E hene, 14.10.2024, 08:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Një ditar jete me shumë dëshmi kohe

E marte, 25.07.2017, 07:45 PM


Një ditar jete me shumë dëshmi kohe për jetën e kaluar të autorit…

Nga Tefik Selimi

Para do dite, Ilaz Jashari, mësues në pension (1934), nga Nasala, por me banim në  Gjilan, botoi veprën e katërt me radhë publicistike me titull “Dëshmi kohe”. Është kjo një vepër e zhanrit publicistik e shkruar në formë ditari në vetën e parë. Siç dihet, Ilaz Jashari, ndonëse është në  moshë të shtyrë 84-vjeçare, ai kohës së fundit i është kthyer jetëshkrimit publicistik, ku në  veprat e tij të botuara rrëfehet apo përshkruhet jeta e kaluar e tij dhe e popullit të Malësisë së Karadakut.

Në veprën më të re “Dëshmi kohe”, Ilaz Jashari, autor, ka bërë përpjekje që të kaluarën e tij ta shndërrojë në jetëshkrim, pra në ditar jete.  Gati të gjitha zhvillimet që i ka në shënjestër të  jetëshkrimit të tij në fjalë, ia fillon nga viti 1933, kur vetë (autori) pati 7 vjet dhe, shteti ku ishte lindur ai, ishte sulmuar nga ushtritë e jashtme. Këto ngjarje autori i përshkruan duke i rrëfyer në  vetën e parë, por duke u dhënë ngjarjeve fakte dhe dëshmi të kohës së përjetuar.

Pra, kaptina e parë apo rrëfimin e parë, autori e nis me shkrimin me titull “Nisa të kuptoj...” për të vazhduar mëtutje me rrëfime të tjera. Rrëfimi i dytë “Pushtimi i  ri”, fillon me një kahje tjetër. Autori fillon me ofensivën ushtarake të Aleancës tripalëshe, ku, si shton autori, për 17 ditë është okupuar Mbretëria Jugosllave. Këtu kemi ndarjen e trevës shqiptare në tri pjesë, ku në anën  veriore të lumit Ibër, si shton autori, “përshkak të rëndësisë së madhe ekonomike që kishte xeherorja  e plumbit Trepça, për makinerinë gjermane të luftës, u vendos sundimi i administratës Gjermane”(f.7).

Aty në vazhdim shton se, “ushtria fashiste italiane, që e kishte pushtuar Shqipërinë, qysh në  vitin 1939, tashti shtriu sundimin e  vet edhe në  pjesën  më të madhe të Kosovës”. Pra, ky pushtim apo sundim “ishte  nga lumi Ibër në veri e gjer te lumi Morava në juglindje të Kosovës, duke përfshirë edhe krejt territorin tjetër të saj, në të cilën vendosën administratën e njëjtë me atë që kishte vendosur që më  parë në Tiranë”(f.7).

Si shtohet në  vepër, në anën jugore të lumit Moravë dhe deri në kufi me Greqinë, ishin vendosur forcat ushtarake fashiste Bullgare, që i ishin bashkangjitur Aleancës së boshtit tripalësh. Në këtë kaptinë të rrëfimit, autori flet për shkollat shqipe, ku këto “procese” mësimore shkollore i udhëhiqnin arsimtarët shqiptarë, kryesisht të dërguar nga  Ministri i Arsimit të Shtetit Shqiptar, Shqipëria. Por, sa i përket jetës së popullit, në pjesën ku jetonte popullata shqiptare, pra në anën jugore të  Moravës, sundonte ushtria fashiste bullgare, ku jeta e njerëzve të kësaj ane qe shumë e rëndë dhe e papërballlueshme.

Pra, popullata jetonte në pasiguri të plotë e pa asnjë shpresë. Atë kohë, sipas autorit, ushtria  fashiste bullgare i kishte  shndërruar shkollat në kazerma ushtarake. Ishte një jetë me droje dhe e mërzitshme. Popullata jetonte pa gjërat elementare të jetës. Nuk guxonte asnjë qytetar që gjatë natës t’i shiheshin dritat e llampës nëpër dritare. Për çdo nevojë, njerëzit duheshin të merrnin leje në komunë për të treguar drithin, miellin e “sendet” tjera për jetë.

Pason rrëfimi me titull “Rikthimi i pushtimit të vjetër”. Këtu autori i veprës, I. Jashari ndalet tek pushtuesi serb, i cili, edhe atë kohë ka ushtruar dhunë e presion tek popullata shqiptare që mësimi të organizohet vetëm në gjuhën serbe. Si shton  autori, “shkollat shqipe, edhe pse u formuan  me vonesë, vuanin nga mungesa e theksuar e kuadrit arsimor”. E përmend rastin kur Republika Popullore e Shqipërisë, për nevojat e arsimit shqip, ajo në Kosovë pati dërguar mbi 200 mësimdhënës për ta ndihmuar procesin mësimor në shkollat amtare shqipe.

Ilaz Jashari, në veprën e tij “Dëshmi kohe” flet edhe për hapjen e shkollës fillore shqipe në fshatin Zhegër. E përmend mësuesin, Hasan Dylgjerin, nga Shkodra, i cili, pos në Zhegër, ai, si shton autori, e viziton fshatin Nasalë, ku bëri regjistrimin e fëmijëve të moshës shkollore për t’i vijuar mësimet në Zhegër. Këtu autori shton për vete se, se kur është regjistruar në shkollë, pati 12 vjet moshë. Në këtë pjesë të ditarit, ai përmend dy personalitetet të fshatit Nasalë, Isa Jasharin e Haki Selimin, të cilët, i pari, atë kohë, ishte kryetar i komunës së Zhegrës dhe, i dyti, Hakiu, qe sekretar i Partisë për Komunën e Zhegrës.

Në rrëfimin pasues “Luftë analfabetizmit...”, autori I. Jashari ndalet tek realizimi planit të parë pesëvjeçar. Këtu flet për aksionin për ta luftuar analfabetizmin tek popullata. Pra, është koha kur formohen kurse për zhdukjen e analfabetizmit dhe për organizimin e kurseve për arsimimin e të  rriturve në fshat. Në këtë kohë, “kurset i  udhëhiqnin dy  mësues të caktuar nga arsimi i rrethit të Gjilanit, si Ferid Berisha dhe Rexhep Kabashi, të cilët, siç shton autori i veprës, ishin  dy punëtorë të dalluar të arsimit”(f.18).

Në rrëfimin e ditarit, autori na flet për planin e parë  pesëvjeçar të vitit 1951, ku është bërë kolektivizimi i përgjithshëm i toka  bujqësore. Mandej, në vitin 1948/49, autori flet për seksionin e arsimit të asaj kohe, të Kosovës, i cili kishte marrë vendim që t’i themelojë disa shkolla të ulëta dyvjeçare për t’i aftësuar kuadrot e domosdoshme për kooperativat fshatare. Të tilla shkolla janë hapur në Gjilan, Kaçanik, Prizren dhe ajo teknike në Pejë.

Në vitin 1948 hapet Shkolla e Ulët Bujqësore në Gjilan. Këtu vijuan mësimet 62 nxënës, të cilët mësonin 19 lëndë mësimore. Drejtor i  Shkollës së Ulët Bujqësore ishte Bajram Zeka nga Mitrovica, një luftëtar i antifashist. Kjo shkollë pati 12 hektar tokë bujqësore të klasit të parë. Autori i veprës ishte nxënës i shkollës në fjalë, të cilën e kishte kryer në  vitin 1949/50.

Në veprën “Dëshmi kohe”, Ilaz Jashari, autor, shkruan për dështimin e kolektivizimit të popullatës. Na flet për kohën e Informbyrosë, na shkruan e na rrëfen për mungesën e  bukës apo  si e quan ai, Zia e bukës. Ishte një kohë, kur popullata shqiptare pësoi e përjetoi të zitë e ullirit, kur  i mungoi edhe  buka e gojës. Shteti i asaj kohe, nga popullata mblidhte të lashtat e njerëzve. Kjo “ngjarje” ishte e vitit 1947, kur në pranverën e këtij viti, njerëzit mbetën pa kafshatën e gojës.

Popullata shqiptare, në mungesë të bukës, ajo është detyruar të udhëtojë në këmbë  gjer në fshatrat e Kumanovës për të siguruar drith (grurë apo misër) për familjet e  tyre. Ilaz Jashari, autor, na  flet për ndërtimin e shkollës së fshatit Nasalë. Ishte viti 1952, kur për herë të parë, fëmijët e këtij fashati patën rastin të vijojnë mësimet në objetin e tyre shkollor. Me vetëkontribut, fshatarët nasalas e ndërtojnë objetin shkollor. I përgaditin 20.000 copë tulla (qerpiç prej dheu), ndërsa mësues shkolle caktohet Gani Dalipi, nga Përlepnica. Për mirëmbajtës të shkollës, caktohet Sabit Selimi nga Nasala, tash i ndjerë. Po ashtu, në veprën e  I. Jasharit flitet apo rrëfehet në formë  ditari se si nxënësit serbë kanë mësuar bashkë me ata  shqiptarë.

Mandej, në vepër flitet shkollën politike. Autori flet për vetën e tij si filloi për herë të parë  të punojë si mësues me ditar në dorë në fshatin Stançiq, Malësia e Karadakut. Pagën e pati 7200 dinarë. Viti 1952. Kjo shkollë pati 84 nxënës, ku punoi edhe mësuesi Ismajl Kadriu, tash i ndjerë nga Zhegra.  Atë kohë inspektor i arsimit për rrethin e  Gjilanit ishte Tefik Jakupi, tash i ndjerë. Këtu në Stançiq punoi si mësues edhe Bajram Qerimi. Ky ishte nip Nasale. Mandejs në vepër autori bën fjalë për punën e tij si mësues në fshatin Përlepnicë të Gjilanit. Aty  kur ka filluar të punojë, e gjeti si mësues Adem Dalladaku. Drejtor i kësaj shkolle ishte Avdylaziz Zarbinca nga Gjilani.

Në veprën ditar jete, autori flet për shkollimin e tij gjatë punës. Regjistrohet në një kurs në Prizren, mandej, ate e gjejmë se është regjistruar në Gjimnazin e Ulët në Gjilan. Na rrëfen se  si Beqir Musliu, shkrimtar gjilanas, tash i ndjerë, ia ka shtypur temën e diplomës. Mandej na rrëfen për jetën e tij duke punuar si mësues në Livoç të Poshtëm. Na flet  për aksionin e famshëm për mbledhjen e armëve. Ishte viti 1955/56, muaji shkurt, ku në tërë Kosovën, Sigurimi Shtetëror i Serbisë filloi një dhunë të paparë mbi shqiptarët e Kosovës, tek të cilët kërkonte armët edhe tek ata që nuk posedonin. Qëllimi ishte si mbulesë për dhunë të planifikuar ndaj qytetarëve të zakonshëm. Kjo gjendje krijoi pasiguri tek popullata, e cila nxiti shpërnguljen e tyre masive për në Turqi.

Në veprën e I. Jasharit “Dëshmi kohe” rrëfehen ngjarje të dhimbshme të kësaj kohe të dhunës, ku njerëzit torturoheshin si shtaza nga policët serbë. Autori na rrëfen për mëvetësinë e Shkollës Normale shqipe në Gjilan. “Ishte viti 1955/56, kur në Gjilan, pranë Shkollës së Mesme Ekonomike janë hapur paralelet të Shkollës Normale në Gjuhën shqipe. Atë kohë,  nxënësit e Normales që në fillim t’i kryenin dy vitet e para të kësaj shkolle në Gjilan, kurse vitet tjera i vazhdonin pranë Normales në Prishtinë. Këta nxënës i mësonin vetëm lëndët në gjuhën  shqipe, ku profesori i nderuar Tahir Berisha, ligjëroi gjuhën shqipe dhe Nexhat Orana, profesor, ligjeroi lëndën e matematikës.

Në këtë ditar jete, autori na rrëfen për  shërbimin shëndetësor të kohës,  për punën e tij si mësues në Malishevë të  Gjilanit, në Livoç të Poshtëm, për punë e tij si drejtor në fshatin Beguncë të Vitisë, për ftesën për të shërbyer ushtar në moshën 22-vjeçare. Na rrëfen për jetën e tij në  kazermë ushtarake, si ushtar në Zagreb, pastaj ate (autorin) e shohim duke punuar si mësues në  fshatin Llashticë, ku na flet për rihapejn e shkollës fillore në Nasalë, punën e tij në këtë fshat të lindjes, përsëri ate  e shohim duke punuar si mësues në qytet, Gjilan, gjatë vitit 1963/64.

Në vepër flitet për shkollën shqipe pas vitit 1981 dhe, në fund, ai si autor na rrëfen kohën e tij si mësues në  qytet gjatë vitit 1990/91. Në vepër janë edhe  disa rrëfime apo kaptina të flasin për Përshkallëzimin e krizës, Rrëshqitja në luftë të armatosur, Referendumin poppullor, Përndjekja dhe represioni ndaj aktivistëve tanë, mandej si Dëshmitar në gjyq, për Dhunën e zhveshur shtetërore, për Durimin se si është sosur, Shtetrrethimi i plotë, Jeta përtrihet edhe në luftë, Bastisje të  rrezikshme dhe në fund është rrëfimi me titull: “Aromë lirie”. Vepra ka 228 faqe tekst.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora