shpesh, kur njeriu i humb shpresat, bëhet mrekullia, nuk është dëshira, as lutjet që sjellin mrekullinë, por pa shpresën dhe lutjet ajo kurrës’do tëvinte, pra është kjo hapësirë kohore, kur njeriu e humb shpresën, apo mendon se asgjë s'do arrijë nga ato që kërkon e lutet, e përsëri lutet, atëherë vjen çasti i kërkuar, ndodh mrekullia.
Gëzimi ishte i madh për familjen e tij, kur hyri në derë biri i tyre pas tre muaj larguar, por s’kish gëzim më të madh për çiftin, i cili priste hajmalinë që fëmija i dhjetë të rronte e të trashëgoheshin me një djalë, ndaj pasi u çmall me të shtëpisë, mori njërin nga thasët që kish sjellë dhe u nis drejt Kaninës. Kur djali hyri mbrenda, hyrija u shndërrua në flutur, hynte e dilte duke sjellë qerasjet më të mira dhe më në fund u ul për të marrë vesh se çfarë lajmi u kishte sjellë.
Pasi uroi dhe bënë bisedat e radhës, djali hapi thesin që kishte lënë në anë dhe nxori që andej një TABAKA të madhe ngjyrë ari dhe një letër të dyllosur, të cilën nuk dinte se cfarë shkruhej e vendosi në TABAKA dhe u ngrit në këmbë dhe ashtu sic Hyrija sillte qerasjet, u përkul para Muhametit dhe ia dorëzoi.
Burrë dhe grua u habitën dhe menduan se mos e kishte marrë për shtëpinë e tij tabakanë, por djali u tha, se këtë i kishin dhënë në Mekë për ta, por s’dinte t'i sqaronte më gjatë, se nuk i kishin dhënë asnjë shpjegim, përveç letrës...
- Mbase në letër do gjeni dhe sqarimet, - tha ai dhe për t'i lënë vetëm u ngrit dhe doli.
Letra ishte në arabisht, ku shkruhej: "Gruan e keni shtatzënë, do të jetë djalë dhe kur të lindë, do ta prisni në këtë TABAKA, emrin do ta ketë Isuf!"
Ai vështroi me vëmendje Hyrinë nga barku, por asnjë shenjë s’dalloi, ndaj e palosi letrën dhe e futi sërish në zarf, e vuri mbi tabaka dhe i tha së shoqes ta vendosë atje, ku mbante librat e shenjtë, por Hyria kishte përhumbur dhe iu duk se dëgjoi sërish zëra, se po të njëjtat fjalë dëgjoi atë ditë që bënë dashuri dhe pa dritën në tavanin e dhomës. Kur e pa të përhumbur, ai i foli me ëmbëlsi:
- Mos u shqetëso, Zonja ime, Zoti do e bëjë mirë!
- Amin! - Tha ajo duke marrë veten.
Mori TABAKANË, shkoi e vendosi në raftin e parë të bibliotekës, ku i tha i shoqi dhe me vete tha: "Zot të qofsha falë!" dhe bëri kryqin, zakon që e kishte të trashëguar nga e ëma e pse ishin myslimanë.
***
- A doni miq Evliya!
- Byjrum, si në shtëpi të Zotit! - U kthye Ai duke i dalë para.
- Në radhë të parë të sjell të fala nga Said efendi Hoxha i Shkupit…
- Të fala të ketë dhe mirë se erdhe!
- Kam dëgjuar që Seit bej Vlora, kërkon ta ngushtojë kuvendin, në kuadrin e disa trevave shqiptare, ndaj kam ardhur të bisedojmë për kryengritje të përgjithshme kundër armiqve, - hapi ai bisedën pasi shkëmbyen fjalët e rastit. - Para se të takohem me patriotët e tjerë, doja të bisedoja me ju, o mendjendritur, se më duket e nxituar shpallja e pavarësisë, në një kohë që armiqtë vazhdojnë të përparojnë dhe të bëjnë kërdi... Kësaj i thonë “shtëpia digjet e plaka krihet”, - tha ai duke mos e fshehur ironinë.
- Para disa ditësh isha në kuvendin e radhës së Parisë në Vlorë dhe u diskutua për shumë probleme, edhe kjo që thoni ju, u diskutua, por ti i di si janë këto punë, o mik i mirë, punët tona përherë i kanë drejtuar të huajt, ndaj kjo është vendosur nga Austro - Hungarezët për të ruajtur tërësinë territoriale nga pushtues tjerë, për qëllimet e tyre, por mbase do fitojmë edhe ne në këtë mes... fundja çfarë humbasim nëse e shpallim pavarësinë? - Foli Ai, më shumë për të parë reagimin e tij.
- Asnjëherë s’kanë munguar këto lloj mëvetësishë, o mendjendritur, por ndruaj se kjo bëhet të ndalim luftën, se po e morëm me luftë, edhe Austro - Hungarezët do detyrohet të largohen, edhe serbët, edhe grekët e atëherë besoj, se do shpallim Pavarësinë e vërtetë...
- Asnjëherës’kemi pasur mëvetësi të vërtetë, na mbështesin të jemi të pavarur nga një armik, ose disa armiq, për të na varur me një apo disa tjerë dhe përherë të munduar, përherë të varfër, përherë të detyruar ta rrëzojmë po vetë atë që ngritëm, se interesat tona shpërdorohen...
Të mos harrojmë kohën e Skënderbeut, o trim, ku me forcën e krahut mundi të krijojë shtetin e pavarur shqiptar, shtet që i detyroi edhe Venedikun të jepte taksa për zotërimet e tij në Shqipëri, ndërsa në çdo kohë ne kemi qënë të shfrytëzuar njëherësh, nga serbët, turqit, italianët…
- Ndaj them, o mendje ndritur, vetëm rruga e Skënderbeut, është rruga jonë, por s’po e gjej gjuhën e përbashkët, as me Ismailin, as me Syrja benë.
- Zotni Prishtina, unë kam qënë dhe jam me mendimin tuaj, por këto punë, siç edhe të thashë, janë si bariu që nuk e lë ujkun të hajë qingjin, për ta ngrënë vetë, përsëri ne vetëm emri do na mbetet "Të pavarur" por rrezik prapë të varur më keq do të jemi...
- Ashtu është, se Austro - Hungaria ka interesat e veta dhe kur i cënohen asaj, s’do të dijë për interesat tona. Ismaili, bashkë me Luigj Gurakuqin ka shkuar në Rumani, tek Shoqëria shqiptare e Bukureshtit për mbështetje, më pas do të shkojë në Vienë...
- Sigurisht, Viena do e mbështesë, po ama cili do të mbështesë kur të sulmojë serbi, greku, italiani...? Përsëri ne do i dallim ballë me luftë e gjak, e po përsëri të huajt do të sundojnë... Unë erdha të flisja me ju, Evliha, se je i ndritur me shkollë dhe i veshur me dashuri për vendin, se askush se dashuron sinqerisht atdheun, po s’pati mendje të ndritur, se atë patriotizën e shfrytëzojnë tjerët për qëllimet e tyre. Mish për top, kemi shkuar gjithë kohëve... Unë druaj se po zbatohen palanet e vjetra në kohë të reja, si në kohën e Mbretërisë së Arbrit... - foli ai si për të lënë të kuptohej se po gënjenim veten me shpalljen e Pavarësisë.
- Mos u shqetëso, more burrë se do shkojë më mirë seç kemi qënë...
- Unë s’dyshoj tek Ismail bej Qemali, por dyshoj se po e përdorin dhe më pas do ta flakin... Do të mbetet veç një flamurë, për të gënjyer veten...
- Unë u kuptoj drejt, o mik i hershëm i fisit tonë, të parët tanë përherë takoheshin për punët e vatanit... ndaj në takimin e radhës unë do t'i ngre përsëri këto që më thatë e mbase do e gjejmë gjuhën e përbashkët...
- Ika, o mik, se ne kosovarët kemi vendosur t'i mbajmë me gjak trojet tona ashtu siç i kanë mbrojtur të parët tanë brez pas brezi, por një gjë kam thënë dhe kërkuar, po ta them e kërkoj edhe ty, mik, nëse do arrihet një mendim i përbashkët, që të jetë e besueshme shpallja e Pavarësisë, duhet të ngrihet flamuri në Shkup, si qendra e trojeve shqiptare, nëse do të ngrihet në Durrës siç dhe kam dëgjuar, druaj se po përsëritet historia e "Mbretërisë së Arbërisë" me mbret Charles I Anzhu, pra trojet e Dardanisë do të lihen përsëri jashtë Shqipërisë, në duar të serbëve. O lum miku, ta themi troç mes nesh, kjo po më duket lojë për të na ulur vigjilencën dhe luftën gjer të bien dakord Fuqitë e Mëdha, se kush do na i kullufisë copat tona këtë herë, se edhe Durrësi s'besoj se do jetë qyteti tradicional i Shpalljes së Pavarësisë dhe vendosjes së qeverisë, ai ende është nën sundimin e turqve dhe ata do bëjnë rezistencë të nxitur nga Venediku dhe Roma, - tha gjithë trishtim dhe u ndanë.
Biseda me mikun kosovar e futi në mendime që nuk e nxirrnin në asnjë përfundim. “Ka të drejtë kosovari! Po luhet rengu i radhës? Çdo herë gjërat vijnë me bujë e me festime, por s’kalojnë disa muaj dhe dalin qëllimet e të huajve duke shtërnguar darën e taksave gjer nuk i durojmë më, ngrihemi dhe vritemi...
Nga gjithëçka foli Kosovari, kuptova se kjo bëhet që përsëri të zbatoheshin planet ashtu si historikisht Dardania të lihet jashtë kufijve të Shqipërisë ashtu si në kohën e "Mbretërisë së Arbërit" ku edhe Shkupin dhe Ohrin ua lanë serbëve dhe lufta mes shqiptarëve dhe serbëve mbeti e ndezur e kurrë Mbreti Charles I Anzhu, as Roma që e vendosi të ngrihej kjo mbretëri e pse bënin sikur krijonin kryqëzata krishtere në ndihmë të "vëllezërve krishterë" të Arbërisë, por në fakt përherë u sabotuan duke lidhur marrëveshje të fshehta me serbët, apo dhe lidhje martesore...” – mendonte Muhameti.
- Im Zot, - foli Hyria duke e zgjuar nga përhumbja nga ku ishte futur, - kam një lajm të mirë...
- Hajër ishalla! - Foli ai me gjuhën e fesë.
- Më duket sikur ndjeva të më lëvizë diçka në bark... Jam shtatzënë!
- Lutja në vesh të Zotit moj e mira ime! - Tha dhe e puthi në ballë.
Vuri dorën mbi bark, jo për të besuar fjalëve të saj, se kurrës’dyshonte, por kërkonte ta ndjente vetë atë lëvizje gjallësie të trashëgimtarit të tij, por asgjë s’ndjeu.
- Mbaje gjatë, im Zot, se ende mezi dallohen, shtype barkun fort! - Tha duke vendosur dorën e saj mbi të tijin duke rënduar.
- Lëvizi! - Thirri ai me ngazëllim, sikur të kishte thënë "lindi" dhe e përqafoi gruan duke e puthur përsëri në ballë, por shpejt i rrëshqiti një hije trishtimi, kur mendoi se kështu kishte thirrur edhe nëntë herë tjera.
- Mos u shqetëso, im Zot, se këtë radhë jemi nën kujdesin e Perëndisë…
Ai u largua nga gruaja dhe shkoi mori letrën e ardhur nga Meka dhe e puthi duke lëvduar Zotin, dhe u kthye sërish tek gruaja, e cila ende e mbante dorën mbi barkun e saj…
Ditët pasuan me gëzimin e shpresës për trashëgimtarin dhe ankthin se si do të zhvilloheshin ngjarjet në drejtim të shpalljes së pavarësisë. Nuk kishte ditë që biseda me zotin Prishtina, nuk i buçiste në mendje dhe sado e kundërshtonte, përsëri ai fitonte, kishte të drejtë! Çfarë të bënte? Me kë të bisedonte? Ecte nëpër shtëpi dhe shpesh herë fliste edhe me zë, por e shoqja e dinte që ai përsëriste syre me vete dhe mendonte se lutej për foshnjën, por ditët pas ikjes së kosovarit, e zhvendosën vemendjen pothuaj farë nga trashëgimtari i tij, përveç se darkave ngazëllehej si fëmijë duke ledhatuar barkun e duke ndjerë lëvizjet e tij të shpejta, sa një natë i tha së shoqes:
- Zonja ime, do bëhet shumë i shkathët, në shtatzanitë e tjera s’kanë qënë kaq të lëvizshëm.
- Do të ngjajë ty, im Zot, se nëna jote më pati thënë, se ke qënë fëmijë shumë i prapë... - u kthye ajo duke qeshur.
Qeshi dhe ai dhe e përqafoi me dashuri.
***
Mëngjesi e shkëputi nga ngazëllimi dhe për t'i shpëtuar trazimit që sa vinte e shtohej, vendosi të shkojë në Vlorë të takonte Konsullin Austriak Ëenzel Lejhanec e të mendonin që pavarësinë ta shpallnin në Shkup e jo në Durrës. Si zakonisht, kaloi nga vëllai dhe porositë kunatën të ketë kujdes Hyrinë dhe mori rrugën tatëpjetë drejt Vlorës.
Kaloi Skelën dhe arriti pranë portit, ku ishte konsullata austriake. Bisedoi me rojën dhe i dha emrin për të shkuar të bisedonte për orën e pritjes. S’kaluan as dy minuta dhe doli në derë roja dhe e ftoi të hynte mbrenda.
- Mirëmëngjesi hirësi!
- Mirëmëngjesi efendi! Ç'e mirë të ka sjellë që në mëngjes, o efendi?
- Këtej nga Shqipëria, vetëm e keqja dhe puna të nxjerr herët nga shtëpia...
- Më thuaj, për çfarë keni ardhur?
- Kam menduar gjithë këto ditë se më duket si e pabesueshme shpallja e pavarësisë në një kohë që shumë troje janë të pushtuara ende, në vise tjera luftohet e derdhet gjak e ne pregatitemi për dasmë?
- Çfarë do të thuash me fjalën "Dasmë"? Mbaje gojën efendi, në mos, do shpallesh tradhëtar dhe ti e di se çfarë shpërblimi marrin tradhëtarët, por do ta mendoj dy herë fjalën se je hoxhë efendi dhe e di që Vlora të thërret Peigamer, ndaj s’dua të përhap panik në prag të Shpalljes së Pavarësisë që aq shumë kanë luftuar shqiptarët...
- Shqiptarët kanë luftuar dhe luftojnë, hirësi, por përherë janë mashtruar nga të pabesët, ju na e futët thikën pas shpine që në kohën e Skënderbeut...
- Ju s’keni besim tek Ismail Beu? Nuk përkrahni patriotët shqiptarë?
- Po keqkuptohemi, hirësi, Ismail beu është i pari patriot që po shkrin pasurinë për bashkimin kombëtar e si ai ka shumë tjerë që po japin edhe jetën, por e kam tek ju, hirësi, se nuk po veproni drejt, po i mashtroni patriotët tanë për të përfituar në kurriz të tyre e kombit tonë!
Nuk e kuptoj si ngrihet flamuri i Pavarësisë, kur pjesa më e madhe e trojeve është e pushtuar? Këtu ka mashtrim, që shumë shpejt shqiptarët do e kuptojnë, po e kanë ngrënë kokrrën e ullirit atëherë. Po të duash shqiptarët, hirësi, bisedo me Fuqitë e Mëdha që të ndalojnë luftën serbët dhe grekët, të ikin turqit nga trojet tona, të largohen venedikasit, të mos ketë këmbë pushtuesi dhe së fundmi të ikni edhe ju bashkë me ta dhe flamurin ta ngremë në Shkup, atje është qendra e trojeve shqiptare, jo në Durrës, se shqiptarë janë edhe kosovarët, edhe çamët, edhe...
- Mjaft! - Ulëriti konsulli dhe u ngrit e i foli rojës ta shoqëronte.
