Kulturë
Shahin Ibrahimi: Orët ecin
E merkure, 10.01.2018, 07:02 PM
Shahin Ibrahimi
Orët ecin
Ja kaloi një vit, pa ty e dashur
Gjë, që se mendoja asnjëherë,
Sa kujtime, dhimbje, shpresë le varur
Tani për mua asgjë, s'ka më vlerë.
Për ty kujtimet rrjedhin lumë
Sa desha të thurnim ca ëndrra pleqërie,
Më thoje, një kollë më nget në gjumë
Ndërsa ty, të të shoh me "ecje rinie".
Ti kurrë s'ke pasur, drojë dhe teka
Veç lodhje dhe punë për merak,
Oh zot pse të erdhi kaq shpejt vdekja
Si s`munda dot, ta ndaloja pak.
Çdo natë si dritë, më del në ëndërr
Të kënaqësh mallin, që në shpirt më rri,
Më prisje në një shi të dëndur
U shtërnguam fort, dhe qanim me oi.
Qiejt hedhin shira
Dhe ujëra gjithfare,
Shpirti yt i pastër
Ngjan gjithmonë i tharë.
Të shoh mbështjellë prej psherëtimash
Me një kollë, që s`të ndalonte,
Ah jeta jonë, ngritur mes vetëtimash
Kolla, s'e kuptuam se do të rrëzonte.
Gjithçka ka ngelur si atëherë
Por shpirti ynë nxjerr lot, dhe tym,
Ike ëmbël, si psherëtimë pa ylberë
Të vajtuam, por mua më le jetim.
Në përvjetorin tënd, po dal nga spitali
Dëshirën tënde "Ta bëra realitet",
Dhe disa muaj, s'do thonë më "ja topalli"
Në krahë me ty, do kishte me lezet.
Më flet nga lart, me sytë e dlirë
Dhe vetë dhimbjes i ndrron drejtim,
Me lot të larë fëmijët tanë të mirë
Më prit se s`vonoj unë, " Shpirti im".