E marte, 10.12.2024, 11:11 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Pesha e vargut për kohët e trishta

E hene, 14.08.2017, 06:55 PM


Analizë libri

PESHA E VARGUT PËR KOHËRAT DHE STINËT E TRISHTA...!

(Mevlyde Mezini Saraçi: “Ç’faj ka vargu”, poezi, botoi QKPSHA Gjakova, 2017)

Nga Sejdi BERISHA

Poezia është si ajo ëndrra, e cila të shëtitë gjithandej rrugëtimit dhe të provokon me kujtimet, me përjetimin e veçantë shpirtëror për të gjitha madhështitë, të cilat mbëltohen dhe koordinojnë bashkë me dhembjen dhe lumturinë. E, kështu, gjithçka mund të shndërrohet në këngë mbase edhe në lapidar zëri, i cili reflekton etjen dhe mallin si diçka që i ngjanë mendimit, të cilin, poetja, asnjëherë nuk mund apo edhe sikur nuk ka kohë për ta thënë deri në fund dhe tamam ashtu siç dëshiron ajo. Andaj, Mevlyde Mezini Saraçi, e cila deri me tash ka botuar katërmbëdhjetë libra dhe është një humaniste e njohur dhe njeri i kauzës kombëtare, me librin e saj më të ri me poezi, “Ç’faj ka vargu”, që e ka të rrumbullakuar në njëqind e njëzetë e shtatë poezi, lexuesit i ofron provokimin si detyrim analizimi, se vargu është jo vetëm lumturia, etja dhe dhembja e këndimit, por është vetë jeta, që, si çdo njeri, jo rrallë e shndërron në histori të veçantë, e të cilën gjë, me insistimin e njerëzores, sikur ia detyron shpjegimit dhe këndimit karakteristik.

Ligjërimi shpirtëror si këshillë njerëzore për të thënë e shpjeguar shumëçka dhe gjithçka

Prandaj, vetë titulli i këtij libri ““Ç’faj ka vargu”, serviret si një këshillë njerëzore, mbase edhe si harlisje shpirti për të thënë e shpjeguar shumëçka dhe gjithçka, sepse, “ngjyra e mallit” dhe “ëndrrat e zgjuara”, kur shprushen mirë, ato janë si një almanak historie, të cilin e rëndon pesha e kujtimeve dhe e ngre lartë koloritin e periudhave kohore nëpër jetë. Këto karakteristika, që tani autorja i bën edhe më të avancuara me peshën e vargut, por edhe specifikën ligjëruese përmes poezive të shkurtra, të cilat pranohen dhe përqafohen më lehtë nga lexuesi, por, edhe me formën e tyre provokon për zbërthimin e këndimit të zjarrtë edhe si dëshmi dhe vendim shpirti, edhe atëherë kur vargu përshkon mendjen dhe shpirtin për liri: ”Liri/Vetëm për ty/Falet jeta gjaku/Dhe jeta jetohet”(Poezia: “Vetëm për ty”).

Autorja, nuk është thjeshtë vetëm ligjëruese e ndijimit të saj shpirtëror, por, ajo na sjellë filozofinë e mendjes dhe metaforën e qëlluar dhe të fuqishme, të cilën duhet kuptuar si trajtesë të karakterit dhe të qëndrimit shpesh të çuditshëm të njeriut, sepse: “... se njeriu e ka kohën e vetë”(Poezia: “Sikur ta dija”)!

Nëse vargut dhe poezisë i qasemi me ndërgjegjen e sinqeritetit, atëherë e vërejmë se autorja përmes poezisë bën sfidë karakteristike dhe “kokëfortësi” për t’i menaxhuar të bëmat e jetës, dhe se kjo, ndoshta sikur ndonjëherë na bën të trishtohemi me vetveten, dhe jo vetëm kaq...! Në këtë formë vargëzon znj. Saraçi edhe tek shumë poezi, duke bërë “matematikë” për tërë atë çfarë ka ndodhur, çfarë ndodhë, dhe kështu për të na përkujtuar se ajo mund të ndodhë edhe nesër... Kështu që, njeriu duhet të jetë më përgjegjës për dhembjen dhe lumturinë, që do t’i sjellë vetes dhe njerëzimit, sepse, jeta i ngjanë një ecjeje jo të zakonshme, i ngjanë pritjes por edhe stacionit, ku mund të pritet edhe deri në pafund(!), dhe në këtë vorbull, mendja shndërrohet në pelegrin duke shpalosur kalendarin, ku, përveç dashurisë, mund, dhe hasen edhe shumë plagë të përçudshme që kullojnë dhe rëndojnë e vrasin...!

Por, edhe përkundër kësaj, vargu i poetes, është edhe plot shend e verë, plot hare dhe gëzim, që do të thotë se me mendjen dhe syrin e shpirtit, botën e sheh dhe e konsideron me plotë ngjyra, që jetën e shndërrojnë në një kopsht me lule, edhe pse, atë, ndonjëherë sikur e begaton madhështinë e tij ndonjë “therrë”, e cila, megjithatë, “ëmbël” shkakton dhembje. Prandaj, edhe na sugjeron: “Dashuro çdo ditë çdo çast” (Poezia: “Dashuro”).

Në këtë libër, të cilën autorja nuk e ka ndarë në njësi ciklike, dhe mirë ka vepruar kështu, përmes vargut zëmadh, por në të njëjtën kohë edhe madhështor edhe qortues, thekshëm prekë historinë, dhe, tani sikur çdo gjë ka dëshirë ta shndërrojë në gërmim dhe zbulim të rrënjëve, si ato të njeriut e po ashtu edhe të fletëve të pa shfletuara të kohës.