Ai doli dhe në vend të ikte rrugës për në Kaninë, u drejtua nga Uji i Ftohtë... Eci përgjatë detit dhe provoi mbytje mendimesh: "Po s’vumë një gurë sot në qoshenë e duhur, asnjëherë s’do e ngremë kalanë e kombit" – mendoi dhe për çudi, për herë të parë në jetën e tij i dolën lotë. "Ne jemi në robëri, por edhe biri im që do lindë i robëruar do të jetë, adhe nipërit e mi…!" - mendoi sërish dhe duke mos ditur se ku të gjente ngushëllim, s’doli nga rruga e zakonshme për Kaninë, por u ngjit shpatit thikë që nga Uji i Ftohtë drejt shtëpisë.
Kur hapi derën e shtëpisë kullonte në djersë. Hyrija që i rrinte përherë gati për çdo gjë, u afrua dhe e pyeti e shqetësuar:
- Pse ke nxituar im Zot? Eja tek dhoma të ndërrohesh, - tha dhe bëri para të gjente ndërresat.
- Si e kam pasardhësin? - Pyeti ai kur i shkoi pranë dhe i ledhatoi barkun.
Ajo e ndihmoi të heqë rrobat dhe të veshë ndërresat, gjë që e bëntë çdo herë me përkujdesje të jashtëzakonëshme dhe gjatë këtij zakoni, shpesh u mbeteshin rrobat në dorë dhe bënin dashuri... Por sot, ai as që e kishte mendjen për dashuri, ndaj Hyrija filloi ta përkëdhelte lehtë - lehtë pa folur duke i kaluar gishtërinjtë nga shpatullat, në gjoks e mbi barkun e tij të rrafshët.
- Edhe duke vdekur të jem, ti s’do më lësh të vdes! Të pata fat, moj grua, që kurrë s’më lë të mërzitur...
- Fatlume jam unë, im Zot, - tha ajo dhe e tërhoqi lehtas mbi shtratin bashkëshortor...
Nata sillte gazin e dashurisë e dita sillte shqetësimet e vatanit. Atë se zinte vendi, herë dilte gjer tek xhamia, herë shkonte nëpër shtëpitë e fshatit dhe bisedonin si vëllezër për situatën e krijuar. Po thuaj të gjithë ishin kundërshtarë të Syrja bej Vlorës, ai ishte dora e austriakëve dhe ajo që vihej re, qe se ai kishte thirrur në kuvend vetëm nga Shqipëria e Jugut dhe e mesme, veriu, Kosova dhe Camëria, as nuk përmendeshin farë, ndërsa Ismail Qemali kërkonte bashkëpunim me të gjithë shqiptarët, por kush kishte të drejtë? Esat Pashë Toptani kërkonte të bëhej kuvendi në Tiranë, Syrja beu, në Durrës... Ismail Qemali mer misionin për të takuar diplomatë austriakë dhe niset drejt Vienës, ndërsa nga ana tjetër edhe Syrjai shkon për hesapë të vet, kështu, e pse thuhet se po bashkoheshin, ishin edhe më të përçarë. Nga gjithë këto, Ai mbështeste kosovarin, nëse s’do përfshihej Kosova dhe gjithë trojet në shtetin shqiptar, kurrë më s’do krijohej shteti komb… nëse kjo nuk arrihet, do krijohet një shtet fantazmë.
E keqja e shqiptarëve ka qënë se përherë ata që i shpëtojnë nga një armik, i quajnë vëllezër, u hapin dyert dhe këta "vëllezër" bejnë ligjin më pas, kështu, nëse nuk do ishte Austria do ndodhte një herë e mirë: ose do bashkoheshin, ose do shpërbëheshin si shtet pa shtet që ishim. Po më mirë të kishte ndodhur njëra, sesa të jetohet me liri të shpallur duke qënë të pushtuar.
Atëherë Ai vendosi të takohet me Elmaz efendi Kaninën. Ai e priti mirë dhe ranë dakord me njëri - tjetrin se Kosovari kishte të drejtë.
Asapo doli nga Elmaz bej Kanina mendoi të takojnë Syrja bej Vlorën, por sapo u drejtua shtëpisë së Vlorajve, i dolën para 2 xhandarë dhe i thonë që e pret konsulli në zyrë.
- Pse më thërret?
- Pyete vetë, kur të shkosh atje...
Kur hyri në zyrën e konsullit austriak, gjeti në një kolltuk afët tij, Syrja Bej Vlorën, i cili në vend që ta përshëndeste, uli kokën dhe bëri sikur po kërkonte diçka në xhep.
- Uluni, hoxhë efendi, - foli konsulli.
- Jam mirë në këmbë hirësi...
- Nuk e besoja se do dilje kundër meje, hoxhë efendi, - foli Syrja beu duke ngritur kokën.
- Unë s'jam kundër asnjërit, Syrja bej, po jam me bashkimin e kombit, nëse ju jeni kundër këtij bashkimi, s'jam unë fajtor për këtë, fajtor jeni ju!
- Ty do të shpallim tradhëtar! - Ndërhyri konsulli.
- Unë ndruhem mos më shpallë populli im taradhëtar, për të huajt jam thjesht një kundërshtar, s'kam pse lidh besë me ata që s’kanë besë...
- Më vjen keq, por derisa të shpallet pavarësia, ju do të mbaheni të izoluar, por meqë jeni hoxhë dhe bën figurë të keqe burgosja juaj, do të liroj me kusht që kurrë të mos zbresësh në Vlorë dhe mos të dëgjoj më fjalë lart e poshtë. Ti shiko punët e perëndisë, punët e shtetit i shikojnë të pasurit.
- Mendoj se këtu po gaboni, hirësi, punët e shtetit i shikojnë të mençurit, të pasurit shkojnë nga fitohet paraja...
- Merreni! - Urdhëroi ai xhandarët, - dhe ndiqeni nga pas derisa të ngjitet Kaninës...
- Më lejoni t'i them Syrja beut, se për tek ai isha nusur, se Shqipëria s’është vetëm disa qytete që keni menduar ju të bëni kuvendin, duke lënë jashtë Shkupin, Prishtinën e Çamërinë. Këtu bie era tradhëti, se ju po përligjni vetëm zotërimet e Austro - Hungarezëve, as më shumë e as më pak, siç ndodhi në kohën e "Mbretërisë së Arbërisë" pra një pavarësi për të qënë të varur përjetësisht! Historia do u thërrasë ju, tradhëtarë, Syrja bej, jo mua e patriotët tjerë që duan bashkimin e kombit në një të vetëm!
- Nxirreni jashtë! - Thirri fort konsulli austriak.
- Nuk dua të më nxirrni për krahësh, se dhe të më thoni të qëndroj, nuk rri asnjë çast më mes pushtuesve dhe të shiturve si Syrja beu! - Tha dhe u kthye e doli me hap të vendosur, por me shpirt të vrerosur.
- Ndiqeni nga pas! Që sot dua informacion për çdo lëvizje të tij! - Urdhëroi xhandarët që rrinin në drejtqëndrim në dy anët e derës dhe u kthye Syrja beut.
- Syrja bej, - duhet të veprojmë me kujdes, nëse do dalim hapur, do na ngrihen kundër të gjithë, ti lëmë t’i ftojnë gjithë trevat shqiptare, por duhet të kemi kujdes, qytetet që s’do përfshihen në teritorin e pavarësisë, do të pengohen me çdo kusht që të mos vijnë në çastin e firmosjes së shpalljes së Pavarësisë. Shtetet e Mëdha, kurrë nuk e pranojnë një Shqipëri të bashkuar, biles si për të vulosur këtë, janë nxitur edhe serbët e grekët për luftë e kur ujrat do kullohen, çdo gjë do shkojnë siç duan Ata, Syrja bej. Flas me ty hapur se e di që më kupton dhe i pranon gjërat siç janë dhe siç na intereson edhe ne, që s’kemi në deje gjak ahqiptar… Une dhe ti, s’humbim asgjë... përkundrazi, ju do jeni në të ardhmet në shërbimin tonë dhe unë mbroj interesat e vendit tim.
- Atëherë pse po bëhet gjithë kjo zhurmë dhe grindje për Pavarësinë?
- Nuk më paske kuptuar mirë, se ty të interesojnë sa më shumë krahina për të vjelur sa më shumë taksa dhe je në rregull, por nëse s’do lejohej kjo gjë, ashtu siç bënë turqit e rinj që dhanë favore e më pas, ti e di mirë si vepruan, ashtu do jetë edhe e drejta e pavarësisë, mos flasim gjatë tani, por do jesh dëshmitarë i kësaj pavarësie që do vendoset. Do jenë thjesht propagandë, e njëjta gjë, ashtu siç bënte sulltani, u jepte favore, por popullit i shkonte thika në palcë, se ju do mblidhnit taksa për sulltanin, për ne, për xhaminë, për kishën... E të gjitha këto shkonin tutje... apo jo Syrja Bej dhe kur një pasha apo bej ngrinte krye, i pritej koka, e njëjta gjë, Syrja bej, vetëm do keni emra tjerë dhe qeveria thjesht do quhet shqiptare, por asnjëherë s'ka për të mbrojtur interesat e shqiptarëve. Kësaj i thonë më shumë se skllavëri!
- Me Ismail benë, keni bërë bisedë tjetër...
- Ai atë gjë kërkon, le ta bëjë, e ne do ta lejojmë gjer të vendosin Fuqitë e Mëdha, më pas do dimë ne, se si ta prishim atë që ndreqëm tani... Kush është i mençur shkon përgjatë rrjedhës, kokëfortët do përplasen derisa të thyejnë kokat... Ne i bëjmë gjërat pa u përplasur, në kohën e duhur pasi ua kemi futur farën e keqe mes njëri - tjetrit... Ata luftojnë, ne duartrokasim, ata na lëshojnë qoshenë, më pas bëhemi zotër... Ata dinë vetëm se kanë të drejtë dhe se do fitojë e drejta, por e drejta humbi me kohë, tani fiton dredhia... të cilës ne i kemi vënë një emër të bukur “Diplomacia”, por me ju, shqiptarët, e kemi të lehte, se u premtojmë me fjalë dhe nga ana tjetër marrëveshjet i shkruajmë siç duam ne dhe ata që i vemë në drejtim, siç jeni edhe ju, janë të detyruar të firmosin, se u kemi bërë aq shumë favore, sa nuk guxoni më të kondërshtoni. Nuk të favorizon askush, Syrja bej, se të don, harroje atë fjalë që ka dalë mode, por vetëm të blen për të shitur dyfish apo dhjetë fish e më shumë... Ty të kam bërë aq favore, saqë ti je i detyruar të heshtësh dhe të firmosësh çdo marrëveshje që të vihet përpara, ndaj këto që folëm këtu, i lëmë këtu dhe bëj punën që të kërkohet, - mbylli ai fjalën duke ndryshuar tonin nga miqësor në komandues.
