E shtune, 05.10.2024, 01:52 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Asllan Osmanaj - Apologji fati

E enjte, 11.01.2018, 08:29 PM


Analizë libri

E VEÇANTA DHE MADHËSHTIA E ENTERIERIT FILOZOFIK E VARGUT POETIK

(Asllan Osmanaj: “Apologji fati”, poezi dhe poema – 2017)

“...Tërë këtë, deri në këtë çast që po e bëj këtë shkrim, nuk e ka ditur askush, se për mua ishte dreka e lotëve në shtëpinë e poetit. Këtë drekë, dua t’ua lë fakulteteve që i ka mbaruar poeti dhe kohës, që ta shpjegojnë më mirë se unë, nëse munden...!”.

Nga Sejdi BERISHA

Autori i këtij libri, i cili në vend të hyrjes apo prologut, na ofron një tekst të shkurtër me titull ”Humbësi orëçuem”, por siç thekson ai, nuk e do as prologun dhe as epilogun, gjë e cila sikur në fillim na bën me dije se ai e preferon rrugëtimin e vetë të veçantë mbase ndoshta edhe unik! Kjo, ngase ai nuk i do “imponimet”, dhe se që në fillim na bënë me dije, se karakteri, ndijimi dhe mesazhi i tij krijues i takojnë fushës së filozofisë të shprehjes së mendimit, të shoqëruar apo të begatuar me “hidhërimin” shpirtëror, nga i cili “idhca” gjeneron vargun origjinal, kuptimplotë dhe të thellë, që imponon zbërthimin e e shprehjes dhe të mendimit me peshën e arsyes por edhe të realitetit jetësor, që vërtetë tingëllon si pezmatim dhe ironi, nëse ekziston kështu një gjë e tillë.

Rrugëtimi i veçantë poetik, edhe sfidë edhe si peshë me vlerë e ndijimit shpirtëror...

Vërtet, titulli i librit “Apologji fati”, sikur imponon logjikën dhe zgjon arsyen për ta lexuar me përkushtim poezinë dhe secilin varg veç e veç të Asllan Osmanajt. Sepse, ai, librin e nis me dhembjen dhe historinë e peshës shpirtërore përmes shkrimit të një krijuesi, me titull “Dreka e lotëve në shtëpinë e poetit”, që padyshim është edhe si moto për ta orientuar më thekshëm dhe më detyrueshëm lexuesin që ta kuptojë thelbin e jetës, të poezisë dhe të krijimtarisë, pra, edhe rrugëtimin jetësor të tij.

“Kreu i skajshëm”, “Nënkreu i këngëve të shpërlara”, “Kreu i korbave qefin”, “Kreu i hij të dimrit” dhe “Kreu i grimcuar”, këta të pesë kapituj me tituj karakteristik, të cilët më shumë reflektojnë si intrigim i mendimit jo të thjeshtë e të pazakontë, por, lirisht mund të thuhet filozofik, të fjalës, vargut dhe të këndimit poetik.

Edhe pse vargjet “tingëllojnë” si hermetik, megjithatë, “djegia e akullt”, poetin dhe këndimin e tij e bëjnë dhembje, e shndërrojnë në kujtim e respekt, sepse, ligjërimi për nënën simbolizon madhështinë e dashurisë ndaj prindit dhe rrënjëve, të cilave autori ua ushqen trupin me kujtimet e kujtimeve, me karakterin e thekur që e disponon ai në jetë por edhe në krijimtari: “Edhe pse digjem nën dëborën e akulluar/Mjediseve të shtëpisë dobësuar/...Kyçur frenjë hapësira rreth vendit të nënës...”. Ose, “Dhomës ç’llogari ti lypi, shtratit ç’t’i bërtas...”!

Kështu duket edhe rrugëtimi i poetit, si në fushën krijuese, ashtu edhe në jetën e përditshme, me të cilën, çdo ditë, herë zihet e herë përqafohet! Dhe, ndoshta një konstatim të tillë, më së fuqishmi e shprush dëlirësinë dhe realitetin, dhe e zhveshë atë nga maskat të cilat shkaktojnë plagëjetë, vargjet: “...Në dergjen e sheshprotestës/Puthi gruan e fëmijtë/Zhgënjimin t’a shpoi me thikë/...Ngashërehem e murmuroj/Shkyej çdo qiell stuhie/Kur bjeshkdhimbja njerëzore/Rritet, më pushton retinën”.

Sikurse edhe në veprat e mëhershme, autori i “Apologji fati”, edhe në poezitë e përflakura në këtë libër zjarr, shpërfaq rritën e rrugëtimin, zemërimin e hidhërimin por edhe pak lumturi, nëse ai diku e ka hasur, duke na prezantuar mendimin e tij shpirtëror mbase edhe filozofik. Kuptohet, gjithnjë duke vargëzuar me dufin e idhcës së ndërgjegjes dhe të njerëzores, gjë e cila, nëse bëjmë pak analizë e pak thellim mendjeje e arsyeje, vargjet dalin si sublimë apo edhe pikturë e rëndë historie, nëse doni edhe si libër enciklopedik i jetës jo vetëm të autorit, por edhe të popullit, të cilit i përket ai, edhe të vendlindjes, edhe të atdheut: “Kurrë mos përjetofshi/Errësinë e fatit të zi/Të makthit të vdekjes”.

Asllan Osmanaj, i cili deri tash ka botuar gjashtë libra, sikur tërheq zvarrë tërë atë bagazh jete, duke mos e harruar as më të voglin detal, as më të voglin kujtim, as më të voglin hidhërim dhe as më të voglin gëzim, dhe kështu, ai, në vetvete i  ka shndërruar në gjerdan kohe e dashurie, duke provokuar, apo duke na përkujtuar detyrimin e ndërgjegjësimit, që jetën ta bëjmë të lumtur e madhështore, me gjithë plagët, të cilat duken si arna të dhembshëm historie, më të cilët e kemi “avitur” mendjen. dhe e kemi bërë mur të pa rrënuar ndërgjegjen por edhe dhembjen e qëndresën: “O ju yje fole floriri/Me atë dritë mbretërojmë/Sonte fshihuni, ikni, ikni”! Ose: “...Ti qiell kupëzraelartë/Ulu gjunjazi, hidhna freski/Epshegrenjtë bëhem engjëllinj”!

Gjatë vargëzimit, autori sjell fjalë të “reja” të cilat sikur e “pezmatojnë” edhe metaforën, edhe mesazhin, për të qenë ata më të fuqishëm dhe më goditës, si: “hënëmërzitur”, “kupëzorelartë”, “epshegrunjtë”, “barkdreq, “syhanëtar”, “thëngjilladjegur”, etj., e që e begatojnë këndimin poetik por edhe gjuhën dhe fjalorin.

Në poezinë “Shtëpi hinore”, autori, ndoshta, përpiqet që nga një segment fragmentar, ngjarjen ta bëjë “roman” për jetën e hermetizuar, e cila, edhe ajo vetë, sikur secilin njeri e ndalonte të flasë lirshëm, bile as mirë për rrugëtimin dhe rrugën e mjegullinave kohore dhe shoqërore të kohës dhe as të fatit e zezonës së njeriut nëpër periudha e kohëra: “Shpejt shkova afër vendit të plan përurimit/Larg mjedisit mistershëm të hambarit gjigant/Hasa ligaç nga gjithë bota syhamëtar/Emra, barkdreq, surrate ladutësh t’paparë...”!

E veçanta, joshja dhe madhështia e enterierit filozofik e vargut të Asllan Osmanajt, josh edhe më shumë, kur “mes heshtjes meraktherëse” përpiqet t’i vë në spikamë “sekretet” e fshehura me skenarin ëndërrimtar. Në këtë rast, vargun e këtij krijuesi duhet analizuar sa më me përkushtim, drejt dhe pa paragjykime, dhe për ta vënë atë në vendin meritor edhe të jetës, edhe të dhembjes dhe të lumturisë bashkërisht, që normalisht, nuk ishte dashtë të kompozohen të gjitha këto natyrshëm, por, më të vërtetë, në këtë rast sikur korrespondojnë mirë, fuqishëm dhe natyrshëm përqafohen!

Vargëzimi hidhërak, ironia dhe rrugëtimi jetësor që puthiten dhe fuqizojnë këndimin poetik

Dhe ja, ironia që puthitet me rrugëtimin e autorit, mbase edhe të kombit: “...Qeshi e foli ironisht/Tepër, tepër vonë tani/...Apo gjumi i lepurit/ë pat zënë shtegun arsyes...”! Nëse zbërthehet “detyrimi” i vargut “shtegun e arsyes”, fuqishëm na shpërfaqet karakteri, dhe pothuaj se edhe “hapërimi” i njeriut në trakullimat dhe karakteristikat e kohës brenda dhe jashtë njeriut dhe të jetës së tij: “...Të hysh sheshtazi/Në varrin qeli/ Dhe kur eshtrat/Të shkërmoqen hi/Kufoma e shformuar/Do shfaqet anonim/Dikë të mallëngjejnë/Dikë të dëfrejnë...”.

Janë këto shprehje që autori i “lejon” lexuesit ta kuptojnë dhe ta ndjejnë si të duan ata vetë, apo nga cili kënd logjik dhe historik të venerimit të jetës dhe të rrjedhave të saj e shikojnë, por të cilën gjë, poeti me vargjet e tij, herë na e reflekton si “idil”, herë si llahtari, herë si ironi e herë-herë edhe si mollë të ndaluar, vuajtje e shtypje, të cilat, bashkërisht ndërtojnë madhështinë poetike, pse jo, të lumturisë, edhe pse: “Atje në tokën e ëndërruar/S’ndodhin çudira/Si shpesh tek ne/Që pa asnjë ditë ushtarak/Gradohen gjeneral...”! Dhe kështu, sikur poeti jetën e konsideron si “Studioja aktrim e regji”...

