Kulturë
Qazim Shehu: Boja
E enjte, 11.01.2018, 06:15 PM
QAZIM SHEHU
BOJA
Bojë më nuk ka
është harxhuar krejt
dhe frashëri që jep bojë, u tha,
në rrëpirën që nga tharja e tij shket…
atëhere mbi thinja çfarë të hedh,
ndoshta një refleks muzgjesh,
a një ngjyrë mesnate që shket
drejt ëndrrës së strukur?
TË AJËRT
Të ajërt si krahët e erës,
Vërtiten krahët e dashurisë,
Një të çarë poshtë derës..
Hapin përmes ëmbëlsisë.
Fryn mendimi për ta
Në rrugët ku bredh imagjinata,
Ndonjëri lodhet e në rrugë ra
Si degë prerë nga sëpata…
Ndonjëri e uli tjetrin,
Kur përqafoi gabimisht,
Pastaj u ul edhe vetë
Si skeptër përdhunisht…
Pas kësaj bredhje që kushton
Një pagjumësi pa prag gjumi,
Ato rikthehen si degë që i torturon,
Nëpër brigje lumi…
JAVA
Zbraz zemrën nga rëndomtësia
Kur fillon e hëna
Pas kësaj të diele letër e ngjitur
Mbi xham mos vërshojë hëna.
Nesër kur të fillojë e hëna
Java me një vesh të ngritur
Fillojnë ditët me të shtëna
Ëndrrash,në udhë të panginjura…
Kur vjen e shtuna dhe e diela
Kaq të tabela të paprekura shoh,
Një ajër të plagosur me të shtëna;
E hëna tjetër të martën me të dielën lodh…
BISHTI
Kur ikën rrugës qetësisht
Njerëzit të venë një bisht,
Njërëzit në ego kafshërore
Pa të vënë bisht nuk munden…
Një kind në prapanicë ka çdo njeri,
Dhe një arnë në shpirt,
Po kush s`e sheh të pasmen e tij,
Shikimi tek tjetri më tepër ngjit…
NGA MESI I LARTËSIVE
Nga mesi i lartësive këputet
Një zjarr shkëputur nga djep i tij,
Afrohet pranë nesh dhe shuhet,
Bukurinë duke na lënë në sy…
Pse nuk zbriti dhe ca, ku ta dish
Ndoshta nga errësira jonë
U tremb si paralajmërim hyjnish
Për çfarë tek ne nuk shkon…
LEGJENDAT
Sa pamundësi zbërthejnë legjendat
Dhe sa mundësi japin
Kur na duhet që ëndrrat
Lule ,dëshirave t`ua japim…
Duke harruar se një legjendë
Jeta thuret dhe ndeh krahët
E lodhur po nga ëndrrat
Mbushur me shpirt të zbrazët…