E hene, 04.03.2024, 12:43 AM (GMT)

Kulturë

Milazim Kadriu: Sylejman Pireva - Të fala Drinit

E shtune, 23.02.2019, 09:46 AM


VARGJE ME MESAZHE QË LIDHEN  ME KUPTIME TË THELLA EDUKATIVE

Sylejman Pireva “Të fala Drinit ”, SHB “Lena” – Prishtinë, 2019

Nga Milazim F. KADRIU

Sylejman Pireva me vëllimin poetik për fëmijë “ Të fala Drinit ”, dëshmon aftësinë dhe përvojën krijuese të tij në procesin e krijimtarisë letrare. Ashtu siç është e veçantë bota e fëmijëve, është e veçantë edhe letërsia për fëmijë si zhanër letrar. Për ta ‘kultivuar’ këtë lloj shkrimi për fëmijë, duhet njohur mirë botën e fëmijës dhe shpirtin e tyre të çiltër.

Autori ka një ndjenjë të veçantë  për fëmijët ku për këtë ka ndikuar edhe puna e tij një kohë në arsim dhe më pas puna në bibliotekë dhe kështu e njeh mirë  botën e fëmijëve dhe shkruan poezitë e tij pikërisht për atë që  u pëlqen më së shumti fëmijëve. Përpos librit me poezi për fëmijë “Atdheu i zogut”, lexuesit krijimet e   poetit Pireva i kanë hasur edhe në revistat dhe gazetat shqipe.

Sylejman Pireva kësaj  radhe para lexuesve vjen me librin  e tij me poezi për fëmijë të titulluar “ Të fala Drinit ” që përmban  55 poezi të bukura me tema të larmishme.

Pireva inspirimin për krijimin e poezisë për fëmijë e merr përgjithësisht nga jeta, nga e kaluara dhe e tashmja për një rrugëtim të sigurt në të ardhmen. Ai nëpërmes vargjeve i këshillon fëmijët që çdo herë të ecin drejtë rrugës së dritës e diturisë.

Në të katër ciklet  e vëllimit  ( Kujt po ia leni atdheun, Me dy gishta, Ne kemi trillet tona, Ejani në bibliotekë ) lexuesi do të gjejë  krijime poetike me vlerë, poezi me vargje të ngjeshura, me mendime e këshilla për të vegjlit e të rinjtë. Ato flasin për të kaluarën, mërgimin, të tashmen, për  figura të dashura, dëshmorët, luftën e lirinë, traditën dhe realitetin  jetësor, historinë dhe jetën në përgjithësi. Ai dëshmon prirjen dhe zotësinë në trajtimin e temave e motiveve të rëndësishme për fëmijë dhe botën e tyre.

Vargjet e këtij vëllimi poetik shpalosin ndjenjat e ngrohta e të çiltra të poetit ndaj fëmijëve.

Në vargjet e tij Pireva ka trajtuar tema sociale, ka prekur motivin e kurbetit dhe të mërgimit. Ati i dhembë shumë zbrazja e Kosovës nga të rinjtë  e sidomos fëmijët ku kjo shihet edhe në shkollë kur mungojnë nxënësit sepse ata kanë shkuar jashtë atdheut. Përmbajtje të dhimbshme kanë vargjet :

Shoku ynë i klasës

Me zor u ngrit në këmbë-

Nëntë emra

Të nëntë shokëve

Shqiptoi nëpër dhëmbë:

Apo vargjet po ashtu të dhimbshme ku të rinjtë për shkak të kushteve të rënda ekonomike detyrohen të lëshojnë vendin dhe të marrin rrugën e kurbetit

Te Pallati i Shtypit

Herët në agim

Të rinj e të reja

Me zemër të pikëlluar

Rroken në përqafim.

Autori në vargjet e tija prek edhe një dhembje të madhe ku disa fëmijë që shkojnë  të vegjël në vendet e huaja apo ata që linden atje e harrojnë gjuhën shqipe dhe kur vijnë në pushime ata komunikojnë në gjuhë të huaj. Për këtë edhe ata të rijnë ndihen keq  dhe premtojnë se  do ta mësojnë gjuhën e të parëve të tyre dhe kurrë s’do ta harrojnë.

Unë jam një vajzë shqiptare

Por e lindur n’ Amerikë

T’iu them të drejtën

Ndihem keq-

Të flas shqip kam frikë!

....................................

....................................

Herën tjetër kur të vij

Do ta flas shqipen “ujë”

Asnjëherë më

S’do të  gaboj

Që t’iu flas në gjuhë të huaj.

