Kulturë
Muharremi: Prej impresionizmit deri te transavanguardia
E enjte, 27.07.2017, 08:21 PM
Histori arti
Prej impresionizmit deri te transavanguardia
Impresionizmi, Neo-impresionizmi, Post-impresionizmi, Simbolizmi, Art Nouveau, Avangardizmi, Fauvizmi, Ekspresionizmi, Kubizmi, Futurizmi, Arti abstrakt, Konstruktivizmi, Dadaizmi, Surealizmi...... Postmodernizmi tentonin shkëputjen, por shkëputja është e pamundur, vetëm Transavanguardia bëri kthim në histori të artit.
Nga Ilir Muharremi
Njeriu e krijoj historinë e arteve ngaqë aty përfshiu qëllimet estetike, komunikimet, emocionet apo edhe vizionet e botës. Çka përdorë arti? Metoda plastike tredimensionale, dydimensionale, gjuhësore..... Muzetë veçanërisht kufizohen në arte pamore plastike (piktura, skulptura dhe arkitektura.) Në këtë studim po fillojmë nga arti i shek. XIX dhe XX edhe pse edhe në ditët sotme nuk ekziston ndonjë koncept modern i saktë i artit.
Impresionizmi: qe një lëvizje thellësisht inovatore, që kërkonte shkëputjen me artin akademik dhe shndërrimin e gjuhës artistike, duke nisur rrugëtimin për te lëvizjet e avangardës. Impresionistët u frymëzuan nga natyra, me të cilën pretendonin të kapnin një impresion pamor, farkëtimin e një çasti në kanavacë –nga ndikimi i fotografisë–, me një teknikë penelatash të lira dhe tone të qarta dhe të ndritshme, duke i dhënë vlerë speciale dritës. As impresionistët nuk abstenuan nga realiteti, e kopjuan nën ndikimin e anës subjektive. Vetëm se impresionizmi veçohet nga të gjitha lëvizjet sepse bëri kthesë të madhe, e ktheu artistin kah natyra nën subjektin e vet. Vet Klod Mone krijoj një impresion në pikturën “Perëndimi i diellit”. Qielli, toka dhe uji, jo ashtu siç janë, por ashtu siç i sheh artisti. Këtu artisti ende ishte një informues i natyrës, jo çlirues. Impresionistët ishin piktor në pafajësinë e tyre tenton shkëputjen.
Neo-impresionizmi: duke evoluar nga impresionizmi, neo-impresionistët u shqetësuan më shumë për fenomenet optike, duke zhvilluar teknikën e puntilizmit, që e kompozonin veprën nëpërmjet një sërë pikash të pastra ngjyre, që vendosnin bashkë me ngjyrat e tjera komplementare, duke e lënë të shkrihej në syrin e spektatorit në një ngjyrë të re. Përfaqësuesit kryesor qenë Georges Seurat dhe Paul Signac. Edhe këtu nuk u krijua asgjë më shumë sesa një pikturë, vetëm se idetë shpreheshin nën pika të pastra. Nëse sot neo-impresionistët do vinin me të njëjta piktura, asnjëri nuk do ju blinte. Këta artist ishin ende gjahtar të natyrës, njerëzve që dalin të çlodhen të dielave në piknik, lëvizjeve, kostumeve.
Post-impresionizmi: qenë një sërë artistësh që, duke nisur nga zhvillimet e reja teknike që sollën impresionistët, i riinterpretuan në mënyrë personale, duke hapur rrugë të veçanta zhvillimi me rëndësi të madhe për evoluimin e artit në shekullin e XX. Kështu, më shumë se një stil i caktuar, post-impresionizmi qe një formë grupimi e artistëve me natyra të veçanta: Henri de Toulouse-Lautrec, autor i skenave të cirkut dhe kabaresë të përvijuara me shënime të shpejta natyrale; Paul Gauguin eksperimentoi me thellësinë duke krijuar një vlerë të re për planin piktorik, me ngjyra të sheshta me karakter simbolik; Paul Cézanne e strukturonte kompozimin në forma gjeometrike (cilindri, koni dhe sfera), në një sintezë analitike të realitetit, pararendës i kubizmit; Vincent van Gogh qe autor i veprave dramatizëm të lartë dhe proseksion të brendshëm, me penelata sinuoze dhe të dendura, me ngjyra të forta, duke shformuar realitetin, me të cilën krijonte një atmosferë onirike. Këtu kemi një psikologji duke u çlodh poshtujase tërësisht nga natyra. Këtu vepra tentonte të bëhej e gjallë, por prapë se prapë artistë niseshin nga diçka e më pas e deformonin me anën shpirtërore të tyre personale.
Simbolizmi:Stil me prerje fantastike dhe onirike, lindur si reaksion ndaj natyralizmit të rrymës realiste dhe impresioniste, duke vendosur një theks të veçantë në botën e ëndrrave, ashtu si në aspekte satanike dhe tmerruese si seksi dhe perversioni. Në të njëjtën mënyrë me arkitekturën. Ata kërkonin një të vërtetë tek ëndrrat. C'është e vërteta? Ajo nuk ekziston. Nëse artistët e kërkojnë të vërtetën në pikturë, mund t’i bëjnë njëqind të tilla me këtë të vërtetë. Nuk mund ta përcaktojmë të vërtetën. Pasi që nuk ekziston, e vërteta është kudo.
Art Nouveau zhvilloi edhe pikturën, duke nxjerr shkolla të shquara në Katalonjë, me artistë si Ramon Casas dhe Santiago Rusiñol, me stil të karakterizuar nga tematika natyraliste e një mjedis i hijezuar, me njëfarë ndikimi nga impresionizmi francez.
Avangardizmi: Në vitet e para të shekullit të XX u hodhën bazat e të ashtuquajturit arti i avangardës: konceptimi i realitetit qe vënë në dyshim nga teoritë e reja shkencore (subjektiviteti i kohës së Bergsonit, relativiteti i Einstein-it, mekanika kuantike); ndikoi gjithashtu dhe teoria e psikanalizës së Freud-it. Nga ana tjetër, teknologjitë e reja shkaktuan ndryshimin e funksionit të artit, pasi fotografia dhe kinemaja u ngarkuan me fiksimin e realitetit. Ky shekulli qe shekulli i guximit, i çdo guximi artistik. P.sh Dyshampi ekspozon një urinore të vendosur mbi një podium e cila titullohet “Shatërvan”. Guximi i dytë i tij qe me një rrotë biçiklete me gjithë pirunin e saj, të fiksuar në një stol, që synonte të shkelmonte konceptin mbi veprën e artit. Ky artist gjeti një objekt të gatshëm duke e nënshkruar si të vetin. Ishte provokacion sepse gjëra të tilla nuk janë parë asnjëherë. Picasso, Braque, Kandinsky, Modriani, rikrijuan pikturën, e meta e tyre qe se asnjëherë nuk ë vënë në dyshim atë. Me Dyshampin dhe pas tij, vetë arti i nënshtrohet pikëpyetjeve; Gjithçka është art, çfarë është atëherë arti? Këtë shteg e vazhdoj edhe futurizmi nga i cili u frymëzua Dyshampi. Këtu nuk bëhet fjalë për reflektimin e rrezeve të diellit në ujë, por për abstragim, motorët fillojnë të hyjnë nëpër tablo. Mrekullia e jetës moderne këtu fillonte të shprehej. Vazareli futi fjalorin plastik në koshiencën tonë planetare, Mathieu, shpejtësinë në pikturë duke çliruar universin, Uarolli, në muzeu futi gëzimet dhe mitet e shoqërisë sonë të konsumit.
Fauvizmi : lëvizja e parë avangardiste e shekullit të XX, fauvizmi kërkonte një eksperimentim në fushën e ngjyrës, që konceptohej në mënyrë subjektive dhe personale, duke zbatuar vlerat emotive dhe ekspresive, të pavarura ndaj natyrës.
Ekspresionizmi: lindur si reagim ndaj impresionizmit, ekspresionistët mbështesnin një art më personal dhe intuitiv, ku mbizotëronte vizioni i brendshëm i artistit “ekspresioni”, përball ngjizjes së realitetit “impresioni”, duke pasqyruar në veprat e tij një tematikë personale dhe intime me parapëlqimin e fantastikes, duke deformuar realitetin për të theksuar karakterin ekspresiv të veprës. Ishte një mënyrë e re e shikimit të realitetit, shumë më e fuqishme se realizmi i thjeshtë. Asgjë më shumë se ekspresion piktorët nuk mund të kërkonin këtu, dhe ekspresioni qëndronte në gjithë organizmin e tablosë, aspak vetëm në një portret, apo në ndonjë figurë. Ngjyra vinte nga diçka instiktive, e keqja qetësohet në tablo, papastërtia, pastrohej. Këtu ngjyrat shpërthenin, ishin metodë kërkimi, analize dhe udhëhiqnin ndjenjën. Gjitha ngacmimet piktori i përqendronte te ngjyra, sepse atë e lidhte me emocionin. Vetë e thotë Matisi: “Unë nuk pikturoj sendet, por raportet koloristike midis tyre”. Krijon një bashkëlidhje dhe i dërgon deri në zbulim, aq sa ka forcë ndjenja emocionale. Atëherë, vendin në tablo më nuk e kanë objektet, por sipërfaqja e sheshtë e ngjyrosur, e cila bëhej edhe protagonist.
Kubizmi: kjo lëvizje u bazua në deformimin e realitetit nëpërmjet shformimit të perspektivës hapësinore me origjinë rilindëse, duke e organizuar hapësirën sipas një indi gjeometrik, me vizionin e njëkohshëm të objekteve, një gamë ngjyrash të ftohta dhe të zbehta si dhe një konceptim të ri të veprës së artit, me futjen e kolazhit. Picasso zbuloj diçka çka nuk ishte eksploruar, formë organike që ngjante me forma njerëzore, por ishte deformim i plotë i saj. Duhet të jemi të qartë dhe të saktë, kjo tanimë mbetet vështirësia më e madhe e artistëve. Magritte mirë e thotë: “Invalidët justifikojnë lindjen e kubizmit”.
Futurizmi: lëvizje italiane që ngrinte lart vlerat e progresit teknik dhe industrial të shekullit të XX, duke dalluar aspektet e realitetit si lëvizja, shpejtësia dhe njëkohësia e veprimit. Filipo Tomazo Marineti kalonte çdo kufi kur thoshte: “Një automobil garash... është më i bukur se “Nika e Samotrakës”. Kërkonin shkatërrimin e bibliotekave, glorifikonin luftën si higjienën e vetme të botës. Piktura futuriste nuk është shumë krijuese, sharjet, ofendimet fyerjet bëhen të diskutueshme. Artisti këtu rrihet në rrugë, vetëm qe lëvizje e guximshme, jo shumë artistike. A kishte të ardhme? Papërcaktueshmëria e materies, fillonte t’ja hap rrugën spiritualizmit, luftës së periudhës teknologjike, bashkë me të edhe nihilizmit. Futuristët mendonin se e pasuronin botën me bukuri të reja, ashtu siç pretendonte çdo lëvizje deri më tani: bukuria e shpejtësisë, automobil garash që ecën mbi një breshëri mitralozi. Nuk ka më kryevepra pa karakter agresiv. Ata mendonin se gjendeshin në majat ekstreme, andaj e panë të arsyeshme mos të shohin pas. E djeshme ka vdekur me lindjen e futurizmit. Gabim sepse futurizimi qe pasojë e kohës, ishte nevojë. Gabimi qe te absolutja që mendonin futuristët duke klithur që kanë krijuar shpejtësinë e përjetshme. Veten e konsideronte si katarsis, spastrim emocional. I tërë qëllimi qe ta çlirojnë artin nga gangrena e profesorëve, arkeologëve dhe antikuarëve. Të iknin pa përsëritje, e që në thelb ishte përsëritje ose tendencë për shkëputje.
Arti abstrakt: duke kontestuar konceptin e realitetit nga teoritë e reja shkencore si dhe lindja e teknologjive të reja si fotografia dhe kinemaja, që ngarkoheshin me ngjizjen e realitetit, u prodhua zanafilla e artit abstrakt: artisti nuk synon të pasqyroi realitetin, por botën e tij të brendshme, të shprehë ndjenjat e tij. Artistët ia kthyen shpinën sendeve natyrore, filluan të bënin një jetë abstrakte. Vetë jeta duhet parë në një aspekt tjetër, aspekt pozitiv abstrakt. Arti u bë dualitet i njeriut si eksterioriteti i kultivuar dhe një inferioriteti më i ndërgjegjshëm, më i thellë. Shpirti njerëzor fillon të ndjek estetikën e pastruar d.m.th abstrakte. Por, edhe ata që bënin abstrakt nuk qenë abstrakt sepse duhet rinisnin nga diçka, nga një formë. Artistët abstrakt e ndërgjegjësonin abstraksionin si emocion bukurie, madje e cilësonin si art kozmik, universal. Ndërgjegjësimi ishte te pasoja e plastikës abstrakte. Kjo plastikë nuk vinte nga natyrorja ose konkretja (humbja e identiteti të formës, pakuptimta), por gjente formën dhe shprehjen në abtragim të çdo forme dhe ngjyre te linja e drejtë dhe ngjyrat primare. Sa është logjike kjo, sepse arti ndodhet edhe në logjik. Pak mund të thuhet për këtë. Cila qe zgjidhja e abstraktes mos vallë te abstragimi progresiv ose logjika e formës, e cila fshihej në palogjikë. Raportet qenë të sakta vetëm kjo ishte një zgjidhje e vockël. Faktori thelbësor emocional plastik estetikë ndodhej vetëm në arsyen e artistit, sepse linte hapësirë për të krijuar identitet të ri të veprës. Këta qenë gjahtar abstrakt. Çfarë mund të bëjë një gjahtar i tillë, gjithësi nuk mund të vrasë asgjë.
Konstruktivizmi i lindur në Rusinë revolucionare, qe një stil i angazhuar politikisht që kërkonte që nëpërmjet artit të realizonte një transformim të shoqërisë, nëpërmjet një refleksioni mbi format e pastra artistike të konceptuara që nga aspekte si hapësira dhe koha, që gjenerojnë një sërë veprash në stilin abstrakt, me prirjen drejt gjeometrizmit.
Dadaizmi: lëvizje reaguese ndaj katastrofave të luftës, që kërkonte një qasje radikale të konceptit të artit, që humbet çdo komponent të bazuar te logjika dhe arsyeja, duke shpalosur dada-n, rastësinë, absurdin e ekzistencës.
Surealizmi me një pararendje të qartë te piktura metafizike (Giorgio de Chirico, Carlo Carrà), surealizmi e vuri theksin te imagjinimi, fantazia, bota e ëndrrave, me një ndikim të fortë nga psikanaliza. Surrealistët nuk e shprehën kryesoren te surrealizmi sepse ai është makinë e përmbysjes së shpirtit fillimisht sajohet në lëvizjen dada. Surrealizmi ka ëndërruar të shkatërroj, së pari nëpërmjet poezisë përmes mallkimit, madje u bë çekiç i vërtetë. Andre Bretonit duhet t’i vije keq sepse akti më i thjeshtë surrealist është të dilet në rrugë me revole në dorë dhe të shtihet kuturu mbi turmën e njerëzve. Esenciale është të mohonte të gjitha pengesat të arrihet irracionalja. Kjo do të thotë se dëshira për të qenë është shumë legjitime. Shpërthimi i pavetëdijes tendenca për irracionale janë favore të vetme të pastra. Në surrealizëm gjithçka duhet të shkatërrohet pa mëshirë. Për ta çliruar dëshirën duhet përmbysur shoqërinë, ky qe qëllimi i surrealistëve.
Figuracioni i Ri: si reagim ndaj abstraksionit informalist lindi një lëvizje që rikthente figuracionin, me njëfarë ndikimi ekspresionist dhe me lirinë e plotë të kompozimit.
Arti kinetik: (që nga 1950): i quajtur gjithashtu op-art (arti optik), është një stil që e vendos theksin te aspekti vizual i artit, veçanërisht te efektet optike, që prodhohen nga iluzionet optike. Pop-arti :lindi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si lëvizje refuzuese ndaj ekspresionizmit abstrakt, duke përfshirë një sërë autorësh që u rikthyen te figuracioni, me një komponentë të fortë frymëzimi popullor, duke marrë imazhet e botës publicitare, fotografinë, tregimet me piktura dhe mediat e komunikimit masiv.
Realizmi i Ri: lëvizje franceze e frymëzuar nga bota e realitetit rrethues, nga konsumizmi dhe shoqëria industriale, nga e cila hiqen –në të kundërt me pop-artin– aspektin e saj më të papëlqyeshëm, me parapëlqimin e veçantë për materialet fragmentare. Arti i aksionit (që nga 1960): janë prirje të ndryshme të bazuara në aktin e krijimit artistik, ku e rëndësishme nuk është vepra në vetvete, por procesi krijues, në të cilin pas artistit ndërhyn shpesh publiku, me një komponentë të madhe improvizimi.
Minimalizmi : me një pararendëse te Abstraksioni i ri ose Abstraksioni postpiktorik (Barnett Newman, Frank Stella, Ellsëorth Kelly, Kenneth Noland) minimalizmi qe një rrymë që kërkonte një proces çmaterializimi që arrin kulmin te arti konceptual.