Andaj, ajo e preferon dhe e do vetëm sinqeritetin dhe të vërtetën, të cilat veçanti vështirë se përqafohen gjithherë. Prandaj, edhe nuk pajtohet me fatin e hidhur, që në këtë temë ngjashëm këndohet në shumë poezi, sepse: “Asnjë fjalë s’i shëron plagët” (Poezia: “Malli”).

Kur poetja, përherë jeton, krenohet dhe trishtohet me fatin e kombit...!

Njeriu i ynë, përherë ka pasur një histori, sa të bujshme dhe krenare po aq edhe të dhembshme, për çfarë, autorja, normalisht, nuk mund t’i ikën fatit të popullit të vetë, madje, edhe në kohën më të re, gjë e cila është një tablo e veçantë, nëse mund të thuhet, e tragjedisë: “Sonte edhe gjumi është trishtuar/...Kur filizat i këputen në rrënjë/Kur vranë lagjen time...” (Poezia: “Sonte”)! Por, përkundër të gjithave, nuk e harron dot shpresën dhe qëndresën: “I gëzohem kthimit në vendlindje/Në këtë stinë të bukur të ripërtëritjes” (Poezia: “Ringjallje”)...! Dhe kështu, autorja, sikur qëllimshëm bëhet e vetëdijshme që kujdesshëm t’u këndojë të gjitha stinëve, vitit, decenies dhe shekujve, dhe pikërisht për këtë, në secilin varg e hasim begatinë e vargëzimit për kalendarin e jetës, që, shpesh vargu sikur bëhet “fajtor” pse gjithnjë dhe përherë është kasnec dhe shprushes i asaj që as kurrë nuk duhet të vdes dhe as të fshihet...! Në këtë mendim mund të përfshihet fuqia e vargëzimit në “Ç’faj ka vargu”, edhe atëherë kur: “Mbrëmë trokite në zemrën time”, dhe: “Sërish herët në agim u largove” (Poezia: “Pesë vite pa ty”-kushtuar motrës). Tërë këtë që e theksova, fuqishëm e dëshmojnë vargjet: “Fjala ime e shkruar/lundron oqeaneve/fluturon qiejve të bardhë/errësirës i falë dritën/diellit ia puth rrezet/mëngjeseve u përkulet në shenjë mirënjohjeje/për diellin bukën vargun” (Poezia: “Arma ime”).

Duke i respektuar e kujtuar shumë figura të kohërave dhe poetë, autorja u kushton edhe atyre vargje, të cilat reflektojnë ndijimin shpirtëror dhe respektin e lartë për njeriun: “I madhi Dritëro u përjetësua me vargun/Përmes pikave të shiut ndjehej melodi e ringjalljes” (Poezia: “Dritëro Agolli”), ose: “Sonte na shikon me radhë/Dhe nuk flet me gojë/...Ti qenke rinuar poet” (Poezia: “Tek Sheshi Ali Podrimja”). Dhe, po! Poetja nuk është e qetë siç nuk është i qetë as vargu i saj, siç edhe theksova, për të gjitha kohërat dhe stinët. Andaj, këtë libër e shndërrojnë në thelb jete dhe në lapidar edhe vargjet: “Shtatëmbëdhjetë vite lot krenarie/...Varret e shqiptarëve mbuluar me lule/Dhimbja hapë plagë të reja moteve/Në Meje çdo vit vërshon Kosova” (Poezia: “Meja e dhembjes krenare”).

Shpirti përplaset me kohërat, por vargu në asnjëherë nuk vihet në “pranga”

Prandaj, nëse lexohet me vëmendje ky libër, atëherë mund të konstatohet se as vargu dhe as mesazhi nuk vihen në “pranga”, por, as nuk “dhunohen” me ndonjë reliev përkufizues. Andaj, edhe horizonti prej nga shijohet dhe përjetohet këndimi, dhembja dhe lumturia bashkë, sikur vijnë si dhuratë nga lartësitë, kurse, vargjet u ngjajnë xhevahireve fluturues që ledhatojnë dhe ngacmojnë universin dhe thelbin e përjetimit shpirtëror, të cilëve, kurrë dhe asnjëherë nuk i dihet fundi dhe as nuk i dalim borxhi. Kështu që, gjithnjë kemi bindjen se poezia e Mevlyde Mezini Saraçit, shpie lexuesin të jetojë e përjetojë lirshëm, dhe asnjëherë duke mos e penguar askënd që poezinë ta komentojë e përjetojë ndryshe... Pikërisht, kështu ajo edhe krijon paqe me vargun, i japë përjetësi thellësive të mendjes dhe madhështisë, të cilat gjëra gjithnjë i kërkojmë, edhe pse, nganjëherë, edhe autorja dhe vargu bashkë reflektojnë zemërimin dhe hidhërimin njerëzor mbase edhe filozofik...! Kjo ka bërë që fjala në këtë libër nuk nxiton para mendjes, por as vargu nuk shpejton para ndijimit shpirtëror, që me një fjalë, këndimi poetik bëhet shumë i ngrohtë dhe, i qëndrueshëm po se po.

Vargu, ndijimi shpirtëror dhe poetja, përgjatë tërë kohës udhëtojnë, kuvendojnë dhe përplasen me njëri-tjetrin, sepse, jeta, rrugëtimi nëpër kohëra dhe e vërteta përplasen me shpirtin. Andaj, kujtoj se këtë analizë libri, mirë dhe fuqishëm e me mesazhin shumëdimensional, do ta përmbyll me: “Sa shumë kohë duhet t’i mbledh/Copëzat e hartës së  atdheut”...!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora