Kulturë
Poezi nga Sadulla Zendeli-Daja
E enjte, 03.08.2017, 07:22 PM
Sadulla Zendeli-Daja
JETA IME
Jeta ime ishte si lumi Zall
Që fshatin e ndante në dy anë.
Në njërën anë ishin Dishet, Toket,
Ballet, Zhupanet, Gurret e Meçanet.
N´anën tjetër ishin Kitët, Tushet
e Poshtme dhe Tushet e Epërme.
Ky ishte fshati im ku u linda,
Luajta, u rrita këndova dhe qava.
Në kurbet pa dashur shkova,
E lash vendin tim u trishtova
Erdha duke qarë në mërgim
Për të shpëtuar shpirtin tim.
Tani po e pres vdekjen që vjen ngadalë
Asimilimi në familje ka ardhur pa dashur.
Vdekjen e pres padashtas, pa e adhuruar
Nuk më pyet askush, vdekjen e kam pranë,
As më pyet se kush je ti, me tinëzi më thotë
Eja more eja me mua të jetosh e ke të ndaluar!
Varrin tënd me duart e tua e ke ndërtuar
Më beso se nuk kam kohë të vdes i nderuar.
Vallë pyes veten, vetëm unë të vdes?
Përse të vdes unë i gjori?
Kujt i duhem unë i vdekur!...
Guximi im ishte dëbimi nga vendi im
Vdekja është afruar dhe vjen pa e ftuar
Por s’ia ia kam frikën, më kuptoni të nderuar
Kënga e jetës dhe poezia s’kanë mbaruar!...
ËNDRROVA NËNË E AT
Ëndërrova nënën dhe atin tim,
Sikur kishin ardhur në mërgim
O sa mirë që Ju shohim
Dukeni si do margaritarë
Bijtë e bijat e nënës dhe të atit
Erdhëm të ju shohim,
Malli na kish marrë.
Në mërgim qenka jetë tjetër
Njerëzia ecin e të përshëndesin
Vetëm kokën e luajnë
Buzët sikur me qeshur,
Pa zë të përshëndesin.
Sigurisht e kanë trashëguar
Nga të parët e mërguar.
E jo si ne, O ku je o fqinjë!
Si je o i nderuar, e nderuar!
Qofshi me nder dhe të bekuar,
Pas dëbimit kemi ardhur me u vizituar.
TUNGJATËJETA!
A KJO QENKA BOTA DHE JETA?
Ajo me fytyrën nga ty
Që të ushqen me qumështin e saj
Është nëna jote që shumë të do
Unë me gjoksin tim jam ati yt,
N’gjirin tjetër t’nënës sate motra jote.
Tani Ju jeni një familje me dy fëmijë.
Nëna e Ati do t´u mbajmë në gjirin tonë.
Emrat tanë janë të marrë nga të parët tanë.
Nëna e ka emrin Teutë, Ati Agron
Djali e ka emrin Dardan
Vajza mban emrin Adriana (Illyrija).
O të dashur fëmijët tanë
Shumë ju duam Sa Dielli e Hëna
Sa bota që na rrethonë
Kjo është Bota dhe jeta jonë!
NAT E DITË PËR TY MENDOJ
(Vargje për dashurinë)
E bëja të qeshë në pikë të natës
E bëja të qeshë duke ia shkelur syrin
Kam dëshirë të t´i shoh sytë që shkëlqejnë.
Në këtë çast afër teje jam unë
Më përqafo me duart e tua
Të shikoj në sy
Dhe pres t`më përgjigjesh.
Dua të të kap për dore
Nuk di besimi fetar a do të më lejoje
Me drojë mos më hidhërohesh
Po të ma japish dorën
Sikur ma ke shtruar sofrën.
Po të më afrosh afër
Sikur më ke dhënë besën
Po të t´i përkëdhel flokët
Në shpirt do të ngrohem.
Shpirti dhe dashuria kur bashkohen
Si rrezet e Diellit që njerëzinë e ngrohin
Vargjet e dashurisë i adhuroj
Natë e ditë për ty mendoj.
MËRGIMI O SHQIPTARI
Rrugët e gjera u ngushtuan
Sa herë në rrugë i ndalonin
U drejtuan drejt perëndimit
Shtëpia e fundit e mërgimit
Mëmëdheut me lot në sy
Ia kthyem kurrizin...
Ashtu gdhiu dita e parë në mërgim
Zogjtë nuk këndonin si në vendin tim.
Shpirtra të trazuar
Në mërgim të dëbuar
Disa vdiqën në mërgim
Disa mbetën në amshim
Disa u kthyen të moshuar
Të gjymtuar e të sëmurë
Vdiqën në vend të huaj
Mërgim i shëmtuar
Armikut e tradhëtisë
Kurrë nuk duhet besuar!
PYET MALIN E SHARRIT
TË TË TREGOJË
PËR GJENERALIN E GOSTIVARIT
Pyet Malin e Sharrit
Të tregojë gjurmët e gjeneralit
Pyet Bjeshkët e Sharrit
Kush e tradhtoi Gjeneralin
Xhemë Hasa Gostivarin
Pyet Simniçanët kreshnikë
Pyet fshatarët e malësisë
Pyet gjithë shqiptarët
Për betejat kreshnike
Të Xhemë Hasa Gostivarit.
Pyet shqiptarët e Shqipërisë
Dhe Kosovës së Arbërisë
Pyet gjithë shqiptarinë
Që nga Ohri, Struga e Dibra
Kërçova Gostivari e Tetova,
Shkupi e Kumanova,
Gjevgjelia e Manastiri
E gjithë shqiptaria
Kush ish Gjenerali
Xhemë Hasa Gostivari?
Qofshi të mallkuar o miq të betuar
Si qenj të tërbuar si bishë e ulkonjë
Në besë mikun tuaj e tradhtuat
Kurrë shqiptarët s´do t’ju harrojnë!
Kokën e prerë Xhemë Gostivarit
Ia dekoruat bishës kaukaziane
Çetnike të Serbisë e Maqedonisë
Xhemë Gostivari është i gjallë
Shpirti i tij është pjesë
E shpirtit tonë shqiptar.
O SHARR I MOTMOÇËM
Sharri furtunat i tregoi
Pyet Tetovën e Gostivarin
Ku na mbeti Xhemë Hasa Gjenerali.
Pyet Zhelinën për tradhtarët
E Xhemë Hasa Gostivarit.
Simniçanët Krenaria shqiptare
Gjeneral Xhema me trimat shqiptarë
E mbrojti vatanin nga tradhtarët
E miqtë e tyre nga malet e Kaukazit.
Bini burra se nuk jeni vetëm
Tradhëtarëve dhe armiqve
Do të jua tregojmë të vërtetën.
Pyet Nënën tonë Shqipëri
Në kufi dy fjalë gjeneralit i thanë
Ti lufton për Ballin Kombëtar
Tek Nëna Shqipëri vend nuk ka!
Vaj medet, Xhemë Gostivari tha:
Vëlla me vëlla jemi të përçarë.
Armiku e ideologjia
E lanë Xhemën në kufi.
Barbaria sllave mori hovin
Ndanë shqiptarët në katër anë
Shqipëria Nënë mbeti e cunguar
Shqiptarët mbetën të mjeruar
Xhemë Gostivarin miqtë e vet e tradhtuan
Kokën e Gjeneralit ua dhuruan
Kanibalëve të Kaukazit të mallkuar.
MALL PËR VENDIN TIM
Malli më ka marr për vendin e të parëve tanë,
Jo një ditë a një javë, një muaj, një vit a pesë vjet
I përmalluar pesëdhjetë e dy vjet.
Rrugët, lëndinat, arat e livadhet
Kodrën e Diellit që loznim tek Ballet
Në Shkrepin e Gurrës që luanim
Shtëpi të vogla me gurë, bënim mure
Për kandra e kafshë të vogla
Që natën kalonin ditën fluturonin…
Malli më ka marr të shoh
Kolibet e Maksut Gurrës
Nga ajo kodrinë e gjelbëruar
Mund të shohësh arat e livadhet
E Zapodes, Kupshores
Sheheve dhe Kullën e lashtë
Të mbuluar me diell e hanë
Të trashëguar nga të parët tanë.
KY ËSHTË ATDHEU IM
E unë vuaj e vuaj
Mbeta në mërgim…
Dhashtë Zoti i gjallë
I vdekur të kthehem
Në vendin tim...
Aty mallin që kam për vendlindjen
Ta shtroj shtratin mbi gurët
E kalldramosur të parëve të mi ilirë
Të dëgjoj gjuhën e ëmbël shqipe
Të qetësohem deri në amshim.
Ky është malli për vendin tim.
GËZIM DHE PIKËLLIM
Të dyja në zemrën time
Gëzim dhe pikëllim
Të dyja në një vend.
Pikëllim në një anë
Gëzim në tjetrën anë
Të ndara me njëra tjetrën
Por ajo e dyta, vetë
Pastaj e dyta vjen aty
E mëson tjetrën të hapë derën
Pikëllim i rrallë
Gëzimi im pikëllim.
SADULLA ZENDELI-DAJA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme.ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor…shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargjet… vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijes, rrezet e artë të së cilës i japin ngrihtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë jetës.
Që nga lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijes, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha svidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tash më nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij...
Dua të falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur. ADEM ZAPLLUSHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t´ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare.
Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
SADULLA ZENDELI-DAJA
Hyrje
Sadulla Zendeli-Daja u lind në Sërmnovë të Gostivait. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Vrapçisht të Gostivarit gjimnazin dega e ekonomisë e filloi në Gostivar dhe e vazhdoi në Strumicë- shkollë profesionale për drejtor kooperative. Pas kryerjes së shkollës u punësuar drejtor i kooperativës “Bukovik” me qendër në fshatin Sërmnovë. Pas 6 viteve u punësua në Sipërmarrjen e Hekurudhës Shkup – dega në Gostivar llogaritar financiar, dha provimin shtetëror sipas rregullores së sipërmarrjes. Sipërmarrja e dërgoi në shkollën politike njëvjeçare në Shkup, dhe vazhdoi punën si llogaritar financiar deri më 26 nëntor 1966.
Si njeri intelektual me ide përparimtare Daja që herrët nisi aktivitetin e tij atdhetar duke iu kundërvër në mënyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm i cili me çdo kusht donte t´i çbënte shqiptarët. Pikërisht aktiviteti i tij prej atdhetari u bë halë në sytë e regjimit të atëhershëm, siç na është e njohur ishte ajo periudha famkeqe rankoviçjane, e cila nisi ta ndjek këtë atdhetar. Mu për këtë Daja u shtrëngua të lë vendlindjen dhe të kërkoi strehim në Suedi.
Mërgoi më 28 nëntor të vitit 1966 në qytetin universitar të Suedisë - në Upsala. Fillimisht kreu e paraprak të gjuhës suedeze, pastaj diplomoi për shkencat filozofike në Universitetin e Upsalës, studioi dy vjet gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes – Dega e Albanologjisë (shef për degën e Albanologjisë profesor Thoma Kacorri. Dhe më vonë kreu shkollën e lartë Bibliotekare – drejtimi universitar dhe i sipërmarrjeve në Borås. Sadulla Zendeli-Daja u punësua si shef i bibliotekave të shkollave në Nybro.
Aty pa se gjëja më e shtrenjtë për fëmijët ¨shtë ruajtja dhe kultivimi i gjuhës dhe traditave kombëtare. Mu për këtë u angazhua që të hap shkollën shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptar. Kësaj ia arriti me sukses dhe kështu hapi shkollën e parë në Nybro, pra , që nga 5 mars i vitit 1975 nisi të punoj si arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro me 12 nxënës më vonë hapi shkollën e parë shqipe në Emmaboda me 5 nxënës dhe në Kalmar 10 nxënës, punë kjo të cilën vazhdoi ta kryej me entuziazëm dhe kënaqësi. Përveç punës së palodhshme si arsimtar i gjuhës shqipe dhe bibliotekar, Daja është autor i një varg shkrimesh publicistike dhe botime të fjalorëve dhe librave për fëmijë.
Në vitin 2001shkoi në pension duke u lënë arsimtarëve Raif Mehmeti 65 nxënës në Nybro dhe arsimtarëve: Sali Komoni, Milaim Lekaj Hasan Sula dhe rreth 70 nxënës të gjeneratës së dytë. Për këtë ndihmë 27 vjet si shef i bibliotekave të shkollave dhe arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro, Emmaboda dhe Kalmar dhe puna e palodhur për çështjen kombëtare, Sadulla Zendeli Daja shprehet.
“Unë jam njëri ndër mërgimtarët tanë në Suedi, i dëbuar me dhunë para 50 vitesh. Rrethanat e jetës në mërgim , siç mund ta dini, janë mjaft të ndërlikuara e të vështira. Duke qenë larg atdheut, mërgimtarët tanë i pret pashmangshëm asimilimi i pjesshëm ose ai i plotë. Ajo që brengos çdo njeri në rrethanat e jetës jashtë atdheut është ruajtja e gjuhës shqipe”.
Sadulla Zendeli Daja ka qenë dhe është shumë i afër me bashkatdhetarët tanë në Suedi, të cilët kishin marrë rrugën e mërgimit ugurzi nga dhuna që bëhej në trojet e tyre shekullore. Këtë Daja mirë e dinte dhe e kishte përjetuar në kurrizin e vet, gjatë veprimtarisë së tij në vendlindje. Arsimtari Daja në komunën Nybro përveç shkollës shqipe , bashkarisht me bashkatdhetarët e tij hapën shoqatën e parë shqiptare me emrin “Ilirida”.
Për herë të parë u ndanë shqiptarët nga shoqata “Vuk Karadjiq”, e cila bënte presione për ndarjen e shkollës shqipe nga ajo serbe. Me këtë ndarje të nxënësve shqiptarë, hapjen e shoqatës shqiptare, hapja e shkollave shqipe, hapja e një restoranti me emrin Shqiponja që e kishin si halë në sy, aty valonte flamuri shqiptar dhe simbolet kombëtare, duke marr pjesë në demonstratë të shqiptarëve në perëndim, mu për këta veprime të ashtuquajtur nga regjimi i atëhershëm propagandë kundër jugosllave Dajës ju ndaluar hyrja në vendlindje për 20 vjet. Daja ishte dhe është krenar për këtë aktivitet demokratik për mbrojtjen e shqiptarëve në trojet e tyre të okupuara. Ai thotë: “Të këqijat ua lërë atyre që sot dihen si gjeneratë e okupimit, diskriminimit, shfrytëzimit, korrupsionit, tradhtisë dhe gjenocidit shqiptar dhe atij boshnjak”.
PËR KULTURËN SHQIPTARE NË SUEDI
Daja ndihmoi po kështu me hapjen e shoqatës kulturore shqiptare ”Kosova” në Kalmar, një ndihmë e veçantë erdhi nga të rinjtë shqiptar nga ky qyteti ku Daja i ndihmonte dhe organizonte funksionimin e shoqatës si zëdhënës, po kështu organizimin dhe afrimin e bashkatdhetarëve, grave fëmijëve dhe të rinjve në shoqatë. Për këtë Sadulla Zendeli -Daja Shoqata Kulturore Shqiptare “Kosova” Kalmar me kryetar Juristin Zymer Kuqaj e zgjodhën Anëtarë Nderi në qytetin Kalmar të Suedisë. Po kështu Komuna Gostivar në vendlindjen e tij, Kryetari i Komunës profesor Nevzat Bejta dhe komisioni për dhënien e dekoratave e zgjodhën anëtar dderi i Komunës së Gostivarit duke ia dhuruar çelësin e qytetit Gostivar.
Ka reprezentuar librin shqip në Panairin e Librit në Göteborg të Suedisë, duke u lidhur ngushtë me Shtëpinë Botuese Toena Tiranë dhe Shtëpi Botuese të tjera përmes firmës Bokimport Export Daja qe tu ofroj bashkatdhetarëve dhe shkollave shqipe librin shqip nga Shqipëria, Kosova dhe trojet tona. Në stendën e librit shqip në Göteborg valonte flamuri shqiptar dhe takimi me shqiptarët në mërgimSuediSkandinavi dhe më gjerë.
SHKRIME PUBLICISTIKE TË BOTUARA
1. Katalogu i librave në gjuhën shqipe dhe gjuhëve ballkanike
në bibliotekat suedeze nga viti 1948 deri më 1973, publikim i brendshëm Nr. 142 (Shkolla e Lartë Bibliotekiste në Borås).
2 Punimi me titull Historia e shqiptarëve, nga viti 1973, (publikim i brendshëm në bibliotekën e shkollës Åkrahäll Nybro 1975)
a) Vjeshta e përgjakur
b) Gurra e Shën Mëhillit
c) Drejt Gostivarit
ç) Tmerri i Vardarit
d) Ditë feste për okupatorët – ditë mortore për shqiptarët, etj. Shumica prej të cilave janë botuar edhe në revistën “Besa, ku Daja ishte njëri prej redaktorëve të saj.
FJALOR DHE LIBRA PËR FËMIJË TË BOTUARA
1Fjalorin e parë në suedisht – shqip me 17.000 fjalë
të përdorimit të zakonshëm, të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 23.000 fjalësh dhe 65 fotografi tematike me ngjyra Botues Enti për shkollim i Suedisë, 1994.
2 Fjalori i dytë suedisht-shqip me 28.500 fjalë të përdorimit të zakonshëm të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 54.000 fjalësh dhe 66 fotografi tematike me ngjyra, fjalori përdoret edhe si mjet pedagogjik – mësimor në shkollat shqipe në Suedi dhe në internet. Në këtë fjalor Daja haptas demaskon dhunën 100 vjeçare kundër gjuhës dhe kulturës shqiptare, diskriminimin dhe keqtrajtimin për përdorimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Botues Enti për shkollim i Suedisë, Stokholm 2004.
3 Fjalori suedisht-shqip me 10.000 fjalë
Fjalori themelor suedisht-shqip është i pari i këtij lloji që ju në dorë nxënësve të shkollës 9-vjeçare dhe të mesme që mësojnë në këtë gjuhë. Ai përmban rreth 10.000 fjalë të ligjërimit të përditshëm, të dhëna sipas rendit alfabetik. Si formë bazë e foljes jepet koha e tashme e mënyrës dëftore, ndërsa për emrin trajta e emërores së pashquar njëjës. Trajtat e parregullta të lakimit jepen si zëra të veçantë, me referim te forma bazë përkatëse sipas transkriptimit të mbështetur në shenjat e alfabetit fonetik ndërkombëtarë. Theksi në transkriptim e fjalëve të suedishtes është shënuar me simbolin (‘ ). Përveç barasvlerësit shqip të fjalës titull të gjuhës suedeze, në fjalor jepet edhe një shpjegim i thjeshtë i kuptimit të fjalës me sinonime apo fjali të thjeshta në suedishte. Në përgjithësi, veç kuptimit të parë, jepen dy a në ndonjë rast më shumë kuptime për secilën fjalë. Për dukuri e nocione të veçanta janë dhënë shpjegime plotësuese dhe sqarime të nevojshme. Ky fjalor është hartuar duke mbajtur parasysh kërkesat e programit për nxënësit e shkollave të mesme si brenda orës mësimit, ashtu edhe për të lehtësuar punën e tyre në leximet jashtë klase. Ai mund të përdoret për shkollat suedisht-shqip dhe shqip-suedisht. Fjalori mund t´u vijë në ndihmë dhe mësuesve , duke ofruar material gjuhësor të thjeshtë, por të dobishëm, i cili mund të shfrytëzohet në etapa të ndryshme të procesit mësimor.
Fjalori mund t´u shërbejë dhe gjithë atyre që interesohen për mësimin e gjuhës suedeze, për t´i ndihmuar të shfrytëzojnë literaturë jo shumë të vështirë në këtë gjuhë nga fusha të ndryshme të dijes. Në këtë kuptim, ky fjalor merr gjer në njëfarë mase edhe karakterin e një fjalori shpjegues. Me botimin e tij mendojmë se kemi përmbushur synimin tonë të kahershëm për të pasur një fjalor me karakter theksuar mësimor- Përpilimi dhe përkthimi i fjalorit është bërë në Suedi (Färjestaden). Autor i fjalorit suedisht-shqip është mr. fil. Sadulla Zendeli Daja. Redaktimi dhe korrektura e Fjalorit është kryer në Shqipëri nga prof.. dr. Rami Memushaj (Tiranë) ndërsa korrektura e përkthimit është bërë në Suedi nga master Lindita Zendeli (Stokholm) dhe kand.filol. Suzanna Holm (Malmö). Botimi i fjalorit është bërë në Shqipëri nga Shtëpia Botuese Toena (Tiranë). Fjalori suedisht-shqip u shtyp në Shqipëri në vitin 2017.
4 Fjalori im i parë i lustruar shqip-anglisht-italisht-Suedishst Përkthye Meri Toçu, Përkthye në suedisht mr. fil. Sadulla Zendeli-Daja.
Një fjalor i dobishëm, zbavitës dhe me një përdorim shumë të thjesht për prindër ose mësues, të cilët dëshirojnë t´i drejtojnë fëmijët në mësimin e një gjuhe të huaj. Janë zgjedhur fjalë të përdorimit të zakonshëm, të lidhura me jetën e përditshme, familjen, shtëpinë, lojërat dhe shollën. Ilustrimet e këndshme me ngjyra, të cilat shoqërojnë çdo fjalë e bëjnë konsultimin me tekstin më të thjeshtë dhe zbavitës. Një fjalor, i cili ka qëllimin e dyfishtë: t´u japë prindërve dhe mësuesve udhëzime të qarta si mbështetje të punës së tyre dhe fëmijëve një instrument të këndshëm loje dhe të kuptuari.
5 Ka përpiluar një gramatikë për klasën e parë deri në klasën e nëntë, Botimet Toena Tiranë, 1998
6 Një fletore pune Gjuha jonë që nga parashkollorja deri në klasën e trete.
7 Ka përkthyer libri për fëmijë të autorit Fatmir Toç Skënderbeu në suedisht.
8 Ditari i dhimbjeve, poezi Botimet Toena Tiranë, 2011
9 Ditari i kujtimeve të paharruara Botimet Toena Tiranë, 2013
10 Moj e dashura Arbëri Botimet Toena Tiranë, 2014
11 Gostivari në zemrën time Botimet Toena Tiranë, 2014
12 Kur e kam atdheun , kam gjithçka Botimet Toena, 2016
13 Fjalor shqip-suedisht me 35 000 fjalë Botimet toena 2013.
- Parathënie shqip-suedisht,
- gramatika e gjuhës shqipe dhe suedeze 12 faqe.
- Shkurtesat 4 faqe,
- Pak fjalë për historinë e gjuhës shqipe, shqip-suedisht 10 faqe.
- Ky fjalor i përmbush të gjitha kriteret mbi të cilat ndërtohen
fjalorët dy gjuhësor.
- Është punuar me kujdes të veçantë sa i përket makrostrukturës
së tij
-përmban informacione shtesë për jetën, kulturën e psikologjinë
e popullit shqiptar dhe popullit suedez, me çka
paraqet pasurim lëndor e me vlerë për përdoruesit.
-Fjalori shqip suedisht me 35 000 fjalë rreth 1600 faqe është një vlerë kapitale për bibliotekën tuaj, për fëmijët tuaj, arsimtarët dhe nxënësit shkollës shqipe në diasporë dhe vendlindje.
Fjalorin ua dedikoj bashkëkombësve të mi dhe mërgimtarëve në Suedi e kudo në botë; popullit dhe shtetit suedez që më përkrahën dhe ma dhanë lirinë.
ENDE JAM I GJALLË
Jam gjallë me lapsin në duart e mia
Me dashuri shkruaj vargje dëgjoj këngë
Që më bëjnë të këndoj dhe të qaj...
Kafenë e bëj duke m´u dridhur duart
I them “Çunit” * dëgjo këngët e mia
Këpucët i mbath gjalmat s´mund t´i lidh
Kalon dita ditës duke shkruar poezi...
Kur zgjohem herët a vonë nga gjumi
Pyes vetveten: a më dëgjon “Çuni”
O sa ditë e këndshme kur dola në dritë
E shoh se jam vonuar poezi të qëndis
Siç vonohet dimri të na vijë në derë
E ftoj rininë time ta përjetoj edhe një herë.
Vajzat e mitura me kandila në dorë
Kalojnë me shend pranë dritares sime
Më thirrin Eja xhaxhi ynë të lozësh me ne
Edhe ty do të japim një kandil të bëj dritë
Ecë të na kapish për dore kur vrapojmë
Me kandilat si flakadan dritë për lirinë
Ec edhe ti me ne xhaxhi ynë!
Kur i shoh fëmijët e ndjej veten si me qenë i ri
Kujtimet fluturojnë, krahët janë të rëndë
Shpirti donë të këndoj, por zërin nuk e kam
Shkoj në shtrat t´ia krisi gjumit të lehtë
Edhe një ditë të përjetoj, poezia vjen vetë.
EMRIN E KAM TETËDHJETËEDY
Pyes veten:
Shekujt apo jeta më mashtrojnë
Jeta herë pas here më mundon
Kohën ma merë e prapë s´e kthen
Ky shekull me thumba më thumbon
Dashuria ndaj vendit tim s´më mungon.
Punoj, krijoj, bisedoj, këndoj e qaj
Mbeta në mërgim me djem, vajza
Nipër, stërnipër mbesa e stërmbesa
Në dhe të huaj vuaj dhe përsëri vuaj
I mbaj vuajtjet në shpirt e në fjalë
Zemrën time vetëm për Ju e ruaj.
Njëzetekatër anëtarë në familje i lash
Dritën e vendlindjes pak e pashë
Vajmedet sa familje mërgimtare
N´dhe të huaj si unë kanë mbet
Mëmëdheu ende nuk na ka gjet
E ne as që e njohim aq sa duhet
Asimilimi është i egër i sigurt
Mbeta këtu kështu si jam i urtë.
Eci, këndoj, qaj e vajtoj
Askujt dhimbjet s`ia tregoj
Zanat e atdheut më mungojnë
Vitet shpirtin ma okupojnë
Mos vallë fati na ndëshkoi
Të mbetemi përjetë në mërgim
Mos vallë Zoti na ka gjykuar
Apo armiku na ka mallkuar
Që në vend të huaj të jetojmë!
Ky shekull me thumba kuajsh
Këpucë të reja më ka dhënë
Rrebeshi i pafund në kurrizin tonë
Dielli dritën e kursen terrin e lëshon
Hëna me dritën e bekuar më orienton.
Meditoj e n´kalendar ditët i numëroj
Me gishta shumën e dhunës e pjesëtoj
Në dritë dua të dalë ëndrra ime
Për ta parë të bashkuar
Atdheun tënd e Shqipërinë time.
Diellin hënën e yjet shumë i dua
Dielli edhe nën hije më djeg
Hëna rrugën ma ndriçon
Shikoj qiellin e kthjellët
Vapën dua ta ndaloj...
Unë të kthehem n´vendin tim
Pa drojë të eci me pahirë
Kur vendi im të jetë i lirë
Me ëndrrat e mia e me ty
Emrin e kam tetëdhjetedy.
HIJENAT E BALLKANIT
Oj serbi moj hilemadhe
O moj dhelpër e Kremlinit
Mos e ngul murin e Berlinit
N´Mitrovicën e Kastriot trimit
O moj bishë që çirresh më kotë
Mos na shqetëso në këtë botë
Mos e përflak historinë me barot
Shumë luftëra ke kallur
Dhe mebete qyqe në dëborë
Humbjet i ke pas lule/kurorë!
Armiqtë tu kanë rrethuar
Biografinë ta kanë blinduar
Kroacia, Sanxhaku e Vojvodina,
Kosova me trima e martina
Shqipëria e shqiptarët
Kudo që janë aleatët tanë
Blanën e humbjes e ke në ballë!
Mos mendo për Mitrovicën
Për pasurinë Ilire në Ballkan
Ata që të nxisin e përkëdhelin
Populli serb s´ka dëshirë të vdesë
Jeton me mëshirë e me shpresë
Mbet vetëm me gjilpërën e me perin
Çetnikët e mallkuar ia bënë sherrin.
Gjithë ata që kanë vendin e vet
Do ta mbrojnë me dinjitet
Çdo shqiptar e kemi mbret
Moskovitët tuaj të uritur
Nxisin serbët gjakatarë
Të vrasin njerëz të pafajshëm.
Shqiptarët janë bijtë e bijat e Ilirisë
Nuk mendojnë t´i sjellin dëm Serbisë
Ata do të mbrojnë tokat e Ilirisë
Kundër hijenave kaukaziane të Serbisë.
KTHEHU
(Kushtuar një nëne)
Të thash kthehu!
Kthehu këtu!
Të lutem mos harro,
Se fillikat kam mbetur,
Si një pemë e vetmuar,
Prej zjarrit shkrumbuar...
Pres të kthehen zogjtë shtegtarë,
Të shkëmbej me ta dy fjalë!
Dal në lëmë,
Shkoj në fushë e shkoj në mal,
Dhe nuk dëgjoj asnjë zë,
Asnjë fjalë.
Oh, ku jeni, o zogjtë e mi,
Që zemrën ma keni ndarë në dy!
Kthehu, biri im
Eja këtu duke fluturuar,
Se sofrën ta kam shkruar
Dhe po pres me zemrën ndër duar!
Oh, jetoj veç me ty në mendje,
Kthehu në folenë tënde!
Dhe mos harro, o bir;
Kur të vish, pyet për mua,
Do të thonë se ku jam...
Do të më gjesh nën këmbët e malit,
Të tretur prej mallit,
Dhe me plagë në zemër,
Aty do të gjesh dhe një gur pa emër,
Nën atë gur, do të dëgjosh rënkimin tim,
Nga dhimbja për ty, o biri im!