Kulturë
Muça: Lirika në 'Kurthin' e risive estetiko-stilistike
E shtune, 29.07.2017, 07:55 AM
Lirika në “Kurthin” e risive estetiko-stilistike
(Vëzhgime rreth librit “Bregu i heshtjes” i Mimoza Çekiçi Rista)
Nga Vladimir Muça
Në Panairin e Librit në Durrës u takuam me një zonjë të nderuar, poete ekspresive, po aq dhe të çiltër në komunikim, me një shikim të ngrohtë e dashamirës që fshihte pas syve të shkruar shumë diell poetik.
“-Besoj se ju jeni Mimoza Rista, të njoh mes poezive!
-Ju jeni Vladimiri, ju kam ndjekur. Ju komplimentoj për për mendimet tuaja. Jam e nderuar t’ju dhuroj librin e sapo botuar “Bregu i heshtjes”.
-Ju falenderoj! Jam interesuar për një njohje më të thellë të poezisë tuaj. Me ç’kam lexuar në portalet elektronike më duket poezi e çiltër, në të shoh veteveten tuaj. “
Librin e dhuruar e lexova telegrafisht sapo u ktheva në shtëpi. Që në poezitë e para libri më emocionoi nga thjeshtësia e të shprehurit poezi, krijimi i raporteve të drejta mes ndjenjës, mesazheve dhe idesë në një pjesë të mirë të poezive.
Nëpër vargje dhe strofa më rrëmbyen në shtjellat e tyre motivet, shumia e figuracionit, zgjedhja dhe punimi me kujdes i fjalorit poetik si dhe dramaciteti liriko- social e qëndrimi refraktar i poetes ndaj absurdit në shoqërinë e sotme.
Në sytë dhe mendjen time më portretizohej gruaja poetiko- intelektuale, me karakterin e saj të ““egër”, ndaj këtij absurdi, duke na dhënë psiko- terapinë nëpërmjet mesazheve, për një të ardhme të dëshiruar në një substancë të re kohore.
Me kontributin e saj, sa modest aq dhe antraktiv në gjuhën poetike, Mimoza ngulmon të kontribojë në realizimin e misionit të poezisë si paraprijëse e zhvillimeve historike- shoqërore.
Vëllimi “ Bregu i heshtjes” botuar me shumë kulturë nga shtëpia botuese “OMBRA GVG” në 2015, me redaktor poetin Sokrat Habilaj, me redaktor teknik Riza Braholli, tregon se kemi të bëjmë me një poete jo të rastësishme, por krijuese me një shpirt lirik të mirëfilltë dhe serioze.
Në shuminë e tyre, këto lirika, vinë “ngopur” me emulsione figuartive, metafora dhe simbolizma pikante, ku hera – herës poezitë marrin karakter erupsiv. Poezitë të ekzaltojnë e të fusin në meditim. Lexuesi, kushdo qoftë, futet në një dramacitet liriko- shoqëror, si në një det, herë në bunacë e herë të dallgëzuar ku vështirë se mund të dalësh pa u “ mbytur” në vorbullat e ndjesive poetike.
Vëllimi përfshihet nga një sërë emotivesh subjektive. Kjo i ka dhënë produktit, në tërësinë e tij, hapësira shumëdimensionale, si në planin shoqëror e shpirtëror. Në iracionalitet libri “ Bregu i heshtjes” nxit te lexuesi interesin, e ngërthen lexuesin në shumëllojshmëri problemesh, ideshë dhe motivesh të cilat i kanë krijuar autores mundësinë të hapë dritare meditimesh. Në tërësinë e vlerave kjo përbën dhe tabanin, thelbin e paradigmave poetike.
Mimoza Çekiçi (Rista) në këto 107 poezi të paraqitura si një bashkësi ndjenjësore unike, ku motivet vinë si rrjedhë llogjike e jetës të vetë poetes, gjer në personalizim, plotëson hapësira shpirtërore me reliktet individuale.
Kësisoj autorja arrin që t’i bëjë mamografinë jo vetëm shpirtit të saj, por dhe njerëzve të dashur, pse jo dhe lexuesit.
Nëpërmjet metaforave, simboleve, anaforave e similitudave, poetja na pikturon poetikisht tabllotë e jetëve me hoje shpirtërore, në funksion të fisnikërimit, të shpirtëzimit, përmes tabulateve të artit poetik.
Nga mënyra e ndërtimit të thjeshtë, kolorit artistik, koncepteve filozofike, këto lirika në tërësi, marrin vlera të arrira, duke na dhënë të veçantën artistike. Në aspektin artistik, kjo ka sjellë dhe një lloj risie të lirizmit në udhën e modernitetit vendali, larg huazimëve shabllone, me klishe klasike; ndaj dhe në shuminë e tyre, krahas vlerave artistike, ato përcjellin dhe vlera ideore, mesazhiere, stilistike.
Ndjenja, ideja, mesazhi, kanë një konvergim të atillë sa që të duket se poezia vjen si një aliazh unik, brujtur me maja artistike bio- shqiptare, duke i dhënë poezive vlera të mirërealizuara në planin estetiko –stilistik.
Letërsia, si art individual, ka dhe personalitetin e vet. Në kontekstet poetike të librit “Bregu i heshtjes” në tërësinë e botës njerëzore, femra është heroina e poezisë lirike, e mpleksur në të shumti në trinitetin vajzë- femër- nënë.
Në këtë trinitet, poetja Mimoza tashmë vjen si një krijuese e një moshe të maturuar, në eksperienca në jetën shoqërore dhe letrare, ndaj dhe pasqyrimi i vlerave liriko- sociale të poezisë vjen si një promotorr në rizgjimin e e ndërgjegjes njerëzore, vjen si një prioritet poetik në poezitë “Kostandinës”, “Inati”, “Tespijet”, “Babai”, “Tingujt e klarinetës”, ku :
“ Do vij çdo dhjetor nga malli zhuritur,/ Më mat me bastunin, më shaj si di ti./ Më thuaj: Ku ishe moj bijë, të kam pritur!/ Pastaj le të mbushim nga një kupë me raki”, ndonëse ajo tani u bë grua e thirrmon si nënë: ‘”E mira e mamit, hyjni, dalë prej drite/ Të vështroj e s’bindem. Kaq shpejt u rrite!”
Ky status shoqëror e angazhim poetik vjen si një domosdoshmëri kohore e kësaj kohe, mes absurdesh sociale, ku feizbuku poetik po mbushet me buzë e shalë e poezia sociale, ai lirizmi i ëmbël ndjenjësor po lihet mënjanë, po konsiderohet si temë e konsumuar, arkaike.
Me angazhimin e saj në temat sociale, të mardhënieve prind- fëmi, femër- mashkull, Mimoza po e risjell këtë traditë të lirikës jo vetëm në sensualitetin femëror por edhe në angazhimin shoqëror, si një poezi e vërtetë, sa virtuale, aq dhe njerëzore, si një paradigmë që duhet të udhëheqë lirikën në të ardhmen.
Me të dashurit e saj, ajo shëmbullon si mes qiellit dhe tokës, me cilësinë funksionale të ozonit, në mbrojtjen e institucionit të familjes, në ruajtjen e kujtimeve e ndjesive më të bukura. Kjo ndodh se poetja jonë tashmë:
“Tek lija pas vitet e mija/ Një vajzëri në formë gërsheti”, mbush këtë vrimë të zezë shoqërore të “ozonit” absurd.
Në vitet e dogmatizmit letrar, poezia sociale çensurohej gjer në “ surealizëm” dhe merrte trajtat e dogmës, megjithëse nga këto kufizime lindi dhe një art i vërtetë, si ai i Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut, Koçi Petritit, Frederik Rreshpes, Moikom Zeqos etj.
Nën hijen poetike të tyre, poetja Mimoza Çekiçi( Rista) me simbolin, metaforën, sinonimën, ka arritur të çajë me sukses pancirin e këtij dogmatizmi socialist, të shmangë imitacionet e sotme sharlatane e pornografike në poezi, duke dhënë shembullin e thjeshtësisë e të sinqeritetit artistik, duke përcjellë tek lexuesi shumi mesazhesh nënkuptimore.
Ajo din të shkrijë në një personalitet poetik një art sa realist aq dhe ekzistencial, ku në poezinë “Ngjashmëria ime” definon: “ I ngjaj vetes/ si asnjë ngjashmëri/ I ngjaj fjalës / Që mbjell zemra./ Jam porta e ylberit kur ti hyn brenda” sepse tek poezia “Do kthehem” : “ Se ikjet e përkohshme e kanë një kthim,/ Po pritja ime është dhimbje e pa tretur.”
Apo kur shkruan për trishtimin që e pushton, vargjet ajo i vesh me nota të tilla poetike sa që përfshijnë përjetimet në ato ndjesi siç i ndjen tek poezia " Nallonet" ku:
" Relike nallanet me rripkat e kuqe/ në mend më kanë mbetur;/ Gjyshi nuk është më të më lexojë / Nallanet më s'di ku janë tretur."
Ndryshe nga kjo nostalgj, nga kjo dhimbje kujtimore e shpirtit, lirikat e dashurisë vinë të ëmbla, si preludë dashurie, të përkëdhelin parzmin e shpirtit dhe të zgjojnë tingujt muzikorë të zemrës, duke zgjuar hovet rinore e duke hapur shtigje arratisjesh në ishuj përhumbjesh.
Autorja e kthen poezinë në një strehë ëndrrash, ku lotët e gëzimit, të mallit, të larg- ndarjes, i kthen në lule jargavani, ku nanurisin këto ëndrra mes nektarit të shpirtit.
Kjo dashuri universale gjen vendin e vet dhe ahere kur vargu i poetes rënkon për një tjetër ajër, për një tjetër jetë atje në mërgim. Personazhi poetik në retro, rijeton anë gjolit të liqenit të Pogradecit, hiqet zvarrë nëpër gjurmat fëminore, duke u vrarë nëpër guriçkat e anëbregut, atje ku eshtrat e stërgjyshërve thërmohen prej dhimbjes.
Gjithçka alternohet me dramacitetin poetik social ku në poezitë " Tespijet": " Nga lotët tradhtohen shpejt,/ Dhe dera e ngrirë mbi to mbeti." Ku mes qiellit dhe tokës një lidhje e pandarë mban pezull një "materie kujtimore" në pavdekësi; apo tek poezia " Nga Pogradeci", ku: " Ti s'e dije, jo, brenda vetes ç'mbajta,/ Si i fshihja klithmat nëpër dhëmbë." " Në njerin ku çapit e përditshmja,/ Rrugicave vrapon në tjetrin fëminia."
Ky kulminacion poetik arrin gradentin e tij në poezinë " Unë mjelma e gjolit" dhe" Kohë krize" ku dramaticiteti liriko- social, me anë të nocioneve ekzistenciale, poetja definon:
"Më shohin në të lodhur/ Dhe duket, veç buzëqeshje lypin/ E mua që në gjoks një sqep prej zogu / Më ha tek kujtohem, kam veç shpirtin".
Këtij ekzistencializmi, ajo që i jep jetë dhe dukuri të veçantë poezive të Mimoza Ristos është natyralizmi si një risi e mbartur nga jeta boheme. Etalone të kësaj ndërthurjeje janë poezitë " Netë në Paris", " Varrezat e Monmartrit në Paris", " Pejsazh nate" ku çdo gjë në subkoshiencën e poetes: “Luajnë melodi të Çajkovskit me mjelmat".
Edhe në kuadrin e lëvizjes feministe, ky dramaticitet social, në këtë ekzistencializëm, në komplecitetin e mardhënieve burrë - grua, tek poezia " Inati", vjen si një alternativë e një substance të re kohore, ku nëpërmjet mohimit të mohimeve dhe të integrimeve sociale, autorja sjell raporte të shëndosha në institutucionin e familjes ku: " Ndodh nganjëherë ta ngresh zërin, / Ndodh dhe të heshtësh kur bëj gabim./ Kur bërtet fjala më ngjan me helmin,/ Më bëhet të iki diku larg, në harrim."
Ndonëse në shumë poezi Mimoza shkruan me metrikë e varg klasik, tradicional, vargu në sajë të gjetjeve artistike, metaforave e simboleve noton në ujra të modernitetit, me një stil origjinal, herë - herë me dukuri futuriste, ku poezia, edhe kur nuk ka emrin e autores, e kupton se krijuese është Mimoza Çekiçi ( Rista).
Kjo dukuri vjen nga që autorja si vëzhguese e mirë e trilleve njerëzore, nga poezia në poezi, luan topthi nga strofa në strofë me kalamendjet lirike, herë të një femre të maturuar që i drejtpeshon ndjenjat, herë si nënë në raporte të ndërsjellta me fëmijët, herë si një fëmijë me guriçkat buzë liqenit, me mjelmat e me tespiet e babait.
Ajo i thur poezitë në mënyrë origjinale, të papërsëritshme si poezi të një fryme, duke i përjetuar këto krijesa në tension personal, si në kërkim të vetvetes, gjer në opsione në ngjyrime metafizike.
Në këtë kontekst ajo ka krijuar stilin e saj, në botën që e rrethon dhe e përkujton këtë ngjizje, mjeshtrisht e plot art. Me fuqinë e artit poetik në këto poezi ajo ndërthur mitet e origjinës etnike, kultin e vendlindjes, hyjnizimin e Enkelanës si apotheozë shpirtërore, ndaj fryma poetike vjen si nga një tejskajshmëri horizontesh duke kapërcyer kufijtë e substancës të kohës krono.
Si kujtesë për të gjithë
Me këto vëzhgime jam munduar të evidentoj disa nga vlerat tërësore të këtij produkti poetik. Sigurisht që poetja po e strukturon profilin e saj krijues. Në këtë proçes krahas pahut të miellit poetik, në limimin e vargut, përzgjedhjeve të trilleve, të fjalorit poetik,e pa evitueshme, siç mund t'i ndodhë dhe poetëve të afirmuar, hasim dhe egjëra e ashkëlaza.
Me dashamirësinë që më jep statusi i një kritiku, në të mirë të artit poetik, por dhe të poetes së nderuar, zonjës Mimoza, do të evidentoj sipas bindjeve të mia, disa mangësi të cilat më trazuan disi shijen gjatë leximit.
1. Në poezitë "Bashkë në jetë", " Bisedë pa shkak", " Heshtje", " Ti ajri im", " Stan", sidomos në përmbyllje të poezisë, ( kjo ndodh në shumë poetë, gjoja si kulmim poetik) vërehen dukuri deklamacioni, pa dashje poeti, poetja, kalon në retorikë.
2. Poezia në tërësinë e saj duhet të lundrojë mes një barazpeshe të subjektit, ideve, mesazheve me ndjenjën që përçon. Në poezitë "Guacka e flakur në Latraq", "Ne", "Sërish pak", " Në stacionin e metrosë Sintagma", " Ndodh", ku ideja, mesazhi, mbisundon ndaj ndjesisë poetike, ka valenca më të larta, poezia vjen e vagët, si e akullt, cerebrale, nuk të ngroh. Ndërsa në poezitë" Të pata thënë", "Gjendje", ku mbisundon ndjenja poezia vjen e shtirur, me sforco poetike, si një lule artificiale që s'ka erë dhe bukuri natyrale.
3. Poezia e Mimozës në vëzhgimet e mia, është poezi që priret nga e thjeshta poetike, ka vlerat e kuptueshmërisë nga një kategori e gjërë lexuesish, larg poezisë inteligjente. Sot në kuadrin e integrimeve letrare globaliste, letërsia, sidomos poezia shkruhet më të shumti për kontigjente lexuesish me kulturë e dije,prandaj paksa më inteligjente duhet të jetë dhe poezia. Poeti i sotëm, si shumëkush, duhet të azhornojë estetikën e lartë me thjeshtësinë stilistike. Thënë më shkoqur: të shkrish elitarizmin estetik në tradicionalen, klasiken, përpunimin e ekstrateve popullore.
4. Si tek shumë lirikë, edhe të Moza, tek tuk, si tek poezia “Më dil në prag”, ndjehet fryma eseniniane në formë reminishencash kallp. Këto reminishenca nuk dëmtojnë vetëm poezinë por e fusin lexuesin në një perceptim zhgënjyes, ku lexuesi i “lodhur” definon: boll më, se ku e kam ndjerë këtë frymë poetike sa e sa herë.
Në feizbuk dhe në ato pak suplimente mediash jam ngopur me poezi të tilla ( sigurisht të parapaguara për botim nga vetë autorët) me reminishenca e plagjiatura eseniniane, gjer në poezi “ porno” me buzë e shalë.
Kur lexova këto poezi të sinqerta, larg çdo kozmofonie, produkte të vetvetes qenësore të poetes Mimoza Çekiçi (Rista), me një anatomi të re, ma ngrohën disi shpirtin nga risia krijuese që ato mbartin. Poezitë më ngjajnë me një lule në stadin e frutëzimit, ku në pistilin Lazgushian, bie një polen i ri, i një substance të re kohore, ku nga ky fekondim, sigurisht del frut i ri poetik, krejt autokton shqiptar.
Me bindje them se vëllimi “Bregu i heshtjes” ka poezi etalone, shumë të arrira, ka dhe të lexueshme që gjithsesi të ndjellin kënaqësi. Lexuesi me të drejtë mund të pohojë se Mimoza është poete e trilleve, e qartë në idetë dhe mesazhet e saj. Në gjithçka që i del nga shpirti, por asnjë çast ajo nuk largohet nga terreni nga ku i është cimbisur këmba nga guriçkat, në ato vende ku ka “vjelur” lëndën dhe është frymëzuar.