Autori jep mesazhin dhe qëndrimin e tij që duhet të kemi dhe të mos e lëshojmë vendin tonë të cilin me shekuj e kemi pritur të jetë i lirë. Ai në vargjet e tij ndër tjera thotë :

Nuk lëshohet jo atdheu

S’ka kush që më bind;

Këtu kemi

Varret e të parëve

Do vdesim ku jemi lindë!

Në ciklin e dytë autori fletë për temën e atdhedashurisë, aromën e lirisë e cila erdhi me shumë mund ku nëpër periudha të ndryshme u sakrifikuan shumë atdhedashës të këtij vendi deri në luftën e Lavdishme të UÇK- së kur u fitua liria dhe njëherë e përgjithmonë nga këtu u shporr okupatori barbarë serbosllav. Nëpërmes vargjeve të këtij cikli autori ua bënë me dije  fëmijëve dhe të rinjve frytet e lirisë dhe u flet për idealet e martirëve, dëshmorëve dhe heronjve  të cilët derdhën gjakun e tyre për një ideal të vërtetë, për atdheun, lirinë dhe pavarësinë.

Autori në vargjet e tij na kujton qëndresën dhe guximin e  trimave dhe trimëreshave që me dy gishtërinj të ngritur dilnin para taksave të okupatorit dhe fare nuk kishin frikë

Me dy gishta e shpoj qiellin

Me dy gishta e zë diellin

Me dy gishta

E shpoj terrin-

Kush m’i prekë ma sheh sherrin.

Një qëndresë dhe heroizëm e tregoi edhe Ylfete Humolli në vitin 1990 kur ra heroikisht duke i brohoritur për liri dhe demokraci të vendit

-Liri! Demokraci!

Kosova është e jona!

...Dhe për një çast

Iku  në përjetësi...

Dhe hyri në zemrat tona!

Autori vargje u kushton edhe atdhetarëve të njohur si  Ahmet Haxhiut-Bacës dhe simbolit të rezistencës shqiptare Adem Demaçit që si poeti dhe shumë të tjerë u rritën me emrin e tij dhe u frymëzuan për rrugën atdhetare të cilën e kishte trasuar kaherë Demaçi

Në vargjet kushtuar Ahmet Haxhiut-Bacës ndër tjera autori shprehet :

Nëna të kishte vetëm ty

Dhe i rritur për gazep

Babanë ta vranë

Tepër i ri...

Kur ti ishe fëmijë në djep.

Ndërsa në vargjet kushtuar simbolit të rezistencës shqiptare Adem Demaçit autori thotë :

Jam rritë me emrin e tij

E kisha ideal për besë

Si atëherë

Edhe tash

Nuk e luaj asnjë presë...

Në këtë cikël autori  sjell edhe shumë vargje tjera kushtuar atyre që  sakrifikuan për lirinë  e vendit, dhembjeve dhe qëndresës së nënave shqiptare që lindën e rritën djemtë e tyre që vuajtën dhe dhanë kontributin e tyre për komb e atdhe. Po ashtu këtu autori sjell vargje për Bllacën dhe vuajtjen  e atyre që u  dëbuan nga shtypit e tyre në atë kohë të luftës së fundit, por edhe vargje që shprehin dëshirën që e ka Kosova për Bashkimin Kombëtar.

Në dy ciklet vijuese autori sjell poezi nga jeta e përditshme në të cilat jep këshilla e nganjëherë edhe nga pak vërejtje që  fëmijët të jenë  të sjellshëm dhe të mos i harrojnë asnjëherë librat. Ai i fton fëmijët që kohën e lirë ta kalojnë pran librit dhe të vizitojnë sa më shpesh bibliotekën, të jenë të sjellshëm me prindër dhe me të tjerët e shumë këshilla tjera që lexuesi do ti gjen në vargjet e këtij libri.

Marrë përgjithësisht vargjet  e këtij vëllimi poetik përshkohen me mesazhe të rëndësishme  që lidhen  me kuptime të thella edukative, arsimore, estetike. Këto poezi sjellin njohuri e mësime të nevojshme mbi jetën, ngjarjet dhe dukuritë me të cilat ballafaqohen fëmijët në realitetin jetësor e shoqëror në të cilën zhvillohen e formohen si qenie kombëtare për shoqërinë  dhe të ardhmen e vendit.

Edhe me këtë rast autori Pireva e ruan stilin e tij që e dallon nga krijuesit tjerë. Kjo përmbledhje me poezi do të jetë një kontribut i mirë në pasurimin e letërsisë për fëmijë dhe besojmë se do të pritet mirë nga lexuesit.

Besianë, Shkurt 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora