Kulturë
Vullnet Mato: Përqafuar me erën
E diele, 13.08.2017, 08:37 AM
Vullnet Mato
PËRQAFUAR ME ERËN
Nëse ka një “hiç”
dhe njëherësh gjithçka,
që e dua instinktivisht
dhe më do,
me shtysë të vetvetishme,
që më bën të mendoj për të
e për çdo gjë që ka,
era është ajo,
era e kudogjendshme,
era me furtuna,
me tufane të stuhishme...
Mua shpesh më fluturon mendimi
te krahët e saj transparent,
te flatrat e saj pa kufi,
te liria e saj pa porta,
te fiziku me formë të ndjerë,
te lëvizja e padukshme,
te vrapimi pa frerë,
te fuqia kolosale e erës...
O, jam përqafuar marrëzisht me erën
dhe me vetitë e saj fluide!
Edhe kur rend,
edhe kur çlodhet hë për hë,
era është brenda meje,
përhapur deri në inde
dhe unë i zhytur i tëri
brenda në të...
Ose, ne jemi brenda njëri-tjetrit
dhe duart e saj
herë delikate,
herë të freskëta,
herë përkëdhelëse,
janë brenda jetës sime,
brenda intimitetit,
në lëvizjen e madhe,
në vërtitjen e përjetshme.
Duke gëlltitur bujarinë e saj
gjashtëdhjetë herë në minutë,
kam harruar,
se poezia ime e parë,
me një dashuri,
më të madhe se për zemrën,
duhej të kishte qenë,
për lidhjen e pandërprerë,
asnjë sekondë me erën,
Që më dëbon vdekjen,
me frymën blu të qiellit
dhe më frymon jetën,
me rrezatimin e diellit...
JAM BIR I NËNËS AFRIKANE
Së fundi, shkenca ka vërtetuar katërcipërisht,
prejardhjen tonë nga një nënë leshtore me bisht.
Jemi bij gjenetik, të një Eve të lashtë afrikane,
pas shtegtimit parahistorik në Evropën e madhe.
Nëna jonë, me një turmë pjellje të mbarë,
lanë Afrikën përvëluese me shkretëtira,
arritën në Jemen, disa mijëra vjet më parë,
dhe u përhapën të gjuanin mish nga egërsira.
Kush nuk beson, se mitra e kësaj nëne të zezë,
krijoi zanafillën e kodit gjenetik në gjenezë,
atëherë nënën e parë të popullimit, në planet,
mund ta gjejë brenda gjakut, në genin e vet...
Kemi të gjithë gjak të njëllojtë në damarë,
kot bëjmë dallime race, zezakë e të bardhë.
Jemi një familje e madhe, çngjyrosur nga klima,
përhapur kudo, në Paris, Tokio, Çikago, Lima...
Unë kam një vëlla afrikan, tjetrin kinez,
motrën boliviane, kushëririn eskimez.
Gjuajmë foka, korrim grurë, misër, oriz,
hamë si vëllezër prodhimet e glob-shtëpisë...
Shkojmë te njeri-tjetri, si shpend shtegtar,
më shpejt se zëri, me krahët fluturimtar.
Natën e mirë Tirana, mirmëngjes Nju Jorku!
Përmes erës bisedojmë e shihemi së toku.
Tashmë nuk vras dot, për grindje e hasmëri,
asnjë person, nga shumë vëllezërit e mi,
se m’i ka bërë nëna, ajo zezakja e parë.
Pra, në këtë glob s’kam njeri për të vrarë!...
Po u çmenda të vras, në kulmin e marrëzisë,
kam derdhur gjakun e vëllait tim të shtëpisë.
Më pret fshirja nga jeta, si egërsirë e atavizmit
dhe mallkimi i rëndë i Nënëmadhes së njerëzimit.
LOTI PËR NJË SPIUN
Ai që më përndoqi, si askush më parë,
qe spiun që shkruante poema politike.
Ishte caktuar nga partia, si kryetar,
në celulën tonë të lidhjes artistike.
Ishte një tinëzar i heshtur e i pabesë,
shkelte pas çdo gjurmë të penës tënde.
Ulej paftuar në karrigen bosh të kafenesë,
vilte frutat e papjekura që kishe në mëndje.
Dy poetë të rinj, me talent të vërtetë,
denoncoi me shkrim në sigurimin e shtetit.
Vjershat e tyre shkuan në gjyq të rreptë,
ata u pushkatuan, për nxirje të realitetit.
Ndonëse me disa romane konkurruese,
më denigroi, me smirën e tij të tërbuar,
më linte jashtë listave, për leje krijuese,
gërmonte të më gjente mendim të gabuar.
Së fundi, më denoncoi, diellin qiellor,
sikur ishte partia, që digjte në vjershë.
Pas diskutimeve, inkuizicioni hetimor,
më ndaloi botimin për pesë vjet.
Ai bëri ç’mundi, me të tëra ligësitë,
duke njoftuar redaksitë, se isha goditur.