***
Ishin ditët e fundit të tetorit dhe shtazania e Hyrisë po shkonte shumë mirë, por pikërisht, tani filluan shqetësimet e tyre, se pasi mbushnin gjashtë muaj, foshnjet vdisnin në bark, ndaj edhe gjumin e bënin me frikë, sidomos ajo, se mos shikonte ëndrrën e hijeve të zeza, por frika dëbonte frikën dhe ditët kalonin e foshnja shtonte lëvizjet mbrenda saj. Ata kënaqeshin me lëvizjet e tij dhe imagjinonin sikur ecte nëpër shtëpi, sikur qeshte, sikur fliste e lodronte e për një çast drithma ankthi ua shprishnin përfytyrimet nga frika e hijeve të zeza, por secili i bluante nën vete e asnjëri s’guxonte të hapte bisedë…
Kur po dilte nga xhamia, pasi fali xhumanë dhe njerzit u larguan, u ndesh përballë me një të panjohur, ku në fillim mendoi ndonjë nga spiunët që i kishin vënë për të kontrolluar lëvizjet e tij, por përshëndetja e tij në dialektin gegë, i dha të kuptonte se vinte nga Kosova, ndaj i dha dorën dhe nuk u kthye në xhami, por morrën rrugën tatëpjetë, drejt shtëpisë.
Hyria, si zakonisht, kur dëgjonte hapat e tij, dilte menjëherë në derë, por kur dalloi të panjohurin u step.
- Mirë se të gjeta zonjë! - Përshëndeti i sapoardhuri.
- Mirë se erdhe... - Tha ajo kokëulur dhe u shmang të futeshin mbrenda.
Ata hynë në dhomën, ku ish biblioteka dhe Hyria shkoi të bënte kafenë në guxhinë…
- Të bën të fala Hasan Prishtina dhe Said efendi Hoxha... Para disa ditësh u organizua një kuvend në Shkup dhe vendosën që kryengritjet e armatoshura të mos pushojnë dhe pavarësia të shpallet në Shkup, por s’kaloi dy ditë dhe u arrestuan shumë patriotë, ndër ta edhe Zoti Prishtina dhe Said efendi Hoxha, kështu erdha sipas fjalëve që kishim biseduar për të sjellë lajme e për të bërë diçka në këtë drejtim.
- Ju mire se erdhët dhe jeni i mirëpritur, por mik i mirë, unë në një farë mënyre jam i arrestuar, përderisa më është ndaluar kontakti me patriotë, por edhe këtej besoj do bëhen arrestime, kjo gjë nuk është për të mirë, por mirë e bëftë Zoti!
- Amin! - U kthye ai.
- Patriotët e vërtetë po i spostojnë nga kjo fushatë e shfrenuar për pavarësi, në një kohë që ne jemi më të pushtuar e robëruar se kurrë. Nuk e kuptoj si do jemi të pavarur kur jemi të pushtuar? Tani mbetet të presim se çfarë do sjellë Ismail Qemali nga kontaktet e tij në Bukuresht e Vienë. Për atë e di që është njeri i madh dhe patriot i shquar, nuk besoj që t’ia hedhë njeri për mend...
- Unë nuk e kam takuar, por Hasani më tha që kishin bërë fjalë për qytetin ku do ngrihej flamuri, ai nuk kishte pranuar ta ngrinin në Shkup, nga që ishin të kërcënuar nga serbët, por ai më tha që nuk është ky shkaku, por s'dëgjojnë të huajt as për Shkupin, as për Elbasanin, por nuk besoj se do ta lejojnë edhe Durrësin, se duan të kenë të lirë kalimin Shkup - Elbasan - Durrës për të kaluar në Perëndim, pretendim i hershëm i vendeve sllave...
- Edhe në Vlorë të kërcënuar janë nga Grekët... Atëherë si do shpallet kjo pavarësi?
- Nëse do shpallet, do jetë nën mbrojtjen e të huajve dhe dihet sesa do i shërbeje shqiptarëve, mendoj se do u kushtojë më shumë se robëria...
- Po të ishte për të shërbyer shqiptarëve, do ishte vendosur për në Shkup dhe s'kishte pse burgoseshin në Beograd patriotët tanë...
- Zoti e bëftë mirë, o mik, por asgjë nuk kemi në vijë edhe këtë herë, kësaj i thonë, shtyj ditë me duar, apo më troç, të gënjejmë veten!
Folën edhe gjatë drekës së shijshme të përgatitur nga Hyria e më pas ai kërkoi të largohet, se i duhej të shkonte në Fier për të takuar patriotë tjerë, e përcolli dhe i tha të ikte drejt poshtë, jo nga rruga nga erdhi se kish rrezik ta arrestonin. U përqafuan si vëllezër dhe u ndanë.
***
Ditët kalonin dhe jeta rridhte pa komandë, i priste njerzit në xhami dhe përpiqej të merrte vesh ndonjë lajm për mbarëvajtjen e çështjes shqiptare, por asnjë s’jepte mendime të qartë…
Sot kishte ardhur një burrë nga Sharrajt e Vlorës dhe ndër të tjera tha se në Durrës nuk ishte lejuar mbajtja e kuvendit dhe Ismail Qemali kishte dërguar telegram të merreshin masa për të siguruar zhvillimin e punimeve të Kuvendit në Vlorë, ndaj kërkohet angazhim i të gjithëve për të bërë të mundur këtë ngjarje të shënuar të popullit tonë. Ngazëllimi i të pranishmëve i kalonte atij fëminor, por edhe Ai u ngazëllye gjer në lotë, kur dëgjoi që Ismaili po vinte drejt Vlorës.
Ishte data 27 nëntor 1912. Një ditë ku qielli dukej si mijëra shtëmba kthyer kokëposhtë e përrenjte e lumenjtë kishin vërshuar me buçima duke marrë përpara ç'të gjenin. "Allah... Allah, - foli me vehte hoxha, - dhe koha u kthye si koha jonë... Mbase pas qametit do vijë kohë tjetër, po kush e di në do jetë më e mirë se kjo që kemi, apo më e keqe?" – Mendoi ai.
Atë ditë nuk shkoi në xhami, por mori rrugën për Vlorë. "Mbase s’do më ndjekin më dhe do vete të marr vesh ndonjë gjë nga shtëpia e Sharrajve..." - mendoi
Vërtet asnjë nuk e ndaloi të zbriste poshtë, por sapo u drejtua Shtëpisë së Sharrajve, e mbertheu një për krahu.
- Mulla… - kemi urdhër të mos lejojmë në qytet...
- Nga e keni këtë urdhër? - Bëri ai të paditurin.
- Nga Konsulli Austriak, por edhe konsujt tjerë ishin atë ditë kur lexuan disa emra që nuk do lejoheshin të dilnin lirshëm në qytet. Më shumë këmbëngulte ai Rus.
- Po kthehem, - tha ai, por polici e shoqëroi derisa mori të përpjetën e Kaninës.
“Nuk e vë më në dyshim se edhe Ismailin e kanë mashtruar. Zoti e bëftë mirë!” - Tha me vete dhe shkoi në shtëpi i lodhur dhe i shqetësuar, gjë që nuk i shpëtoi Hyries pa e dalluar, ndaj për të mos e dalluar ajo shqetësimin, mblodhi forcat dhe foli duke buzëqeshur.
- Ç'thotë trashëgimtari im?
- Mirë im Zot, është mërzitur për ty, se nuk e përkëdhele, kur shkove...
- Kam thënë unë, ti nuk do më lësh as të vdes, moj e mirë! – Foli duke e përqafuar.
Ajo i solli kafe dhe shkoi të mbaronte punët e veta. Ai rrufiti kafenë dhe u ngrit e mori Kuranin nga vendi i zakonshëm dhe filloi ta lexonte...
"Çudi, libër i shenjtë, në duar të njerzve që s'kanë lidhje me shenjtërinë e tij, por në emër të tij, vrasin, dhunojnë, përdhunojnë, pushtojnë, i bëjnë të gjitha marrëzitë e kësaj bote, unë kurrë nuk mund të jem kundër Kuranit, por jam kundër atyre që e shfrytëzojnë atë si vello për të mbuluar guvat e shëmtuara të veprimeve të tyre. Edhe Bibla, edhe Kurani janë të shenjtë, por i ka pushtuar djalli për të justifikuar masakrat çnjerëzore... Zoti e bëftë mirë! Amin!" - Foli me zë dhe e mbylli Kuranin, e puthi dhe e vendosi atje ku ruante çdo libër të shenjtë, biles kishte edhe një kryq, edhe tabakanë e Mekës...
E nesërmja erdhi me zbrazjen e gjithë fshatrave duke u derdhur si lumenj drejt detit, për në Vlorë. Lajmi kishte marrë dhenë. Nuk kishte fjalë të përshkruaje entusiazmin e popullit, kur Ismail Bej Qemali doli dhe shpalosi flamurin kuq e zi të Skënderbeut, sot dukej sikur dhe deti mbajti frymën, dhe qielli shpërndau retë dhe rruget ngazëllenin, populli në ekstazë, se më në fund do ishin të lirë dhe të pavarur. Veshur me rroba kombëtare, mundi të ishte mes tjerëve, por mes këtij entuziazmi dëgjoi 2 veta tek bisedonin:
- Në port kanë ardhur anije greke...
- Jo more, po si vallë po e shpallim pavarësinë?
- Ku i dihet kësaj pune, ne dëgjojmë aheng e shkojmë e kërcejmë, po Zoti e di këtë punë... Mbase grekët kanë ardhur në mbështetje të Pavarësisë?
- Çfarë thua more, ku na do të pavarur Greku ne...
- Ato që i ka dashur i ka marrë, atij dhe tjerëve u intereson të bëjmë, sikur Shpallim Pavarësinë, por një Zot i di këto punë, ne, shqiptarët na thonë për luftë, rrëmbejmë armët dhe përfundimi, gjak e varfëri kemi fituar...
- Urraaaa - buçiti sheshi dhe ai s’ mundi të jdëgjojë më bisedën e tyre.
Vonë u kthye në shtëpi. Të shoqen e gjeti jashtë të shqetësuar, se asnjëherë nuk ishte vonuar kaq shumë. Edhe fshati atë natë s’pati gjumë, as ai s'mbylli sy, kthehej sa në një krah, në tjetrin, saqë edhe Hyria ishte zgjuar disa herë, por rëndesa e barrës e këpuste sërish në gjumë.
Ditët që pasuan ishin euforike dhe të gjithë mblidhnin kontribute për qeverinë e re, por ajo që ishte më e ngutshme dhe lajmet e një pas njëshme për pushtimet e trojeve tona nga serbët dhe grekët. Pavarësia solli më shumë probleme, më shumë shqetësime dhe varfëri, por ajo që po bëhej më e shpeshtë ishte përndjekja e patriotëve sidomos në trevat e Maqedonisë dhe Kosovës.
Dimri kaloi si dimër edhe për shqiptarët. Gazi i shpalljes së pavarësisë po mbetej i endur mbi buzë të paqeshura të shqiptarëve. Atij ende nuk i lejohej të zbriste në Vlorë, ndaj përmes kontakteve në xhani, merrte vesh për të gjitha ç'ka ndodhnin, nga miqtë e Kosovës asnjë s’kishte ardhur më, s'dihej fati i tyre që u burgosën në Beograd, askush s'e dinte saktësisht se çfarë fituan me këtë pavarësi e çfarë humbën, ishin kohë të turbullta që do donin kohë të kulloheshin, apo s’do kulloheshin kurrë.
Në baçën e tyre kishte ditë që kishte çelur bajamja me ato lulet e saj rozë të ëmbël dhe sa herë dilte Hyria në derë rrinte gjatë dhe i kundronte duke ledhatuar pa vetëdije barkun e saj, tashmë të rritur si në muajin e nëntë. Siguria se do ta lindte fëmijën e saj aqsa ditët vinin i shtohej më shumë, por përsëri gjumin e bënte me merakun e ëndrrës ugurzezë, ndaj para se të flinte, shkonte tek rafti ku ishte vendosur tabakaja e merrte dhe e puthte, sikur të ishte ndonjë ikonë, puthte dhe Kuranin dhe shkonte në shtrat. Ashtu bëri dhe sonte dhe me vështirësi hodhi hapat drejt dhomës, ku i shoqi e priste ende zgjuar.
- Më dukesh sikur çalon, moj e mira ime...
- Më ka rënë barra poshtë im Zot, më ka bllokuar këmbët...
- Mos ka ardhur koha për të lindur, ke ndonjë shqetësim?
- Jo, vetëm s'eci dot, - tha ajo dhe u mbështet për dere.
I shoqi u ngrit me nxitim dhe e mori për krahu gjer tek shtrati, e vendosi lehtë kehtë si të ishte një fëmijë dhe e mbuloi, më pas u shtri edhe vetë bri saj...
***
Ishte ditë e premte dhe si çdo të premte ai do shkonte të falej në xhami bashkë me fshatarët tjerë. Filloi të merrte abtes duke kënduar syre nëpër dhëmbë, kur nga kuzhina u bë sikur dëgjoi një rënkimë. Vendosi në tokë ibrikun me ujë, largoi dhe legenin që lau këmbët dhe mori peshqirin të fshihej, kur përsëri dëgjoi rënkimë.
Nuk priti të veshi çorapet, por rendi e shkoi andej nga erdhi rënkima e ç'të shikonte, Hyria përpëlitej si pulës kur i heqim kokën për sheshi.
- Ç'është moj e mirë?
- Jam keq, kam shumë dhimbje... Mbase erdhi çasti...
Doli me vrap dhe kaloi nga shtëpia e vëllait dhe i thirri kunatës. Ajo erdhi me një frymë, e ngritën dhe e dërguan në dhomën e gjumit.
Pas pak erdhi dhe një plakë, të cilës i kishte folur vëllai, që luante rolin e mamijes. Ai u ndje i tepërt, ndaj doli dhe shkoi në bibliotekë, tërhoqi tabakanë, mbi të vendosi Kuranin dhe u ul e këndoi disa syre, më pas kaloi nga dhoma, ku të thirruarat e Hyries i kalonin rënkimat dhe u tha që foshnjën ta prisnin në tabaka, sipas porosive nga Meka dhe doli sërish e vazhdoi të lexonte Kuranin si për të shkurtuar kohën shekullore të lindjes.
S’kaloi shumë dhe britmat e Hyries shteruan, ndaj u ngrit gjithë ankth dhe shkoi me vrap, mbi tabaka ishte foshnja që e pse i kishin prerë dhe kërthizën, nuk qau, ai s’po dallonte as të lëvizte, fshiu sytë dhe prapë dalloi mbi tabaka një masë të mbështjellë…
- Ka lindur me këmishë! - Foli gjithë gëzim plaka mamije dhe e çau membranën me gërshërët që preu kërthizën. Atëherë fonja lëvizi këmbë dhe krahë dhe shtëpia u mbush me të qarët e tij dhe me me gazin e tyre.
- Djalë evliha! Tu rrojë! - Thirri plaka gjithë gëzim.
- Isuf do ta quajmë! - Tha ai dhe e mori mbi duar, e ngrit lart duke e puthur në ballë.
Më pas e afroi dhe Hyries, e cila tashmë harroi luftën e dhimbjeve duke qeshur shikonte herë të shoqin, herë Isufin dhe foli me zë:
- Qofshim falë Zotit, u bëmë me djalë!
- Të na rrojë djali, moj e mirë! - Tha duke i dhënë më pas të kunatës për ta larë e për ta mbështjellë në pelenat e bardha, të cilat Hyrija kishte kohë që i kishte bërë gati.
I gjithë fshati ishte mbledhur dhe ishte falur, pa praninë e hoxhës atë ditë e sapo mbaruan, bënë tatëpjetë rrugicës drejt shtëpisë për të uruar lindjen e fëmijës së tij, pas nëntë dështimeve të njëpasnjëshme.
Ishte 21 shkur i vitit 1913, ditë që do vinte në jetë Ai, bir i bekuar nga Hyjtë, i lindur me këmishë, që do të thoshte, se as plumbi nuk e zinte, as gjarpëri nuk e hante, ai ishte i shenjtë dhe erdhi për të të sjellë frymën dhe shenjtërinë e Perëndisë për të mirën e kësaj toke të shenjtë të pushtuar nga djalli…
• Ky tregim është mbështetur në rrëfimin e së bijës, Elisabeta Kuçi (Luzaj), të cilës i kishte rrëfyer gjyshja e saj… ndërsa tjerat janë fakte historike…
E publikoj këtë trgim, në kuadër të 106 vjetorit të lindjes së Isuf Luzaj!
-FUND–