Thuaja se ngjashëm, ai ligjëron edhe në shumë poezi të tjera, dhe se, secila duket se i ngjanë mistereve shpirtërore të vetë autorit, i cili, tani sikur dëshiron që ato t’i nxjerrë jashtë vetvetes, por të “sofistikuara” me këndimin poetik, me dhembjen, me hidhërimin deceniesh shtresuar, por edhe me krenarinë e tij, të cilën edhe e mbanë dhe e shtrëngon brenda vetes, si “e vullkanit mister”!

Vargëzimi i Osmanajt, jo vetëm se është hidhërak, qortues dhe satirik, por sikur edhe na bën t’i mësojmë dhe ndërgjegjshëm t’i kuptojmë përplasjet e dhembjet jo vetëm të individit ndër periudha kohore e historike, por, ta kuptojmë edhe peshën e pathënë sa duhet për çdo pëllëmbë toke, të çdo “romani” të pashkruar për atë që qëndron e ndrydhet brenda shpirtit, brenda kombit dhe atdheut. Ndoshta këto vargje në vijim janë zëri më i veçantë, për gjurmët që nuk shlyhen, por që kërkojnë dritë e zbardhje: “...Dhe me bashkëvdekje pasurohen/Ngjyrë në gjellën e mars/Flijojnë çdo pemëjete/Futin dergj nga rrënjët në myll/Përmendoret e tyre me i ngul...”!

Dhe, krahas kësaj, kur është në pyetje dashuria e historia, për të zbardhë, çmuar e përjetësuar çdo gjë, poeti na sjell ndërmend se njeriu tërë kohën dhe në të gjitha situatat, të jetë i ndërgjegjshëm dhe fisnik në zotërimin e trakullimave të jetës, sepse: “A ka më të pastër/Se letra e bardhë/Si shkruhet mbi/Përbënë dhe mëkatë”! Po ashtu, na i sjell vargjet emblemë të pa deshifruara: “...A ka më të pafajshëm/Se toka e grabitur/Me gurë në qafë”.

Pra, tamam, apologjia e çdo gjëje për ta kërkuar, mbrojtur dhe për ta dashur atë që është nën trysninë e vetë njeriut, nën trysninë e shekujve hileqarë, pra, lirinë, lumturinë dhe dashurinë, si një univers për jetën edhe etjen e njeriut për t’i gëzuar dhe për t’i përjetuar të gjitha ato që i takojnë dhe që i meriton!

Edhe në shumë poezi të tjera, autori bën përpjekje por edhe ia arrin ta prezantojë tërë atë thesarin poetik, por edhe të mllefit, për t’i treguar “larat” e shpresave, pritjeve dhe të përcjelljeve mbi të cilat, kushtimisht, “vetëm shpendët glacojnë”! Ndërsa, kur ligjëron, se: “Veç e veç të nëntë fëmijët/Ditën e përvjetorit të tretë/Kukatën tek varri i nënës/Në shoqëri të zogjve të malit”, para lexuesve, autori sjellë hartë karakteristike me njolla që dot nuk hiqen, por bëhen tingëllimë kambanash për një mëngjes të ri dhe krejt ndryshe të kohëve që do vijnë. Dhe, njeriu nëse gjithnjë kalon nëpër rrëmore zhgënjimi, atëherë është, siç thotë edhe vetë poeti: “Loti si/Lënda më zotëruese/E ortekut grotesk masiv/T’ndiesive njerëzore”...

Prandaj, libri me poezi i autorit, Asllan Osmanajt, “Apologji fati”, vërtetë është një zë për mbrojtjen e rrugëtimit dhe të lumturisë së njeriut, e cila gjë është e shenjtë, por gjithmonë e ndrydhur, e nëpërkëmbur dhe e përbuzur...!

Dhe, për fund, kujtoj se mbarë do të rrumbullakohet mendimi dhe analiza për librin “Apologji fati” me një fragment të nxjerrë nga shkrimi “Dreka e lotëve në shtëpinë e poetit”(Autor: S. Berisha), i cili shkrim edhe i prinë librit: “...Tërë këtë, deri në këtë çast që po e bëj këtë shkrim, nuk e ka ditur askush, se për mua ishte dreka e lotëve në shtëpinë e poetit. Këtë drekë, dua t’ua lë fakulteteve që i ka mbaruar poeti dhe kohës, që ta shpjegojnë më mirë se unë, nëse munden...!”.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora