Kulturë
Simsia: Mirënjohja, pjesë e ndjesisë së moralit
E diele, 13.08.2017, 09:36 AM
MIRËNJOHJA, PJESË E NDJESISË SË MORALIT NJERËZOR
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Shpesh herë, në jetën tonë, jemi ndeshur me njerëz të mirë, fisnikë dhe bujarë që na janë gjendur pranë në ditë të vështira, duke na dhënë ndihmesën sipas mundësive të tyre.
Dhe, sigurisht, ne u shprehim falenderimet tona, madje u shprehim mirënjohjen tonë si një akt të ndërgjegjshëm, për t'i treguar atyre se janë të vlerësuar.
Nëpërmjet mirënjohjes, ne u kemi shprehur edhe bujarinë, respektin tonë dhe që e bëjmë në mënyrë të vetëdijshme, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
Por, sa e pranishme është sot në shoqërinë tonë mirënjohja, ai akt njerëzor i shenjtë, që njerëzit duhet ti shprehin njëri tjetrit me forma, mënyra dhe në kohë të ndryshme?!
Një pjesë e mirë e njerëzve e shoqërisë sonë janë mirënjohës. Por, është edhe një pjesë tjetër e vogël që janë mosmirënjohës.
Shembuj, nga jeta jonë e përditshme ka plot.
Në një aktivitet të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, duke udhëtuar për në Boston, në pushim disa minutësh, në bisedë e sipër me poetin e suksesshëm Roland Musta, i rikujtova edhe disa tekste këngësh të festivaleve të shkruara nga vetë Rolandi...
Duke më falenderuar për kujtesën time të mprehtë, poeti Roland Musta vlerësoi punën e shkëlqyer të kryeredaktores letrare të asaj kohe në Televizionin Shqiptar, poeten e suksseshme Zhuliana Jorganxhi, duke më thënë fjalë për fjalë: "... Ne kishim poeten e talentuar, të mrekullueshmen zemërmirë Zhuliana Jorganxhi, që na i rregullonte të gjithëve tekstet tona nëpërmjet redaktimeve që ajo i bënte..."
Nëpërmjet kësaj fraze, poeti Roland Musta, jo vetëm e vlerësoi poeten Jorganxhi, por edhe shprehu mirënjohjen e tij të madhe ndaj poetes.
Madje edhe vetë poetja Zhuliana Jorganxhi, këto ditët e fundit, thurri vargje, ashtu siç di të thurrë mjeshtërisht ajo, kushtuar emisionit: "Arratia e peshkut të kuq" drejtuar profesionalisht nga Rezarta Reçi, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen e saj.
Këngëtari i mirënjohur beratas Kozma Dushi, në çdo intervistë që ka dhënë, kur e pyesin për fillimin e karierës së tij si këngëtar në festivalet e këngës në radiotelevizion, nuk lë pa përmendur edhe kompozitorin fierak Nikollaq Bulo, i cili, kur Kozmai kryente shërbimin ushtarak në Ishullin Sazan, në një aktivitet që Korpusi Fierit zhvillonte në atë kohë në Fier, duke dëgjuar zërin e mrekullueshëm dhe interpretimin e shkëlqyer të Kozma Dushit, kompozitori Bulo, ndërhyri që Kozmai të qendronte e të vazhdonte shërbimin ushtarak në Fier. Madje në Dhjetorin e atij viti, 1976, këngëtari Kozma Dushi, këndoi për herë të parë në Festivalin e 15-të të Këngës në Radiotelevizion këngën "Përshëndetje nga furrnalta" kompozuar nga Nikollaq Bulo.
Nëpërmjet asaj çfarë tregon këngëtari Kozma Dushi, shpreh vlerësimin, mirënjohjen e tij për kompozitorin Nikollaq Bulo.
...........
Në një intervistë dhënë një kanali televiziv në Shqipëri, kompozitori i mirënjohur Enver Shëngjergji, shpreh vlerësimin, mirënjohjen e tij të thellë, kolegut të tij të suksesshëm, kompozitorit Vladimir Kotani.
Në Festivalin e 24-rt, kompozitori Enver Shëngjergji u paraqit me këngën "Lulet e mollës" me tekst të poetit të suksesshëm Vullnet Mato dhe kënduar nga Bashkim Alibali; fitues i çmimit të tretë.
Kënga fillonte direkt në ritëm në strofën e parë: "O o le të mbushen plot, plot me lule degët-o..."
Por, në çastet e fundit, kur e dëgjoi kompozitori Vladimir Kotani, i shprehu mendimin e tij dashamirës që kënga të kishte një hyrje si fillim, pastaj të "shpërrthente" në strofën e parë. Dhe janë pikërisht vargjet hyrëse: "Mos këput, jo, lulet e bardha mollës- o, se aty i ka syt pranvera" dhe duke vazhduar pastaj në fillimin e strofës së parë.
Duke dëgjuar mendimin e kolegut Kotani, Enver Shëngjergji e mirëpriti mendimin e tij, ndërhyri dhe kënga u këndua në festival ashtu siç edhe dëgjohet edhe në ditët e sotme.
..........................
A nuk u jemi ne mirënjohës mësuesve tanë të talentuar duke u shprehur dhe duke i vlerësuar punën e tyre të shkëlqyer edukative në shkolla që kanë bërë me ne ish nxënësit?
..............
Menjëherë, pas vitit 90-të, vitit të ndërrimit të sistemit politik në Shqipëri, ne, pjesa më e madhe e shqiptarëve të etur për liri, për një jetë më të mirë, për të parë botën e jashtëme me sy, morëm udhët, duke u shpërndarë në shtete të ndryshme të botës, pa ditur as vetë ne se ku do shkonim, kush do na priste, pa patur asnjë të afërm, përveçse një pjesë e vogël e njerëzve që kishin njerëzit e tyre dhe gjetën bazën, mbështetjen e parë për t'u strehuar.
Megjithatë, njerëzit e parë që na u gjendën, jo vetëm në fillimvitet e largëta të 90-tës në Evropë, por edhe kur erdhëm këtu në Sh. B. A. ne gjetëm rrugë dhe mënyra të ndryshme për t'i falenderuar, duke shprehur njëkohësisht edhe mirënjohjen tonë të madhe dhe të paharruar.
Mirëpo, jo çdo gjë shkon si në vaj.
Zilia, cmira, zemërngushtësia, dëshira e ngritjes së lavdisë për të dalë mbi të tjerët nga disa njerëz të veçantë dhe karieristë, janë fenomene që ndikojnë tek ata për të qenë më pak mirënjohës apo mosmirënjohës.
Mosmirënjohja është e paidentifikueshme. Askush nuk e pranon mëkatin e mosmirënjohjes, sepse ajo bëhet në forma dhe mënyra të ndryshme.
Mosmirënjohjen, ata njerëz e shfaqin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërrthortë, apo edhe nëpërmjet anonimatit duke u strukur pas hipokrizisë që i karakterizon.
Dikush të troket në derë për ndihmë, të troket në "portën" e rrjetit social, të "troket" në telefon, të kërkon ndihmë. Është rishtaz i sapoardhur në një vend krejt të panjohur dhe, duke menduar veten tënde në fillimet e jetës së panjohur, menjëherë mundohesh të bësh të pamundërën për ta ndihmuar.
Edhe pse ndihma që të kërkohet, nuk varet nga personi ndihmës, mundohesh të shkrish të gjitha mundësitë e njohjes në miq e shokë për ta ndihmuar. Madje për t'ia bërë edhe më bindës faktin e ndihmës që po i jep, nganjëherë humb edhe ditën e tij të punës, vetëm e vetëm për ta ndihmuar.
Ndihmëskërkuesi, duke e parë vetë përpjekjet që po i bëhen për ta ndihmuar, nuk harron të shprehë falenderimet e tij.
Por, me kalimin e kohës, është zilia, cmira ajo që e gërryen nga brenda shpirtin e ngushtë të ndihmëskërkuesit, që e nxit për të harruar çdo gjë, çdo ndihmë që ti i ke dhënë sipas mundësive të tua. Madje, ka harruar edhe vetë fjalën e tij, faleminderit, që ia ka shprehur disa herë ndihmëdhënësit.
Aq thellë hyjnë në mëkatin e tyre ata njerëz të veçantë mosmirënjohës, sa marin mundimin edhe të sulmojnë nëpërmjet penës, nëpërmjet tastierës kompjuterike pa asnjë shkak me forma të ndryshme, herë herë hapur fare dhe herë herë me nënkuptime cmire dashakeqëse, hipokrizie.
Le të jetojnë të qetë në zgjedhjen e tyre që kanë bërë.
* * *
Pas rrënies së Komunizmit në Shqipëri në fillimvitet 90-të, kur ekonomia, mjekësia...shqiptare ishte tepër e ulët, në rënie e sipër, i ndjeri Dr. Selahedin Velaj nga Kanina e Vlorës, larguar nga Shqipëria për në Sh. B. A. para 50-të vitesh, së bashku me djalin e tij, Dr. Drini, shkuan në Shqipëri me një mision humanitar, të ndihmojnë popullin dhe qytetin e tyre me ato ndihma që ia lejonte mundësia financiare, mjete mësimore, medikamente të ndryshme, madje edhe një aparat skaneri për spitalin e Vlorës mes atij korrupsioni dhe varfërisë që kalonte vendi ynë në ato vite edhe pse ato ndihma u shpërdoruan.
Ndihmat kapnin shumën e dhjetëra mijë dollarëve.
Të njëjtën ndihmë, i ndjeri Dr. Drini Velaj e dërgoi edhe në Tiranë për popullin vëlla kosovar.
Nuk është e rëndësishme për ta, nëse morën apo jo falenderime, por ajo që e shqetësonin më tepër, ishte, kur u dëgjuan zëra të liq, se, disa mjekë të papërgjegjshëm të spitalit të Vlorës, përfituan dhe i përvetësuan ato ndihma...
Ky akt mosmirënjohës ndaj familjes Velaj, ishte edhe pengu i madh që Dr. Selahedin Velaj kishte dhe e mori me vete.
* * *
Gjatë kohës së luftës së tmerrshme gjakatare në Kosovë, këngëtarja shqiptare Alida Hisku me banim në Gjermani, bashkë me bashkëshortin e saj, Dr. Thomas Keune, vepruan individualisht, pa ndërhyrjen e askujt tjetër, për t'i ardhur në ndihmë motrave dhe vëllezërve shqiptarë në Kosovë.
Nëpërmjet shumë të njohurve të tyre gjermanë, në një kohë rekord, per 5-6 ditë mblodhën afro 62 ton ndihma.
Mirëpo, si duheshin transportuar keto ndihma!?
Thomas Keune (Tomi) bisedoi me Ministrinë e Brendëshme Gjermane dhe siguroi 5 aeroplanë ushtarakë në dispozicion për ngarkesat e tyre në drejtim të Rinasit, që në atë kohë ishte bllokuar per avionat civilë dhe ishte bërë bazë e Natos. Me një punë intensive dhe të shpejtë, sepse nuk priste koha, bashkëshortët organizuan nga qytetet e ndryshme gjermane që i gjithë malli të mblidhej në Köln ku ishte edhe baza ushtarake e avionëve.Të gjithe atë transport me maune të mëdha spedicioni i paguan vetë ata, kurse për aeroplanët (i cili bënte vetëm 1 000000 DM një fluturim për në Rinas) që vetëm çifti Keune kishte pesë , e sponzorizoi ushtria gjermane per Tomin, Thomas Keune...
Ndërsa shtypi dhe televizionet gjermane i bënin jehonë të madhe, duke vlerësuar aktin njerëzor të bashkëshortëve Alida Hisku dhe Thomas Keune, heshtja e autoriteteve të Kosovës deri edhe në ditët e sotme, për t'i falenderuar ata, duket sikur tregohetn mosmirënjohës.
.........
Të gjithë ne duhet të jemi të prirur nga virtyt i lartë shoqëror, akti i vetëdijshëm, mirënjohjen, sepse edhe vetë librat e shenjtë, BIBLA DHE KUR'AN-i, mirënjohjen e cilësojnë si aktin qendror midis virtyteve të tjerë.