Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Qendër kulturore shqiptare!
E diele, 23.07.2017, 06:20 PM
Qendër kulturore shqiptare, që s’ka të bëjë fare
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
Në vorbullën e çoroditjeve goditëse kundër shqiptarëve gati çdo ditë gjen anomali nga më të çuditshmet. Këtu nuk përjashtohet as mërgata jonë, ku shpesh mërgimtari, punëtor i thjesht që mezi ia del ta siguron mbajtjen e familjes, bie pre e lojërave politike, sektare, fetare, partiake e klanore. Mjerisht lojën e luajnë të fuqishmit e të diturit, një lojë tinëzare e hipokrite në shkundjen e xhepave pa mëshirë nga të cilët ushqehen ata që mbjellin frikë, urrejtje e përçarje. Këta mashtrues e dinë mirë notin në sistemin demokratik perëndimor kundër parimeve të të cilit punojnë, e shajnë e pështyjnë pas shpine. Shumë herë mërgimtarët i mashtrojnë e frikësojnë në stilin e fjalëve të “shpatës e shenjtë” të sulltanit që shkatërroi trevat shqiptare, kulturën shqiptare shekujve vetëm e vetëm t’i servojnë rrugën e vetme të sadakit drejtë xhenetit (turk) e jo drejtë parajsës shqiptare. Shembulli i i tillë është qendra e rrymës synite e përbërë nga disa shqipfolës me qëndrime, gjuhë e simbole turko-arabe. Këta ideolog kinse fetar “inteligjente” themeluan të ashtuquajturën qendrën kulturore shqiptare në Vjenë e cila mund të jetë diç tjetër, por nuk ka asnjë element kulture të mirëfilltë e të vërtetë shqiptare, më shumë kulturë arabe, turke, sunite e rryma tjera së bashku. Të përbashkët me shqiptarë ata kanë vetëm origjinën nga trevat shqiptare. Gjithçka e ngritur mbi baza fetare të rrymës së tyre, duke harruar se kultura shqiptare është nga më të vjetrat në kontinent, kultura me rrënjë pellazgë-ilire deri në ditët e sodit. Kjo kulturë nuk u identifikua kurrë me asnjë religjion, asnjë “profet”, nga fakti i thjeshtë: ajo ka rrënjë mijëravjeçare para lindjes e vdekjes së tyre. Kultura shqiptare nuk përfaqësohet nga asnjë rrymë fetare e asnjë religjioni, ajo përfaqësohet me fjalën shqip e jo fjalë tjera, me këngën shqip e jo lahi e hydbe tjera, jo me shkronja persiane, turko-arabe por me shkronjat e Naim Frashërit e Gjergj Fishtes, Jo me “humanizmin” e kryqshpatave që pikojnë gjak çdo ditë që nga lindja e tyre, por me humanizmin njerëzor shekujve si shembull humanisten Gonxhe Bojaxhiu- Shën Tereza. Kultura e jonë shqiptare nuk ka të bëjë me izolimin e gruas nga shembulli i “kulturës shqiptare” pa asnjë femër, por ka të bëjë me rrënjën e të barabartës edhe në luftë maleve siç ishte Nora e Kelmendit, Shota e Azem Galicë, apo siç është Inva Mula, e mijëra gra që ngritën lartë kulturën e imazhin shqiptar. Gjysmëhëna nuk është simbol kulture e territori shqiptar, as Elifet arabe, të cilat i respektojmë në vendin e tyre, por jo në logon ku flitet për kulturën shqiptare. Bile, në formën e tillë veç i nënçmojnë ato, të varura mbi dyer e kapak në një vend tjetër që s’ka të bëjë me leximin e tyre. Nisur nga ky shembull dhe të tjerë, ku në emër të shqiptarëve formohen grupime fetare, nuk është e papritur as inspirimi i të rinjve në rrymat ekstreme që do i shkaktojnë dëme të pa llogaritshme kombit shqiptar dhe vet njerëzores. Mund të marrim mësim nga shembujt nga e kaluara e afërt kur nga çarqe ekstreme të ushqyer me urrejtje xhihadiste kundër “të pafeve” vranë ushtarë të aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani dhe terroristët që kapen në veprim brenda SHBA, nga arrestimet e fundit të “kosovarëve” në Gjermani, Austri e vende tjera. Secili do pyet: Nga ky inspirim antinjerëzor e antikombëtar! Në Austri janë 16 vend lutje të ngritura nga shqipfolës rrymash të ndryshme fetare e religjione. Religjioni jashtë normave civilizuese kombëtare, nuk është në shërbim të njerëzores e aq më pak të kombit. Ata që janë fetar të mirë, nuk vjedhin, nuk gënjejnë, nuk frikësojnë të tjerët nga krijuesi, por japin shpresë e jetë, pa marr parasysh nga cili religjion janë. Ata që në gjuhë të huaj luten, nuk mund të kenë kurrë dashuri kombëtare, kjo u vërtetua tragjikisht tek shqiptarët. Me respektin për besimtarët e secilës rrymë fetare e religjioni, do duhej që drejtuesit e tyre të kenë respekt ndaj kulturave të të gjitha grupeve etnike këtu edhe të shqiptarëve. Brenda fesë e rrymave fetare nuk duhet lejuar nëpërkëmbja e kulturave duke i “prezantuar” rrejshëm para të tjerëve. Kjo nuk do duhej të ndodhte asnjëherë, aq më pak në Vjenën e njohur për afirmimin e kulturës, arsimit, historisë e shkencës shqiptare shekujve.
Foto nga publikimet në FB