E shtune, 27.04.2024, 06:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhavit Kryeziu: Fillet e shkollimit të mesëm në Dardanë

E diele, 20.08.2017, 09:43 AM


FILLET E SHKOLLIMIT TË MESËM NË DARDANË  (KAMENICË)

NGA XHAVIT KRYEZIU

SHKOLLA E MESME E BUJQËSISË

Fillet e shkollimit të mesëm në këtë komunë janë nga viti 1960, me hapjen e shkollës së mesme bujqësore. Përkundër përpjekjeve të bëra që të ndriçohet më mirë puna e saj përmes dokumenteve të shkruara, ato përfunduan pa sukses. Në arkivin e Gjimnazit “Ismail Qemali” dhe në atë të Shkollës së Mesme Teknike “Andrea Durrësaku” nuk ka dokumente shkollore të ruajtura nga kjo shkollë. Në Arkivin e komunës pohojnë se nuk ka dokumente të ruajtura për këtë shkollë e as për të tjerat. Disa shënime për punën e kësaj shkolle ofruan ata që kanë qenë nxënës e punëtorë aty . (Ruhan Avdyli ka qenë nxënës i gjeneratës së parë të kësaj shkolle, pastaj mësimdhënës për shumë vite aty, pastaj drejtor i ndërmarrjes publike “Kosovatrans” në Kamenicë dhe Zhivko Jankoviq, drejtor i saj për 9 vite të ekzistimit të saj e tani është në pension (gusht, 2003)). Sipas tyre ajo shkollë bujqësore, dega e pemëtarisë, ka qenë me kohëzgjatje dy vjet. Synimi saj ishte të përgatis punëtorë të kualifikuar të pemëtarisë. Konkursi vazhdimisht shpallej për dy paralele nxënësish, një në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën serbe. Po për tërë kohën e funksionimit të saj, 1960-1969, ka punuar vetëm nga një paralele një në vitin e parë dhe nga një në vitin e dytë edhe atë, si paralele e përzier me nxënës shqiptarë dhe serbë. Numri i nxënësve nëpër paralele zakonisht ka qenë 25-40. Po nuk është refuzuar asnjë nxënës që ka bërë kërkesë që të pranohet në shkollën e mesme bujqësore këtu.

Ndër mësimdhënësit e parë shqiptarë në këto paralele të përziera ishte edhe  Muharrem Krasniqi. Mësimdhënësit tjerë ishin të angazhuar vetëm në mbajtjen e disa orëve mësimore, po nuk kishin të themeluar marrëdhënie pune aty. Ndër mësimdhënësit serbë ishin: Zhivko Jankoviq, njëherit edhe drejtor, Stanimir Illiq nga Berivojca, Tomisllav Jankoviq nga Bujanoci e të tjerë. Nga mësimdhënësit shqiptarë ishte Muharrem Krasniqi nga Dajkoci që mbante këto lëndë: matematikë, fizikë dhe gjuhë shqipe. Në orët e gjuhës shqipe, nuk ishin të obligueshëm të dëgjonin nxënësit serbë, po rrinin edhe disa nga ata që të dëgjojnë nga kurreshtja se çka mësohet nga kjo lëndë, ose në ditët e ftohta të dimrit nuk kishin ku të kalonin kohën deri sa zgjaste ora e gjuhës shqipe.

Numri më i madh i lëndëve kanë qenë profesionale, po edhe me fondin javor dominues të tyre. Dhoma mësimi janë shfrytëzuar disa lokale që gjinden prapa Qendrës Sociale të sotme, të cilat më vonë shërbyen si punëtori ku e mbanin praktikën nxënësit e shkollës teknike, të degës së metaleve.

Kështu në vitin e parë shkollor 1960/61 vijonin mësimet 25 nxënësve me profesion të pemëtarisë, për punëtorë të kualifikuar, ku vetëm shtatë  nxënës ishin shqiptarë, të cilët mësimet i vijonin në gjuhën serbokroate e këta ishin:

1.         Ruhon Avdyli nga Baja e Sijarinës,

2.         Selman Avdyli nga Baja e Sijarinës,

3.         Qemajl Morina nga Hodanoci,

4.         Ramiz Lenjani nga Karaçeva e Pashtme,

5.         Ismajl Maliqi nga Busavata,

6.         Xhavit Lenjani nga Karaçeva e Poshtme dhe

7.         Hamdi Jashari nga Baja e Sijarinës.

Nxënësit pas kryerjes së dy viteve, të shkollës së mesme, kishin të drejtë të vazhdonin vitin e tretë e të katërt në Viti. Në gjeneratën e parë që diplomuan në këtë shkollë nga nxënësit shqiptarë janë – Ruhan Avdyli, Selman Avdyli, Hamdi Jashari, Zenel Sahiti, Qemajl Morina, Xhavit Lenjani, Ramiz Lenjani dhe Ismajl Maliqi. Praktikën nxënësit gjatë vitit e mbanin  në pronat e kooperativës bujqësore të Kamenicës. Nga puna që bënin aty kishin edhe disa përftime materiale. Me ato mjete financiare çdo vit shkonin në ekskursion nëntëditor nëpër Jugosllavi. Një ditë vizitonin panairin bujqësor në Novi Sad e mandej vazhdonin në Kroaci dhe në Bregdetin e Adriatikut. Praktikën njëmujore verës e mbanin në Petrovaradin, afër Novi Sadit. Nxënësit e kësaj shkolle tregoheshin të interesuar për punë, prandaj më se 20 prej tyre arritën të punësohen atje në punë të përhershme dhe të vendosen me vendbanim të përhershëm atje, në Petrovaradin.

Shkolla bujqësore e pemëtarisë për punëtorë të kualifikuar me kohëzgjatje dy vjet punoi dhe veproi deri në vitin shkollor 1968/69 mirëpo, për shkak të mësimit në gjuhën serbokroate dhe mosperspektivës profesionale që të mund të punësohen diku, numri i nxënësve shqiptarë u zvogëlua dhe më 1967,1968 dhe 1969 nuk kishte asnjë prej tyre.

Në vitin shkollor 1964/65 në shkollën bujqësore të pemëtarisë arsimtar shqiptar që ligjëronte lëndët profesionale ishte Ruhon Avdyli, por mjerisht në gjuhën serbe.

Mësimi teorik dhe praktik realizohej sipas Planit dhe programit të Serbisë dhe praktika mbahej në kooperativat bujqësore që ishin themeluar që nga viti 1957/58 në Kamenicë, Ranillug, Ropotovë e Madhe, Shipashnicë e poshtme, Hogosht, e më vonë në Rogaçicë.

Nga viti në vit interesimi i nxënësve ishte më i vogël për këtë shkollë, prandaj, më në fund erdhi deri te mbyllja e saj. Shkolla e mesme bujqësore u mbyll më 31 gusht të vitit 1969. Me rastin e mbylljes së saj drejtori hartoi një raport për punën 9 vjeçare të saj, për numrin e atyre që diplomuan e të tjera që iu dorëzua Drejtorisë komunale për çështje të arsimit.

PARALELET E SHKOLLËS SË MESME EKONOMIKE

Në vitin shkollor 1962/1963, në Kamenicë,  nisi të punojë një paralele e Shkollës së Mesme Ekonomike “Dragi Popoviq” të Gjilanit, drejtor i të cilës ishte  Sadulla Bresovci, si paralele e ndarë fizike e saj. Edhe kjo ishte paralele e përzier me nxënës serbë dhe shqiptarë. Mësimi zhvillohej, kryesisht, në gjuhën serbe. Lëndët që i dëgjonin në gjuhën shqipe janë: gjuha shqipe e matematika që i mbante Muharrem Krasniqi dhe byroteknikë që Ruzhdi Krasniqi, i angazhuar, pasi ishte në detyrën e sekretarit të komunës. Kujdestar klase ishte Zhivko Jankoviq.

Sipas kujtesës së Ilmi Berishës e Rexhep Osmanit20 (Ilmi Berisha e Rexhep Osmani kanë qenë nxënës të kësaj shkolle, tani me vendbanim në Kamenicë, qershor, 2003) që janë vijues të gjeneratës së parë, në këtë paralele kanë qenë këta nxënës: Ilmi Berisha, Rexhep Osmani, Ramë Abazi, Qamil Morina, Sadik Morina, Nuhi Canaj, Nevrije Krasniqi, Sabile Rahimaj, Ruzhdi Beqiri, Isa Morina, Tusun Basha, Ahmet Morina, Hajdar Kryeziu, Zenel Jakupi, Vehbi Ferizaj, Naskoviq Predrag, Stojanoviq Rade, Nikolliq Branisllav, Jovanoviq Rodna, Jovanoviq Bllagica, Tasiq Zagorka, Stevanoviq Lleposava, Stankoviq Stanisha, Xhokiq Bozhidarka, Mihajlloviq Sllobodan, Dimitrijeviq Sllobodan, Angjellkoviq Vidosav dhe Peshiq Javorka.