Ndoshta, për gjynahet e tij një ditë,
zoti e hoqi para kohe, krejt papritur.
Nuk u gëzova, që iku nga kjo botë,
se për asnjë s’kam pasur shpirt katili,
po nëse për të, duhej derdhur një pikë lot,
atë ia vodha fshehtas, një krokodili...
GABEL GURALIU
Gabeli me mustaqet dy pëllëmbë e ca,
ka një bark të rrumbullt, si fuçi birrash,
ka pranë dy dashnore me sisë të mëdha,
ka xhepa të ënjtur, me para vjetërsirash.
Gabeli bllokon klubin, ku këndon tallava,
dhe vë përpara qengjin e pjekur në tavë.
Hedh për kamerierin bakshish në tabaka,
aq sa i paguan pronari punën një javë.
Kur më pikasi mua, që më ka komshi,
ai u gajas së qeshuri, me zë të çjerrë:
“Çoi nga unë një birrë, atij robit aty!”...
urdhëroi kamerierin me ton të prerë;
Dhe tha: ”Kam gjynah për atë rob zoti,
se mban dritën ndezur, deri në saba,
bën libra në vapë, e kur të than i ftohti,
dhe e paguajnë të hajë supë, si kalama!”
U ndjeva aq keq, sa desha ta lë klubin...
Por dashnorja e dehur, më ktheu si zuzare:
-Pije birrën për mua, o Aga, se ta heq turpin,
po ta shtypa kokën mes sisëve, si kokërr arre!
Më ngeci në fyt birra e gabelit milioner,
dhe u betova, për gjithë profetët e shenjtëruar,
në klubin e lagjes, nuk do hy më tjetër herë,
ta kem dhe kokën aq mizorisht të rrezikuar!...
POET ME ZEMËR DERRI...
Shkencëtarët i kanë bërë të ditur botës,
se kanë arritur një mrekulli të vërtetë:
me qeliza injektuar në embrionin e dosës,
sjellin gica me zemra transplanti në jetë.
Dhe trupi njerëzor bindet të pranojë si mik,
zemrën e derrit ngjizur në fetus të kafshës,
për t’u pompuar gjak venave me vërtik,
siç bën limfa e mollës, shartuar me dardhën.
Kësisoj zemërsëmurët s’do presin aq gjatë,
aksidentin e vdekjes së dikujt në rrugë,
zemrën e shëndoshë, t’i marrin dhuratë,
por do shtyjnë jetën me zemër derri në trup...
Pra, mjekët do bëhen kasapë derrash në salla,
të kenë dhe kuzhinat spitalore mish për biftek,
krahas furnizimit të pacientëve, me zemra të gjalla,
siç furnizohen makinat, me pjesë këmbimi në treg.
Por, nëse zemra më ndalet, para finales jetësore,
o Zot i madh, të lutem, nga kjo botë më merr,
të shkoj ku prehen zemrat, me ndjesi njerëzore,
para se të më zgjatet jeta, si poet zemërderr!...
Se për dashurinë ngjyhet pena në gjakun e zemrës,
që nga zemërmadhi Dante Aligieri e Konfuci.
Si mund t’i shkruaj një poezi me ndjenja femrës,
duke iu përgjëruar me zemrën e një derrkuci?!…
39 BIJTË E SHEJTANIT
Thuhet, bota ka dyzet Shejtanë,
tridhjetenëntë janë në Shqipëri.
Shejtan-Baba bredh në çdo anë,
këtu ka lënë gjithë bijtë e tij...
Ata i ngarkoi, në krye të herës,
të zbatojnë kryesisht, një detyrë:
me mallkimin e shpirtrave të skëterrës,
ta kthejnë vendin në shkretëtirë.
Ky vend i shqipove të Ballkanit
të mos quhet më tej Shqipëri,
por “Shkretëtira e bijve të Shejtanit”
ku djallëzia të ketë liri pa kufi.
T’i paguajnë padrejtësi gjyqtarit,
t’i rrëmbejnë pronarit pasurinë,
t’i mohojnë të drejtat qytetarit,
derisa të përshtatet me varfërinë.
Të nxitin birin të vrasë babanë,
të vrasë burri nënën e fëmijëve,
të vriten me thika djemtë tanë,
të shkrumbohen me zjarre pyjet.
Të përhapin kudo gënjeshtra,
me rrumpallë, të prishet rendi,
të sfilitet njeriu, t’i mërzitet jeta,
të vritet shpresa, të braktiset vendi.
Të mbillet me helm droge çdo brazdë,
të mbeten trojet me zhapinj e breshka.
Ndryshe kush qëndron pa ikur jashtë,
të përballet me gjakpirës morra, pleshta...
Ky vend do të shpëtojë nga shkretimi,
po të shporren gjithë bijtë e shejtanit,
dhe të ngulitet në popull mendimi,
vetëm të mençurit i dalin zot vatanit...