Hiperrealizmi: si reagim ndaj minimalizmit lindi kjo rrymë figurative, e karakterizuar nga vizioni i saj superlativ dhe i ekzagjeruar i realitetit, që ngjizet me përpikëri në gjithë detajet e tij, me një aspekt gati fotografik. Më e vërteta se realiteti, pastërtish përshkrues dhe shumë herë është anekdotik. Shumë qe art tradicional, i cili bazohej në modelet fotografike sesa në ato objektive. Ky art më shumë i pëlqej Amerikanëve sepse cilësohej si i përsosur, i ilustruar, çdo gjë konsiderohej se duhet të ishte pa defekte e përsosur. Ky art tentonte të kapte të përsosurën dhe ishte reagim ndaj ekspresionizmit abstrakt, i rikthyer në traditë amerikane të realizmit figurativ. Njihet historia e një nëne se cilës fqinja, pasi ja pëlqeu fëmijën e vogël i tha: “Ah! Do të ishte edhe më i bukur nëse do ta shihnin në fotografi!”. Çfarë ndodh me realitetin, ai përmbyset ose bëhet duplikati i imazhit të tij sepse riprodhohet mekanikisht. Përfshirja emocionale ndjen mungesë në këtë art. Hiprrealistët përveç që përdornin fotografinë, ata fokusonin vështrimin e tyre të ftohtë në ambientet urbane, trupat e njerëzve, arti i tyre reflekton edhe vështruesin e bënë të reflektojë.
Arti konceptual: pas zhveshjes materike të minimalizmit, arti konceptual hoqi dorë nga nënshtresa materiale për tu përqendruar te procesi mendor i krijimit artistik, duke pohuar se arti është te një ide dhe jo te objekti. Përfshin prirje të ndryshme: arti konceptual gjuhësor, më purist se konceptualiteti, i përqendruar te lidhja art-gjuhë (Joseph Kosuth); arti i varfër, i përqëndruar te instalacionet, përgjithësish me materiale fragmentare (Mario Merz, Jannis Kounellis); body-art-i, me trupin njerëzor si mbështetje (Gilbert and George, Dennis Oppenheim); land-art-i, që përdor natyrën si mbështetje, me një komponente të fortë fluturake (Christo, Ëalter de Maria, Robert Smithson, Richard Serra); bio-art-i, që përdor teknikat biologjike (Joe Davis, Estéfano Viu) etj. Gjithashtu mund të renditen në këtë rrymë gjini të ndryshme çështjeve shoqërore si arti feminist (Jenny Holzer, Barbara Kruger, Cindy Sherman, Judy Chicago) dhe arti homoerotik (Paul Cadmus, Robert Mapplethorpe, Deborah Cherena). Vetë arti konceptual është pikëpyetje mbi nocionin, dhe vepra nuk zvogëlohet në idenë, por vetë ideja e artit ngritët mbi konceptin. Nuk kemi ngritje të re të artit siç bënë artet deri më tani, por papërtypje për publikun. Jo kaq lehtë sepse publiku reagon natyrshëm dhe real. Ky art kishte për qëllim përçimin e emocionet estetik. Ky art niset nga gjuha dhe përfundon tek gjuha.
Teknologjitë e Reja: shfaqja e teknologjive të reja që nga vitet ’60 (televizioni, video-ja, informatika) ka nënkuptuar një revolucion të madh për artin jo vetëm për sa i përket mbështetjes dhe materialeve të reja, por dhe formave të reja të shprehjes që kanë zgjeruar kufijtë e artit. Video-arti lindi në 1965 me shfaqjen kamerës së parë video portative (Portapak-u i Sony-t). Në këtë modalitet u shqua jo vetëm komponenti i saj fizik –lëshimi i imazheve, përgjithësisht të natyrës së instalacioneve ose performancave, por mesazhi i pandarë nga imazhi i filmuar, duke shkrirë botën e komunikimit me kulturën popullore. Ky art jeton në të përkohshmen dhe nuk sigurohet për përjetësinë e tij. Ndonëse ka të drejtë sepse vetë zhurma e jetës fikson përkohshmen.
Arti postmodern: në kundërshti me të ashtuquajturin arti modern, është pikërisht arti i postmodernitetit. E merr dështimin e lëvizjeve të avangardës si dështim i projektit modern: avangardat pretendonin të eliminonin distancën mes artit dhe jetës, duke e bërë artin të përbotshëm; artisti postmodern, në ndryshim, është autoreferencial, arti flet për artin, nuk pretendon të bëj një punë shoqërore. Spikatën artistët individual si Jeff Koons, David Salle, Jean-Michel Basquiat, Keith Haring, Julian Schnabel, Eric Fischl, Miquel Barceló etj.; ose gjithashtu lëvizjet e ndryshme si transavangarda italiane (Sandro Chia, Francesco Clemente, Enzo Cucchi, Nicola De Maria, Mimmo Paladino), neoekspresionizmi gjerman (Anselm Kiefer, Georg Baselitz, Jörg Immendorff, Markus Lüpertz, Sigmar Polke), neomanierizmi, figuracioni i lirë. Gjithcka tashmë është postmoderne, por ekziston diçka më e madhe tejkaluese Transavanguardia.
Transavanguardia: Në Kosovë ndonëse edhe në Shqipëri pak kanë dëgjuar për lëvizjen e re që u krijua pas artit konceptual nga kritiku i famshëm italian Akile Bonito-Oliva “Transavanguardia” (lëvizje që doli në dritë më 1979), e që u bë e njohur për publikun pas Bienalit të Venedikut me autorë të famshëm si; Sandro Kia, Francesko Klemente.... Lindi si reagim ndaj artit konceptual të viteve të ’70 dhe në thelb përmban riafrimim të fuqisë subjektive te rrënjët kombëtare. Kjo lëvizje refuzon makrsizimin, psikanalizën, sundimin e linguistikës, ngushtë rilidhet me ekspresionizmin, si dhe më të kaluarën italiane, por merr pak nga artistët: Shagalli, Malevici, Masoni... Fovistët i qëndrojnë më pranë. Qëllim ka të jetësohet më shumë se arti konceptual, por ky art përdorë teknikë tradicionale: karbon, laps, penë, perspektivë, hije. Ky art është më humanist, sepse nuk pretendon sikur avangardistët ta rrëzojnë të vjetrën, për ta ngritur të renë. Ky art jetësohet edhe më të vjetrën, veçanërisht me kombëtaren. Andaj, këtë s’mund ta quajmë post sikur që kemi postmodernizmin, performatizmin, dixhimodernizmin etj. Transvanguardia nuk rrëfen për asnjë fund të lëvizjeve, bënë kthim në tradicionalen, ngaqë inspirohet nga avangarda e cila artin e kthej në instrument lufte, por qe e nevojshme në shek XX, ngaqë skandalet tregonin se veprat e artit ishin si mjet kapërcimi të rregullave ekzistuese të artit dhe shoqërisë. Bonito e vëren se mediat përtypin menjëherë diçka të re, duke i kthyer të vjetrat në të pavlefshme. Ky kritik arti revoltohet sepse shoqëria absorbon çdo lloj provokimi artistik (veshje deri në nudo, përformansa, video, plehra nëpër galeri.) Roli i avangradës dhe konceptualistëve po kthehet në një mashtrim nëpërmjet këtij absorbimi të menjëhershëm. “Nuk mbetet tjetër veç kthimit tek cilësitë tradicionale të veprës së artit”, shkruan Bonito. Kjo i bie: universaliteti, nevoja, autenticiteti, këto edhe i gjejmë te Transavanguardia. Ky art rivlerëson pikturën figurative, imagjinare të artistit që frymëzohet nga e kaluara, rishikimin e miteve dhe imazheve, ky art edhe sot neglizhohet nga kritika. Me të vërtetë arti nuk meriton shkëputje siç e bënë të gjitha artet deri më tani, kurse transavanguardia këtë e sheh të pakuptimtë. Është edhe e pamundur të shkëputet diçka, gabuan rëndë futuristët pothuajse të gjitha lëvizjet e artit përveç kësaj të fundit. Edhe nëse transavanguardia shkon në thelbin e krijimit, prapë nuk do ta gjen pikën zero të krijimit, ngaqë nuk kemi ekzistim aty.
Literatura:
Akile Bonita Oliva. “L’Arte moderna, 1770-1970”, Clio, 2006.
“Aventurat e artit në shek. XX”, Tiranë 2004.
Lazar Trifunoviq. “Lëvizjet e artit të shek. XX”, Beograd, 1994.
Herbert Rid. “Historia e artit modern”, 1979.
“Historia e artit nga Gjoto deri te Sezani”, Beograd, 1967
J.M.Lotman. “Struktura e tekstit figurativ”, Beograd, 1976.
Tzvetan Todorov. “Letërsia në rrezik”, Gjon Buzuku, Prishtinës, 2007
http://ëëë.ëikiëand.com/sq/Historia_e_arteve