Nxënësit e kësaj paralele të përzier, të shkollës së mesme ekonomike, pas kryerjes së vitit të parë dhe të dytë e vazhdonin vitin e tretë e të katërt në Gjilan, në shkollën amë. Hapja e kësaj paralele për vitin e parë e të dytë kontribuonte në zvogëlimin e shpenzimeve materiale të familjeve të nxënësve që ishin në gjendjen  mjaft të vështirë ekonomike të asaj kohe. Kuadri dhe lokali mësimor ishin, po ata, të shkollës së bujqësisë. Këto paralele kanë funksionuar dy vite e mandej pason mbyllja e tyre dhe transferimi në shkollën amë, në Gjilan. Pa marrë parasysh dobësitë që kanë ekzistuar gjatë punës së tyre, pa marrë parasysh mungesën e kuadrit të kualifikuar mësimdhënës dhe mësimdhënia në gjuhë joamtare, funksionimi i tyre ka pasur një rëndësi të posaçme në zhvillimin e arsimit të mesëm të komunës sonë. Njeriu i mençur mësohet edhe nga gabimet e bëra. Me siguri dikujt, nga ata që  marrin pak erë në çështjet  e shkollimit i ka trokitur në kokë se format e tilla të punës nuk janë afër mendjes, prandaj nuk duhet përsëritur, në praktikën shkollore, në të ardhmen. Pra, imponohej gjetja e një zgjidhje tjetër, një zgjidhje e përshtatshme në pajtim me kërkesat e kohës, në pajtim me synimet e gjeneratave të reja

Dhe prindërve të tyre.

THEMELIMI  I GJIMNAZIT

Pas disa përpjekjeve që u bënë në vënien e themeleve të arsimit të mesëm në këtë komunë, në vitet e  `60 të shekullit XX, pason një fazë e rëndësishme, në të cilën kërkohej një mençuri e guxim tjetër. Dikujt, nga ata që kanë më shumë kuptim në sistemin e arsimit e edukimit u pa qartas se me një paralele të përzier, qoftë ajo bujqësore ose ekonomike, nuk mund të zgjidhej problemi i shkollimit të mesëm, stabil e afatgjatë, kualitativ që do t`i plotësonte nevojat e natyrës ekonomike, tregtare, arsimore e tjera të kësaj komune. Duhej pasur vizion, largpamësi të duhur në këtë pikëpamje.

Pra, duhej të përcaktoheshin për një lloj shkolle të mesme që pas mbarimit të saj, maturantët të mund të pranoheshin në: fakultete, akademi e shkolla të larta e tjera. Cila do të ishte ajo shkollë e mesme që do të ofronte parakushte të tilla?  Asnjë tjetër, përveç gjimnazit. Prandaj, doli propozimi dhe u shkrua kërkesa organeve kompetente për hapjen e paraleleve të gjimnazit.

Kështu në vitin shkollor 1964/1965 në këtë komunë nisin punën 4 paralele të gjimnazit në vitin e parë. Dy ishin më mësim në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën serbokroate për vijuesit e rregullt, me vendimin nr. O1-1636/1-64, të datës 17. 6. 1964. Po kishte edhe të tillë  që nuk kishin mundësi të vijonin mësimet rregullisht për arsye objektive, prandaj u gjet një zgjidhje tjetër për nxënësit e tillë. U formua një paralele e vijuesve me korrespondencë, e përbërë prej 6 vijuesve shqiptarë dhe 5 serbë. Në gjeneratën e parë me mësim në gjuhën shqipe vijonin vetëm dy femra. Këto paralele u hapën si paralele të ndara të Gjimnazit “Zenel Hajdini“ të Gjilanit.

Në mungesë të lokalit të duhur shkollor, ato filluan punën në ndërtesën e shkollës fillore. Aty punuan  deri në vitin 1969, me një zell e vullnet të madh. Aty vijoi mësimet gjenerata e parë për katër vjet me radhë, deri në mbarim të maturës. Aty filluan mësimet edhe dy gjenerata të tjera.

Ndër mësimdhënësit e parë shqiptarë që filluan të punojnë në këto paralele të gjimnazit janë: Halil Dërmaku, Halit Maliqi, Muharrem Krasniqi, Rexhep Munishi, e Jakup Puka. Përgjegjës për këto paralele ishte Boshko Mitiq.

Në vitin shkollor 1965/1966 në gjimnaz formohen 8 paralele e 4 prej tyre me mësim në gjuhën shqipe. Kështu tani rrita dhe zhvillimi i tij ishte në rrugë të mbarë dhe nuk kishte të ndalur. Shtohet numri i mësimdhënësve shqiptarë. Në këtë vit shkollor aty nisin të punojnë edhe: Faik Shkodra, Rifat Shabani e Musa Thaçi.

Po rruga në themelimin e Gjimnazit nuk ishte tërësisht e lehtë dhe pa pengesa. Pas mbarimit të vitit të dytë, nxënësit duhet të vazhdonin vitin e tretë në Gjilan, në shkollën amë. Po Gjimnazi “Zenal Hajdini” kishte paralajmëruar se nuk ka mundësi që t`i  pranojë 130 nxënës në vitin e tretë në mungesë të lokalit e shkollor e kuadrit mësimor. Për këtë arsye zyrtarët e komunë sonë, me një shkresë, nr. 04-629/1-66, më 21. 2. 1966 i drejtohen Drejtoratit të Shërbimeve Shoqërore të Kosovës me kërkesë që të lejohet hapja e klasës  së tretë të gjimnazit në Kamenicë. Aty kërkohet, përveç tjerash, se cilat kushte duhet të përmbushen që të lejohet hapja e vitit të tretë, për të cilat kërkesa janë në gjendje t`i përmbushin organet kompetente të kësaj komune.

Pas shumë e shumë përpjekjeve, në vitin shkollor 1966/1967, lejohet themelimi i Gjimnazit me seli në Kamenicë, i cili do t`i ketë dy drejtime: matematiko-shkencor dhe shoqëroro-gjuhësor me mësim në gjuhën shqipe dhe serbokroate. Ky vit do të mbahet mend përgjithmonë, ky vit do të përkujtohet me mburrje e krenari nga të gjitha gjeneratat që do të vijnë pas, po edhe nga prindërit e tyre e të gjithë dashamirësit e dritës e diturisë, kulturës e humanizmit. Gjimnazi emërtohet me emrin-Gjimnazi “9 Maji” në Kamenicë.

Në vitin shkollor 1966/67 bëhet konstituimi institucional i Gjimnazit, zgjidhen organet qeverisëse dhe drejtori. Që nga 1 shtatori  i vitit 1967 për drejtor zgjidhet Mehmet Surdulli, profesor i gjuhës e letërsisë shqipe, nga Desivojca. Ai tani kishte bërë një përvojë të mirë duke punuar nëpër disa gjimnaze të Kosovës në detyrën e profesorit dhe të drejtorit. Aty u mirëprit nga nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.

Në vitin shkollor 1967/68 përfundon mësimet gjenerata e parë e gjimnazistëve. Në këtë vit diplomuan 47 maturantë të gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe, prandaj ky moment u prit kudo me një gëzim të madh. Ishte kjo një e arritur që do të shënohet e mbahet mend për tërë nxënësit e mbarë popullatën e kësaj ane. Ishte kjo hera e parë në hapësirën e kësaj komune që nxënësit të mbarojnë shkollën e mesme, në kohëzgjatje katër vite, prandaj me të drejtë konsiderohet arritje e kulminacionit në zhvillimin e shkollimit të mesëm në këtë hapësirë dhe në këtë kohë.

Që nga fillimi vitit shkollor 1974/1975 u bë bashkimi i dy shkollave të mesme të Kamenicës, të Gjimnazit  “9 Maji” dhe të Shkollës së  Mesme Teknike, në një institucion të vetëm që tash e tutje do të quhet: Qendra e Shkollave të Mesme “9 Maji” në Kamenicë. Për t`u regjistruar ky institucion shkollor kërkesa i drejtohet Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë, më 6.12. 1975, nën numrin e propozuesit 1042. Gjykatësi i kësaj Gjykate, Muharrem Latifi, aprovon kërkesën e sipërpërmendur dhe regjistron këtë institucion shkollor  më 23. 4. 1976 në regjistrat e kësaj Gjykate me numrin 517.

Po ende mungonte konvikti për vendosjen e nxënësve. Udhëtimi ishte i vështirë nga fshatrat e largëta, si Hogoshti, Kopërnica, Shipashnica e  fshatra të tjera, të viseve kodrinoro-malore deri në Kamenicë. Këtë çështje e vështirësonte edhe më shumë mësimi në dy ndërresa. Kërkesat e qytetarëve dhe nxënësve ishin evidente e shumë të theksuara në hapjen e paraleleve të ndara fizike të Gjimnazit, me të vetmin qëllim që shkolla të jetë sa më afër vijuesve, si edhe zvogëlimin e shpenzimeve për udhëtim e humbjen e kohës gjatë udhëtimit.

Kështu në vitin 1970/1971 hapet paralelja e ndarë fizike e Gjimnazit në  Hogosht. Ajo ishte klasa I-6, cila numronte 35 nxënës, ndërsa 13 prej tyre ishin femra. Kujdestar klase ishte Musa Musliu, profesor i gjuhës e letërsisë shqipe. Në këtë mënyrë zvogëlohen shpenzimet për udhëtim, nuk humbet  koha kot duke pritur nëpër stacione të autobusëve, po ajo që është shumë e rëndësishme- rritet numri i femrave që vijojnë shkollën e mesme. Kështu Gjimnazi në këtë vit shkollor kishte 22 paralele 12 prej tyre me mësim në gjuhën shqipe. Tani aty vijojnë mësimet nxënësit nga Hogoshti dhe rrethina që rëndësinë aty.

Në shkollën e Roganës dhe të vendbanimeve të tjera që rëndësinë aty, si që janë: Hodanoci, Muçivërci, Dajkoci, Kranidelli, Karaçeva e të tjera, numri i nxënësve që mbaronin shkollën fillore ishte vazhdimisht në rritje, prandaj edhe kërkesat e nxënësve, prindërve e mësimdhënësve ishin të theksuara për hapjen e një shkolle të mesme. Pas shumë e shumë kërkesave që iu parashtruan organeve kompetente të arsimit në nivelin komunal e krahinor, më në fund u arrit qëllimi që të lejohet hapja e disa paraleleve të ndara fizike të Qendrës së Shkollave të Mesme “9 Maji” të Kamenicës në Roganë. Kështu në fillim të vitit shkollor 1978/1979 në Roganë fillojnë mësimin katër paralele të shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe. Nga ato dy ishin të vitit të parë e dy të vitit të dytë. Në të vërtetë kjo ishte faza e parë e mësimit të orientuar, me plan e program të përbashkët për të gjitha drejtimet, që zgjaste dy vite dhe pas dy viteve nxënësit duhet të orientoheshin nëpër degë dhe profesione përkatëse. Në klasën e I-1 u regjistruan 39 nxënës e 7 prej tyre ishin femra, ndërsa në klasën e I-2 u regjistruan 38 nxënës e 7 prej tyre ishin femra.

Në këtë mënyrë u realizua një ëndërr e kamotshme e banorëve të kësaj rrethine edhe ishte një moment historik që për herë të parë në historikun e kësaj rrethine të fillojë punën një shkallë e shkollimit të mesëm këtu. Kështu u evituan shpenzimet e panevojshme që bëheshin duke u shkolluar nëpër qendra të tjera, si edhe humbja e kot e kohës në udhëtim. Me shumë rëndësi është fakti se fillon rritja e trendit të femrave që vijojnë shkollën e mesme e kjo ndihmon në emancipimin e femrës shqiptare në tërësi.

Që nga themelimi i Gjimnazit e deri ne vitin 2017 aty kanë diplomuar 11.170 maturantë e kjo është një e arritur e pakontestueshme.

SHKOLLA E MESME TEKNIKE

Në vitin shkollor 1966/1967 fillon punën Qendra Shkollore e destinuar për punëtorë të kualifikuar, për profesionin e metalistëve. Në mungesë të dokumentacionit shkollor- ditarë, libra amë, plane e programe mësimore që nuk mundëm askund t`i gjejmë, as në arkivin e shkollës e as në atë komunal, prandaj detyrohemi të shërbehemi me pohimet e mësimdhënësve (Ruhan Avdyli, nxënës i gjeneratës së parë dhe mësimdhënës në shkollën e mesme bujqësore asokohe  e pastaj drejtor në NP “ Kosovatrans” në Kamenicë, më 28.10.2004 e të tjerë) pohon se kjo shkollë zgjaste tri vjet dhe se  nxënësit kanë mësuar së bashku me ata të bujqësisë. Përgjegjës për këto paralele ishte Serba Jeremiq, mësimdhënës në Gjimnaz. Mandej është hapur edhe drejtimi i qeramikës. Procesi mësimor me këto paralele ka vazhduar deri më 1970.

Në vitin shkollor 1970/1971 hapet Shkolla e Mesme Teknike  me tri degë. Ato ishin: dega e qeramikës, në të cilën shkollimi zgjaste tri vjet dhe ishte e destinuar që t`i plotësojë kërkesat e fabrikës së qeramikës me punëtorë të kualifikuar në Kamenicë, e vetmja e këtij lloji në Kosovë; dega e metaleve, në të cilën po ashtu shkollimi zgjaste tri vjet dhe dega kimiko-teknologjke, në të cilën shkollimi zgjaste 4 vite. Në të gjitha këto degë ishin nga dy paralele, nga një me mësim në gjuhën shqipe dhe nga një me mësim në gjuhën serbokroate. Drejtor i shkollës u zgjodh Petkoviq Dragomir, ndërsa zëvendës i drejtorit- Izet Surdulli, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Mësimi mbahej në objektin e vjetër të shkollës fillore, vetëm pas dite. Puna e kësaj shkolle vazhdon deri në vitin shkollor 1973/1974. Këtë vit shkollor nga organet kompetente komunale për çështje të arsimit vlerësohet se nuk ka nevojë e as nuk është racionale që të funksionojnë dy shkolla të mesme në një komunë të vogël, prandaj merret vendim për integrimin e të dy këtyre shkollave në një të vetme.  Në fillim të vitit shkollor 1974/1975 me integrimin e këtyre dy shkollave të mesme, formohet një dhe tani  quhet: Qendra e Shkollave të Mesme “ 9 Maji ” në Kamenicë. Drejtor i kësaj qendre zgjidhet Mehmet Surdulli, ndërsa zëvendës i drejtorit – Petkoviq Dragomir.

Në vitin shkollor 1991/1992 edhe në Roganë hapen paralelet e ndara fizike të kësaj shkolle. Për secilin drejtim që ekzistonte në shkollën amë edhe këtu hapet nga një paralele. Mësimin e mbanin, kryesisht, mësimdhënësit nga shkolla amë. Kontinuiteti i funksionimit të këtyre paraleleve të shkollës së mesme u mbajt edhe në ditët më të vështira për popullatë tonë, në vitet 1990-1999 e madje  edhe pas mbarimit të luftës.

Pas afër dy decenie të funksionimit në kuadrin e QAMO-s  “9 Maji”, në vitin shkollor 1992/1993 të gjitha drejtimet e shkollës teknike ndahen nga shkolla e përbashkët dhe funksionojnë si shkollë e veçantë teknike me emrin – Shkolla e Mesme Teknike “Andrea Durrësaku. Drejtor i saj u zgjodh, për dy mandate me radhë, Aziz Matoshi, profesor i gjuhës e letërsisë shqipe. Në vitin shkollor 2000/2001 aty vijonin mësimin 204 nxënës, ndërsa 72 prej tyre ishin femra.

Kështu numri i nxënësve dhe paraleleve ka shënuar trend pozitiv që vazhdimisht ka shënuar rritje deri në vitin shkollor 1982/83. Në këtë vit shkollor, shkolla e mesme me mësim në gjuhën shqipe ka 49 paralele, me 1.702 nxënës e pastaj nis rënia graduale e numrit të nxënësve dhe paraleleve.

SHKOLLA E MESME E MJEKËSISË

Për komunën e Kamenicës  që ka afër 40 mijë banorë, ndihet nevoja e kuadrove mjekësore me kualifikim superior, po edhe për ata me kualifikim të mesëm të degëve përkatëse  të destinuara  që ato kuadro të jenë në mbrojtjen shëndetësore të kësaj popullate.

Kështu që në vitin shkollor 1996/1997 hapen dy paralele  të shkollave të mesme të mjekësisë, drejtimi i përgjithshëm, për djem dhe vajza, si pjesë përbërëse e Shkollës së mesme të Mjekësisë “Asllan Elezi” të Gjilanit. Interesimi i nxënësve për këtë degë, po edhe i prindërve ishte jashtëzakonisht i madh dhe pati një konkurrencë të theksuar mes kandidatëve për këtë lloj shkolle. Mësimet teorike zhvilloheshin në objektin shkollor të gjimnazit, ndërsa praktikën mjekësore e mbanin në shtëpinë e shëndetit  në Kamenicë. Të pakët ishin mësimdhënësit që vinin nga shkolla amë e Gjilanit për të mbajtur mësim në këto paralele, ndërsa shumica ishin nga komuna e Kamenicës. Lëndët profesionale i mbanin mjekët e kësaj komune, si që janë: Ismet Morina, Bislim Agaj, Ibrahim Rrudhani, Faredin Kryeziu, Refik Syla, Azem Spahiu e të tjerë. Përgjegjës për këto paralele ishte Azem Spahiu. Lëndët e tjera i kanë mbajtur: Arben Spahiu, Lulzim Thaçi, Xhevdet Thaçi, Zukë Bunjaku, Sulejman Morina,  Xhavit Kryeziu e të tjerë.

Në vitin shkollor 1997/1998 u hap vetëm një paralele e shkollës së mesme të mjekësisë, drejtimi për mami, ku shumica e nxënësve ishin nga radhët e femrave, ndërsa numri i djemve ishte shumë i vogël. Për të dy këto drejtime shkollimi zgjaste 4 vjet. Pasi konkurrenca për t`u pranuar në këto paralele të  shkollës së mjekësisë ishte e madhe, pra, vijuesit ishin të zgjedhur sipas suksesit dhe gjatë shkollimit të tyre nuk pati asnjë rast, për   këto gjenerata që ndonjë nxënës të përsërisë  klasën, përkundrazi pati raste që më tepër se gjysma e klasës të kenë sukses të shkëlqyeshëm në fund të vitit shkollor, (shënimet nga kujdestarët e klasave dhe përgjegjësi i paraleleve të këtyre paraleleve-Dr. Azem Spahiu).

Në vitin shkollor 1998/99 u hap vetëm një paralele e kësaj shkolle, drejtimi i përgjithshëm që kishte 41 nxënës e 36 prej tyre ishin femra.

SHKOLLA E MESME E LARTE E PAVARUR NE ROGANE (ROGAÇICË)

Me vite e decenie ndërtesa e Shkollës fillore “Metush Krasniqi” ishte e stërngarkuar me numrin e madh të nxënësve që vijonin aty. Në këtë objekt shkollor  mësonin nxënësit e fillores, paralelet e ndara fizike të Gjimnazit “Ismail Qemali “ të Kamenicës, paralelet e ndara fizike të nxënësve të shkollës së mesme “Andrea Durrësaku”  të Kamenicës, pra,  mësimi zhvillohej në 3 ndërresa dhe me orar të shkurtuar mësimor. Ishte shumë e nevojshme që të normalizohen kushtet për punë dhe mësim se pasojat e mungesës së lokalit shkollor  të duhur shpreheshin  negativisht në arritjen e rezultateve të pritura në procesin edukativo-mësimor.

Kështu në vitin shkollor 2015/16 u ndërtua objekti i ri shkollor, në të cilin do të kalojnë për të mbajtur mësim 11 paralele me nxënësve të gjimnazit dhe 16 paralele të nxënësve të shkollës së mesme teknike  të shkollës amë në Kamenicë. Kjo shkollë u themelua si institucion i pavarur arsimor me emrin: Shkolla e Lartë e Mesme Mikse  “Sejdi Kryeziu” në Roganë. Me emërtimin e shkollës  me emrin e Sejdi Kryeziut u pajtuan të gjitha subjektet  e shkollës dhe ato lokale, sepse Sejdi Kryeziu është një personalitet i nderuar dhe respektuar: si veteran i arsimit, i burgosur politik, vizionar  për bashkimin kombëtar.

Pasi që u bë konstituimi i organeve profesionale e qeverisëse të shkollës më 2. 6. 2016 u mbajt një solemnitet  me rastin e themelimit të kësaj shkolle ku morën pjesë personalitete

nga komuna e Prishtina, donatorë, prindër, nxënës e mësimdhënës dhe te secili shihej një gëzim i papërshkrueshëm për këtë objekt shkollor. Drejtoreshë e shkollës u zgjodh Farie Kryeziu dhe sekretar Isa Keka.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora